Pikturë- Përse Da Vinci, Botticelli dhe Rembrandti shtonin të verdhën e vezës në bojërat e tyre?

Sipas një studimi të botuar në revistën ”Nature Communications”, mjeshtrit e mëdhenj të epokës së Rilindjes dhe Barokut si Leonardo da Vinci, Sandro Botticelli dhe Rembrandt shtuan qëllimisht të verdhën e vezës në pikturat e tyre me vaj, shkruan g24.sky.it.

“Burimet janë të pakta dhe studimet shkencore mbi këtë temë nuk janë bërë kurrë më parë”, theksoi autorja e studimit, Ophélie Ranquet e Institutit të Inxhinierisë në Institutin e Teknologjisë Karlsruhe në Gjermani.

E verdha e vezës

Sipas asaj që doli nga studimi, mjeshtrit e epokës së Rilindjes dhe Barokut e zbatuan këtë strategji, sasi të vogla të verdhë veze, ndryshojnë në një mënyrë të qëndrueshme vetitë e bojës dhe artistët e dinin mirë këtë gjë”.

Deri më tani mendohej se prania e proteinave si e verdha e vezës ishte rezultat i kontaminimit aksidental.

Ranquet, e cila gjeti gjurmë të substancës në dy piktura në Alte Pinakothek në Mynih, ”Madonna me karafil” e Leonardos dhe ”Vajtimi mbi Krishtin e vdekur” të Botticellit, është e bindur se artistët ishin të vetëdijshëm për pasojat e përzierjes së të verdhës me bojë, duke përfshirë për shembull përmirësimin e rezistencës ndaj lagështirës.

”Të dhënat e reja nuk janë vetëm të dobishme për restaurimin dhe ruajtjen e veprave të artit, por gjithashtu lejojnë një kuptim më të mirë të historisë së artit. Ato na ofrojnë një skenar të ri për të kuptuar teknikat e lashta të pikturës”, deklaroi Maria Perla Colombini, profesoreshë e kimisë analitike në Universitetin e Pizës./ atsh/ KultPlus.com

Thënie brilante nga gjeniu Leonardo da Vinçi

Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vincit:

E vërteta është vajza e vetme e kohës.

Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.

Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.

Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.

Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.

Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.

Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.

Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.

Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.

Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.

Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.

Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?

Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.

Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.

Urtësia është vajza e përvojës.

Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.

Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.

Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.

Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.

Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.

Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.

Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.

Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.

Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.

Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.

Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.

Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.

Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.

Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.

Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.

Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.

Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.

I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.

Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.

Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.

E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.

Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.

Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.

Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com

Mos qesh me fatin e tjetrit

Poezi nga Leonardo Da Vinçi

Digjej qiriu në heshtje e tretej,
Çdo minut e më i vogël mbetej.

Jepte ç’kishte më me vlerë, jetën,
që njërzit të shikonin të vërtetën.

Flaka shkëlqente e hidhej në mure,
ndriçonte, skuta e konture.

Tallej me qirinë, që zbehej, tretej,
flaka nga gazi qeshte sa mekej.

Kur nata po i afrohej mëngjesit,
e jashtë dëgjohej kënga e këndezit.

Qiriu, ç’kishte nga shpirti e dha,
dhe nga jeta pa bujë u nda.

Por ç’ndodhi ? Bashkë me ikjen e darkës,
vdiq dhe drita dhe mburrjet e flakës./ KultPlus.com

Studiuesit: Da Vinçi zbuloi gravitetin përpara Njutonit

Leonardo da Vinçi kishte pasur intuitën se graviteti është një formë përshpejtimi një shekull para Njutonit, pasi vizatimet e eksperimenteve të tij e sugjerojnë këtë.

Konstanten gravitacionale ”g” ai e kishte gjetur me një saktësi prej 97%.

Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën ”Leonardo” nga inxhinierë nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni, së bashku me ekspertë nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Zvicrës Perëndimore.

Studiuesit panë disa vizatime nga kodiku ”Arundel” që përfaqësojnë një eksperiment në të cilin një enë lëviz horizontalisht duke derdhur disa materiale (ujë ose, më shumë gjasa, kokrriza rëre).

Në shënimet e tij, Leonardo tregon vetëdije për faktin se materiali i derdhur nuk do të kishte rënë me një shpejtësi konstante, por do të ishte përshpejtuar dhe se, nëse ena do të ishte lëvizur me të njëjtën shpejtësi si forca e gravitetit që e zbret materialin, atëherë rënia e fundit do të vizatonte hipotenuzën e një trekëndëshi barabrinjës.

“Rreth 500 vjet më parë, Leonardo da Vinçi u përpoq të zbulonte misterin e gravitetit dhe lidhjen e tij me inercinë përmes një sërë eksperimenteve gjeniale të udhëhequra vetëm nga imagjinata e tij dhe teknikat mjeshtërore eksperimentale”, shkruajnë studiuesit në punimin e tyre.

Simulimi kompjuterik i eksperimentit tregon se Leonardo përdori një ekuacion të gabuar në mënyrën e duhur në llogaritjet e tij, por pavarësisht këtij gabimi, do të kishte lejuar që konstantja gravitacionale ”g” të llogaritej me një saktësi 97% në krahasim me metodat moderne.

”Ne nuk e dimë nëse Leonardo eksperimentoi më tej apo e hetoi më thellë këtë çështje, por fakti që ai po u afrohej problemeve në këtë mënyrë, në fillim të viteve 1500, tregon se sa larg ishte mendimi i tij”, përfundon Morteza Gharib nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni./ atsh / KultPlus.com

Ekspozohet në Francë piktura e pa përfunduar e Da Vinçit

Piktura e pa përfunduar e Leonardo Da Vinçit “Shën Jeronimi në shkretëtirë” është ekspozuar në Kështjellën Clos Luce në Amboise të Francës, ku artisti kaloi tre vitet e fundit të jetës.

Kjo pikturë, që luhatet midis vizatimit dhe pikturës, tregon Shën Jeronimin, i cili në shekullin e IV përktheu Biblën në latinisht gjatë pendesës së tij në shkretëtirë. Sipas historianëve të artit, piktura daton në vitet 1480.

