Fundjavë e mbushur me yje në festivalin “Coachella”

Befasitë nuk reshtën së mbaruari në tri ditët e para të festivalit “Coachella”.

Adhuruesit e mbledhur për këtë ngjarje, patën rastin t’i ndjekin performancat fantastike ‘live’ të idhujve të tyre, si The Weeknd, Justin Bieber, Snoop Dogg, Doja Cat dhe të tjerë.

Nata e parë e festivalit, të premten (15 prill), u hap me performancën fantastike të këngëtarit britanik, Harry Styles. Ai i befasoi adhuruesit e pranishëm me të ftuar në skenë yllin legjendar të muzikës, Shania Twain. Dyshja e interpretoi hitin ikonik të Twainit, “Man, I Feel Like A Woman” dhe turma e mirëpriti këtë befasi me brohoritje e duartrokitje të vazhdueshme, raportoi të hënën portali “NME”.

Ndër performuesit e tjerë që e entuziazmuan turmën jashtëzakonisht shumë, ishin Justin Bieber dhe Snoop Dogg, të cilët i bashkuan forcat në skenë me artistët, Daniel Caesar dhe Anitta.

Edhe Big Sean e mahniti turmën e adhuruesve me ta ftuar në skenë këngëtaren, Jhene Aiko, e cila njëherësh është e dashura e tij.

Në natën e dytë ishte këngëtarja, Billie Eilish, ajo e cila e rrëmbeu vëmendjen e publikut me performancën e saj. Ajo po ashtu u bë artistja më e re në moshë që ka performuar në skenën e festivalit “Coachella”.

Eilish i interpretoi disa prej hiteve të saja më të njohura, e shoqëruar nga bendi dhe vëllai i saj, Finneas. Në një moment gjatë mbrëmjes, këngëtarja 20-vjeçare e ftoi në skenë vokalistin e grupit “Gorillaz”, Damon Albarn, me të cilin i performoi disa këngë, përfshirë këtu edhe hitin, “Feel Good Inc.”. Khalid ishte artisti tjetër i cili iu bashkua Eilishit në skenë për ta interpretuar këngën e tyre të përbashkët, “Lovely”.

Në fund të performancës së saj, Billie Eilish, e shfrytëzoi rasti për t’i falënderuar adhuruesit e saj duke thënë: “Kjo është një ndjenjë e çuditshme. Unë nuk duhet të isha këtu si performuesja kryesore e mbrëmjes. Por, për këtë ju falënderohem juve dhe ndihem mirënjohëse që jam këtu bashkë me të gjithë ju. Kjo është një ëndërr e shndërruar në realitet për mua. Një çmenduri e vërtetë”.

Nata e dytë gjithashtu e shënoi debutimin e reperes Megan Thee Stallion, në festivalin e famshëm të Kalifornisë. Ajo nuk i zhgënjeu fansat e saj duke i interpretuar disa prej hiteve më të njohura, përfshirë edhe një këngë të re të padëgjuar më parë.

Nata e tretë i takoi këngëtarit kanadez The Weeknd, grupit “Swedish House Mafia” dhe rep artistes, Doja Cat. Ata ishin ndër performuesit kryesorë të mbrëmjes dhe u kujdesën që ta argëtonin publikun me interpretimet fantastike të hiteve të tyre më të njohura. Edhe muzika latine ishte pjesë e rëndësishme e kësaj mbrëmjeje me interpretimin fantastik të yllit, Karol G.

Festivali i njohur i muzikës “Coachella” vazhdon edhe fundjavën e ardhshme. Fansat kanë mundësi të argëtohen me interpretimet live të idhujve të tyre, nga 22 deri më 24 prill kur edhe përmbyllet festivali./koha.net/ KultPlus.com

Kanye West e anulon pjesëmarrjen në “Coachella”

Reperi i famshëm amerikan, Kanye West, është tërhequr nga performanca në festivalin e njohur të muzikës, “Coachella”, ku ishte njëri ndër performuesit kryesorë, raportoi të martën portali “Female”.

Ye, kishte muaj të tërë që i kishte paralajmëruar fansat se do të jetë pjesë e festivalit i cili zë vend në shkretëtirën e Kalifornisë, e ku pritet të performojnë edhe yje tjerë të muzikës, si: Billie Eilish, Harry Styles, Doja Cat, “Swedish House Mafia” dhe të tjerë.

Festivali do të mbahet nga 15 deri më 24 prill.

Sipas uebfaqes “Page Six”, reperi 44-vjeçar nga Chicago, do të zëvendësohet në këtë ngjarje nga këngëtari kanadez, The Weeknd.

“Kanye është tërhequr zyrtarisht nga pjesëmarrja në ‘Coachella’. Ai nuk ka bërë fare prova dhe nuk është përgatitur për një shou të stilit të tij. Travis Scott pritej ta shoqëronte atë në skenë. Kurse tani, praktikisht është e pamundur për të që ta organizojë një performancë të mirë. Besohet se The Weeknd do ta zëvendësojë atë në festival”, deklaroi një burim.

