Shtetet europiane nisin mësimin në shtator

Pavarësisht paralajmërimeve të shumta për një valë tjetër të koronavirusit në vjeshtë, shumë shtete europiane po marrin hapa konkrete për rinisjen e procesit mësimor. E tillë është edhe Britania e Madhe.

Sipas kryeministrit Boris Johnson, hapja e shkollave në shtator është një detyrim sa moral aq edhe social e ekonomik. Deklarata vjen pas publikimit të një studimi pak ditë më parë, sipas të cilit vendi rrezikon një valë të dytë me pandeminë në stinën e dimrit, dy here më të fuqishme se fillimi i saj. Duke e cilësuar hapjen e shkollave dhe rinisjen e mësimit si një prioritet kombëtar Johnson tha se institucionet arsimore do të jenë të fundit që do të mbyllen në rast të një izolimi tjetër. “Kosto ekonomike për prindërit që nuk mund të punojnë nëse fëmijët nuk shkojnë në shkollë është e madhe dhe vendit nuk i bën mire mosedukimi i brezave të rinj”, tha Johnson.

Italia është një tjetër vend që ka marrë vendimin e rikthimit të nxënësve në bankat e shkollës më 14 shtator. “Ky është një hap që nuk ka kthim pas”, tha gjatë një konference ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza. “Duhet të jemi të kujdesshëm para se të vendosim nga cilat gjëra duhet të heqim dorë. Do preferoja më shumë hapjen e shkollave sesa aktiviteteve sportive”.

Të njëjtin vendim pritet të marrë edhe Gjermania me rinisjen e procesit që nga fundi i muajit gusht, por nën masa të rrepta sigurie./A2/ KultPlus.com

Zelanda e Re shënon 100 ditë pa asnjë rast të ri me Covid19

Zelanda e re ka shënuar 100 ditë pa raste të reja të pandemisë Covid-19, por ka paralajmëruar që të mos ulet kujdesi, duke marrë shembuj vende si Vietnami dhe Australia të cilat dikur e kishin virusin nën kontroll por tani kanë rritje të madhe rastesh.

Lufta e sukseshme e Zelandës së Re me Covid-19 e ka bërë këtë vend një prej më të sigurtëve në botë, sa i përket epidemisë, raporton Global News.

Banorët e Zelandës i janë kthyer normalitetit, por autoritetet janë të brengosur që njerëzit po refuzojnë testet, nuk po përdorin aplikaciontet për gjurmim dhe po i injorojnë masat bazike të higjenës.

“100 ditë pa asnjë rast të infektuar është një arritje e madhe, mirëpo ne nuk mund të tregohemi të shkujdesur,” tha dr Ashley Bloomfield.

“Ne kemi parë se si është ripërhapur virusi në vende ku më parë ishte në kontroll dhe duhet të tregohemi të gatshëm të reagojmë shpejtë, nëse ndodh ngjajshëm edhe këtu te ne,” vazhdoi ai.

Zelanda e re ka 23 raste aktive të izoluara dhe 1,219 raste me Covid deri tash. /insajderi/ KultPlus.com

Të ndarë nga pandemia, BE: Të bashkojmë çiftet e pamartuara

Bashkimi Evropian po i kërkon vendeve anëtare të zbusin kufizimet në udhëtim për shkak të Covid- 19, për të lejuar çiftet e pamartuara të ribashkohen pas afro gjysmë viti ndarje.

Shtetet anëtare të BE kanë rihapur kufijtë për njëri tjetrin edhe pse disa kufizime ende aplikohen dhe për një listë të shkurtër vendesh të treta ku koronavirusi konsiderohet nën kontroll. Por kjo listë përjashton pjesën më të madhe të vendeve në botë përfshirë SHBA, Rusinë, Brazilin, pjesën më të madhe të vendeve afrikane dhe aziatike.

Kjo do të thotë që qytetarë nga këto vende, që nuk janë banorë të BE, nuk mund të vijnë në BE. Një zëdhënës i komisionit evropian tha se Brukseli e ka ngritur çështjen që ka prekur shumë njerëz, atë të përjashtimit të partnerëve të pamartuar të qytetarëve të BE nga kufizimet në udhëtim.

“Nën situatën aktuale ligjore, vendet anëtare mund të lejojnë partnerët e pamartuar të hyjnë në BE nëse duan. Ne inkurajojmë vendet anëtare ta përdorin këtë mundësi. Aktualisht vetëm një numër i vogël vendesh anëtare e bën këtë”, tha ai.

Vetëm shtatë nga 31 vende të Evropës dhe tregut të përbashkët lejojnë partnerin e huaj të pamartuar të një shtetasi apo banori të tyre, tu bashkohen atyre. Këto janë republika ceke, Danimarka, Finlanda, Holanda, Norvegjia dhe Zvicra. Gjermania njoftoi të premten se do ti bashkohet atyre duke filluar nga java e ardhshme. Franca po ashtu pritet të heqë kufizimet për çiftet e pamartuara. /bw/ KultPlus.com

‘Politikanët shqiptarë kanë investuar fare pak në spitale që nuk shkojnë as vetë të shërohen’

Nga Bekim Guri

Si ka mundësi që 98% e politikanëve shqiptarë gjithandej, kanë investu shumë pak ose fare në spitale dhe cilësine e tyre dhe janë bërë milioner, kur vjen një moment si COVID19, apo sëmundje tjera të rënda p.sh, ata shkojnë shërohen jashtë shtetit, kurse qytetarin, artistin, doktorin, bujkun etj, e lënë të vdesin në ato spitale që politikanët kurrë nuk mjekohen dhe nuk investuan sa duhet!

Vota jote është jeta jote! / KultPlus.com

Papa Françesku: Të infektohemi nga dashuria, jo nga virusi

Papa Françesku nënshkruan me këto fjalë parathënien e librit “Bashkim e shpresë”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit – Dikasteri për Komunikimin.

Vëllimin e përgatitën kardinali Walter Kasper, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve dhe atë George Augustin, meshtar gjerman, i cili ka themeluar dhe drejton Institutin, që mban emrin e kardinalit, bashkëkombas i tij. Libri përmban tregime mbi “dëshminë e fesë në kohën e koronavirusit”, siç thotë edhe nëntitulli.

