Në mbrëmjen e 26 Janarit, në ambientet e KultPlus Caffee Gallery është bërë hapja e ekspozitës “Grafika Bashkëkohore e Grafistëve të Rinj Kosovarë”, ku u shfaqën 22 vepra grafike nga tetë artistë, shkruan KultPlus.
Veprat e ekspozuara trajtonin tematika të ndryshme, duke përfshirë emocionet e hidhërimit dhe gëzimit, si dhe elementë të floras dhe faunas. Këto krijojnë një kombinim të veçantë që i jep një pamje të përsosur ambientit të galerisë.
Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila u shpreh e lumtur për bashkëpunimet e shumta në aspektin e organizimit dhe mbështetjes së ekspozitave të ndryshme, veçanërisht në përkrahjen e të rinjve.
“Bashkëpunimi mes profesorëve dhe studentëve gjithnjë tregon që është një dorë që e ndihmon rininë për me i kyç në projektet e ardhshme. Kjo është ekspozita e parë e artistëve dhe është kënaqësi edhe për mu që këto punime të tyre janë shfaqur për herë të parë këtu, në një ekspozitë kolektive. Falënderime për kuratorin rreth bashkëpunimit, derisa KultPlus Caffee Gallery vazhdon të jetë bashkëpartnerë i shumë ekspozitave të të rinjve”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, kuratori dhe profesori Basri Mekolli rrëfeu se ideja për hapjen e kësaj ekspozite kishte lindur më herët dhe ishte i lumtur me realizimin e saj.
“E kom emëru Grafika Bashkëkohore e Grafistëve të Rinj Kosovarë për arsye që me iu dhënë një mundësi të rinjve tanë, studentëve, që pasi të dalin prej studimeve, të kenë diku një hapësirë për të ekspozuar punën e tyre, sepse shumica e punëve ju mbesin nëpër shtëpi, nëpër atele dhe njerëzit nuk kanë rastin ta shohin, kështu që në bashkëpunim me KultPlus, kemi bërë këtë hapësirë për të ekspozuar punimet të studentëve”, tha ai.
Sipas Mekolli, kjo është një mundësi për artdashësit me i pa punët e studentëve që i kanë realizuar.
“Në këtë edicion të parë marrin pjesë grafistë të cilët tashmë e kanë përfunduar grafikën edhe pse konsiderohen grafistë të rinj. Këtë ekspozitë e kanë realizuar këto krijimet e tyre grafike me tematika të ndryshme. Kryesisht ka tematika të llojit odës së brendshme të secilit prej neve, ku kanë përshkurar momente nga përditshmëria e tyre, gjendja emocionale, dikush ka paraqitur ndjenja hareje e gazmore, e dikush tjetër mllefin, përmbytjen, një zhgënjim të mundshëm momental, apo një situatë të caktuar. Një grup tjetër më i vogël ka diçka tematika nga flora dhe fauna, ose nga pjesë të ndryshme të fshatit, apo një peizazhi. Këto dy tematika ndodhen në këtë ekspozitë”, tregon tutje profesori.
Një moment shumë interesant që u tha në këtë ekspozitë ishte pjesa sesi këta artistë të rinj, dikur nuk ia kishin idenë se si të realizohej një punim më i thjeshtë.
“Duhet të cekët një fakt, unë i kam pasur këta studentë për 4 vite, mirëpo në fillimet e veta, asnjëri prej tyre nuk ka ardhur nga ndonjë shkollë e artit profesionale, të gjithë ishin nga gjimnaze të ndryshme, dhe nuk e dija se si do t’i përfundoja 4 vite me ta. Ndërkohë, këta kanë arritur një rezultat të shkëlqyeshëm në fund, është një gjeneratë që dallohet”, tha kuratori e profesori Mekolli.
Të gjitha veprat e ekspozuara janë të krijuara në teknikën e grafikës në bakër, duke kaluar nëpër procese të ndryshme për të arritur në finalizimin e tyre.
Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Almira Hoxhaj, Arbenita Kuliqi, Ardiana Vishi, Besiana Muhadri, Dafina Maxharraj, Denis Gashi, Drita Blakqori, Festim Matoshi, Lirije Jashari dhe secili shfaqi të paktën nga një vepër me veçanti e stil.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë. /KultPlus.com