Rritja e numrit të personave që vuajnë nga COVID-19 në shumë vende është shkaktuar nga fakti se të rinjtë në hemisferën veriore nuk kujdesen për masat mbrojtëse, tha drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Të rinjtë shpesh nuk mbajnë maska dhe ata injorojnë rregullin e mbajtjes së distancës nga njerëzit e tjerë, veçanërisht kur janë në bare, klube të natës dhe në plazhe, raporton zëriamerikës, transmeton KultPlus.
“Shumica e të rinjve kanë simptoma më të buta, por jo të gjithë”, thotë epidemiologia e OBSH-së, Maria van Kerkova, duke theksuar se klubet e natës janë vendi që mund të transmetohet më së shumti coronavirusi, transmeton Telegrafi.
Të rinjtë që shfaqin simptoma të buta ose aspak mund të përhapin virusin te njerëzit më të moshuar, të cilët janë më të prekshëm.
Ndryshe, 17.3 milionë raste janë regjistruar në nivelin botëror gjersa kanë ndërruar jetë mbi 674 mijë persona. / KultPlus.com
Autoritetet e Vietnamit do t’i evakuojnë 80 mijë njerëz, shumica turistë, nga qyteti i njohur për turistë, Danang, pasi tre banorë dolën pozitivë në testin për koronavirus gjatë fundjavës. Lajmin e bëri të ditur qeveria e këtij shteti.
Vendi i Azisë Juglindore është vënë përsëri në alarm pasi qeveria të shtunën i konfirmoi rastet e para të infeksionit që nga prilli dhe më pas tri raste të reja të dielën, të gjitha në Danang ose përreth tij, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Procesi i evakuimit do të zgjasë së paku katër ditë dhe do të bëhet përmes linjave të brendshme ajrore me rreth 100 fluturime në ditë nga qyteti Danang në 11 qytete të tjera brenda vendit, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Vietnami ka vendosur masa të rrepta të karantinës dhe ka kryer testime masive gjatë pandemisë, duke e mbajtur numrin e personave të infektuar në 420 dhe pa regjistruar asnjë viktimë.
Ky shtet ende nuk i ka hapur dyert për turistët e huaj, por është shtuar numri i udhëtarëve vendës për shkak të rënies së çmimit të fluturimeve dhe pakove për pushime që janë ofruar nga hotelet./ KultPlus.com
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, thotë se aktualisht gjendja epidemiologjike në vend është e rëndë. Thotë se me rritjen e numrit të rasteve me Covid-19, ata po punojnë në vazhdimësi për të mbajtur situatën nën kontroll.
“Duke pasur parasysh se ne tashmë në mënyrë maratonike po e përcjellim situatën epidemiologjike unë mund të them se situata epidemiologjike është e rënduar dike pasur parasysh rastet e javëve të fundit të cilat kanë shënuar rritje e të cilat praktikisht edhe pse kjo rritje është në përcjellje t krahasimit të njëjtë pothuajse me shtetet e rajonit dhe botës prapë se prapë ne e konsiderojmë se është një situatë epidemiologjike e rënduar sepse të cilën ne po përkujdesemi që sa më shumë ta kemi nën mbikëqyrje, nën kontroll dhe sa më shumë të gjurmojmë raste në mënyrë që të ketë numër sa më të pakët të rasteve pozitive por në anën tjetër ky gjurmim i rasteve po na e ndriçon konceptin e mëtutjeshëm epidemiologjik që ne të marrim masa të vazhdueshme në bashkëpunim me të gjithë qytetarët”, tha Ramadani për RTK-në, transmeton KultPlus.
Ai tha se në luftimin e suksesshëm të pandemisë duhet të punojnë të gjithë.
“Epidemia menaxhohet nga ne të gjithë. Secili në këtë vend e ka rolin e vetë të caktuar dhe në këtë rol ne duhet ta gjejmë secili vetveten. Secili jep kontributin e vetë për aq sa mundet dhe di dhe secili jep kontributin e vetë për aq sa është i autorizuar. Në situatën epidemiologjike secili institucion dhe secili individ e kanë detyrën e vetë caktuar. Nuk munden disa të rrinë duarkryq e disa të punojnë mbi 10 fish, 20 fish ose 30 fish më tepër për ta mbajtur nën mbikëqyrje situatën epidemiologjike e të tjerët të bëjnë sehir anash…Kur them duke punuar dhe duke ndenjur flas për të gjithë veç e veç. Përmenda çështjet e individëve dhe të disa institucioneve, qofshin publike, qofshin private, qofshin agjencione, qofshin degë të ekonomisë të cilat nuk po i zbatojnë masat të cilat qeveria i ka përcaktuar në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar”, tha ai.
Ramadani thotë se sëmundja do të parandalohej nëse të gjithë do të mbanin maska, të mbanin distancën dhe higjenën personale.
Ai thotë se në këtë mes duhet të luajë rol edhe shteti me inspektoratin dhe policinë.
“Nëse nuk mund të mbash distancën duhet mbajtur maska”, tha Ramadani. / KultPlus.com
Sekretet e suksesit unik të Zelandës së Re në eliminimin e plotë të koronavirusit shpjegohen nga studiuesit universitarë, të cilët në anketimin e një kampioni prej 1 000 personash pas bllokimit, kanë regjistruar pajtueshmëri 100% me praktikat themelore të higjienës dhe besimit tek autoritetet.
Studiuesit nga universiteti ”Massey” në Uellington kanë përcaktuar se Zelanda e Re kishte një nivel të lartë të njohjeje të sëmundjes dhe mënyrat e përhapjes së saj.
Tetë nga 10 persona thanë se lanin duart shpesh dhe nëntë nga 10 respektonin distancimin fizik.
Në fund të bllokimit, kryeministrja Jacinda Ardern regjistroi shkallën më të lartë të mbështetjes nga opinioni publik duke u bërë kryeministrja më e mirë e vendit në një shekull.