Pandemia si “kohë prove dhe vendimesh”

Në fjalët, që shkruan Papa në parathënie, ndihet e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e njerëzimit. Siç pati thënë në lutjen e paharrueshme të 27 marsit, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, kur në Itali përhapej me shpejtësi pandemia, koronavirusi, si të ishte stuhi e fuqishme, na befasoi të gjithëve, duke na e ndryshuar jetën familjare, punën dhe të gjitha veprimtaritë publike e duke lënë pas vetes vdekje, probleme ekonomike dhe largësinë nga Eukaristia e nga sakramentet. Kjo gjendje dramatike, që nxjerr në pah “brishtësinë” e njeriut, “paqëndrueshmërinë e tij dhe nevojën për shëlbim”; që vë në diskutim siguritë – bazë të jetës sonë, shtron “pyetje themelore për lumturinë dhe për thesarin e fesë së krishterë”, nënvizon Papa.

Ku “mbahen rrënjët më të thella, që na mbështesin të gjithëve në stuhi”? Çfarë është vërtet e rëndësishme dhe e nevojshme? “Pandemia” – vëren Ati i Shenjtë – është “sinjal alarmi, që të bën të reflektosh” pikërisht mbi këtë. “Është kohë sprove dhe vendimarrjeje, për ta orientuar jetën në një mënyrë të risuar kah Zoti, mbështetja dhe horizonti ynë”.

Të dëgjojmë britmën e të varfërve e atë të planetit

Papa u bën thirrje të gjithëve për “solidaritet” dhe “shërbim”, kundër “padrejtësive globale” dhe indiferencës. Në fakt, emergjenca na detyron ta kuptojmë sa shumë “varemi nga solidariteti i të tjerëve” dhe na shtyn t’u shërbejmë të afërmve në mënyrë të re: “Duhet të na shkundë padrejtësia globale – nënvizon Françesku – që të zgjohemi dhe ta dëgjojmë britmën e të varfërve dhe atë të planetit tonë, aq të sëmurë”.

Të infektohemi nga dashuria, jo të paralizohemi nga frika

Përhapja e pandemisë, vë në dukje Papa, përkoi me periudhën e Pashkëve e prej këndej niset mesazhi, që e shndrit të tashmen dhe të ardhmen dhe që e shmang paralizën: është mesazhi i fitores së jetës mbi vdekjen. “Pashkët – kujton Françesku – na japin shpresë, besim dhe guxim, na e përforocojnë solidaritetin” dhe vëllazërimin. “Rreziku i infektimit nga një virus duhet të na mësojë një lloj tjetër ‘infektimi’, atë të dashurisë, që zemra ia çon zemrës. Jam mirënjohës për shenjat e shumta të gatishmërisë spontane për ndihmë dhe për impenjimin heroik të personelit shëndetësor, mjekëve dhe meshtarëve. Këto javë, e kemi ndierë forcën, që vinte nga feja”.

Në Eukaristi, forca për kapërcimin e vështirësive

E, besimit në Krishtin, i kushtohet paragrafi i fundit i parathënies së librit. Papa kujton “agjërimin e dhimbshëm eukaristik”, që përjetuan shumë të krishterë, për shkak të ndërprerjes së kremtimeve publike. Transmetimi i meshës përmes mediave ishte zgjidhje emergjence, por, siç thekson Ati i Shenjtë, asnjë “transmetim virtual nuk mund ta zëvendësojë praninë e vërtetë të Zotit në kremtimin eukaristik”. Papa shpreh gëzimin për rifillimin e jetës normale liturgjike, sepse, përfundon ai, “prania e Zotit të ringjallur në Fjalën e Tij dhe në kremtimin eukaristik do të na japë forcën, që na duhet, për të përballuar problemet e vështira pas krizës”. E, gjithë njerëzimit, Françesku i jep shpresë, duke i kujtuar fjalët e Jezu Krishtit për dishepujt e Emausit: “Mos kini frikë! Unë e munda vdekjen”. /vaticannews/ KultPlus.com

Dy motrat shqiptare pas Harvardit në Oxford, kësaj radhe në ndihmë kundër luftës me Covid19

Detina dhe Argita Zalli janë dy motra shqiptare të cilat sëfundi po ushtrojnë profesionin e shkencëtarëve në London University College, shkruan KultPlus.

Motrat Zalli sëfundi kanë njoftuar se së shpejti do të publikojnë një broshurë informative rreth Covid19. Disa muaj më parë ato kanë publikuar një libër mbi sëmundjet tumorale.

Ndër të tjera, vlen të ceket se motrat Zalli kanë qenë tejet aktive gjatë kësaj periudhe pandemike duke ofruar shumë shpesh informacione e këshilla për diasporën dhe jo vetëm.

Dy motrat Detina dhe Argita Zalli në vitin 1999 emigruan si shumica e shqiptarëve duke shkuar në Angli, ku tashmë atje jetojnë dhe veprojnë me një karrierë të suksesshme. / KultPlus.com

Bill Gates ofron 150 milionë dollarë që vaksina kundër Covid-19 të shkojë edhe tek të varfërit

Themeluesi i Microsoft, Bill Gates bëri me dije se së bashku me fondacionin e tij ka planifikuar të shpenzojë 150 milionë dollarë për vaksinën e koronavirusit.

Kjo shumë do të jepet për të mundësuar shpërndarjen e vaksinës kur ajo të jetë gati, edhe për grupet më të varfra të popullsisë.

Miliarderi nënvizoi se pandemia mund të jetë shkatërruese për shumë vende të varfra që nuk kanë akses te kurat apo vaksina, kur të jenë gati.

Sipas miliarderit, fondacioni Gates do të paguajë institutin “Serum”, që njihet si prodhuesi më i madh i vaksinave në botë, që të përgatisë 100 milionë doza me një kosto prej 3 dollarësh. / KultPlus.com

Apel për artistin Arben Bajo, ka nevojë për gjak nga një person që ka kaluar Covid19

Skulptori dhe pedagogu në Akademinë e Arteve të Shqipërisë, Arben Bajo, 53 vjeç ka nevojë urgjente për gjak, përcjellë KultPlus.