“Ju mund të shihni qartazi shenjat e gishtërinjve, kjo është ajo që quhet pikturë me gisht që krijon një sfumato të lehtë. Është veçanërisht prekëse sepse këtu kemi gjurmët e gishtave të Leonardos 535 vite më pare”, tha drejtori i muzeut Francois Saint Bris.

Shën Jeronimi ishte një temë shumë e njohur gjatë periudhës së Rilindjes, duke mëshiruar bashkimin e fesë dhe humanizmit intelektual.

“Shumë pyetje nuk kanë marrë përgjigje, e cila e bën këtë vepër kaq enigmatike. Është një punë e porositur apo e ishte një vepër që Leonardo e bëri për vete kushtuar Shën Jeronimit? Është nga periudha fiorentine, pra para 1480, apo nga periudha milaneze pas 1480? Misteri mbetet”, tha Francois.

Në këtë vepër, Shën Jeronimi shfaqet i penduar, ku mjeshtri italian e paraqet të gjunjëzuar, pa mjekër, të veshur me lecka dhe pa librin e shenjtë.

Janë skicuar vetëm kapela e kardinalit të tij dhe kryqi që mund të shihet në një skicë. Ekspozita është prezantuar në Vatikan dhe më pas në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa në Francë është planifikuar të qëndrojë e hapur deri më 20 shtator./euronews.al/ KultPlus.com

Mona Lisa e Da Vinçit “sulmohet” me tortë nga një burrë i veshur si plakë në karrocë (FOTO)

Të dielën e 29 majit, një person ndoti kasën e xhamit që mbron Mona Lisa-n e Leonardo da Vinçit – me tortë.

Piktura më e famshme në botë është e ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris.

Pamjet dhe videot që kanë qarkulluar në rrjetet sociale nuk tregojnë momentin në të cilin personi lyen pikturën, por vetëm xhamin që e mbron atë të njollosur tashmë me krem ​​të bardhë dhe një nga gardianët i cili tenton ta pastrojë.

Sipas dëshmive të vizitorëve që ndodheshin aty, personi i është afruar pikturës me karrocë dhe me paruke në kokë.

Një nga video-t e tregon atë duke qëndruar teksa po largohet dhe i bërtet turmës që “mendoni për Tokën”, “kjo është arsyeja pse e bëra, mendoni për planetin”.

Mona Lisa ka tërhequr gjithmonë sulme të këtij lloji, ndoshta për shkak të famës së saj mbarë botërore.

Në vitin 2009, një grua i hodhi asaj një filxhan çaj dhe në atë rast piktura mbrohej nga kutia prej xhami.

Në vitin 1974, ndërsa ajo ishte e ekspozuar në Tokyo, një grua e lyente me një llak të kuq.

Në vitin 1956 pati edhe dy sulme të tjera, një me acid dhe një me gur. / KultPlus.com

TWITTER/@KLEVISL007/REUTERS

Pse Da Vinçi dhe Mikelanxho urrenin njëri-tjetrin?!

Leonardo da Vinçi dhe Mikelanxhelo, që të dy jetuan në vitet 1400 dhe 1500, krijuan vepra arti që janë studiuar nga shumë persona për shekuj me radhë, kryevepra që ende admirohen nga miliona sot. Ata ishin bashkëkohës dhe e njihnin njëri-tjetrin, por personalitetet e tyre nuk mund të mos ishin më të ndryshme se kaq.

Da Vinçit i pëlqente të punonte për një kohë shumë të gjatë në projekte, e gjithçka vetëm për të hequr dorë prej tyre, sipas “Live Science”. Përjashtimi i vetëm ishte, kur ai po punonte me një statujë bronxi, e cila përfundoi e copëtuar nga forcat pushtuese, gjë që nuk ishte faji i tij. Sipas “The Guardian”, ai nuk përfundoi as pikturën e tij më të famshme: “Mona Liza”.

Sidoqoftë, nuk mund të mohohet shkëlqimi i tij. Mikelanxhelo, nga ana tjetër, ishte një artist shumë prodhues, i cili njihej për skulpturat dhe pikturat e tij, përfshirë ato në Kapelën Sistine në Vatikan, piktura të cilat përfshinin “Krijimi i Adamit” dhe skena të tjera nga “Libri i gjenezës”. Puna që bëri atje gjatë katër viteve bëri që t’i përkeqësoheshin sytë për shkak të sforcimit./Konica.al/ Që të dy gjenitë, megjithëse ishin padyshim artistët më të mirë të kohës së tyre, madje ndoshta më të mirët në histori, nuk ishin aq të dashur për njëri-tjetrin. Kjo filloi në 1503 dhe 1504 kur të dy u porositën të bënin një pikturë në Firence. Në fillim të shekullit të 16-të, në të njëjtën dhomë, në Sallën e Këshillit të Palazzo Vecchio në Firence, krah për krah në të njëjtin mur, Leonardo da Vinçi dhe Mikelanxhelo Buonarroti u punësuan për të pikturuar dy skena beteje, në konkurrencë të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Leonardo ishte ngarkuar të pikturonte “Beteja e Anghiari”, një skenë nga luftrat e shekullit të 15-të midis Firences dhe Milanos, kurse fiorentini shumë më i ri u ngarkua të pikturonte “Beteja e Cascina-s”, e cila u zhvillua midis Firences dhe Pizës në shekullin XIV, në të njëjtin mur të Sallës së Këshillit.

Kësisoj, edhe pse e paimagjinueshme, Leonardo kishte një rival.