Në vendin me pesë milionë banorë vdiqën nga Covid-19 vetëm 22 persona dhe u infektuan vetëm 1 500, pas futjes së kontrolleve të rrepta kufitare dhe një bllokimi kombëtar të vendosur më 25 mars, ndërsa në mes të majit ato gradualisht u liruan.
Dy muaj më vonë ajo njoftoi zyrtarisht eliminimin e virusit dhe vendi iu rikthye jetës normale.
“Pothuajse të gjithë në Zelandën e Re i kuptojnë saktë faktet e rëndësishme për koronavirusin”, thotë studimi i udhëhequr nga profesor Jagadish Thaker.
“Pothuajse nëntë nga 10 persona kanë njohuri për simptomat. Ata dinë të identifikojë lajmet e sakta nga deklaratat false ose mashtruese”, shton ai.
Studimi tregon gjithashtu se popullsia indigjene ka qenë e prekur nga virusi në mënyrë disproporcionale/ KultPlus.com
Emina Cunmulaj ka kryer testin e koronavirusit për herë të dytë, dhe ka treguar hap pas hapi të gjithë procedurën për ndjekësit e saj në Instagram.
Modelja e njohur shqiptare, asistohet nga një profesioniste e cila i kryen tamponin në një ambient jashtë shtëpisë së saj.
Fatmirësisht Emina doli negative, por thotë se kjo është një ndër testet më të vështira që ka realizuar ndonjëherë në jetën e saj.
“A jeni testuar ndonjëherë për COVID? Dola negative. Kjo ishte hera e dytë dhe ndihesh sikur do të të dalin sytë nga vendi”, ka shkruar ajo.
Emina ndan shpesh herë eksperienca të tilla private nga familja e saj, por një gjë e tillë ishte e nevojshme për t’u parë nga të gjithë ata që mendojnë akoma se virusi është një shaka. / KultPlus.com
Bill Gates bëri thirrje që ilaçet dhe vaksina kundër Covid-19 duhet të vihet në dispozicion të vendeve dhe njerëzve që kanë më së shumti nevojë, jo për atë që ofron më shumë para.
“Nëse do të lejojmë që ilaçet dhe vaksinat të blihen nga ata që kanë para, në vend që të shpërndahen te njerëzit dhe vendet ku është më e nevojshme do të kemi një pandemi që do të zgjasë, do të jetë padrejtë, dhe më vdekjeprurëse. Ne kemi nevojë për udhëheqës të drejtë që të marri vendime të vështira për shpërndarjen e vaksinës bazuar në kapitalin e tyre.”
Komisioni Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë paralajmëruar për një ‘konkurs” jo të ndershëm në shpërndarjen e vaksinave, ndërsa disa zyrtarë në Uashington kanë treguar që ata do t’i jepnin përparësi banorëve të SHBA.
Gates tha se përpjekjet e filluara dy dekada më parë për të luftuar krizën globale të HIV / AIDS , në të cilët u bashkuan të gjitha vendet e botës përfshirë dhe Afrikën, mund të shërbejnë si një model në mënyrë që ilaçet COVID-19 të jenë gjerësisht të arritshme.
Si shembuj ai tregoi Fondin Global të krijuar në 2002 për të luftuar SIDA-n, tuberkulozin dhe malarian dhe planin e urgjencës së presidentit amerikan për të shpërndarë ilaçe te njerëzit që luftojnë me disa nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë.
“Një nga mësimet më të mira në luftën kundër HIV / AIDS është rëndësia e ndërtimit të këtij sistemi të madh, të ndershëm global për shpërndarjen e ilaçeve për të gjithë,” / KultPlus.com
Para një jave një infermiere nga qyteti i Vushtrrisë është konfirmuar pozitive me Covid-19. IKSHPK-ja i ka rekomanduar asaj që të qëndrojë në vetizolim shtëpiak për së paku 17 ditë derisa të ritestohet për praninë e koronavirusit në trupin e saj.
Por, rekomandimet e IKSHPK-së, kjo zonjë siç duket i ka thyer 7 ditë pasi është izoluar. Ajo dje, më datë 6 korrik ka dalë në qytetin e Vushtrisë për të bërë shoping. E kjo është vërejtur nga Inspektorati i komunës së Vushtrrisë. Zonja në fjalë do të gjobitet një mijë euro nga Inspektorati i Komunës për mospërfillje të rregullave të vetizolimit në kohë pandemie.
Lajmin se kjo infermiere pozitive me COVID-19 ka dalë nga shtëpia e ka konfirmuar për Express drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Vushtrri, Rrahim Ajeti.
“Infermierja është punëtore në emergjencën e spitalit dhe ka rezultuar pozitive me COVID-19. Qe një javë është në vetizolim. Dje ka qenë në qytet, pra pas 7 ditëve”, ka thënë Ajeti.
“Ajo do të marrë gjobë nga Inspektorati i komunës”
E për këtë çështje është shkruar edhe në raportin e Policisë së Kosovës është bërë e ditur se infermierja është takuar rreth orës 19:40, në rrugën “Ismail Qemajli”, në Vushtrri.
Në konsultim me prokurorinë ndaj të dyshuarës është iniciuar procedurë penale dhe do të intervistohet kur të kalojë periudha kohore e përcaktuar nga IKSHPK-ja.
E nga mbrëmë, prej orës 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit është ndaluar qarkullimi për qytetarët e Vushtrrisë. /GazetaExpress/KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar për propozimin e masave të reja gjatë pandemisë me COVID-19, të cilat edhe u miratuan nga kabineti qeveritar.
Zemaj ka thënë se do të bëhet mbyllja e zyrave ku ka raste pozitive, dhe personat e kontaktit do të vetizolohen për 14 ditë.
“Kontaktet e personave të infektuar të vetizolohen për 14 ditë dhe në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të IKSHPK-së”, tha Zemaj.
Ai tha se me qëllim të parandalimit të koronavirusit, është bërë reduktimi i punonjësve në administratë vetëm me staf esencial.
