Qeveria s’i dëgjon ekspertët, lehtësohen masat

Pavarësisht se kryesuesi i Bordit Këshilldhënës, Lul Raka, doli kundër lehtësimit të masave, Qeveria e Kosovës ka vendosur vetë duke mos dëgjuar këshillat e ekspertëve. Të enjten, Qeveria në detyrë ka zyrtarizuar lehtësimin e masave duke hequr ora policore për qytetarët në qytetet në zonë të kuqe.

Siç ka njoftuar Qeveria në detyrë, me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, është miratuar vendimi për masat e reja të përgjithshme për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në njoftim thuhet se masat janë marrë në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Megjithatë, vetëm pak minuta më herët, mikrobiologu Raka ka thënë se ai dhe ekspertët tjerë në Bordin Këshilldhënës nuk janë kontaktuar fare për këto masa. Ai kishte dalë kundër lehtësimit duke thënë se pas shtrirjes së variantit britanik të virusit, çdo “lehtësim politik i masave” mundëson përhapjen e infeksionit duke kërcënuar shëndetin publik.

Kundër vendimit të Qeverisë paraprakisht doli edhe Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës. Duke e quajtur skandaloz lehtësimin, ajo u shpreh se kjo po bëhet për apetite politike. Ajo vuri në pah se asnjë nga partitë s’po reagon pasi lehtësimi u përshtatet atyre për fushatën e 14 shkurtit.

Me kërkesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhja korresponduese\elektronike, e 63-ta me radhë, në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19.

Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për masat si dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e këtyre masave.

Me këtë vendim, për komunat të cilat janë në zonat e kuqe, është hequr ora policore, pra nuk do të ketë më kufizim të lëvizjes së qytetarëve. Studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objektet e fakulteteve, me prani fizike dhe jo online. Ndërsa, të gjithë operatorëve ekonomik në komunat që janë në zonën e kuqe, do t’iu lejohet të punojnë deri në ora 22:00.

Në vazhdim gjeni vendimin e plotë për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtje nga pandemia Covid-19.

MASAT PËR TËRË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Hyrjet e qytetarëve të huaj dhe vendorë në Kosovë

Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

Përjashtim nga pika 1 më lartë bëjnë:

Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;

Qytetarët e huaj që punojnë si transportues profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;

Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh;

Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre;

Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.

Përjashtim nga pika 3 më lartë bëjnë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër) që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

Organizimi i punës së institucioneve publike dhe organizatave/bizneseve private

Institucionet publike dhe organizatat/bizneset private pa përjashtim obligohen të mbikëqyrin në baza ditore shëndetin e stafit në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.

Me rekomandim të mjekut përkatës të lëmisë, punëtorët me sëmundje kronike (sipas qarkores zyrtare të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë e përgatitur për këtë qëllim), gratë shtatzëna dhe gratë gji dhënëse lirohen nga paraqitja në punë, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private, ndërkaq punëdhënësit udhëzohen, për aq sa është e mundshme, të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre në punë nga shtëpia.

Obligohen institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

Obligohen institucionet publike dhe private që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga Covid-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektim të distancës etj.) në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

10. Të gjitha Institucionet publike (qendrore dhe lokale) si dhe organizatave, bizneseve dhe subjekteve private u lejohet të organizojnë ceremonitë festive me leje të veçantë nga MSH duke u bazuar në Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid 19.

Organizimi i procesit arsimor

11. Procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, si dhe provimet, punët praktike dhe laboratorike të organizohen sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.

12. Veprimtaria e çerdheve publike dhe private vazhdon sipas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, bazuar në “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e temperaturës së fëmijëve dhe stafit në baza ditore gjatë hyrjes në objekte.

13. Konviktet dhe mensat punojnë duke respektuar manualin për mbrojtje dhe përhapjen nga Covid-19.

14. Të gjitha institucioneve arsimore në të gjitha nivelet e arsimit, publik dhe privat, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor dhe nxënësve-studentëve dhe të ngjashme.

Organizimi i shtabeve emergjente komunale dhe shërbimeve shëndetësore komunale

15. Komunave iu kërkohet të mbajnë të aktivizuar plotësisht shtabet emergjente komunale për të mbikëqyrë zbatimin e masave, gjendjen shëndetësore të qytetarëve të infektuar me Covid-19 dhe çështje të tjera, si dhe të koordinohen me nivelin qendror përkatës.

16. Shtabeve emergjente komunale, drejtorive për shëndetësi dhe QKMF-ve iu kërkohet të mbikëqyrin dhe ofrojnë shërbimet e nevojshme shëndetësore për së paku 2 javë për personat e infektuar me Covid-19 dhe do të raportojnë në baza ditore në QRSHP-IKSHPK.

17. Komunave iu kërkohet të ofrojnë shërbimet shëndetësore shtëpiake për të gjithë të sëmurët kronikë dhe për personat mbi moshën 65 vjeç.

Masat për personat mbi moshën 65 vjeç

18. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me situatën e krijuar dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së, udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MPMS-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse.

19. Qytetarëve që qëndrojnë në shtëpitë për të moshuar u ofrohen të gjitha shërbimet shëndetësore, sociale dhe vizitat e rregullta shëndetësore nga QKMF-të.

