Qytetarët shprehen të shqetësuar për variantin e ri të Covid-19, bëjnë apel për vaksinim

Në Kosovë ende nuk është konfirmuar ndonjë rast me variantin e ri të Covid-19, ose siç njihet ndryshe Omicron, ndonëse në shumë shtetet po raportohet për dyfishim të numrit të të infektuarve.

Përkundër që ende nuk është regjistruar ndonjë rast me këtë variant në vend, qytetarët shprehen të shqetësuar për përhapjen e tij.

Bekim Brestovci është shprehur se ka marrë shumë informacione sa i përket virusit.

Ai u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët.

“Po kemi dëgjuar natyrisht sepse ka qenë veç në media. Frika është permanente prej që është shfaq edhe Covidi. Natyrisht kemi shumë raste vdekshmërie që kemi pas nga Covid, andaj mendohet që edhe ky nuk do të jetë një virus i cili do të përballohet lehtë dhe do të kaloj pa viktima në njerëz. Apeli im kish me qenë te të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar gjer më tani le të vaksinohen kundër Covid-19. Pastaj shohim se çfarë po preferohet edhe kundër virusit të ri, i cili veç e ka marrë përmasën në shumë shtete të Evropës”, shtoi ai.

Beqir Aliu ka kërkuar vaksinim masiv duke shtuar se nëse deri më tani në botë vaksinë e kanë marrë 4 miliardë njerëz, pse nuk duhet që ta marrim edhe ne.

“Na u bënë boll këto far lloje të viruseve. Jo nuk frikohem aspak, vaksinat i kemi marr. Kisha apeluar që të vaksinohen. Të gjithë le të vaksinohen. Për shembull pare ka erdhëm rrugës biseduam, kur janë vaksinuar diku afër 4 miliardë njerëz në botë, kush jem na me gjet kirifekte jo bën jo nuk bën”, tha ai.

Anita Zhegrova, ka kërkuar që vaksinimi të bëhet i obligueshëm për të gjithë pa përjashtim, për shkak të  mundësisë së përhapjes së shpejt të varianti të ri të virusit, raporton EO.

“Po kom dëgjuar, kam dëgjuar që është më i rrezikshëm edhe po shpërndahet shumë ma shpejt se sa variantet që kanë qenë më herët. Kom dëgjuar po unë jam vaksinuar shumë herët, shpresoj që nuk ka njerëz më që dyshojnë te vaksina edhe e bëjnë sa më shpejtë, për arsye se kjo nuk ta fal. Unë e kam pas vet tash një vit domethënë koronën. Kam heq kogja shumë edhe nuk është hajgare domethënë duhesh me e ruajt veten rrethin edhe shoqëri nëse duam me kanë qysh jena kanë ma herët përndryshe është shumë i rrezikshëm”, shtoi ajo.

Rastet e variantit të ri deri më tani janë identifikuar në mesin e udhëtarëve në më shumë se dhjetë vende evropiane, duke përfshirë Danimarkën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar. / KultPlus.com

Ministria e Shëndetësisë do të bëjë shqyrtimin e masave, gjendje e përkeqësuar me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se javën e ardhshme pritet të shqyrtohen masat ndaj COVID-19, ku varësisht sipas nevojës dhe zhvillimeve, do të marrin vendime të reja, shkruan KultPlus.

Në njofitmin e MSH-së, thuhet se situata epidemiologjike me COVID-19, variantet në qarkullim dhe mbrojtja e shëndetit publik të popullatës janë shkas që do të bëhet rishqyrtim i masave.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, ka qenë udhëheqëse e kësaj mbledhje, derisa në mënyrë virtuale ishte i paraqitur edhe Ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Pas identifikimit të variantit të ri të koronavirusit, (B.1.1.529) fillimisht në Afrikë e pastaj edhe në disa shtete jashtë këtij kontinenti, MSH-ja ka bërë një thirrje për qytetarët e Kosovës.

Komiteti, në mënyrë specifike u ka bërë thirrje qytetarëve të moshës mbi 12 vjeçe që të vaksinohen pa humbur kohë kundër COVID-19

Kërkesa kryesore e MSH-së ishte që qytetarët e vendit t’i zbatojnë masat në fuqi, të vaksinohen, derisa nga institucionet përgjegjëse, si Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse, u kërkuar që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale. /KultPlus.com

MSH nesër nis vaksinimin e nxënësve nëpër shkollat e mesme

Ministria e Shëndetësisë (MSH) përmes një njoftimi për media ka njoftuar se do të fillojnë me procesin e vaksinimit për nxënësit e shkollave të mesme.

Siç njofton MSH, nesër do të mund të vaksinohen nxënësit në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda”, në Prishtinë.

“Me qëllim të vaksinimit të nxënësve me vaksinën kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë, ka organizuar për nesër (e mërkurë, 24 nëntor) ekip mobil për vaksinimin e nxënësve në Shkollën e Mesme ‘Xhevdet Doda’ në Prishtinë. Vaksinimi, i cili do të bëhet në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës, do të zhvillohet nga ora 13:00 në mjediset e kësaj shkolle. Prindërit ose kujdestarët ligjorë të nxënësve që do të vaksinohen, pasi të kenë dhënë deklaratën e pajtueshmërisë për vaksinim, janë të mirëpritur, nëse duan për të përcjellë nga afër vaksinimin”, thuhet në njoftim.