Rekomandimet tjera:
Inspektoriatet sanitare dhe komunale të marrin masa në rast të mos rekomandimeve të IKSHPK-së
Bartja e maskave të jetë obligative
Punonjësit dhe palët të mbajnë maska
Kontroll rigoroz të bartjes së masave në hyrje të secilit institucion
Ndalim i vizitave të familjarëve te personat
Veprimtaritë tregtare dhe gastronomia janë të obliguar të bartin maska
Ceremonitë mortore të bëhen vetëm me rrethin e ngushtë familjare
Komunat të aktivizojnë shtabet lokale
Zbatimi i masave shtesë të mbrojtjes për shtëpinë e pleqve
Disa prej masave që propozoi ministri i Shëndetësisë. / KultPlus.com
Manuali i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtje nga përhapja e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirus, nuk po gjen zbatim te qytetarët.
Ky manual është 153 faqe dhe gjendet vetëm online në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë..
Përpilimi i këtij dokumenti u bë si masë për parandalimin e përhapjes së pandemisë, pas rritjes së numrit të rasteve me sëmundjen Covid-19 në Kosovë.
Mirëpo ky dokument, nuk po gjen zbatim te qytetarët. Disa prej atyre me të cilët biseduam në Prishtinë, nuk e kanë lexuar manualin që ka 153 faqe.
Ata që e kanë lexuar kanë vërejtjet e tyre, duke e cilësuar si shumë voluminoz.
Gramoz Bajqinca e Bukurije Shala, thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë dëgjuar të ketë një manual nga ministria.
“Nuk e kam parë, nuk e di. E kam parë vendimin e fundit të ministrit për lokalet, por nuk më prek mua, i prek lokalet. Nuk e kam lexuar manualin. Nuk e kam ditur që ka manual”, thotë Gramoz Buqinca.
Ndonëse nuk e ka lexuar, Bukurije Shala nga Prishtina, nuk ka fare shpresë që ky manual të jetë i dobishëm.
“Jo nuk e kam parë, për besë nuk e kam parë. Por, edhe pse nuk e kam parë po e di që nuk bën”, thotë ajo.
Abaz Makolli punon në Komunën e Prishtinës dhe thotë se manuali i Ministrisë së Shëndetësisë i ka ardhur në email, bashkë me një shkresë që leximi dhe zbatimi i tij është i obligueshëm.
Mirëpo ai thotë se ky manual është dashur të jetë më i thjeshtë.
“Mund të jetë shumë më i shkurtë sepse është shumë i gjatë. Njerëzit kur e shohin gjatë nuk e lexojnë, mirëpo me pak rreshta ndoshta duhet të jetë më i thjeshtë”, thotë Makolli.
Të njëjtin mendim e ka edhe Nevruz Zogu nga Gjakova.
“Për qytetarët e thjeshtë është pak voluminoz. Mendoj se ka mundur të bëhet një skript. Ato srkiptat e partive që i bëjnë, i bëjnë më të thjeshta se këto për shëndetësi. Këto duhet të mund të lexohen edhe nga një fëmijë 7-vjeçar dhe një plak 80 ose 90 vjeç”, thotë Zogu.
Manuali u kritikua edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi
Të premten ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj, ka ndarë shqetësimin e njëjtë me qytetarët.
Sipas saj, manuali për mbrojtje nga përhapja e Covid-19 duhet të jetë më i shkurtë, në mënyrë që qytetarët ta kenë qasjen më të lehtë.
“Ne e kemi manualin dhe mendojmë që është një material bukur voluminoz për periudhën në të cilën ne jemi duke kaluar dhe qytetarëve të vendit iu nevojitet një broshurë më e shkurtër, me informata të sakta, të shkurta dhe mundësi të shfrytëzimit praktik”, tha Reshitaj.
Ministri Zemaj tha në komision se manuali paraqet një përmbledhje të udhëzuesve të ndryshëm nga fusha të ndryshme dhe se do të përditësohet në vazhdimësi.
“Ky manual specifikon detajet për mënyrën e organizimit të punës në veprimtaritë e lejuara, bizneset private, gastronomi, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe çdo veprimtari tjetër”, tha Zemaj para anëtarëve të këtij komisioni.
Çka përmban ky manual?
Manuali për mbrojtje nga përhapja e Covid-19, i publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, ka 153 faqe.
Në këtë manual, përveç të dhënave se çfarë është Covid-19, si përhapet dhe cilat janë masat për parandalimin e tij, jepen edhe rregullat se si të bëhet zvogëlimi i përhapjes së Covid-19 në vendet e punës.
“Nëse një punonjës është konfirmuar të jetë i infektuar me Covid-19, punonjësit duhet të informojnë punonjësit tjerë për mundësinë e ekspozimit të tyre në Covid-19 në vendin e punës, por duhet të ruajnë konfidencialitetin sipas rregullave etike. Punëdhënësit duhet të udhëzojnë punonjësit se si të vazhdojnë punën duke u bazuar në udhëzimet e këtij udhëzuesi”, thuhet në këtë manual.
Po ashtu, aty është vendosur edhe për rregullat e lokaleve ndal klientëve gjatë kohës së pandemisë, ku thuhet se numri maksimal i lejuar i klientëve është 1 person në 8 metër katrorë.
Pronarët e lokaleve janë të obliguara të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve.
Manuali është publikuar edhe në gjuhën serbe dhe angleze.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha Institucionet respektive obligohen të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë manual, varësisht nga specifikat e tyre.
Lehtësimi i masave në fillim të muajit qershor dhe moskujdesi i qytetarëve, sipas institucioneve të shëndetësisë, ka bërë që të rritet numri i të prekurve me Covid-19.
Që nga konfirmimi i rasteve të para e deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 2,073 persona të prekur me sëmundje Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Prej tyre, 1,018 persona janë shëruar, derisa 36 pacientë kanë vdekur. /KultPlus.com
Organizata Botërore e Shëndetësisë e shprehu shqetësimin e saj lidhur me disa vende që po hasin vështirësi në lehtësimin e masave anti-COVID, pasi që po shohin një rritje të re të kuotave të infektimit dhe vdekjeve.
