Holanda eksperimenton me një festival me shumë njerëz në kohë pandemie

Një festival muzikor është duke u mbajtur në Holandë pavarësisht se gati e tërë bota po mban masa të rrepta të mbylljes për shkak të COVID-19.

Ky festival po zhvillohet në formë të eksperimentit me qëllim që të shikohet nëse ka ndonjë mundësi që këto organizime të mëdha të rinisin dhe të mbahen pa ndikuar në përhapjen e virusit, raporton BBC, transmeton KultPlus. Pjesëmarrësit në këtë koncert ishin të gjithë pa maska dhe nuk mbahej distanca sociale. I gjithë festivali po zhvillohet sikur të mos ekzistonte virusi.

Disa prej pjesëmarrësve janë shprehur të entuziazmuar që kanë mundur të marrin pjesë sërish në një ngjarje muzikore me shumë njerëz.

Kujtojmë se shumë vende të botës nuk kanë liruar masat, madje i kanë shtrënguar ato për të parandaluar një valë të tretë të infektimeve me koronavirus, pavarësisht se tashmë shumë prej këtyre vendeve janë duke vaksinuar popullatën e tyre.

Vetëm në Evropë, që nga fillimi i pandemisë kanë vdekur mbi 1 milion njerëz duke u bërë kështu rajoni i parë që e kalon këtë shifër të të vdekurve nga COVID-19. / KultPlus.com

Cima lajmërohet nga Intensiva: Gjendja ime është e rëndë, ju lutem respektoni masat

Aktori i mirënjohur kosovar, Rasim Thaçi “Cima”, ka publikuar një shkrim në Facebook (të shkruar nga djali i tij), duke treguar gjendjen e tij pas prekjes me Covid-19.

“Cima” ka shkruar se gjendja e tij është e rëndë, teksa ka lavdëruar punën e stafit mjekësorë. Ai ka lutur të gjithë qytetarët që të respektojnë sa më shumë masat anti-Covid.

“Gjendja ime është ende e rëndë , por stabile , jam në përkujdesjen e Doktorrëve dhe infermierëve 24h si unë po ashtu edhe për të gjithë Pacientët e tjerë , ku nuk mungon vullneti dhe shpirti i tyre luftarak , për ne që po përballemi me këtë betejë aspak të lehtë e në luftë sy më sy”, thuhet në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Po lajmërohem pas një jave të vështirë !

Një javë më parë ju lajmërova për gjendjen time që ishte duke u përmirësuar , mirpo të nesërmen deri vonë natën mu keqsua gjendja , ku edhe u detyruan që nga klinika infektive të më dërgojnë në repartin intenziv , ku vazhdoj të jem edhe më tej.

Gjendja ime është ende e rëndë , por stabile , jam në përkujdesjen e Doktorrëve dhe infermierëve 24h si unë po ashtu edhe për të gjithë Pacientët e tjerë , ku nuk mungon vullneti dhe shpirti i tyre luftarak , për ne që po përballemi me këtë betejë aspak të lehtë e në luftë sy më sy.

I lutem Zotit , së pari për shëndetin e të gjithë pacientëve e po ashtu edhe të Doktorreve me stafin e tyre që po rrezikojnë për ne , e të dalim faqe bardhë nga kjo situatë.

Po ashtu ju falenderoj nga zemra të gjithë ju që po interesoheni për gjendjen time vazhdimisht , shpresoj herën tjetër të jem edhe në gjendje më të mirë.

Ju lutem respektoni masat sa më shumë.

Me respekt Cima./ KultPlus.com

Pavarësisht pandemisë, Finlanda ende vendi më i lumtur në botë

Finlanda u rendit vendi më i lumtur në botë për të katërtin vit radhazi, sipas një raporti të OKB , rreth një vit pasi OBSH shpalli koronavirusin një pandemi.

Studiuesit thanë se kjo “nuk erdhi si befasi”, duke cituar që Finlanda “gjithmonë ka qenë shumë lartë në masat e besimit të ndërsjellë që kanë ndihmuar në mbrojtjen e jetëve dhe mjeteve të jetesës gjatë pandemisë”, transmeton KultPlus.

Finlanda ishte një nga 23 vendet e anketuara që kishin një grua kryetare të qeverisë.

”Raporti Botëror i Lumturisë” bazohet në tre vjet sondazhe të kompanisë ”Gallup” se sa të lumtur e perceptojnë veten qytetarët.  / KultPlus.com

Mjekët dhe infermierët italianë nominohen për çmimin Nobel për Paqe

Mjekët, infermierët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor në Itali janë nominuar për çmimin “Nobel” për paqe 2021 në vlerësim të përpjekjeve të tyre në luftën me pandeminë Covid-19.

Ata janë nominuar si të parët në botën perëndimore, të cilëve iu desh të përballeshin me një urgjencë shëndetësore shumë serioze.

Kandidatura, e miratuar nga Komiteti Norvegjez i Nobelit në Oslo, u paraqit nga dega italiane e fondacionit “Gorbachev”, për të njohur faktin se “punonjësit shëndetësorë italianë ishin të parët në botën perëndimore që u përballën me një urgjencë shëndetësore shumë serioze, në të cilën ata u drejtuan për shërimin e mundshëm, duke luftuar për të shpëtuar jetë dhe shpesh duke humbur jetën e tyre.”

Siç kërkohet nga protokolli, propozimi u nënshkrua zyrtarisht nga një fitues i çmimit “Nobel” për paqe. Lisa Clarku, amerikane që jeton në Toskanë dhe ka dhënë ndihmë vullnetare gjatë krizës së Covidit-19, firmosi propozimin. Clarku është bashkëpresidente e Byrosë Ndërkombëtare të Paqes, organizatë së cilës në vitin 1910 iu dha “Nobeli” për faktin që shërbeu “si një lidhje midis shoqërive të paqes në vende të ndryshme të botës”.

“Asgjë si kjo nuk është parë për dekada. Punëtorët e mjekësisë nuk menduan më për veten e tyre, por për atë që mund të bënin për të tjerët duke përdorur ekspertizën e tyre”, u shpeh  Clarku, transmeton KultPlus.

Çmimi “Nobel” për paqe do të jepet, më 10 dhjetor 2021. / KultPlus.com

Çifti i të moshuarve mposht Covid-19 dhe ribashkon duart mes lotëve

Dashuria e mposht koronavirusin. Shembulli më i mirë për këtë është çifti italian Rosina dhe Giuseppe, të cilët edhe pse në gjendje të rëndë arritën të mundnin virusin vdekjeprurës.

Falë punës të personelit shëndetësor ata ishin në gjendje të ritakoheshin dhe të mbanin duart e njëri-tjetrit për disa çaste ku nuk munguan as emocionet e as lotët, shkruan Ora News.

Imazhet prekëse që vijnë nga spitali në Romë, i cili ka qenë gjithmonë në ballë të betejës në Covid edhe në këtë valë të tretë./ora/KultPlus.com

Flet mjeku kosovar që mori vaksinën e AstraZeneca në Kukës

Në Qendrën Rajonale të Telemjekësisë në Kukës të hënën ka filluar vaksinimi kundër korona virusit me kurën e Astra Zeneca.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, të gjithë mjekët kosovarë duhet të shkojnë në Kukës për t’u vaksinuar meqë kontrata e blerjes së vaksinës nuk lejon dhurimin e saj si donacion për Kosovë.

Mjeku kosovar Blerim Feka e kaloi kufirin të hënën për tu imunizuar kundër koronavirusit.

Pasi regjistrohet, gjinekologu ka për tu vaksinuar me kurën anti-covid të AstraZeneca për çka thotë se nuk hezitoi aspak.

“Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe më bën vaksinën kundër Covid-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për tu vaksinuar kundër Covid-19”, tha ai për Klan Kosovën.

Me këtë vaksinë këto ditë në Shqipëri ka filluar imunizimi i mësimdhënësve ndërsa vetëm në Kukës janë vaksinuar mbi 40 të tillë.