Masat për aktivitetet publike

20. Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 50 persona, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 80 persona me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

21. Të gjitha tubimet publike të organizuara në hapësira publike të të gjitha formave, ndalohen në jo më shumë se 80 persona, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

22. Seminaret dhe punëtoritë e të gjitha institucioneve publike dhe private, lejohen të organizohen sipas manualit për mbrojtjen nga përhapja e COVID19 dhe konform pikës 24 të këtij vendimi.

23. Ndalohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare.

24. Ndalohen ceremonitë dhe veprimtaritë fetare, përveç me pjesëmarrjen e familjes së ngushtë, përjashtim nga pika 24 më lartë bëjnë ceremonitë e veçanta fetare që organizohen me leje të veçantë të Ministrisë së Shëndetësisë bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së.

Masat për aktivitetet biznesore

25. Lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve deri në 40% të sipërfaqes së kapaciteteve të hapësirave.

26. Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.

27. Lejohet ushtrimi vetëm i veprimtarive si në vijim (sipas kodeve NACE të përcaktuara nga ARBK – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë):

Sektori shëndetësisë,

Sektori i sigurisë dhe drejtësisë,

Sektori publik (administratë qendrore dhe komunale),

Sektori i prodhimit,

Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë,

Sektori i ndërtimit,

Transporti i mallrave,

Sektori i produkteve ushqimore,

Sektori i shërbimit/distribuimit.

MASAT SPECIFIKE SIPAS KOMUNAVE

28. Komunat kategorizohen në tri grupe, bazuar në rrezikun nga përhapja e infeksionit:

Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të gjelbër),

Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të verdhë),

Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një jave (me ngjyrë të kuqe).

29. Në baza javore, çdo të premte, IKSHP-ja dhe MSH-ja publikojnë shifrat e të infektuarve sipas komunave dhe bëjnë kategorizimin e komunave sipas nivelit të rrezikut të përshkruar në pikën më lartë.

30. Masat për komunat me rrezik të ulët (deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,

Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00,

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”,

Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose deri në tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Pavarësisht pikave 35.6, 35.7 dhe 35.8 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

31. Masat për komunat me rrezik të mesëm (prej 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):

Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Të gjitha institucionet publike dhe private këshillohet të reduktojnë stafin bazuar në specifikat e tyre dhe “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

Pavarësisht pikave 34.7, 34.8 dhe 34.9 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

Masat për komunat me rrezik të lartë (mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës:

Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”.

Institucionet publike dhe private obligohen të punojnë vetëm me staf esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 21:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

Pavarësisht pikave 35.9, 35.10 dhe 35.11 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

OBLIGIMET E INSTITUCIONEVE PËR ZBATIMIN E MASAVE

33. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që në rast nevojë të nxjerrë udhëzime për sqarimin e pikave të këtij vendimi.

34. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUVK dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente të komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën 16:00).

35. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, SHSKUK dhe IKSHP të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

36. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHP-së.

Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

38. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

39. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për grupet respektive që preken nga ky vendim vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

40. Ministria e Shëndetësisë obligohet të publikojë në faqen zyrtare të saj Qarkoren lidhur me sëmundjet kronike, për të cilat sëmundje personat sipas pikës 8 të këtij vendimi lirohen nga paraqitja në punë.

41. Shfuqizohet vendimi i qeverisë nr. 09/58 i datës 14.01.2021.

42. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe vlen deri në një vendim tjetër. / Koha/ KultPlus.com

Muzetë franceze kërkojnë me ngulm rihapjen

Kritikat e muzeve në Francë po rriten kundër një mbylljeje që ata vlerësojnë se nuk e meritojnë. Peticione dhe propozime konkrete janë depozituar në zyrën e Ministrisë së Kulturës për rihapjen e tyre sa më shpejt, të paktën pjesërisht.

“Për një orë, një ditë, një javë apo një muaj, na lini të rihapim portat, edhe pse duhet t’i mbyllim në rast të një kufizimi tjetër!”

E tillë është kërkesa e formuluar këtë javë nga 100 drejtorë dhe presidentët e qendrave të artit, të udhëhequr nga Emma Lavigne, nga ”Palais de Tokyo”, në Paris.

Me presidenten e Fondit të Ndihmës së Industrive Kulturore ArtNova, Frédéric Jousset dhe gazetaren Florence Belkacem, ajo i dërgoi sot dhjetë propozime ministres franceze të Kulturës, Roselyne Bachelot, të cilat japin rrugë lehtësisht të arritshme.

Si të gjitha vendet kulturore në Francë, muzeumet janë mbyllur që nga fundi i tetorit. Dhe shpresat për një rihapje në mes të dhjetorit, më pas në fund të janarit nuk janë konfirmuar. Ekspozitat e kushtueshme mbeten pa vizitorë dhe ndonjëherë duhet të ripaketohen pa u parë.

Kërkesat e muzeve duan të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e përhapjes së Covid: kërkuesit thonë se ata janë të gatshëm të respektojnë një protokoll të përforcuar shëndetësor. Ata janë të gatshëm të hapin vetëm një pjesë të dhomave të tyre, në orare të caktuara.

