Ka vdekur sot gazetari veteran dhe poeti Adem Shkreli, shkruan KultPlus.
Për ata që nuk e dinë, Ademi është vëllai i poetit të njohur Azem Shkreli, si dhe i Ymer, e Afrim Shkrelit.
Vëllezërit Shkreli kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.
Për vdekjen e Ademit ka reaguar edhe Çun Lajçi i cili me plot dhimbje shkruan se Ademi është rraja e vargut shkrelian dhe me pak fjalë përshkruan jetën e tij plotë dhimbje.
“Adem Shkreli, rraja e parë e vargut shkrelian!
Ai s’ka vdekë sot!
Ka vdekë që kur i vdiq i biri, n’mërgatë pa e pa e që kur u mbyll n’lëvozhgën e vet!
Që kur i vdiq Azemi, vargu i ndamë përgjysëm e që kur Ymeri s’iu kthye ma n’Rugovë!
Me besoni se ai s’ka vdekë sot.
Ka vdekë që kur iu mbyll Rilindja e mbet qyqe dikund të tre soliterat pa vlla pa djalë!
Pusho i qetë nipalan.
Me tirqi kam me ta ba dekën e me kavall kam me ta thirrë zanin!”, shkruan Lajçi. / KultPlus.com
Aktori i mirënjohur shqiptar, Çun Lajçi i ka dedikuar një poezi emocionuese veprimtarit Adem Demaçi.
U PRE E MUGULLOI N’THIKA (Adem Demaçit)
E shtrydhi zemrën e rininë e lagu Me gjakun e atdheut Në tri thika u pre e mugulloi sërishë U kafshue nga gjarpërinjtë e gjaku iu helmue E prap mugulloi e prap u pre në thikën e Atdheut Ai ishte plak Në bulzën e re e pip i ri në trungun plak Kurrë s’e shijoj e aç afër e pati Kosovën e rrudhur n’lëkurën e tij Shqipërinë e donte nga larg e burgun nga afër Ne frigoheshim nga mendimi e liria e tij Prononcoheshim e distancoheshim Përqafoheshim me robërinë, Lëkurën shpetonim Ai zihej për neve n’kalvarin e t’merrit E prap gjarpërijtë e gjakut e kafshonin Goli Otok ishte parajsa në këmbim të Lirisë Ai u shtrydh gjithë jetën nga skjau U pre dhe mugulloj n’thika E gjithë jetën rrjedhi Shqipëri.
Dua me shkrua e kurgja mos me thanë me folë e kurkush vesh mos me m’marrë si ai që foli mbramë me pa e kurgja mos me kqyrë zani n’vesh me hi e mos me dalë me pasë gojë jo ftyrë me mbushë lugën kurgja e m’u ngi barku m’u fry m’u shfry n’gjumë me ra Me thanë shumë dua si ai që foli mbramë e gja s’tha pos fjalë e fjalë e fjalë e fjalës së vet i besoi kur tha Amerika jam ju vetëm duheni me pa andërra tue fluturua çka duhet me ba unë iu kallxoj kur t’zgjoheni Eh! sa bukur me ditë me rrejtë e me t’besua! / KultPlus.com
Çun Lajçi, Abdurrahman Shala dhe Faruk Begolli janë tre emra të njohur që kanë kontribuar në fushën e aktrimit në Kosovë, shkruan KultPlus.
KultPlus, ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre tre aktorëve. Fotografia është shkrepur disa vite më herët, andaj përmes saj mund të shohim edhe dukjen e këtyre aktorëve kur ishin më të ri në moshë.
Abdurrahma Shala dhe Faruk Begolli kanë ndërruar jetë vite më herët. / KultPlus.com
Ashtu siç nuk jemi mësuar të shohim më parë, nën ombrellën e dramës dhe krimit tash e sa kohë ”Rrushe” ka shpalosur një histori të papriturash që publikut kosovar i dhuruan emocione të shumta. Me një kastë të mrekullueshme aktorësh, loja e të cilëve zuri vend shumë shpejt tek adhuruesit e këtij zhanri duke i marrë këta të fundit pas vetes në secilën episodë, drejt një rrugëtimi të mahnitshëm kinematografik, shkruan KultPlus.
Rrushe është serial i zhanrit dramë, krim, me familjen Pirulli si protagonistë kryesor. Familja Pirulli janë një familje e zakonshme nga Prishtina, apo të paktën kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, e bija e familjes, punon si një gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që fillin e kishte në bujari e në mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetën atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarjeje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe i dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.
Në një intervistë për KultPlus, Valter Lucaj, regjisori i këtij seriali tejet të dashur për publikun, tash kur seriali veçse i është afruar përfundimit të sezonit të parë, ka treguar më detajisht për rrugëtimin e ”Rrushe-s”, si dhe për komplet realizimin e këtij sezoni, njëherit edhe sezoni i parë i serialit ”Rrushe”.
Lucaj ka treguar për KultPlus se që nga fillimi i projektit të serialit ”Rrushe” ai dhe ekipi realizues kanë punuar me besim, dashuri dhe përkushtim të madh për këtë projekt të cilin regjisori e konsideron mjaft sfidues. Ai po ashtu ka theksuar se ka kohë që në Kosova është dëshmuar në aspektin kinematografik, për të cilin pohon të jetë një nivel shumë i lartë si në rajon edhe më gjerë, meritë kjo që sipas regjisorit sigurisht se i përket aktorëve dhe regjisorëve kosovarë.
