Karolina e Veriut mbërriti një tjetër rekord të zymtë me 98 vdekje brenda 24 orësh nga Covid 19. Deri tani, gati 6000 vetë kanë humbur jetën nga pandemia në këtë shtet.
Mes tyre janë edhe Sherwood Pope dhe gruaja e tij, Doris. I cituar nga Foxnews, i biri Shelton Pope rrëfen se prindërit e tij ishin të martuar prej 61 vjetësh.
“Për ta, familja ishte gjithçka”, thotë ai; ishin gjithmonë të gatshëm të ndihmonin këdo që kishte nevojë, shton Shelton. Sipas tij, e ëma kishte nisur të ndihej keq pas Ditës së Falënderimeve, transmeton KultPlus.
Ajo rezultoi e prekur nga koronavirusi dhe shumë shpejt, mezi merrte frymë. Nuk vonoi shumë, dhe u pa se Sherwood gjithashtu ishte infektuar. Të dy u dërguan në spitalin UNC Rex, ku shtretërit e tyre u vendosën pranë njëri tjetrit.
“Ishte gjëja më e vështirë që dikush duhej të bënte. … Ata vdiqën duke u kapur për dore. Me sa duket, babai u largua i pari, dhe nëna një apo minuta më vonë”, tha Shelton.
Në Karolinën e Veriut, personat e moshës 75 vjeç e lart përbëjnë 59% të vdekjeve. Ata ndërmjet 65 dhe 74 vjeç përbëjnë 23% të viktimave. Ky vend ka qenë thuajse I pandryshueshëm që prej muajit mars. / KultPlus.com
Festat e fundvitit janë tashmë tema kryesore në mbarë botën në lidhje me pandeminë, pasi krerët e shteteve iu frikësohen grumbullimeve të mëdha, gjë që mund të çojë në përkeqësimin e situatës me koronavirusin.
Për këtë arsye, pjesa më e madhe e Europës ka shtuar masat, orën policore, madje nuk do të lejojë dhe mbajtjen e meshave brenda në kisha për festën e Krishtlindjeve.
E nëse kjo situatë krijon imazhin e festave të zymta, për kreun e Kishës nuk është kështu. Papa Françesku mendon se pavarësisht masave këto do të jenë Krishtlindjet më të vërteta, përcjell KultPlus.
“Këtë vit do të kemi masa shtrënguese, por le të mendojmë për Krishtlindjen e virgjëreshës Maria dhe Shën Jozefit; nuk ishte fushë me lule. Sa vështirësi kaluan ata! Megjithatë besimi, shpresa dhe dashuria, i drejtuan dhe mbështetën në çdo hap”, u shpreh Ati i Shenjtë gjatë një audience për vlerat e Krishtlindjes. / KultPlus.com
Qindra vetë morën pjesë në “tubimin e lirisë” gjatë fundjavës së kaluar në një qytezë të vogël në shtetin e Uashingtonit, pasi kryetari i Bashkisë refuzoi të detyronte banorët të zbatonin masat anti-COVID, të miratuara nga guvernatori.
Mosirok (Mossyrock), në kontenë Ljuis, është një qytezë me vetëm 800 banorë, ku asnjëri nuk pranon të ruhet nga koronavirusi, edhe pse në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara shifrat janë alarmante dhe në të gjithë globin, pandemia ka shkaktuar mbi 1.6 milionë viktima.
“Në qytezën tonë, momentalisht nuk ka asnjë rast të raportuar me Covid-19 dhe asnjë vdekje që lidhet me të”, tha kryebashkiaku Randal Sasser, në një radio lokale, duke justifikuar vendimin për moszbatimin e rregullave të Guvernatorit Jay Inslee, sipas të cilit të gjitha bizneset duhet të kufizojnë të pranishmit brenda ambienteve të tyre, në të kundërt do të duhet të gjobiten me disa mijëra dollarë.
Që prej muajit mars, sipas Sasser, në të gjithë distriktin e kontesë që përfshin qytezën dhe rrethinat, janë regjistruar vetëm 80 raste nga 23 mijë banorë, por askush nuk e ka njoftuar për raste në qytezën e tij. Mosirok njihet në zonë për festivalin e përvitshëm të birrës, që zakonisht tërheq 5000 turistë./ KultPlus.com
Prezantuesja e njohur e televizionit, britanikja Sharon Osbourne njoftoi sot se po shërohet nga COVID-19.
“Doja të ndaja me ju që kam rezultuar pozitiv për Covid 19,” shkroi të hënën në mediat e saj sociale Osbourne, 68 vjeçe, gruaja e legjendës së muzikës metal Ozzy Osbourne dhe nëna e personaliteteve televizive Jack dhe Kelly Osbourne.
“Pas një shtrimi të shkurtër në spital, tani jam duke u rikuperuar në një vend larg Ozzy (i cili ka rezultuar negativ) ndërsa ‘The Talk’ është në pauzë. Të gjithëve ju lutem qëndroni të sigurt dhe të shëndetshëm”.
Vajza e saj Kelly Osbourne, 36 vjeçe, në një postim në twitter një ditë më parë ndoshta rastësisht shkruante.
