‘Bota kishte probleme serioze para virusit, një shoqëri më e mirë mund të dalë nga pandemia’

Nga Amartya Sen

“Do të takohemi përsëri,” tha Mbretëresha Elizabetë pak ditë më parë, duke kujtuar një këngë të  vitit 1939. Ishte një mendim pozitiv dhe pikërisht ajo që duhej. Por çfarë lloj bote mund të presim pas pandemisë ? A do të përfitojmë diçka nga përvoja e rezistencës ndaj krizës?

Bota ishte plot probleme serioze para koronavirusit. Pabarazia ishte e përhapur, si ndërmjet vendeve ashtu edhe brenda tyre. Në SHBA, vendi më i pasur në botë, miliona njerëz kanë mungesë të aksesit mjekësor. Masat shtrënguese dobësuan aftësinë e BE-së për të ofruar mbështetje për njerëzit në nevojë. Politika antidemokratike ishte në rritje, nga Brazili dhe Bolivia në Poloni dhe Hungari.

A është e mundur që përvoja e përbashkët e pandemisë të ndihmojë në zbutjen e problemeve të tilla ekzistuese? Lufta e Dytë Botërore, për shembull, i bëri njerëzit të kuptojnë më mirë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Kombet e Bashkuara, FMN dhe Banka Botërore kanë lindur në vitet 1944-45.

Sidoqoftë, a kishte ndonjë përmirësim afatgjatë brenda një vendi nga përvoja e krizës? Ne i kemi parë disa prej tyre.

Kishte një ulje të madhe të shkallë së mos ushqimit në Britani në vitet e vështira të mungesës së ushqimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përballë një ulje të madhe të disponueshmërisë së ushqimit, Britania organizoi ndarje më të barabartë të ushqimit, përmes racionimit dhe mbështetjes sociale. Një gjë e ngjashme ndodhi dhe me kujdesin mjekësor.

Rezultatet ishin befasuese. Gjatë dekadës së luftës së viteve 1940, jetë gjatësia në Angli dhe Uells u rrit me 6.5 vjet për burrat, krahasuar me 1.2 vjet në një  dekadë më  herët dhe për gratë u rrit me 7 vjet. Mësimet pozitive që  u morën nga respektimi i barazisë dhe vëmendja më e madhe ndaj të skamurve, ndihmuan në shfaqjen e atij që u njoh si shtet social.

A mund të ndodhë diçka pozitive në sajë të krizës aktuale? Mësimet që duhet të dalin nga një krizë  varen me siguri se si ajo trajtohet, dhe cilat shqetësime dalin në pah.

Politika është e rëndësishme këtu, përfshirë lidhjen midis qeverive dhe qytetarëve. Gjatë viteve të luftës, në kontrast me Britaninë  e Madhe, uria e tmerrshme e Bengalit në vitin 1943, në Indinë Britanike, vrau gati 3 milionë njerëz dhe Raj bëri pak për ta parandaluar.

Në politikat kundër kësaj pandemie, barazia nuk ka qenë një përparësi veçanërisht e dukshme. Në SHBAm afrikano-amerikanët po vdesin me një normë jashtëzakonisht më të lartë nga Covid-19, sesa njerëzit e bardhë. Në Çikago, më shumë se 70 përqind e vdekjeve nga pandemia kanë qenë  Afrikano-Amerikanë që përbëjnë vetëm një të  tretën e popullsisë .

Pabarazitë e brendshme duket se nuk kanë qenë më pak në shumë vende të tjera, nga Brazili dhe Hungaria deri në Indi.
India është një rast i veçantë. Pabarazitë janë shumë të mëdha. Diskutimi i hapur publik – i cili e bën gjendjen e të privuarve të dëgjohet dhe mbron të rrezikuarit – përballet me rritjen e kufizimit qeveritar, duke përfshirë zvogëlimin e lirisë së mediave me mjete të drejtpërdrejta dhe indirekte. Kontrasti midis të pasurve dhe të varfërve në aksesin mjekësor është shumë i madh.

Fokusi ka qenë tek kontrolli drastik dhe izolimet e papritura (përfshirë trenat dhe autobusët) me vëmendje të madhe për punëtorët që humbasin punën, ose punëtorët e shumtë migrantë, më të varfërit e të varfërve, të cilët që ndrojnë  qindra milje larg shtëpive të tyre .