”Shikuesit tanë tani më janë mësuar të shohin krijimtari të shumta cilësore nga trendi botëror, sidomos serialet filmike. Fatkeqësisht, në Kosovë pak i kemi nënvlerësuar shikuesit deri më tani, duke ju servuar gjëra të shpejta dhe jo aq cilësore. Këtë normalisht që e ka diktuar edhe tregu vendor sepse për të krijuar një serial të mirëfillt artistik duhen fonde dhe duke qenë të vetëdijshëm që mënyra e vetme për përkrahjen e projekteve të tilla është nëpërmjet sponsorëve pasi që deri më tani qendra e filmit, televizioni publik dhe disa televizione nacionale nuk e kanë pasur në agjendë që të kenë projekte cilësore të punuara në shqip për publikun kosovar. Ne si Gjirafë jemi munduar që t’i tregojmë publikut tonë që edhe ne mund të prodhojmë seriale të tilla. Prandaj edhe për këtë arsye ndihem shumë i lumtur që këtë avancim e ka bërë Gjirafa dhe se pritshmëritë e mija sa i përket shikueshmërisë duke e ditur se me sa përkushtim dhe energji kemi punuar për këtë projekt, natyrisht që i kam pritur”, ka theksuar regjisori Lucaj për KultPlus.
Për idenë e fillimit të këtij seriali, Lucaj ka treguar se u ka ardhur në shkurt të vitit 2020, pastaj pas takimeve me skenaristin Jeton Kulinxha, me të cilin regjisori ka bashkëpunuar edhe më parë, janë dakorduar të fillojnë punën edhe për këtë projekt. Piloti i serialit i është xhiruar në nëntor të vitit të kaluar, për të cilin regjisori ka treguar se kanë hasur nëpër shumë vështirësi duke pasur parasysh masat anticovid dhe situatën pandemike në tërësi. ”Ishte dashuria dhe përkushtimi që ne kishim ndaj projektit ”Rrushe” që erdhi deri te realizimi i pilotit, i cili na ka ndihmuar sa i përket aspektit të shitjes dhe marrëveshjeve me bashkëpunëtorë të tjerë. Në janar te vitit 2021 kemi vazhduar xhirimet e epizodeve të tjera dhe nuk jemi ndalur deri më tani. Pa pikë dyshimi e them që ”Rrushe” nuk do të ishte kjo që është pa stafin realizues me të cilët kam pasur rast të punoj një kohë të gjatë, pa kastën e aktorëve por edhe pa dashurinë e madhe për punën dhe artin”, shprehet tutje regjisori për KultPlus.
Pavarësisht se Kosova numëron shumë aktorë të talentuar dhe profesionistë, për regjisorin përzgjedhja e kastës nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai ka treguar për KultPlus se duke pasur parasysh që në serial ndërthuren shumë lidhje familjare në mes të personazheve, ka bërë që të krijohen edhe vështirësi në përzgjedhjen e tyre. Ndërkaq, regjisori nuk harron të pohojë se për sa i përket aktorëve të këtij serialit ai ndjehet i lumtur dhe i nderuar që i është dhënë mundësia të punojë me këta artistë, që sipas tij, janë aktorët më të mëdhenj të kinematografisë sonë, e në anën tjetër edhe për artistët e rinj të cilët janë paraqitur në këtë serial.
”Seriali si zanafillë lidhet me vuajtjet e popullit tonë në vitet e 90-ta dhe kjo reflekton te pasardhësit, por mendoj që tema e ”Rrushe-s” është universale, që në mënyra të ndryshme prekë çdo gjeneratë. Kemi pasë shumë komente të ndryshme, njëri prej komenteve që më ka lënë përshtypje ka qenë prej një djaloshi të ri, i lindur dhe i rritur jashtë Kosovës, komenti i tij ka qenë që familjarët i kanë folur shumë për Kosovën dhe për atë se çfarë ka ndodhur por ai nuk e ka kuptuar mirë këtë. Pasi që ka pa serialin ”Rrushe” tanimë e ka më të qartë se për çfarë flisnin më saktësisht rrëfimet dhe përjetimet e familjarëve të tij. Thënë shkurt, unë mendoj që ”Rrushe” është një temë universale që përçon te shikuesi emocione dhe ndjenja me të cilat pothuajse të gjithë ballafaqohen në jetë të përditshme, tema këto si dashuria, familja, atdhedashuria, tradhetia e sidomos rolin e gruas në shoqërinë tonë”, deklaron Lucaj për KultPlus
Seriali ndahet në dy periudha kohore që parë nga vështrimi historik i Kosovës, kanë qenë tejet të rëndësishme dhe një temë kaq e ndjeshme për publikun tonë, sigurisht se ka vështirësitë e veta drejt realizimit. Mirëpo, për këtë gjë, regjisori falenderon skenaristin, për të cilin thekson se ka ardhur me një storie që i ka lënë gojëhapur. ”Prej që kemi filluar përgatitjet për ”Rrushe-n”, Jetoni ka ardhur me një storie që na ka lënë gojëhapur. Skenari është shkruar dhe analizuar në çdo detaj, dukë i përcjellur personazhet, raportet mes tyre, mangësitë që munden me u shfaqë rrugës dhe njëkohësisht kemi marrë edhe feedback nga shikuesit. Përpos Jetonit, bashkësekenarsit ka qenë edhe Patrik Lekaj i cili po ashtu ka dhënë një kontribut të madh”, thekson tutje regjisori për KultPlus.
Ndërkaq, sa i pëërket sezonit të dytë të serialit ”Rrushe”, nuk ka akoma ndonjë plan konkret se kur apo se çfarë do të trajtojë, mirëpo regjisori Lucaj ka treguar për KultPlus se pas përfundimit të sezonit të parë do të ulen dhe analizojnë e pastaj edhe të vendosin për rrugëtimin e këtij seriali, për të cilin pohon se kanë opsione të shumta para vetes por akoma asgjë definitive.