“Unë nuk mendoj se rregullat për Covid duhet të zbatohen. Duhet të jetë e paligjshme të mos u thuash njerëzve se jeni pozitiv për Covid. Mos harroni ju jeni po aq të sëmurë sa sekretet tuaja. Për mendimin tim nëse e mbani të fshehtë diagnozën tuaj pozitive për Covid, ju jeni një vrasës serik”. / KultPlus.com
Organizata Botërore e Shëndetësisë është në dijeni të variantit të ri të COVID-19 në Britani të Madhe që Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock e tregoi më parë gjatë një adresimi në parlament.
Mike Ryan, shefi i programit të urgjencave të OBSH-së, tha në një konferencë për shtyp në Gjenevë se “Ne jemi të vetëdijshëm për këtë variant gjenetik të raportuar në 1.000 individë në Angli.
“Autoritetet po shikojnë rëndësinë e saj. Ne kemi parë shumë variante, ky virus evoluon dhe ndryshon me kalimin e kohës”, tha tutje ai.
“Ky virus besohet se po përhapet shpejtë në Jug-Lindje të vendit”, kishte thënë sot, Hancock raporton BBC.
Përhapja po ndodh më shpejt se sa varianti ekzistues, me mbi një mijë raste deri më tani, shtoi Sekretari britanik.
Ndryshe, ka pasur raportime të variantit të ri në 60 zona të autoritetit lokal, dhe besohet se është i ngjashëm me atë të gjetur në vendet e tjera gjatë muajve të fundit./ KultPlus.com
Çmimi FIDES për kontribut në nivel kombëtar “Hasan Prishtina” ju ndahet tri mikrobiologeve në krye të detyrës, Dr. Pranvera Abazi, Dr. Donjeta Pllana dhe Dr. Zana Kaçaniku për kontributin e tyre të pashoq gjatë pandemisë.
Ato po punojnë ditë e natë në mënyrë që të kemi numrin e saktë të personave të infektuar me virus.
Pranvera Abazi, Donjeta Pllana dhe Zana Kaçaniku janë tre gratë mikrobiologe që merren ekskluzivisht me testimet për COVID-19. / KultPlus.com
Charley Pride, afroamerikani i parë që hyri në Grupin e të famshmëve të muzikës country, ka vdekur në moshën 86-vjeçare, ka bërë të ditur uebfaqja e tij.
Pride, që u bë i famshëm në vitet e ’60-a, vdiq të shtunën nga komplikimet si pasojë e COVID-19.
Emri i tij shpërtheu në kohën e ndarjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka fituar tre çmime Grammy.
Ylli i muzikës, Dolly Parton, e ka përshkruar Priden si “një nga miqtë më të dashur dhe më të vjetër” dhe se “ishte tejet e mërzitur” për lajmin për vdekjen e tij./ KultPlus.com
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka njoftuar mbylljen e dyqaneve, shkollave dhe qendrave të kujdesit ditor para Krishtlindjeve për të ndaluar rritjen e rasteve të koronavirusit.
Këto rregulla të reja do të hyjnë në fuqi nga e mërkura dhe do të kenë efekt deri më 10 janar.
Në një konferencë shtypi pas një takimi të udhëheqësve federalë dhe shtetërorë, ajo tha se vendi kishte nevojë urgjente për të adresuar rritjen eksponenciale të infeksioneve COVID-19.
Vendimi pritet të shkaktojë debate të mëdha për shitësit me pakicë, sistemin arsimor dhe publikun përpara festave të Krishtlindjeve.
Ku konsistojnë kufizimet e reja?
Të gjitha dyqanet dhe shërbimet jo-thelbësore do të mbyllen deri më 10 janar, duke përfshirë parukierët të cilët mbetën të hapur nën bllokimin aktual “lite”.
Shkollat mbyllen dhe mësimi vazhdon në shtëpi në internet si dhe të zgjasin pushimet e Krishtlindjeve deri më 10 janar.
Qendrat e kujdesit ditor gjithashtu do të mbyllen, por prindërit do të jenë në gjendje të bëjnë pushime me pagesë në mënyrë që të kujdesen për fëmijët e tyre.
Punëdhënësit inkurajohen të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia.
Njerëzit nuk do të lejohen të pinë alkool në publik.
Ngjarjet fetare në kisha, sinagoga dhe xhami mund të ndodhin nëse ndjekin rregullat e higjienës, por kënga komunale nuk lejohet.
Shtetet ende planifikojnë të lehtësojnë kufizimet më të rrepta të kontaktit për 24-26 Dhjetor në mënyrë që anëtarët e ngushtë të familjes të mund të kalojnë Krishtlindjet së bashku – një familje mund, gjatë kësaj kohe, të ftojë deri në katër të rritur nga familjet e tjera, por vetëm nga familja e afërt, plus çdo numër të fëmijë nën pesëmbëdhjetë vjeç.
Njerëzit mund të mos blejnë fishekzjarre për prag të Vitit të Ri.