Më tej, MSH thekson se “procesi i vaksinimit me ekipe mobile nëpër shkollat dhe nivele e tjera do të vazhdojë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Drejtoritë komunale për Arsim, ndërsa krahas vaksinimit përmes ekipeve mobile, qytetarët e të gjitha kategorive dhe grup-moshave, mund të vaksinohen çdo ditë pune edhe në qendrat statitke të vaksinimit me vaksinën kundër COVID-19”.

“MSh u bën thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar ende apo që nuk e kanë kompletuar procesin e vaksinimit me të dy dozat që ta bëjnë këtë, sepse në këtë kohë kur shtetet e rajonit dhe të kontinentit evropian po përballen me numër të lartë të rasteve të COVID-19, vaksinimi është preventiva dhe mbrojtja më e mirë”, përfundon njoftimi i MSH-së.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 15 raste të reja me COVID-19 dhe asnjë rast i vdekjes.

Alarm në Evropë rreth valës së katërt, fillon shtrëngimi i masave

Një sërë arsyesh kanë shkaktuar rritjen dramatike të infektimeve në Evropë, nga skepticizmi për vaksinën, rënia e fuqisë mbrojtëse të saj pas 5 muajsh, moti I ftohtë etj.

Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge e ka vlerësuar shpejtësinë me të cilën po përhapen infektimet si “seriozisht shqetësuese”. Ai e shikon Evropën në qendër të një krize të re pandemike shpjegon Deutshce Welle.

Holanda dhe Çekia kanë rivendosur detyrimin për maskat në ambientet e brendshme, dhe detyrimin e pasaportës së vaksinimit për vizitorët e restoranteve, bareve etj.

Shifrat e infektimeve janë rritur me 40% në një javë në Holandë, ndërsa në Çeki janë shtuar ndjeshëm dhe rastet e rënda. Më pas se 60% e çekëve janë vaksinuar.

Rumania dhe Bullgaria regjistrojnë aktualisht shifrat më të larta të vdekjeve në Evropë që nga fillimi i pandemisë. Ekspertët në Bukuresht e krahasojnë situatën me gjendjen në Lombardi vitin e kaluar.

Rumania prej kohësh përjeton kriza qeveritare dhe besimi i popullit tek autoritetet është i ulët. Po ashtu edhe në Bullgari, ku sipas të dhënave, vetëm një çereku i popullsisë është vaksinuar, ka një rritje të dyshimeve për vaksinën.

Në fund të tetorit në Francë infektimet ishin rritur 50% krahasuar me fillimin e muajit. Pritet që detyrimi për pasaportën e vaksinës në ambientet publike të shtyhet deri në vitin e ardhshëm.

Pak muaj më parë Franca vendosi detyrimin për vaksinim për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë dhe administratës publike dhe arriti një kuotë vaksinimi 88% tek të rriturit.

Ndërsa në Gjermani, ministrat e Shëndetësisë vendosën të premten raundin e tretë të vaksinimit përforcues për të gjithë qytetarët, që e kanë marrë vaksinën e dytë para gjashtë muajsh. Arsyeja është rritja dramatike e infektimeve, tha ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Epidemiologët i tremben ardhjes drejt Evropës perëndimore të një vale të katërt infektimesh nga Evropa lindore, ku shifrat janë shumë të larta.

Vaksinim në institucione fetare e shkolla, plani i Ministrisë për ta rritur numrin e të vaksinuarve

Qendra kryesore për vaksinim kundër koronavirusit në Prishtinë, Salla “1 Tetori”, të enjten (18 nëntor) ishte bosh në orët e paradites.

Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar vazhdon të jetë i ulët.

Në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë dhënë 1,760 doza të vaksinës.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 18 nëntor më shumë se 753 mijë qytetarë – apo mbi 41 për qind e popullatës së përgjithshme i ka marrë nga dy doza të vaksinës.

Vaksinimi në Kosovë tani bëhet pa termin dhe lejohet për të gjitha moshat mbi 12 vjeç.

Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se përmes vizitave derë më derë, kjo ministri po synon rritjen e numrit të të vaksinuarve. Po ashtu, kjo ministri thotë se janë duke bërë përgatitjet për vaksinim nëpërmjet ekipeve mobile edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në institucione fetare dhe në shkolla.

“Ministria e Shëndetësisë iu bën thirrje për vaksinim atyre që nuk e kanë bërë këtë, sepse tashmë kemi edhe praninë e variantit Delta Plus në Kosovë dhe mosvaksinimi do të ishte një shans i madh i humbur në dëm të shëndetit individual dhe kolektiv të popullatës”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë për Radion Evropa e Lirë.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë mbetet i ulët, pavarësisht se shkalla e infeksionit me COVID-19 në rajon dhe më gjerë është e lartë.

Në 10 ditët të fundit në Kosovë janë shënuar 102 raste të reja dhe dy raste me të vdekur.

Kurse, vetëm më 17 nëntor, Shqipëria shënoi 616 raste të reja dhe 10 vdekje, Maqedonia e Veriut 476 raste të reja dhe 13 vdekje, Serbia 3,600 raste dhe 56 vdekje, Mali i Zi 403 raste dhe 10 vdekje.