Drejtori ekzekutiv i Programit për Emergjencat Shëndetësore, doktor Michael Ryan dha deklaratë në një konferencë shtypi në Gjenevë të Zvicrës, dhe tha se disa vende po përjetojnë një valë të dytë të pandemisë.
“Rritja aktuale në disa vende mund të konsiderohet si një valë e dytë, ose një kulmim i dytë i epidemisë. Me fjalë të tjera, sëmundja nuk ka arritur një nivel shumë të ulët, ka ruajtur nivelin e ulët dhe më pas do të kthehet më vonë gjatë vitit”, deklaroi Ryan.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka shpresë se vaksina kundër koronavirusit do të jetë gati sa më shpejtë, dhe të shkojë tek ata që kanë më shumë nevojë.
Po ashtu deklaroi se shumë liderë kanë bërë zotime dhe po vazhdojnë të promovojnë idenë e zhvillimit të vaksinave anti-COVID si produkt global. /KultPlus.com
Distancimi social ka qenë një ndër rregullat kryesore që është kërkuar nga autoritetet shëndetësore në mbarë botën për të parandaluar përhapjen e virusit të ri Covid-19.
Shumë njerëz janë përpjekur të gjejnë zgjidhje për të zbatuar këtë rregullur duke krijuar kapele të çuditshme apo veshje të ndryshme për të mbajtur larg personat e tjerë në distancën e kërkuar nga autoritetet.
Një këpucar rumun ka sjellë risinë e fundit në listën e objekteve të krijuara për ruajtjen e distancimit social. Duke parë se shumë njerëz me dashje ose jo nuk e zbatojnë këtë rregull ai ka prodhuar një lloj të ri këpucësh me zgjatime përpara përtej normales për parandaluar afrimin mes njerëzve duke parandaluar kështu sipas tij përhapjen e koronavirusit.
Këpucari quhet Grigore Lup dhe është nga qyteti i Cluj dhe duhet thënë që krijimi i tij ka një sens logjik, por aspak estetik pasi këpucët fillojnë nga numri 75 dhe janë me të vërtetë të vështira për të ecur.
Shkencëtarët kinezë që po punojnë për vaksinën ndaj COVID-19 kanë thënë për Sky News se janë “99 për qind” të sigurt se ajo do të jetë efektive.
Sinovac, kompania bioteknologjike me bazë në Pekin, aktualisht e ka vaksinën e saj për COVID-19 në fazën e dytë të testimit, me më shumë se 1000 vullnetarë pjesëmarrës.
Kompania ka thënë se është në diskutime preliminare për të mbajtur fazën e tretë të testimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Faza e tretë është e fundit e testimeve.
Luo Baishan, studiues në Sinovac, është pyetur nëse mendon se vaksina do të jetë e suksesshme.
“Po, po. Duhet të jetë e suksesshme. 99 për qind”, ka thënë ai.
Muajin e kaluar kjo kompani publikoi rezultatet në një revistë akademike. Sipas kompanisë, vaksina e quajtur CoronaVac mbron majmunët nga infeksioni me koronavirus.
Problemi më i madh me të cilin po përballet kompania, është numri i vogël i rasteve me COVID-19 në Kinë. Kjo e bënë testimin e vaksinës në një situatë epidemike të vështirë. Për këtë kompania po kërkon vend tjetër për testimet e fazës së tretë.
“Po flasim me disa vende evropiane dhe mendoj se kemi diskutuar edhe me Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht është faza preliminare për diskutim”, ka thënë Helen Yang, udhëheqëse në kompani.
Kompania po përparon sa i takon prodhimit, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet, raporton Sky.
Në selinë e kompanisë pakot e vaksinës me ngjyrë të portokalltë dhe të bardhë janë gati për shpërndarje. Synimi i angazhimit të dyanshëm është që prodhimi masiv të fillojë menjëherë, nëse provat dalin të suksesshme dhe vaksina merr lejen për përdorim.
Synohet prodhimi i 100 milionë dozave, në një fabrikë në tjetër pjesë të Pekinit.
Vaksina megjithatë nuk do të jetë gati së shpejti. Duhet të kalojnë disa muaj në fazën e dytë para se të mund të fillojë faza e tretë. Më pas, nëse testimi del i suksesshëm, duhet që vaksina të miratohet. /KultPlus.com
Michael Levitt ka laboratorin e tij të biologjisë strukturore në Stanford University School of Medicine, dhe për shumë vite, ka qenë një referencë në botën e shkencës. Sidomos që nga viti 2013, kur ai fitoi çmimin Nobel në Kimi.
Ekipi i tij, me ndihmën e vullnetarëve nga vende të ndryshme, punon vazhdimisht në analizën e të dhënave në lidhje me virusin, me qëllim të gjurmimit të evolucionit të COVID-19.
Levitt është kritik i ashpër ndaj strategjisë së zgjedhur nga shumica e qeverive të botës për të luftuar pandeminë.
“Unë mendoj se karantinat nuk shpëtuan asnjë jetë”, tha ai në një intervistë për The Telegraph të shtunën. “Ata do të kenë shpëtuar disa jetë në aksidente rrugore dhe të ngjashme, por dëmi social nga abuzimi në familje, divorci, alkoolizmi ka qenë ekstrem. Dhe pastaj ka nga ata që nuk u mjekuan për sëmundje të tjera”, transmeton Telegrafi.
Levitt beson se me disa rekomandime specifike, të tilla si veshja e maskave nga fillimi i shpërthimit dhe miratimi i rregullave të caktuara të distancës sociale, i njëjti rezultat do të ishte marrë në aspektin shëndetësor, por me një kosto shumë më të ulët.
“Unë mendoj se virusi i vërtetë ishte virusi i panikut”, tha ai. “Për arsye që nuk janë të qarta për mua, unë mendoj se udhëheqësit u tërhoqën dhe njerëzit bënë gjithashtu, dhe unë mendoj se kishte një mungesë të madhe diskutimi”. / KultPlus.com
Pasi e deklaroi të fituar betejën me koronavirusin e ri, Mali i Zi bëhet gati të mirëpresë vizitorë sërish.