Kancelarja gjithashtu rekomandoi që familjet që po planifikojnë të takohen duhet të izolojnë para një jave për të qenë të sigurt./ KultPlus.com
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shfaqur e prekur gjatë një fjalimi të mbajtur në Bundestag teksa ka bërë një bilanc të infektimeve dhe të vdekjeve.
Sipas Merkel, 509 viktima në ditë nga CoVid-19, janë një shifër e papranueshme.
Merkel tha se numri i infektimeve po “vazhdon të jetë ende i lartë” dhe se duhet zvogëluar sa më shumë të jetë e mundur” “Nëse shkenca na lutet që t’i reduktojmë kontaktet, duhet ta respektojmë”. Megjithatë, kancelarja gjermane njohu edhe progreset që janë bërë dhe tani “po shikohet drita në fund të tunelit”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i cilëson vaksinat e kompanive të ndryshme kundër koronavirusit, që tashmë e kanë siguruar aprovimin për t’u hedhur në treg, si mënyrën e vetme për ta luftuar COVID-19, si fenomenale, e që do t’i ndryshojë rregullat e lojës, në betejën me pandeminë. Por, asnjë prej këtyre vaksinave nuk është gati për Evropën, me përjashtim të Britanisë.
Duke folur nga Kopenhagen, drejtori i OBSH-së për Evropën foli për sasi të limituara të vaksinës në këtë kontinent, së paku në këtë fazë të parë.
“Së pari dhe pa asnjë dyshim, premisa e vaksinave është fenomenale, Shpërblimi është ndryshimi i lojës. Me më shumë se 200 vaksina, kandidate për vaksinën kundër COVID-19, e ardhmja duket ndjeshëm më e ndritshme. Me furnizimet që në këtë fazë të parë pritet të jenë në sasi të limituar, të gjitha vendet do të duhet të vendosin se cila kategori do të vaksinohet e para. Rekomandimi ynë janë punonjësit e shëndetësisë dhe ata socialë, më pas janë qytetarët të moshës nga 60 vjeç e lart”, u shpreh Hans Kluge.
Britania aprovoi përdorimin e vaksinës së Pfizer kundër COVID-19, duke hedhur një hap përpara pjesës tjetër të botës dhe nga kjo javë do të nisë vaksinimin në masë të popullsisë. Synimi, sipas qeverisë britanike, është vaksinimi i 67 milionë banorëve, pa asnjë përjashtim, edhe pse vaksina nuk do të jetë me detyrim. Pjesa tjetër e Evropës, por edhe SHBA, janë ende në pritje, edhe pse paraprakisht kanë dhënë aprovimin e tyre.
“Premisa e vaksinës është e jashtëzakonshme, por diçka është e qartë në këtë moment: vaksina nuk është këtu sot, jo çdokush do ta marrë sapo ajo të mbërrijë por secili prej nesh duhet të vazhdojë me praktikën e ndjekur deri tani: të kujdeset për distancën dhe të mbajë maskë”.
OBSH do të organizojë gjatë javës një takim me ministrat e shëndetësisë së 53 shteteve anëtare të saj, ku fokusi kryesor do të jetë mbrojtja e shkollave./ KultPlus.com
Aplikon për aprovimin e produktit të saj pranë Agjencisë Evropiane të Barnave.
Firmat farmaceutike Pfizer dhe BioNTech mund të nisin shpërndarjen në Evropë të dozave të vaksinës së tyre të përbashkët anti-COVID që këtë muaj.
Firmat dërguan këtë të Martë aplikimin e tyre pranë Agjencisë Evropiane të Barnave “EMA” për aprovimin për përdorim urgjent të produktit të tyre, që renditet mes vaksinave me efektshmërinë më të lartë të zhvilluara deri tani, 95%.
Pavarësisht se këto firma e kanë kapacitetin për të kryer shpërndarjen e dozave në një kohë rekord, agjencia evropiane me qendër në Amsterdam pritet ta japë aprovimin jo më herët se fundi i këtij muaji. Sipas përllogaritjeve të DË, vlerësimin e vaksinës Pfizer dhe BioNTech, “EMA” pritet të përfundojë më 29 Dhjetor, ndërsa atë të produktit të firmës tjetër Moderna që aplikoi të Hënën pranë kësaj agjencie, më 12 Janar.
Afati përkon me parashikimet e kreut të Institutit të Lartë të Shëndetit në Itali, i cili tha se fushata e vaksinimit në këtë vend do të nisë më 15 Janar të vitit të ardhshëm. Të njëjtën pritshmëri ka edhe ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn. Të parët që do t’i nënshtrohen vaksinimit janë shtresat e rrezikuara, mjekët dhe të sëmurët./ KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se do të dekoroj me Medalje Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 dhe humbën jetën nga ky infeksion, shkruan KulPlus.
Ajo ka thënë se ceremonia do të organizohet së shpejti në Presidencë në prani të familjarëve.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.
Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.
Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse./ KultPlus.com
Si pasojë e Covid 19, ka vdekur ish-futbollistit i njohur nga Lezha, Nikolin Lorenci.