Ata që morën vaksinën u siguruan nga përgjegjësit e vaksinimit se kjo dozë nga skandinavia nuk ka efekt anësor trashjen e gjakut siç u raportua në disa vende europiane vendet e fundit./klankosova/ KultPlus.com

Sivjet nuk ka pushim pranveror për nxënësit e Kosovës

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në detyrë, Xhavit Rexhaj, ka bërë të ditur  se sivjet nuk do të ketë pushim pranveror për nxënës në shkollat e Kosovës.

Sipas Rexhajt, në ditët kur do te mbahej pushimi pranveror do të mbahet mësim për të kompensuar orët e humbura mësimore gjatë COVID-19.

“Ditët e pushimit pranveror do të shkojnë të 8-tat dhe ndoshta katër ditë të tjera, kryesisht të shtuna që të kompensohen ditët e pushimit”, tha Rexhaj për KALLXO.com.

Ai shtoi se ky vendim është marrë në dhjetor të vitit të kaluar por, sipas tij, sot ua kanë rikujtuar institucioneve të arsimit.

“Vendimi është marrë në kohën kur është bë pushimi dimëror, në atë kohë, por, nuk e kanë lexu disa dhe ne ua kemi përkujtuar sot dhe atë ditë (në dhjetor) është bërë edhe kalendari”, shtoi më tej Rexhaj.

Gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Kosovës ka filluar më 18 janar me planin e njëjtë siç kishte filluar gjysmëvjetori i parë. Pra, me tre skenarë të cilët ishin përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme./rtk/ KultPlus.com

Infermierja e sëmurë me kancer rrezikon kohën qe i ka mbetur për të ndihmuar pacientët me Covid

E ulur në shtratin e dhomës së saj të ndenjes, me një filxhan çaj në dorë, Krista Bose, ka tronditur botën me rrëfimin e saj.

Ajo rrëfen jetën e saj prej paciente dhe mjeke pasi Bose vuan nga kanceri.

Bose 27-vjeçare po lufton me kancerin për herë të dytë. Periudha e parë i kushtoi asaj disa kocka dhe pjesën më të madhe të muskujve në këmbën e majtë. Shufrat metalikë kanë zënë vendin e kockave dhe stërvitja e forcës ka ndihmuar në rindërtimin e disa muskujve.

Por, në katër muajt e fundit, nuk është vetëm kanceri që po qëndron midis saj dhe një diplome mjekësore, por është COVIDI-19.

Kimioterapia e vazhdueshme e ka dobësuar  sistemin e saj imunitar sa që ajo është konsideruar “klinikisht jashtëzakonisht e ndieshme”,  madje edhe simptomat më të lehta të coronavirusit mund të jenë vdekjeprurëse.

Boses i është kërkuar të qëndrojë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur, duke shkuar vetëm për stërvitje ose takime shëndetësore të mos punojë në një spital, e cila është ajo që kërkohet për të përfunduar trajnimin e saj mjekësor.

“Të ndihesh sikur ke aftësi, ke njohuri, mund të jesh një pasuri për ata pacientë, është e vështirë të ndihesh sikur po harxhohesh mënjanë”, tha ajo.

Ka rreth 200 mijë mjekë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, sipas BMA-së. Kjo do të thotë se mijëra mund të mos jenë në gjendje të punojnë në vijën e frontit gjatë një krize shëndetësore kombëtare./ KultPlus.com

Shoqata e Gastronomëve bëjnë thirrje që sonte të fiken dritat dhe muzika nëpër lokale

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka ftuar sot të gjithë pronarët e lokaleve në nivel vendi që në orën 20:00 t’i ndalin dritat dhe muzikën për 5 minuta, kjo në shenjë të një vjetorit të shfaqjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Ata përmes një postimi në rrjetin social Facebook, përkujtuan ditën e 13 marsit ku u shkaktuan shumë viktima, shumë biznese falimentuan si dhe shumë punëtorë që mbetën pa punë si pasojë e kufizimeve të shumta që shkaktojë përhapja e virusit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:

FTESË PUBLIKE

Të dashur gastronomë, punonjës, qytetarë të vendit,

Sot me 13 mars, po bëhet një vit që po përballemi me pandeminë Covid-19.

Shumë punëtorë të papunë, shumë biznese të falimentuara, e mbi të gjitha, shumë viktima të shkaktuara.

Për nder të të gjithë atyre që ishin në vijë të parë të frontit duke u përballur me të padukshen e të dukshmen, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ju fton të gjithëve, që sonte në ora 20:00, T’I NDALIM DRITAT DHE MUZIKËN PËR 5 MINUTA në të gjitha lokalet e gastronomisë, në të gjitha hotelet, marketet, butiqet, shtëpitë, banesat, pra në tërë Kosovën.

Së bashku deri në fundin e kësaj beteje!/ KultPlus.com

Koronavirusi dyfishoi punën e grave

Që nga e hëna e tretë e muajit mars, të vitit 2020, Blerta Zogiani Gjonbalaj nga Prishtina, është duke punuar nga shtëpia.

Si pasojë e përhapjes së koronavirusit, kompania ku ajo punon, mori vendim që të gjithë të largohen nga zyra dhe të punojnë në shtëpitë e tyre.

Kjo 30-vjeçare, e cila jeton në Prishtinë bashkë me burrin dhe dy fëmijët e saj, ka krijuar një zyrë pune në dhomën e pritjes.

Ajo tregon se sa e vështirë ka qenë që të përballen me këtë situatë për gati një vit.

“Në fillim menduam që për shumë shkurt jemi duke dalë (të punojmë nga shtëpia), askush nuk e paramendoi që do të jetë kaq gjatë. Ka pasur shumë situata që i kemi kaluar me shumë stres, ka pasur situata që përnjëmend të ka ardhur të qash sepse nuk e ke ditur më se çfarë të bësh përtej asaj. Na ishte bërë një ngarkesë shumë e madhe, nuk e dinim se çka është të përballesh me COVID-19”, thotë ajo.

Përveç lodhjes dhe stresit nga izolimi, frika nga infektimi me koronavirus ishte e pranishme brenda familjes katëranëtarëshe.

Në muajin korrik të vitit 2020, kur në Kosovë ishte shtuar numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi nuk shpëtuan pa u infektuar me koronavirus as Blerta dhe burri i saj.

“Burri e ka punën prej shtëpisë, e ka më pa orar, e ka punën më shumë nga kjo pjesa kreative, është animator edhe ka pasur punë kohë pa kohë, e unë është dashur të jem shumë mbështetëse në këtë rast edhe ta kuptoj tepër shumë, se çdoherë kur ai nuk ka qenë, është dashur të jem ajo tjetra që e merr primatin për të vazhduar për t’u kujdesur për fëmijë e krejt dhe përgjatë asaj të kujdesem edhe për punën time”, thotë ajo.

Dhuna në familje u rrit gjatë pandemisë
Shumë gra në Kosovë janë përballur me dhunë në familje, papunësi dhe punë të papaguar. Vlora Tuzi Nushi, nga organizata UN Women në Kosovë, thotë se pandemia ka thelluar ndasitë gjinore në Kosovë.

Sipas saj, prej fillimit të pandemisë në muajin mars të vitit të kaluar, në Kosovë janë raportuar 650 raste të dhunës në familje, kryesisht në zonat urbane.

Krahasuar me vitin 2019, ka pasur rritje për 22 për qind. Ajo thotë se një krim i tillë është bërë më i padukshëm gjatë pandemisë.

“Kishim një rritje të shpejtë të raportimit të rasteve të dhunës në familje, sepse tanimë shumica e grave dhe vajzave që ishin të abuzuara edhe më herët, ishin të mbyllura me abuzuesin, pa pasur qasje në mundësitë, apo mjetet e informimit për të kërkuar ndihmë”, thotë ajo.

