Fshati që s’dinte asgjë për pandeminë derisa shkuan për t’i vaksinuar

Prej gati dy vitesh, bota është e mbërthyer nga pandemia e koronavirusit, ku deri tani kanë ndërruar jetë të prekur me Covid-19 më shumë se 5 milionë persona.

Megjithatë, një komunitet me 5800 persona, të cilët jetojnë mes pyjeve të dendur të Amazonës në Peru, as që ia kishin idenë pandemisë, deri në momentin kur aty mbërriti grupi i vaksinatorëve.

“Nuk dinim që koronavirusi ekzistonte. Është hera e parë që kemi dëgjuar për këtë virus të quajtur Covid-19”, tha Apu Mariano Quisto për Reuters në momentin kur aty mbërriti grupi i vaksinatorëve.

Mangual është fshati më i largët mes Amazonës. Banorët nuk kanë energji elektrike në shtëpitë e tyre prej druri, ndërsa jetojnë nga gjuetia dhe peshkimi. Lidhja me botën e jashtme për ata është minimale. Grupit të vaksinatorëve dhe atij të Reuters iu deshën 3 ditë udhëtim e lundrim me varkë për të mbërritur në këtë komunitet. / KultPlus.com

Vendi që raporton për herë të parë një rast me Coronavirus

Ishulli Tonga ka raportuar rastin e parë me coronavirus që nga fillimi i pandemisë pasi një pasagjer që udhëtonte nga Zelanda e Re rezultoi pozitiv.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, në një fjalim në radio të premten, kryeministri i Tongës, Pohiva Tu’i’onetoa konfirmoi se kishte një rast me COVID-19 midis 215 pasagjerëve që mbërritën nga qyteti i Christchurch.

E vendosur në verilindje të Zelandës së Re, Tonga është shtëpia e rreth 106 mijë njerëzve. Rreth 31 për qind e banorëve janë plotësisht të vaksinuar dhe 48 për qind kanë marrë së paku një dozë, sipas grupit kërkimor Our World in Data.

Ishulli është ndër vendet e pakta të mbetura në botë që ka shmangur shpërthimet e COVID-19. / KultPlus.com

Bideni i habitur nga kundërshtimi për t’u vaksinuar kundër koronavirusit


Presidenti Joe Biden është i habitur nga kundërshtimi i vazhdueshëm i disa amerikanëve për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, veçanërisht mes republikanëve që kundërshtuan zgjedhjen e tij si president.

“Sinqerisht mendova se, pasi të kishim vaksina të mjaftueshme për të gjithë, gjendja do të fillonte të qetësohej, “tha presidenti Biden për kanalin ABC News të martën. “Dhe në fakt është qetësuar mjaft”.

Presidenti Biden i tha gazetarit të ABCNews George Stephanopulos se nuk po arrin të kuptojë këtë situatë.

“Atëherë përse nuk tregohesh patriot? Të mbrosh njerëzit e tjerë ”, tha presidenti Biden.

Joe Biden, i cili u vaksinua para inaugurimit të tij dy muaj më parë, tha se u tregoi amerikanëve me shembullin e vet se vaksina është e sigurt dhe ishte gjithashtu personalisht lehtësuese “sepse tani mund t’i përqafoj nipërit e mi”, tha presidenti. “Ata vijnë më vizitojnë, mund t’i shoh dhe jam në gjendje të rri me ta”.

Rreth 13% e amerikanëve të rritur, më shumë se 35 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht. Ish-presidenti Donald Trump dhe gruaja e tij Melania u vaksinuan të dy para se ai të largohej nga detyra.

Të martën, Trump i tha kanalit Fox News, “Unë e rekomandoj vaksinën, dhe do t’ua rekomandoja atë shumë njerëzve që nuk duan ta marrin, dhe shumë prej tyre votuan për mua, sinqerisht”. \ VOA / KultPlus.com

Mbi një mijë fjalë të reja gjermane u krijuan gjatë pandemisë

I mbizmadhuar? Covidiot? Me një numër të madh fjalësh të reja të frymëzuara nga Covid-19, gjermanishtja në mënyrë kreative pasqyron zhvillimet e vitit të kaluar.

Shtrëngica e koronavirusit jo vetëm që nuk i ka kthyer tërësisht përmbys jetët tona, por i ka shtuar gjuhës gjermane si asnjë ngjarje tjetër më parë.

Gjatë vitit të kaluar, gjermanët ishin “zoom”-uar së tepërmi me aq shumë videokonferenca, dhe e kthyen fjalën mbyllje në një folje denglish “gelockdownt”.

Më tutje ata zbatuan dashurinë e tyre për shkurtesa për të ravijëzuar një sërë rekomandimesh për të shmangur shpërhapjen e virusit. Ajo që filloi si rregullat “AHA” u zgjerua në “AHACL” – ku A qëndron për “Abstand” (distancim), H për “Hygiene”, A për “Alltagsmaske” (maskë fytyre), C për “Corona-Warn-App” (aplikacioni gjerman për gjurmim të virusit) dhe L për “Lüften” (ajrosje).

Instituti Leibniz për Gjuhën Gjermane (IDS), me qendër në Mannheim, ka stivuar më shumë se 1 mijë fjalë të reja, që të gjitha të lidhura me pandeminë. Për secilën fjalë, instituti citon edhe një artikull gazete ku është përdorur. Pavarësisht nëse janë përvetësuar fillimisht prej popullatës apo u popullarizuan përmes diskutimeve politike, fjala pasqyron atë se si vendet gjermanishtfolëse u ballafaquan me pandeminë gjatë vitit që shkoi.

Image

Një prej rrengjeve të gjuhës gjermane është të gërshetojë fjalë ekzistuese duke iu dhënë atyre kuptim të ri, që mundëson të pasqyrohen në mënyrë kreative qasjet e ndryshme kundrejt zhvillimeve në lidhje me virusin, me “Klopapierhamster” (brejtës të letrave të tualetit) dhe “Covidiots” që shfaqej në ballina për ato sjellje vetjake në prag të valës së parë.

“Gesichtskondom” (kondom fytyre) dhe “Schnutenpulli” (turi i xhupit) u duken si mënyra humoreske për të përshkruar maskën e fytyrës.

Disa nga këto fjalë të ndërthurura janë që të gjitha të huazuara nga anglishtja, të tilla si “Social-Distancing-Shaming”, që ka të bëjë me njerëzit që qortojnë të tjerët pse nuk mbajnë distancë sigurie në një hapësirë publike, ose “Superspreader-Events”, një dukuri që u pikas anembanë botës, në të cilat tubime të caktuara çuan në një numër të lartë infektimesh./koha/ KultPlus.com

Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar për masat e reja anti-Covid që do të hyjnë në fuqi nga dita e premte e kësaj jave

Komunat me rrezik të lartë, apo në zonë të kuqe Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen aktivitetet ekonomike pas orës 19:00.