Mikelanxhelo kishte personalitet të vrazhdë

Le të themi se rivaliteti i tyre nuk ishte në konkurrencë lufte, po më shumë si qesëndisje e vazhdueshme. Që të dy ishin të ashpër me njëri-tjetrin në lidhje me porositë. Nëse ata do të jetonin në kohët moderne, pa dyshim që do këpusnin broçkulla për njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Sidoqoftë, ishte më shumë Mikelanxhelo, ai që bëri përplasjen verbale me Da Vinçin sesa anasjelltas. Kjo mund të ketë ndodhur pjesërisht edhe për faktin se ai ishte shumë më i ri se Da Vinçi, si rrjedhojë mund ta ketë shtyrë papjekuria e rinisë drejt tij. I pëlqente të fliste për atë sesa i ngadalshëm ishte Da Vinçi, kur ishte fjala për projektet, nga ana tjetër piktori më i vjetër i dha material, duke mos e përfunduar pikturën e porositur, për të cilën ata konkurronin. Rafaelo, një tjetër artist i madh i kohës, qe gjithashtu një objektiv i shpeshtë i përbuzjes së tij, i cili, ia ktheu me të njëjtën monedhë.

Po ashtu, Mikelanxhelos nuk i pëlqente aspak shoqëria e shumë njerëzve. Ai jetoi një jetë shumë, shumë modeste, duke u përqëndruar shumicën e kohës vetëm në artin e tij. Kjo mungesë e ndërveprimit shoqëror, mund ta ketë bërë atë mjaft të ashpër rreth epërsive. 

Vlen të theksohet se që të tre shquheshin për mjaft ego, gjë e cila do të përforconte çdo ofendim ose lëndim ndjenje. Ajo që mund t’i qetësojë është, se në ditët e sotme që të tre mbahen mend për madhështinë e tyre në art. /konica/ KultPlus.com

Një vizatim i një ariu nga Leonardo da Vinçi pritet të arrijë deri në 12 milionë dollarë në ankand

Vizatimi, i titulluar “Head of a Bear” (Koka e një ariu) do të shitet në Londër nga shtëpia e ankandeve Christie’s. Vizatimi do të shfaqet në New York dhe Hong Kong përpara se të dalë në ankad dhe pritet të arrijë shifrën 12 milionë dollarë, sipas shtëpisë së ankandit, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

“Koka e një ariu” ka përmasa 7 cm me 7 cm dhe është vizatuar në një letër të zbehtë rozë në bezhë. Më parë është shfaqur në muze duke përfshirë Galerinë Kombëtare në Londër, ku u shfaq në vitin 2011 dhe vitin 2012 si pjesë e një ekspozite për Da Vinçin.

Sot, shitja mund të tejkalojë rekordin e mëparshëm të vendosur për një vizatim nga artisti.

Vizatimi daton nga vitet 1480 dhe kjo vepër e artit është pjesë e një koleksioni të vizatimeve të kafshëve në shkallë të vogël të artistit.

Ben Hall, kryetari i vjetër i pikturave në Christie’s New York, e përshkroi vizatimin si “një nga veprat më të rëndësishme nga Rilindja”. Ai tha: “Vepra është zotëruar nga disa prej koleksionistëve më të dalluar në fushën e mjeshtrave të vjetër përgjatë shumë shekujve, jo vetëm nga pronari aktual i cili e ka në pronësi që nga viti 2008.”

Kurse, Laetitia Masson, një eksperte në vizatimet e vjetra master në Christie’s, tha se argjendi është një “teknikë shumë e vështirë, sepse nuk pranon asnjë gabim”.

Ka shumë aftësi në metodë pasi vizatimi arrihet me një shkop argjendi që aplikohet në një letër të përgatitur posaçërisht për të lënë shenja dhe vija.

Ajo shtoi që da Vinci ishte “magjepsur nga natyra dhe kafshët në përgjithësi”.

Piktori dhe koleksionisti britanik Sir Thomas Lawrence më parë zotëronte pjesën e veçantë. / KultPlus.com

Sot ditëlindja e Da Vinçit, 16-të fakte interesante për gjeniun e Rilindjes

Misteri i emrit, piktura më e hershme, mësuesi i shastisur, mënyra e të shkruarit dhe aksidentet e fëmijërisë. Si iu shkatërruan 12 vite punë në një minutë. Dhe a e dinit që Njeriu Vitruvian është një mënyrë për të treguar zgjerimin e universit tonë?

Lexoni këto 16 fakte shumë interesante për jetën e një gjeniu të vërtetë.

1. Një fëmijë i paligjshëm!

Ai lindi si biri jashtë martese i Piero Fruosino di Antonio Vinçit (babait) dhe Caterina (nëna). Prindërit e tij kurrë nuk u martuan dhe ai ishte i vetmi fëmijë i tyre. Megjithatë, ai kishte 17 gjysmë-vëllezër e motra me partnerë të tjerë të prindërve të tij.

2. Emri i një qyteti!

Ai lindi në Anchiano, Toscana (tani në Itali), që është afër qytetit të Vinçit, me të cilin ne e asociojmë mbiemrin e tij sot.

3. Pa arsimim formal!

Përtej leximit dhe shkrimit bazë, ai nuk mori asnjë arsimim formal në ndonjë shkollë.

4. Personi që qëndron prapa aftësive të tij!

Talenti i tij artistik u vlerësua së pari nga babai i tij dhe kur Leonardo ishte 15 vjeç, babai e dërgoi të mësojë pranë piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio, në Firence. Ai përpunoi teknikat e skulpturës dhe pikturës së Leonardos për më shumë se një dekadë dhe e trajnoi atë në artet mekanike.

5. Piktura e tij më e hershme!

Megjithëse puna e tij e parë mendohet të jetë ajo e një vizatimi në stilolaps dhe bojë, e luginës së Arnos (siç raportohet nga burime të ndryshme) më 5 gusht 1473, “Shpallja” (diku rreth 1472-1475) mendohet të jetë vepra e tij më e hershme . Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.

6. Kur mësuesi u impresionua me punën e tij!

Ai ndihmoi mentorin e tij Andrea del Verrocchio në pikturën e famshme “Pagëzimi i Krishtit”. Piktura përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Është thënë se engjëlli në të majtë u pikturua nga Leonardo i ri dhe kjo ishte një gjë, e cila i bëri shumë përshtypje mësuesit të tij.

7. Shkrimi, nga e djathta në të majtë!

Leonardo da Vinçi ishte majtosh dhe ishte mësuar që të shkruante nga e djathta në të majtë, gjë që rezultonte në një shkrim pasqyrë dhe i cili, ishte e vështirë për t’u lexuar nga të tjerët.