Mediat e huaja gjithashtu raportojnë se, reperi i cili në nëntor të vitit të kaluar e ndërroi emrin në Ye, është tërhequr nga pjesëmarrja në festival, pasi dëshiron të largohet për ca kohë nga vëmendja e publikut. Besohet se tani, West dëshiron ta largojë veten nga dramat e shkaktuara nga vet ai, të kujdeset për shëndetin e tij mendor dhe të kërkojë ndihmë profesionale. / KultPlus.com

Organizatorët largojnë Travis Scottin nga lista e performuesve të “Coachella 2022”

Mediat e huaja kanë raportuar se Travis Scott është larguar në lista e performuesve të festivalit muzikor “Coachella 2022”, pas tragjedisë së muajit të kaluar e cila ndodhi në festivalin e reperit “Astroworld”, ku mbetën të vdekur 10 persona e qindra të tjerë të lënduar.

Sipas raportimeve të fundit, , Jim Curtis, menaxher i shërbimeve komunale të qytetit Indio, ku mbahet festivali tradicional, ka deklaruar se Scott nuk do të performojë në edicionin e ardhshëm të festivalit.

Edhe revista “Variety” ka bërë të ditur se reperi i njohur amerikan është larguar përfundimisht nga lista e yjeve që do ta kryesonin këtë ngjarje muzikore. Sipas tyre, organizatorët e “Coachella” i kanë thënë agjentes së Scottit, Cara Lewis, se po planifikojnë ta largojnë reperin nga lista e performuesve dhe se janë të gatshëm ta paguajnë një shumë të nevojshme për anulimin e koncertit të tij.

Megjithëkëtë, konfirmimi zyrtarë dhe përfundimtarë i këtij lajmi mbetet të bëhet nga “Goldenvoice”, kompania prapa organizimit të festivalit “Coachella”, apo nga zëdhënësit e reperit.

Muajin e kaluar u formula një peticion online i cili bënte thirrje për largimin e Travisit nga të gjitha festivalet e organizuara nga kompania “Goldenvoice”, dhe deri më tani janë siguruar 60 mijë nënshkrime të peticionit.

Travis Scott po përballet me disa padi ligjore të ngritura kundër tij, bashkë me kompaninë “Live Nation” që merret me organizimin e koncerteve dhe persona të tjerë të përfshirë në përgatitjen e festivalit “Astroworld”. Në njërin rast gjyqësor, reperi akuzohet për neglizhencë dhe ballafaqohet me padi në vlerë prej 2 miliardë dollarësh, e ngritur në emër të 282 personave.

Ylli i hitit “Escape Plan” ishte planifikuar të performojë në edicionin e vitit 2020 të festivalit “Coachella”, por kjo ngjarje ishte anuluar për shkak të krizës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia. Kurse në edicionin e vitit të ardhshëm të festivalit, Travis Scott, planifikohej ta ndante skenën me yje të tillë si grupi “Rage Against The Machine”, Megan Thee Stallion, Doja Cat dhe grupi “Swedish House Mafia”. / KultPlus.com

‘Coachella’ publikon datat për vitin 2022, rikthehet me muzikë live

Pasi një nga festivalet më të mëdhenj të muzikës në Kaliforni u shty ose anulua shumë herë gjatë gjithë pandemisë COVID-19, datat për rikthimin e tij janë caktuar, shkruan CNN.

Festivali i Muzikës dhe Arteve i Luginës Coachella në Indio do të mbahet nga 15 deri më 17 prill dhe 22 deri më 24 të vitit të ardhshëm, sipas faqes së internetit të Coachellas.

Pasi festivali i prillit 2020 u shty për në tetor të atij viti, ai u anulua nga shqetësimi që qindra mijëra të pranishëm do të përhapnin më tej COVID-19.

Ishte planifikuar gjithashtu për në prill të këtij viti përpara se të anulohej përsëri.

Shitjet paraprake të biletave për festivalin e 2022-ës fillojnë më 4 qershor në 10:00 PT. Të pranishmit e interesuar mund të kenë qasje në shitjen paraprake tani.

Festivali Stagecoach, i cili mbahet gjithashtu në Indio, njoftoi se do të kthehet edhe në pranverën e ardhshme: 29 prill – 1 maj.

Fansat mund të regjistrohen në faqen e internetit të festivalit për t’u njoftuar kur do të ketë shitje paraprake të biletave.

Lista e këngëtarëve për secilin festival nuk janë njoftuar ende.

Lajmi për kthimin e festivaleve të muzikës vjen mes një serie njoftimesh rikthimi: muajin e kaluar, organizatorët prapa Lollapalooza, festivali më i madh i muzikës në Çikago, njoftuan se festivali do të kthehej këtë verë me vaksinat COVID-19 ose testet negative të kërkuara nga të gjithë të pranishmit. / KultPlus.com