Pikërisht për shkak të infeksionit të lartë në rajon, profesionistët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se situata epidemiologjike është jostabile. Kësaj i kontribuon edhe fakti se varianti Delta i koronavirusit, i cili është më ngjitës, është dominues në Kosovë.

Po ashtu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus”. Më 10 nëntor, autoritetet shëndetësore kanë identifikuar 12 raste me variantin Delta Plus të koronavirusit, nga 59 mostra.

Ky variant është identifikuar nga shkencëtarët britanikë në muajin shtator, dhe për shkak se nuk është variant që përbën interesim apo shqetësim ende, ai nuk është emërtuar zyrtarisht sipas një shkronje të alfabetit grek, sikur variantet e tjera brengosëse.

Sipas të dhënave të Shërbimit Spitalor në klinikat COVID-19 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e përgjithshme, në trajtim spitalor janë 41 pacientë, 13 pacientë me COVID-19 dhe 28 të tjerë post-covid.

Në Klinikën Infektive më 18 nëntor janë duke u trajtuar vetëm 4 pacientë me COVID-19.

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, tha për Radion Evropa e Lirë se situata aktuale është e qetë, porse klinika është mobilizuar sikur të kishin shumë pacientë.

“Jemi duke i adaptuar hapësirat spitalore që eventualisht do të mbushen me pacientë. Uroj të mos ndodhë ky skenar, por ne duhet të përgatitemi se nuk mund të jemi imun ndaj situatës epidemiologjike që po ndodh në rajon dhe Evropë”, tha Vishaj.

Duke u nisur nga situata epidemiologjike në rajon dhe Evropë, Vishaj u bëri thirrje qytetarëv të Kosovës që të vaksinohen.

“Ne jemi pjesë e rajonit dhe Evropës dhe gjithsesi situatat epidemiologjike që ndodhin në rajon do të vijnë edhe në vendin tonë. Deri më sot në luftë kundër COVID-19, arma më efikase që e kemi në dorë është vaksinimi”, theksoi ai.

Evropa ka parë një rritje prej 50 për qind të infeksioneve që nga tetori, pavarësisht disponueshmërisë së lartë të vaksinave kundër COVID-19.

Në disa vende të Evropës si Gjermania, Republika Çeke dhe vende të tjera është raportuar këtë javë për shifra rekorde të të infektuarve.

Gjermania ka thyer rekordin e saj të enjten, më 18 nëntor, pasi autoritetet e këtij shteti kanë regjistruar 65,371 raste të reja të infektimit me koronavirus gjatë 24 orëve. Komiteti për Vaksina në Gjermani ka rekomanduar të enjten dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi moshën 18-vjeçare.

Austria më 14 nëntor ka vendosur në izolim miliona persona që nuk janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dy arsye kryesore pse Evropa, por edhe Azia Qendrore, janë në një situatë kaq të vështirë është mbulimi i pamjaftueshëm i vaksinimit dhe masat relaksuese të kufizimit shëndetësor dhe social.

Normat e vaksinimit kanë rënë muajt e fundit në Evropë dhe ato ndryshojnë shumë nga vendi në vend. Për shembull, deri në muajin tetor në Spanjë, pothuajse 80 për qind e popullsisë ishte vaksinuar, në Gjermani 66 për qind dhe në Rusi vetëm 32 për qind.

Sllovenia pezullon vaksinën Johnson&Johnson

Sllovenia ka pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës së Johnson & Johnson kundër COVID-19, tha ministri i Shëndetësisë, Janez Poklukar, raporton agjencia kombëtare e lajmeve ‘STA’.

Masa e pezullimit është vendosur pas vdekjes së një gruaje të re.

Kompania Johnson&Johnson ende nuk e ka komentuar këtë vendim të autoriteteve sllovene, raporton Reuters.

“Pacientja, në të njëjtën kohë kishte mpiksje gjaku dhe gjakderdhje në tru. Kujdesi intensiv ndaj saj nuk rezultoi i suksesshëm”, tha për agjencinë STA, Igor Rigler, një neurolog në qendrën spitalore të Lubjanës.

Ndërsa ministri Poklukar tha se ende nuk është njoftuar në detaje për rastin mirëpo vdekja e pacientes duhet të sqarohet.

“Unë nuk mund të bëj komente, por kushtet janë plotësuar për sqarimin e të gjitha rrethanave të asaj që ndodhi”, tha ai.

Vaksina Johnson & Johnson është një nga disa vaksinat që Sllovenia po përdor në programin e saj të imunizimit kundër COVID-19.

Ky vend, deri më 28 shtator, ka imunizuar plotësisht rreth 47 për qind të popullsisë.

Sllovenia ka rreth 2 milionë banorë. / REL / KultPlus.com

Covid-19 ka vrarë po aq amerikanë sa edhe gripi i vitit 1918

Numri i personave që kanë vdekur nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara tashmë është i barabartë me numrin e amerikanëve që humbën jetën nga pandemia e gripit spanjoll të viteve 1918-1919, pra rreth 675,000. Ashtu si fatkeqësia mbarëbotërore e një shekulli më parë, edhe koronavirusi nuk mund të zhduket kurrë plotësisht.

Shkencëtarët shpresojnë që koronavirusi do të shndërrohet në një grip të butë sezonal me forcimin e imunitetit të njeriut përmes vaksinimit dhe infeksioneve të përsëritura.