Sigurisht, distanca sociale kufizon përhapjen e virusit (ky përfitim i rëndësishëm as nuk vihet në diskutim). Por duhet të kombinohet me masa kompensuese – për të ardhurat, ushqimin, aksesin dhe kujdesin mjekësor. India, si shumë vende, ka nevojë për diçka si një NHS (Shërbim Kombëtar Mjekësor). Por asnjë mësim në atë drejtim nuk do të dalë, pa marrë parasysh pabarazitë e mëdha.

Fatkeqësisht, është mjaft e mundur që kur të takohemi përsëri nuk do të jemi më të vendosur për t’u përballur me botën e pabarabartë në të cilën jetojmë. Megjithatë nuk ka nevojë të shkojë në atë mënyrë. Një shqetësim për barazinë në menaxhimin e krizave do të zvogëlojë vuajtjet në shumë vende, dhe do të ofrojë ide të reja për të na frymëzuar, për të ndërtuar një botë më pak të pabarabartë në të ardhmen. /bota.al/ KultPlus.com

‘Ky virus na ka kujtuar brishtësinë e prindërve dhe gjyshërve tanë, sa shumë nevojë kanë ata për ne’

Nga: Olga Tokarczuk
Përktheu: Parajsa Shtini

Nga dritarja ime, unë mund të shoh një dru mani të bardhë dhe një pemë me të cilën jam magjepsur. Këto janë arsyet pse vendosa të jetoj këtu. Përmes manit, dhjetëra familje shpendësh, përfitojnë frutat e ëmbla e të shëndetshme gjatë periudhës së pranverës dhe verës. Momentalisht druri i saj është pa gjethe, kështu që më bie në sy një rrugë e qetë, e cila rrallë përshkohet nga njerëzit, të cilët duan të shkojnë në park. Moti në Vroclav është pothuajse veror, me një diell verbues, qiellin blu, ajrin e pastër. Sot, teksa isha duke nxjerrë shëtitje qenin tim, një buf më nguli sytë. Me sa duket, kafshët ashtu si njerëzit, presin me padurim të shohin atë se çfarë do të ndodhë më tutje.

Për një kohë të gjatë kam ndier se përtej dritares sime ka kaq shumë jetë, kaq shumë botë. Një botë e madhe, e shpejtë, e zhurmshme. Ndaj nuk po përjetoj asnjë traumë nga izolimi. Nuk e kam aspak të vështirë të mos shikoj njerëz. Nuk më vjen keq që kinematë janë mbyllur. Po ashtu, jam plotësisht indiferente ndaj qendrave tregtare të mbyllura. Sigurisht, më vjen keq për ata njerëz që kanë humbur punën e tyre. Kur më duhej të përballesha në fillim me karantinimin, ndjeva një lehtësim. Shumë njerëz janë ndier njëlloj, edhe pse kanë turp ta pranojnë. Natyra ime e mbyllur, introverte, po ndihej e mbytur dhe e abuzuar nga ekstrovertët hiperaktivë dhe kështu e kish braktisur veten e saj, duke u tjetërsuar.

Vëzhgoj fqinjin tim nga dritarja, një avokat i mbingarkuar me punë, të cilin pak ditë më parë e pashë duke shkuar për në punë veshur me mantelin e sallës së gjyqit. Por, tashmë, i veshur me rroba krejt të thjeshta shtëpie, punon kopshtin e tij. Duket se po vendos gjërat në rregull. Shikoj disa të rinj që nxjerrin shëtitje një qen të vjetër, i cili qysh nga dimri i shkuar, ecën me vështirësi. Ata e shoqërojnë qenin me një ritëm të ngadaltë. Shikoj kamionin që mbledh mbeturinat. Ai po thyen rekord me shpejtësinë e mbledhjes së tyre.

Jeta vazhdon, veçse me një ritëm tjetër. Rregullova raftin, duke nxjerrë gazetat e lexuara për t’i futur në koshin e riciklimit. Vendosa lule. Mora biçikletën nga dyqani i riparimit të biçikletave. Kam shijuar procesin e të gatuarit.

Kujtimet nga fëmijëria rikthehen tek unë. Kishte kaq shumë kohë të lirë atëherë, sa mund ta shpenzoje pa kriter, mund ta vrisje duke qëndruar me orë të tëra në dritare, duke vrojtuar milingonat, ose thjesht shtrirë nën një tavolinë, duke imagjinuar se ishe brenda një arke. Sigurisht, edhe duke lexuar enciklopedi.