Francezët dhe veçanërisht të rinjtë, argumentojnë nënshkruesit e peticionit, kanë një nevojë urgjente, për shëndetin e tyre mendor, për të rizbuluar veprat e bukura për t’i rezistuar depresionit, dhe kështu ta bëjnë këtë periudhë të vështirë një dimër kulturor dhe mësimor.

Ato bazohen në përvojat e rihapjes, veçanërisht në Itali dhe Spanjë./ata/ KultPlus.com

Simptomat e kancerit po anashkalohen nga frika prej COVID-19

Të dhënat më të reja, të publikuara nga organizata britanike e bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”, kanë sugjeruar se vetëdijesimi për simptomat e kancerit është rrezikshmërisht i ulët dhe se COVID-19 e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën veçse kritike

Ekziston shqetësim përherë më i madh në Mbretërinë e Bashkuar se personat që përballen me llojet më vdekjeprurëse të kancerit janë duke i anashkaluar simptomat dhe po i shtyjnë kontrollet mjekësore për shkak të frikës se mund të shkaktojnë ngarkesë më të madhe për shërbimet shëndetësore të vendit.

Të dhënat më të reja, të publikuara nga organizata britanike e bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”, kanë sugjeruar se vetëdijesimi për simptomat është rrezikshmërisht i ulët dhe se COVID-19 e ka përkeqësuar situatën tashmë kritike.

Për John dhe Pam Elliott, 2020-a ishte viti më i gjatë ndonjëherë, jo vetëm për shkak të COVID-19, por edhe për shkak të kancerit.

Ajo që Johni mendonte se ishte thartirë e stomakut dymbëdhjetë muaj më parë, ishte në fakt një tumor në ezofagun e tij. Pas gjashtë trajtimeve me kimioterapi dhe një operimi, Johni ia doli ta çrrënjoste tërësisht kancerin.

“Po përjetoja reagime në lukth dhe thartirë, ngase përherë kam qenë një prej atyre personave që pëlqejnë ta hanë shpejt ushqimin”, ka thënë Johni.

Kërkimi i hershëm i ndihmës mjekësore ia shpëtoi jetën, por kjo nuk është gjëja që të gjithë e bëjnë.

Besohet se vetëm 12 për qind e personave me kancer në ezofag mund të shërohen. Diagnostikimi i hershëm është çelësi, por gjatë pandemisë përherë e më pak njerëz me llojet më vdekjeprurëse të kancerit janë duke kërkuar ndihmë mjekësore.

“Mendoj se kanë shqetësime, e dini, se e ngarkojnë shërbimin shëndetësor”, ka thënë Anna Jewell, udhëheqëse e organizatës së bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”. “Mendoj se njerëzit janë edhe të shqetësuar se mos preken nga COVID-19 nëse shkojnë në spital. Janë shumë të shqetësuar, mendoj, nga përhapja e virusit, nga përhapja e variantit të ri të koronavirusit”.

Spitalet në Britaninë e Madhe vazhdojnë të përballen me vështirësi në luftimin e COVID-19, teksa shërimi i pacientëve të sëmurë varet ekskluzivisht nga ofrimi i njohurive më të provuara në shkencën e mjekësisë.

Por, pavarësisht rrethanave të vjetra dhe të reja, këshilla kryesore mjekësore për rastet e kancerit vazhdon të jetë: “Mos i anashkaloni simptomat dhe shkoni për t’u vizituar te mjeku”.

“Mos e shtyni”, ka thënë Johni.

Është ky një paralajmërim prej një personi që e kupton mirë urgjencën. /Koha/ KultPlus.com

Covidi po lë edhe pasoja neurologjike, belbëzimi njëra prej tyre

Një pjesë e personave që i kanë mbijetuar sëmundjes Covid-19 kanë përjetuar edhe efekte të konsiderueshme neurologjike, thuhet në një raport të ri.

Një mësues 40 vjeç nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara, i cili për shumë vjet ka komunikuar me nxënësit e vet pa probleme, thotë se e gjeti veten duke belbëzuar për herë të parë në jetë.

“Kuptova që disa nga fjalët nuk ndihej se janë në rregull në gojën time, e keni parasysh?”, tha Patrick Thorton, mësues i matematikës.

Ai u infektua me koronavirus në gushtin e vitit të kaluar dhe pati simptoma tipike: dhimbje koke, plogështi, dhimbje në gjoks, shkurtim të frymëmarrjes, pezmatim të fytit që ia humbi zërin, shkruan Daily Mail.

Por edhe kur ishte në rrugë për t’u shëruar, pa që diçka nuk ishte në rregull. “Zëri m’u kthye, por (Covidi) ma dëmtoi gojën. Kjo ishte e tmerrshme”, thotë mësuesi amerikan.

Për muaj të tërë është raportuar se koronavirusi e sulmon trurin, me ç’rast njerëzit e infektuar rrezikohen më shumë nga sulmet në tru dhe në disa raste pësojnë encefalit.