Lorenci ishte i shtrirë në spitalin infektiv në Tiranë, por gjendja e tij iu përkeqësua dhe vdiq në mëngjesin e sotëm.
Nikolin Lorenci ka lindur me 13 Dhjetor 1949 në Lezhë. Ai e ka veshur zyrtarisht fanellën e Besëlidhjes në maj të vitit 1965 në ndeshjen Butrinti- Besëlidhja dhe që nga ajo kohë e deri në fund të sezonit 1978-79 nuk i është ndarë fushës së blertë duke thyer një rekord si titullar, pasi nuk ka munguar në asnjë ndeshje.
Nikolin Lorenci si futbollist me fanellën e Besëlidhjes ka luajtur në 5 sezone. Pasi ka lënë futbollin si lojtar, ai më vonë ka shërbyer si trajner i Besëlidhjes, si shef i sportklubit dhe si drejtor sportiv në akademitë private te futbollit ne Lezhe, “Brians” dhe “Porto”.
Më 4 dhjetor 2018 Këshilli bashkiak i Lezhës për kontributet e tij e shpalli “Qytetar Nderi” të Bashkisë. Më herët Nikolin Lorenci ka marrë dhe titullin “Mjeshtër Sporti”. / KultPlus.com
Rasti më i hershëm me Covid-19 është zbuluar më 17 nëntor, disa javë para se autoritetet të vërtetojnë virusin e ri sipas mediave kineze.
Rasti i parë i dikujt të prekur Covid-19 mund të gjurmohet tek data 17 nëntor 2019, sipas raportimit të mediave nga të dhëna të publikuara të qeverisë kineze.
Raporti në median ‘South China Morning Post’ thotë se autoritetet kineze kanë identifikuar së paku 266 njerëz që janë prekur nga virusi vitin e kaluar të cilët u shtrinë për kujdes shëndetësor, dhe rasti më i hershëm ishte 17 nëntori, disa javë para se autoritetet të njoftojnë emergjencën e virusit të ri.
Qeveria kineze ishte gjerësisht e kritikuar mbi përpjekjet për të mbuluar shpërthimin në javët e hershme, përfshirë edhe goditjet mbi mjekët të cilët u përpoqën të paralajmërojnë kolegët rreth virusit të ri Sars i cili ishte duke dalë në qytet e Wuhan’it të provincës Hubei, shkruan The Guardian, transmeton KultPlus.
Të dhënat e medias kineze, të cilat The Guardian thotë se nuk ka mundur t’i verifikojë, thonë se një 55 vjeçar nga province Hubei mund të ishte personi i parë I prekur me Covid-19. Pas një muaji pas kësaj date ishin pesë raste të reja të raportuara çdo ditë, thotë raporti, dhe më 20 dhjetor janë konfirmuar 60 raste./ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi të sot në ora 18:00. Masat, sipas këtij vendimi të qeverisë do të vlerësohen pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe si i tillë vlen deri në një vendim tjetër.
E nga Minsitria e Shëndetësisë kanë njoftuar edhe përmes një komunikate për media për hyrjen n fuqi të këtyre masave.
Sipas MSH’së nga sot, në orën 18:00, janë në fuqi masat e reja të Qeverisë së Kosovës lidhur me Covid-19.
Lëvizja e qytetarëve, është e përcaktuar sipas numrit të të infektuarve në 7 ditët e fundit në 100.000 banorë dhe masat janë të marra sipas kategorizimeve me zona.
Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 9 komuna si:
Komuna e Prishtinës, Fushë -Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Shtimes, Podujevës dhe Pejës dhe Ferizaj.
Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm me 76 deri me 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat (19) në vijim:
Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Leposavic, Deçan, Klinë, Drenas, Prizren, Hani i Elezit, Suhareka, Lipjani, Graçanica, Novobërda, Kamenica, Ranillugu, Parteshi, Vitia dhe Kaqaniku dhe Kllokoti.
Në zonën e gjelbërt bëjnë pjesë komunat (10) me rrezik të ulët, me 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat si në vijim:
Pa ndihmën dhe përkrahjen tuaj, nuk mund të arrijmë sukses. Pengimi i virusit është prioritet. Prandaj, të bëhemi bashkë për ta fituar këtë luftë nga një armik i përbashkët. Bashkëpunimi, mirëkuptimi, besimi, durimi, guximi dhe solidariteti, janë të tepër të domosdoshëm për të gjithë neve!/ KultPlus.com
Mbi 9 mijë e 400 raste aktive me koronavirus janë aktualisht në Kosovë dhe klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë mbushur me pacientë.
Një spital i veçantë për këta pacientë, është i domosdoshëm në këtë kohë kur numrat e të infektuarve po rriten çdo ditë, thonë në Klinikën Infektive në QKUK.
Për të gjetur një zgjidhje për këtë, më 20 shtator, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha se Spitali COVID-19 me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt.
“Po përgatitemi për çdo skenar. Ministria e Shëndetësisë ditëve në vijim do ta bëjë gati ‘Spitalin për COVID-19’, me 500 shtretër në Prishtinë”, kishte shkruar ndër të tjera ministri Zemaj në profilin e tij në Facebook.