A nuk tregon ky karantinim që ne i jemi rikthyer ritmit tonë normal të jetës? Nuk është e vërtetë që virusi ka prishur ritmin dhe normën, por anasjelltas. A nuk ju duket anormale bota para se të vinte virusi?

Në fund të fundit, virusi na ka kujtuar ato gjëra që ne ia kemi mohuar vetes: faktin që jemi krijesa delikate, të përbëra nga një material shumë i brishtë. Që jemi të vdekshëm, të përkohshëm. Që nuk jemi të ndarë nga pjesa tjetër e botës, nuk jemi të përjashtuar, por që bota është një lloj rrjeti, në të cilin të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin, përmes fillit të padukshëm të varësisë dhe ndikimit. Pa marrë parasysh sa larg janë vendet nga kemi origjinën, cilën gjuhë flasim, apo çfarë ngjyre ka lëkura jonë, ne po përballemi me të njëjtën sëmundje, me të njëjtat frikëra, po vdesim nga e njëjta sëmundje.

Na ka bërë të kuptojmë që nuk ka rëndësi sa të dobët e vunerabël ndihemi përballë rrezikut, sepse jemi të rrethuar nga njerëz që janë akoma më të dobët se ne, të cilët e konsiderojnë jetësore ndihmën tonë. Ky virus na ka kujtuar brishtësinë e prindërve dhe gjyshërve tanë. Sa shumë kujdes dhe nevojë kanë ata për ne. Po na bën me dije për lëvizjet tona të pakontrolluara, që po e fundosnin botën. Dhe mbi të gjitha, po na bën t’i drejtojmë vetes pyetjen, të cilën rrallë kemi pasur kurajën t’ia bëjmë: Çfarë po vazhdojmë të kërkojmë?

Frika nga të sëmurët na kujton folenë tonë, në të cilën ndihemi të sigurt. Në një situatë të tillë, edhe ata që udhëtojnë pa pushim, kërkojnë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre. Në të njëjtën kohë, të vërteta të frikshme po zbulohen. Po shikojmë sa i dobët po tregohet në praktikë Bashkimi Europian (BE). Nuk po bën gjë tjetër veçse po delegon vendime. Shovinizmi i vjetër është rikthyer, duke u kthyer edhe një herë te ndarja “e jona” dhe “e huaja”, me pak fjalë ajo për të cilën kemi luftuar dekadat e shkuara, me shpresën se nuk do t’i formatonte më kurrë mendjet tona. Frika nga virusi i ka bërë të mendojnë se “i huaji” e ka fajin, ai duhet fajësuar. Virusi është “nga një vend tjetër, përveçse nga vendi ynë”. Të gjithë ata që po kthehen në Poloni, konsiderohen të dyshuar. Virusi po na kujton se kufijtë ekzistojnë.

Druaj se virusi po na rikthen edhe një frikë tjetër të vjetër: pabarazinë. Ndërsa disa prej nesh po fluturojnë me avionë privatë drejt shtëpive në ishuj, për të kaluar karantinimin, disa të tjerë po qëndrojnë në qytete për të punuar. Akoma më keq, ata që po rrezikojnë jetën e tyre, duke punuar në farmaci, ushqimore apo spitale. Disa po bëjnë shumë para e disa të tjerë po humbasin gjithçka kanë. Kriza që do të pasojë do të minojë parimet tona. Shumë shtete nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë. Kjo do t’i detyrojë të nxjerrin urdhra të reja, siç ndodh rëndom pas krizave.

Ne po qëndrojmë në shtëpi, po lexojmë libra, po shohim televizor, por, në të vërtetë, jemi duke përgatitur veten për një betejë, për një realitet të ri që as nuk mund ta imagjinojmë, duke bindur veten se asgjë nuk do të jetë njësoj. Gjendja e karantinës së detyrueshme, e mbledhjes së familjes në shtëpi, mund të na bëjë të vetëdijshëm për gjërat që nuk kemi dëshirë t’i pranojmë: se familja jonë po na varfëron, se fijet që mbanin të lidhur martesën tonë janë shtendosur me kohë. Fëmijët tanë do të dalin nga karantina të varur nga interneti dhe shumë prej nesh do të jenë të vetëdijshëm për pakuptimësinë dhe kotësinë e rrethanave në të cilat gjendemi. Po sikur të rritet numri i vrasjeve, i vetëvrasjeve, i depresionit, i sëmundjeve mendore?