“Në zonë të kuqe janë shtatë komuna, Prishtina, Podujeva, Gjakova, Gjilani, Ferizaji, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Shtimja. I kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00 me specifikat e manualit për mbrojtje nga koronavirusi. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik vendoset kufizim i plotë i qytetarëve, orë policore nga ora 19 në këto komuna. Ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 19:00”, ka deklaruar Hoti.

Hoti tha se masat do të hyjnë në fuqi nga kjo e premte.

“Kjo është zgjidhja më e mirë që kemi mundur të bëjmë, duke pasur parasysh interesat që ka ekonomia, por duke vendosur në rend të parë shëndetin publik. Masat do t’i dërgojmë për votim menjëherë pas kësaj konference. Masat hyjnë në fuqi të premten në orën 19:00, kur fillon mbyllja e komunave në zonë të kuqe. Gjatë ditës kemi lejuar aktivitetin ekonomik me masa strikte”, ka deklaruar Hoti./ gazeta express/ KultPlus.com

Madonna censurohet nga Instagrami për përhapje të dezinformatave për koronavirus

Ylli i muzikës Pop, Madonna është censuruar nga Instagrami, pasi ka shpërndarë një video në lidhje me një teori të komplotit të koronavirusit për 15 milion ndjekësit e saj.

Në postimin e saj, këngëtarja pretendoi se tashmë ishte gjetur një vaksinë për Covid-19, por po fshihej për të “lënë të pasurit të pasurohen”, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Instagram mjegulloi videon me një titull ku thuhej: “Informacion i rremë”. Gjithashtu bëri drejtimin e përdoruesve në një faqe që diskreditonte pretendimet në video, duke vënë në dukje se nuk ka vaksinë të koronavirusit.

Videoja u fshi më vonë nga faqja e Instagramit të Madonnas, por jo para se fansat të protestonin ndaj vendimit të saj për të ndarë postimin. Midis tyre ishte ylli i popit Annie Lennox, i cili komentoi: “Kjo është çmenduri e plotë!!! Shpresojmë që faqja juaj të jetë hakuar dhe thjesht do ta shpjegoni”, shtoi ajo.

Videoja në fjalë tregonte një grup të quajtur Mjekët e vijës së Parë të Amerikës që flisnin jashtë ndërtesës së Gjykatës Supreme të SHBA-së në një ngjarje të organizuar nga Partia otsaj Patriots Action. Në klip, Dr. Stella Immanuel, një doktor nga Houston, tha se ajo kishte trajtuar me sukses 350 pacientë me koronavirus me hidroksiklorurinë.

Facebook dhe Twitter më parë kishin hequr videon, duke e cilësuar si dezinformatë; ndërsa Donald Trump Jr ju ndalua mundësia e postimit në Twitter për 12 orë si dënim për ndarjen e klipit.

Sipas BBC, kjo nuk është hera e parë që Madonna ka bërë pretendime të diskutueshme rreth koronavirusit. Në mars, ajo postoi një video nga banjën e saj, duke përshkruar virusin si “barazimin e shkëlqyeshëm”. Dy muaj më vonë, ajo njoftoj se kishte rezultuar pozitive për antitrupat, gjoja duke dhënë imunitetin e saj nga sëmundja. / KultPlus.com

Reagon Sindikata e Shërbyesve Civil në MAShT pas lajmit se 100 punonjës janë pozitiv më koronavirus

Sindikata e Shërbyesve Civil në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar pas publikimit të një lajmi kinse 100 punonjës në këtë ministri janë infektuar me koronavirus.

Sipas kësaj sindikate lajmi është i pasaktë, dhe të gjithë zyrtarët e ministrisë janë duke i respektuar masat e IKSHPK’së.

“Sindikata e Shërbyesëve Civil në Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës, Reagon në lajmin e publikuar nga nacional. Info, ku shkruan se 100 punonjës të Ministrisë së Arsimit pozitiv me COVID-19. Lajmi është i pa saktë! Zyrtarët e MASh, edhe në këto rrethana me përkushtim të madh po i sherbejnë të gjithë qytetarëve, duke i respektuar masat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), duke bartur maskat, duke mbajtur distancën, dhe duke mbajtur higjenen. Respekt, për komplet stafin e MASh”, thuhet në reagim. / KultPlus.com

E pranon edhe OBSH, coronavirusi mund të përhapet edhe përmes ajrit

Organizata Botërore e Shëndetësisë, e pranoi se ekziston mundësia që coronavirusi të transmetohet përmes ajrit, pasi një grup shkencëtarësh nxitën organizatën që të azhurnonte udhëzimet për përhapjen e virusit.

“Ne e kemi pranuar këtë si mundësi, si një nga mënyrat e transmetimit të COVID-19”, tha Maria Van Kerkhove, nga OBSH.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, OBSH deri më tani ka potencuar se coronavirusi përhapet kryesisht nga spërkalat e hundës apo gojës, të cilat pas dy metrave bien në tokë.

Mirëpo një letër drejtuar agjencisë me qendër në Gjenevë, përshkruan se spërkalat mund të qëndrojnë pezull në ajër dhe të infektojnë njerëzit që i thithin ato.

Sipas kësaj informate, shkencëtarët kërkuan nga OBSH t’i azhurojnë udhëzimet për përhapjen e virusit. / KultPlus.com

COVID-19 nuk e ndalë SBASHK-un, 400 mësimdhënës nisen për pushime në Shqipëri

Ndonëse situata me coronavirus në vend tashmë po konsiderohet të jetë jashtë kontrollit, kjo nuk po i ndalon SBASHK-un që të dërgoj mësimdhënësit në pushime në Durrës.

400 mësimdhënës për pesë ditë do të qëndrojnë në kompleksin turistik “Bonita” në Durrës. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se kërkesa për të shkuar në pushim ani pse në kohë pandemie ka qenë e mësimdhënësve, dhe se do të bëjnë çmos që të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Të gjitha vendimet për angazhimet e SBASHK-ut i sjell Këshilli Drejtues që është organi më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve. Këshilli Drejtues ka vendosur  me kohë që të vazhdohet me traditën e filluar para disa viteve për dërgimin e një numri të caktuar të anëtarëve në bregdetin shqiptar. Kësaj radhe ishte një situatë më ndryshe dhe prandaj kemi komunikuar vazhdimisht me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe me vetë të përzgjedhurit nga shkollat e njësit akademike, ata janë shprehur se duan të shkojnë në pushime edhe në këto rrethana të reja dhe ne stafi qendror jemi me ta dhe do të bëjmë çmos që të respektohen masat e institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka theksuar se mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe dhe se grupi i parë është nisur sot.

“Mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe me nga 200 persona. Grupi i parë i mësimdhënësve është nisur sot, aty do të qëndrojnë për pesë ditë ku një ditë pastaj do të pauzojmë për shkak që kompleksi të dezinfektohet, dhe pastaj do të niset edhe grupi i dytë poashtu prej 200 mësimdhënësve”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut bëri të ditur se kompleksi hotelier “Bonita” ku do të akomodohen mësimdhënësit ka kapacitete shumë më të mëdha të akomodimit.

Ai theksoi se masat e kujdesit janë në nivel të duhur dhe çdo gjë do të shkojë mbarë.

Ndryshe në Shqipëri deri më tani janë infektuar 2893 persona ndërkaq 76 kanë humbur jetën.

Kurse në Kosovë numri i të infektuarave nga COVID-19 ka arritur në 3508 kurse 75 persona kanë humbur jetën. /Telegrafi/ KultPlus.com

Njihuni me profesorin e Harvardit i cili u bë miliarder falë coronavirusit

Profesori i biologjisë në Harvard dhe sipërmarrësi Timothy Springer pa të ardhme premtuese në një firmë të re bioteknike një dekadë më parë dhe bëri një investim të hershëm.

Tani, kryesisht si rezultat i atij “basti” – një kompanie në Masaçusets të quajtur Moderna – ai është një miliarder, shkruan Forbes.

Kjo pasi që aksionet e Moderna, e cila ka një vaksinë për COVID-19 aktualisht në provat klinike njerëzore, u rritën më shumë se 12% këtë javë.

Kjo rritje e ka shndërruar Springerin në një miliarder: Forbes vlerëson se ai tani vlen 1 miliard dollarë bazuar në kapitalin e tij prej 3.5% të kapitalit në Moderna dhe aksionet në tre kompani më të vogla bioteknike.

“Filozofia ime është të investosh në atë që dini, dhe unë jam një shkencëtar me zemër. Më pëlqen të zbuloj gjëra”, ka thënë Springer, 72 vjeç, për Forbes.

“Shumë shkencëtarë fillojnë kompani, por pak janë të suksesshëm. Unë jam një investitor aktiv dhe gjithashtu një shkencëtar shumë i rreptë…”.

Të martën, Moderna njoftoi se Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-ës gjurmoi me shpejtësi kandidatin e saj për vaksinat COVID-19, duke i dhënë një shtysë përpjekjes së firmës për të zhvilluar vaksinën e parë për sëmundjen.

Moderna ishte kompania e parë që filloi provat njerëzore për vaksinën e saj, më 16 mars në Seattle, dhe aksionet e kompanisë janë trefishuar në vlerë qëkur OBSH shpalli COVID-19 një pandemi në 11 mars.

I pandikuar nga pasuria e tij e re, Springer ende udhëton me biçikletë për të punuar çdo ditë në Kembrixh, Masaçusets, ku ai bën kërkime në laboratorin e tij.

Luksi i tij i vetëm, thotë Springer, është shtëpia e tij. “Më pëlqen kopshtaria dhe mbledh gurët… nuk kam nevojë për para. Kam një mënyrë jetese akademike”.

Ai gjithashtu është duke përdorur pasurinë e tij për t’i dhënë përsëri komunitetit shkencor: Në vitin 2017, ai dhuroi 10 milionë dollarë për të themeluar Institutin për Inovacionin e Proteinave, një institucion jofitimprurës, i pavarur dhe i përkushtuar për të studiuar shkencën e proteinave dhe duke ndihmuar sipërmarrësit bioteknikë të realizojnë idetë e tyre. / KultPlus.com

Vitia: Sivjet nuk ka ceremoni të datëlindjeve, fejesave, dasmave e varrimeve

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këtë vit nuk do të lejohet organizimi i dasmave, fejesave, ditëlindjeve e ceremonive mortore, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo pasi, sipas tij, ky nuk do të jetë një vit normal.

“Ky nuk do ë jetë një vit normal dhe sa më shpejtë që e kuptojmë aq më lehtë do ta kemi edhe ta përballojmë edhe ta kalojmë më shpejt. Këtë vit ndoshta nuk do të ketë festime ditëlindjesh me miq, fejesa, ahege, martesa me dubime e nuk do të kemi as ceremoni mortore me tubile. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të festojmë ditëlindjet, se nuk do të fejohemi apo martohemi, por pa të ftuar dhe pa grumbullime”, tha Vitia para gazetarëve, gjatë prezantimit të fazave për kthim në normalitet.

Ministri në detyrë tha se ky vit do të jetë vit i distancës 2 metra, i maskave, i dorëzave dhe i higjienës personale, “sa më shpejt ta kuptojmë këtë aq më të përgatitur do të jemi”./Gazeta Sinjali/ KultPlus.com

Mediat e huaja shkruajnë për çiftin britanik që u bllokua në Prizren për shkak të koronavirusit

Gazeta e njohur amerikane The New York Times i ka kushtuar artikull një ngjarjeje të ndodhur në Kosovë, ku një çift britanik për shkak të koronavirusit ngelën në Prizren.

Çifti britanik Rossie Watson dhe Mike Elm nisën një rrugëtim të tyre të gjatë, por kjo aventuarë e tyre u ndërpre pas shpërthimit dhe vendosjes së masave ndaj Covid-19.

Për këtë ngjarje ka shkruar edhe Reuters ku tregonte se çifti lejohen të dalin për 90 minuta çdo ditë për të marrë sende thelbësore në qytetin e Prizrenit.

“Jam jashtëzakonisht me fat në vendin ku përfundova, është një qytet i bukur”, ishte shprehur Elm tutje.

25 vjeçarja me këtë mënyrë po synonte të sensibilizonte opinionin për ndryshimet klimatike.

Por ka më shumë se dy muaj që çifti u bllokuan nga pandemia në një bujtinë në Prizren si pasojë e sëmundjes pandemike. Klan Kosova / KultPlus.com

Apple, Google, njoftim në telefon për ekspozimin ndaj koronavirusit

Telefoni inteligjent në xhepin tuaj mund t’ju njoftojë së shpejti nëse keni qenë të ekspozuar ndaj COVID-19.

