Nga Sinan Gashi
Fati i rëndë e ndoqi që në rini poetin vlonjat Dalan Luzaj, lindur më 1944. Ai vitet më të mira të jetës, nga 25 e deri në 47, e kishte përjetuar kalvarin nëpër kanalet e Sherishtës së Vlorës, së bashku me bashkëshorten e përkushtuar. Atë e akuzuan për të jatin, profesorin e nderuar Isuf Luzaj, i cili kishte ikur për në SHBA kohë më parë, andaj familjarët përjetuan fyerjen, përbuzjen dhe përçmimin si të deklasuar, në kohën famëkeqe të luftës së klasave. Dalani, pasi kreu shkollimin përkatës profesional, nisi punën e mësuesit në fshatrat e Tepelenës, por vala e zezë e sistemit e rrokullisi si mos më keq, duke e detyruar të kryente punë të rënda dhe duke u strehuar në një kasolle të mjerë.
Poeti Dalan Luzaj
Sido që të jetë, është i veçantë shpirti i poetit, i cili më në çaste të rënda shpërthen, rrëfen, shfrynë, sikur vetëm ajo gjë e lehtëson paksa, pasi ta kishte nxjerrë dufin në letër.
Ky mision artistik e përcolli vazhdimisht, në ato kushte të tmerrshme por edhe në kohën kur kishte gjetur rehatinë në Çikago Ilinois të SHBA – ve.
Fillimisht shkruante nga dëshira – halli, ndërsa tashti nga pasioni dhe dëshira për të dëshmuar pjekurinë artistike dhe për t’i sjellë kënaqësi poetit, e në raste për të dëshmuar se ai është gjithnjë i njëjti: Dalan Luzaj që e refuzon shëmtinë njerëzore, padrejtësitë deri në dhembje dhe, gjithsesi krenarinë për njeriun shqiptar, sakrificën e tij kudo që frymon, vetëm për një amanet të shekujve – për Atdheun, ruajtjen e tij edhe në barazim me jetën.
Këto ndjenja, shpërfaqur artistike me plot emocion si rrallëkush, ai i ka shprehur në vëllimet poetike:
- Jeta më gjeti vetëm,
- Diej të largët,
- Pa rrugë,
- Dhe hëna kurrë nuk qeshte dhe
- Kasollja e internimit.
Krijimet e tij janë tepër të lirshme, krijuar pas një ngarkese emocionale për fatet e njeriut shqiptar, pa e ndarë etninë në pjesëza të shumta kufijsh, ku ia caktuan të tjerët, sa për të nxjerrë sherre të përhershme, edhe mes tyre.
Ndër të tjera, Luzaj ka krijuar dy poezi të frymëzuara për Kosovë, atë vend të martirizuar shumë herë, vetëm për ruajtjen e truallit dhe identitetit të tij si shqiptar.
Me figura të lehta dhe me fjalë të thjeshta, por që vështirë të gjinden sa të përafrohen me strumbullarin e temës, shprehet me emocione sa për vendin e historikun që e mbart në shpinë, po aq edhe për prijatarët e saj, që shëmbëllejnë sot e atë ditë me korifenj të atdhetarizmës.
Në të dy poezitë kuqëlojnë plagët e Adem Jasharit, kjo për në luftën e fundit shlirimtare, por nuk harrohen bëmat e të papërsëritshmit Isa Boletini. Gjithsesi në këto raste atij ia zë frymën dhembja e madhe Çamëri, e mbi të gjitha ajo që i qëndroi vazhdimisht pranë frymimit shqiptarë Amerika.
Kosovës poeti Luzaj ia radhitë fatin e saj të rëndë ndër shekuj, dasmat që kanë në vete hare e zhurmëri – atje visheshin me heshtje, dhuna sllave që dhuronte vetëm kamxhik, liria e kufizuar deri në imtësi si dhe madhështorja, historikja, e përjetshmja NËNA shqiptare e Kosovës që, në çfarëdo rrethane, ajo e shtonte jetën shekujve, e rinonte tokën e mbytur në gjak.
Për t’i përjetuar realisht këto krijime poetike, po i shënojmë që të dy poezitë e Lizajt shkruar për Kosovën.
KOSOVË E PËRGJAKUR
E mbylli shekulli mijëvjeçarin,
Rilindi Kosova shekull të ri,
Kohërat marrin plagët, jo Adem Jasharin,
Gjysma legjendë, gjysma histori.
Sa brenga flasin, sa dhimbje rrinë zgjuar
O nëna të mira, heroina pa lapidarë!
Liria e Kosovës nga ju ka buruar.
Shpirtrave sa plumba kini marrë!?
Buzëqesh e brishtët, plagëfashuar
Rreh zemra krahërorit në Tiranë.
Nga krismat e fitores, Çamëria zgjuar
Gardhet ndalin çapin, gjakun s’e kanë ndarë.
Çdo shtëpi muze, çati ka flamurin,
Kështjellë e Jasharëve, Sfetigrad i Ri.
Kthen historia për të gjetur burrin,
Burrat e Atdheut qiellit kuq e zi.
KOSOVA
Është pak, shumë pak të them: Gëzuar!
Edhe me gjak ta shkruaj, është pak!
Eh … Kosovë, mbi vdekjen ke fituar,
Pije helm dhe të bëhej gjak.
Të kërkonin palcën, të të shkulnin flamurin,
Djalit, Atdheut i linit trashëgim,
Atdhe o vdekje, peshore te burri,
Busulle liria, shkau në shpinë
Njëqind vjet skllave, ngele nën kamxhik,
Një shekull thundrës së muzhikut,
Dhe kur lindje, ngjetheshe me frikë,
Çdo lindje plumb ish’ për armikun.
Dasmat i festoje qetas, pa bujë,
Pas çdo dasme, gjaku bënte lart;
Herë derdhej brinjëve si ujë –
Herë ngjitej shtizës për bajrak.
Vij nga larg i përmalluar, biri yt
Loke, nënë kosovare, pa rrënjë në tokë.
Të rrok si flamur, të shtrëngoj në shpirt;
Gjysma kullon gjak, gjysma rrjedh lot,
Zën’ e dhimbjes kurrë s’ta dëgjuam.
Lindje po, Loke moj shtatzënë,
Zemrat gjakun kurrë s’e harruan,
Ish’ përmbys rrënjëdala nënë.
Na shtove jetën një shekull të plotë,
Mijëra trima i ngrite nga varri,
Shekulli shqiptar, Gëzuar nëpër Botë!
Fara dhe rrënjë, Ti Adem Jashari.
Is Boletini, gjëmimat i ndjeje?
Dollinë e fitores ta pimë në Kaçanik.
Shtatzënë Kosova pas çdo beteje.
Mbushe gotën plot, për ty Amerikë./ KultPlus.com