 “Shpresojmë se kjo do të bëhet si një rast ftohjeje, por nuk ka asnjë garanci për këtë”, thotë biologu i Universitetit Emory, Rustom Antia, i cili sugjeron një skenar optimist, sipas të cilit, kjo mund të ndodhë pas disa vitesh.

Shtimi i infeksioneve të reja, i shkaktuar nga varianti delta mund të ketë arritur kulmin, por numri i vdekjeve vazhdon të jetë mesatarisht mbi 1,900 në ditë, niveli më i lartë që nga fillimi i marsit. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universitetit Johns Hopkins, deri të hënën në mëngjes numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara ka arritur në afër 674,000, por mendohet se numri real është më i lartë.

Reklamë

Sipas një modeli të njohur parashikimi, dimri mund të sjellë një rritje të re të rasteve, megjithëse do të jetë më pak vdekjeprurëse se vitin e kaluar. Modeli i Universitetit të Uashingtonit parashikon vdekjen e rreth 100,000 amerikanëve të tjerë nga COVID-19 deri më 1 janar, duke e çuar në 776 mijë numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara.

Pandemia e gripit spanjoll e viteve 1918-19 shkaktoi vdekjen e rreth 675,000 amerikanëve, kur Shtetet e Bashkuara kishin një popullsi tre herë më të vogël se sot. Rreth 50 milionë njerëz në nivel global vdiqën nga gripi spanjoll. Ndërsa, Covid-19 ka shkaktuar vdekjen e 4.6 milionë njerëzve në nivel global.

Shifrat e të vdekurve nga gripi spanjoll janë llogaritje të përafërta, duke patur parasysh regjistrimet jo të plota të epokës dhe njohuritë e pakëta shkencore mbi shkaqet e sëmundjes. Shifra 675,000 është raportuar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Para COVID-19, gripi i vitit 1918-19 konsiderohej si pandemia më e rëndë në historinë e njerëzimit. Nuk është e qartë nëse pandemia aktuale në fund të do jetë më vdekjeprurëse.

Në shumë mënyra, gripi i viteve1918-1919, i cili u quajt gabimisht grip spanjoll, sepse në fillim u raportua gjerësisht për atë në mediat në Spanjë, ishte më i rëndë.

I përhapur nga lëvizjet e shumta të njerëzve gjatë Luftës së Parë Botërore, gripi shkaktoi vdekjen e një numri të madh të të rinjve pa probleme të tjera shëndetësore. Vaksinat nuk ekzistonin për ta ngadalësuar përhapjen e tij, dhe nuk kishte antibiotikë për të trajtuar infeksionet bakteriale dytësore. Dhe, natyrisht, popullsia e botës ishte shumë më e vogël se sa sot.

Megjithatë, udhëtimet me avion, migrimet masive dhe ritmi ende ulët i vaksinimit kërcënojnë të rrisin pasojat e pandemisë aktuale./voa/KultPlus.com

660,000 flamuj të bardhë në nderim të viktimave që humbën jetën në SHBA nga Covid-19

660,000 flamuj të bardhë në nderim të 660 mijë viktimave që humbën jetën në SHBA për shkak të COVID-19 u vendosën para Qendrës Kombëtare në Uashington.

Ekspozita e titulluar, “Në Amerikë, mbaje mend” synon të rrisë ndërgjegjësimin për pasojat që po shkakton pandemia e cila ende vret mesatarisht rreth 2,000 qytetarë çdo ditë.

Ndërkohë që Londra ka lehtësuar masat e kufizimeve anti-Covid për udhëtarët.

Nga 4 tetori, personat e vaksinuar nuk do të kenë më nevojë të testohen para se të nisen për në Angli, me kusht që ata të mos vijnë nga vendet të përfshira në listën e kuqe.

Më shumë se dhjetë mijë të rinj midis moshës 12 dhe 15 vjeç u vaksinuan të premten. Mijëra të tjerë priteshin gjatë fundjavës në qendrat e vaksinimit dhe zyrat e mjekëve. / KultPlus.com

Falsifikimi i testeve Covid-19, policia e dërgojnë në mbajtje pronarin e fotokopjes në Podujevë

Pronari i një fotokopjeje në Podujevë është dërguar në mbajtje për 48-orë nga policia, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentave”.

I njëjti dyshohet se falsifikonte teste, duke i printuar ato në formatin A4 me logo të disa laboratorëve në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për medie.

“Policia përmes zyrtarëve relevant ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për Covid-19, me llogo të disa laboratorëve në Kosovë”, u tha në njoftim.

“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve””.

Siç thuhet në komunikatën e policisë, forcat e rendit kanë sekuestruar një shtëpizë dhe një telefon celular.

Policia do të vazhdojë angazhimet në zbatimin e masave që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë, përfshirë angazhimet shtesë në arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave që përfshihen në veprimtari të kundërligjshme. / KultPlus.com

Bëri thirrje për më shumë hapësirë për mërgimtarët, Komuna e Gjilanit sërish me njoftim: Dilni sa të doni

Komuna e Gjilanit, sot gjatë ditës u ka bërë thirrje banorëve të komunës që të përmbahen nga daljet e panevojshme për t’ju lënë më shumë hapësirë mërgimtarëve që ndodhen në pushime.