Ndërsa komunitetet në mbarë botën po shqyrtojnë hapat e parë drejt rihapjes, ekziston frika se kur njerëzit të fillojnë të lëvizin, virusi do të përhapet. Por COVID-19 paraqet sfida unike për të ndalur përhapjen e tij. Disa që janë të infektuar nuk kanë pasur kurrë simptoma; ata që sëmuren mund të përhapin sëmundjen për një ose dy ditë para se të kenë kollë ose të dridhura të trupit, disa nga simptomat e zakonshme të COVID-19.

Kompanitë Apple, Google dhe të tjerë janë duke punuar për një plan për të përdorur telefonat inteligjentë për të informuar ata që janë shkëmbyer me një person të infektuar. Ata e quajnë “njoftim për ekspozimin”.

Një mjet dixhital për autoritetet e shëndetësisë

Muajin tjetër, Apple, prodhuesi i celularëve iPhone, si dhe Google, sistemi operativ Android i të cilit gjendet në shumicën e telefonave inteligjentë të botës, do të bëjnë të disponueshëm programe që do t’i lejojnë pajisjet të shkëmbejnë informacione përmes valëve Bluetooth. Autoritetet e shëndetit publik dhe partnerët e tyre do të ndërtojnë aplikacione që ata do t’i përdorin për të njoftuar njerëzit nëse janë ekspozuar ndaj dikujt që ka rezultuar pozitiv për virusin.

Por a do të funksionojë kjo? Ekzistojnë shumë pengesa përpara. Do të duhet ta shkarkojnë aplikacionin një numër i madh njerëzish që ai të arrijë të funksionojë siç duhet, ndërkohë që shumë njerëz mund të dëshirojnë të sigurohen që privatësia e tyre nuk do të komprometohet, se të dhënat e tyre nuk do të vidhen. Dhe ka edhe shumë sfida teknike, si për shembull, nëse aplikacioni zvogëlon aftësinë e funksionimit të telefonit.

Kjo është e komplikuar sepse është teknologji spekulative e paprovuar“, tha Harper Reed, një sipërmarrës dhe ish-zyrtari kryesor i teknologjisë për fushatën e ish-Presidentit Obama. “Nëse nuk funksionon, mund t’i vëmë njerëzit në rrezik. Por nëse funksionon, një njoftim i hershëm i ekspozimit mund të ndihmojë në mënyrë dramatike komunitetet tona ta kufizojnë dhe ti mbijetojnë COVID-19“.

Ku mbahen të dhënat?

Në mbarë botën, ka një debat mbi teknologjinë dhe politikën. A duhet që autoritetet qeveritare të shëndetësisë të mbledhin të dhëna apo të dhënat duhet të mbeten në telefonat inteligjentë? Apple, Google dhe disa grupe në Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se të dhënat duhet të qëndrojnë në telefon – për të mbrojtur privatësinë e njerëzve, por edhe për t’i bërë më pak objektiv sulmi për hakerat të dhënat e tyre.

Disa qeveri janë duke punuar në aplikacione që përdorin të dhënat e sistemit global të pozicionimit (GPS). Teknologjia e kompanive Apple dhe Google nuk shfrytëzon sistemin GPS.

Nëse aplikacioni është privat dhe i sigurt, njerëzit ka më shumë të ngjarë ta përdorin atë, tha Henry de Valence me TCN Coalition, një koalicion i zhvilluesve të aplikacioneve dhe të tjerë që punojnë me teknologjinë dhe politikat që janë në themel të njoftimit të ekspozimit.

Njerëzit duan të jenë në gjendje të ndihmojnë dhe të frenojnë përhapjen e sëmundjes,” tha ai. “Dhe kështu, nëse u jepni atyre një mundësi që nuk përbën asnjë rrezik për ta, por i lejon ata të ndihmojnë veten dhe të tjerët, njerëzit thjesht do të bëjnë një gjë të tillë, pa u dashur t’iu kërkohet.”

Ka ende shumë të panjohura rreth asaj se si do të funksionojë një aplikacion i njoftimit të ekspozimit dhe nëse do të shohë adoptim të gjerë. Por ka shpresë se teknologjia mund të luajë një rol në ngadalësimin e përhapjes së virusit. VOA / KultPlus.com

Merkel për koronavirusin: Sfida më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore

Kancalarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se kontrollimi i koronavirusit të ri, përbën sfidë të madhe për kohezionin e Evropës.

“Kjo është sfida më e madhe prej Luftës së Dytë Botërore, për jetën dhe shëndetin e njerëzve tanë”, ka thënë ajo para Parlamentit gjerman.

Më vonë gjatë ditës së enjte, ajo do t’iu bashkohet liderëve evropianë, përmes një video-konference, për të diskutuar krizën.

Ajo ka thënë se duke vazhduar mbajtjen e “disiplinës maksimale, ne mund të kthehemi më shpejt në një jetesë të sigurt”.

Merkel ka paralajmëruar se një disiplinë e tillë është e nevojshme për të ndalur rinisjen e izolimit.

“Ne nuk mund të humbim atë që e kemi arritur tashmë”, ka thënë ajo, teksa ka përgëzuar efikasitetin e sistemit shëndetësor të Gjermanisë dhe asistencën e forcave të armatosura në luftimin e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Ajo ka thënë se vendimet e qeverisë së saj ndaj krizës “nuk kanë model historik”.

Kancelarja gjermane ka thënë mes tjerash se Evropa duhet të rrisë kapacitetin për të prodhuar pajisje speciale mjekësore, në vend që të varet nga furnizimet globale.

Instituti gjerman, Robert Koch ka konfirmuar për 145,694 persona të prekur dhe 4,879 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri në Gjermani. / KultPlus.com

Aktivizohet linja e ndihmës psikologjike – 038 200 80 890

Nga sot, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion linjën e ndihmës psikologjike.

Përmes kësaj linje të gjithë ata që kanë nevojë për të folur me psikologun mund ta bëjnë këtë, ka njoftuar ministria.

Numri ku mund të kontaktoni me psikologët është 038 200 80 890.

Kjo linjë që është rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Departamentit të Psikologjisëm, do të jetë në shërbim të qytetarëve të cilët kanë vështirësi në këtë periudhë të pandemisë Covid-19 për të menaxhuar mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre, si dhe për ata që mund të perjetojnë stres të shtuar, ankth, panik apo edhe shenja dhe simptoma të depresionit.

Nisi një turne nëpër botë, çifti britanik bllokohet në Prizren nga koronavirusi

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” ka publikuar historinë interesante të një çifti britanik, të cilët kishin nisur një turne të gjatë, ndërsa kanë ngelur në Kosovë, për shkak të koronavirusit.