Pandemia ka prekur edhe gratë në biznes, ndonëse numri i tyre është shumë i vogël, pasi vetëm 11 për qind e bizneseve në Kosovë janë në pronësi të grave.

Gjatë vitit pandemik është rritur edhe numri i grave që kanë humbur vendet e tyre të punës.

“Në vlerësimin e parë ishte 5 për qind, rënia apo humbja e vendeve të punës, përderisa në vlerësimin e dytë pas disa muajsh, ajo u ngrit në 12 për qind dhe me siguri (situata) do të jetë edhe më e rëndë tani në vlerësimin e tretë”, thotë ajo.

Një prej pasojave tjera që i ka goditur më së shumti gratë është edhe rritja e punës së papaguar. Sipas Vlora Tuzi Nushit, ka të ngjarë që ndikimet negative të pandemisë COVID-19 për gratë dhe familjet, sidomos në shëndetin mendor, të zgjasin me vite.

“Prandaj, ne kemi ofruar edhe psikologë pa pagesë në strehimore, të cilët janë marrë me rehabilitimin e këtyre rasteve në mënyrë që ato ta kalojnë këtë situatë sa më lehtë”, thotë Tuzi Nushi.

Prej fillimit të pandemisë në muajin mars të vitit 2020, mbi 1 mijë e 600 pacientë në Kosovë e kanë humbur betejën me koronavirus./rel/ KultPlus.com

Europa, një vit pas pandemisë

Një vit më parë, më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin një pandemi globale.

Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, vendet evropiane shpresonin që sistemet e tyre shëndetësore të mirëfinancuara do të ofronin një lloj mbrojtjeje, por kontinenti u godit fort që në fillim dhe vazhdon të përballet me nivele të larta infeksioni.

Qyteti Kodonjo, në Italinë veriore, ende mbart vragën e famës së padëshiruar si epiqendra e shpërthimit të parë të epidemisë së koronavirusit në Evropë.

Më 20 shkurt të vitit të kaluar, një 38-vjeçar u shtrua në spital me probleme të frymëmarrjes. Të nesërmen u diagnostikua me koronavirusin. Kryemjeku Francesco Tursi kujton tmerrin që pasoi.

“Dëgjuam për një, dy, tre raste dhe menjëherë u mbushëm me pacientë me probleme serioze të frymëmarrjes, nuk merrnin dot frymë. Nuk kishim kohë as të mendoheshim. Kjo ndryshoi vërtet jetën tonë”, tregon Dr. Tursi.

Pak muaj më vonë, vetë dr. Tursi u infektua me virusin dhe kaloi një muaj i shtruar në spital.

Ndërsa rastet u shumëfishuan, Italia veriore hyri në izolim. Ishte një masë e pakët dhe e vonuar. Në ditët në vazhdim, disa vende evropiane njoftuan raste të reja.

Derisa OBSH-ja shpalli pandeminë globale më 11 mars, Spanja, Franca dhe disa vende të tjera evropiane kishin imponuar masa izolimi.

Por, Britania rezistoi duke e shtyrë izolimin për dy javë të tjera, kundër sugjerimeve shkencore.

“Nëse do të kishim vendosur masa izoluese një javë më herët, do ta kishim zvogëluar numrin e viktimave me të paktën gjysmën”, thotë Neil Ferguson, ish-këshilltar shkencor i qeverisë britanike.

Britania pati numrin më të madh të viktimave në Evropë gjatë vitit 2020. Ekonomia e saj ishte gjithashtu e goditur fort – u tkurr me gati 10%.

“Mbretëria e Bashkuar është shembull i shkëlqyer i konceptit se kur përpiqesh të zgjedhësh mes shëndetit publik apo ekonomisë, i humbet të dyja”, thotë Dr. Peter Drobac, nga Universiteti i Oksfordit.

Në Turqi, doktorët akuzonin qeverinë për fshehje të nivelit të vërtetë të pandemisë, ndërsa spitalet mbusheshin me pacientë.

Edhe Rusia u akuzua për manipulim; doktorët thonin se niveli i vërtetë i vdekjeve ishte ndoshta tre herë më shumë se numri zyrtar prej 57 mijë të vdekurish gjatë vitit 2020.

Ndërsa masat izoluese vazhduan gjatë verës, qeveritë në mbarë Evropën injektuan miliarda në ekonomitë e tyre për t’i ruajtur bizneset dhe vendet e punës. Borxhi publik u ngjit në pikiatë.

Por ndërsa viti i zymtë 2020 i afrohej fundit, shkenca ofroi shpresë. Provat klinike treguan se disa vaksina ofrojnë mbrojtje të fortë nga COVID-19. Britania u bë vendi i parë perëndimor që filloi një program vaksinimi masiv.

“Nuk mund të nënvlerësojmë përmasat e arritjes së kësaj – nga identifikimi i një virusi të ri dhe zbardhja e kodit të tij gjenetik në janar 2020, të kesh 11 muaj më vonë një numër vaksinash të sigurta dhe jashtëzakonisht efektive”, thotë Dr. Drobac.

Rreziqet shtrihen ende përpara. Infektimet mbeten të larta dhe ekziston frika për variante më rezistente të virusit që qarkullojnë në Evropë.

Në Kodonjo, dr.Tursi vazhdon të kurojë pacientët. Si qindra mijëra punonjës të tjerë në pararojë, ai rrezikoi jetën e tij për t’i ndihmuar të tjerët të mbijetojnë. Pandemia e ka ndryshuar jetën në mënyra të panumërta – dhe nuk ka përfunduar ende./voa/ KultPlus.com

‘Sot i mbusha 94 vjeç, nuk dua dhurata vetëm vaksinë’

Për 94-vjetorin e nënës së saj, Margot Rockett ka vendosur para shtëpisë së saj një banderolë me një mesazh që ndërthur humorin me indinjatën: “Sot bëj 94 vjeçe! Jo dhuratë, vetëm vaksinë! Ju lutem”.

Në Kanada, çdo rajon është ngarkuar për zbatimin e fushatës së vaksinimit kundër COVID-19. Por, qeveria federale e Justin Trudeau, e ngarkuar me blerjen e vaksinave, është bërë objekt i kritikave këto javët e fundit për furnizimet e ngadalta, si pasojë e vonesave të livrimeve nga kompanitë Pfizer dhe Moderna.

Të martën, në prag të ditëlindjes së Nina Rockett, vajza e saj Margot kuptoi se nënës së saj do t’i mungonte vaksina.

Atëherë, ajo pati një ide për këtë banderolë, shkruar me dorë dhe shfaqur në fasadën e shtëpisë së nënës së saj, në metropolin më të madh të Kanadasë, kufizuar që prej dhjetorit.

“Unë isha e lodhur dhe doja që bota ta dinte se ajo është 94 vjeçe dhe se meriton ta bëjë këtë vaksinë. Ajo dëshiron ta bëjë atë”, shpjegon ajo, duke dënuar në veçanti atë që ajo i konsideron shumë premtime të pambajtura të drejtuesve të vendit.

Pas miratimit të vaksinave të Pfizer-BioNtech dhe Modernas në dhjetor, Kanadaja ishte një prej vendeve të para që ndërmori një fushatë të gjerë vaksinimi, duke iu dhënë prioritet personave të moshuar. /atsh/ KultPlus.com

Piktorja që portretizoi 105 persona të vijës së parë të fronit me pandeminë e COVID-19

Jaysharee Krishnan është piktorja e cila ka realizuar më shumë se 150 portrete të njerëzve në vijën e parë të fronit me pandeminë me koronavirus.

Sipas saj, secili person i portretizuar nga ajo, tregon një rrëfim përmes syve.

“Secili person e tregon rrëfimin e tij të ngjarjes përmes syve të tij. Qëllimi im ishte që të kapja atë moment”, ka thënë ajo.

Krishnan e cila ka kaluar dy orë me një portretizim ka thënë se pothuajse gjysma e kohës së saj shpenzohet në sytë e të tjerëve, shkruan CNN.