Pas këtij njoftimi, komuna ka dalë sërish me një sqarim në faqen e tyre zyrtare, ku thuhet se njoftimi ka qenë në frymën e asaj që qytetarët të tregojnë më shumë kujdes për vetën e edhe për mërgimtarët.

Ndërsa krejt në fund të njoftimit, komuna u drejtohet qytetarëve duke u thënë “dilni sa të doni, duke respektuar masat në fuqi”. / KultPlus.com

Ky vend raporton viktimën e parë nga COVID-19 për vitin 2021

Australia raportoi viktimën e parë nga koronavirusi për këtë vit. Gjithashtu dhe numrin më të lartë të rasteve të reja për vitin 2021, 77 të tillë në Uellsin e Ri Jugor, që po përballet me një valë të re përhapjeje të nxitur nga varianti Delta.

Autoritetet paralajmërojnë se shifrat pritet të rriten ndjeshëm në qytetin më të madh të Australisë, Sidnej, që aktualisht ndodhet në një izolim të ashpër.

Duke marrë shkas nga kjo përhapje, masat kufizuese pritet të mbesin në fuqi për më shumë kohë nga sa ishte parashikuar.

Australia raporton 52 persona të shtruar në spitale, 15 pacientë janë në terapi intensive, ku 5 prej tyre kanë nevojë për ventilator. Viktima e parë e këtij shteti, që prej dhjetorit të kaluar, ishte një e moshuar 90-vjeçare. / Gazeta Express / KultPlus.com

Hiqet maska në ambientet e jashtme, shtyhet ora policore në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur sot për të njoftuar masat e reja anti-Covid. 

“Komiteti mendon se ka vend për lehtësim të masave, duke filluar nga 1 qershori do të hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme, por do vijojë të mbahet në ambientet e brendshme dhe transport publik. Ora policore nga 22:00 do të kalojë më 1 qershor në 23:00”, theksoi Komiteti i Ekspertëve.

Masat që lehtësohen nga 1 Qershori:

-Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme.

-Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik.

-Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës që konsiderohen persona në risk.

-Ora policore shtyhet në orën 23:00 -06:00.

-Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00. / KultPlus.com

Brukseli merr vendim, certifikatat digjitale të COVID-19 të obligueshme nga korriku

Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së kanë arritur marrëveshje për krijimin e certifikatave digjitale për qytetarët e BE-së, që nga korriku do të duhej t’ua lehtësonte mënyrën e udhëtimit në vendet e BE-së.

Marrëveshja është arritur pas katër raundeve të bisedimeve të Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare, e bazuar në propozimin e Komisionit Evropian do të aplikohen certifikatat digjitale që do të “hapin kufijtë”, që do të pranojnë të gjitha vendet anëtare dhe që do të ofrojnë informacionet e nevojshme për vaksinim siç është posedimi i antitrupave apo testi negativ PCR, transmeton Telegrafi.

Në Bruksel kanë bërë të ditur se në marrëveshjen e mbrëmshme është hapur rruga “për certifikatën e përbashkët digjitale evropiane që do të jenë të gatshme deri në korrik”.

Komisioni Evropian është angazhuar që të ndajë 100 milionë euro në kuadër të mekanizmave për përkrahje emergjente për ta pasur qasje në testet ekzistuese anti-COVID.

Certifikata e gjelbër digjitale, nganjëherë jozyrtarisht e quajtur pasaporta COVID, do të mundësojë që kudo në BE përmes leximit të kodit QR, të kontrollohet certifikata që tregon nëse bartësi i saj nuk është i infektuar.

Janë paraparë tri mënyra që mund ta dëshmojnë këtë. E para, që personi është vaksinuar kundër COVID-19 apo që i sëmuri nga coronavirusit kohë më parë konsiderohet i mbrojtur nga antitrupat, e nëse nuk është vaksinuar dhe nuk ka antitrupa të mjaftueshme, duhet të ketë testin “e freskët” negativ PCR.

Me konfirmime të tilla, personat do të mund të kalojnë kufijtë mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, pa iu nënshtruar masave të rrepta kufizuese që deri më tani kanë qenë në fuqi, siç ishte testimi apo vetëizolimi.

Kjo marrëveshje do të duhej të ishte në fuqi në një periudhë 12 mujore. E shtetet anëtare duhet t’i pranojnë certifikatat që i kanë lëshuar vendet e tjera anëtare dhe atë për vaksinat e miratuara në BE. Aktualisht vaksinat e miratuara në vendet e Bashkimit Evropian janë Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.

Personat që nuk kanë “ceritifikata” të tilla nuk do të mund të udhëtojnë. /Telegrafi/ KultPlus.com

Shpërndarja e vaksinave kundër COVID-19 ndihmoi 9 persona të bëhen miliarderë

Fitimet nga vaksinat kundër Covid-19 kanë ndihmuar të paktën nëntë njerëz të bëhen miliarderë, tha një grup fushate të enjten, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund “kontrollit monopol” të korporatave farmaceutike në teknologjinë e vaksinave.

“Midis tyre, nëntë miliarderë të rinj kanë një pasuri të kombinuar neto prej 19.3 miliardë dollarësh (15.8 miliardë euro), e mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht të gjithë njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta”, ka thënë në një deklaratë Aleanca e Vaksinave të Popullit.