Apelin e bëjnë kolegët e tij artistë, të cilët thonë se Bajo është në gjendje të rëndë dhe i intubuar.

Skulptori 53 vjeçar ka nevojë për gjak A-NEGATIV nga një person që ka kaluar koronavirusin. / KultPlus.com

Unicefi me nismën më të madhe në historinë e Anglisë, performon Rita Ora

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, që njëherit është edhe Ambasadore e Unicef-it në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar se këtë të enjte do të performojë duke mbështetur kështu fëmijët e rrezikuar nga pandemia globale, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në rrjete sociale, e cila ka potencuar se një gjeneratë e tërë fëmijësh janë në rrezik dhe se ajo shpreson që kjo ecuri do të mbledhë fonde të mjaftueshme për të ndihmuar në mbrojtjen e fëmijëve nga ndikimi i koronavirusit.

Performanca do të mbahet në platformën IGTV, ndërkaq kjo nismë konsiderohet si mbështetja më e madhe e Unicef-it në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.

”Si Ambasadore e Unicef ​​në Mbretërinë e Bashkuar, unë kam parë punën e jashtëzakonshme që Unicef ​​jep dorën e parë, kështu që inkurajoj të gjithë të gërmojnë thellë dhe të japin gjithçka që munden. Së bashku ne mund të ndihmojmë të ndalojmë përhapjen e Coronavirus dhe të kufizojmë ndikimin në jetën e fëmijëve.”, ka shkruar Ora në Facebook. / KultPlus.com

Gjendje e mjerueshme në QKUK, vajza obligohet t’i asistojë nënës së saj të infektuar me Covid19

Pamja e një vajze duke i asistuar nënës së saj të shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare (QKUK) tregon gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet sistemi shëndetësor i Kosovës.

Fotografia të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi shfaq vajzën duke ia mbajtur infuzionin nënës së saj të infektuar me COVID-19, duke e ekspozuar veten para rrezikut të epidemisë. E gjitha si pasojë e sistemit të dobët shëndetësor, përcjellë KultPlus.

Një dëshmitar nga Klinika e Pulmologjisë i ka thënë sot gazetës se pavarësisht rrezikut, familjarët lejohen të frekuentojnë dhomat ku ndodhen të shtrirë pacientët me koronavirus. / KultPlus.com

“Nuk ka arsye të barten maskat”, deklarata e epidemiologut të njohur suedez

Ndërsa rastet me COVID-19 të Suedisë vazhdojnë të bien, epidemiologu i lartë i vendit Anders Tegnell tha se ai nuk sheh “asnjë arsye” për të detyruar bartjen e maskave në publik.

“Me numrat që zvogëlohen shumë shpejt në Suedi, ne nuk shohim asnjë arsye të veshim një maskë për fytyrën në Suedi, madje as për transportin publik,” tha ai, siç raportohet nga Fortune.

Sipas Newsweek, niveli i vdekjes së Suedisë nga COVID-19 tani është më i ulët se ai i Italisë, U.K dhe Spanja pavarësisht se kurrë nuk kanë zbatuar një bllokim në shkallë të plotë:

Që nga e diela, niveli i fundit i vdekjeve në Suedi (vdekje për 100,000 njerëz) u raportua të ishte 56.40. Shifra është më e ulët se ajo e raportuar në SHBA. (69.60), Spanjë (60.88) dhe Itali (58.16), sipas raportit të fundit të dielën nga Universiteti Johns Hopkins.

Aktualisht, ShBA ka numrin e katërt të vdekjeve në botë, ndërsa Spanja dhe Italia (të cilat përkatësisht kanë numrin e gjashtë më të lartë dhe të tetë të vdekjeve, më parë) ishin dy vendet e Europës më të goditura nga shpërthimi.

Raporti më i fundit raste-fatalitet i Suedisë (perqindja e vdekjeve në krahasim me rastet totale) u raportua të ishte 7.1 përqind. Shifra është më shumë se gjysma e përqindjes së raportuar në ShBA (15.1 përqind), gjysma e Italisë dhe Belgjikës (secila raporton 14.2 përqind) dhe gati gjysma e Francës (13.4 përqind), sipas Universitetit Johns Hopkins.

Në 14 ditët e kaluara, infeksionet e reja për 100,000 njerëz në Suedi kanë rënë 46%. Në të kundërt, Spanja, Franca, Gjermania, Belgjika dhe Holanda kanë parë rritje midis 58% dhe 206% në raste për 100,000 njerëz gjatë një periudhe 14-ditore. Të martën e kaluar, Suedia nuk raportoi vdekje të reja, duke e çuar numrin në 5.702.

“Se Suedia ka zbritur në këto nivele është shumë premtuese,” u tha Anders Tegnell gazetarëve në Stokholm të martën.

“Kurbat po bien dhe kurbat për të sëmurët rëndë po fillojnë të afrohen në zero,” shtoi Tegnell.

Sidoqoftë, megjithë optimizmin e Tegnell, ai e sheh si “shqetësuese” që vendet e tjera po shohin një valë të dytë pasi gjoja e kishin sjellë virusin nën kontroll./gazetaexpress/ KultPlus.com

Tritan Kalo thirrje të rinjve: Po rrezikoni shëndetin në bare e klube

Mjeku i njohur infeksionist nga Shqipëria, Tritan Kalo, e nis këtë të diel me një mesazh të fortë për të rinjtë, të cilët duket se nuk po i kushtojnë rëndësi sa duhet koronavirusit.

Mjeku Kalo shkruan në Facebook se të rinjtë duhet të shpenzojnë më pak kohë në bare e klube, si vende të rrezikshme të përhapjes së virusit, dhe le të miqësohen edhe me shumë me natyrën.

“RREZIKONI shëndetin tuaj, POR jo pak edhe atë të prindërve, të afërmve dhe miqve tuaj…..Jeta është e pakthimtë, e paçmimtë dhe shumë e vlertë për ju dhe ARDHMËRINË e Trojeve Arbërore…..Kemi më shumë shtrime të të rinjve në mjediset tona, por edhe jo pak humbje jetësh në mesin e tyre”, shkruan mes të tjerash Kalo.