Para syve tanë, ndotja po zhduket nga paradigma e qytetërimit, që na ka shoqëruar gjatë dyqind viteve të fundit: që ne jemi mjeshtrat e krijimit, që mund të bëjmë gjithçka, që bota na përket e gjitha ne. Një kohë e re po afrohet. / KultPlus.com

Heshtjet e Romës

Nga Corrado Augias

Gjatë gjithë jetës sime, e kam dëgjuar vetëm tre herë trokitjen e hapave në rrugët e heshtura të Romës. Hera e para ishte kur isha fëmijë, me mbërritjen e amerikanëve. Kishte marrë fund frika e sulmeve dhe bombave. Të vetmet makina që qarkullonin ishin jeep-at, trokitjet e hapave femërore jepnin një tingëllimë feste, i bënin jehonë jetës që kishte rifilluar. Hera e dytë ishte në vitin 1973, kur për shkak të luftës së Yom Kippur-it u vendos një kursim i rreptë i konsumit të karburantit; njerëzit dilnin në këmbë, ishte rikthyer zhurma e hapave. Hera e tretë ka qenë këto ditë, për arsyet që i dimë. Por nuk ka qenë vetëm trokitja e hapave; janë shtuar aromat e luleve dhe gurgullima e ujit në shatërvane, edhe ajo e harruar prej kohësh.

Kemi patur zinë, do të kemi pasoja ekonomike që shpresojmë të mos jenë dramatike; por kemi patur edhe dhuratën e heshtjes së një qyteti, që është më kot poterexhi.

Them më kot, sepse Roma nuk ka qenë asnjëherë një metropol i vërtetë dhe as nuk do të jetë ndonjëherë. Në rang metropoli është Nju Jorku, është Londra, por pas rënies së perandorisë në shekullin V – kur kishte arritur dimensione të konsiderueshme dhe, siç thuhet, një milion banorë – Roma ka qenë gjithmonë diçka më shumë se sa një vendbanim i shpërndarë rrënojash të lavdishme, por të lëna pas dore. Madje do të ishte zhdukur nga skena njësoj si Athina, si Antiokia, nëse nuk do i kish dhënë jetë pushteti i Papëve që asaj perandorie donin t’i jepnin vazhdimësi, duke nisur që nga titulli i dhënë perandorit: Pontifex Maximus.

Kur në 20 shtator 1870, bersalierët hynë në Porta Pia, qyteti numëronte pak më shumë se 200 mijë banorë; pjesa e saj më e gjallë dhe e banuar, ishte reduktuar në rrugët e Gjashtëqindës të mbyllura në Ansa del Tevere, në qendër në Piazza Navona, me geton hebraike në kushte higjenike të frikshme. Rrënojat e Romës perandorake shtriheshin gjysmë të groposura ose të dëmtuara prej shtesave ndërtimore, të përdorura si bottega, banesa apo si vende për shfryrjen e kënaqësive trupore.

Ishte kjo përzierje e madhështisë dhe gjërave të turpshme, e kryeveprave dhe shëmtive që tërhoqi vizitorët dhe artistët e veriut. Zbritën në Romë të tërhequr prej shkëlqimit dhe transparencës së jashtëzakonshme të atmosferës, por edhe prej heshtjes së varrit që mbizotëronte në rrënojat e qytetit të vjetër. Hija e fantazmave dhe fantazive e bënte Romën një prej kryeqyteteve të romanticizmit. Kështu e pa shkrimtari i madh francez, René de Chateaubriand. I ardhur në Romë për herë të parë në fillim të shekullit Tetëqind, ai e përshkruante kështu atmosferën e natës: “Më kishin rekomanduar të shëtisja nën dritën e Hënës. Ylli i natës përhapte dritën e tij mbi shkretinë e Romës; ndriçonte rrugë pa banorë, gardhe, sheshe, kopshte ku nuk kalon askush, manastirë ku nuk dëgjohet më zëri i murgjve, kisha të heshtura dhe të shpopulluara si rrugëkalimet e Koloseumit”. Pikërisht në Koloseum shkrimtari shoqëron një ditë shoqen e tij, madame de Beaumont, e cila ishte e sëmurë rëndë: “Ishte një prej atyre ditëve të tetorit, që mund të shihen vetëm në Romë. Ajo ngriti sytë; e hodhi ngadalë vështrimin drejt atyre rrugëkalimeve të vdekur prej shumë vitesh, që kishin parë vetë shumë vdekje; rrënojat ishin të zbukuruara me lule të zverdhura të vjeshtës, të zhytura në dritën e natës”.

