Coca-Cola, McDonald’s dhe PepsiCo ndotësit më të mëdhenj të mjedisit

Coca-Cola, McDonald’s dhe PepsiCo janë ndotësit më të mëdhenj të ambalazheve në Britanine e Madhe, sipas një studimi vjetor për mbetjet.

Grupi i fushatës “Surfers Against Sewage”, i cili publikoi analizën e tij vjetore, shqyrtoi më shumë se 30 700 artikuj ndotës individualë, të mbledhur nga mbi 4 000 shkencëtarë përgjatë vijave bregdetare, shtigjeve të kanaleve dhe rrugëve të qytetit gjatë një periudhe 12-mujore, deri më 5 qershor.

Auditimi zbuloi se 12 kompani janë përgjegjëse për më shumë se dy të tretat (70%) të ndotjes gjatë vitit.

Coca-Cola u zbulua se ishte ndotësi më i madh në Britaninë e Madhe për të katërtin vit radhazi, përgjegjëse për pothuajse një të pestën (17%) të ndotjes së regjistruar nga shkencëtarët.

Ndotja ka vazhduar pavarësisht se kompania ka nisur iniciativat për reduktimin e ndotjes plastike.

McDonald’s u rendit në vendin e dytë me 11% të artikujve ndotës, e ndjekur nga PepsiCo këtë vit, e cila ishte në vendin e tretë.

Së bashku, Coca-Cola, McDonald’s dhe PepsiCo ishin përgjegjës për 37% të të gjithë ndotjes së mbledhur gjatë inspektimit, vetëm me dy pikë përqindje më poshtë nga shifrat e vitit të kaluar.

Ndotës të tjerë kryesorë janë gjithashtu, “Tesco”, “Haribo”, “Nestle”, “Heineken”, “Mars”, “Carlsberg” dhe “Red Bull”./KultPlus.com

Historia tragjike e John Pemberton, njeriut që shpiku Coca-Cola-n

Coca-Cola konsiderohet si një nga markat më të njohura në mbarë botën, dhe është pija e dytë më e konsumuar në botë, pas ujit. Besoj që shumica duhet ta dinë se kjo pije e njohur me gaz, fillimisht nisi si një ilaç por a e dini historinë që qëndron pas shpikësit të saj të famshëm.

John Stith Pemberton

John Pemberton lindi në Georgia në 1831. Edhe pse vinrte nga një familje modeste, ai arriti të arsimohej, duke u diplomuar në 1848 dhe në 1850 mori edhe licencën për t’u bërë farmacist.

Jeta për të ishte me ngjyra ndërsa ai ra në dashuri dhe u martua me Annie Elise Clifford Lewis. Një vit më vonë lindën një djalë dhe e quajtën Charles Ney Pemberton. Një dekadë më vonë në 1861, shpërtheu Lufta Civile dhe Pemberton u rekrutua nga Garda Shtetërore e Georgias.

Në betejën e Columbus, Pemberton pësoi disa lëndime dhe për të lehtësuar dhimbjen, ai përdori morfinë, një ilaç që përdoret edhe sot si qetësues kundër dhimbjeve, raporton abcnews.al.Pas përfundimit të luftës në 1865, ai iu kthye normalitetit, me vetëm një ndryshim të vogël por jetik në ekzistencën e Coca-Cola-s, një varësi ndaj morfinës.

Ai e dinte se kjo do t’i shkatërronte jetën ngadalë, kështu që iu desh të shpikte një lloj ilaçi për të hequr dorë nga varësia e tij ndaj morfinës.

Varësia e tij çoi në një shpikje të re.

Kjo është arsyeja pse ai filloi të punonte për një shurup të ri që do të ndihmonte jo vetëm atë, por këdo që kishte varësi nga ilaçe të ndryshme. Në 1865 një vit pas betejes së Columbus ai filloi të shiste pije të quajtura “Pemberton’s French Wine Coca”.

Pija ishte një përzierje midis verës dhe kolës, që e prodhonte në farmacinë e tij ” Pemberton Aquila and Drug House “. Pija u reklamua si një qetësues dhimbjes dhe anti-depresiv dhe fitoi popullaritet të konsiderueshëm në atë kohë, megjithesë nuk e zgjidhi varësinë e morfinës së farmacistit.

Për shkak se alkooli ishte i ndaluar në 1886, Pemberton u detyrua të riemëronte pijen e tij. Coca-Cola (një version joalkoolik). Fillimisht qëllimi ishte të krijonte një ilaç të vërtetë, por Pemberton aksidentalisht përziu shurupin me ujë të gazuar dhe shpiku Coca-Colën që të gjithë e njohim.