Skocezi Mike Elm dhe partnerja e tij Rosie Watson, të cilët po udhëtojnë nga Evropa në Azi, për të rritur ndërgjegjësimin për ndryshimin e klimës, janë bllokuar në Kosovë për më shumë se një muaj për shkak të mbylljes së kufijve, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Elm dhe Watson lejohen të dalin për 90 minuta çdo ditë për të marrë sende thelbësore në qytetin perëndimor të Prizrenit dhe madje intervista e tyre me Reuters duhej të aprovohej nga autoritetet e Kosovës.

“Jam jashtëzakonisht me fat në vendin ku përfundova, është një qytet i bukur,” i tha Elm Reuters-it.

Ai tha se po ashtu ndihet mirë që është bashkë me bashkëshorten dhe kështu kanë si të kalojnë edhe kohën së bashku.

Elm, një 32-vjeçar nga Edinburghu, kishte planifikuar të pedalonte biçikletën e tij 10 000 kilometra nga Austria në Mongoli në dy vjet, por ka bërë vetëm 3000 kilometra deri në Kosovë.

Çifti nisën udhëtimin e tyre vitin e kaluar nga shtëpitë e tyre në Anglinë veriore. Ata thonë se kanë parë gjëra të bukura në Europën Lindore.

Yuval Noah Hararit: Furtuna do të kalojë, por zgjedhjet që bëjmë tani do të na ndryshojnë jetën

“Furtuna e koronavirusit do të kalojë, por zgjedhjet që bëjmë këto ditë mund të na ndryshojnë jetët tona për shumë kohë”. Kjo është profecia e Yuval Noah Hararit, historianit izraelit 44-vjeçar, autor i tre best seller-ave ndërkombëtarë: “Homo Deus: Një histori e shkurtër e njerëzimit”, “Një histori e shkurtër e të ardhmes” dhe “21 mësime për shekullin XXI”. Kohët e fundit, Harari është bërë një prej intelektualëve më të ndjekur të planetit.

Sfida që paraqet Covid19, pohon sot Harari, duhet ta shtyjë njerëzimin që “të mbyllë kufijtë mes virusit dhe njeriut”, por jo mes shteteve. Duhet ta shtyjë që të zgjedhë solidaritetin global dhe jo nacionalizmin izolacionist. Duhet ta shtyjë të dëgjojë udhëheqës që duan të bashkojnë popujt e tyre, dhe jo t’i përçajnë ata. “Shkurt, duhet të hapemi dhe jo të mbyllemi në vetvete, të emancipojmë qytetarët në vend se të forcojmë kontrollin totalitar”. Harari ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane La Repubblica, përmes telefonit nga shtëpia e tij në Tel Aviv, ku jeton në një moshav, komunitet bujqësor hebraik i ngjashëm me kibbutz-ët, aty ku praktikon veganizmin dhe meditimin.

-Kjo pandemi është kriza më e madhe globale e brezit tonë, apo jo profesor?

Yuval Noah Harari: Padyshim që po. Ka përfshirë tashmë të gjithë botën dhe do të ketë pasoja të thella, si nga pikëpamja shëndetësore, ashtu edhe ajo ekonomike. Furtuna e virusit në një moment të caktuar do të kalojë, por zgjdhjet që ne bëjmë gjatë këtyre ditëve për ta përballuar atë, mund të ndryshojnë jetët tona për shumë kohë.

-A është kjo një sfidë më e madhe, se sa ajo e krizës së rëndë financiare të vitit 2008, apo se sa kriza e ndryshimeve klimatike?

Yuval Noah Harari: Është më e madhe se sa kolapsi financiar, sepse kjo nuk është një krizë vetëm ekonomike, por mund të ndryshojë çdo aspekt të jetës sonë shoqërore. Nuk është më e madhe se sa kriza e ndryshimeve klimatike, për shkak se ne i kemi instrumenat për ta zgjidhur pozitivisht, dhe relativisht më shpejt, krahasuar me dëmet që shkakton ndotja. Por nëse ne bëjmë zgjedhjet e gabuara, edhe kriza e koronavirusit do të ketë pasoja të rënda që do të zgjasin në kohë.

-Çfarë zgjedhjesh? Për të perifrazuar titullin e librit tuaj të fundit, e përmban koronavirusi një mësim për shekullin e njëzetenjëtë?

Yuval Noah Harari: Jo një, po dy mësime: mes nacionalizmit izolacionist dhe solidaritetit global; dhe mes kontrollit totalitar dhe emancipimit të qytetarëve. Marrim të parin: secili shtet mund të përpiqet ta përballojë pandeminë në mënyrë individuale, ose mund të bëhet pjesë e një plani global veprimi. I dyti është zgjedhja mes tundimit totalitar për të kontrolluar çdo infeksion nga lart, me shtetin që zbaton padallim çfarëdolloj mase, ose mund t’u japësh më shumë zë dhe përgjegjësi qytetarëve. Do të thotë të pranosh që vetëm një shoqëri me një nivel të lartë arsimimi dhe ndërgjegjësimi dhe një sens të fortë qytetar, mund të kuptojë se çfarë është e nevojshme për të mposhtur virusin. Natyrisht, unë uroj që të zgjidhet opsioni i dytë në të dyja rastet, përndryshe do të kemi një botë të mbyllur në vetvete, më pak të sigurt dhe më pak demokratike.

-A nuk do të shpjerë pandemia drejt fundit të globalizimit?

Yuval Noah Harari: Për mua duhet të shpjerë drejt një globalizimi më të mirë. Mbyllja është reagimi i gabuar. Pandemitë ekzistonin edhe në një botë të mbyllur si ajo e Mesjetës, kur Vdekja e Zezë vrau një të tretën e popullsisë së Tokës. Duhet të kthehemi në epokën e gurit, kur njerëzit jetonin në komunitete shumë të vogla pa kontakte mes tyre, për të gjetur një model shoqërie të mbyllur që mund t’i shpëtojë epidemive. Sot, vetëm bashkëpunimi, solidariteti dhe një përpjekje e përbashkët nga të gjithë mund ta zgjidhë problemin dhe ta shtyjë qytetërimin tonë të hedhë një hap përpara. Duhet të mbyllim kufijtë mes virusit dhe njeriut, jo kufijtë mes njerëzve, apo mes kombeve e shteteve.

-E megjithatë “globalizimi” është një term që shumëkush në Perëndim vazhdon ta konsiderojë si negativ.

Yuval Noah Harari: Globalizimi nuk mund të gjykohet në mënyrë bardhë e zi. Edhe ushqimi italian është një produkt i globalizimit. Kështu ka qenë gjithmonë: ishin konkuistadorët spanjollë që sollën në Itali domatet, nga Amerika Latine. Nëse dikush është kundër globalizimit, do të duhej të mos imagjinonte më spageti me domate.

