“Dhimbja është turpëruese” nga Rudina Çupi, poezia fituese në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Rudina Çupi

Njerëzit RIBËHEN. Bëhen të bukur, të latuar.
(Bebet së shpejti do të lindin duke qeshur:
shkenca do ta bëjë lumturinë të mundur,
i ke parë: ka aq mjekë që merren me lëkurën
sa ka gra që merren me lek-kurën?)
Dija është rrudhë.
Vuajtja është turpëruese.
Të varfrit janë strukur.
Të dehurit janë rralluar.
Po arti, pse hesht?!

2.

Njerëzit i keqpërdorin këshillat:
“Rrno vetëm për me tregue” nuk është thjesht një titull,
të gjithë mbajnë sytë nga “jeta e treguar”
ekranet janë ricikluese, ripërtypëset e mëdha të jetëve.
Njerëzit – rripa patatesh që skuqen një vaskë vaji gëluese
tërë yNDYRË a SHERRbet
si ushqimet e majme të fast-fund-eve,
se fundja, fjala, si buka, kalon përmes gojëve
dhe nga të dyja – fjala është më pak mbushëse.
Letërsi e përdorur në zorrë është kjo?

3

Ja, bota – toka e poetëve të përzënë.
Avionë, anije, trena ekspresë, makina, jahte
dhe shumë agjenci turistike
për njerëz që udhëtojnë gjithnjë e më vetëm
(siç udhëtonim në ëndërrime e në fantazitë letrare).
Paçka se nuk është epokë akullnaje, por e shkrirjes globale
jovertebrorët – jomadhështorët: poetët do të zhduken nga bota porsi dinozaurë. / KultPlus.com