Nga tre marsi i këtij viti piktori shqiptar në Kanada, Zeqirja Rexhepi ka hapur në qytetin e Halifaksit ekspozitën e tij të radhës të titulluar “COVID- XIX”.
Ai edhe në kohë pandemie nuk është ndalur së krijuari, duke dhënë publikut një seri pikturash nëpër faza të ndryshme të pandemisë, e cila tashmë ka mbushur një vit. Krijimi i artit në këtë kohë sfiduese ka qenë një rrugëdalje thelbësore për artistin, dhe siç shihet nga punimet studioja e tij ka funksionuar si një vend i rëndësishëm, ndërsa ka patur kaq shumë pasiguri dhe dhimbje në botë.
Në faqen e eskpozitës online, Rexhepi shruan: “Ana Lindore e Kanadasë kryesisht e ka përballuar mirë stuhinë COVID- 19, por shqetësimi dhe frika ime për familjen dhe miqtë në vendet më të goditura (si atdheu im Kosova) është kanalizuar përmes këtyre pjesëve. Jam përpjekur të kap shpresën dhe gëzimin që i uroj botës në 2021 dhe në të ardhmen, por ka qenë e pamundur t’i shpëtojmë errësirës dhe realitetit të ashpër në të cilin gjendemi, në të cilin kalojmë në hije dhe kontrast të lartë të përshkruar në kjo seri pikturash”.
Pikturat e tij dhe loja mes ngjyrës, dritës dhe errësirës mbërthejnë lumturinë që marrin dhe gjejnë familjet edhe në këto kushte të vështira dhe pranon errësirën e paparë të kësaj periudhe në histori.
“Ngjashëm me punën që krijova pas 11 shtatorit 2001, fytyrat dhe figurat femra në këtë seri përfaqësojnë kujdestarët dhe punëtorët e vijës së parë që mbështesin dhe kujdesen për njerëzit tanë më të prekshëm. Dy nga vajzat e mia janë punëtore shëndetësore, dhe unë doja t’i nderoja, si dhe të gjitha të tjerat që punonin në sektorin shëndësor dhe shërbimet e urgjencës në të gjithë botën”- thotë z. Rexhepi.
Zeqirja Rexhepi u lind në vitin 1955 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit në Kosovë. Ai ekspozoi gjerësisht pikturat e tij në Kosovë dhe jashtë saj dhe u porosit si muralist për të krijuar murale për disa kisha dhe xhami. Ai është i autor edhe i veprës monumentale në Kishën e Shën Antonit në Binçë të Gjilanit “Martirët e Karadakut 1846 – 48”.
Gjatë luftës në Kosovë më 1999 Rexhepi me familjen e tij u largua nga Kosova, dhe ka qëndruar më shumë se një muaj në kamp refugjatësh në Maqedoni. Familja Rexhepi u bë pjesë e rreth shtatë mijë refugjatëve nga Kosova që shkuan në Kanada me ndihmën e qeverisë kanadeze.
Që nga mbërritja e tij në Kanada, ai nuk i është ndarë asnjë ditë profesionit dhe pasionit të tij të piktures, dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur shumë ekspozita personale dhe grupore, punimet e së cilit e kanë pasuruar skenën artistike jo vetëm në Kanada. Pikturat e tij janë ekspozuar në Galerinë e Arteve të Universitetit Saint Mary, Pier 21, Galeria e Arteve Nova Scotia, Galeria e Muzeut të Aviacionit, Galeria e Arteve e Universitetit Dalhousie, etj. Piktori Rexhepi njihet edhe për bashkëpunimin e tij të frytshëm me Ambasadën e Shqipërisë dhe Kosovës në Ottawa, me Konsulatën e Përgjithshme të Kosovës në Toronto, si dhe me shoqatat e komunitetit shqiptar në gjithandej në Kanada në shumë aktivitete kombëtare e kulturore.
“Është e gjitha për të krijuar lidhje dhe për të prezantuar kulturën tonë tek të tjerët”, ka thënë Rexhepi në një intervistë për gazetat lokale kanadeze para një kohe, transmeton KultPlus.
Për shkak të COVID-19 galeria e Arteve Pamore të Nova Skocisë (Visual Art Nova Scotia) do të jetë e hapur për publikun, mirëpo gjatë kësaj ekspozite, të interesuarit duhet ta rezervojnë orën dhe ditën që dëshirojnë ta vizitojnë. Të gjithë vizitorët në zyrë duhet të mbajnë maskë, dhe ta praktikojnë distancimin e kërkuar social. Eskpozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 mars. / KultPlus.com