Por, ky spital me këta shtretër për të cilët kanë nevojë klinikat në QKUK, ende nuk është gati.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje gjatë së enjtes nga ministri Zemaj për të ditur më shumë se kur do të jetë gati ky spital, mirëpo ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përballjen me COVID-19 e ka cilësuar si ‘një situatë të luftës’, pas vizitës që bëri të enjten në Klinikën Infektive, bashkë me ministrin Zemaj.
Hoti ka kërkuar të rritet efikasiteti në ofrimin e shërbimeve në QKUK dhe në spitalet rajonale, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të valës së dytë të pandemisë.
“Jemi duke bërë përpjekje maksimale bashkë me stafin mjekësor që të përmirësojmë furnizimin me oksigjen, të adaptojmë klinikat me shtretër shtesë, të angazhojmë krejt stafin, mjekë nëpër fusha të ndryshme, që të bëjnë punën ekipore për t’u dalë në ndihmë pacientëve”, tha kryeministri Hoti.
Klinikat në QKUK, të mbushura me pacientë
Në dy javët e fundit, në Kosovë është rritur numri i testimeve për COVID-19 dhe po ashtu është rritur edhe numri i të infektuarve dhe i të vdekurve.
Në shumicën e klinikave në QKUK, është duke u punuar me kapacitete të plota dhe ato janë të stërmbushur me pacientë. Situatë e njëjtë është edhe në spitalet rajonale.
Infektologu Salih Ahmeti tregon për Radion Evropa e Lirë se në javët e fundit, nuk kanë mundur t’i pranojnë në Klinikën Infektive të gjithë ata pacientë që kanë pasur nevojë për hospitalizim.
Ata janë dërguar në klinika të tjera, si në Pulmologji apo edhe në Mjekësinë Sportive.
“Në dhjetëditëshin e fundit është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë të domosdoshme për hospitalizim. Kryesisht janë raste të rënda, raste të cilat duhet të hospitalizohen dhe duhet të trajtohen me urgjencë. Në Klinikën Infektive ka dy javë apo dhjetë ditë që punojmë me kapacitete të plota”, thotë Ahmeti.
Infektologu Ahmeti thotë se një spital i tillë me 500 shtretër, është i domosdoshëm në këtë kohë, marrë parasysh se me fillimin e stinës së dimrit, situata epidemiologjike do të vështirësohet edhe më shumë.
“Është më se i nevojshëm dhe ai spital duhet të jetë në dispozicion tonin sa më parë. Dashtë Zoti të mos kemi nevojë ta shfrytëzojmë, por ne duhet të përgatitemi për rastet më ekstreme të kësaj epidemie. Ne kemi nevojë të kemi numër më të shtuar të shtretërve për personat që kanë nevojë për hospitalizim dhe në mënyrë të veçantë ata që kanë nevojë për kujdes intensiv”, thotë Ahmeti.
Çfarë është Spitali COVID-19?
Me qëllim të rritjes së kapaciteteve për t’u përballur sa më mirë me pandeminë e koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), synojnë të bëjnë gati ‘Spitalin COVID-19’.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, objekti i Klinikës Emergjente do të adaptohet për nevojat e pacientëve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Spitali COVID-19 është paraparë të ketë 500 shtretër dhe do të hospitalizohen kryesisht pacientët me COVID-19.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 22 tetor, pati deklaruar se janë duke përgatitur infrastrukturën në QKUK, që të ketë sa më shumë shtretër në dispozicion për pacientët me COVID-19.
Kosova po përgatitet për rritje të rasteve me COVID-19
Krasniqi kishte thënë se janë në përfundim të punimeve në objektin e Mjekësisë Sportive, për t’u vendosur shtretër shtesë, si dhe është duke u bërë zgjerimi i rrjetit me oksigjen dhe furnizimit të pajisjeve me oksigjen për gjitha spitalet në Kosovë.
Që nga fillimi pandemisë në muajin mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 26,888. Prej tyre, 784 pacientë kanë humbur jetën dhe 16,685 janë shëruar, derisa janë edhe 9,418 raste aktive.
Të enjten, Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat do të hyjnë në fuqi të premten, nga ora 18:00. /gazeta express/ KultPlus.com
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës njofton se nuk do të merr pjesë në protestën e ditës së sotme e cila kundërshton masat e reja të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19, shkruan KultPlus.
Këtë e kanë bërë të ditur nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në facebook.
‘’Jemi të distancuar nga protesta e cila është thirrur të mbahet sot në ora 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë’’, kanë njoftuar kjo shoqatë.
Tutje ata kanë theksuar se janë kundër organizimeve të cilat nuk respektojnë masat për luftimin dhe menaxhimin e pandemisë. /KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar për gastronomët pasi ata lejohen të punojnë deri në orën 19:00, ndërsa menjëherë fillon ora policore.
Ahmeti përmes një postimi në Facebook tha se punëtorët e gastronomisë duhet të marrin me vete dyshekët që të flejnë në kafe.