Ndërkaq, sa i përket mesazhit që ky serial tenton të përçojë tek shikuesit, Lucaj ka thënë: Rrushe është nje storie universale dhe siç e kemi menduar dhe parë nga komentet e shumta që kemi nga shikuesit, çdo person pavarësisht moshës, nivelit arsimor apo edhe vendit se ku jeton do të gjejë copëza nga perditshmeria, dhimbje nga e kaluara si dhe lidhshmëri me personazhet kryesore.
Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.
Prodhimi nga Gjirafa Studios ka sjellur këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala. / KultPlus.com
Vitet ikin Bubë Ato qenkan vetëm gjethe pemësh që thahen I merr era n’degë e kalbën mbi vorrin tand Stinë e gjethe e dhimbë nandorësh Tri vite n’zemra pleqësh Sa t’shkurta netët Sa t’gjata ditët me pritë fundin pa ty!
Vdekja e aktori të mirënjohur Adem Mikullovcit ka bërë që të reagojnë prej krerëve të institucioneve, të partive, nga komuniteti artistik e deri te qyterarët, shkruan KultPlus.
Po Çun Lajçit, i kanë penguar reagimet e të parëve të vendit, që kanë dërguar telegram ngushëllimi për familjen Mikullovci, pasi që, sipas Lajçit, të njëjtëve nuk iu ka interesuar se si kishte jetuar Mikullovci, me një pension mjeran.
Më poshtë KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Lajçit.
Adem
R.I. P
Ia nisen telegram-ngushëllimet
Sa shumë t’paskan pasë dashtë t’parët e vendit, as vet s’e paskan pasë ditë!
Tash e kuptuen se ti paske qenë i madhi i skenës, por hallet e milionave, s’i paskan pasë lanë me dalë deri n’Berrnicë me pa se si po jeton me pensionin mjeran!
Unë jam ba kopil
Edhe ma shumë se kaqë: Stërkopil
Bastardi i bastardëve
Dhe ua kam ndalua me i fëlliq letrat tue i çua grues e djalit telegram ngushëllimi, t’pakten edhe nji vit, këtyne që janë tue sundua vetvetën!
Se po shpresoj se e thejnë qafën mbas nji viti!
Ata tjerët le t’shkruejnë çka të duan, u falet atyne, se edhe ashtu nuk do t’dinë kush jam e cili isha!?
A po e sheh, se Mahmutovitet s’po t’i la me vdekë!?
Pusho tash mbas telegramit t’Hashes,Dulles, Rambos, Fatit, e ma s’shumti t’Kadrisë, se ate edhe ashtu s’e merrshe vesh n’Parlament!
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrën e tij aktorin dhe shkrimtarin e njohur Çun Lajçin.
Lajçi prej ditësh ndodhet në kryeqytetin shqiptar, duke promovuar librin e tij të fundit. Ndërkaq, mediet shqiptare raportojnë se përgjatë takimit me Veliajn u diskutun një mori temadh dhe çështjesh të lidhura me artin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës shqiptare, përcjellë KultPlus.
Duke e përgëzuar për veprën, por dhe për kontributin e dhënë si artist dhe shkrimtar, kryebashkiaku e vlerësoi Lajçin si një vlerë të paçmuar për shoqërinë shqiptare. “Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, artisti Çun Lajçi u shpreh i nderuar për mikpritjen e kryebashkiakut. “Të falenderoj shumë për burrërinë, për ftesën, që more një shitës librash dhe e solle në zyrë, pavarësisht roleve, pavarësisht viteve. Gjithçka ndërtohet në paqe mbi librin dhe mbi dijen, – kësaj s’guxojmë t’i ikim, se po ikëm nga dija, nga libri, nga mendimet e të kaluarve tanë, me vetëdije ike mi prerë rrënjët tona. Prandaj, të falenderoj që më more prej librave dhe më prure këtu, duke më dhuruar Sahatin e Tiranës, që do ta mbaj kujtim gjithë jetën”, u shpreh Lajçi.
Ndërkaq, Veliaj publikoi edhe një status në rrjetin social Facebook, ku tregoi se ndjehet shumë i lumtur për prezencën e Lajçit në Tiranë, duke iu referuar këtij të fundit si Çun Lajçi i madh.
‘Kulla e Sahatit për artistin Çun Lajçi – një vlerë e paçmuar!
Jam shumë i lumtur që kemi pas bujtës në Tiranë, Çun Lajçin e madh, jo vetëm të dyqind roleve, por edhe të dyqind frymëzimeve e dyqind energjive.🙌🙌🙌
Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë.🙏”, shkruan Veliaj. / KultPlus.com
E njoh shqiptarin ate që s’të njeh e flet për ty din gjithçka me t’nime t’shtime të nxjerrune t’futune s’ta len rrugën s’ta len urën s’ta len ajrin s’ta len fjalën s’ta len vajin s’ta len kangën lapsin as letrën malin as sopatën Dasmat t’i din fejesat vdekjet gjamat andrrat t’i din cironkat n’xhep rrugët e lugët e drutë Çka pive mbramë çka hangre sot çka fole si fole pse fole deshte pse deshte çka deshte shkove ku shkove pse shkove erdhe pse erdhe pse ike pave çka pave pse pave ndëgjove s’ndëgjove çka ndëgjove E njoh shqiptarin ate që s’e njeh vetvetën e t’njeh ty n’lëkurën e tjetrit jeton t’shanë e thotë jam shqiptar
Dua me shkrua e kurgja mos me thanë me folë e kurkush vesh mos me m’marrë si ai që foli mbramë me pa e kurgja mos me kqyrë zani n’vesh me hi e mos me dalë me pasë gojë jo ftyrë me mbushë lugën kurgja e m’u ngi barku m’u fry m’u shfry n’gjumë me ra Me thanë shumë dua si ai që foli mbramë e gja s’tha pos fjalë e fjalë e fjalë e fjalës së vet i besoi kur tha Amerika jam ju vetëm duheni me pa andërra tue fluturua çka duhet me ba unë iu kallxoj kur t’zgjoheni Eh! sa bukur me ditë me rrejtë e me t’besua!