Mesazhi i plotë i mjekut:

KOHË KOVIDIANE….2.08.2020….Vera dhe temperaturat e saja përvëluese po kompensohen me daljet në vëndet me malore të pyllëzuara me pisha e jo vetëm, ku Ozoni i çliruar prej tyre është një faktor ndihmës i yni në përballjen me sfidën Sars-Cov2/Covid-19…..Në 7 vite këto pisha të mbjella në oborin e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT/Covid-1 kanë hedhur shtat….T’a heqim sopatën apo nagaçen nga brezi ynë, dhe në vënd që t’a shpyllëzojmë këtë vend nga pishat e tija si në bregdet dhe në mal, le të rifitojmë kulturën e rimbjelljes së tyre…..

Të rinjtë e rë rejat tona le të shpenzojnë më pak kohë në bare e klube dhe të miqësohen edhe me shumë me natyrën, duke e rigjallëruar atë me mbjelljet e këtij druri dobiprurës….NËSE një i ri mbjell sot 2-3 pisha në 20 – 25 vitet e ardhëshme i sigurojnë brezit më të ri, një jetë në një mjedis më cilësor e më pak të ndotur, sikundër brezat tanë menduan për ta duke u mbjellë miliona e miliona fidanë përgjatë Muajit Dhjetor të çdo viti kudo nëpër Atdhe…..Më pak grumbullime në plazhe e mjedise dëfrimi ju më të rinjtë e këtij vendi…..

RREZIKONI shëndetin tuaj, POR jo pak edhe atë të prindërve, të afërmve dhe miqve tuaj…..Jeta është e pakthimtë, e paçmimtë dhe shumë e vlertë për ju dhe ARDHMËRINË e Trojeve Arbërore…..Kemi më shumë shtrime të të rinjve në mjediset tona, por edhe jo pak humbje jetësh në mesin e tyre….

Ne jemi në punë të përkushtuar për ruajtjen dhe përkujdesin ndaj shëndetit tuaj, POR edhe personeli i Shëndetësisë Publike dhe jo vetëm e ka të domozdoshme rigjenerimin e energjive dhe pushimet, sepse shumica janë prindër dhe duhet të kujdesen edhe për pushimet e shëndetin e fëmijëve të tyre dhe vetveten.….BESIMI dhe MIRËKUPTIMI reciprok e bën edhe më të mundëshme, përballjen me sfidën ndaj Sars-C0v2/Covid-19, me sa më pak humbje jetësh njerëzore dhe lëndimesh jo të pakta që mundet të krijojë kjo sëmundje në organizmat tanë….Together forever!!! / KultPlus.com

Në Evropë po rikthehet hija e izolimit

Zyrtarët spanjollë të shëndetësisë kanë paralajmëruar se vendi tashmë mund të jetë duke përjetuar një “valë të dytë” të koronavirusit, pasi Franca, Gjermania dhe Belgjika raportuan rritje të mëdha në numrin e rasteve.

Shtetet në të gjithë Evropën u kanë kujtuar njerëzve nevojën për vigjilencë mes rasteve në rritje ndërsa sezoni i pushimeve verore vazhdon.

Franca tha se po këshillonte që qytetarët të mos udhëtojnë në rajonin spanjoll të Katalonjës në mënyrë që të ndihmojnë në frenimin e virusit, ndërsa Norvegjia tha se po rivendoste një karantinë 10-ditore për njerëzit që vijnë nga Spanja – masa që rikthejnë hijen e karantinës në të gjithë kontinentin.

Ministria e Shëndetësisë e Spanjës po ndjek më shumë se 280 shpërthime aktive në të gjithë vendin. Të premten, ajo regjistroi 922 raste të reja Covid-19.

María José Sierra, nënkryetare e qendrës për emergjencat shëndetësore, tha se ndërsa kurba ishte rrafshuar, “transmetimi komunitar” po shihej në zonat veri-lindore.

“Mund të jetë tashmë një valë e dytë, por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme,” u tha Sierra gazetarëve të enjten. “Gjëja më e rëndësishme është që ne të vazhdojmë të ndjekim ato që po ndodhin, të shohim se çfarë masash janë të nevojshme dhe t’i marrim ato sa më herët”.

Ajo tha gjithashtu se njerëzit duhet të mbajnë mend se incidenca e virusit është trefishuar në vetëm dy javë, nga 8.76 raste për 100,000 njerëz në 3 korrik në 27.39 për 100,000. “Natyrisht, kurba po shkon lart, por le e të presim të shohim se në çfarë situate gjendemi,” shtoi ajo.

Gati 8,000 raste janë diagnostikuar në Katalonjë gjatë 14 ditëve të fundit – që përbën gati gjysmën e 16.410 rasteve të zbuluara në Spanjë.

Sekretari i Shëndetit Publik i Katalonjës, Josep Maria Argimon, tha se situata brenda dhe rreth Barcelonës ishte “në një moment kritik” dhe u bëri thirrje njerëzve që të dëgjojnë kërkesën e qeverisë rajonale për të mos lënë shtëpitë e tyre, nëse nuk është e domosdoshme.

Ka gjithnjë e më shumë frikë se virusi po përhapet nga njerëzit që shkojnë në bare dhe klube nate, dhe se mund të jenë të nevojshme kufizime për të frenuar rritjen e rasteve.

Të enjten, qeveria e rajonit jug-lindor të Murcias urdhëroi 32,000 banorët e Totanas të rikthehen në fazën e dytë të de-përshkallëzimit të bllokimit pasi 55 raste u gjurmuan në një bar në qytet.

Qeveria rajonale e Madridit tha të premten se planifikon të rishikojë udhëzimet për numrin e njerëzve që lejohen të takohen natën.

“Ne do të vëmë në zbatim masa për jetën e natës, duke përfshirë kufizimin e numrit të njerëzve të lejuar në tarracat e bareve dhe restoranteve ose vendeve të tjera të takimeve sepse virusi pëlqen lëvizjen dhe tubimet e mëdha,” tha zëvendësministri i shëndetësisë i rajonit, Antonio Zapatero.

Qeveria rajonale po i kërkon gjithashtu qeverisë qendrore të vendosë kontrolle më të rrepta në aeroportin e Barajas në Madrid pasi doli se 77 njerëz kishin ardhur atje me virus që nga maji.