Ka edhe raportime për raste të psikozave ose sondazhe për pasoja afatgjata të koronavirusit. Sipas një hulumtimi me 153 pacientë në Britani, një e treta e tyre raportuan simptoma neurologjike si ënjtja e trurit dhe probleme me kujtesën të ngjashme me demencën.

Një e mbijetuar tjetër e koronavirusit, Amanda Wood nga Indianapolis, ka filluar të belbëzojë pas infektimit me koronavirus në marsin e vitit të kaluar.

Qelizat e turit dhe lidhjet mes tyre, që u mundësojnë dërgim komandash gjatë veprimeve të përditshme si të folurit, mund të dëmtohen lehtë nga inflamacioni. Covid-19 njihet për reagimin inflamator që nxit në organizëm. /express/ KultPlus.com

Arti që lehtëson vaksinimin për COVID-19

Kur të hapet qendra e vaksinimit në Bottrop, njerëzit do të jenë në atë çfarë duket e rrallë në këto ditë: një ekspozitë skulpturore në mes të një salle të gjerë

Një diçka e ngjashme si formë njerëzore me ngjyrë trëndafili rri në dysheme; diçka që duket sikur kthetrat e një ariu nga një skulpturë guri; një lloj gjysmë-tubi dhe blloqe të mëdha mermeri.

Gereon Krebber, skulptor dhe profesor në Akademinë e Arteve në Düsseldorf, e ka shndërruar një pjesë të sallës së madhe me hekur e beton të qendrës së vaksinimit në Bottrop në peizazh skulpturor.

Disa javë para se njerëzit të vijnë për t’u vaksinuar, qyteti i Bottropit në Gjermaninë Perëndimore e ka gjetur veten papritur me një hapësirë të re për skulpturën.

Projekti ka marrë vëmendje, për shkak se sikur gjithandej vendit, ngjarjet kulturore janë anuluar dhe institucionet janë mbyllur. Nuk bën përjashtim as Bottropi, në të cilin mbahet një festival vjetor i organos dhe një tjetër për teatrin e kukullave. Edhe muzeu “Josef Albers”, që mban emrin e mësuesit të Bauhasit, është mbyllur.

Hapësira e gjerë në qendrën e vaksinimit ishte tamam për banorin e qytetit, Gereon Krebber, i cili do të duhej t’i shpaloste skulpturat e tij në zgjatimin e ri të muzeut. “Ne në Bottrop kemi atë që kemi”, ka thënë për DW zëdhënësi i qytetit, Alexander Pläsken.

Kështu një hapësirë e re arti në qendrën e vaksinimit është një rastësi e bukur, edhe nëse qendra nuk i ka hapur ende dyert për shkak të mungesës së vaksinave. Ekipet mobile të vaksinimit po vizitojnë qendrat e pensionimit për të dhënë dozat e para të vaksinimit.

Por veprat artistike në qendrën e vaksinimit mund të kenë një efekt, sigurisht jo kundër virusit, por mbase ato do të ndihmojnë që njerëzit ta heqin mendjen për pak çaste nga gjendja e rëndë.

“Doja të gjeja imazhe të diçkasë që është në nivel mikroskopik, por që nuk është e dukshme”, ka thënë Krebber, mbi imazhet për kërcënimin e padukshëm e vdekjeprurës.

Skulpturat e tij janë një përzierje formash amorfe e arkitektonike, që nuk duhet të vijnë si befasi në dritën e faktit që ai studioi me dy artistë që punojnë në gjuhët kundërshtuese, Tony Cragg dhe Hubert Kiecol.

Krebber ka thënë për DW-në se ai e sheh veten si “skulptor i mosmarrëveshjeve”, por ka theksuar se nuk do të jetë si “ilustrator i pandemisë”. Ai merret me analogjitë, dhe dëshiron që njerëzit t’i shohin veprat e tij për ta përjetuar prekshmërinë e tyre.

“Ky është vërtet një vend i vështirë”, ka shtuar Krebber, objektet e të cilit kontrastojnë me optikën goxha biznesore të sallës. Sigurisht se ato përmbushin të gjitha kërkesat për të frenuar rreziqet nga zjarri.

Për arsye të sigurisë nga zjarri, Krebberit iu desh të mbulonte dyshemenë e sallës me një shtrojë plastike – por ajo funksionoi për bukuri me sendet artistike, duke i bërë ato të dukeshin si të ishin në një pjatë artistike.

Bottropi s’është i vetmi qytet gjerman që i shpalos veprat artistike në një qendër vaksinimi: qyteti bavarez i Straubingut ka vendosur në mure vepra të artistëve të ndryshëm. Arti mund të ndihmojë të kuptohet stresi mendor që u shkaktua gjatë krizës së koronavirusit, thotë Krebber, duke shtuar, “por ju mund të kaloni skaj tij dhe të mos ia hidhni sytë. Kjo është e bukura e tij!”. / Deutsche Welle/ Koha/ KultPlus.com

Kamala Harris vaksinohet kundër Covid-19

Nënpresidentja e zgjedhur e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, u bë politikania e fundit amerikane që mori vaksinën kundër koronavirusit.

Harris mori të martën vaksinën e krijuar nga kompania Moderna, ndërsa ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

“Mezi e ndjeva”, tha Harris, pasi u injektua në krahun e majtë.

