Shkruan: Çun Lajçi
Qe kush ishte Gala e qe ku ishte Çuni
E kisha vjedhë rrafshjanën e zallinave e s’bajsha za. Nji strufullog e kisha ba n’banesën ku banonte Ahmet Brahimaj e Gani Loshi, me balerinët tjerë, dikund përfundi Velanisë, të nji bijë e Mekulve, e dimnin po e prisja me gëzim, thuase kisha pre pastermë e do t’zihej mishi i thatë me pasul n’vegëshin e zi, si kullave të Dukagjinit!
Lahutën, që e pata ble me Xhevat Qenën, n’Kafën e Çakorrit e kisha sa me ia shkundë mallin dasmës që kurrë s’e bana.
Edhe nji def e pata ble të Çarrshi Xhamia n’Pejë, e kur m’shkonte mendja të Hamidja e Rrushja, e rrehsha e kcejsha për bukuri!
Kjo kaçurrelja e zallinave veç qeshej. N’sytë filxhan ia lëxojsha mendimet: Ore, ç’me gjet me ket delidreq! U martova me rugovasin a me lahutarin? Me artistin a me defatoren? E unë, sa kangën sa vallën. E recitimet s’ndaleshin kurrë.
Kjo e bukur. Rrunxë. Shtjerrë. Rudinë e pa kullotun! Unë i dalldisun si hamshori!
N’Rugovë s’e çova atë dimni. Thash m’ftofet! Pritsha me dalë vera, e si xheraçina me ia shprush pendlat të Krojet e Pasmajes, atje ku i kisha ruejtë me vite delet. Atje ku s’do na shihte kush, pos skyfterëve e dhive t’egra. Pritsha me qitë të Guri i Kuq e t’kuqe me iu ba faqet kur t’ia mbushi tasin me borë e t’ia mjeli delen bardhokë.
– Pi tamel e borë moj rrafshjane me i thanë se boll ke pi ujë zhabash n’zallinat e Drinit!
Kjo ishte dëshira që ma vlonte gjakun e s’m’linte rehat atij dimni, e vera ishte larg.
Edhe fjala kishte dalë andej kah Novosella. Jo fort e mirë! Nji kopilan Rugove e grabiti çikën e Tahir Sefës e tërrt veshi s’asht tue i ba! Kështu m’erdhën fjalët nga ai bardhoshi gazetarë, Bajram Sefaj, që kullotë e kishte nji Mbretni Jugosllave tue punua nëpër gazetat e tyne!
E pata cimer dhome n’Ulpianë e të Tre Soliterat, e nji ditë m’tha: Vllau im e baba i grues tande asht hatrua fort. Ban mirë m’u takua me te, nëse e ke zgjedhë për mik!
Unë kopil-stërkopili ia ktheva kopilançe: Kur të doni e ku të doni, se pa i ba shtatë gjaqe ma s’e lëshoj! Jam nipi i Ramë Mulës, e pa u shterë Limi, Galicën s’e merrni ma!
Ai m’i zgurdulloi sytë e verdhë. I mbeti hatri. Shkoi e s’foli!
Të nesërmen ma pruni fjalën!
– Tahir Sefa e Sali Sefa, të dielën n’orën 11-të, të presin n’Hotel Bozhur!
Kur shkova n’dhomën e vogël e gjeta ket shejtanën tue i ra defit. Krejt all iu banë faqet që e pashë. E vjerri n’gozhdë sikur të donte ta shfajsonte vetën. Sikur m’tha: Pata qejf m’u mësua me rreh, por ja që s’paskom vesh si ti për muzikë!
Ia mora ngrykë atë fajsi e ato faqe. Edhe gjoksin e gufuem ia mora n’grykë. Me hasape edhe buzet ia vodha.
Nesër n’orën 11-të (nëse e ban zoti dritë), baba yt ka me t’ba për hajër për qet Çunin e lahutës i thashë, dhe e putha!
Sytë i banë dritë e dy çuka n’faqe iu gropuen hala ma shumë nga gëzimi. Ajo s’kishte guxua me m’thanë, se babë e nanë s’po pajtoheshin m’u martua hajnisht!
Të nesermën e thirra edhe unë nji dukagjinas, kolegë timin.
– Xhevat Qorraj, i thashë! Dua me kanë ispat nesër kur t’ma ban përhajër Tahir Sefa, Galën për nuse!
Dhe shkuem. Cigare Kent bleva. Raki “Llozë” rrushi iu qita. Muhabet tjetër tybe n’pata, se s’kisha pare. Veç fjalë boll e s’përtova as nuk u skuqa me iu thanë miqëve t’ri: O Tale! O Sali Sefa! Unë bijën tuej e kam grabitë, se djalë kaçaku jam e zanat tjetër s’kam, e babës s’ia luej rrajën pa m’marrë martina e Karadakut. Ajo asht grueja jeme, e ju n’daç bamani me hajër n’daç m’shkrijni plumb n’ball, por i zoti me ba dasëm s’jam!
Tahir Sefa u çua n’kamë.
– Për artist të di, por që je edhe bir kaçaku tash e mësova. Ty t’kjoftë përhajër çika jeme, e ti ndaç mbaje n’sheher ndaç çoje n’shpellë se qesi burrash po lypi!
Vetëm nga nji kafe e nga nji raki, me cigare Kent, atë të diele e kemi pi n’Hotel Bozhur e kemi marrë rrugët tona. Ata për Pejë unë n’gjinin e Galicës sime.
Tash derën e kemi të çelun të Tahir Sefa në Novosellë, e ti s’je ma e vjedhun dhe trokiti dera e m’la pa e puthë.
– A don mysafir o Rugovë, bërtitën njizani Gani Loshi e Ahmet Brahimi t’cilët banojshin n’dhomën tjetër.
Ma banë me hajër, por u ngushtova se s’kisha bash kurgja mbas shpirtit. Por iu thashë: Ne mbramje kafet e dasmës i pimë në Bufetin e Teatrit. Po, se aty i kalonim mbramjet edhe kur kishte shfaqje edhe kur s’kishte. Dhe iu thashë: Hapeni fjalën sa t’mundeni, e thuejuni atyne artistëve sheherli, mos gaboni me ma kqyrë shtremt Galicën se pushkë qes për te!
Ahmet Brahimaj, (shpirti i pastë rahmet), qeshi e tha: Përmbrapa m’ke, se jam i Burrnutit unë e t’kam dhandërr!
Qe kush ishte Gala e qe ku ishte Çuni. / KultPlus.com