8. Adhurues i kafshëve!

Ai ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve dhe ishte kundër futjes së tyre në kafaze. Leonardo blinte shpesh herë kafshë në kafaze dhe më pas i lironte ato.

9. Një vegjetarian i rreptë!

Gjatë gjithë jetës së tij, Leonardo da Vinçi kishte qenë një vegjetarian i rreptë, gjë që supozohet të jetë pasojë e dashurisë së tij për kafshët.

10. Incidentet e fëmijërisë!

Leonardo mbante shenja vetëm dy nga incidente të fëmijërisë: njëri ishte kur një balonë ra nga qielli dhe bishti i saj i lëndoi fytyrën. I dyti kur zbuloi një shpellë ndërsa po eksploronte në male dhe u ndje i tmerruar nga që mendonte se aty mund të ndodheshin disa përbindësha.

11. Shtëpia e fëmijërisë!

Kush nuk dëshiron të eksplorojë shtëpinë e këtij artisti të madh të Rilindjes! Shtëpia e fëmijërisë e Leonardos ndodhet në një fshat të quajtur Anchiano brenda qytetit të Vinçit në Firence. Shtëpia është konvertuar në një lloj muzeu të veprave të famshme të Leonardos. Shtëpia u rihap për publikun në qershor të vitit 2012.

12. Vepra e parë e porositur

Në vitin 1478, ai u bë një mjeshtër i pavarur dhe rreth vitit 1482, filloi të pikturonte veprën e tij të parë të porositur – “Adhurimi i Magjistarëve”. Megjithatë, ai kurrë nuk mundi ta përfundonte atë vepër.

13. Kur 12 vite punë iu shkatërruan brenda një minute!

Në fund të shekullit të 15-të, ai u zhvendos në Milano për të krijuar një statujë kuajsh të lartë 5 metra (në bronz) për të nderuar Francesco Sforzën (themeluesi i dinastisë së klanit të atëhershëm Sforza). Ai punoi për 12 vjet në këtë projekt dhe përgatiti një model balte të kalit në vitin 1493. Megjithatë, gjatë luftës që afroi, ajo u shkatërrua kur Sforzat ranë nga pushteti në 1499.

14. Ai vizatonte një simetri të përsosur të trupit të njeriut!

Bazuar në punën e arkitektit Vitruvius, Leonardo da Vinçi përshkroi përmasat e trupit të njeriut në vizatimin e tij – Njeriu Vitruvian. Ai e vizatoi këtë rreth vitit 1490 dhe vizatimi supozohet të jetë zgjerimi i universit, në formën e trupit njerëzor.

15. Piktura murale më e famshme në botë!

Në fund të shekullit të 15-të, Leonardo da Vinçi krijoi një pikturë murale – “Darka e Fundit”. Ishte pjesë e një plani për të restauruar kishat e Milanos. Piktura murale përshkruan skenën e Darkës së Fundit të Jezusit me dymbëdhjetë dishepujt e tij, kur Jezusi njoftoi se njëri prej tyre do ta tradhëtonte.

16. Kur pikturoi një buzëqeshje misterioze!

Midis 1503 dhe 1506, Leonardo krijoi pikturën më të famshme në botë – Mona Lisa. Gruaja e përshkruar në pikturë ka qenë një objekt spekulimesh. Më parë mendohej të ishte Mona Lisa Gherardini, një kurtizane dhe më vonë, ajo u mendua të ishte Lisa del Giocondo, gruaja e tregtarit fiorentin Francisco del Giocondo. Piktura është e njohur për buzëqeshjen misterioze të gruas. Mbreti Francis I i Francës e kishte blerë pikturën dhe tani është pronë e Republikës Franceze. Piktura origjinale është shfaqur në Muzeun e Luvrit në Paris që nga viti 1797. Piktura ka fituar shumë lavdi, si më e vizituara, më e njohura, më e kënduara, më e shkruara etj./ KultPlus.com

Pikëpyetjet mbi autorësinë e pikturës që u shit si vepër e Da Vincit

Një dokumentar francez ka hedhur dyshime të reja mbi pikturën më të shtrenjtë në botë, “Salvator Mundi”, të Leonardo da Vinci, duke shkaktuar një përplasje diplomatike midis Francës dhe pronarit të saj saudit.

Vepra me portretin e Jezu Krishtit, e njohur edhe si “mashkulli Mona Lisa”, u shit në një ankand të “Christie’s” në vitin 2017, në New York, me çmim rekord prej 450 milionë dollarësh.

Blerësi sekret më vonë u zbulua se ishte princi saudit, Mohammed bin Salman, megjithëse kjo ende mohohet në Riad. Por ka kohë që ka pasur pikëpyetje nëse ajo është tërësisht një vepër e Da Vincit.

Çështja doli në pah përsëri kur piktura nuk u shfaq ashtu siç ishte planifikuar në muzeun “Louvre Abu Dhabi” në vitin 2018, dhe pastaj një vit më pas në ekspozitën e paralajmëruar nga Muzeu i Louvreit në Paris.

Tash dokumentari “The Savior for Sale” (Shpëtimtari për shitje) nga regjisori Antoine Vitkine, që do të shfaqet premierë në televizionin francez javën e ardhshme, synon të zbulojë se çfarë po ndodh prapa skenave.

Në film zyrtarë të lartë nga Qeveria e presidentit Emmanuel Macron, të paraqitur me pseudonime, konfirmojnë që analiza shkencore të kryera nga Louvrei dolën në përfundimin se gjersa vepra është realizuar në atelienë e Da Vincit, vetë mjeshtri vetëm “kontribuoi” në pikturë. Kjo me sa duket ndikoi te sauditët.

“Gjërat u bënë të pakuptueshme”, ka thënë një nga zyrtarët francezë në lidhje me filmin. “Kërkesa nga ‘MBS’ (bin Salman) ishte shumë e qartë: shfaqeni ‘Salvator Mundin’ pranë ‘Mona Lizës’ dhe paraqiteni si pikturë të realizuar 100 për qind nga Da Vinci”.