“Dua t’i inkurajoj të gjithë që të marrin vaksinën, është relativisht pa dhimbje, është e sigurt. Unë kam besim te shkencëtarët”, tha ajo.

Disa politikanë amerikanë, përfshirë presidentin e zgjedhur, Joe Biden, nënpresidentin Mike Pence dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e kanë marrë tashmë vaksinën.

Biden dhe Harris do të marrin detyrën më 20 janar dhe po përpiqen të krijojnë besim tek imunizimi.

Dy vaksina, njëra nga Moderna dhe tjetra nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, janë aktualisht duke u shpërndarë në të gjithë SHBA-në, pasi ato janë miratuar nga rregullatorët shëndetësorë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.

Afro 20 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 335,000 kanë vdekur.

Në të gjithë botën, koronavirusi ka infektuar mbi 81 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 1.7 milion kanë vdekur dhe mbi 46 milionë janë shëruar./ KultPlus.com

8 motra katolike kanë vdekur brenda 1 jave në Wisconsin

Në më pak se dy javë, tetë motra katolike  vdiqën nga Covid-19 në një shtëpi pensioni në Wisconsin këtë muaj, shkruan The New York Times, përcjell KultPlus.

Ato ishin arsimtare, mësese të muzikës dhe linguiste, të cilat shërbenin pa ndalur për pjesën e shoqërisë që vuante nga varfëria.

Shtëpia ku ato qëndronin ishte shndërruar në një residence për gratë e moshuara, teksa e para nga tetë motrat vdiq më 9 dhjetor. Të tjerat pasuan të marten, të premtën e kështu me radhë tha zëdhënsja e kësaj shtëpie, Trudy Hamilton.

Mosha e tyre varionte nga 91 deri në 88 vjeç.

“Ishte mjaft tronditëse për një kohë të shkurtër. Biografitë e tyre të plota nuk ishin në dispozicion menjëherë, ndërsa administratorët po përpiqeshin të merreshin me humbjen e zymtë të kaq shumë njerëzve që vdisnin në një periudhë kaq të shkurtër kohore”, tha Hamilton.

Tutje ajo theksoi se ekspertët thonë se të moshuarit janë më të prekshëm nga virusi.

“Motrat jetuan bashkërisht, ashtu si banorët që jetonin në shtëpi pleqsh, të cilat janë goditur veçanërisht nga pandemia”, shtoi Hamilton. /The New York Times/ KultPlus.com

OBSH apel para festave: Krishtlindje në shtëpi, nuk ia vlen rreziku

Shefi i zyrës rajonale të OBSH’së për Evropën u ka bërë apel të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi për Krishtlindje duke insistuar se nuk ia vlen të rrezikohen dhe të infektohen me Covid-19.

Në një deklaratë të Hans Kluge, thuhet:

“Ka një dallim mes asaj që ju lejohet të bëni nga autoritetet dhe asaj që duhet të bëni. Ne kemi edhe disa muaj të tjerë sakrifice përpara dhe mund të sillemi tani në një mënyrë që do të na bëjë krenarë të gjithëve. Kur të kthejmë kokën prapa për të kujtuar këto kohë të paprecedenta, unë shpresoj që të gjithë të ndjejmë se kemi vepruar me shpirtin e humanizmit për të mbrojtur ata që kanë më shumë nevojë”.

Kluge thotë se shkatërrimi i shkaktuar nga pandemia ka goditur rëndë komunitetet në Evropë duke paralajmëruar veçanërisht për pasojat te shëndeti mendor. Covid-19 ka detyruar familje dhe komunitete të ndahen, ka falimentuar biznese dhe ka privuar njerëzit nga mundësitë që një vit më parë dukeshin të sigurta.

Nga ankthi për prekjen nga virusi, pasojat psikologjike të izolimeve dhe vetizolimi e deri tek pasojat e papunësisë, shqetësimet financiare dhe përjashtimi social, pasojat shëndetësore të kësaj pandemie do të jenë afatgjata dhe do të shkojnë shumë larg. Ajo që ka rezultuar – thotë ai – është një krizë në rritje e shëndetit mendor në Evropë. / gazetaexpress/ KultPlus.com

Rita Ora kërkon falje për mos respektim të masave anti-covid

Këngëtarja britanike Rita Ora ka kërkuar falje pasi dolën lajmet se ajo duhej të ishte vet-izoluar kur festoi ditëlindjen në një restorant në Londër muajin e kaluar, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.

Ora fluturoi për në Egjipt më 21 nëntor për të performuar në Kajro, teksa kur u kthye në Angli iu kërkua që të vetë izolohej për 14 ditë sipas rregullave qeveritare për Covid-19.

Mirëpo, në vend të kësaj Rita festoi datëlindjen e saj në një restorant të Londrës, duke shkelur kufizimet anti-covid. Pas publikimit të lajmeve nga mediat, ajo kërkoi falje dhe pagoi një gjobë prej 10,000 £ për organizimin e festës.

Përveç faljes së saj, Ora tha se çdo fitim nga koncerti do të shkonte për bamirësi.