Mos e kaloni Ibrin po s’patet zemër me i kërkua falje tue derdhë lotë për fajin e bastardëve që vunë kufijë për mua ty e Sanxhakun shpresën e fundit m’u lidhë me rrajën e vet O mos e kaloni Ibrin se druaj s’keni zemër me i mallkua farat tueja t’zeza që binë n’mua n’ty n’ata e përgjithmonë me Ibër e ndanë zemrën e Sanxhakun që i rrjedhë gjak e lot Kosovë ti dradhë e kalbun.
E hoqën reprocitetin Ju mos e nemni Dardaninë Kan ndrrua kohnat duhet ndrrua fara E druej se trolli s’e duron tjetrën E për shartime tepër vonë Mos e nemni Dardaninë bimën po Kopilua qenka n’sytë e shterun Prejeni sa s’asht rritë në nyjen e dytë Se pastaj dy herë bahet kopile E s’hahet prej idhtësimit Koha s’ka ndryshua po Nik Dardani Ai e paska ndrrua rasadin S’qenka i barabart as me vetën As me skjaun!
Daradani Ne bijtë tu, t’Vilajetit tand t’vjetër Kërçovë Dibër Gostivar që harrua na ke andrra kishim me i marrë nuset me duvakun e kuq n’odat tua t’gurit tupanat me i shkye tue i rreh e kambët me i thye tue kcye “Dy tupana n’derë të kulles” me knua Grykës Kaçanikut zani me shkua para nesh fushës Pollogut Radika m’u çua n’kamë me i shalua atllarët koburet me i zbrazë me thirrë dilni po vinë krushqit me Teutën dardane Ilirida po bahet nanë me nipa Drenice e kangës me ia thanë Tre-Zajazi e tokës me i shkua gjamë
Dardani! ne bijtë tu t’Pellagonisë t’harruem prej teje e nanëmadhes Shqipni bukën hangër e kemi hambareve tua kokat mbushë i kemi dije, e zemrat atdhedashuni me fjetë qejf kemi pasë n’konakun e Buletinve n’rranzë t’Çyçavicës me marrë Shota veshun n’tierqit galana Azema me rritë n’Iliridë me kobure dardane Pse i le jetimë Kosovë, bimët tua t’vilajetit t’vjetër që andërr kishim fushatve tua me vdekë
E sheh djalosh? Thojshe jam kopil, e s’ka stërkopil që ma kalon! Paska paska! Por ti paske harrua, se ata s’janë kopila, po bastarda, që s’mërztën, pse i këpusin rrajtë e veta! Ata janë bimë kopile, që bijnë nga dy fara t’zeza, që e thajnë trungun e vet, e n’fund e hanë vetvetën! E sheh djalosh? S’me besove kur t’thashë se Zgatavelli asht evlia, kumar me dreqin e kuq, që ka hy brenda lëkurës tij, dhe i kallxon krejt kush çka mendon, e çka ka me mendua nesër, e mendimet i kanë njisoj si Krroçja që tapallon, si Prontomafia, që i rrinë gaditun! Ky veç për vetën nuk din, se dreqi i kuq s’i kalxon, n’cilin kërsh ka me ia thye qafën! Kur t’thashë, edhe bubërreci ka me t’u dashtë, sa do që i vogël asht, s’me besove! Kur t’thashë, qafën duhesh me pasë me rrudha, si unë, për me hi n’jarm e me ngreh parmendën vetëm, mendove se kam luejt. Jo djalosh, arën me lavrua e mos me t’dalë s’krrajat përjashta, e me i ruejt mos me i hangër sorrat, s’mundesh! Pushteti s’asht arë, me vllaqitë si t’duesh e kur t’duesh! Ti s’u shkrove profesorave tu, me t’kallxua si me ecë tehut t’thikës pa u pre! Unë po! I shkrova Azem Shkrelit, i thashë kallxom, Zoti a asht, a s’asht shqiptar, sa s’ka ardhë vendimi i Kushtetuesës, e ai ma ktheu: Jo, asht i Zgatavellit, m’tha! Eh, thoshte Fishta, dredhë djallit kjo shqiptaria! Gjithçka pranon shqiptari, veç suksesin e tjetrit jo! Jo, ai e vret n’shpirt. Gruen ta falë, e suksesin s’ta pranon! Tash duro djalosh, deri t’rrezitë dielli mirë e mirë, e blini t’lulëzon, e me lulet e tij, t’ia thurish nji kunorë Dardanisë, që mos t’i thahet ma kurrë!
Me një monolog të Çun Lajçit, para të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare u hap ngjarja e promovimit të librit më të ri të Lajçit, i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, shkruan KultPlus.
Abdullah Zeneli nga Shtëpia Botuese “Buzuku” e prezantoi librin derisa theksoi se do të bashkëpunojë me autorin edhe në të ardhmen.
Studiuesi
Behar Gjoka tha se Lajçi përveçse aktor është edhe mjeshtër i fjalës. “Çun
Lajçi është njeriu i artit dhe i botës shqiptare, ai është simbolika më e qartë
e fjalës si aktor dhe si shkrimtar e veprimtar”.
Tutje Gjoka
foli për romanin dhe theksoi se brenda tij është e gjithë Kosova.
“Brenda
tekstit është Kosova, është ai gjak, i cili po të mos ishte ne s’do të mund të
flitshim sot. Plisi është simbol, kryehero, është e sotmja dhe e nesërmja e
Kosovës dhe e shqiptarësisë”, potencoi ai.