Në një lëvizje që konsiderohet si jetësore për turizmin e shtetit në Adriatik, kryeministri njoftoi se në qershor do të rihapte kufijtë për ato shtete që raportojnë jo më shumë se 25 raste infektimesh për 100 mijë persona.
Mes tyre janë Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Greqia dhe Gjermania. 68 ditë pasi raportoi rastin e parë me COVID-19, Mali i Zi u bë vendi i parë në Europë që u çlirua nga virusi, duke e mbyllur kapitullin e errët me vetëm 324 raste të konfirmuara dhe 9 viktima. Pacienti i fundit me COVID-19, u shërua në fundjavë.
“68 ditë pas rastit të parë më koronavirus në Malin e Zi nuk ka më të infektuar. Ne e fituam betejën kundër këtij virusi të pamëshirshëm dhe Mali i Zi bëhet shteti i parë në Europë i çliruar prej tij. Suksesi duhet ndarë mes shtetit, institucioneve të tij dhe çdo individi në vend”, deklaroi kryeministri malazez Dusko Markovic.
Shteti me 620 mijë banorë, i varur kryesisht nga turizmi, mbylli kufijtë, aeroporte e shkolla në muajin mars, por mes të dhënave pozitive lidhur me krizën ka nisur zbutjen e masave që prej 30 marsit. Për të parandaluar përhapjen Mali i Zi publikoi listën me emrat dhe adresat e personave në vetë-izolim, diçka që nxiti kritika nga grupe për të drejtat e njeriut dhe mbajti të izoluar një rajon të tërë për disa javë.
Gjithashtu republika çeke hapi të martën kufijtë më Austrinë dhe Gjermaninë, edhe pse turizmi i huaj mbetet i kufizuar. Udhëtarët duhet të tregojnë provat se nuk janë të prekur nga COVID-19, në të kundërtën, përballen me dy javë karantine. Nga e mërkura, do të lejohen kalimet edhe me Sllovakinë, por vizitorët nga se cila anë e kufirit do të duhet të kthehen brenda 48 orësh./A2CNN / KultPlus.com
Përqafoi të dashurën, ndërsa ishin duke ecur në rrugën ”Strada Nuova”, në qendër të qytetit të Pavias, dhe për këtë gjest u gjobit nga policia.
Një impuls emocional që nuk pranohet nga rregullat aktuale kundër përhapjes së koronavirusit.
”I riu, pak më shumë se 20 vjeç, u gjobit nga një patrullë policie, dhe do të duhet të paguajë gjobën prej 400 eurosh”, shkruan gazeta lokale “La Provincia pavese”.
Si djaloshi ashtu dhe e fejuara e tij kishin në përdorim maskat.
Por, problemi ishte përqafimi i papritur, një sjellje që sipas autoriteteve nuk përputhet me rregullat e distancimit social.
Agjentët, pasi kanë konstatuar se janë dy të rinjtë bashkëjetonin, kanë sanksionuar djalin.
Nga kontrollet e intensifikuara nga agjencitë e zbatimit të ligjit në qytetin e Pavias janë gjetur disa persona pa maska si dhe persona që nuk respektojnë distancimin social./ atsh/ KultPlus.com
Oferta vjen nga zona e Val di Sole, në Trentino Alto Adige të Italisë, si shenjë mirënjohje ndaj mjekëve dhe infermierëve që punuan gjatë pandemisë.
Ideja vjen nga operatorët turistikë dhe drejtuesit e strukturave pritëse.
“Të gjithë bënë pjesën e tyre, është momenti për t’i shpërblyer. Pas një periudhe me ngarkesë të madhe stresi dhe larg familjeve, sapo emergjenca të ketë kaluar, mund të shijojnë pushimin në vende që frymëzojnë paqe dhe relaks, në male, për të kuruar dhe rigjeneruar trupin dhe shpirtin”, thuhet në deklaratën e operatorëve turistikë.
Më konkretisht oferta parashikon qëndrimin për tre netë në një nga hotelet e Val di Sole trentina, deri në momentin e ezaurimit të vendeve. Për të marrë pjesë në këtë nismë, mjafton që të dërgohet një letër nga spitalet Covid, për të mundësuar programimin. / KultPlus.com
Ky është 17-vjeçari i famshëm në të gjithë botën, për krijimin e siteve të gjurmimit të Covid-19 dhe përditësimin në kohë reale të kësaj përhapje, që ka nisur në dhjetor të 2019-shit.
Por biznesi nuk është pika e tij e fortë. Për këtë arsye Avi Schiffmann, student në Shtetin e Washngtonit, ka refuzuar 8 milionë dollar që i janë ofruar në këmbim të shpikjes së tij (ncov2019.live), që sot ka 30 milionë përdorues në ditë. ’Nuk dua të përfitoj’, citon standard të ketë deklaruar djali, pasi gjithashtu i ka thënë Jo një vendi në Microsoft dhe një lumë investimesh publicitare.
“Jam 17 vjeç, nuk më duhen 8 milionë dollarë, nuk dua të bëhem një spekulator’, ka thënë Avi për shtypin. ‘Shumë më thonë që do të bëhem pishman për këtë vendim, por unë kam plane të tjera për të ardhmen’, ka shtuar ai.
Që kur website i tij është online, më shumë se 700 milionë përdorues unikë e kanë vizituar atë. Dhe në vend që të mbështetej tek të ardhurat nga reklamat e shumta që i janë afruar, Schiffman ka preferuar të hapë një abonim vullnetar, për të ruajtur pavarësinë e tij. / KultPlus.com
Qeveria Sllovene ka shpallur fundin e pandemisë së koronavirusit, duke u bërë vendi i parë europian që e bëri këtë.
“Sllovenia ka zbutur epideminë gjatë dy muajve të fundit… ”.
”Sot Sllovenia ka pamjen më të mirë epidemiologjike në Evropë”, i tha Kryeministri slloven Janez Jansa parlamentit në një seancë të gjatë të enjten vonë, njofton Klan Kosova.