“Gastronomia lejohet të punojë deri në 19, ndërsa ora policore fillon në 19:00. Punëtorët e gastronomisë duhet të marrin me vete dyshekët dhe të flejnë në kafe ose të teleportohen në shtëpi”, ka shkruar Ahmeti.
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga nesër. Në komunat që janë në zonën e kuqe do të ketë orë policore nga ora 19:00. / KultPlus.com
Pandemia që ka përfshirë të gjithë botën, përpos pasojave në jetë njerëzish, tashmë ka filluar që të ketë një ndikim të madh edhe në ekonomitë e vendeve të ndryshme, shkruan KultPlus.
Ndonëse shumë vende tashmë kanë marrë të gjitha masat për rimëkëmbje ekonomike, por edhe sigurim të qytetarëve, një gjë të tillë në vendet e Ballkanit ka krijuar mjaft probleme.
Madje për qytetarët e Luginës së Preshevës, luftës së virusit, i është shtuar lufta nga varfëria. I riu nga Presheva, Driton Hyseni me anë të një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se nuk e dinë se nga do ju vijë vdekja, virusi, varfëria, apo Serbia.
“Vanë mendtë e mia, vanë… S’dimë a do vdesim nga virusi, nga varfëria, a nga Serbia?! #ShqiptarNëSerbi”, ka postuar ai./ KultPlus.com.
Komunat me rrezik të lartë, apo në zonë të kuqe Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen aktivitetet ekonomike pas orës 19:00.
“Në zonë të kuqe janë shtatë komuna, Prishtina, Podujeva, Gjakova, Gjilani, Ferizaji, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Shtimja. I kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00 me specifikat e manualit për mbrojtje nga koronavirusi. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik vendoset kufizim i plotë i qytetarëve, orë policore nga ora 19 në këto komuna. Ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 19:00”, ka deklaruar Hoti.
Hoti tha se masat do të hyjnë në fuqi nga kjo e premte.
“Kjo është zgjidhja më e mirë që kemi mundur të bëjmë, duke pasur parasysh interesat që ka ekonomia, por duke vendosur në rend të parë shëndetin publik. Masat do t’i dërgojmë për votim menjëherë pas kësaj konference. Masat hyjnë në fuqi të premten në orën 19:00, kur fillon mbyllja e komunave në zonë të kuqe. Gjatë ditës kemi lejuar aktivitetin ekonomik me masa strikte”, ka deklaruar Hoti./ gazeta express/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.
Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.
Në këtë intervistë, kryeministri Hoti po ashtu kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.
“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur ketë të dytën”, porositi ai.
Ai shtoi se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera.
Kosova gati në “limitet e kapaciteteve spitalore”
Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, në kohën kur po flasim, vendi po përballet me pandeminë, po shohim rritje të rasteve, po ashtu edhe masa të tjera. A po shkohet drejt mbylljes totale sërish?
Avdullah Hoti: Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa.
Jemi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor.
Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale.
Radio Evropa e Lirë: A ka mundësi të gjendet një mes, për shkak se po shohim që bizneset po kundërshtojnë mbylljen totale. Thonë se nuk do të mund të mbijetojnë. Do të thotë, si kryeministër i vendit, a shihni se ka ndonjë rrugë që do të mund t’i linte të kënaqura të gjitha palët?
Avdullah Hoti: Tash, sigurisht prioritet është jeta e qytetarëve, shëndeti publik. Po gjithashtu, unë besoj që po tregojmë edhe kujdesin e duhur edhe për aktivitetin biznesor, në mënyrë që të kenë mundësi bizneset, qytetarët, njerëzit të mbijetojnë, të sigurojnë të ardhurat e tyre për familje dhe mbijetesë, por mbi të gjitha është shëndeti.
Ne po mundohemi të konsultohemi vazhdimisht për masa që i ndërmarrim. Në të njëjtën kohë, me aq sa kemi kapacitete, t’ju ndihmojmë bizneseve gjatë periudhe të vështirë dhe ju kemi ndihmuar jo pak.
Deri më tani janë 270 milionë euro që i kemi shpërndarë në forma të ndryshme te bizneset, përfshirë edhe këtë shumën e fundit para dy-tri javësh, prej 60 milionë eurosh që shpërndamë te bizneset bazuar në numrin e punëtorëve. Edhe për vitin e ardhshëm e kemi paraparë Fondin për rimëkëmbje ekonomike. Nuk janë masa që i marrim me dëshirë. Po mundohemi që të balancojmë gjërat në vendimmarrje, por duke e vendosur si prioritet shëndetin publik.
“Kushdo që kërkon ndërprerjen e dialogut e ka shumë gabim”
Radio Evropa e Lirë: Kryeministër, ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës, Vjosa Osmani, ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë. Po ashtu edhe partneri i juaj në koalicionin qeveritar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që të ndërpritet dialogu për shkak të zhvillimeve të fundit, sa i përket Gjykatës Speciale. Cili është qëndrimi i qeverisë, çka do të ndodhë?