Sauditët ofruan marrëveshje të ndryshme, thotë zyrtari, por rekomandimi i tij për Elysee ishte që kjo të dërgonte “në pastrim parash për një punë artistike prej 450 milionë dollarësh”.

Dokumentari pretendon se disa anëtarë të Qeverisë franceze, përfshirë ministrin e Jashtëm Jean-Yves Le Drian, lobuan në emër të kërkesës së bin Salman. Ata ishin të shqetësuar për ndikimin në marrëdhëniet e gjera strategjike dhe ekonomike të Francës me Arabinë Saudite.

Por sipas dokumentarit, Macron në fund të fundit vendosi të refuzonte kërkesën e Bin Salmanit, duke ia lënë në dorë Muzeut të Louvreit për të negociuar me sauditët se si duhet të ekspozohet piktura në ekspozitën retrospektive me veprat e Da Vincit. Nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe Muzeu nuk ka pranuar të komentojë rastin.

“Sauditët kanë frikë nga ky debat mbi vërtetësinë”, ka thënë në dokumentar Chris Dercon, i cili kryeson një nga organet kryesore të muzeut në Francë dhe këshillon Qeverinë Saudite për artin.

“Ata kanë frikë se njerëzit do të thonë, brenda dhe jashtë vendit: ‘ju i keni shpenzuar të gjitha këto para për diçka që nuk u realizua nga Da Vinci’”.

Piktura u ble fillimisht në vitin 2005 për vetëm 1 mijë e 175 dollarë nga një tregtar arti në New York dhe u restaurua në Shtetet e Bashkuara.

Disa ekspertë britanikë vërtetuan se piktura e humbur prej kohësh është e Da Vincit dhe u prezantua si e tillë në Galerinë Kombëtare të Londrës në vitin 2011 para se t’i shitej një oligarku rus për 127.5 milionë dollarë dy vjet më vonë. / Koha.net / KultPlus.com

“Salvator Mundi” u shit në një ankand të “Christie’s” në vitin 2017, në New York, me çmim rekord prej 450 milionë dollarësh

Zbulohet tabloja e të dashurit të Da Vinçit

     

Një tablo e Salait, bashkëpunëtori më i afërt i Leonardo da Vinçit, u zbulua së fundi. “Madalena e penduar”, vepra pritet të dalë në ankand, më 18 nëntor, nga shtëpia “Artcurial”.

”Kishim dijeni vetëm për katër apo pesë tablo, të vërtetuara se ishin nga dora e Salait, si “Krishti shëlbyes”, e ruajtur në Muzeun Ambrozian të Milanos, të tjerat ishin në duart e privatëve” – theksohet nga “Artcurial”.

Gian Giacomo Caprotti, i ashtuquajtur Salai (1480-1524), ka qenë miku më i afërt i Leonardo Da Vinçit, nxënësi i tij, modeli, arkëtari, agjenti dhe i dashuri. Mjeshtri i Rilindjes do t’i jepte pseudonimin “Salai” – sinonim i “djallit të vogël” – për shkak të gënjeshtrave të tij të pakuptimta dhe vjedhjeve të vogla.

“Kjo tablo, del vërtet nga errësira… Pronari i saj, i cili, e bleu për një shumë modeste, na e besoi për shitje. Ajo erdhi te ne, pa atribut. Ishte Cristina Geddo (eksperte e njohur për periudhën e shekullit të XV), që duke ardhur nga Milano, na zbuloi se ishte nga Salai”- theksoi eksperti i veprave të hershme, Eric Turquin.

Me përmasa 65 centimetra dhe 50 centimetra, tabloja është në gjendje të mirë, por duhet të pastrohet, pasi llaku që e mbulon atë është pjesërisht i ndotur dhe i oksiduar.

Marie-Madeleine përfaqësohet atje në një sfond të zi, sytë e saj të ngritur në ekstazë dhe krahët e kryqëzuara. Trupi i zhveshur dhe i hollë është pjesërisht i mbuluar nga flokë të bollshëm në kafe të artë, një karakteristikë e gjetur në “Krishtin” e Milanos.

Karakteri është i paqartë, midis të shenjtës dhe profanit. Buzët janë të plota dhe sensuale.

“Gjetëm gjurmët e gishtërinjve. Piktori ka shtypur gishtin e madh mbi bojën e freskët, që është karakteristikë e teknikës së Leonardo Da Vinçit dhe Salait” – shpjegoi, Eric Turquin.

“Puna tregon një njohuri të përsosur të sfumatos leonardeske. Një tjetër karakteristikë, është një vijë e bardhë që shënon qepallën e poshtme, duke dhënë një lloj fortësie që nënvizon syrin” – thekson eksperti.

“Për më shumë se 25 vite pranë Leonardos, Salai ka mundur të asimilojë teknikën fine të mjeshtrit, duke u pozicionuar si një prej promovuesve më me ndikim të modeleve të Leonardos, përmes prodhimit të kopjeve dhe variacioneve të kryeveprave të Leonardit” – shton Eric Turquin.

Tabloja është vlerësuar mes 100 000 dhe 150 000 euro./ KultPlus.com

Clos Lucé, pallati ku Leonardo da Vinçi kaloi ditët e fundit të jetës

Nga Albert Vataj

I ftuar nga Mbreti i Francës, Francis I, Leonardo da Vinçi u largua nga Italia dhe u vendos këtu në Château du Clos Lucé në vjeshtën e vitit 1516. I emëruar ‘piktori i parë, inxhinier dhe arkitekt në Mbretin’, da Vinçi i shërbeu mbretit me talentet e tij, duke punuar pa u lodhur në projekte të shumta dhe duke imagjinuar plane për shëtitoren ‘ideale’. Më 23 prill 1519, Leonardo da Vinçi i kërkoi Guillaume Boureau-një noter lokal në Amboise-për të hartuar vullnetin e tij. Ai vdiq në Clos Lucé më 2 maj 1519.

Falë pronarëve të saj të shquar, kjo shtëpi sot renditet si një monument historik është i mbrojtur nga prishja apo rindërtimi. Pas vitit 1855 u bë Muzeu i mirënjohur për jetën, punën dhe kujtesën e Leonardo Da Vinçit, e cila u vendos dhe u drejtua nga familja Saint-Bris, të cilët ishin pronarët përfundimtare të pronës.