Në po të njëjtën mënyrë do ta shihnin Romën Stendhali gjatë “Shëtitjeve romane” dhe Giacomo Leopardi, i cili Romën nuk e dashuroi kurrë. Kur vuri këmbë në moshën 24 vjeç dhe ishte hera e parë që la “varrezën e urryer” të Recanatëve. I vetmi vend që e prekte deri sa të shpërthente në lotë ishte varri i Tassos në kishën e Sant’Onofro al Gianicolo. Për pjesën tjetër, Roma e zhgënjente si për imazhin, që e kishte krijuar duke lexuar klasikët, si për letrarët romakë të kohës që i dukeshin injorantë të pagdhendur.

Heshtjes së qytetit i korrespondonte ajo fshatit që e rrethon. Askush nuk ka ditur ta rrëfejë më mirë se sa G. G. Belli që në sonetin “Er deserto” e përshkruante në mënyrë të mrekullueshme heshtjen e trishtë.

Heshtja e një qyteti që duket i vdekur, thyhej një herë në vit prej karnevaleve që magjepsën Dymanë dhe që Gëte në “Udhëtimin italian” e përshkruan kështu: “Karnevalet e Romës nuk janë një festë që i ofrohet popullit, por një festë që populli ia ofron vetvetes”.

Pastaj erdhi Roma e Giolittit dhe 50-vjetorit të parë të Mbretërisë (1911), Roma e zymtë e shkatërrimeve të Musolinit, Roma e pasluftës e kaosit të ndërtimeve të favorizuara prej kryebashkiakëve të vetëkënaqur demokristianë, Roma e dolce vita-s, Roma e shkretë e ditëve të fundit. Një rikthim i heshtur në origjinë. / KultPlus.com

Artistat bëjnë murale nëpër botë, rrisin vetëdijësimin për Covid19

 Është fenomeni kryesor jo vetëm i këtyre ditëve, që ka rrezikuar si kurrë më parë shëndetin e njerëzve në gjithë botën, për shumë artistë është bërë burim frymëzimi.

Nga kjo dukuri nuk kanë qenë indiferentë as ata që bëjnë artin e rrugës – një nga format më ekspresive të fenomeneve të ndryshme. Fuqia e këtij lloj arti, qëndron në faktin se njerezit i kalojnë pranë çdo ditë dhe nuk mund të shmangen prej muraleve plote ngjyra, që gjithmonë përcjellin një mesazh.

Një pjesë të muraleve e kemi sjellë në këto fotografi. Të ndryshme në forma ama të përbashkëta në përmbajtje.

Mesazhi që kërkojnë të përcjellin shihet qartë, se është jo vetëm frika që ka mbërthyer njerëzit, të cilët, janë detyruar tashmë të dalin me maska, por shërbejnë edhe si një formë sensibilizimi dhe shprese./konica/ KultPlus.com

Shënohet Dita Evropiane e të Drejtave të Pacientëve

18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, në respektimin e të drejtave bazë të pacientëve.

Të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, aksesin në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim, etj.

Kremtimi i kësaj dite ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve se kanë të drejta në kujdesin shëndetësorë, por edhe përçimin e mesazhit tek institucionet se duhet të respektohen të drejtat e garantuara me legjislacion, transmeton kp.

Por këtë vit kremtimi i kësaj dite ka një kuptim tjetër, pasi që e tërë Evropa po përballet me pandeminë COVID-19. / KultPlus.com

Moment prekës, çifti i infermierëve takon vajzën e tyre 6 vjeçare pasi u ndanë për 3 javë (VIDEO)

Dy heronjë të stafit mjekësor kanë ndarë momentin prekës kur më në fund takohen me vajzën e tyre 6 vjeçare pasi kaluan 3 javë të ndarë për shkak të koronavirusit, transmeton KultPlus.

Amanda dhe Ryan Holland, nga Ayr, Scotland, u filmuan teksa takojnë Kalishah, të veshur nga koka te këmbët me pajisje mbrojtëse.
Çifti, të cilët punojnë pranë njëri-tjetrit në spital, thanë se ishte vendimi më i vështirë i jetëve të tyre që ta ndanin familjen dhe ta dërgonin vajzën e tyre te gjyshërit.

Të dy ata u shprehën se ishin të dëshpëruar për të takuar të bijën.
Daily Mail ka siguruar edhe një video të këtij momenti prekës. / KultPlus.com

Pesë gjëra që nuk do të jenë më njësoj, pasi të mbarojë Covid-19

Koronavirusi do të ndikojë në humbjen e mijërave personave, por edhe në ndryshimin e mënyrës sonë të jetesës.

