Nga Nexha Xhema
Në vallen e “Shotës”, apo në Bolero’n shqiptare, Sami sjell një kryevepër…
Ai sjell dritën, energjinë dhe ritmin e shpejtë që zgjon peshë emocionet me lëvizjen ritmike të notave, fijeve akustike dhe ngjyrave vibrante.
Krahët e hapura të vallëzimit, me dy krerë të çiftit, sikur nxjerrin në pah shqiponjën dykrerëshe, duke reflektuar krenari e dinjitet.
Ashtu siç përdoret me përkëdhelje fjala “shotë” për vajzat e reja, të shkathëta e të pashme, ashtu edhe piktori i ka dhënë vëmendjen vajzës, duke e nxjerr në sfond e duke e përkëdhelur dhe trajtuar me ngjyra të cilat sikur ndajnë errësirën e të kaluarës dhe i japin dritë e jetë të ardhmes.
Përballë të gjitha vështirësive, vallëzimi i tyre na e kujton jetën me vështirësi, na e kujton se lisat rriten të fortë nga erërat e kundërta dhe diamantet bëhen nën presion. Vështirësitë nuk janë veçse guxim i fatit, pengesa për t’i sprovuar aftësitë tona, humbje të më të dashurve e dhimbje të hidhura… E të cilat medoemos se sjellin forcën për gjeneratat e reja.
Tek ‘’Shota’’ Sami paraqet vallëzimin e çiftit i cili sikur ndjen duke u hedhur e ngritur lart, sikurse vullkani brenda shpirtit që të bënë të dukesh më i madh pas çdo përballjeje me fatkeqësitë e jetës të paraqitura me ngjyra dhe vija të cilat mundohen t’i frenojnë ata dy në çdo hapë…
Është një kryevepër, duhet përsëritur… Kjo na e kujton të kaluarën në formën më artistike të mundshme. Andaj, kjo magji kaq e bukur e ngërthyer në veti me kaq dhimbje e krenari, padyshim se na i mbushë sytë me lot… Por, edhe na mbushë plotë jetë e shpresë për të ardhmen e ndritur të gjeneratave të reja që do të vijnë pas!
SHOTA & CUCA E MALEVE
Për ti dhënë krahë shotës në fluturimin e saj me tingujt magjik, kjo galeri për herë të parë, e pas 20 vitesh, e sjell edhe pikturën origjinale “Cuca e Maleve”, pikturë kjo e cila është shpërblyer me vlerësimet më eminente ndërkombëtare, e në veçanti ato në Amerikë/USA.
E ku ka ndjenjë më të bukur se sa kur bashkohen ‘Shota’ dhe ‘Cuca e Maleve’ në stinën më të bukur të Pranverës, kur gjithçka ringjallet e lulëzon!… Bukuria, krenaria dhe dashuria afër tyre, nuk kanë kufi!
Sami me këto vepra kaq madhështore, na bënë të kuptojmë se të fluturosh mbi tokë, do të thotë që ke nevojë të jesh i/e lirë dhe autonom. Ke nevojë të lirohesh nga pengesat dhe limitet që nuk të lejojnë t’i realizosh ëndrrat dhe dëshirat e tua!/KultPlus.com