“Pas kthimit tim në Britani, duhet të kisha ndjekur këshillat qeveritare dhe të izolohesha për periudhën e kërkuar. Siç e dini, unë nuk i ndoqa këshillat e qeverisë dhe… Unë përsëri kërkoj falje”, theksoi Ora.

Në anën tjetër, për ata të cilët dëshirojnë ta bëjnë të njëjtën duke mos i respektuar masat si Ora, ajo tha:

“Mesazhi im për ta është i thjeshtë: ju lutem mos. Nuk ia vlen faji dhe turpi që kam pasur këtë javë për gabimin. Në vend të kësaj, vazhdoni të dëgjoni këshillat e qeverisë dhe zërat e heronjve të NHS dhe të merrni masat e nevojshme paraprake”, u shpreh Rita Ora.

Ora sërish është testuar për coronavirus dhe ka rezultuar negativ. / The Guardian/ KultPlus.com

Vdes piktori Besim Tula

Nga përpjekja me Covid-19, dje ka vdekur piktori Besim Tula, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja për Kulturë e Shqipërisë, Elva Margariti.

“I japim lamtumirën sot piktorit Besim Tula, artistit të shqetësuar për problemet e ditës e që të përditshmen e ktheu në art. Të qoftë dheu i lehtë!”, ka shkruar Margariti.

Mësohet se piktori kishte disa ditë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por nuk arriti që ta mposhtte sëmundjen.

Ajo që do të mbetet pas nga piktori dhe kuratori i shumë ekspozitave është krijimtaria e pasur artistike. / KultPlus.com

Historia reale e fotografisë që u bë viruale dhe u kthye në frymëzime artistike

Doktori amerikan Joseph Varon ngushëllonte një pacient të moshuar, pa e ditur që fotografia  e tij do të bëhej e njohur, shkruan KultPlus.

Fotografia ishte shkrepur në Ditën e Falenderimeve, teksa Varon po shfaqte një afërsi me pacientin e tij në spitalin United Memorial Medica Center në Hjuston.

Në një intervistë të dhënë për CNN, doktori tregoi historinë e këtij momenti që është kapur nga aparati fotografik.

“Ai është në të 70-tat. Po qante si një fëmijë. Unë e pyeta se çfarë kishte. Ai më tregoi se dëshironte të kishte pranë familjen. Po mendoja për këtë burrë dhe për qindrat herët që kjo ka ndodhur me pacientët e tjerë”, kishte treguar Varon.

Tutje ai përveç kësaj historie ka treguar se si po përballen me pacientët, duke tentuar çdo herë të jenë pranë tyre.

“Hyj në dhomat e tyre; ulem në shtratin e tyre dhe bisedoj me ta, sepse ata me të vërtetë kanë nevojë për dikë që t’u shtrijë një dorë. Dhe stafi im është shumë i mirë e bën shumë mirë këtë, por ne kemi kaq shumë pacientë sa që nuk mund t’i mbajmë dorën çdo pacienti. Mundohemi të jemi njerëzor. Disa prej tyre qajnë pa pushim. Kemi pasur raste kur kanë tentuar të hidhen nga dritarja, është e tmerrshme për ne”, ka shtuar doktori nga Hjuston.

Kujtojmë që këtë fotografi që tanimë ka pushtuar botën sociale, piktori Agim Sulaj e ka sjellur me magjinë e brushave, e që shumë shpejt artdashësit nga Tirana do të kenë rastin ta shohin për së afërmi në ekspozitën e tij personale. / KultPlus.com

Agim Morina për Lumturi Blloshmin: Shpirti i saj i vuejtun është i shpërndamë nëpër çdo pikturë

Vdekja e piktores Lumturi Blloshmi përveç që ka tronditur skenën artistike, ka ngjallur edhe reagime të shumta, që bëjnë të besojnë se ajo do të rroj nëpërmjet krijimtarisë së saj të pasur, shkruan KultPlus.

Poeti Agim Morina në një shkrim të shpërndarë në facebook dhe me titull “U njohëm më 27 nëntor”, ka kujtuar mënyrën e takimit të parë me piktoren.

Ishte pikërisht 27 nëntori, dita kur këta dy artistë ishin takuar për herë të parë, e që vite më pas piktorja Blloshmi do të vdiste në këtë datë. Morina në shkrimin e tij përmendi ekspozitën e mbajtur në fund të vitit 1995 “Onufri” në Tiranë.

Nga të gjitha krijimet artistike të ekspozuara, atij i kishte lënë mbresë vepra e Lumturisë, me ç’rast edhe kishte pasur mundësinë ta takonte dhe t’i ndante me të mendimet për to.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Agim Morinës:

U NJOHËM MË 27 NËNTOR

Kur shkova në Tiranë, në fund të vitit 1995, arrita në kohën kur, disa javë më pas, u hap ekspozita Onufri. Ajo u hap më 27 nëntor, që i bjen rrafsh para 25 vjetësh. Në ekspozitë shkova me një ndjenjë pasigurie për atë se çfarë kam me pa. Pas gjysmë shekulli të ndrydhjes staliniste, nuk mund të prisja ndonjë mrekulli. E merrja me mend se nuk do të shihja grushta burrash e grash muskulorë me kazma e lopata në duer, tue vështru rreptas larg në horizont, nuk do t’i shihja tue ba thirrje për çarje bllokadash e kthimin e kodrave në fusha, por, doemos – mendoja unë – kanë me qenë prapë po ata trupa me muskuj, po aj optimizëm i rremë dhe naiv, tipik për enverizmin, veçse tani pa kazma e lopata dhe pa parulla.