Edhe sot pas 500 vitesh dhoma e Leonardos, kuzhina, dhoma e madhe kanë mundur të mbijetojnë nëpërmjet punës restauruese të disa elementeve, dhe komponimeve të strukturës dhe arredimit, duke i qëndruar besnik origjinalit kur gjithë kjo bujari e Mbretit te Francës, Frencis I, ju ofrua mjeshtrit për veprën dhe devocionin krijues të ditëve të fundit.

Në ambientet e kësaj shtëpie muze gjenden gjithashtu edhe disa prej shpikjeve të fundit të Leonardos, si pjesë e koleksionit njohës së punës së mjeshtrit për vizitorët e shumtë që vijnë të shohin shtëpinë ku dha frymën e fundit ai që jetësoi hapat e parë të dritës mbi terrin e mesjetës. /KultPlus.com

Të vërtetat e fshehura të gjeniut të Renesancës

Djali i paligjshëm i një noteri dhe një fshatareje, mbase homoseksual, pak i vlerësuar nga të pushtetshmit që nuk e kuptonin obsesionin e tij me kufomat, vegjetarian dhe heretik. Sekretet e një njeriu të madh.

Eshtë 15 Prill 1452 kur Caterina, një fshatare në Campo Zeppi, në fshatin Vinci, lind një fëmijë të paligjshëm: Leonardo. Babai i tij është Ser Piero, një noter nga Firence që nuk dëshiron të prishë reputacionin e tij. Këtu ndërhyn Ser Antonio, babai i tij, dhe shkelja mbahet e fshehur.

Eshtë po ai, pesë vjet më vonë, kur Albiera, gruaja e Pieros, zbulon se është sterile, që ia merr Leonardon nënës natyrore për të mos lejuar që linja e gjakut të shuhet. Sidoqoftë, fëmija nuk e merr për mirë dhe shpik një lojë fjalësh: në një shënim ai shkruan “di s.p.ero”, i cili mund të lexohet si mbiemri që ai nuk e ka (nga Ser Piero), por edhe si “dëshpërim”. “Një shaka që zbulon një marrëdhënie të pashpresë”, thotë Costantino D’Orazio në librin Leonardo i Fshehtë, ku përmblidhen sekretet që rrethojnë misterin e gjeniut të Firences.

Një injorant i vërtetë

Kështu e përkufizon Lorenzo i Madhërishëm. Në fakt, e vetmja pikë referimi e Leonardos është Verrocchio, një artist tek i cili shkon për të mësuar zanatin. Në ato vite “piktorët qëndronin brenda Arte dei Medic dhe Specialëve, ku ata ndajnë interesat me berberë, shitës të erëzave dhe poçarë”, shkruan D’Orazio.

Por Leonardo tregon menjëherë talentin e tij. Rasti vjen kur babai i kërkon të dekorojë një copë druri të sjellë nga një fermer, i cili synonte ta bënte një vepër arti. Leonardo vendos ta përdorë për të përfaqësuar një skenë të pasur me kafshë dhe mbledh insekte, hardhuca dhe gjarpërinj. Ai i mban të gjitha në dhomën e tij: “Eshtë aq i përqendruar sa që nuk vë re as kutërbimin e gjithë atyre kafshëve të ngordhura në dhomën e tij”, thotë D’Orazio. Rezultati është befasues: Ser Piero e mban dhe më pas e shet për njëqind dukate.

Fshatarit i jep një tjetër vepër, të blerë për pak para. Por, si është Leonardo aq i saktë në riprodhimin e fytyrave, trupave apo kafshëve? Ai kalon orë të tëra për t’i ekzaminuar. Quhet teknika lentikulare, ajo që bën të mendosh se përdoret një gotë zmadhuese për të parë më mirë detajet. Kështu që ai krijon një inventar botanik: qindra vizatime që do t’i përdorë më vonë në pikturat e tij. Për shembull tek Annunciazione, ku zambakët që mban engjëlli në duar janë të gjitha të ndryshme: “Secili prej tyre shfaqet në një fazë të ndryshme të pjekurisë, nga petalet e tyre nuk del asnjë pistil i  barabartë me tjetrin, siç ndodh në realitet”, shpjegon D’Orazio. Jo vetëm kaq.

Pasioni për detaje hyn gjithashtu në lojë në studime mbi trupin e njeriut, të cilat e bëjnë atë një lloj mjeku ligjor që provon dorën në autopsitë e kufomave. Eshtë një praktikë e shpeshtë në atë kohë: disa artistë vjedhin trupa në varreza, të tjerë i blejnë nga familjet në nevojë. Leonardo hyn dhe largohet nga spitalet dhe është pikërisht duke studiuar trupin e një njeriu që zbulon një pengesë në sistemin e qarkullimit të gjakut, duke regjistruar kështu arterosklerozën e parë në histori. Ai është gjithashtu i interesuar për shtatzëninë. Deri atëherë gruaja konsiderohej një lloj inkubatori dhe burri krijuesi i vërtetë i jetës.

Leonardo e revolucionarizon këtë koncept dhe shpall se është nëna ajo që transmeton shpirtin tek fëmija, përveç ushqimit për nëntë muaj përmes “venës së kërthizës”. Duke studiuar fëmijët që kanë vdekur në bark, ai vazhdon të argumentojë se “frika e një nëne mund të vrasë fetusin dhe kjo do të thotë që emocionet e trupit të nënës transmetohen te fëmija”. Sidoqoftë, ai është i kujdesshëm që të mos përhapë teoritë e tij të reja, në një kontekst ku Kisha do e quante heretik, i cili kundërshton faktin që shpirti injektohet drejtpërdrejt nga Zoti. Sipas tij, qendra e shpirtit është e vendosur në majë të shtyllës kurrizore, në lidhjen me kafkën: prova vjen nga hardhucat, të cilat, të goditura në atë pikë, ngordhin menjëherë.