Pemberton vuri re që pija e tij filloi të tërhiqte shumë vëmendje për shijen e saj unike, prandaj vendosi ta shndërronte ilaçin në një pije freskuese, duke hequr një pjesë të përmbajtjes mjekësore dhe duke e zëvendësuar me më shumë sheqer dhe një zëvendësues natyrale të sheqerit.

Pija u vlerësua aq shumë sa Pemberton themeloi kompaninë Coca-Cola më 29 janar 1892.

Nëse nuk do të kishte ndodhur Lufta Civile dhe Pemberton do të ishte plagosur në betejë, ai mund të mos kishte krijuar kurrë një varësi ndaj morfinës dhe për këtë arsye nuk do të shpikte dot një pije për të ndihmuar varësinë e tij, duke rezultuar në një botë pa Coca-Cola. /albeu.com / KultPlus.com

Gjesti i Ronaldos ia humbi Coca Colas 4 miliardë dollarë në aksione

Ylli portugez Cristiano Ronaldo, të hënën mbrëma mbajti konferencë për media para ndeshjes Portugali – Hungari, që ka nisur në orën 18:00.

Ronaldo me t’u ulur në tavolinë, kishte para vetes dy shishe të pijes së gazuar Coca Cola dhe i largoi ato, duke ngritur lart shihen me ujë të thjeshtë dhe duke porositur: ”Pini ujë”.

Gjesti i tij nuk ishte vetëm simbolik. Me këtë ai ndikoi që aksionet e kompanisë amerikane të bien në bursë, nga 56.10 dollarë në 55.22 dollarë, përkatësisht 1.6 për qind.

Ronaldo njihet për jetë të shëndetshme. Por jo të gjithë në shtëpinë e tij e ndjekin shembullin e tij, sidomos jo djali i tij i madh.

“Do të shohim nëse do të bëhet futbollist i madh. Nganjëherë pinë Coca Cola dhe ha patatina, kjo më nervozon së tepërmi”, pati thënë Ronaldo./kohanet/ KultPlus.com

Muzeu që ruan sekretin e “Coca-Colas”

Gruaja aziatike arrin ta mundë frikën dhe më në fund lëshohet nga helikopteri me parashutë. Gjyshja afrikane mbetet e stepur nga befasia që ia bëjnë nipërit e mbesat për ditëlindje.

Familja hinduse shikon e lumtur fishekzjarrët shumëngjyrësh që ndriçojnë qiellin. Një ushtar amerikan kthehet në shtëpi nga zonat ku ka shërbyer. Një vajzë i hedhet në përqafim të dashurit pasi i thotë Po propozimit të tij për martesë.

Këto janë vetëm disa përjetime të njerëzve të moshave dhe kulturave të ndryshme nga i gjithë globi, që shfaqen në ekranin gjigant të kinemasë së vogël gjysmëhark, shkruan sot Koha Ditore.

Që të gjithë i festojnë momentet e gëzimit duke hapur e cakërruar shishet e “Coca-Colas”.

“Faleminderit që na lejoni në botën tuaj. Tani na lejoni ne t’ju ftojmë në botën tonë”, dëgjohet një zë femre në përmbyllje të videos gjashtëminutëshe. Sakaq dy dyer të mëdha skaj ekranit hapen dhe vizitorët ndjekin dritën që depërton prej tyre për të dalë në hollin e madh me kulm të xhamtë. Aty u shfaqet bota e madhe e “Coca- Colas”.

I madh është edhe numri i vizitorëve që kanë kureshtje ta njohin atë në një pasdite fundgushti.

Muzeu i pijes më të famshme në botë ndodhet në vendlindjen e saj, në Atlanta, Georgias.

“The World of Coca-Cola” (Bota e Coca- Colës) është muze dykatësh në formë gjysmëharku. Hyrja aty është me pagesë dhe vizitori duhet të kalojë nëpër kontrollin e skanerit. Ngjitur me muzeun është ndërtesa e lartë ngjyrë çimentoje, ku ndodhet selia e kompanisë që prodhon pijen me të cilën ka më shumë se një shekull ëmbëlsohet dhe freskohet njerëzimi.

Një plagë, morfina dhe “Coca-Cola”

Mbrëmjen e 16 prillit 1865, kalorësit e Unionit dhe Konfederatës ishin përleshur në urën e Columbias, në Georgia, që njihet edhe si beteja e fundit e Luftës Civile në SHBA.

Gjatë luftimeve koloneli i Konfederatës, John Pemberton, kishte marrë plagë të thella në gjoks nga shpata dytehëshe dhe ishte tërhequr nga fushëbeteja. Mund të duket e pabesueshme, por është pikërisht plaga e tij arsyeja që ne sot kënaqemi me pijen magjike dhe mrekullohemi me reklamat e saj./koha.net/KultPlus.com

Coca Cola shtron iftar në platonë e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, lejen e ka dhënë Rektorati i UP-së dhe Komuna e Prishtinës

Sonte në Platonë e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, nga Kompania Coca Cola do të shtrohet një iftar, në shenjë të Muajit të Ramazanit, shhkruan KultPlus.