Pothuajse shumica e personave të portretizuar prej që ka nisur pandemia janë doktorë, infermierë dhe të tjerë që janë përballur të parët me punën e vështirë tash e një vit. Shumica e fytyrave të tyre janë të mbuluara me maska dhe mburoja.

Piktorja Krishnan 50 vjeçare punon nga një studio në Seattle të Shteteve të Bashkuara. Gjithçka nisi me dy portrete të dy kushërinjve të saj të cilët punon 13 orë në ditë, shtatë ditë të javës në një spital në Michigan. Ajo nuk është ndalur duke portretizuar këdo që kërkon t’ia bëjë një portret dhe këto kërkesa vijnë në të shumtën e rasteve nga uebsajti i saj por gjithashtu përmes rrjeteve sociale./ KultPlus.com

Ishulli grek pa Covid-19, të gjithë banorët të vaksinuar

Vendi i parë pa Covid-19 në Evropë është ishulli Kastelorizo në Greqi, ku të gjithë banorët janë vaksinuar.

Një javë më parë rreth 500 banorët që jetojnë në ishullin e vendosur në skajin lindor të vendit, disa kilometra larg bregut turk, morën dozën e dytë të vaksinës Pfizer.

Kjo është një strategji specifike e qeverisë së Athinës e cila ka zgjedhur të imunizojë së pari vendet turistike, transmeton KultPlus.

Për më tepër, në këtë mënyrë, duke imunizuar fillimisht ishujt e saj të largët, Greqia synon të shmangë kolapsin e qendrave më të vogla mjekësore, të cilat janë më të rrezikuara prej vështirësive të lidhjes me pjesën tjetër të shtetit helen.

Nga nisja e pandemisë autoritetet greke kanë diagnostikuar rreth 200 mijë raste me COVID-19, prej së cilave 6,632 janë mbyllur me pasojë vdekjen. / KultPlus.com

A po i vjen fundi pandemisë?!


Shumë njerëz po u druajnë mutacioneve dhe valës së tretë të përhapjes së koronavirusit, por shkalla e infektimeve me COVID-19 është duke rënë në tërë botën. Kjo gjë ka ngritur pyetjen nëse virusi po e humb fuqinë apo janë masat shëndetësore ato që më në fund kanë filluar ta japin efektin e tyre?

Me afrimin e pranverës në hemisferën veriore, shumë njerëz janë duke e humbur durimin me pandeminë. Duan ta kenë një kufizim kohor se kur do të hiqen gradualisht izolimet, se kur mund të presin që të vaksinohen dhe kur i gjithë pluhuri i ngritur nga kriza shëndetësore do të fashitet.

Debati është nxitur nga deklaratat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth një përfundimi të afërt të pandemisë së koronavirusit. Në pyetje është një “pretendim” i drejtorit për Evropë i OBSH-së, Hans Henri Kluge, dhënë për radion daneze se pandemia “do të përfundojë brenda pak muajsh”, transmeton KultPlus.

Pas një debati të nxehtë mes ekspertëve dhe diskutimeve në rrjetet e mediave sociale, Kluge ka thënë për transmetuesin “ZDF” në Gjermani se ai në fakt nuk e ka thënë një gjë të tillë. Përkundrazi, ai ka thënë se askush nuk mund ta parashikojë se kur do të përfundojë pandemia. “Do të thosha – si hipotezë që mund të ndodhë – se pandeminë do ta lëmë prapa supeve nga fillimi i vitit 2022”, ka thënë drejtori i OBSH-së. “Koronavirusi ende do të ekzistojë, por masat parandaluese nuk do të jenë më të nevojshme”, ka shtuar ai.

Deklarata e pretenduar nga drejtori i OBSH-së ka ndikuar që shkencëtarët “ta kapin kokën në duar”. Virologu nga spitali “Charite” në Berlin, Christian Drosten, i ka kundërshtuar të gjitha spekulimet se virusi është duke e humbur fuqinë.

“Deri më tani nuk ka shenja se ndonjë mutacion i njohur është duke u dobësuar. Ky do të ishte spekulim i pastër”, ka thënë Drosten. Sipas tij, situata mund të përkeqësohet dhe jo të përmirësohet më 2021.

Për këtë arsye, Karl Lauterbach, epidemiolog dhe ligjvënës gjerman në Bundestag, është shprehur kundër lehtësimit të menjëhershëm të masave.

Në fund të shkurtit, numri i infektimeve me SARS-CoV-2 në tërë botën ishte rreth 114 milionë. Rreth 2.5 milionë të infektuar kanë vdekur dhe më shumë se 64.4 milionë janë shëruar.

Sipas raporteve të OBSH-së, infektimet globale janë ulur dukshëm për gati dy muaj, shumë më shpejt sesa që është parashikuar. Në mes të janarit, çdo ditë janë shfaqur nga 700.000 infektime të reja globalisht, kurse tani numri ka rënë më shumë se gjysma e kësaj shifre. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i ka quajtur të dhënat e ulëta si “shenjë shpresëdhënëse”.

“Kjo prirje na e rikujton se ndonëse sot po diskutojmë për vaksinat, COVID-19 mund të mundet dhe kontrollohet me masa të dëshmuara të shëndetit publik. Dhe këtë gjë e kanë bërë shumica e vendeve”, ka thënë ai.

Janë gjetur shumë arsye për rënien e dukshme të rasteve në tërë globin. Ato janë duke u përdorur si argument për të ecur tutje. Është e qartë se vaksinimi nuk është e vetmja arsye, pasi që vetëm një pjesë e vogël e popullsisë tanimë është vaksinuar.

Masat e distancës fizike dhe higjienës kanë dhënë rezultate në shumë vende.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Brazil janë infektuar kaq shumë njerëz saqë është duke u arritur një lloj imunizimi bazik i popullsisë. Do të mund të duket e çuditshme, por sipas disa studiuesve virusi mund të jetë dobësuar shumë, për shkak të mutacioneve. Sipas një studimi nga universitetet në Atlanta dhe Pennsylvania, të publikuar në mes të shkurtit, parashikohet se mutacionet shumë shpejt do ta shtyjnë koronavirusin që të kalojë nga pandemia në endemi – një proces ky që fushata globale e vaksinimit po mundohet ta arrijë.

“Përvojat e kaluara me gripa kanë treguar qartë se në një pikë të caktuar, gjitha pasojat e infeksionit kanë gjasa të zhduken përnjëherë”, ka thënë Klaus Stöhr, epidemiolog që udhëheq Programin Global për Gripa në OBSH. “Dy pandemitë shkatërruese të gripave – gripi aziatik më 1957, që la të vdekur mbi 4 milionë njerëz, dhe gripi i Hong-Kongut më 1968, prej të cilit kanë vdekur mbi 3 milionë persona – janë zhdukur aq shpejt sa edhe janë shfaqur”, ka argumentuar ai.

Në rastin e gripit spanjoll pas Luftës së Parë Botërore, vala e dytë kishte shkaktuar më së shumti vdekje – më shumë se 50 milionë, mes viteve 1918 dhe 1920. Vala e tretë ishte larguar shpejt, por patogjeni kishte mbetur. Në një formë më të dobët, virusi H1N1 shfaqet në një grip tërësisht normal në ditët e sotme. Edhe virusi SARS-CoV-2 mund ta përshkojë të njëjtin shteg, mbase duke u shfaqur vetëm lokalisht.

Nëse dobësohet nga mutacionet, do të bëhet më pak i rrezikshëm. Sidoqoftë, derisa trendët pozitivë globalë të stabilizohen, baraspeshimi mes masave dhe lehtësimeve të mundshme do të vazhdojë. / KultPlus.com

Infermieri italian: Është dëshpëruese të mos kesh fare idenë se kur do të mund të përfundojë kjo histori

Një infermier me veshje antiCovid, i kapur në një moment nga një kamerë sigurie. Qëndron ulur mbi një krevat, me duart kapur, e pamundur të shohësh shprehjen e fytyrës, por qëndrimi i tij tregon qartësisht lodhje.