Vendimi erdhi pasi zyrtarët slloven konfirmuan më pak se shtatë raste të reja të koronavirusit çdo ditë për dy javët e fundit.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Slloveni vlerësoi se të gjitha statistikat tregojnë se përhapja e virusit është qetësuar, me gjithsej 35 raste të reja të regjistruara në 14 ditët e fundit.
Njerëzit që vijnë në Slloveni nga shtetet e tjera të Bashkimit Europian nuk do të jenë më të detyruar të hyjnë në karantinë, tha Jansa.
Sidoqoftë, pasi ende ekziston rreziku i përhapjes së infeksionit, disa masa kufizuese mbesin në fuqi. / KultPlus.com
Viti 2020 llogaritej si pikë kthese për marrjen e masave nga ngrohja globale, por pandemia e koronavirusit mori vëmendjen, duke bllokuar edhe procesin historik të biodiversitetit. Ani pse bllokoi këtë proces, pandemia me efektet e saj anësore ka bërë punën e vet në ndryshimin e mjedisit.
Sipas grupeve të konservimit, pandemia ka ndërprerë procesin e punës dhe fondeve që mund të sjellin pasoja për vitet në vijim. Por ne mund të shfrytëzojmë mundësinë që të veprojmë fuqishëm për të mbrojtur natyrën, thonë doktorët Diogo Veríssimo dhe Nisha Owen nga grupi i fushatave “On The Edge Conservation”. Pandemia goditi vitin që ishte menduar të jetë një vit historik për biodiversitetin. Objektiva të tjera për mbrojtjen e natyrës mendohet të vendosen në tetorin e këtij viti. Izolimi i ka sjellë disa ndryshime mjedisit, duke përfshirë rigjenerimin e hapësirave të egra të hapësirave urbane, ne dimë shumë pak se si zona të mëdha të botës që zotërojnë sasi të mëdha të biodiversitetit kanë qenë larg zhvillimit, ka thënë Owen.
“Ka raporte që vijnë nga aktivitete të paligjshme që ndodhin në terren që nuk janë duke u patrulluar, monitoruar ose numëruar për shkak të efekteve të izolimit të koronavirusit, stafit të zvogëluar ose zvogëlimit të fondeve”, ka shtuar ajo.
Sipas doktoreshës Owen, nuk do ta dimë shkallën e ndikimit që do të mund ta kishin jeta e egër dhe biodiversiteti, derisa ne jemi në gjendje ta vlerësojmë sistematikisht këtë, dhe kjo ndoshta nuk do të ndodhë derisa të dalim nga izolimi. Humbja e fondeve për punën e konservimit ka shkaktuar një shqetësim të madh, veçanërisht për speciet më pak të njohura, siç janë pangolinët.
Shkencëtari nga Universiteti i Oksfordit, dr. Verissimo, tha se nuk janë vetëm organizatat në vendet e largëta që kanë vështirësi kohëve të fundit, edhe në Britaninë e Madhe këto organizata janë prekur si pasojë e koronavirusit. Grupet The Wildlife and Countryside Link, dhe një koalicion i më shumë se 50 grupeve të mjedisit dhe jetës së egër në Angli, kohët e fundit kanë paralajmëruar në një raport që bamirësit e mjedisit në Mbretërinë e Bashkuar po përballen me një humbje dramatike të të ardhurave, të cilat do të ndikojnë në aftësinë e tyre për t’u kujdesur për tokën tonë, mbrojnë jetën e egër, trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe rënien e natyrës për vitet në vazhdim.
Tani vijmë në pikën ku u mendua që ky të jetë viti historik për biodiversitetin, siç u përcaktua nga Kombet e Bashkuara, duke arritur kulmin në një konferencë globale të biodiversitetit në tetor, ku duhej të hartoheshin synimet e reja për trajtimin e biodiversitetit gjatë dekadës së ardhshme.
“Megjithëse orari ka ndryshuar, kjo është një mundësi kryesore për udhëheqësit botërorë që të vendosin qëllime të forta dhe të theksojnë se biodiversiteti është esencial për shëndetin dhe mirëqenien e njeriut, si dhe për planetin në të cilin jetojmë”, ka thënë doktoresha Owen. Ndërkaq doktori Veríssimo ka shtuar se burimi i kësaj pandemie vjen nga një kafshë e egër. “Kjo ka të bëjë me raportin tonë me natyrën, dhe se si ne tani i kemi futur kafshët në kontekste dhe situata kur këto lloj sëmundjesh kanë më shumë gjasa jo vetëm që të kalojnë speciet brenda jetës së egër, por të prekin edhe njerëzimin”, ka thënë ai. /koha/ KultPlus.com
Sektori i gastronomisë llogaritet të jetë sektori që ka pësuar më së shumti humbje financiare që nga 13 marsi i këtij viti kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri.
Segmentet më të dëmtuara të këtij sektori janë restorantet, hotelet, baret dhe klubet e natës/diskotekat si dhe sallat e dasmave, që nuk kanë alternativa tjera të të bërit biznes. Kurse edhe tash pas lehtësimit të masave kufizuese, e vetmja formë e lejuar e një pjese të veprimtarisë është ofrimi i ushqimeve përmes shpërndarjes.
Organizatat joqeveritare në Kosovë thonë se humbjet llogariten të jenë të konsiderueshme për sektorin direkt, por edhe për sektorët e tjerë që në ndonjë mënyrë janë të ndërlidhur me këtë sektor.
Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, (IETL) i themeluar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka publikuar rezultatet e një hulumtimi në këtë sektor, para, gjatë dhe pas pandemisë.
Drejtoresha ekzekutive në këtë Institut, Besa Zogaj-Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë kohës së masave emergjente, nga të gjitha bizneset e anketuara, vetëm 2,3 për qind kanë zhvilluar veprimtarinë përmes shpërndarjes së ushqimit me një qarkullim simbolik monetar, kurse pjesa tjetër kanë deklaruar se gjatë këtyre muajve qarkullimi i tyre mujore ka pasur rënie në 100 për qind.