“Kur
fryjnë ernat” është roman i përbërë nga 24 kapituj dhe konsiderohet si
poemë epike në prozë.
Edhe
shkrimtari Nazmi Rrahmani pati fjalë të mira për romanin e Lajçit. Ai foli më
gjatë për përmbajtjen e tij.
“Autori
i lidh gjitha ngjarjet me veprën e vet. Plisat janë simbol i rezistencës, me të
cilët autori i lidh ngjarjet në veprën e vet. Pastaj kulla si simbolikë
ndërlidhet vetvetiu me familjen Jashari. Gjithashtu tregohet vazhdimësia e
jetës së atyre që mbetën nën rrënojat e kullës”. Në roman përcaktohen në
mënyrë simbolike ngjarjet e kohës, u shpreh Rrahmani.
Aktori
Xhevat Limani u paraqit me një recitim të vjershës së Fan Nolit “Jepni për
nënën” derisa autori Çun Lajçi lexoi prapë pjesë nga libri para të
pranishmëve.
Tashmë “Kur fryjnë ernat” gjendet nëpër libraritë e kryeqytetit. /KultPlus.com
Nga Çun Lajçi. Dedikuar motrës Bute Qorraj Haxhijaj.
Ta kujtova shkumjen tande nuse Atë dimnin e largët Unë Çuni vocrrak Ta kujtova edhe vekun me pejna Mes lamshash e ojnash ulun t’pashë Qejzin e çiknisë tue ba Ik tash Merri gryk babë e nanë E Bubulinën që vetëm e lashë. / KultPlus.com
Kisha xhiruar film plot tre muaj me aktorin Qiriaqi që kurrë ma parë s’e kisha takuar. Ishim ba miq dhe na dukej se gjithë jetën kishim punua s’bashku, aq shumë u përafruam me njeni tjetrin. E takova edhe në premierë, por e pata edhe mysafir n ‘Prishtinë.
Por kurrë pritë s’e kisha, ta takoj të krrusun e tue iu dridhë kokë e kamë at shtatgjatin Gim që vërtetë ishte aristokrat. Por jeta qenka aq e pamëshirshme, sa as vet s’di çka me ju thanë.
Kishim shkuar me shfaqjen “Tartufi” n ‘Tiranë dhe pas provave, diku rreth orës 11, dola me Bajrush Mjakun n ‘oborrin e Teatrit dhe çka me pa. Agim Qiriaqi po dridhej kokë e kamë dhe mezi po lëvizte.
O Zot thash, a ky qenka ai Kolonel Bunkeri me të cilin hyra e dola tre muaj ditë dhjetëra bunkerëve anë e kand Shqipnisë tue xhirua filmin e Çashkut? Mezi me njohu. E mora ngryk nga mallëngjimi. Me fliste e nuk kuptohej. Vetëm sytë i shndrisnin nga malli që me pa.
I thash Bajrushit, a ta marrim e të shkojmë për drekë në Durrës. Me gjithë qejf me tha, veç ku ta marrim një veturë. Mos u ban merak i thash, Agimi e ka Benzin, se ka qenë të unë në Prishtinë.
Por s’e di se cili prej aktorëve të Teatrit Kombëtar mu afrua e me pëshpëriti në vesh: Kolegë, m ‘tha, shumë mirë kishe me ba nëse e merr Gimin, se gati të gjithë e kane harruar.
Fatkeqësisht, kolegët e tij ikin nga ky. Por kujdes, se ky nuk mundet me vozitë se asht me alzajmer dhe do ta kesh shumë vështirë, sepse nuk e lejon kurrë me ia vozitë Benzin.
Mos u merakos i thash, se mua ma ka hatrin dhe sigurisht do t’me lejon të jem unë shoferi i tij.
Ku e ke Benzin Gimi i thash? Tue belbëzua bani me kokë në drejtim të veturës se tij. Aty e kishte, n’oborrin e Teatrit. Kishte muaj që s’kishte lëvizë nga aty. I thash, dëgjo.
Ne jemi miq të vjetër dhe tre muaj të kam vozitë me Micubishin tim t ‘vogël, a të prishet qejfi që sot të të vozis me Benzin tënd si dikur dhe bashkë me disa aktor nga Prishtina të drekojmë në plazhin e Durrësit, të hamë peshk si atëherë me polakët kur xhironim.
U mundua t’me thoshte se unë do të vozis, jo ti, por unë tu qeshë i thash: Gimi, jo se na bërtet Çashku. E kuptoj çka deshta t’i them dhe qeshi. Se gjatë xhirimeve Çashku s’kishte merak me vozitë artistët, i druhej ndonje aksidenti e pastaj vajhalli për filmin.
U futen n ‘veturë, Bajrushi mbrapa e Gimi para e unë shoferi dhe u nisa. Meqë kurrë Benz s’kisha vozitë, kisha harrua me e lëshua frenin e dorës.
Nuk e kishte si Fordi im, ai e kishte pas të kama e majt, e Agimi sa mujke i jepte me nxjerrë fjalën tue dasht me thanë shtype frenin, po kurrsesi s’i dilte fjala, e unë s’e kuptoja e vozitsha e ai i t’merumë mos po i prishet vetura diçka bërtiste.
Ma n’fund u morëm vesh dhe e shtypa frenin, por gadi u prisha me te. Bile ma kapi vollanin e deshti me dal me vozitë ai. Por ndërhyni Bajrushi dhe u qetësua. Mbërrimë të plepat, aty afër hotel Adriatikut.
Shkuam aty ku Gimi deshti dhe porositi peshk të egër e fruta deti. Pimë venë të kuqe e mua m’thoshte ti mos pi mbi nji gotë, se je shofer. Shume herë m’i puthi duart gjatë drekës.