Aleanca, një rrjet organizatash dhe aktivistësh që bëjnë fushatë për t’i dhënë fund të drejtave të pronës dhe patentave për inokulimet, thanë se shifrat e saj bazoheshin në të dhënat e Listës të së Pasurve të Forbes, përcjell Telegrafi.

“Këta miliarderë janë fytyra njerëzore e fitimeve të mëdha që po bëjnë shumë korporata farmaceutike nga monopoli që mbajnë në këto vaksina”, ka thënë Anna Marriott nga Oxfam, e cila është pjesë e aleancës.

Përveç mega-pasurëve të rinj, tetë miliarderë ekzistues kanë parë pasurinë e tyre të kombinuar të rritet me 32.2 miliardë dollarë falë shpërndarjes së vaksinave, tha aleanca.

Në krye të listës së miliarderëve të rinj të vaksinave ishin drejtori ekzekutiv i Moderna, Stéphane Bancel, dhe homologu i tij i BioNTech, Ugur Sahin.

Tre miliarderë të tjerë janë bashkëthemelues të kompanisë kineze të vaksinave CanSino Biologics.

Studimi vjen përpara Samitit Global të Shëndetit G20 të premten, i cili ka është vlerësuar si një mundësi për thirrjet në rritje për të hequr përkohësisht mbrojtjen e pronës intelektuale në vaksinat Covid-19.Ithtarët thonë se duke bërë kështu do të rritej prodhimi në vendet në zhvillim dhe do të adresonte pabarazinë dramatike në qasje.

Prodhuesit kanë theksuar se mbrojtja e patentave nuk është faktori kufizues në rritjen e prodhimit të vaksinave.

Ata thonë se një gamë e gjerë çështjesh – nga ngritja e vendeve të prodhimit, te sigurimi i lëndëve të para, te disponueshmëria e personelit të kualifikuar – do të mbanin lart procesin e prodhimit. / KultPlus.com

Bideni bën thirrje që të vaksinohen fëmijët nga mosha 12 vjeç e më lartë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u ka bërë thirrje gjithë fëmijëve nga mosha 12-vjeçare e më lartë që të marrin vaksinën Pfizer kundër COVID-19, pas lajmit se këshilltarët federalë të shëndetësisë kanë dhënë leje për vaksinimin e fëmijëve të asaj moshe, raporton agjencia AP.

Më herët këtë javë, Agjencia e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA ka hapur rrugën për të zgjeruar përdorimin e vaksinës së Pfizerit, duke cituar dëshmi se vaksina ka funksionuar mirë te ata të moshës 12 deri 15 vjet dhe ata 16 e më tepër.

Por, shumica në SHBA kanë pritur rekomandimin e Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve.

Të mërkurën, komiteti i pavarur këshillues ka votuar për të rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine te fëmijët nga mosha 12 vjet e më lartë.

CDC-ja pritet të pranojë rekomandimin e komitetit këshillues.

“Ne do të kemi për herë të parë një vaksinë të sigurt dhe efikase kundër COVID-19 për adoleshentët mbi 12 vjet. Ky është një hap tjetër i madh në luftën tonë kundër pandemisë”, ka thënë Biden.

Biden ka thënë se administrata e tij është e gatshme për të shtrirë vaksinimin në atë grupmoshë.

“Ky grup i popullsisë do të ketë vaksinimin të shpejtë dhe efikase”, ka thënë Biden, duke shtuar se nga disa e enjte (sot) më tepër se 15 mijë farmaci do të jenë të gatshme dhe në dispozicion për të vaksinuar të gjithë amerikanët të moshës nga 12 vjet e sipër.

Biden ka thënë se vaksinat do të jenë në dispozicion edhe nëpër zyra të pediatrëve dhe të mjekëve familjarë. / KultPlus.com

Alarmi nga OBSH: Varianti indian i Covid është shqetësim global

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka klasifikuar variantin e koronavirusit që është zbuluar për herë të parë në Indi si një variant që është shqetësim në të gjithë botën.

Në një deklaratë, OBSH ka thënë se nga studimet paraprake, mutacioni i njohur me emrin shkencor B.1.617 përhapet më lehtë sesa variantet e tjera dhe kërkon studim të mëtejshëm.

Sipas kësaj organizate varianti tashmë është përhapur në më shumë se 30 vende, por rreziku që të shpërndahet dhe në vendet e tjera është shumë i madh.

Shumë shkencëtar po e studiojnë këtë variant për të vërtetuar nëse është shkaku kryesor për rritjen e rasteve të vdekjeve në Indi, duke shkaktuar dhe miliona infektime që kanë sjell një kaos në spitalet e vendin për shkak të mungesës së oksigjenit.  

Deri tani nga studimet paraprake, varianti indian është një shqetësim global, pasi përmbush disa kritere duke përfshirë transmetimin e lehtë, simptoma më të rënda dhe nuk mund të shërohet nga antitrupat dhe vaksinat.

Më herët dhe tri variante të tjera nga Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut dhe Brazili sipas OBSH janë variante që kanë shkaktuar një shqetësim në të gjithë botën. / KultPlus.com

Gjermanët protestojnë kundër ligjit të ri për izolim

Qindra persona protestuan të mërkurën në Berlin kundër një ligji që pritet të votohet në kuvend për t’i dhënë kompetenca qeverisë qendrore për të vendosur izolim në zonat me shkallë të lartë infeksionesh.