Ja disa nga mënyrat se si do të ndryshojë bota pas COVID-19:

Shoqëria

Duket si një epokë më parë tani, por ishite vetëm pesë muaj më parë kur njerëzit po grindeshin nëse Britania e Madhe duhet të largohej nga BE. Shoqëria dukej më e përçarë se kurrë.

Dhe pastaj erdhi kriza më e madhe për të paktën një gjeneratë dhe potencialisht që nga lufta, pasi njerëzit u detyruan të izolohen ose të përballen me rrezikun e vdekjes, sëmundjen e rëndë ose të paktën ngjitjen e saj tek dikush tjetër që mund të sëmuret seriozisht.

Ndërkohë, marrëdhënia jonë me shtetin ka ndryshuar plotësisht, me miliona mbështeten tek qeveria se ajo do të paguajë pagat e tyre, diçka që nuk është bërë kurrë më parë. Disa besojnë se do të vazhdojë të ketë ndryshime të thella.

Puna

Ekspertët kanë frikë se kjo do të çojë në mijëra nëse jo qindra mijëra humbje pune. Të tjerët mund të zbulojnë se ata janë të fuqizuar nga kriza.

Me miliona fëmijë janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, shumë njerëz janë të detyruar të hartojnë mënyra të reja për të siguruar të ardhura ndërsa kujdesen për të rinjtë.

Teknologjia

Asnjëherë në historinë e internetit nuk ka pasur një ndryshim kaq të papritur në mënyrën se si ne përdorim teknologjinë dhe internetin.

Në pamundësi për të takuar njerëz ballë për ballë, bota papritmas është zhvendosur nga kontakti i drejtpërdrejtë në takime virtuale. Njerëzit po përdorin versionet e konferencës video në një mënyrë dhe në një masë që ata kurrë më parë nuk kanë bërë.

Koha e lirë

Asnjëherë më parë, britanikët nuk i kanë vlerësuar parqet e tyre aq sa tani kur ata përballen me pamundësinë për t’iu qasur atyre.

Kjo ka bërë që miliona njerëz të dalin jashtë dhe të vrapojnë, të ecin apo thjesht të bëjnë ushtrime jashtë shtëpive të tyre për shkak të monotonisë. Në të njëjtën kohë, parqet janë mbyllur për publikun, plazhet janë bërë hapësira të ndaluara dhe britanikëve u është thënë që të mos dalin në parqe.

Konsumi

Nëpër supermarkete ka pasur shitje të jashtëzakonshme gjatë periudhës së izolimit, por gjërat nuk duken mirë për të ardhmen.

Tashmë ka filluar gjithashtu që të përdoret shume dhe metoda “me porosi”, për blerjen dhe kjo mund ta ndryshojë shumë mënyrën e konsumimit dhe blerjeve dhe pasi periudha e izolimit të mbarojë. Njerëzit mund të preferojnë më shumë këtë opsion. / SkyNews / KultPlus.com

‘Forbes’: Për shkak të Covid-19, 226 persona nuk janë më miliarderë

Në gjysmën e parë të muajit mars, 226 persona e kanë humbur statusin e miliarderit, si rezultat i luhatjes ekonomike, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, theksoi revista “Forbes”.

Jef Bezos është në krye të listës së pasanikëve botërorë, për të tretin vit me radhë, por pandemia botërore e ka ndryshuar listën e miliarderëve të “Forbes”, e prej këtu shumë prej tyre më nuk janë në këtë listë.

Pasuria e Bezosit vlerësohet në 113 miliardë dollarë, por ajo ka shënuar rënie prej 18 miliardë dollarë amerikanë në krahasim me vitin e kaluar, më së shumti nga “dëmshpërblimi” për shkak të divorcit nga ish-bashkëshortja e tij, por aksionet e kompanisë së tij Amazon janë rritur me 15 %.

Bashkëthemeluesi i “Microsoft”, Bill Gates mban vendin e dytë me pasuri prej 98 miliardë dollarë, 1,5 dollarë amerikanë më shumë se vitin e kaluar. Nga miliarderët tjerë, 51 % janë më pak të pasur se vitin e kaluar.

Miliarderët botërorë gjithsej “peshojnë” rreth tetë trilionë dollarë, që është ulje për 700 miliardë dollarë në krahasim me vitin 2019, njofton “Forbes”.