Quhet Flavio de Cicco, punon në spitalin Monaldi të Napolit dhe dje ka shkruajtur në Facebook mendimet e tij në lidhje me luftën kundër koronavirusit:

“Eshtë dëshpëruese të mos kesh fare idenë e kur do të mund të përfundojë kjo histori.

Eshtë dëshpëruese të mos mundesh të kujtosh pothuaj asnjëherë, se kur filloi.

Eshtë dëshpërues numri i rasteve në rritje të vazhdueshme.

Eshtë dëshpërues agresiviteti i këtyre varianteve.

Eshtë dëshpëruese të shohësh rënien e moshës mesatare të të prekurve.

Eshtë dëshpëruese të të duhet t’ithuash një djaloshi 26-vjeçar se gjithçka do të shkojë mirë, por që duhet të intubohet.

Eshtë dëshpëruese të të duhet t’i thuash babait 40-vjeçar të dy fëmijëve, para se të bjerë në gjumë, se me siguri do i shikojë sërish fëmijët e vet, ndërkohë që të mblidhet një lëmsh në fyt.

Eshtë dëshpëruese të vazhdosh të shikosh njerëz që na lënë.

Eshtë dëshpëruese moskokëçarja e vazhdueshme e disave.

Eshtë dëshpëruese lodhja psikologjike me të cilën, ashtu si shumë kolegë të mi, po e jetoj këtë moment.

Jam i dëshpëruar”.

Një fotografi e saktë e realitetit. Një apel për angazhimin dhe ndjeshmërinë e të gjithëve, pikërisht disa orë përpara se në Milano, qindra të rinj të nisnin një festë me muzikë, vallëzim dhe në fund një sherr. Një zë që duhet dëgjuar. / Corriere della Sera/ KultPlus.com

Edhe një burg në karantinë si pasojë e COVID-19

Kontaminuar nga pandemia e koronavirusit, burgu i Namurit, në juglindje të Belgjikës, u vendos në karantinë dhe të ndaluarit janë kufizuar në qelitë e tyre, njoftoi sot administrata e burgjeve.

Më shumë se gjysma e 132 të ndaluarve dhe rreth 60 nga 115 anëtarë të personelit janë testuar pozitiv që prej zbulimit të rastit të parë në fillim të javës së kaluar.

“Një i ndaluar është shtruar në spital”, theksoi zëdhënësja e administratës Kathleen De Vijver.

“Situata është gjykuar shumë serioze”, shtoi ajo.

Administrata ka vendosur të kufizojë të ndaluarit në qelitë e tyre dhe të vendosë një karantinë parandaluese. Produkte higjene u janë shpërndarë dhe kanë marrë një vakt të nxehtë në ditë. Por, ata janë privuar nga shëtitjet, vizitat dhe nuk mund të hyjnë në dhomat e dushit.

Varianti britanik i koronavirusit, shfaqur në 2020 dhe më përhapës, është tashmë dominues në Belgjikë, ku autoritetet kërkuan dje një kujdes më të madh përballë shenjave të para të rritjes së epidemisë./atsh/ KultPlus.com

Zbuluan vaksinën kundër COVID-19, çifti turk merr vlerësimin e lartë nga Gjermania

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, do të dekorojë zbuluesit e vaksinës kundër COVID-19, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, me Urdhrin e Meritës për kontributin e tyre në “frenimin e pandemisë së koronavirusit”.

Sipas mediave të huaja, themeluesit e BioNTech, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, do të marrin “Kryqin Federal të Meritës” për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit, njoftoi të premten zyra presidenciale e Gjermanisë.

Dhe ky do të jetë çmimi i parë i “Urdhrit të Meritës” i presidentit Gjerman Frank-Walter Steinmeier personalisht këtë vit.

Steinmeier e përgëzoi çiftin, duke thënë se ata kishin dhënë një kontribut vendimtar “në frenimin e pandemisë së koronavirusit”, shkroi presidenti në Facebook.

Ndërkohë bëhet e ditur, se përveç Steinmeier, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Pallatin Bellevue më 19 mars./ KultPlus.com

Biden: Vini maskën pasi përbën një gjest patriotik

Vendose maskën, bëje për veten, për familjen tënde dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi veshja e saj përbën një gjest patriotik, deklaroi presidenti amerikan, Joe Biden.

Këtë deklaratë Biden e bëri gjatë një vizite në një fabrikë të Pfizer në Michigan.

“Kjo administratë drejtohet nga shkenca sepse nuk ka asnjë mur për t’u mbajtur kundër pandemisë”, shtoi ai.

“Paraardhësi im, Donald Trump, nuk urdhëroi numrin e duhur të vaksinave”, shtoi ai./ KultPlus.com

‘South Park’ rikthehet me episodin special me temë vaksinimin kundër COVID-19

‘South Park’ do të rikthehet me një episod të veçantë muajin e ardhshëm.

Regjisorët Trey Parker dhe Matt Stone kanë deklaruar se po sjellin “Specialen e Vaksinimit” për admiruesit muaji tjetër. Sezoni i fundit i ‘South Park’ ishte në 2019-n.

Ndjekur nga episodi paraprak ‘Speciali i Pandemisë’, tash episodi i ri do të paraqesë qytetarët që tentojnë të sigurojnë vaksinat kundër COVID-19, shkruan NME.

Episodi i ri vjen pas konfirmimit për datën e premierës së sezonit të 24 të serive të animuara, i cili është shtyrë vitin e kaluar për shkak të pandemisë./ KultPlus.com

Virusi mund të mos zhduket kurrë, por të shndërrohet në një bezdi të lehtë

Me kalimin e kohës, virusi i familjes korona do të shndërrohet në një “tjetër kafshë të kopshtit zoologjik”, duke u bërë pjesë e sëmundjeve të tjera infektive, me të cilat njerëzimi është mësuar të jetojë, ka bërë të ditur mjeku T. Jacob John, i cili i studion viruset dhe ka udhëhequr përpjekjet e Indisë për frenimin e polios dhe HIV/AIDS-it

Çfarë ndodh nëse COVID-19 nuk largohet asnjëherë?

Ekspertët kanë thënë se ka të ngjarë që ndonjë version i sëmundjes të vazhdojë të qarkullojë midis njerëzve për vite me radhë. Por se si do të duket e ardhmja, kjo çështje është shumë pak e qartë.

A mund të ndodhë që koronavirusi, prej të cilit kanë vdekur më shumë se 2 milionë njerëz në çdo cep të botës, të çrrënjoset në fund të fundit me anë të fushatës globale të vaksinimit, njëjtë sikurse në rastin e virusit të lisë? A ka gjasa që SARS-CoV-2 t’i bishtnojë vaksinës me anë të mutacioneve të reja, të rrezikshme? Apo mbase virusi mund të mbetet edhe për një kohë të gjatë, duke u shndërruar në një bezdi të lehtë, siç është rasti me gripin e zakonshëm?

Me kalimin e kohës, virusi i familjes korona do të shndërrohet në një “tjetër kafshë të kopshtit zoologjik”, duke u bërë pjesë e sëmundjeve të tjera infektive, me të cilat njerëzimi është mësuar të jetojë, ka bërë të ditur mjeku T. Jacob John, i cili i studion viruset dhe ka udhëhequr përpjekjet e Indisë për frenimin e polios dhe HIV/AIDS-it.

Por këtë gjë, megjithatë, askush nuk e di me siguri.

Virusi është duke evoluar me shpejtësi dhe variante të reja janë duke u shfaqur në vende të ndryshme. Rreziku prej këtyre varianteve të reja ishte vënë në pah, kur “Novavax Inc.” kishte zbuluar se vaksina e saj nuk funksionon kundër mutacioneve të virusit që po qarkullojnë në Britani të Madhe dhe në Afrikën e Jugut.