“Nëse e krahasojmë qarkullimin mesatar mujor me vitin e kaluar (2019), rreth 16,1 për qind e respodentëve u deklaruan se kanë pasur qarkullim mesatarisht 10,000 deri në 15,000 euro, ndërsa 13,8 për qind e tyre prej 15,000-20,000 euro. Kurse rezultatet e hulumtimit flasin se 67,3 për qind të anketuarve kanë pohuar se qarkullimi i tyre mujore ka pasur rënie 100 për qind”, thotë Zogaj-Gashi.
Me një situatë të tillë është përballur edhe kafiteria “Babel Café” në qendër të Prishtinës, e cila para pandemisë ka pasur të punësuar dhjetë punëtorë. Pronari i kafiterisë Shpat Hashani, më herët ka thënë për Radion Evropa e Lirë se humbjet mujore janë me mijëra euro.
“Humbjet mujore janë me mijëra euro. Dëmi është shumë i madh sepse me qarkullim ditor ne mbulojmë shërbimet komunale, punëtorët dhe të gjitha shpenzimet tjera. Rezervat janë shumë të vogla, pasi gjithsecili biznes, dëshiron të bëjë renovime të ndryshme. Ne së fundmi kemi bërë një renovim shumë të madh në lokal. Po mundohemi të mbijetojmë, por e vështirë është edhe mbijetesa”, ka thënë Hashani.
Gjatë kësaj kohe, sipas hulumtimit, pronarët kanë ndërprerë edhe investimet, kurse nuk kanë arritur të përfundojnë obligimet edhe ndaj furnitorëve si dhe këstet e kredive në bankat komerciale në Kosovë.
Shumica e këtyre bizneseve janë me qira
Shumica e bizneseve, thotë Besa Zogaj-Gashi, veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në objekte me qira, që paraqitet problem shtesë në mundësinë e pagesës së tyre.
Të gjitha këto probleme, sipas saj, në disa raste mund të falimentojë bizneset.
“Bazuar në rezultatet e hulumtimit, situata e krijuar nga pandemia sipas 75,90 për qind e bizneseve të anketuara në sektorin HoReCa (hotele, restorant dhe ofrues i shërbimeve), në Kosovë do të detyrohen të shkojnë në falimentim nëse situata epidemiologjike dhe masat përcjellëse, sidomos distanca sociale do të na përcjellë tutje në muajt e ardhshëm përgjatë vitit 2020”, shtoi ajo.
Për evituar një situatë të tillë, shoqata e gastronomëve të Kosovës kërkojnë ndihmë nga Qeveria e Kosovës. Veton Zuka, nënkryetar në këtë shoqatë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma lehtësuese, kryesisht në kredi bankare për këtë sektor, pasi llogaritet se është më i godituri nga pandemia. Ai ndërkaq shprehet se edhe në fazën tjetër të lehtësimit të masave, ky sektor do të punojë me gjysmën e kapacitetit, për shkak të hapësirës në mes tavolinave.
“Kërkesat e gastronomëve janë që të gjejnë mënyra për lehtësim në obligimet e qirasë dhe kësteve të kredive ndaj bankave. Këstet e kredisë që duhet të paguhen, mundësisht të krijohet një greis periudhë njëvjeçare dhe interesin e kësaj periudhe ta garantojë shteti. Fillimisht këto janë kërkesat, sepse deri sa të rifillohet zhvillimi i veprimtarive, nuk dihet shuma e humbjeve financiare. Pastaj edhe më masat e reja, parashihet që puna të zhvillohet përgjysmë”, thotë Zuka.
Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës të vazhdojë masat për lirime nga tatimet dhe subvencione për punëtorë, të ketë subvencione të drejtpërdrejta me kritere me të lehta për kualifikim si dhe subvencionim të qirasë edhe në muajt e ardhshëm për qiramarrësit.
Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës përmes Pakos Emergjente Fiskale, për sektorin privat ka paguar punëtorët e bizneseve të cilët nuk kanë punuar për shkak të masave emergjente, por edhe 50 për qind të qirasë. Kurse tashmë ka filluar përgatitja e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në bazë të cilës do të ndihmohen bizneset përmes kredive, me normë të ulët të interesit.
Në sektorin e gastronomisë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës për vitin 2018, rezultojnë se punojnë rreth 14,000 qytetarë në 3,683 biznese të regjistruara. / KultPlus.com
Koronavirusi u ka marrë jetën mbi 244 mijë vetëve në shkallë globale deri tani. Ndër viktimat e tjera të epidemisë numërohen edhe aktivitete globale, kombëtare e lokale të pezulluara, aktiviteti ekonomik i pezulluar në shkallë botërore.
Specialistët thonë se një tjetër viktimë e virusit do të jetë një traditë që ka zgjatur prej shekujsh – shtrëngimi i duarve që përcjell respekt, mirëdashje e besim mes miqve e të panjohurve. Por ky akt përcjell edhe mikro-organizme të rrezikshme dhe ka ardhur koha për të gjetur një mënyrë tjetër përshëndetjeje, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Shtrëngimi i duarve e ka zanafillën si simbol paqeje, si dëshmi se personi që zgjat dorën, nuk ka armë të fshehur pas shpine. Në rrjedhën e shekujve është bërë një simbol respekti e besimi.
“Mendoj nga që kultura të ndryshme dallojmë kaq shumë nga njëra-tjetra, shtrëngimi i duarve shërben si urë lidhëse që bashkon dy individë dhe ia bën të qartë personit tjetër se nuk ia do të keqen. Në disa kultura kjo realizohet jo me kontakte fizike, por me gjeste të tjera, me një përkulje, një përshëndetje,” thotë antropologu Craig Stanford.