Kur hyna në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare, thjesht, u mrekullova me punimet e piktorëve shqiptarë. Ishin mbresëlanëse. Thjesht mbeta pa fjalë. Energjia që gufonte në ato punime ishte vullkanike. Natyrisht, kishte eksperimentime, ndërthurje stilesh e rrymash të ndryshme artistike, ku ndonjëherë mundeshin me u dallu lehtë edhe piktorë e punime të veçanta të artit botënor prej nga ishin frymëzu, që nga klasicizmi, impresionizmi, kubizmi, surealizmi, pop-arti, op-arti, hiper realizmi etj. Por, megjithatë, në krahasim me rrethanat nëpër të cilat kishin kalu piktorët shqiptarë kishin arrijtë në caqe të mahnitshme artistike. Shihja potencialin që kishte nisë me shpërthy dhe do të derdhej në dhjetëvjeçarë të ardhshëm. Thjesht, vizita në galeri u kthy në një festë të vogël për sytë e mi.

E veçantë nga të gjithë me stabilitetin e shprehjes artistike m’u duk punimi i autorit “L. Bloshmi.“ Para punimit të tij mbeta tue kundru gjatë. Si ishte e mundun? Kompozicioni i zgjidhun mirë, koloriti i balancuem, siguria e hoveve të penelatave dhe një trajtim artistik që tregonte një shpirt kryengritës. Ky autor ishte më i veçantë. Pas një kohe iu drejtova një kujdestareje të galerisë dhe e pyeta se kush ishte autori i këtyre punimeve. Ajo buzëqeshi me mirësjellje e më tha:

– Nuk asht autor! Asht autore. Quhet Lumturi Bloshmi.

– Shumë mirë! – gati klitha e vazhdova – punimet e saja po më pëlqejnë shumë. Po më duket krejt e veçantë…

– Po, asht e veçantë… Por, ajo asht këtu, nëse doni ta takoni? – më tha ajo.

Befasitë po renditeshin njëna pas tjetrës.

E ndoqa pas kujdestaren dhe u ndala prapa një zonje, koka e së cilës u kthy ngadalë kah unë. U shfaq një fytyrë me sy të mëdhej, buzë të holla, shikim të mprehtë. E shkujdesun në veshje dhe me flokë pak të hapërdamë, mbështjellë me një shall lara-lara ajo buzëqeshi ambël. I erdhi shumë mirë që punimi i saj më kishte lënë përshtypje. Por edhe habi, se si nga të gjitha punimet më kishte pëlqy e saja. Biseduem një copë kohë dhe e lamë të takoheshim prapë. Gjatë gjithë bisedave, ajo asnjëherë nuk më foli për rrethanat e randa të jetës së saj. Ma vonë kam me kuptu këtë prej të tjerëve. Por, vetëm kështu pata arrijtë me kuptu se pse thellë në sytë e saj përhidhej një flutur ankthi e dhembjeje, që ajo përpiqej me e fshehë e me e mbajtë vetëm për vete.

Sonte mora lajmin e hidhun që Lumturi Bloshmi na paska lanë. Saktësisht, në ditën e 25-vjetorit që u patëm njohë atë ditë në Galerinë e Arteve në Tiranë. I qoftë i lehtë dheu! Shpirti i saj engjëllor, i vuejtun e kryengritës, i shpërndamë nëpër çdo pikturë të saj në trajtë ngjyrash e vijash, ka me na ba dritë përgjithmonë. / KultPlus.com

Ministrja e Kulturës për Blloshmin: Ti na fole me veprën tënde më shumë se mijëra fjalë

Për vdekjen e piktores Lumturi Blloshmi nga Covid-19 ka reaguar edhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në facebook ministrja ka shkruar për veprimtarinë e bujshme të Blloshmit.

“Covid 19 na mori sot një tjetër emër të madh të artit shqiptar: Lumturi Blloshmin, ndër të paktat artiste pamore të brezit të saj, që sfiduan kohën, sistemet politike, ndryshimet e mëdha”, ka shkruar Elva Margariti

Tutje ka kujtuar momentet kur ishte ndalur para bustit të saj në Galerinë Kombëtare të Arteve

“Një portret i skalitur ashtu si ishte arti dhe qëndrimi i saj estetik”, ka shkruar Margariti.

Për fund, ministrja ka vlerësuar se Blloshmi ka folur me veprën e saj më shumë se me mijëra fjalë.

E krahasuar me Frida Kahlon, Lumturi Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / KultPlus.com

Shpend Ahmeti: Qytetarëve të infektuar të Prishtinës t’u jepen nga 50 euro për ilaçe

Kryetari i kryeqyetit, Shpend Ahmeti nëpërmjet një postimi ka propozuar që çdo qytetari të Prishtinës që ka rezultuar pozitiv me coronavirus dhe që është në listat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik t’iu ofrohen 50 euro si ndihmë, shkruan KultPlus.