Ke ba sevap me mua me thoshte, se prej kohës se xhirimeve këtu në plazhin e Durrësit kurrë ma s’kam qenë. Nuk rrin kush ma me mua, e lere të me gostis dikund me ndoni drekë apo darkë.
Sa e dhimbshme ishte ajo që po me tregonte aktori i madh shqiptar i qindra roleve. E mjerueshme m’u duk Shqipnia atë ditë. Të mjerueshëm edhe kolegët e mi shqiptarë. Po si iket nga nji yll filmi e Teatri për shkak të sëmundjes i thosha vetës. E ktheva në Tiranë.
Benzin prap ia parkova aty ku deshti ai. Nuk di a hyni në sallë m’e pa ‘’Tartufin’’ e kolegun Çun atë natë, sepse kur u ndamë m’tha po shkoj pak me pushua se jam i lodhun dhe m’i puthi prap duarët tue belbëzua: ma mbushe zemren plot jetë sot more kosovari im me tha.
Ajo natë futë e zezë na ndau përgjithmonë, tue ma lanë kujtimin e nji dreke e të nji filmi.
Vdiq n ‘vetmi tue iu dridhë duar e kamë. Medet që s’mujta me marrë pjesë në varrimin e tij, se fatkeqësisht isha në shesh xhirim të Guri i Zi në Shkodër, e regjisori amerikan s’ma plotësoj dëshirën kur e luta.
Nuk guxoj prej producentit me ndërpre xhirimin me tha. Unë kurrë s’e harrova drekën e fundit me Ty Agim Qiriaqi dhe Benzin tand që mbet shkret n ‘oborrin e Teatrit Kombëtar./ KultPlus.com
Si një monument për jetën e Bubulina Lajçit, autori Çun Lajçi ka shtrirë kujtimet e tij në librin që promovoi sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Një vit mungesë të Bubulinës, autori Lajçi e ka ngjallur përmes vargjeve të shkruara në librin “Bubulinë, ti letër e pashkrueme” .
Mes lotëve, duartrokitjeve e kujtimit për të, të pranishmit mbetën të emocionuar pas çdo poezie që Lajçi e solli me interpretimin plot shpirt. Ai mes fjalësh, falënderoi të pranishmit që përgjatë një viti i kanë qëndruar dhimbjes së tij pranë. Këto letra, për Lajçin janë letra të pashkrueme e mbi të gjitha janë letra përmes të cilëve shoqëria mund të mësojë diçka për brezat e vet.
Mes letrave që ecin nëpër 34 vitet e jetës së të bijës së Çun Lajçit, ai thotë se ka edhe shumë dhimbje atdheu. Lajçi tha se ky libër nuk është vetëm libër për vajzën e tij por edhe një dhimbje për prindërit të cilët duke u bazuar në shoqërinë, i humbasin fëmijët e tyre. Ai tha se shoqëria e sotme është e brishtë e nuk është një shoqëri që i ruan fëmijët e vet.
“E kam pasur për obligim njerëzor dhe atëror që ta ndriçoi mendjen time së pari dhe të gjithë këtyre prindërve që harrojnë fëmijët e tyre duke vrapuar pas pasurisë, në masë të madhe e fajësojë rendin politik- shoqëror që për të ardhur deri tek pasuria e kanë shitur edhe helmin”, theksoi Çun Lajçi.
Emocionet e dhimbjen e fortë që i ka përjetuar para një viti, po i përjeton edhe sot nëna e Bubulina Lajçit, Fatime Lajçi. Duke falënderuar nga thellësia e shpirtit të gjithë ata që erdhën në këtë ditë përkujtimi, tha se mallin e dhimbjen që ndjen, ndoshta një ditë do t’ia dalë ta përjetësojë në libër.
“Unë Bubulinën çdo ditë e barti mbi supe dhe heshti dhe mundohem ta vras mallin në heshtje por ndoshta një ditë do ta përjetësojë edhe unë në libër”, tha para të pranishmëve aktorja Fatime Lajçi.
Ish- ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka u shpreh se ndihet i lumtur që vlerësimi i tij bën pjesë në kopertinën e librit të Lajçit. Lajçi këtë vepër e përshkruan si një libër që prek në dhimbjen më të thellë të prindit i cili e përcjellë fëmijën e vet për amshim. Tutje Lauka tha se “Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, shpreh jo vetëm dhimbjen e autorit por edhe rolin e intelektualit ndaj klasës së kalbur pushtetore.
“Këtë dhimbje që Çun Lajçi arrin ta tejkalojë, e bën këtë jo për vetën e tij por për Bubulinën, për të treguar historinë e saj se sa e mirë është ajo. Në qoftë se për Bubulinën autori më të drejtë shpreh dhembshuri për shoqërinë kosovare shpreh dhimbje dhe qëndrim kritik”, u shpreh tutje Lauka.
Pas tij, fjalën e mori ambasadori aktual i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi duke e cilësuar Lajçin si një personalitet të spikatur të letrave poetike. Zakonisht njerëzit organizojnë akademi përkujtimore dhe bëjnë shumë mirë, por kjo e sotmja ka një veçanti pasi që nëpërmjet këtij libri vijnë shumë mesazhe dhe e bëjnë Bubulinën të paharruar.
“Njerëzit të kujtojnë gjithsesi por kjo mënyrë është tejet simbolike dhe prekëse që ka mbledhur këtu njerëz të moshave të ndryshme dhe një pjesë e të cilëve kane qenë shokë të Bubulinës që nuk e kanë sot”, tha në fjalën e tij ambasadori Minxhozi.