Autoriteti shëndetësor kombëtar i Francës, Santé Publique, raportoi 1.062 raste të reja të enjten dhe tha se ndërsa kishte pasur një rritje midis moshave mbi 75-vjeç dhe njerëzit në azile, një rritje gjithashtu ishte raportuar në rastet midis “të rriturve më të rinj”.

Autoriteti tha që kishte pasur “një ngadalësim të zbatimit të gjesteve barrierë” dhe u kujtoi njerëzve që distanca fizike duhej të ruhej.

“Gjatë verës dhe pushimeve, mund të duket artificiale të përshëndetsim njëri-tjetrin në distancë, të flasim nga një distancë, të lajmë duart rregullisht dhe të mbajmë maska në hapësira të mbyllura, por kjo përpjekje individuale dhe kolektive është thelbësore për të mos lejuar që virusi të shkelë lirinë tonë dhe epidemia të rikthehet”, tha në deklaratë.

Të Premten, presidenti francez, Emmanuel Macron, mbajti një takim të këshillit të mbrojtjes së vendit për të diskutuar rritjen e rasteve dhe shqyrtojë masat e reja duke përfshirë forcimin e kontrolleve në kufijtë me Belgjikën dhe Spanjën dhe masat e mundshme karantinë për pasagjerët ndërkombëtarë në aeroportet.

Instituti Robert Koch i Gjermanisë (RKI) raportoi 815 raste të reja të premten, krahasuar me 583 një javë më parë dhe 395 dy javë më parë.

Duke përjashtuar shpërthimet e fundit në fabrikat e përpunimit të mishit, rritja ishte më e madhja që nga mesi i majit. Shifrat kanë tendencë të jenë më të larta të premteve, për shkak të rasteve të raportuara që akumulohen gjatë javës.

Më shumë se 40% e rasteve aktuale janë në shtetin perëndimor të Rhine-Vestphalisë së Veriut, por shtetet e tjera gjithashtu tregojnë rritje të mesatares.

Jonas Schmidt-Chanasit nga Instituti për Mjekësinë Tropikale në Bernhard-Nocht në Hamburg tha se shifrat duket se tregojnë për një rritje në të gjithë popullsinë, sesa në vendndodhje specifike, siç janë ato rreth fabrikave të përpunimit të mishit. Nëse do të ishte kështu, do ta bënte virusin më të vështirë të frenohej”, i tha ai Der Spiegel.

“Ne duhet të shohim nëse kjo ka të bëjë me tubime të mëdha, që tani lejohen, rihapjen e kopshteve dhe shkollave, apo ka të bëjë me njerëzit që kthehen nga pushimet?” tha ai.

Njerëzit që kthehen në Gjermani nga Ballkani, Turqia dhe Majorca kanë dalë pozitivë në testin për virusin.

RKI ka vendosur 100 vende në një listë të zonave të rrezikut, përfshirë SHBA, Izraelin dhe Luksemburgun. Ministria e Shëndetësisë pritet të njoftojë se testet për njerëzit që kthehen nga zonat e rrezikut së shpejti do të jenë të detyrueshme.

Në Belgjikë, ku numri i infeksioneve të reja javore është rritur me 89%, zyrtarët thanë se një vajzë tre-vjeçare ishte bërë viktima më e re në vend.

Zëdhënësi i agjencisë së shëndetit tha se tre njerëz po vdesin çdo ditë në Belgjikë nga Covid-19, duke shtuar se vdekjet e fundit përfshinin ato të vogëlushes dhe një 18-vjeçari.

Catry tha që vajza kishte sëmundje “të rënda” para-ekzistuese, por paralajmëroi kundër vetëkënaqësisë tek të shëndetshmit, duke theksuar se 85% e rasteve të reja të diagnostikuara javën e kaluar ishin midis njerëzve nën 60 vjeç.

“Eshtë e vërtetë që është e rrallë që një i ri vdes nga Covid-19, por është e qartë se askush nuk është imun,” tha ai. / theguardian/ KultPlus.com

Çfarë i bën njerëzit t’iu binden ose t’i refuzojnë kufizimet nga Koronavirusi

Disa hulumtime rreth koronavirusit janë duke u përqendruar edhe në faktorët që i nxisin njerëzit të sillen në përputhje me masat emergjente të shëndetit publik.

Frika nga ndëshkimi i ashpër është një motiv i fuqishëm për t’iu bindur urdhrave në shtetet autoritare.

Por, hulumtimet e fundit sugjerojnë se çështja është më e ndërlikuar në vendet, ku liritë civile dhe të drejtat e njeriut janë pjesë thelbësore e strukturës së shoqërisë.

Kufizimet e detyrueshme kundrejt kufizimeve vullnetare

Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur sëmundjen që e shkakton coronavirusi, COVID-19, “emergjencë të shëndetit publik me përmasa ndërkombëtare” në janar, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i ka vlerësuar përpjekjet e Qeverisë kineze për të kontrolluar sëmundjen, “përkundër ndikimit të rëndë social dhe ekonomik” të masave të saj kufizuese.

Megjithatë, kritikët në Perëndim kanë pyetur nëse masat e rrepta të Kinës janë të realizueshme në vendet ku frika dhe ndëshkimi nuk i bindin njerëzit.

“Asnjë vend tjetër, perëndimor ose tjetër, nuk mund ose nuk duhet të përpiqet t’i përsërisë veprimet e Kinës”, ka thënë Thomas Bollyky, drejtor i Programit të Shëndetit Global në Këshillin për Marrëdhëniet e Jashtme, në mes të marsit.

Bollyky ka kritikuar “mosrespektimin e lirive civile dhe të të drejtave të njeriut”, të demonstruar nga “karantina dhe aktivitetet censuruese të Kinës”.

Disa ditë pas vërejtjeve të Bollykyt, OBSH-ja e ka shpallur COVID-19 pandemi globale dhe qeveritë në mbarë botën kanë filluar të zbatojnë një sërë kufizimesh, për të frenuar coronavirusin.

Irani dhe Italia kanë qenë ndër vendet e para që kanë vendosur masa të detyrueshme izolimi.