Ahmeti ka bërë të ditur se këtë propozim së shpejti do ta dërgojnë edhe në Kuvendin Komunal për aprovim.

“Këto ditë do ta dërgojmë propozimin në Kuvendin Komunal që çdo qytetari të Prishtinës (zyrtarisht në regjistrin civil) që është i konfirmuar me Corona në listat e IKSHP të subvencionohet me 50 (pesëdhjetë) Euro në emër të shpenzimeve shëndetësore, jashta shërbimeve të ofruara nga sistemi jonë shëndetësor’’, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij.

Tutje, ai ka thënë se pavarësisht që është shumë modeste, shpreson që këtë shembull ta ndjekin edhe komunat tjera nëpërmjet Qeverisë.

 ‘’Shpresojmë që qeveria të shtojë subvencionim të tillë për krejt qytetarët e Republikës së Kosovës. Për modalitetet e kriteret do të ju njoftojmë me kohë’’, është shprehur Ahmeti.

Ai ka thënë se është dakorduar me partnerët e koalicionit, teksa presin edhe mbështetjen e partive tjera politike të Kuvendit Komunal në Prishtinë. /KultPlus.com

Moska e kthen sallën e sporteve në spital

Qendra e sporteve dimërore në Moskë është kthyer në spital për trajtimin e pacientëve me koronavirus për shkak të ngritjes së numrit të rasteve në valën e dytë, njofton agjencia Reuters.

Mjekët rusë kanë thënë se palestra do të shërbejë si spital i përhershëm për shkak se kapacitetet ruse po tkurren për çdo ditë, si pasojë e ngritjes enorme të rasteve me infektime.

Në këtë qendër janë të vendosura të gjitha pajisjet mjekësore për diagnostikim dhe trajtim të pacientëve, ka bërë të ditur mjeku përgjegjës, Andrei Shkoda. Ai ka thënë se Qeveria ruse ka investuar në pajisje digjitale, që mjekëve të mos u mungojnë pajisjet dhe aparaturat e nevojshme.

Rusia po përballet me më shumë se 22 mijë raste të reja me koronavirus brenda një dite, duke ngritur alarmin nga radhët e mjekëve se vendi mund të ngelet pa burime të mjaftueshme për të gjithë pacientët e shtruar.

Rusia ka bërë të ditur javën e kaluar se vaksina “Sputnik V” ka rezultuar me 92 për shkallë efikasiteti në mesin e vullnetarëve, ani pse janë testuar vetëm disa dhjetëra sosh. Kremlini po mundohet të ruajë hapin krahas laboratorëve perëndimorë. Kompanitë “Pfizer” dhe “BionTECH” tashmë kanë bërë të ditur se vaksina e tyre ka rezultuar me 90 për qind shkallë efikasiteti gjatë testimeve në mijëra pacientë të prekur me koronavirus. /gazeta express/ KultPlus.com

2020, ky vit që ndryshoi shumë gjëra (FOTO)

2020 vazhdon të mbetet një vit që askush prej nesh nuk e ka menduar kurrë, lajme të këqija, vdekje, sëmundje, vrasje e shumë gjëra të tjera ndodhën aq shpejt saqë shpesh duket si një ëndërr.

Fakti se jeta jonë mund të mos jetë më kurrë ajo që ishte është tejet i frikshëm, një atmosferë depresive e shqetësuese ka kohë që po mbizotëron mbi jetën e secilit.

Se çfarë do të ndodhë e çfarë mund të presim, nuk e di askush. E vetmja gjë që secili mund të bëjmë, është të jetojmë me kujdes të shtuar, të kuptojmë se tashmë mbajmë përgjegjësi më shumë se për vetveten, mbajmë përgjegjësi pë të gjithë, për miqtëm familjarët për ata që i njohim e nuk i njohim.

Në vijim, KultPlus ju sjell disa fotografi nga qytete të ndryshme të botës që janë realizuar gjatë kësaj periudhe. / KultPlus.com

Di Caprio ndihmon nismën për të prekurit e Covid-19

Leonardo DiCaprio do të ndihmojë në nismën e Fondit të Ushqimit të Amerikës, i cili tashmë ka mbledhur 12 milionë dollarë për të ndihmuar komunitetet e prekura nga koronavirusi.

Organizata tha të enjten se fondet synojnë të ndihmojnë familjet me të ardhura të ulëta, të moshuarit, individët që përballen me ndërprerje pune dhe fëmijët që mbështeten në programet e drekës shkollore.

Fondi ushqimor do të punojë me organizatat për lehtësimin e urisë Kuzhina Qendrore Botërore dhe Ushqimi i Amerikës.

DiCaprio është bashkëthemelues i Fondit Ushqimor të Amerikës me filantropin Laurene Powell Jobs. Apple dhe Fondacioni Ford gjithashtu po ofrojnë para për të ndihmuar në fillimin e nismës së re. / KultPlus.com