Sa më shumë që përhapet, thonë ekspertët, aq më shumë rriten gjasat që virusi i ri të jetë në gjendje t’iu shmanget testimeve, trajtimeve dhe vaksinave të deritanishme.

Aktualisht shkencëtarët pajtohen se prioriteti i menjëhershëm është vaksinimi i numrit sa më të madh të njerëzve brenda afatit sa më të shkurtër të mundshëm. Hapi i radhës, sipas ekspertëve, është më pak i sigurt dhe varet nga forca e imunitetit të ofruar nga vaksinat, si dhe infeksionet e natyrshme.

“A do të jenë njerëzit shpeshherë pre e infektimeve të vazhdueshme? Ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme që ta dimë këtë gjë sigurt”, ka thënë Jeffrey Shaman, studiues nga Universiteti i Columbias. Sikurse shumë studiues të tjerë, Shaman beson se gjasat që vaksinat të ofrojnë imunitet të përjetshëm janë shumë të vogla.

Nëse njerëzit duhet të mësohen të jetojnë më COVID-19, natyra e bashkëjetesës varet jo vetëm nga kohëzgjatja e imunitetit, por edhe nga evoluimi i virusit. A do të pësojë mutacione të mëdha çdo vit, të cilat do të kërkonin vaksinim vjetor, sikurse për gripin? Apo, a do të shfaqet çdo disa vjet?

Këto pyetje i ka ngritur Jennie Lavie, virologe në universitetin “Emory”, e cila është bashkautore e studimit më të fundit të publikuar në revistën “Science”. Ky studim ka projektuar një skenar relativisht optimist.

“Pasi që shumica e njerëzve i janë ekspozuar deri më tani virusit – ose nëpërmjet vaksinimit apo pas infeksionit të natyrshëm – patogjeni do të vazhdojë të qarkullojë, por do të shkaktojë vetëm sëmundje të lehta, njëjtë siç bën ftohja e zakonshme”, ka bërë të ditur studimi.

Përderisa imuniteti i siguruar nga koronaviruset e tjera – sikur ato që shkaktojnë të ftohtin e zakonshëm ose sëmundjet SARS dhe MERS – zbehet me kohë, simptomat pas riinfektimit zakonisht janë më të buta sesa në sëmundjen fillestare, ka thënë Ottar Bjornstad, bashkautor i studimit, i cili i studion viruset pranë Universitetit Shtetëror të Pennsylvannias.

“Të rriturit zakonisht nuk kanë simptoma të rënda, po qe se kanë qenë të ekspozuar më herët”, ka thënë ai.

Parashikimi në studimin e “Science” është bazuar në analizën e hollësishme rreth asaj se si koronaviruset e tjerë janë sjellë me kalimin e kohës dhe supozohet se SAR-CoV-2 vazhdon të ndryshojë, por jo shumë shpejt ose në mënyrë radikale.

Image

Pandemia e gripit spanjoll të vitit 1918 mund të ofrojë të dhëna mbi rrjedhën e COVID-19. Patogjeni i këtij gripi ishte virusi H1N1 me gjene që kishin prejardhjen nga zogjtë, e jo një koronavirus. Asokohe nuk ishte zhvilluar asnjë vaksinë.

Qendrat për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë parashikuar se një e treta e popullsisë botërore ishte infektuar. Me kalimin e kohës, pasi që njerëzit e infektuar ose vdiqën ose krijuan imunitet, virusi ndaloi së përhapuri me shpejtësi. Pas kësaj, kishte ndryshuar formë për t’u bërë më pak virale, në atë që ekspertët thonë se vazhdon të qarkullojë çdo stinë.

“Shumë zakonshëm, pasardhësit e pandemive shndërrohen në gripa stinorë më të lehtë, që ne i përjetojmë për shumë vjet”, ka thënë Stephen Morse, studiues i viruseve në Universitetin e Columbias.

Nuk është ende e qartë se si mutacionet e ardhshme të SARS-CoV-2 do ta formësojnë trajektoren e sëmundjes së tanishme.

Nëse variantet e reja shfaqen – disa më infektuese, disa më virulente dhe disa ndoshta më lehtë reaguese ndaj vaksinave – shkencëtarët e potencojnë faktin se sa pak dinë për të ardhmen e viruseve, ka thënë Mark Jit, studiues i virologjisë në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.

“Kemi ditur diçka për këtë virus vetëm për afro një vit, kështu që ende nuk kemi të dhëna për të treguar me saktësi për sjelljen e tij në pesë apo 10 vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai.

Gagadeep Kang, një eksperte e sëmundjeve infektive në Kolegjin Mjekësor në Vellore të Indisë Jugore, ka thënë se mutacioni i viruseve ngre pyetje të reja.

Në cilën fazë virusi bëhet një lloj i ri? A do të kenë nevojë për vaksinime nga e para? Apo a mund të jepet një dozë përforcuese?

“Këto janë pyetje që duhet të adresohen në të ardhmen”, ka thënë Kang.

E ardhmja e koronavirusit mund të ndryshojë me sëmundjet e tjera ngjitëse që kanë mposhtur në masë të madhe vaksinat që prodhojnë imunitet të përhershëm – siç është fruthi.

Përhapja e fruthit është zvogëlohet theksueshëm, pasi që shumica e njerëzve janë vaksinuar.

Por ndryshimet dinamike me kalimin e kohës mund të prodhojnë shfaqje të reja të rasteve, andaj ato kanë tendencë të jenë ciklike, ka shpjeguar Jayaprakash Mulivil, ekspert i epidemive dhe këshilltar për viruse në Qeverinë indiane.

Ndryshe nga fruthi, fëmijët e infektuar me COVID-19 nuk shfaqin çdoherë simptoma të qarta, porse mund ta bartin sëmundjen tek të rriturit më të brishtë.

Një tjetër e panjohur lidhur me koronavirusin është edhe ndikimi afatgjatë i imunitetit ndaj COVID-19 tek pacientët që e kanë mbijetuar, ka thënë Kang.

“Deri më tani nuk kemi pasur shumë sëmundje që kanë pasur tek njerëzit ndikim të kësaj shkalle”, ka thënë ajo. /ap/ KultPlus.com

Puthja e infermierëve bën xhiron e botës, u dashuruan në repartin Covid

Pavarësisht se ishin të veshur me kostumin special kundër koronavirusit, Michele dhe Antonella, i dhuruan një puthje njëri-tjetrit duke shpërndarë dashurinë e tyre në të gjithë botën.

Ata u dashuruan në repartin e koronavirusit në poliklinikën e Barit dhe ditën e Shën Valentinit spitali zgjodhi ata për të dhënë një mesazh shprese përmes fotografisë që i portretizon së bashku.

“Dashuria lindi në pavion”, lexohet ngjitur me foton. Dy infermierët u takuan dhe u dashuruan gjatë izolimit të parë të muajit mars, kur ishte e ndaluar dalja përveçse mund të shkoje në punë.

“Poliklinika më dha atë që të gjithë ëndërrojnë dhe veçanërisht në një periudhë kaq të vështirë për të gjithë”, thotë Michele Bonasia, i cili e nisi punën marsin e kaluar në poliklinikë. / KultPlus.com

Lajm i mirë: Javën e kaluar në botë pati 17 për qind më pak raste, 10 për qind më pak viktima

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i rasteve të reja me Covid-19 në nivel botëror ka shënuar rënie për të katërtën javë me radhë.

Në përditësimin javor të të dhënave rreth gjendjes me pandeminë, OBSh-ja thotë se javën e kaluar u raportuan mbi 3.1 raste të reja me Covid-19, që është 17 për qind më pak se javën paraprake.

Ky është numri më i vogël javor i rasteve të koronavirusit në nivel global që nga java e fundit e tetorit, rreth 15 javë më parë, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Numrin më të madh të rasteve vazhdon ta kenë Shtetet e Bashkuara, me mbi 871 mijë të infektuar për një javë. Megjithatë, kjo shifër është për 19 për qind më e ulët se numri i javës paraprake.

Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu njoftoi se edhe Brazili, Franca, Rusia dhe Britania e Madhe janë në mesin e shteteve që raportuan më së shumti raste të reja javën e kaluar.

Nga rajonet e mëdha, Afrika e shënoi rënien më të madhe të numrit të rasteve të reja me 22 për qind më pak, ndërsa rënia më e vogël u shënua në Mesdheun Lindor me vetëm 2 për qind më pak raste se në javën paraprake.

Edhe numri javor i viktimave shënoi rënie për javën e dytë me radhë, me rreth 88 mijë të vdekur javën e kaluar, 10 për qind më pak se në javën paraprake. / KultPlus.com

Si e shkroi arti historinë e fatkeqësive të mëdha, që nga Murtaja e Zezë e deri te Covid-19

Si i kanë portretizuar artistët epidemitë gjatë shekujve, dhe për çfarë mund të na tregojnë veprat artistike, atëherë dhe tani? Emily Kasriel eksploron artin e murtajës nga “Vdekja e Zezë” deri në kohët aktuale të Covid-19.

Ndërsa komunitetet e tyre po përplaseshin me një armik të padukshëm, artistët shpesh janë përpjekur t’i japin kuptim shkatërrimit të rastësishëm, të sjellë nga murtaja. Interpretimi i tyre i tmerreve që ata panë, kanë ndryshuar rrënjësisht me kalimin e kohës, por ajo që ka mbetur konstante është dëshira e artistëve për të kapur thelbin e një epidemie. Përmes këtyre veprave artistike, ata e kanë rindërtuar murtajën si diçka jo aq amorfe, të panjohur ose tmerruese.

Gjatë pjesës më të madhe të historisë, artistët kanë përshkruar epidemitë nga korniza thellësisht fetare, brenda së cilës ata jetuan. Në Evropë, arti që përshkruante “Vdekjen e Zezë”, fillimisht u pa si një paralajmërim i ndëshkimit që murtaja do t’u sillte mëkatarëve dhe shoqërive që shkelnin normat e shenjta të devotshmërisë. Shekujt që pasuan sollën një rol të ri për artistin. Detyra e tyre ishte të inkurajonin ndjeshmërinë me viktimat e murtajës, të cilët më vonë u shoqëruan me vetë Krishtin, në mënyrë që të lartësonin dhe stimulonin kujdestarin e guximshëm. Gjenerimi i emocioneve të forta dhe shfaqja e forcës superiore për kapërcimin e epidemisë, ishin mënyra për të mbrojtur dhe sjellë ngushëllim në shoqëritë që vuajnë. Në kohët moderne, artistët kanë krijuar autoportrete për të treguar se si ata mund të durojnë dhe t’i rezistojnë epidemive, që shpalosen rreth tyre, duke rivlerësuar ndjenjën e dhembshurisë.

Përmes krijimtarisë, artistët kanë luftuar me pyetje rreth brishtësisë së jetës, marrëdhënies me hyjnoren, si dhe rolin e kujdestarëve. Sot, në kohën e Covid-19, këto imazhe historike na ofrojnë një shans për të reflektuar në këto pyetje dhe për të bërë pyetjet tona.

Murtaja si paralajmërim

Në një kohë kur pak njerëz mund të lexonin, imazhe dramatike me një histori tërheqëse, u krijuan për të rrëmbyer njerëzit dhe për t’i bërë përshtypje me pamundësinë e fuqisë së Zotit për të ndëshkuar mosbindjen. Vdekja e murtajës u pa, jo vetëm si ndëshkim i Zotit për ligësinë, por si një shenjë, se viktima do të duronte një përjetësi vuajtjesh në botën e përtejme.

Ky imazh është një nga përfaqësimet e para të Rilindjes së Artit të epidemisë së “Vdekjes së Zezë”, e cila vrau rreth 25 milion njerëz në Evropë, gjatë viteve të saj më shkatërruese. Në këtë dorëshkrim të ilustruar të pikturuar në Toskanë, në fund të Shekullit të 14-të, djajtë gjuajnë shigjeta për të shkaktuar tmerr mbi një grumbull njerëzish. Vrasja përshkruhet në kohë reale, me një shigjetë, që do të godasë kokën e njëres prej viktimave. Simboli i shigjetave, si bartës të sëmundjeve, fatkeqësive dhe vdekjeve tërheq një metaforë të pasur shigjete, në Dhiatën e Vjetër dhe mitologjinë Greke.

Në këtë kuptim të murtajës, apokalipsi shtrihen për përfitimin përfundimtar të njerëzimit

Historiani australian i artit, Dr Louise Marshall, argumenton se, në ilustrime si ky, djajtë janë nënkontraktuar nga Zoti për të shkatërruar njerëzimin për mëkatet e tyre. Njerëzit mesjetarë që panë këtë imazh do të tmerroheshin nga krijesat me krahë, sepse ata besonin se djajtë kishin dalë nga bota e nëndheshme për t’i kërcënuar ata me fuqi të pabesueshme.

Ky portretizim na tregon masakrën e djallit, pa dallim, duke dalë nga atmosfera e korruptuar e reve të errëta për të ndëshkuar të gjithë komunitetin. “Imazhi vepron si një paralajmërim, jo vetëm i humbjes së një komuniteti por edhe i fundit të botës”, thotë Dr Marshall. Në këtë kuptim të murtajës, apokalipsi vendoset për përfitimin përfundimtar të njerëzimit, në mënyrë që të mësojmë gabimin e mënyrave tona dhe të përmbushim vullnetin hyjnor, duke jetuar një jetë të vërtetë të krishterë.

Narrativa e ndëshkimit të murtajës, gjithashtu bën pjesë në historinë e çlirimit të popullit hebre nga Egjipti, ritreguar nga komunitetet hebreje çdo vit në festën e Pashkëve. Ky imazh i njërës prej 10 plagëve të sjella mbi egjiptianët fajtorë vjen nga një Haggadah i ndriçuar i Shekullit 14. Dorëshkrimi u porosit nga hebrenjtë në Katalonjë, për ta përdorur në vaktin e tyre vjetor të Pashkës. Këtu, Faraoni dhe një prej oborrtarëve të tij goditen nga çibanë për mëkatet e tyre, që ishte keqtrajtimi i skllevërve izraelitë, për të cilët, Egjiptianët pretenduan se po shtoheshin si insekte. Profesori i fesë dhe kulturës vizuale, Dr. Marc Michael Epstein, tregon “ndëshkimin ekstrem të zbuluar në detaje të këtij imazhi, tre qentë që lëpijnë plagët e furishme të pronarëve të tyre mëkatarë egjiptianë”.

Veprat artistike të krijuara gjatë periudhave të murtajës, i kujtuan edhe më të fuqishmit, se jeta e tyre ishte e brishtë dhe e përkohshme. Në shumë piktura të murtajës theksohet vdekja e papritur. Përsëritet imazhi i makabritetit, ku të gjithë inkurajohen nga personifikimi i vdekjes, për të kërcyer në varrin e tyre. Ekziston gjithashtu një përdorim i gjerë i orës për të paralajmëruar besimtarët, se ata kishin kohë të kufizuar për të rregulluar punët dhe shpirtrat e tyre para se murtaja t’i merrte ata pa paralajmërim.

Ndjeshmëri frymëzuese e murtajës

Pati një zhvillim dramatik në artin e murtajës me krijimin e Il Morbetto (Murtaja), e gdhendur nga Marcantonio Raimondi në fillim të Shekullit 16, bazuar në një vepër të Raphaelit.

Sipas historianit amerikan të artit të murtajës, Dr. Sheila Barker, “ajo që është domethënëse për këtë imazh të vogël është përqendrimi i tij tek disa individë, të dalluar nga mosha dhe gjinia e tyre”. Këta personazhe janë humanizuar, duke na detyruar të ndiejmë dhembshuri për vuajtjet e tyre. Ne i shohim të sëmurëve duke u dhënë një kujdes kaq të butë, saqë mendojmë se edhe ne duhet të veprojmë për të lehtësuar dhimbjen e tyre. Këtu, një vepër arti ka potencialin të na bindë të bëjmë diçka që mund të kemi frikë ta bëjmë – duke u kujdesur për shpirtrat e atyre që lëngojnë nga sëmundje ngjitëse.