Në kohët moderne, politika është e paimagjinueshme pa shtrëngimin e duarve:
“Shtrëngimi i duarve shihet si një përshëndetje burrërore, ndryshe nga gjeste të tjera që mund të kenë nuanca më femërore, ndryshe nga përkulja franceze, apo përkulja që bëjnë shumë kultura aziatike. Shtrëngimi i duarve shihet si shenjë force e vitaliteti. Kur Presidenti Trump u takua me Presidentin francez, Emmanuel Macron shtrëngimi i duarve mori përmasat e një ndeshjeje fizike, kush do të zgjaste më shumë, kush do të shtrëngonte më fort,” thotë Dorothy Noyes, profesore e folklorit në Universitetin Shtetëror të Ohajos.
Në botën e sotme të shkëmbimeve dixhitale shtrëngimi i duarve është bërë mishërim i akteve që ndodhin prapa skenave apo jashtë shkëmbimeve fizike:
“Fotografët kapin momentin e shtrëngimit të duarve kur arrihet një marrëveshje. Pra shtrëngimi i duarve është simboli fizik i arritjes së diçkaje të rendësishme, është aspekti vizual i përgjegjësisë dhe rëndësisë së një akti,” thotë Profesore Noyes.
Problemi është se përveç simbolikës, shtrëngimi i duarve përcjell mikroorganizma të rrezikshme, thotë mikrobiologu Charles Gerba.
“Një ndër problemet që shoqërohen me shtrëngimin e duarve është transferimi i mikroorganizmave. Sa herë kollitesh apo teshtin, sa herë shkon në banjo, mendoni pak se çfarë mikrobesh mbajnë duart. Në çdo moment njeriu mbledh mikrobe, sa herë prek një objekt, mbledh me duar rreth 50% të mikrobeve të sipërfaqes që prek,” thotë mikrobiologu Charles Gerba.
“Viruset që transferohen me shtrëngimin e duarve përhapen shumë shpejt. Mendoj se kjo është një mënyrë më e shpejtë për përhapjen e sëmundjeve se sa teshtima,” – thotë mikrobiologu Gerba.
Në fakt, sa herë shkencëtarët analizojnë se çfarë përmbajnë duart e njeriut, gjejnë një larmi bakteriesh e virusesh, shumë prej të cilave të rrezikshme. Higjena personale e individit është shumë më e mangët se ç’e mendojmë, thonë mikrobiologët. Për këtë arsye, në kushtet e koronavirusit, duket se shtrëngimit të duarve i ka ardhur fundi. Tani njerëzimi duhet të vendosë se me çfarë do ta zëvendësojë:
“Në thelb ky është një gjest simbolik, pra nuk ka rendësi nëse shtrëngon duart, përplas grushtet, apo bën diçka tjetër që ka të njëjtin kuptim. Na mbetet të biem dakord se çfarë gjesti të ri do të zgjedhim për të simbolizuar atë që përfaqësonte shtrëngimi i duarve. Nuk ka rëndësi gjesti, por mesazhi që ai përcjell,” thotë antropologu Tok Thompson.
Nuk do të jetë e lehtë të thyhet një zakon i krijuar prej shekujsh. Pak minuta pasi u bëri thirrje hollandezëve të ndalin shtrëngimin e duarve për të luftuar coronavirusin, Kryeministri Mark Rutte gjithë entuziazëm i shtrëngoi dorën kreut të Qendrës Holandeze për Kontrollin e Sëmundjeve. /voa/ KultPlus.com
Izolimi që solli koronavirusi në Europë pati plot pasoja për njerëzit vetë dhe ekonominë, por përveçse frenoi përhapjen e virusit, ai solli dhe një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit në kontinentin e vjetër.
Një studim i fundit tregon se përmirësimi i cilësisë së ajrit gjatë muajit të kaluar të bllokimit të koronavirusit ka çuar në 11,000 më pak vdekje nga ndotja në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë në Evropë, zbulon një studim. Rënia e mprehtë e trafikut rrugor dhe emetimet industriale kanë rezultuar gjithashtu në 1.3 milion më pak ditë mungesë pune, 6.000 më pak fëmijë që zhvillojnë astmë, 1.900 shmangur vizitat në dhomë urgjence dhe 600 më pak lindje të parakohshme, sipas Qendrës për Kërkime të Energjisë dhe Ajrit të Pastër.
Ndërsa pandemia vazhdon të marrë një numër të tmerrshëm – më shumë se 220,000 vdekje në të gjithë botën që nga fillimi i vitit – autorët e raportit thonë se përgjigja ka ofruar një pamje të mjedisit më të pastër, më të shëndetshëm që është e mundur nëse bota zhvendoset nga ndotja industritë e karburanteve fosile.Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nivelet e dioksidit të azotit kanë rënë me 40% ndërsa materia e vogël e grimcave – e njohur si PM2.5 – është në rënie 10%, që do të thotë se njerëzit pa Covid-19 mund të marrin frymë më lehtë.
Këto dy forma të ndotjes, të cilat dobësojnë sistemin e zemrës dhe frymëmarrjes, janë zakonisht përgjegjës për rreth 470,000 vdekje në Evropë çdo vit. Studimi i ri vlerëson se si ka gjasa të ketë rënë kjo duke përdorur modele statistikore që ndërthurin të dhëna për cilësinë e ajrit, kushtet e motit, emetimet, popullsinë dhe përhapjen e sëmundjeve. Ata gjetën numrin më të lartë të vdekjeve të shmangura nga ndotja në Gjermani (2.083), e ndjekur nga Britania e Madhe (1,752), Italia (1,490), Franca (1,230) dhe Spanja (1,083).
Nga sëmundja, pothuajse 40% e uljeve të vdekshmërisë kishin të bënin me dështimin e zemrës, 17% nga sëmundjet e mushkërive siç janë bronkiti dhe emfizema, dhe 13% secila nga goditje dhe kancer. Të tjerët ishin infeksione dhe diabeti. Llogaritja e përgjithshme e 11,000 vdekjeve të shmangura është vlerësimi më i mundshëm nga një seri analizash kompjuterike me rezultate që shkojnë deri në 20,000 dhe sa më e ulët se 7,000. /KultPlus.com