-Ju keni shkruar se në këtë vit 2020, me kriza të paprecedenta mungon një udhëheqje globale. Në të kaluarën, gjatë dy luftërave botërore dhe përgjatë të gjithë Nëntëqindës, ka qenë Amerika që e ka ofruar këtë lidership. A mund ta ofrojë sërish, nëse Biden mund Trumpin, apo do u takojë të tjerëve?

Yuval Noah Harari: Për momentin, Amerika as nuk po përpiqet të ofrojë një lidrship global. Përveç faktit që Trumpi në fillim e injoroi virusin si një kërcënim serioz dhe më pas vonoi në ndërhyrje, edhe tani vazhdon që të thotë “Amerika e para!”. Dhe po arrin atë që deshte, Amerika është e para për nga numri i të infektuarve dhe viktimave. Por edhe nëse në nëntor Trumpi do të humbte dhe në Shtëpinë e Bardhë do të vinte Bideni, gërryerja e besimit tek Amerika gjatë katër viteve të fundit ka qenë kaq e thellë, saqë rikthimi i këtij besimi nuk do të jetë as i thjeshtë dhe as i shpejtë. Për të patur një udhëheqje globale, bota nuk mund të presë çdo katër vjet për të parë se kush është president i Shteteve të Bashkuara: duhet të mbështetet më shumë tek vende të tjera, dhe mbi të gjitha tek institucionet ndërkombëtare, tek shumëpalësia, nga OKB tek Bashkimi Evropian, nga G20 tek Organizata Botërore e Shëndetit. Shpresoj që kriza e koronavirusit të shërbejë edhe për këtë, për të nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit global.

-Çfarë mendoni për mënyrën si po e përballon Italia epideminë?

Yuval Noah Harari: Kam parë shumë sinjale inkurajuese, të frymës komunitare, të bashkëpunimit. Dallohen edhe në Itali, ashtu sikurse gjetkë, edhe të tjera fenomene: nxitje të urrejtjes ndaj të huajve, përpjekje për të ndarë jo vetëm shtetin nga shteti, por edhe qytetarë brenda të njëjtit shtet. Kush mendon ndryshe nga ti nuk shihet më si një kundërshtar legjitim, por si tradhëtar i atdheut. Në kohëra pak a shumë normale, është e mundur të qeverisësh mee 51% të votave, të vësh gjysmën plus një kundër gjysmës minus një. Por në një krizë si kjo pandemi, përpjekja për ta bërë këtë do të rezultontë në katastrofë. Ja pra mësimi tjetër që mund të nxjerrim nga koronavirusi: nevoja për një udhëheqje që të bashkojë shoqëritë tona, në vend se t’i ndajë, siç përpiqen të bëjnë populistët dhe nacionalistët.

– Yuval Noah Harari: Po ju ku ndiheni më mirë, si në shtëpi? Në moshavin tuaj? Në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit? Në plazhin kozmopolit të Tel Avivit?

Jetoj në një moshav, një komunitet bujqësor, më pëlqen se është qetësi, por njëkohësisht pranë një qyteti shumë të gjallërishëm dhe kozmopolit, siç me të drejtë e quajtët ju Tel Avivin. Shkoj në Jeruzalem sepse jap mësime historie në Universitetin Hebraik, por Qyteti i Shenjtë është një vend plot me tensione, ku shumë njerëz urrejnë të tjerët. Ndjehet në ajër. Nuk do të jetoja dot atje.

-Situata politike në Izrael nuk është aspak e qetë.

Yuval Noah Harari: Jemi në një stinë kaosi, të cilës koronavirusi i shtoi tundimin për të instrumentalizuar pandeminë për të zbatuar gjendjen e jashtëzakonshme, masa speciale. Eshtë një risk që e ndeshin edhe vende të tjerë: ngjitja e regjimeve antidemokratike me pretekstin e luftimit të Covid19.

-Dhe meqë e keni disiplinë të përditshme, a na rekomandoni ne të tjerëve meditimin, duke qenë se jemi të mbyllur në shtëpi këto kohë?

Yuval Noah Harari: Unë e praktikoj dy orë në ditë edhe në kohë normale, por ndihmon për të patur një ekuilibër. Meditimi, në fund të fundit të ndihmon të njohësh veten tënde, ankthet e tua, frikërat, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë gjithësesi, por t’i mëson të jetosh me to dhe t’i kontrollosh. Dhe në një moment krize të madhe si kjo, kemi shumë nevojë për ekuilibër dhe dije. / marrë nga La Repubblica, në shqip nga Bota.al

“Më duhen më shumë birra”! Gjyshes në karantinë i vjen pakoja gjigante

Një 93 vjeçare në karantinë u bë e famshme pasi u fotografua nga një i afërm i saj me një kanaçe birre në dorë dhe një tabelë ku shkruhej: “Më duhen më shumë birra”!

Fotoja u bë virale në internet, dhe gjyshes i mbërritën oferta nga e gjithë bota. Por “hallin” e saj e zgjidhi shpejt kompania e birrës Coors Light, e cila ia mbushi shtëpinë plot me arka. Padyshim, Olive Veronesi nuk e kishte pritur diçka të këtyre përmasave. “ Kur pamë mesazhin e Olivias, e kuptuam menjëherë se nuk mund të mos e mbërthenim rastin për tu lidhur me dikë që solli një buzëqeshje në fytyrat tona gjatë pandemisë, por edhe për ta falenderuar për faktin që është fanse e Coors Light”, tha zëdhënësi I kompanisë për CNN.

Fotoja e 93 vjeçares që mbante në dorë një kanaçe të kësaj firme, është shpërndarë më shumë se 5 milionë herë në internet. Olive po qëndron brenda në shtëpi gjatë kësaj periudhe, për të ndihmuar veten dhe të tjerët. Sapo i mbërritën 10 arkat me birrë, ajo hapi një kanaçe, e provoi dhe tha: “ Paska shije të mirë”. Coors Light ndërkohë u ofrua që ta përsërisë furnizimin për gruan e moshuar dhe familjen e saj, sapo të kenë nevojë!

Maska kundër COVID-19 nga të mbijetuarat e dhunës seksuale

Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë filluar të prodhojnë maska për fytyrë, të cilat ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane në Prishtinë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Përballë vështirësive financiare, të mbijetuariat e dhunës seksuale në Kosovës nga Drenasi, zakonisht fitojnë për jetesën e tyre duke shitur vepra artizanale. Sot, përmes Qendrës së Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës ata po bëjnë maska të fytyrës, 100 për qind pambuk, për të ndihmuar në mposhtjen e COVID-19”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Vendet turistike para dhe pas koronavirusit

Prej Romës deri në Moskë, zonat e njohura, rëndom të mbushura me turistë, tani janë të zbrazura, shkaku i shqetësimeve dhe izolimit nga koronavirusi që i ka mbajtur njerëzit të ngujuar. Roma, dikur qytet i hapur, tani është qytet fantazmë.