Ky ndryshim në artin e murtajës përkoi me një kuptim të ri të shëndetit publik. Të gjithë anëtarët e shoqërisë meritonin të mbroheshin, jo vetëm të pasurit që mund të arratiseshin në vilat e tyre. Mjekët gjithashtu që largoheshin nga qyteti për sigurinë e tyre, do të ndëshkoheshin.

Kjo temë e ndjeshmërisë u zhvillua më tej në Shekujt 17 dhe 18, me përafrimin më të afërt të Kishës Katolike me një agjendë të shëndetit publik. Arti i murtajës filloi të shfaqej brenda kishave dhe manastireve. Vuajtësit e murtajës tani shoqëroheshin me vetë Krishtin. Dr Barker argumenton, se qëllimi pas këtij identifikimi ishte “për të bindur fretërit të kapërcenin frikën e tyre nga aroma e kalbur e trupit që po vdiste dhe pafundësia e vdekjes, duke mësuar të duan viktimat ngjitëse të murtajës”. Ata që u kujdesën për të sëmurët potencialisht sakrifikuan veten e tyre dhe për këtë arsye u lartësuan, duke u portretizuar si të shenjtë.

Fuqia shëruese

Në Shekullin e 17-të, shumë njerëz besuan se imagjinata kishte fuqinë për të dëmtuar ose shëruar. Artisti francez, Nicolas Poussin pikturoi “Plagën e Ashdod” (1630-1631) në mes të një shpërthimi murtaje në Itali. Në një rekreacion të një skene të largët tragjike biblike, e cila provokon ndjenja tmerri dhe dëshpërimi, Dr. Barker beson se “artisti donte të mbronte shikuesin nga vetë sëmundja, që përshkruan piktura”. Duke zgjuar emocione të fuqishme për një pikëllim të largët, shikuesit do të përjetonin një spastrim, katharsis, duke u çliruar nga ankthi që e rrethon.

Murtaja e lisë e shkatërroi Japoninë gjatë shumë shekujve. Një vepër arti e krijuar në vitin 1892 përshkruan luftëtarin mitik samuraj, Minamoto no Tametomo, që i reziston dy perëndive të lisë, variola madhore dhe variola minore. Luftëtari, i njohur për qëndresën dhe guximin e tij, portretizohet si i fortë dhe i sigurt, i veshur me rroba zbukurimi të kuqe të thellë dhe i armatosur me shpata dhe një mbajtës plot shigjeta. Në të kundërt, perënditë e lisë së ikur, të frikësuar dhe pa ngjyrë, janë shteruara pa ndihmë në cep të figurës.

Navigimi i dhimbjes përmes autoportretit

Artistët modernë dhe bashkëkohorë kanë krijuar autoportrete, për të kuptuar vuajtjen e tyre të murtajës, ndërsa sodisin temat transhendente të jetës dhe vdekjes.

Kur “Gripi Spanjoll” goditi Evropën menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, artisti norvegjez, Edvard Munch u bë një nga viktimat e tij. Ndërsa trupi i tij ishte ende duke u ndeshur me gripin, ai pikturoi traumën e tij – të zbehtë, të rraskapitur dhe të vetmuar, me një gojë të hapur. Goja e zbrazët i bën jehonë veprës së tij më të famshme, The Scream, dhe mbase përshkruan vështirësinë e frymëmarrjes së Munch në atë kohë. Ekziston një ndjenjë e fortë e çorientimit dhe shpërbërjes, me figurën dhe peizazhin që përzihen së bashku në një delir të perceptimit. Fytyra e artistit duket si një kufomë ose një gjumë i përshtatshëm, që largohet dhe kthehet natën. Ndryshe nga disa përshkrimet e mëparshme të Munch për sëmundjen, në të cilat ai portretizon të dashurit e personit të sëmurë, duke pritur me ankth dhe frikë, artisti këtu e portretizon veten si viktimë, i cili duhet ta durojë këtë murtajë i izoluar dhe i vetëm.

Akademikja amerikane, Dr Elizabeth Outka i thotë BBC Culture: “Munch nuk është thjesht mbajtja e një pasqyre për natyrën, por gjithashtu ushtrimi i një kontrolli përmes rimagjinimit të saj.” Outka beson se arti shërben si një mekanizëm përballimi, si për artistin ashtu edhe për shikuesin. “Shikuesi mund të përshkohet nga një ndjenjë të thellë njohjeje dhe dhembshurie për vuajtjet e Munch, i cili në një farë mënyre mund të ndihmojë në shërimin e shqetësimit të tyre.”

Në vitin 1918, artisti austriak, Egon Schiele ishte duke punuar në një pikturë të familjes së tij, me gruan e tij shtatzënë. Fëmija i vogël i paraqitur në pikturë përfaqëson fëmijën e palindur të çiftit. Atë vjeshtë, të dy Edith dhe Egon vdiqën nga “Gripi Spanjoll”. Fëmija i tyre nuk lindi kurrë. Schiele u kushtonte shumë rëndësi autoportreteve, duke shprehur ankthin e tij të brendshëm përmes pozicioneve të çuditshme të trupit. Cilësia e tejdukshme e lëkurës është e papërpunuar, sikur të na jepet një vështrim të brendshëm të torturës së tyre, dhe shprehjet e fytyrës janë të prekshme, ndërsa japin dorëheqjen njëkohësisht.

David Wojnarowicz ishte një artist i SH.B.A.-së që krijoi një organ të veprimtarisë së SIDA-s, duke kritikuar me pasion qeverinë amerikane dhe kishën katolike, për dështimin për të promovuar informacione të seksit të sigurt. Në një autoportret thellësisht personal, të patitulluar, ai reflekton mbi vdekshmërinë e tij. Rreth gjashtë muaj para se të vdiste nga AIDS, Wojnarowicz po ngiste makinën nëpër Luginën e Vdekjes në Kaliforni, kur ai i kërkoi shoqëruesit të tij udhëtues, Marion Scemama, të ndalonte. Ai zbriti nga makina dhe me tërbim filloi të gërryente tokën me duar, para se të varroste veten.

Ashtu si në autoportretin e një Munch të prekur nga gripi, Dr Fiona Johnstone, një historian bashkëkohor i artit nga MB, e sheh këtë vepër si David Wojnarowicz duke u përpjekur të pohojë asgjesimin. “Këtu David merr kontrollin e fatit të tij, duke e paragjykuar atë, duke luftuar përsëri kontrollin e sëmundjes së tij, duke kryer varrosjen e tij,” thotë ajo.

Platformat e sotme dixhitale po u mundësojnë artistëve t’i përgjigjen krizës Covid-19 duke shprehur dhe shpërndarë në kohë reale veprimtarinë e tyre krijuese. Artisti i lindur në Irlandë, Michael Craig-Martin ka krijuar një poster lulesh Thank You NHS. Ne jemi të inkurajuar të krijojmë bashkë vepra arti, duke e shkarkuar, ngjyrosur dhe më pas duke bashkëpunuar, duke e shfaqur në dritaren tonë.

Në gjithë vendet e botës, artistët ngadalë po i japin kuptim koronavirusit dhe reagimit të vetë-izolimit në vendet e tyre përmes artit. Historianët e artit bashkëkohor do të presin me padurim punën e tyre. Ne që po jetojmë përmes kësaj murtaje të ditëve moderne, do të angazhohemi me këto imazhe në zhvillim; ata madje mund të rimarrin një farë kontrolli mbi një përvojë që kërcënon aq shumë njerëzimin dhe jetën tonë të globalizuar.

Nga Emily Kasriel

Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com