Avdullah Hoti: Zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet t’i lëmë anash, në kuptimin që të mos i lidhim me këto proceset e tjera. Është një proces tjetër që po ndodh me këto Dhoma të Specializuar. Fatkeqësisht, figura të larta dhe shtetërore dhe politike janë të përfshira në atë proces, por qeveria po funksion dhe zotimet shtetërore që i kemi, jemi duke i dalë zot. Kushdo që ka një qëndrim të tillë që duhet të ndalet procesi i dialogut, e ka shumë gabim. Nuk duhet të përdoret asnjëherë dialogu për qëllime të ngushta, siç po veprojnë disa. Procesi i dialogut dhe pjesëmarrja e Kosovës në dialog në Bruksel, nuk bëhet për interesa të Serbisë, por bëhet për interesa të Kosovës, të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës.
Janë dy zgjidhje: ose mund ta mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës.
Unë kam zgjedhur këtë të dytën. Ata politikanë që e kanë zgjedhur këtë të parën, për një kohë ju e dini se ku e kanë çuar vendin. Deri më tash dhe ne na është dashur punë shumë e madhe, vendime shumë të vështira jopopuliste, për të treguar që ne jemi një qeveri kredibile, që i dalim zot vendit, e hapur, pro-evropiane, që dimë se si të mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës dhe nuk kemi asnjë hezitim që të ulemi në tavolinë të dialogut sepse parimet i kemi të qarta dhe dimë se pse po shkojmë në atë tavolinë të bisedimeve.
“Kosova nuk do të mbetet e izoluar sa jam unë kryeministër”
Radio Evropa e Lirë: A do të ketë qeveria që ju drejtoni fuqi që të mbijetojë dhe ta çojë përpara procesin e dialogut dhe të mbajë të unifikuar koalicionin?
Avdullah Hoti: Besoj një gjë është e qartë, sa i përket procesit të dialogut, unë i kam plotësisht kompetencat kushtetuese për të çuar përpara këtë proces dhe unë nuk do ta lë vendin të izoluar. Le të ankohen sa të donë kushdo në skenën politike, Kosova nuk do të mbetet e izoluar për aq kohë sa unë jam kryeministër.
Radio Evropa e Lirë: Pra, po thoni se dialogu nuk ka alternativë dhe se do të vazhdoni bisedimet me lidershipin serb për të arritur marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë?
Avdullah Hoti: Dialogu nuk duhet të ndërpritet sepse nuk është në interesin e Kosovës. Unë besoj se ne i shërbejmë më së miri shtetësisë së Kosovës edhe atyre njerëzve që janë në Dhomat e Specializuara, duke treguar maturinë shtetërore për të gjitha proceset, përfshirë edhe procesin e dialogut.
S’ka vota për presidentin, duhet marrëveshje ose zgjedhje të reja
Radio Evropa e Lirë: Meqenëse po flasim për procese të rëndësishme që ju keni nevojë për mbështetje, a e shihni të nevojshme që koalicioni aktual të zgjerohet për të çuar përpara këto procese?
Avdullah Hoti: Tash jemi para një situate të re, ku presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka dhënë dorëheqje. Besoj që është periudhë e ndjeshme, pasi ai sapo ka dhënë dorëheqje. Tash kanë filluar proceset në Dhomat e Specializuara, prandaj në një moment të duhur kohor, do të ulemi dhe do të shohim nëse do të mund të arrijmë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar këtë situatë. Në aspektin kushtetues është më se e qartë. Tani, partitë politike duhet të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për presidentin e vendit, ose për t’u dakorduar për zgjedhje të reja. Është e qartë se me votat që i ka ky koalicion qeverisës, nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, prandaj duhet një marrëveshje përtej këtij koalicioni qeverisës. Se si do të duket kjo marrëveshje, është shumë herët të flitet sepse nuk jemi ende duke diskutuar.
Radio Evropa e Lirë: Sot ishit pjesë e samitit për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit dhe si konkluzë doli që megjithatë jeni pajtuar bashkë më liderët e shteteve tjera, që të krijohet një treg i përbashkët rajonal. Çfarë janë avantazhet e Kosovës në këtë treg të përbashkët?
Avdullah Hoti: Në njëfarë mënyrë ne kemi pasur një treg rajonal, përmes CEFTA-s rajoni ka funksionuar si një treg në shumë aspekte, kemi pasur shumë barriera dhe kemi ende shumë barrierë, që janë kryesisht të natyrës jotarifore dhe që vijnë për shkak të problemeve politike që kemi në këtë rast në mes vendeve Kosovës dhe Serbisë, por edhe Kosovës me Bosnjë e Hercegovinën.
Unë besoj se deklarata që kemi nënshkruar dhe zotimet që kemi marrë sot, mundësojnë që të tejkalojmë shumicën e barrierave dhe të integrohen ekonomikisht vendet në rajon. Kjo është përfituese për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, sepse është ndryshe kur ke qasje në një treg që ka shumë më tepër konsumatorë për të funksionuar dhe shitur produktet. Por, mbi të gjitha ndikon shumë në tërheqjen e investimeve, në rritjen e konkurrencës dhe përgatitjen e këtij tregu për integrim në BE. Ajo që për ne është shumë e rëndësishme, është se ky treg nuk e zëvendëson tregun e përbashkët me BE-në, por e rrit integrimin ekonomik në mes vendeve.