Poetit Adem Gashi, libri i Lajçit ia ka kujtuar kërkesën epike me të cilën Umberto Eko u drejtohet lexuesve të tij. Eko u kërkonte që lexuesit në çdo mënyrë t’i lexonin 30 deri në 50 faqet e para të librit të tij prej qindra faqesh, e pastaj u thoshte “lëreni po mundet”. Me kërkesën e njëjtë iu drejtua sot Gashi të pranishmëve pasi ta kenë lexuar lirikën e parë të librit për Bubulinën.
“Unë po ju them “Lexojeni vetëm lirikën e parë të këtij libri për Bubulinën, pastaj lëreni po mundet”, kështu bëra edhe vetë duke lexuar këto letra të palexuara mu kujtua pikëllimi i Hygoit për të bijën, mu kujtua vaji i Podrimës për të birin por Çuni ç’bëri për Bubulinën, bëri recitalin e gjëmshëm të dhembjes e të dhimbjes për ashtin e mishit, për trupin e shpirti e ç’të thuhet më shumë veçse deri aty ku nuk mbanë më burri baba”, shtoi Gashi në përurimin e librit.
Krejt në fund poeti Agim Doçi pati një porosi për pushtetin ekzekutiv që të themelojë shkollën e artit dramatik, për të cilën tha se duhet të mbajë emrin e Çun Lajçit.
Libri “Bubulinë, ti letër e pashkrueme” është botim i Shtëpisë Botuese “Buzuku” dhe mund të gjendet në librarinë “Buzuku”. / KultPlus.com
Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi shumë shpejtë do të sjellë librin e tij më të ri, por ky libër nuk është i zakonshëm për të.
Mes dhimbjes për vajzën e humbur ai sjellë librin me vargjet më të ndjerë që dora i ka shkruar ndonjëherë. Para promovimit të këtij libri, ai ka ndarë një nga poezitë që shpreh vargjet për një vit mungesë të së bijës.
Më poshtë mund të lexoni poezinë e autorit Çun Lajçi.
In memoriam
Nji vit pa Ty e pa frymën tande
ecim kujtimësh si tymit temjanit
Bubë!
Jerusalemi qeshi kur shqip fole:
“Jezunë du me prekë e shtrat i tij m’u ba”
Adeeb Joudeh ta hapi derën
e t’shenjtës “Sepulchre” atë mëngjes korriku
diell i përvëluem zemre
Ti ece temjanit, unë pas xhamive
ku myezinët lëshonin zá
kur u ktheva,Sepulchre mshelë ishte
Ti s’dole ma!
Unë
i vetmuem n’qytetin plot jetë
i mërdhimë n’prushin e mbuluem me hi
dëshpërue nga lumtuni korriku
zjarm andrrash futa n’gji
E shkurtë dita për vetëvrasje
Nata e gjatë për dashuni
S’e kuptoj pse gëzohem që s’vdes
e pse jetoj në këtë botë me përralla
Zot
çka t’baj me Ninin që larg meje leh
e Bubën që varun m’rri mbi qepalla
Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi shumë shpejtë do të sjellë librin e tij më të ri, por ky libër nuk është i zakonshëm për të.
Mes dhimbjes për vajzën e humbur ai sjellë librin me vargjet më të ndjerë që dora i ka shkruar ndonjëherë, shkruan KultPlus.
“Bubulinë, ti letër e palexume” titullohet libri i cili do të shpalosë dhimbjen e babait për të bijën e humbur.
Libri përbëhet me letra kujtimesh për vdekjen e vajzës – Bubulinën dhe vjen pikërisht në përvjetorin e vdekjes së saj, më 20 nëntor në ora 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. /KultPlus.com
Aktori i mirënjohur shqiptar, Çun Lajçi i ka dedikuar një poezi emocionuese veprimtarit Adem Demaçi.
U PRE E MUGULLOI N’THIKA
( Adem Demaçit)
E shtrydhi zemrën e rininë e lagu
Me gjakun e atdheut
Në tri thika u pre e mugulloi sërishë
U kafshue nga gjarpërinjtë e gjaku iu helmue
E prap mugulloi e prap u pre në thikën e Atdheut
Ai ishte plak
Në bulzën e re e pip i ri në trungun plak
Kurrë s’e shijoj e aç afër e pati
Kosovën e rrudhur n’lëkurën e tij
Shqipërinë e donte nga larg e burgun nga afër
Ne frigoheshim nga mendimi e liria e tij
Prononcoheshim e
distancoheshim
Përqafoheshim me robërinë,
Lëkurën shpetonim
Ai zihej për neve n’kalvarin e t’merrit
E prap gjarpërijtë e gjakut e kafshonin
Goli Otok ishte parajsa në këmbim të Lirisë
Ai u shtrydh gjithë jetën nga skjau
U pre dhe mugulloj n’thika
E gjithë jetën rrjedhi Shqipëri.
“Bekimi i Plisit të Moisiut” është libri më i ri i Çun Lajçit që u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ky libër me një gjuhë të thjeshtë të një njeriu nga Rugova arrin që të komunikojë me lexuesin duke i treguar shumë momente nga gëzimet e hidhërimet e jetës së aktorit Çun Lajçi.
Gili Hoxhaj
Jeta e tij në skenë, në shumë personazhe e marrëdhënia e tij me shumë njerëz, e sjellë këtë libër me gjallëri duke ndërfutur shumë copëza të jetës së tij. Si i tillë, ky libër është i bazuar në detaje nga memoria e aktorit dhe është një homazh për të gjithë njerëzit që kanë kaluar në jetën e tij.