Të tjerat kanë pasuar shpejt ose kanë urdhëruar izolime të pjesshme, të kombinuara me udhëzime vullnetare për dezinfektim, distancim fizik dhe veshje të maskave.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë disa rekomandime të përgjithshme për sjellje gjatë pandemisë, ndërsa zyrtarët shtetërorë dhe lokalë kanë pasur të drejtë të vendosin për izolimin ose veshjen e maskave.

Këto vendime janë bërë shpejt politike në SHBA dhe debati për to është ndarë përgjatë vijave partiake.

Në Suedi, ku ka një nivel të lartë të besimit në autoritetet publike, shumica e njerëzve janë lejuar të vazhdojnë rutinën e përditshme, pa u përballur me karantinë, mbyllje biznesesh ose detyrimin për të veshur maska mbrojtëse.

Ministrja e Shëndetësisë e Suedisë, Lena Hallengren, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në muajin prill se modeli i Suedisë bazohet në “besimin” se individët “do të marrin përgjegjësi personale” dhe do t’iu binden rekomandimeve vullnetare.

Një studim i udhëhequr nga Alexander Chudik, këshilltar i politikave ekonomike dhe analist në Bankën e Rezervave Federale në Dallas, ka zbuluar se distancimi social vullnetar është më pak efektiv se politikat e miratuara nga qeveritë.

Chudik ka thënë se rezultati është “çuditërisht i ndryshëm” kur urdhrat e qëndrimit në shtëpi janë të detyrueshëm dhe jo rekomandime që i lejojnë individët të zgjedhin vetë shkallën e vetizolimit.

Nga të dhënat që kanë mbledhur në shumë vende, ekonomistët e sjelljes, Paola Giuliano (UCLA) dhe Imran Rasul (Kolegji Universitar në Londër), kanë thënë në një shkrim të publikuar më 18 qershor, se është e rëndësishme për politikëbërësit që “të dinë se çfarë i bën individët t’i respektojnë në mënyrë efektive” masat, si: distancimi shoqëror ose veshja e maskave në vendet e mbyllura publike.

“Fuqia e strukturës sociale të shoqërisë, por edhe shkalla e besimit në institucione janë elemente thelbësore në përcaktimin e sjelljes së individëve”, kanë thënë ata.

Së voni, ekspertët e shëndetit në Evropë kanë paralajmëruar se ndjenja kolektive e lodhjes po bën që shumë njerëz që u janë bindur rregullave, të kthehen te zakonet parapandemike – siç është përshëndetja me njëri-tjetrin me një puthje në faqe ose me shtrëngim duarsh.

Sipas tyre, evropianët, në përgjithësi, u janë bindur izolimeve, distancimit shoqëror dhe veshjes së maskave, pavarësisht ndryshimit të vazhdueshëm të rregullave dhe udhëzimeve.

Por, sipas ekspertëve, lodhja nga maskat është e dukshme, pavarësisht nëse rregullat për maska janë të detyrueshme ose jo.

Isabella Annesi-Maesano, epidemiologe në Institutin e Francës për Shëndetësi dhe Kërkime Mjekësore, i ka thënë gazetës Wall Street Journal më 21 korrik se “njerëzit kanë vuajtur dhe kjo shihet”.

“Kapitali shoqëror”

Termi “kapitali shoqëror” është përdorur nga ekonomistët për më shumë se një shekull. Idetë pas tij datojnë edhe më herët.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, me seli në Paris, e përkufizon “kapitalin shoqëror” si “rrjet me norma, vlera dhe mirëkuptime të përbashkëta, që e lehtësojnë bashkëpunimin brenda ose ndërmjet grupeve” të njerëzve.

Studiuesit e kësaj organizate thonë se kapitali shoqëror ndikohet nga marrëdhëniet personale dhe rrjetet sociale, si dhe nga angazhimi qytetar.

Ekonomistët dhe sociologët thonë se “besimi dhe normat bashkëpunuese” ndikojnë po ashtu në kapitalin shoqëror.

“Sociologët nganjëherë flasin për norma si rregulla të pashprehura dhe kryesisht të padiskutueshme të shoqërisë. Vlerat – si respektimi i sigurisë së njerëzve – janë një element kryesor në secilin grup shoqëror”, ka vlerësuar në një raport Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

“Së bashku, këto rrjete dhe mirëkuptime krijojnë besim dhe kështu u mundësojnë njerëzve të punojnë së bashku”, ka thënë ajo.

Presioni social

Qendra Ndërkombëtare e Rritjes, një rrjet global i financuar nga Qeveria britanike, thotë se izolimet nga coronavirusi në disa vende i kanë ndryshuar normat sociale në mënyra të tilla që e inkurajojnë bindjen.

“Adoptimi i një norme shoqërore mbi një tjetër varet kryesisht nga lidershipi i fortë, që thur një narrativë, pas së cilës mund të bashkohen komunitetet”, kanë thënë studiuesit nga Qendra Ndërkombëtare e Rritjes, Oliver Harman dhe Victoria Delbridge.

“Udhëheqja e fortë, me një narrativë të qëndrueshme, gjithashtu mund t’i bashkojë komunitetet në adoptimin e një norme shoqërore mbi një tjetër dhe t’i nxisë qytetarët që të inkurajojnë vetë bindjen, duke zvogëluar nevojën për zbatim zyrtar nga autoritetet shtetërore”.

“Kjo, jo vetëm që do të nxisë një normë pozitive shoqërore, por do të bëjë që qytetarët ta kryejnë punën e zbatimit, gjithashtu përmes presionit ndaj të tjerëve. Në disa raste, ky presion shoqëror është më efektiv sesa dënimi zyrtar”, kanë thënë Harman dhe Delbridge.

Qëndrimet politike

Hulumtimet e fundit tregojnë se ndikimi i qëndrimeve politike në të bindurit ndaj kufizimeve të shëndetit publik është veçanërisht i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara, por është i rëndësishëm në vendet e tjera.

“Dëshmitë nga vende të ndryshme tregojnë se bindjet politike, së bashku me dallimet në konsumin e mediave, kanë implikime të rëndësishme në perceptimin e rrezikut dhe bindjen ndaj distancimit shoqëror”, kanë thënë Giuliano dhe Rasul.