Numri i vdekjeve dhe infektimeve të përditshme ka rënë në Itali, por jo aq shpejt sa kanë shpresuar italianët e izoluar për më shumë se një muaj, raporton KOHA.

Numri i të vdekurve në Itali ka arritur në 19 mijë teksa të infektuar janë 152 mijë njerëz.

Greqia rastin e parë me virusin vdekjeprurës e konfirmoi më 26 shkurt dhe menjëherë anuloi të gjitha ngjarjet publike. Më 10 mars janë mbyllur shkollat, ndërsa 12 ditë më vonë qeveria vendosi për izolim total. Numri i të infektuarve në Greqi ka arritur në 2 mijë, ndërkaq kanë vdekur 92 persona.

Parisi është në heshtje totale që prej 17 marsit. Njerëzit janë të obliguar që të qëndrojnë në shtëpi së paku edhe 15 ditë. Franca ka 90 mijë të infektuar përfshirë 13 mijë të vdekur. Moska pjesërisht u izolua në fund të marsit. Banorëve u mundësohet të largohen nga shtëpitë vetëm për të blerë gjëra esenciale.

Rusia ka raportuar 1 mijë e 600 raste të reja me virusin vdekjeprurës, duke çuar në 13 mijë numrin total të të infektuarve. Numri i të vdekurve në shtetin rus është 106.

Rrugët e Berlinit janë të zbrazëta, teksa numri i rasteve të konfirmuarve është rritur në 2 mijë e 800 gjatë 24 orëve të fundit. Numri total ka arritur në 120 mijë.

Më shumë se 1.6 milion njerëz janë infektuar nga virusi në botë. Deri më tani, kanë vdekur mbi 110 mijë persona.

Virusi është konfirmuar në më shumë se 210 shtete dhe territore të botës që prej rasteve të para të konfirmuara në Kinë gjatë dhjetorit të vitit 2019.

Infermierja kosovare në Amerikë: Situata këtu ma kujton shumë luftën në Kosovë

Personeli mjekësor në mbarë botën është vënë në frontin e parë të luftës kundër koronavirusit, shpesh duke paguar një çmim të lartë. Një prej tyre është Syzana Gjokaj, me origjinë nga Kosova, tani menaxhere e ekipit infermier në repartin e urgjencës të Spitalit Presbiterian në Nju Jork.

Në betejën me koronavirusin në punë, Syzana u diagnostikua vetë me COVID-19. Zëri i Amerikës bisedoi me Syzanën dhe vajzën e saj, Sarah, e cila ka vendosur të ndihmojë në mënyrën e saj kolegët e nënës së saj që vazhdojnë betejën kundër koronavirusit.

Prej disa ditësh, Syzana Gjokaj është në karantinë, por më tepër se simptomat, në këtë kohë e shqetëson fakti që nuk është pranë pacientëve.

“Ndihem shumë krenare që mund t’i ofroj njerëzimit këtë që i ofroj, në të njëjtën kohë ndihem me faj që nuk jam atje në fushëbetejë me kolegët e mi. Kam shumë emocione që nuk s’mund t’i shpjegoj as nuk mund t’i filtroj në vetvete, pasi gjithë ekipi im përballet, duke bërë të pamundurën për pacientët”.

Syzana u diagnostikua me COVID-19 në fillim të prillit dhe fillimisht kaloi simptoma më të rënda.

“Temperaturë të lartë, kollitje, zënie në frymë. Kam marrë rezultatin, tani ndihem më mirë. Temperaturë herë kam, herë s’kam. Është sëmundje e paparashikueshme. Mund të them se kam qenë një ndër njerëzit më me fat pasi nuk i kam pasur simptomat siç i kanë pasur njerëzit e tjerë, sigurisht nga ato që kam parë në emergjencë që të bëjnë të tmerrohesh. Kam ndier shumë lodhje”.

Syzana Gjokaj punon në një nga vatrat më të nxehta të COVID-19 në botë. Nju Jorku është epiqendra e epidemisë në Shtetet e Bashkuara:

“Kjo ma kujton shumë luftën në Kosovë. Është e vërtetë se spitali ynë ka implementuar strategji të ndryshme për t’u përballur me këtë pandemi, ka krijuar edhe një repart të ri për kujdesin e pacientëve me COVID. Por në emergjencë është gjithmonë fluksi i pacientëve: ata që e kanë dhe ata që mendojnë që e kanë. I gjithë spitali, i gjithë sistemi është i stërngarkuar. Infermierët edhe mjekët dhe i gjithë personeli mjekësor është fizikisht i dërrmuar, emocionalisht i dërrmuar. Shpesh qajnë, ngushëllojnë njëri-tjetrin. Punojnë jashtëzakonisht shumë, pa marrë pushime dreke, pa shkuar në banjë, pa pirë ujë. Kam parë shumë njerëz duke vdekur, kam parë infermiere duke i dhënë familjarit celularin për të thënë lamtumirën e fundit. Është shumë e vështirë”, u shpreh ajo në këtë bisedë për Zërin e Amerikës.

Duke folur për diagnozën e saj, Syzana shprehet e bindur se duhet të jetë infektuar në spital.

“Mendoj sigurisht se gjatë punës. Emri im ka qenë në nja 50 të pacientëve që kanë dalë me COVID. Mendoj se askush nuk ka qenë i përgatitur për situatën që ndodhemi. Edhe spitali im ashtu. Megjithëse mund të them që kemi pasur pajisje edhe pse i gjithë menaxhmnenti ka thënë që maskat N95 duhet të përdoren vetëm për një ndërrim gjë që ka shkaktuar infektimin e shumë infermierëve dhe mjekëve. Një pakujdesi më e vogël bën që të infektohesh”, thotë Syzana.

Është një situate që ka vënë në rrezik personelin mjekësor në mbarë globin. Sarah 10-vjeçare, vajza e Syzanës, vendosi të ndihmonte me sa mundej për mungesat e maskave.

“Dëgjova në lajme, dëgjova edhe mamin që po flisnin me babin se infermierët dhe mjekët nuk kishin maska të mjaftueshme. Vendosa të hap një llogari ‘gofundme’ për të mbledhur fonde”, tregon Sarah.

“Ne kemi bërë së bashku me Sarën 50 maska, të cilat motrat dhe infermieret, personeli mjekësor e kanë parë si gjë shumë të mirë, pastaj e kanë thirrë Sarën në telefon, duke thënë: ‘do bëj porosi, ma bëj me lule’. Ajo e mori shumë seriozisht”, tregon Syzana.