Në listën më të re të “Forbes ka gjithsej 2.095 miliarderë. /KultPlus.com

Distancimi social i vështirë, është kundër natyrës njerëzore

Merrni tigrin e egër. Ai shoqërohet me tigrat e tjerë vetëm për t’u çiftuar, ose nëse është femër, për të rritur për një kohë të shkurtër këlyshët e saj. Në raste të tjera, tigri qëndron gjithnjë vetëm. Tigrat janë të shkëlqyer në aspektin e distancimit social.

Por ne nuk jemi tigra. Në mesin e pandemisë së re të koronavirusit, disa prej nesh kanë kundërshtuar thirrjet e zyrtarëve të shëndetit publik, duke shkuar në bare dhe restorante me anëtarët e tjerë të specieve tona. Shumë të tjerë, kanë pyetur veten se si do ta përballojmë jetën pa ndeshje basketbolli, pa klasat e jogave, apo darkat me miqtë.

Me përjashtim të heremitëve, njerëzit janë kafshë shoqërore, madje edhe ata që disa i quajnë “ultra-socialë”. Prej mijëvjeçarësh, mbijetesa jonë varet nga të qenit pjesë e një grupi. Nëse distancimi social ju duket sot i vështirë, nuk jeni të vetëm:është vetë natyra jonë njerëzore.

“Njerëzit janë thjesht krijesa sociale. Ne jemi shembulli më ekstrem i një specie, që vendosi dikur se bashkëpunimi me të tjerët do të jetë e gjithë strategjia”-thotë Stiv Kol, profesor i mjekësisë, psikiatrisë dhe shkencave sjellore në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles.

Dhe kjo gjë na ka shërbyer për mirë shton ai. “Ndonëse nuk jemi fizikisht shumë të mëdhenj apo të fortë, kemi arritur që ta pushtojmë botën”- thekson ai. Parardhësit tanë ishin socialë, por ne jemi shumë më tepër. Së pari, ne jemi veçanërisht bashkëpunues, një tipar për të cilin disa studiues besojnë se buron nga ndryshimet ekologjike, që i detyruan Homo Sapiens-ët e hershëm që të bëheshin bashkë.

Ne jemi ndër të paktat specie që zgjedhin të ndajnë gjërat me njëri-tjetrin. Luanët mund të gjuajnë dhe hanë bashkë me prenë e tyre, “por nuk do t’u çojnë gjë të tjerëve”, thotë Alan Fiske, antropolog psikologjik në Universitetin e Kalifornisë. Dhe më shumë se çdo gjitar tjetër, ne ndajmë me njëri tjetrin punën, tha Fiske.

“Nëse hidhni sytë rreth e rotull, do të vëreni se ndoshta nuk ka asgjë që nuk e keni bërë apo prodhuar për dobinë tuaj. Askush nga ne nuk është në gjendje t’i bëjë individualisht të gjitha gjërat që na duhen. Por me secilin prej nesh që bën një punë të specializuar, atëherë ne funksionojmë shumë mirë”- shton ai.

Ishin këto aftësi sociale, ato që i ndihmuan paraardhësit tanë të mbroheshin nga grabitqarët, dhe të mblidhnin në mënyrë më efikase ushqimin, si dhe të rritnin pasardhësit e tyre. Varësia jonë emocionale nga njëra-tjetri, mund ta bëjë të vështirë ruajtjen e distancës nga njëri-tjetri, edhe kur kjo gjë sjell përfitime për shëndetin publik.

“Për shkak se është kaq shumë adaptive, kaq e dobishme për mbijetesën dhe riprodhimin tonë, prej qindra mijëra vjetësh, njerëzit kanë evoluar që të kenë nevoja psikologjike. Këto nevoja, ju tregojnë se është e rëndësishme që të lidheni me njerëzit e tjerë”- thekson eksperti.

Kjo është e vërtetë si për ndërveprimet intime, sikurse është ngrënia bashkë, ashtu edhe tek përvojat në grup që u anuluan ditëve të fundit, nga koncertet tek takimet e punës, dhe aktivitetet sportive.

“Ne të gjithë mendojmë se më e rëndësishme është performanca e atletëve. Në fakt, ajo që ka më shumë rëndësi është krijimi i ndjenjës së pranisë. Pra ju jeni pjesë e të njëjtës përvojë emocionuese, dhe nuk e dini se çfarë do të ndodhë më pas. Ne të gjithë jemi në të njëjtën varkë”- shprehet Kol.