Kancelarja Angela Merkel vendosi që ta hartojë ligjit që nxiti kritika nga kundërshtarët politikë, të cilët kanë thënë se i kufizon liritë personale, pasi 16 shtetet federale refuzuan të vendosin masa të rrepta izolimi pavarësisht shtimit të rasteve me Covid-19.

Në mesin e masave pritet të jenë ora policore nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit, kufizimi i tubimeve private dhe kufizimi i dyqaneve e qendrave sportive. Shkollat do të mbyllen dhe nxënësit do t’i kthehen mësimit “online”, nëse shënohen më shumë se 165 raste për 100 mijë banorë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Qindra protestues, pak prej tyre me maska, u grumbulluan në një ditë me diell afër Portën se Brandenburgut, jo shumë larg ndërtesës së Bundestagut, në qendër të Berlinit.

Protestuesit valëvitën flamuj gjermanë dhe parulla me mbishkrimet “paqe” dhe “demokraci” si dhe lëshuan muzikë. Veturat e policisë ishin të parkuara në rrugë, ndërsa policët vëzhgonin.

Gjermanët janë të ndjeshëm ndaj masave që e kërcënojnë lirinë e lëvizjes për shkak të së kaluarës naziste dhe komuniste. Protesta kundër ligjit të ri jë javët e fundit janë mbajtur në disa qytete në mbarë vendin. / KultPlus.com

OBSH-ja thotë se situata me COVID-19 është “shqetësuese”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se rastet me COVID-19 në të gjithë botën po vazhdojnë të rriten me një “shkallë shqetësuese”.

“Globalisht, numri i rasteve të reja në javë është gati dyfishuar gjatë dy muajve të fundit”, ka thënë për gazetarët drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai shton se është “shumë i shqetësuar” për rritjen e rasteve me koronavirus në Papua Guinea e Re, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në “një epidemi shumë më të madhe”.

“Papa Guinea e Re është një shembull i përsosur pse drejtësia e vaksinave është kaq e rëndësishme”, vijoi Tedros.

Ai thotë se disa vende që më parë kishin shmangur transmetimin tani janë duke parë rritje të mëdha të infeksioneve.

Tedros kritikoi së fundmi atë që ai e përshkroi si një “çekuilibër tronditës” në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit midis vendeve të pasura dhe të varfra. / KultPlus.com

India kaplohet nga pandemia, shënon rekord botëror të rasteve

Vala e dytë e koronavirusit në Indi vazhdoi ta kaplojë shtetin me popullsinë e dytë më të madhe në botë. Të martën, atje u regjistruan hiç më pak se 161 mijë e 736 raste për 24 orë.

Kështu, numri i përgjithshëm i rasteve shkoi në 13.69 milionë persona. Kjo shifër e bën Indinë vendin e tretë më të prekur në botë, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 879 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve nga pandemia e koronavirusit në Indi shkoi në 171.058, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Shifra ditore e rasteve e ka kaluar kulmin e valës së parë të pandemisë, e cila u shënua në shtatorin e vitit të kaluar. Për këtë arsye, autoritetet në shumë shtete kanë urdhëruar masa të reja izoluese për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.

India ka një ndër shifrat më të larta të personave të vaksinuar për Covid. Sidoqoftë, shifra prej dhjetëra milionësh është akoma modeste në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë – 1.35 miliard. / KultPlus.com

Një në tre persona të prekur me COVID-19 pëson edhe në shëndetin mendor

Një në tre persona që ka vuajtur nga koronavirusi është diagnostikuar me probleme neurologjike ose psikiatrike brenda gjashtë muajsh pas infektimit, ka gjetur një studim i ri.

Një hulumtim, më i madhi i kësaj natyre, ka mbledhur të dhënat elektronike të 236 mijë pacientëve, kryesisht nga Amerika, dhe ka gjetur se 34 për qind e tyre kanë pasur probleme në shëndetin mendor, pas infektimit me virus. Problemi kryesor ishin ankthet, me 17 për qind të njerëzve që e raportuan problemin.

Ekspertët kanë paralajmëruar se sistemet shëndetësore në botë duhet të përgatiten për t’u kujdesur për pacientët e prekur, duke marrë parasysh shkallën e larët të infektimit. Ndikimi i virusit në shëndetin mendor pritet të zgjasë për shumë vjet.

Diagnozat neurologjike si sulmi apo dementia ishin më të rralla, por jo të pazakonshme tek ata që kishin qenë të sëmurë rëndë si pasojë e virusit. Te ata që ishin të pranuar në kujdesin intensiv, 7 për qind përjetuan sulm në tru dhe gati 2 për qind u diagnostikuan me dementia, shkruan “The Guardian”.

Studimi, i publikuar në “Lancet Psychiatry”, ka gjetur se këto diagnoza ishin më të zakonshme te pacientët me COVID-19 se tek ata që kishin infektime të traktit respirator apo edhe gripa të tjerë, në periudhën e njëjtë kohore.