Shpirt revolucionar

Revolucioni i vërtetë i Leonardos, megjithatë, qëndron në qasjen e tij ndaj artit, ku ai guxon si askush më parë. Për shembull, humanizon shenjtorët. Në fakt, skenat e tij të shenjta duken si situata në familje ose në mesin e miqve: ai dëshiron që njerëzit e zakonshëm ta njohin veten në to dhe për këtë arsye eleminon distancën midis atyre që vëzhgojnë pikturën dhe atyre të portretizuar në të, tipike këto të shekujve të mëparshëm. Kështu që ai pikturon skena me Jezusin, Virgjëreshën dhe Shenjtorët duke eleminuar përdorimin e arit: duke humbur aureolën,  të gjithë përfaqësohen si njerëz të zakonshëm. Dikush nuk e pëlqen këtë mënyrë të re të pikturës dhe në të vërtetë padronët e Shën Jeronimit të penduar hedhin poshtë pikturën, sepse e konsiderojnë shenjtorin shumë “të humanizuar”. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse koka e tij përfundon duke u bërë vend jashtëqitje që Kardinal Joseph Fesch, xhaxhai i Napoleonit, do të gjejë në një qoshe rruge. Leonardo megjithatë nuk ndalet dhe ndryshon konceptimin e portretit.

Mund të shihet tek “Dama con l’ermellino (1490), ku figura nuk është më frontale dhe statike, por krijon lëvizje dhe duket e vërtetë. Në shënimet e tij ai shpjegon se për të bërë një portret të përsosur, fytyra nuk duhet të jetë kurrë në të njëjtën anë të bustit. Vetëm duke e kthyer imazhin disa gradë, ai bën një revolucion të vërtetë.

Mëkati i ambicies

Leonardo është një eksperimentues dhe natyra e tij ambicioze e çon gjithnjë të shkojë më tej. Ndonjëherë me rezultate katastrofike. Eksperimenti i parë i dështuar është statuja e kalit me dy këmbët e përparme të ngritura, të cilat ai i projekton për Sforzan: një kolos 7 metra i lartë me 70 ton peshë. Pas shumë vitesh punë, ai është i detyruar të heqë dorë: i zhgënjyer, Ludovico il Moro e konsideron një humbës kohe të paaftë që mashtron, dhe ia heq veprën. Nuk i shkon më mirë në fillim të shekullit të XVI, kur u thirr në Firence për të pikturuar Betejën e Anghiarit. Edhe një herë projekti është ambicioz: jo vetëm që piktura është tre herë më e madhe se Darka e Fundit, por Leonardo ia ndërlikon edhe më tej jetën vetes, dhe dëshiron ta krijojë atë me teknikën shumë të vjetër të encaustikës, e cila konsiston në rregullimin e ngjyrës në mur me nxehtësinë e mangallëve. Ai bën një gabim në vlerësim sepse nxehtësia e shpërndarë keq përfundon në shkrirjen e plotë të pikturës. Rreth pesëdhjetë vjet më vonë, Giorgio Vasari thirret për ta mbuluar atë me një vepër tjetër, e cila mbivendos pluhurat dhe ngjyrat e Leonardos, të identifikuara kohët e fundit falë sondave shumë të holla.

Po ç’mund të thuhet për Darkën e fundit?

Dëshmitarët tregojnë për një Leonardo shumë pak të përqendruar që shkon në rafinerinë e Santa Maria delle Grazie në Milano, ku ndodhet vepra, jep dy penelata dhe largohet menjëherë. Edhe këtu ai mëkaton prej një ambicie të tepërt: nuk është i kënaqur me një afresk normal, i cili siç thotë fjala, duhet të pikturohet “në afresk”, domethënë duke përdorur bazën e freskët të muraturës për ta bërë më të mirë ngjyrat.

Ai është shumë reflektues për një teknikë kaq të shpejtë dhe shpik një përzierje e bojës së lagësht dhe të thatë, të pasur me vajra. Nuk është një ide e mirë: ngjyra fillon të zhvishet edhe para se të përfundojë vepra. Historia dihet. Siç e shohim tani, në të vërtetë, Darka e Fundit e Leonardos është rezultat i një restaurimi imponues që zgjati rreth njëzet vjet.

Sekretet e Darkës së Fundit

Me Darkën e Fundit Leonardo sjell Darkën e Fundit në një mënyrë të re, në të cilën do të tërhiqen artistët e shekujve në vijim. Deri atëherë, episodi i Ungjillit u përfaqësua për të bërë besimtarët, shpesh analfabetë, të njohin menjëherë protagonistët e skenës: Juda ishte i izoluar dhe e rrethuar nga errësira, ndërsa Krishti ishte në qendër me qëllimin për të thyer bukën me Gjonin, apostullin e preferuar, duke u përkulur drejt tij. Leonardo kthen gjithçka përmbys duke filluar nga Krishti i cili nuk shfaqet kur merr bukën, por kur zbulon se dikush do ta tradhëtojë.

Juda është pjesë e grupit, apostujt shikojnë njëri-tjetrin dhe Gjoni nuk mbështetet në shpatullën e Jezusit. Për të gjetur frymëzime për fytyrat e personazheve, Leonardo endet nëpër Milano me një fletore në të cilën ai shënon ide të dobishme. Për tre vjet ai kërkon fytyra të përsosura: ajo e Jezusit duket se i përket Giovanni Contes, një kardinal nga Vogevano. Për të gjetur Judën, eksploron lagjet më të varfra të qytetit. Sa i përket djalit të portretizuar pranë Jezuit, sipas disa hipotezave, ai është një grua, më saktë Maddalena, gruaja e tij sipas ungjijve apokrifë. Në realitet është gjithmonë Gjoni, i përfaqësuar me tipare të buta dhe femërore, sepse ai është më i riu nga apostujt dhe i vetmi pa mjekër. Nuk përjashtohet mundësia që për të ai të ketë përdorur një modele, Giovannina, e përmendur nga Leonardo në shënimet e tij. /Airone/ KultPlus.com

Leonardo da Vinçi, titani i Rilindjes së Artë, fenomeni i pashpjegueshëm

Bota e artit dhe ideve të mëdha nuk do të mund të njihte një tjetër si ai. Ai i patëdytë në madhështinë e tij, në qasjen e ngulmët për të rrokur përmasat e gjithëdijes e dritëshkëlqimit. Është fjala për Leonardo da Vinçin, i cili u lind më 15 prill 1452 në Ankiano të Vinçit dhe u shua në moshë 67-vjeçare, më 2 maj 1519 në Kështjellën e Kluks të Ambuazit.