Aq e rëndësishme është lidhja sociale me njerëzit e tjerë, sa që mungesa e tyre është e tmerrshme për shëndetin tonë. SHBA-ja ka tashmë nivele të larta vetmie, dhe kjo dukuri cilësohet një rrezik për shëndetin publik, edhe para se koronavirusi të na izolonte më tej.

Shkencëtarët bëjnë dallimin mes të jetuarit vetëm dhe vetmisë:Njerëzit e vetmuar, janë të uritur për lidhje njerëzore, por kanë shumë pak të tilla. Dhe një studim i gjerë ka zbuluar se njerëzit e vetmuar, janë më të rrezikuar të preken nga një mori sëmundjesh, përfshirë sëmundjet e zemrës, kanceri dhe Alzheimeri.

Kol ka studiuar arsyen, dhe ka gjetur disa histori në gjenet tona. Për shkak se njerëzit janë kaq shumë socialë, viruset – si ai që shkakton Covid-19 – na “duan”. Viruset përhapen më së miri përmes kontakteve të ngushta personale, pavarësisht nëse është në një koloni lakuriqësh nate, apo një dhomë plot me studentë.

Kjo gjë bërë që ne të krijojmë mbrojtje të fuqishme antivirale në sistemin tonë imunitar. Gjithsesi ndjenja e izolimit social, shkakton përgjigjen “lufto ose ik”, ashtu siç do të ndodhte me të parët tanë, për të cilët të jetuarit vetëm mund të nënkuptonte të qenit një “drekë” e mirë për tigrin.

Kjo nxit inflamacionin, një reagim i përshtatshëm i sistemit imunitar, që lufton infeksionin bakterial. Tek njerëzit e lashtë, kjo përgjigje do të kishte qenë e shpejtë. Por stresi i kohërave moderne, thotë Kol, i ka lënë shumë njerëz të ndjehen “kronikisht të pasigurtë”.

Kështu vepron edhe vetmia, të cilën disa studiues e karakterizojnë si një epidemi. Dhe inflamacioni, nxit sëmundjet kronike, dhe ndërkohë na lë më të prekshëm ndaj viruseve. Të gjitha këto ndihmojnë në shpjegimin, se pse qëndrimi në shtëpi për të ngadalësuar përhapjen e epidemisë së koronavirusit cilësohet i gabuar.

Edhe pse, thonë studiuesit, ai nuk ka të ngjarë të rrisë nivelet e vetmisë apo të na sëmurë mendërisht. Sëmundjet kronike si kanceri zhvillohen gjatë dekadave, dhe jo në pak javë apo muaj të një karantine kombëtare. Dhe megjithëse studimet për majmunët kanë zbuluar, se reagimi i sistemit tonë imunitar ndaj izolimit shoqëror mund të fillojë shpejt, çdo rezistencë e reduktuar ndaj virusit që mund të sjellë kjo praktikë e paparë kombëtare, mund të kompensohet nga ekspozimi më i ulët ndaj koronavirusit.

Dhe është diçka që ia vlen. “Këto lloj masash, nuk po përpiqen t’ju bëjnë të ndjeheni të vetmuar, por synojnë ta bëjnë virusin të ndjehet i ‘vetmuar”-thotë Stefani Kaçiopo, ndihmësprofesore e psikiatrisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Çikagos, që studion marrëdhëniet shoqërore dhe vetminë.

Shumica e njerëzve që po zvogëlojnë kontaktet fizike, nuk po mbyllen vetëm në dhoma të izoluara. Ata qëndrojnë bashkë me disa të afërm apo miq. Dhe media sociale, shpesh e cilësuar si një kërcënim për strukturën sociale, duhet të shihet tani si një rrugë shpëtimi.

“Njerëzit do të ndjehen të izoluar dhe të vetmuar, vetëm nëse nuk bëjnë përpjekje për t’iu afruar njëri-tjetrit. Ndaj ajo që duhet të bëjmë, është t’u telefonojmë njerëzve tanë në telefon dhe Skype”- thotë Fiske.

“Edhe pse kemi evoluar për të qenë të ndërvarur nga njëri-tjetri, ne kemi evoluar gjithashtu të kemi mendje të arsyeshme, që të kuptojnë se situata e rrugëve të boshatisura dhe shkollave të​e mbyllura, nuk do të zgjasë përgjithmonë”- thotë Kaçiopo./washingtonpost/ KultPlus.com