Pavarësisht prej thirrjeve të shumta që ceremonitë fetare të mbahen larg institucioneve shtetërore, kjo kompani, me leje të Rektoratit por edhe të Komunës së Prishtinës, sonte do të shtrojë një iftar për besimtarët mysliman.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Fazli Gajraku ka thënë për KultPlus se për këtë çështje vetëm është njoftuar, por askush nuk ka kërkuar leje nga ai. Por lejen për këtë darkë e ka dhënë Rektorati në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Në një emal të kompanisë Coca Cola drejtuar redaksisë së KultPlus është konfirmuar se një leje e tillë është dhënë nga Rektorati dhe Komuna e Prishtinës.

“Për 5 vitet e fundit, Coca-Cola ka organizuar darkë në Ramazan me qëllim për të mbledhur familje dhe miq, dhe të gjithë qytetarët tanë për të ndarë një vakt së bashku”, kanë thënë për KultPlus nga Kompania Coca Cola.

Ata më tutje kanë sqaruar se duke pasur parasysh numrin e pritur të njerëzve dhe të gjitha aktivitetet e planifikuara, vendndodhja për këtë darkë të posaçme u zgjodh në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës për të qenë hapësira përpara Bibliotekës Kombëtare.

“Ky vendim u miratua zyrtarisht nga sektori i shërbimit publik të Komunës së Prishtinës, si dhe nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Ne jemi shumë krenarë që Coca-Cola po e numëron ngjarjen e 21-të të këtij lloji në të gjithë Kosovën, me më shumë se 30,000 njerëz që u mblodhën për të ndarë së bashku dhe shijuar darkën tonë “Coke and meal” në Ramazan. Ne shpresojmë se do të kemi shumë mundësi në vitet që vijnë për të organizuar ngjarje të ngjashme ku mund të sjellim gëzim dhe lumturi për qytetarët e Kosovës”, kanë thënë nga Kompania Coca Cola.

Për këtë vendim të Rektoratit dhe Komunës së Prishtinës, redaksia e KultPlus nuk ka arrit të mësojë nga këto institucione se pse kanë dhënë një leje të tillë mu në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, kurse për këtë veprim historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se ka kohë që shteti laik, i përcaktuar me kushtetutën e Republikës së Kosovës, po nëpërkëmbët nga ata që janë të thirrur ta mbrojnë: pushtetarët si dhe gjyqësori.

“Presidenti, kryetari i parlamentit, Kryeministri dhe liderët kryesor të partive politike, duke e thyer parimin e laicitetit, po i vardisën religjionit. Këtë e bëjnë për dy arsye: për përfitime materiale si dhe për sigurimin e klientelës nga xhamitë! Këto veprime, bëhen edhe më shqetësuese, kur prekin institucionet shtetërore, arsimore dhe kulturore”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij, nëse vazhdon kështu, mund të pritet që gjatë ramazanit të mbyllen edhe shkollat, të pushojë veprimtaria ekonomike me çka shteti laik do t’ia lëshonte vendin shtetit të sheriatit, ndërsa identieti kombëtar do të zëvendësohej me identiet fetar.

“Këtë ka kërkuar dikur Çubrilloviqi dhe ata që kanë bërë elaborate kundër shqiptarëve në mënyrë që ata me gjenocide të përjashtohen nga harta politike dhe shtetërore e Ballkanit me anatemën e “mbetjeve islamike”. Si historian mund të përseris maksimën e njohur: ata që nuk marrin mësim nga historia, ajo i denon poamëshirshëm! Ky dënim, do të shaqej si vetëndëshkim”, ka thënë Buxhovi.

Ndërkohë, për këtë darkë që do të shtrohet sonte në platonë e BKK-së, KultPlus ka provuar të merr një përgjigje edhe nga ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, por i njëjti nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë institucion që është në varësi të MKRS-së./KultPlus.com

Sqarim nga kompania Coca-Cola mbi muralin e mbuluar me billboard

Si një kompani që promovon vlera pozitive, sistemi Coca-Cola në asnjë moment nuk kishte për qëllim të mbuloj artin mural në ndërtesën e ish-Slovenia Sportit ose të neglizhojë trashëgiminë e qytetit të Prishtinës. Duke pasur parasysh reagimet e banorëve, ne kemi vendosur të heqim billboardin tonë i cili tashmë është larguar.

Jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të komunitetit lokal dhe ju sigurojmë se planifikojmë të mbështesim shumë iniciativa të fokusuara në filantropinë artistike të komunitetit./KultPlus.com