E ç’nuk ishte ai, e çfarë nuk kërkoi dhe mori nga e ngulmëta dhe e mundshmja e jetësimit të një toksori që kishte pikuar nga qielli me misionin e kryevepërtarit. Ai ishte piktor dhe skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar dhe arkitekt, muzikant, matematicien, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist, dhe shkrimtar. Edhe sot ndërsa e përcjellim me kureshti këtë galeri sendërgjimesh , e kemi të pamundur ta shpjegojmë në tërësi këtë sublime që e hyjnizoi jetën e përkorë të këtij njeriu dhe na e la, so ne, motës moderne si një e mundshme e pakapshme.

Krejtkund ai shkëlqeu duke mbetur në mbamendjen Rilindjes italiane si i paarritshëm. Bashkë me Mikelanxhelon dhe Raffaelin përbën trininë e shenjtë të Rilindjes së Artë, periudhë e cila solli një shkëputje të hovshme cilësore të mjeteve shprehës, forcës së kumtimit, finesës dhe tonit koloristik.

Gjenialiteti i tij  është i pakrahasueshëm, atëditë e sot. Historia e artit nuk ka mundur të na e mëkojë një rast të dytë të atij titani që derdhej në njeriun e kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethshme krijuese. Leonardo është konsideruar si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Shtrirja dhe thellësia e interesave të tij ishin të pashembullta, mendja dhe personaliteti i tij ishin mbinjerëzor. Ndër veprat e tij, “Mona Liza” është portreti më i famshëm; “Darka e Fundit”, piktura më e riprodhuar dhe më debatuar fetare e të gjitha kohërave; vizatimi “Njeriu Vitruvian” konsiderohet si ikonë kulturale. Vetëm 15 nga pikturat e tij kanë mbijetuar, jo se kanë humbur, por shumë prej tyre Leonardo kurrë nuk i përfundoi, ose eksperimentonte me to. Konsiderohet si një nga njerëzit më të talentuar që kanë jetuar, dhe metodat e tij janë të pazakonshme për kohën kur jetoi. Për bashkëkohësit e tij mund të servirje vlerësime të ndryshme, gjeni, të mëdhenj, virtuozë, por Leonardo da Vinçi ishte një mjeshtër.

Albert Vataj /KultPlus.com

Da Vinçi: Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja

“Asgjë më shumë se heshtja nuk e forcon autoritetin”.

“Asgjë nuk mund të urrehet ose të dashurohet nëse fillimisht ajo nuk kuptohet.”

“I dua ata që mund të qeshin në vështirësi, ata që mund të fitojnë forcë nga vuajtja dhe të rriten trimërisht nga reflektimi.”

“Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja.”

“Do të vijë koha kur njerëzit njësoj sikur unë tani, kafshën e vdekur do ta shohin ashtu siç e shohin tani njeriun e vdekur.”

“E gjithë dija jonë origjinën e saj në përceptimet tona.”

“Të padobishme dhe përplot gabime janë të gjitha ato shkenca që nuk janë të lindura nga përvoja – nëna e gjithë dijes.”

“Unë u zgjova vetëm për ta parë se pjesa më e madhe e botës ishte ende në gjumë.”

“Ai që dëshiron të bëhet i pasur brenda një dite, do të jetë i varur brenda një viti.”

“Mençuria është bija e përvojës.”

– Leonardo da Vinçi

/KultPlus.com

Leonardo da Vinçi, titani i Rilindjes së Artë

Nga Albert Vataj

Ai i patëdytë në madhështinë e tij, në qasjen e ngulmët për të rrokur përmasat e gjithëdijes e dritëshkëlqimit. Është fjala për Leonardo da Vinçin, i cili lindi më 15 prill 1452 në Ankiano të Vinçit dhe u shua në moshë 67-vjeçare, më 2 maj 1519 në Kështjellën e Kluks të Ambuazit.

E ç’nuk ishte ai; piktor, skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar, arkitekt, muzikant, matematicien, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist, dhe shkrimtar. Krejtkund ai shkëlqeu duke mbetur në mbamendjen Rilindjes italiane si i paarritshëm.

Bashkë me Mikelanxhelon dhe Raffaelin përbën trininë e shenjtë të Rilindjes së Artë, periudhë e cila solli një shkëputje të hovshme cilësore të mjeteve shprehës, forcës së kumtimit, finesës dhe tonit koloristik.

Gjenialiteti i tij është i pakrahasueshëm, atëditë e sot. Historia e artit nuk ka mundur të na e mëkojë një rast të dytë të atij titani që derdhej në njeriun e kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethshme krijuese.

Leonardo është konsideruar si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Shtrirja dhe thellësia e interesave të tij ishin të pa shembullta, mendja dhe personaliteti i tij ishin mbinjerëzor.

Ndër veprat e tij, “Mona Liza” është portreti më i famshëm; “Darka e Fundit”, piktura më e riprodhuar dhe më debatuar fetare e të gjitha kohërave; vizatimi “Njeriu Vitruvian” konsiderohet si ikonë kulturale.

Vetëm 15 nga pikturat e tij kanë mbijetuar, jo se kanë humbur, por shumë prej tyre Leonardo kurrë nuk i përfundoi, ose eksperimentonte me to. Konsiderohet si një nga njerëzit më të talentuar që kanë jetuar, dhe metodat e tij janë të pazakonshme për kohën kur jetoi.

Për bashkëkohësit e tij mund të servirje vlerësime të ndryshme, gjeni, të mëdhenj, virtuozë, por Leonardo da Vinçi ishte një mjeshtër. /KultPlus.com