Në mesin e të pranishmëve, sot pjesëmarrësit treguan për rëndësinë e librit dhe vlerat e autorit. Para kësaj, me plisin e tij në kokë e fyellin në duar, ai solli një performancë artistike përmes recitimit të një nga poezitë e tij. E gjithë ceremonia e përurimit të këtij libri u udhëhoq nga poeti Agim Doçi, i cili fillimisht lexoi një letër të kryeministrit Ramush Haradinaj, që ishte shkruar për të përuruar këtë libër. Doçi pati shumë fjalë e emocione gjatë përurimit të librit ndërsa shtoi se veprimtaria e autorit Çun Lajç duhet vlerësuar si pasuri kombëtare.
“Lus që Çuni të mos i kuptoj vlerat e veta se ndryshe nuk do i kishte folur shumëkujt që nuk i di vlerat e Çun Lajçit. Ai është memoria e dëshmorëve dhe heronjve të kombit”, u shpreh Doçi gjatë promovimit të librit.
Nazmi Rrahmani tha se Çun Lajçi përmes këtij libri sjellë një mozaik të përgjithshëm të punës, jetës dhe qëndrimeve të tij. Ai po ashtu tha se aktori përmes këtij libri arrin dy qëllime që të tregojë rrugëtimin e tij gjatë jetës dhe kontaktet me njerëzit dhe që lexuesin ta dërgoi në ato ngjarje e momente qe nuk kanë qenë vetëm të tij, por edhe të gjitha gjeneratave të asaj periudhe.
“Me rrugëtimin e tij jo vetëm artistike me rolet e luajtura nga vepra të ndryshme, ai ka diçka tjetër, diçka më plotësuese që nganjëherë gjatë punës dhe jetës së tij nuk është vërejtur, prandaj ndalet tash dhe i shkruan këto kujtimet të cilat e plotësojnë figurën e njeriut dhe aktorit të njohur Çun Lajçi”, tha Rrrahmani gjatë fjalës së tij, ndërsa shtoi se këto copëza të jetës e kujtojnë një dhjetëvjeçare të viteve 90-ta.
Pas tij, fjalën e mori shkrimtari Besnik Mustafai i cili tha se beson se ky libër është një kontribut shumë i dobishëm, pasi që kujtimet e tij të shkruara përbëjnë pasuri kombëtare dhe të gjithë personalitetet me standarde të tilla duhet t’i shkruajnë kujtimet e tyre. “Për mua është aktori më i madh shqiptar që është gjallë dhe më besoni si një shkrimtar, si një njëri i letrave po e them se është edhe një shkrimtar shumë i mire” , tha ndër të tjera Mustafai, duke shtuar se edhe përse ky libër sjellë disa copëza të ndara mund të lexohet si një roman pasi që marrëdhëniet dhe tregimet kanë një koherencë brenda vetes.
Ky libër është botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, andaj për botuesin e këtij libri, Abdullah Zenelin, botimi i librit të autorit Çun Lajçi është një privilegj. Ai tutje tregoi një detaj nga libri i parë, se si mes bisedash e kishte inkurajuar Lajçin që ato që po i tregon të ulet dhe t’i shkruaj.
“Kur e botova librin e parë ma tregoi një detaj që ishte margaritar dhe para se të arrij kulmin e asaj që më thoshte i thash “Ndal” dhe u habit, i thash “Ndal, ulu dhe shkruaj dhe pastaj flasim”, dhe me siguri nga respekti dhe mbështetja morale ai i hyri punës një pas një deri tek libri që u kurorëzua sot, faleminderit Çun që ky detaj ndikoi që ta shkruaj në libër”, tregoi botuesi Abdullah Zeneli.
Mes fjalëve të tij, Zeneli ftoi aktoren Safete Rugovën për ta nderuar aktorin me një buqetë të luleve.
“E filluam karrierën para 50 viteve, me ndjenja atdhedashurie u rritëm dhe u edukuam gjithë jetën, si kolege e falënderoj Çunin për të gjitha ato role e personazhe që i dhuroi teatrit, ndërsa si lexuese e falënderoj për të gjithë këta libra që i solli viteve të fundit”, u shpreh aktorja Rogova, për aktorin Çun Lajçi.
Krejt në fund fjalën e mori autori i librit, Çun Lajçi i cili tha se sot në kokë mban plisin, sepse dëshiron t’i respektoj rrënjët e tij. Ai tha se përmes këtij libri ka thënë gjithçka që s’ka mundur të thotë në skenë.
“Jo pse jam më patriot se ata që na udhëheqin, jo se jam më pak trim, por që vi prej një rraje që kemi pasur me çka të krenohem e kam trashëguar prej babai tim, që të eci në shputat e mija pa e marr parasysh a do të më qohet pluhuri mbrapa”, tha aktori Çun Lajçi. Ai tutje tha se ky libër nuk është thjeshtë një autobiografi dhe se nuk e ka filluar si autobiografi, po për të treguar se në jetë ka mësuar shumë nga të tjerët.
Krejt në fund para se të pranishmit të takoheshin me autorin për ta uruar për librin, ai emocionoi të pranishmit me një pjesë të librit. Rrëfimi i tij tregonte për jetën e tij prej aktori në moshën 22 vjeçare, ku pak momente para se të sjellë para publikut rolin e Hamletit në Teatër, merr njoftimin e vdekjes së nënës së tij, të cilën ditën e nesërme do ta gjente poshtë varrit të mbuluar nga bora. / KultPlus.com
Çun Lajçi, Abdurrahman Shala dhe Faruk Begolli janë tre emra të njohur që kanë kontribuar në fushën e aktrimit në Kosovë, shkruan KultPlus.
KultPlus, ju sjellë një fotografi të përbashkët të këtyre tre aktorëve. Fotografia është shkrepur disa vite më herët, andaj përmes saj mund të shohim edhe dukjen e këtyre aktorëve kur ishin më të ri në moshë.
Abdurrahma Shala dhe Faruk Begolli kanë ndërruar jetë vite më herët./ KultPlus.com