Unë sot i kam dhënë edhe vërejtjet tona, si qeveri, si Kosovë, për këtë proces sepse kemi një situatë që është e pabarabartë në mes vendeve të rajonit, në kuptimin se disa nga vendet e rajonit, përveç se po bëhemi bashkë dhe kemi aranzhime të caktuara tregtare me vendet e BE-së, disa vende të rajonit, siç është Serbia, ka marrëveshje tregtie me vendet e lindjes, me Kinën, Rusinë dhe vende tjera. Përmes atyre marrëveshjeve, ato vende depërtojnë në tregun e rajonit. Dhe më vjen mirë që janë marrë parasysh nga Bashkimi Evropian si vërejtje që vijnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Por, marrë parasysh unë kam pritje mjaft pozitive sepse është bërë një hap mjaft i madh drejt unifikimit të tregjeve, rritjes së konkurrencës, e kështu më radhë./radioevropaelire/KultPlus.com
“Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin”, tha në një deklaratë Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, përcjellë KultPlus.
Kompania e ilaçeve Pfizer tha se analiza e hershme tregoi se kandidati i saj i vaksinës për Covid-19 është më shumë se 90 përqind efektiv në parandalimin e infeksionit.
Lajmet nga Pfizer dhe partneri i tij gjerman, BioNTech SE, janë mirëpritur si një hap i madh në luftën kundër një virusi që ka shkatërruar ekonominë globale, ka shkatërruar jetën e përditshme për miliarda dhe ka vrarë 1.26 milion njerëz – gati 240,000 vetëm në SHBA.
Studimi tregon se njerëzit që morën dy doza si pjesë e provës panë 90 përqind më pak raste simptomatike të Covid-19 sesa pjesëmarrësve të cilëve iu dha një placebo. Ky është një sukses shumë më i lartë sesa shumë ekspertë kishin pritur.
“Sot është një ditë e shkëlqyeshme për shkencën dhe njerëzimin,” tha Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, në një deklaratë. “Ne jemi duke arritur këtë moment të rëndësishëm në programin tonë të zhvillimit të vaksinave në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të me normat e infeksioneve që vendosin rekorde të reja, spitalet pranë kapacitetit të tepërt dhe ekonomitë që përpiqen të rihapen.”
Mirëpo kjo nuk do të thotë që vaksina do të jetë menjëherë e disponueshme. Gjithashtu është akoma e paqartë se sa do të zgjaste imuniteti ndaj virusit, as sa gjerësisht do të ishte në dispozicion një vaksinë e tillë dhe sa shpejt. Pfizer tha se bazuar në parashikimet aktuale pret që të prodhojë globalisht deri në 50 milion doza vaksinash në 2020 dhe deri në 1.3 miliardë doza në 2021. /nbcnews/ KultPlus.com
Në Kosovë, situata epidemiologjike po tregon sinjale të përkeqësimit, pasi të enjten (5 nëntor) Kosova ka shënuar rekord të rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri COVID-19 me 661 raste të reja.
E duke e parë këtë situatë, Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës rreth Covid-19 ka propozuar një varg veprimesh për t’i mënjanuar kështu shifrat e larta të koronavirusit në vend, shkruan Express.
Sot do të kumtohet vendimi për mbylljen e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermerketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restoranet, kafiterite dhe të ngashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës prej orës 20:00 datë: 06/11/2020 ( e Premte ) deri më datë: 09/11/2020 9 (e Hëne) në orën 05:00, përveç:
“1.1 Furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.”
Në vazhdim i gjeni masat:
1. Ndalohet veprimtaria e te gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermerketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restoranet, kafiterite dhe të ngashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës prej orës 20:00 datë: 06/11/2020 ( e Premte) deri më datë: 09/11/2020 9 (e Hëne) në orën 05:00, përveç:
1.1 Furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.
1.2 Institucionet shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.
1.3 Për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID 19 të (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë – shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).
1.4 Operatorët ekonomik dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zingjirit të furnizimit.
2. Pezullohen paragrafet 7,8,11,12,13,14,20 e vendimit të qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas dispozitivit 1 të këtij vendimi.
E Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njofton se në 24 orët e fundit, janë regjistruar 661 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Rastet e reja – që përbëjnë shifrën më të lartë të infektimeve brenda një dite në Kosovë që prej fillimit të pandemisë – dalin pas testimit të 1,617 mostrave.
Ndëkaq dje IKSHPK-ja ka njoftuar se edhe gjashtë pacientë me koronavirus kanë vdekur.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 3, Ferizaj 1, Gjilan 1 dhe Malishevë 1 të cilat i përkasin grup-moshës 50-59 vjeç 1 rast, 60-69 vjeç 2 raste, 70-79 vjeç 1 rast me mbi moshën 80 vjeçare janë 2 raste”, u tha në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 22,206. Prej tyre, 720 pacientë kanë vdekur dhe 15,921 janë shëruar.
Ndërkaq, raste aktive janë 5,565./ Insajderi/ KultPlus.com