“Këto janë të dhëna reale nga një numër i madh i pacientëve. Ato konfirmojnë shkallën e lartë të diagnozave psikiatrike pas COVID-19 dhe tregojnë çrregullimet serioze që prekin sistemin nervor po ashtu”, ka thënë Paul Harrison nga Universiteti i Oksfordit, që ka udhëhequr studimin. / KultPlus.com

Ambasada e Britanisë thirrje kosovarëve: Vaksinohuni

Ambasada e Britanisë në Kosovë ka shpërndarë një postim të Ministrisë së Shëndetësisë ku bëhen të ditura detaje për procesin e vaksinimit në vend.

Me këtë rast, ambasada e ka pasur edhe një thirrje për qytetarët që të vaksinohen.

Në postimin që e ka bërë ditë më parë MSH-ja thuhet se mbi 700 profesionistë shëndetësor dhe nëpunës të institucioneve shëndetësore publike janë vaksinuar atë ditë me vaksinën AstraZeneca kundër COVID-19.

“Fushata për vaksinimin e profesionistëve shëndetësor do të vazhdoj me intensitet më të shtuar edhe gjatë ditëve në vijim.  Ekipet e shëndetësore të vaksinimit nga komuna të ndryshme të Kosovës po kryejnë punë të mrekullueshme dhe me profesionalizëm, ndërsa ata po mbështeten nga Komiteti për vaksinim kundër COVID-19, ekipi menaxhues i Qendrës së vaksinimit në “1 Tetori”, UNICEF-i dhe vullnetarët e palodhshëm”, thuhet në postimin e MSH-së./GazetaExpress/ KultPlus.com

Arben Vitia paralajmëron masa të reja në ditët në vijim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës ka thënë se kanë pranuar konfirmim edhe nga kompanitë e tjera për sjelljen e vaksinave në Kosovë.

Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të ketë masa të reja kundër koronavirusit.

“Jemi duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim. Masat që do të merren ditët në vijim nga terren është mirë që të respektohen nga të gjithë. Plani për vaksinim është përpiluar. Fillon me punëtorët shëndetësor dhe fillon me personat mbi moshën 80 vjeçare. I kemi listat e tyre. Ata nuk do të kenë nevojë që të aplikojnë online por edhe do t’i ftojmë. Të gjithë ata do t’i marrin vaksinat me këtë kontingjent”, ka thënë ai./IndeksOnline/ KultPlus.com

Mbi 65 mijë persona kanë vdekur nga COVID-19 në Brazil në mars

Vetëm gjatë muajit mars në Brazil kanë vdekur 66.570 persona nga COVID-19, më tepër se dyfish se që ishte rekordi mujor në këtë vend, raporton BBC.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është përballur me kritika të vazhdueshme për menaxhimin e pandemisë dhe është goditur nga dorëheqjet e profilit të lartë këtë javë.

Por, të mërkurën ai sërish është shprehur kundër mbylljeve që kanë vendosur guvernatorët lokal apo kryebashkiakët.

“Ne ikemi pasur, dhe kemi, dy armiq – virusin dhe papunësinë! Është realiteti! Nuk do ta zgjidhim këtë problem duke qëndruar në shtëpi”, ka thënë Bolsonaro.

Të mërkurën kanë vdekur mbi 3800 persona nga COVID-19 në Brazil dhe janë regjistruar mbi 90 mijë raste të reja pozitive me koronavirus. Në total në Brazil që nga fillimi i pandemisë kanë vdekur mbi 322 mijë persona nga COVID-19. / KultPlus.com

Shefja e imunizimit në IKSHPK: 70% e popullatës pritet të vaksinohet deri në fund të vitit

Me ardhjen e 24 mijë dozave të vaksinës Anti-COVID në Kosovë ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë.

Shefja e imunizimit në IKSHPK, Edita Haxhiu ka thënë se sot ka filluar procesi i vaksinimit ku po vaksinohen punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive kurse në sallën “1 Tetori” janë duke u vaksinuar punëtorët e kujdesit primar e vijës së parë të frontit.

Ajo ka thënë se sipas planit shtetëror, janë planifikuar 3 faza të vaksinimit, dhe deri në 70 për qind të popullatës planifikohen të vaksinohen deri në fund të vitit.

Sipas saj, janë 280 persona të cilët do të vaksinojnë në gjithë Kosovën.

“Në sallën ‘1 tetori’ është planifikuar që 760 persona të vaksinohen gjatë ditës, ndërkaq në Klinikën Infektive sot dhe nesër do të vaksinohet stafi”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka shtuar se nga e enjtja do të fillojë vaksinimi edhe në komunat e tjera të vendit.

“Nga e enjtja fillon vaksinimi edhe në komunat e tjera. Në të gjitha rajonet se pari do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, e pastaj moshat mbi 80 vjet. Secili qytetar do të lajmërohet se kur e ka datën e vaksinimit”, ka deklaruar ajo.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se sot është ditë e mbarë dhe se Kosova po i bashkohet vendeve tjerë për vaksinimin e personelit shëndetësor dhe qytetarëve.

Ai ka bërë thirrje që edhe më tutje të respektohen masat anti-COVID, duke bërë thirrje që qytetarët të mos hezitojnë të marrin vaksinën.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ky proces do të marrë kohë dhe qytetarët duhet ta kenë durimin. Vaksina është e sigurt dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt ta marrin. Sot kemi mbi 900 pacientë të shtrirë, prej tyre 37 janë në gjendje kritike dhe rreth 700 pacientë me oskigjenoterapi. Do të vaksinohem edhe unë”, tha ajo. / KultPlus.com