Hulumtimi i Chudikut sugjeron se “besueshmëria e perceptuar e një zyrtari publik që lëshon një urdhër për distancimin shoqëror, është një ndikim i rëndësishëm” nëse njerëzit pajtohen.

Chudik ka thënë se të dhënat nga studimi i tij janë “në përputhje me idenë se republikanët ndjekin kryesisht këshillat e presidentit [të SHBA-së, Donald] Trump, përballë çdo zyrtari shtetëror”, përfshirë republikanët lokalë.

“Pandemia e koronavirusit – si shumë tema të tjera – është bërë një çështje partiake në Shtetet e Bashkuara, duke i bërë bindjet politike faktorë të mundshëm që ndikojnë në pajtueshmërinë me distancën sociale”, ka thënë Chudik.

“Rezultatet tona sugjerojnë se polarizimi politik është pengesa kryesore në rrugën drejt respektimit të plotë të masave të distancimit shoqëror”, ka thënë ai.

Faktori i besimit

Edhe para pandemisë COVID-19, një gamë e gjerë hulumtimesh kanë treguar se besimi i individëve në qeveri dhe institucione ndikon në gatishmërinë e tyre për t’u pajtuar me masat emergjente të shëndetit publik.

Kjo, nga ana tjetër, ka ndikim të rëndësishëm në përhapjen e sëmundjeve.

“Life with Corona” (Jeta me koronën), një punim i publikuar në qershor nga Instituti Botëror i Kombeve të Bashkuara për Kërkime të Ekonomisë së Zhvillimit, analizon se si ” besimi lidhet me përvojat individuale të pandemisë”.

Studiuesit kanë zbuluar se “besimi institucional” nuk ndikon vetëm në bindjen ndaj izolimit, distancimit shoqëror dhe rregullave për maska.

Bazuar në një studim global, ata po ashtu kanë thënë se përvoja personale me COVID-19 gjithashtu ndikon në nivelet e besimit.

“Ata që kanë pasur kontakte me njerëz të sëmurë dhe ata që janë të papunë kanë besim më të ulët te njerëzit, institucionet dhe në përgjithësi”, kanë thënë studiuesit. /rel/ KultPlus.com

Maskat për fytyrë po shndërrohen në aksesorë të modës

Kombinimi i maskës suaj për fytyrë me veshjen, tashmë është shndërruar në trendin kryesorë të verës 2020, transmeton KultPlus.

Meqenëse, tashmë është bërë obligim për të mbajtur maskë në fytyrë gjatë kohës sa jemi në publik, ato janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës sonë të përditshme.

Dhe nga fillimet kur kemi nisur t’i blejmë maskat, ato kanë përparuar dukshëm, si nga materiali ashtu edhe nga stili. Ato kanë evoluar nga modelet e thjeshta ngjyrë blu të cilët i shohim në fytyrat e profesionistëve mjekësorë, në modele modern, shumëngjyrëshe dhe madje të prodhuara nga marka të njohura të modës.

Madje edhe të famshmit kanë filluar t’i krijojnë versionet e tyre të maskave, të cilat shpesh po i kombinojnë me veshje.

Kështu, maskat janë bërë shumë të popullarizuara dhe të kërkuara nga njerëzit e thjeshtë dhe ata të showbizit, të cilët dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për të bërë deklarata të stilit, si dhe janë shndërruar në aksesorin shëndetësor më të kërkuar.

Shumë kompani të modës po e shfrytëzojnë këtë mundësi për rritjen e biznesit, dhe kështu po krijojnë kombinime tërheqëse për klientët e tyre. / KultPlus.com

Me sloganin ‘Muzika nuk vret’, artistët përsëri protestojnë në Shqipëri

Nën sloganin “Muzika nuk vret”, artistët janë mbledhur edhe sot në protestë para Kryeministrisë në Shqipëri, përcjellë KultPlus.

Protesta e artistëve nisi që pasditen e djeshme, pas vendimit të qeverisë për të mbyllur club-et dhe lokalet pas orës 20:00 të mbrëmjes, për shkak se cilësohen si burim i përhapjes së koronavirusit.

Gjatë protestës së sotme, ka pas dhe përplasje mes artistëve dhe policisë. Policia ka shoqëruar disa protestues. /konica/ KultPlus.com

‘Topi i Artë’ pezullohet këtë vit për shkak të Covid19

Për herë të parë që nga viti 1956, Topi i Artë nuk do t’i jepet asnjë lojtari këtë vit për shkak të ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia koronavirus, shkruan KultPlus.

France Football ka njoftuar se çmimi prestigjioz nuk do të jepet këtë sezon për shkak të mos përmbushjes së të gjitha kushteve.

Topi i Artë i është dhënë lojtarit më të mirë në planet që nga viti 1956, megjithatë është marrë vendimi se nuk do të ishte e drejtë të zgjedhin një interpretues kryesor duke pasur parasysh rrethanat në të cilat aktualisht po luhet sporti profesional.

“Për herë të parë që nga viti 1956, Topi i Artë do të marrë një pushim. Nuk do të ketë shpërblim në vitin 2020, sepse rezulton, pas shqyrtimit të menduar, se të gjitha kushtet nuk janë përmbushur. Ne besojmë se një vit i tillë si ky nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një i zakonshëm”, thuhet në njoftimin e France Football.

Në këto rrethana fituesi i vitit 2019 Lionel Messi do të mbajë titullin e fituesit të Topit të Artë edhe për 12 muaj të tjerë.

Super ylli i Barcelonës ka gjashtë Topa të Artë në emrin e tij, ndërkaq rivali i tij Cristiano Ronaldo i Juventusit ka pesë. / KultPlus.com

Lul Raka zgjedhet kryesues i Bordit Këshillëdhënës për luftën kundër COVID-19

Mikrobiologu Lul Raka është zgjedhur kryesues i Bordit Këshillëdhënës për luftën kundër COVID-19

Lajmin e bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook.