Syzana ka një mesazh për këdo që e mendon veten të paprekshëm nga kjo sëmundje.

“Edhe pse ca të rinj mendojnë se nuk preken, COVID-i nuk njeh moshë, nuk njeh besim apo ngjyrë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj atë që kam parë në urgjencë, nuk do të kisha dashur ta shoh asnjeri në atë gjendje. Gjendja më e vështirë është ta shohësh dikë duke mos marrë ajër, duke t’u lutur ‘po vdes’; nuk lejojnë familjarë. Paramendoni dikë, qoftë i ri, qoftë i vjetër, të vdesë vetëm, është gjëja më e frikshme që mund t’i ndodhë dikujt. Andaj ju nuk dëshironi të jeni ai njeri… Këtu vjen ajo preventiva: qëndro në shtëpi të parandalosh të gjithë atë”.

Sarah 10-vjeçare është e detyruar të qëndrojë e izoluar nga e ëma për të mos u infektuar. Ato komunikojnë me “FaceTime” përmes celularit. Sarah mezi pret që të mbarojë periudha e karantinës.

“Do ta përqafoj fort. Ndoshta do t’i bëj edhe një dhuratë”, thekson Sarah. / KultPlus.com

Fakulteti i Mjekësisë angazhon mbi 300 vullnetarë në parandalimin e Covid-19

Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”, përveç stafit akademik që janë edhe punëtorë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka angazhuar edhe mbi 300 vullnetarë në luftën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.

Sipas njoftimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, thirrjes nga Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike i janë përgjigjur:

280 vullnetarë (mjekë të rinj, mjekë specialistë, mbi 55 studentë vullnetarë të Fakultetit të Mjekësisë, infermierë, psikologë, punëtorë socialë etj.);

41 vullnetarë – studentë absolventë të Fakultetit të Mjekësisë, aktivë në qendrat e mjekësivë familjare në vend;

14 vullnetarë – aktualisht po ndihmojnë në Qendrën e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë dhe Katër vullnetarë – studentë absolventë të Fakultetit të Mjekësisë në Qendrën e Studentëve;

Shumë vullnetarë të tjerë, studentë të Fakultetit të Mjekësisë, me vendbanim nëpër komuna të Kosovës, janë në vazhdimësi duke shprehur dëshirë të ndihmojnë, e që janë duke u evidentuar të angazhohen sipas nevojës.

Qendra e Thirrjeve në Fakultetin e Mjekësisë:

Qendra e Thirrjeve (UP- IKSHPK-MSH) aktualisht gjendet e pozicionuar në dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë dhe është në shërbim të qytetarëve, duke ofruar informacionet e duhura përmes telefonit.

Në këtë qendër, e cila qëndron e hapur 24 orë në ditë, raportohet të pranohen 200 deri në 300 thirrje brenda ditës, të cilat pranohen nga personeli i IKSHPK-së apo ndonjë nga vullnetarët (mjekë apo studentë) e Fakultetit të Mjekësisë.

Numri kontaktues i qendrës është: 038 200 80 800.

Universiteti i Prishtinës vazhdon t’u përgjigjet me profesionalizëm të gjitha kërkesave të institucioneve shëndetësore për ta ndihmuar vendin në situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. / KultPlus.com

Në Brezovicë e Prevallë janë mbledhur grumbuj të njerëzve

Instituti i Shëndetësisë, ka bërë edhe një thirrje drejtuar qytetarëve të Kosovës, pas vdekjes së dy personave nga Koronavirusi.

IKPSHK, ka kërkuar nga qytetarët që t’i përmbahen rekomandimeve të tyre, dhe mos të dalin në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes.

Ata po ashtu kanë shprehur ngushëllime për familjarët e dy viktimave.
“Qytetarë!

Ju lutemi ti përmbaheni rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe mos dilni në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes sepse jeni duke rrezikuar veten dhe familjet e Juaja!

Sot edhe dy raste fatale me COVID-19!
Ngushëllime Familjeve! Ruani të moshuarit!
Në Evropë kanë vdekur më shumë se 50.000 njerëz!

Në Prishtinë, po vërehen dalje masive në orët e lira të lëvizjes.
Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithëve!
Ju lutem kini kujdes se mund të shkaktoni shpërthim epidemik në kryeqytet!
Në Brezovicë e Prevallë janë mbledhur grumbuj të njerëzve!
Kjo është e rrezikshme!
Virusi nuk ka këmbë! Mos ia jepni këmbët ju! Ju lutemi!

Shikoni ju lutem valën epidemike në shtetet e Europës, veni gishtin në kokë dhe mendoni. Mos pengoni ekipet e Institutit me pyetje të cilat i keni mësuar tashmë nga rekomandimet e Instituti Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Na ndihmoni ta kryejmë punën sublime dhe mundohuni të zbatoni secili detyrën e juaj duke ruajtur shëndetin tuaj. Ju kemi lënë të pushoni dhe jo secili të marr detyrën e epidemiologut duke pyetur detaje, duke u munduar të rikonstruktojnë çdo vatër infeksioni, duke u zhytur në kurreshtjen e njohjes së çdo procedure të hulumtimit.
Pushoni dhe vetëm pushoni që të na lini të punojmë!
Ju gjendeni në shtëpitë e juaja me familiar. Ne akoma gjendemi në punë pa orar nga 15-20 orë! Për ju! E ju për ne:
JU LUTEMI QËNDRONI NË SHTËPI!”, thuhet në thirrjen e tyre./ KultPlus.com

Sllovakia i ofron Kosovës një projekt për luftimin e koronavirusit

Zyra Ndërlidhëse e Republikës Sllovake në Prishtinë i ka ofruar administratës së Kosovës një projekt të dobishëm që synon ta luftojë kulmin e shpërthimit të virusit COVID-19.

Qëllimi i këtij projekti është të krijojë bazë të vullnetarëve si mjet për të ndihmuar në menaxhimin e mbështetjes për personelin mjekësor.

Ai lidh studentët e mjekësisë ose personat me përvojë mjekësore të gatshëm për të punuar si vullnetarë në spitale.

“Në Sllovaki, që nga lansimi javën e kaluar, më shumë se 800 vullnetarë mjekësorë, jo vetëm studentë të mjekësisë, dhe më shumë se 50 spitale janë bërë pjesë e platformës. Dhjetëra vullnetarë tashmë janë duke ndihmuar në spitalet Sllovake. Të gjithë jemi bashkë në këtë!”, thuhet në komunikatën e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës Sllovake në Prishtinë. / KultPlus.com