Sezoni i ri artistik nis me shfaqjet ‘Coriolanus’ dhe ‘Unë Mefisto’

Sezoni i ri artistik për Teatrin Kombëtar do të nisë me shfaqjen “Coriolanus”, ndërsa për Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me shfaqjen “Unë Mefisto”.

“Coriolanus” me regji nga Altin Basha është një produksion madhështor me 80 aktorë dhe do të shfaqet në ArTurbina në 13, 14, 15 dhe 16 janar.

Në rolet e veprës janë Gazmend Gjoka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Viktor Zhusti, Elia Zaharia, Genci Fuga, Hervin Çuli, Dritan Boriçi, Florian Agalliu, Arben Derhemi, Besmir Bitraku, Myzafer Zilfa, Genti Deçka, Erjona Kakeli, Xhuliano Brisku, Donald Shehu, Doriana Çaushi, Gjergj Mena, Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj, Griseld Kapllanaj, Juxhin Plovishti, Bujar Hoxhaj, etj. Përkthyes i veprës është Alqi Kristo, skena dhe kostumet Ilirana Loxha Basha, kompozitor dhe mjeshtër i korit miks dhe ritmeve Trimor Dhomi, mjeshtër skene Marco Rubboli, koreograf dhe mjeshtër plastike Robert Nuha, as.regjisore Doriana Çaushi.

“Coriolanus” është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut (“Jetë paralele”). Asgjë thelbësore nuk është ndryshuar, por gjenialiteti qëndron tek fakti se përtej historisë, Shekspiri ngre një monument arti me dialogjet, personazhet dhe çështjet që shënjestrohen në këtë tragjedi.

Shfaqja “Unë Mefisto”, bazuar dhe inspiruar nga Goethe & Klaus Manndo do të nisë në 7 janar sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Një bashkëpunim ndërballkanik me artistë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia kjo shfaqje vjen në drejtimin e regjisorit Dino Mustafic, drejtor i teatrit Kombëtar të Sarajevës. Ndërsa as/regjisor është Melisa Novosel, Koreograf: Gjergj Prevazi, Kompozitore: Irena Popoviç, Kostumografi: Iliriana Basha, Graphic Design: Sara Kapo, producente është Ema Andrea.

Në këtë shfaqje interpretojnë aktorët: Ilire Vinca, Ema Andrea, Ermir Jonka, Rafael Hoxhaj, Matia Llupa, Krist Lleshi, Linda Jarani, Ilia Kaçi, Florist Bajgora dhe Enisa Hysa.

Në qendër të shfaqjes “Une, Mefisto” janë dilemat dhe mëkatet e shpirtit njerëzorë përlyer nga kompromisi social- politik. Ajo do të shfaqet në datat 7, 8 dhe 9 janar në Teatrin Kombëtar Eksperimental./atsh/KultPlus.com

‘Coriolanus’ e Shekspirit shfaqet në Teatrin Kombëtar

Kritiku i njohur i artit, Josif Papagjoni, e vlerësoi si sukses vënien në skenë të shfaqjes “Coriolanus” me regji nga Altin Basha nga Teatri Kombëtar.

Ky produksion madhështor me 80 aktorë u shfaq premierë në tre netë në ArTurbina.

Papagjoni thekson se “nuk është e lehtë të vesh Shekspirin dhe vepra të dimensionit të madh”.

“Tragjedia e Shekspirit “Koriolani” (Coriolanus) e pata lexuar diku nga viti 1970 kur isha student në Institutin e Lartë të Arteve; qe një kopje e daktilografuar në bibliotekë, nuk e di kush e kishte përkthyer. Më kishte mbetur në mendje qysh atëhere madhështia e këtij gjenerali romak, sanguiniteti i tij, krenaria dhe guximi. Dhe kaq. Një hero i përmasës gati mitike si një Skipion Afrikani. Ja ku vepra vjen tani e përkthyer nga Alqi Kristo; edhe një tragjedi më shumë nga Shekspiri për lexuesin dhe spektatorin shqiptar. Por ajo nuk do të mundësohej dot pa regjisorin Altin Basha, që e mori përsipër ta vinte në skenë. Është diçka e madhe, tablore, thuajse shtypëse, kur e mendon ta inskenosh. Një stërpeshë, me veprim e hapësirë thuajse në përmasa filmike, me beteja, shkundullime turmash me ushtarë e qytetarë, me masa të mëdha figurantësh, përleshje me shtiza e shpata, turma klithëse, hordhi”, nënvizon Papagjoni.

Ndofta, vijon Papagjoni,  është nga tragjeditë më të vështira të Shekspirit për t’u inskenuar, paçka se në përgjithësi tragjeditë e tij të tillat janë: masive, me shumë personazhe, që shkojnë në disa dhjetëra, pasuar nga masa njerëzore qytetëse, patricë, ushtarë etj.

“Por “Coriolanus” në Teatrin Kombëtar është, mbase, inskenimi më i vështirë nga pikëpamja e menazhimit të masës së mbi 40 figurantëve dhe shndërrimit të saj në një “personazh”, në një “veprim energjik” të njësuar, që ndezullon konfliktin dhe i jep peshë e domethënie marrëdhënies së tensionuar hero-turmë”, thekson Papagjoni.

“Coriolanus” është bazuar mbi një histori të vërtetë, e cila gjendet në shkrimet e Plutarkut (“Jetë paralele”). Asgjë thelbësore nuk është ndryshuar, por gjenialiteti qëndron tek fakti se përtej historisë, Shekspiri ngre një monument arti me dialogjet, personazhet dhe çështjet që shënjestrohen në këtë tragjedi. “Ai na ngjall para syve Romën aq antike, komplekse dhe moderne në të njëjtën kohë. Vepra ndodh në fillimet e Republikës së Romës. Destabiliteti i vazhdueshëm politik, shpërthimet e papritura të dhunës, rrënimi i pushtetit popullor, manipulimi i turmave, kurthet politike në parlament, ekstremizmi demokratik, pushteti autokratik dhe përdorimi i tij, janë dekori në të cilin ndodh tragjedia e Kaj Marcit (Coriolanus). Fisnikëria e këtij heroi betejash mposhtet nga mungesa e aftësisë për të kuptuar makinacionet e politikës.

“Coriolanus” një kryevepër e Shekspirit u shfaq më 17, 18 dhe 19 dhjetor në “ArTurbina” . Vepra do të jetë në skenë dhe në datat 23, 24, 25 dhe 26 dhjetor./atsh/KultPlus.com