“Themelova Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër Covid19, me prof. Dr. Lul Rakën kryesues. Një elitë mjekësh, studiuesish, shkencëtarësh dhe figurash profesioniste me profil të lartë të fushave të ndryshme do të përbëjnë këtë bord prej njëmbëdhjetë anëtarësh. Këta vijnë nga fusha të ndryshme si: epidemiologjia, mikrobiologjia, praktika klinike, shëndetësia publike, shkenca e sjelljes, menaxhimi i krizave, mbrojtja civile, komunikimi, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Zemaj.

Zemaj thotë se bordi do të jetë organ profesional këshillimor për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e Covid19, rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të Covid19”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka shtuar se të gjitha propozimet nga ky bord do të vlerësohen dhe rekomandohen edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike/ IKSHP sipas legjislacionit në fuqi. / KultPlus.com

Përqafimi, simbol i pandemisë

Pas 50 viteve martesë, Giorgio nuk do ta ketë më Rozën në krah të tij. Pas përkeqësimit të kushteve shëndetësore, 74 vjeçarja, fotoja e të cilës së bashku me bashkëshortin u bë protagoniste e pandemisë së Covid-19 në Itali, ndërroi jetë nga virusi vdekjeprurës, transmeton KultPlus.

Ai përqafim i ëmbël në repartin e spitalit në Cremona, Itali, ku të dy ishin të shtruar për shkak të Covid-19, ishte bërë një mesazh i fuqishëm shprese dhe dashurie. ‘Ajo foto ishte një dhuratë për mamin dhe babin’, ka deklaruar djali i çiftit.

Në ditët e fundit Giorgio po priste me padurim në shtëpi që ajo të kthehej, duke kërkuar lajme për të çdo mbrëmje. Flinte keq i ndarë nga bashkëshortja me të cilën kishte kaluar një jetë dhe të cilën nuk do e ketë më. / KultPlus.com

Italia dikur vendi më i goditur nga korona, sot rekord shërimesh

Ndonëse Italia ishte vendi më i goditur nga koronavirusi në Evropë, përveç numrit të madh të të prekurve, kishte edhe viktima të shumta.

Së fundi, Instituti italian për Sëmundjet Ngjitëse ka njoftua se javën e fundit në Itali janë shënuar shumë pak të vdekur nga koronavirusi, për dallim nga javët dhe muajt më parë.

Ndryshe, qeveria italiane tashmë i ka larguar kontrollet kufitare me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me disa vende të tjera.

Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore italiane kanë njoftuar zyrtarisht se nga numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi, 196,246 persona janë shëruar plotësisht.

Deri më tani është bërë testimi i 6,103,492 personave nën dyshimin se mund të jenë të prekur nga koronavirusi në Itali.

Sipas statistikave, deri më tani ka pasur 243,736 persona të infektuar me COVID-19 dhe se infektimet ende po vazhdojnë të jenë të pranishme në këtë shtet.

Po ashtu, Italia regjistron 35,017 viktima deri më tani që nga rastet e para në këtë vend. /albinfo/ KultPlus.com

Situatë e rënduar në Prishtinë: 1192 raste aktive me COVID-19, 21 persona kanë vdekur deri tash

Prishtina është qyteti me më së shumti raste aktive me koronavirus në Kosovë. 1 mijë e 192 persona në kryeqytet po përballen me COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë, në Prishtinë janë shënuar 1 mijë e 629 raste.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka shkruar në Facebook se përhapja e shpejtë e virusit dhe numri i rasteve të reja me koronavirus, është shqetësuese.

Gashi ka bërë të ditur se nga 20 marsi, në Prishtinë janë shënuar gjithsej 1629 raste pozitive me koronavirus, nga të cilat 1192 janë ende aktive, 416 persona janë shëruar, ndërkaq 21 kanë vdekur.

“Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 1629 raste me #covid19 prej të cilave 1192 raste janë ende aktive. Kemi 416 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 21 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, ka shkruar Gashi.

Gashi ka apeluar te qytetarët që t’’i përfillin masat për mbrojtje nga koronavirusi.

“Mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm. Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com

Ambasada amerikane në Prishtinë me një porosi për të rinjtë kosovarë: Covidi-19 është i vërtetë

Ambasada amerikane ka dalë me një porosi për të rinjtë kosovarë gjatë kësaj kohës kur është rritur përhapja e virusit Covid 19.

Ambasada amerikane, iu ka drejtuar të rinjve me fjalët se e kupton rëndësinë që ka shoqëria për ta, por se takimet me ta t’i bëjnë në mënyrë të mençur, duke vendosur maskat, ruajtur distancën sociale dhe të kujtojnë se kjo bëhet për të mbrojtur të tjerët aq sa edhe veten.

“Covidi-19 është i vërtetë: Rini, ne e dimë se është e rëndësishme të kaloni kohë me shoqërinë tuaj. Por, bëjeni këtë në mënyrrë të mençur! Mbajini maskat, ruajeni distancën sociale dhe kujtojeni se këtë po e bëni për të mbrojtur shoqërinë tuaj aq sa edhe veten. Dhe mos harroni, i pastroni telefonat tuaj mobilë aq shpesh sa edhe i pastroni duart. Ndalonjeni shpërndarjen”, shkruan ambasada amerikane. / KultPlus.com

Dr. Anthony Fauci: Rihapja e parakohshme shkaktoi shtimin e infektimeve të reja

Eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infective, Dr. Anthony Fauci thotë se shtimi i ritmeve të përhapjes së koronavirusit ditët e fundit në SHBA është rezultat i faktit se Shtetet e Bashkuara nuk e mbyllën plotësisht aktivitetin për të ndalur avancimin e sëmundjes.

“Nuk realizuam një mbyllje të plotë dhe për këtë arsye shohim rritje,” tha të hënën drejtori i Institutit të Sëmundjeve Infektive dhe Alergjike në një intervistë me Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit Stanford, transmeton KultPlus.

“Ritmet kishin filluar të binin, realizuam një sheshim të kurbës me shifra gjithsesi shumë të larta prej rreth 20 mijë infektimesh të reja në ditë. Pastaj filloi rihapja dhe tani po shohim shtim të rasteve, në Kaliforni, në Arizona, në Teksas e Florida si dhe shtete të tjera,” tha Dr. Fauci.

Eksperti u shpreh gjithashtu me “optimizëm të matur” se brenda vitit do të ketë të paktën një vaksinë kundër koronavirusit. / KultPlus.com