DAM Festival i rikthehet skenës artistike vendore me virtuozitetin e vilonçelistes franceze, Aurélienne Brauner

Vjollca Duraku

Koncerti i Violonçelistes franceze Aurélienne Brauner, të mërkurën mbrëma, në atelienë e Pallatit të Rinisë shënoi rikthimin dhe hapjen e edicionit të 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “DAM Festival”, në skenën artistike vendore.

Në një ambient të improvizuar, me ulëse në formë harkore, që përballë kishte një skenë me tre ekrane të mëdha që përmbanin numrin romak XIX, ceremoninë hapëse e udhëhoqi Rreze Kryeziu, e cila përveçse falënderoi mysafirët për prezencë, bëri edhe një prezantim të shkurtër të përmbajtjes së programit, i cili për soliste kishte vilonoçelisten franceze.

Pas pak në skenë doli solistja këmbëzbathur Brauner, e cila pjesë të programit interpretues kishte edhe veprën premierë të Dea Ahmës “Lament për violonçel solo”. Pika e parë interpretuese ishte nga autori Johann S. Bach me Suitë për violonçel Nr.1 në G-dur, BWV 1007  me Prelude, Allemande, Courante, Sarabande, Menuetl – Menuet ll dhe Gigue, ku krijoheshin tinguj të qetë, të cilët shkonin e bëheshin më të rrallë e më seriozë, për tu kthyer përsëri në tinguj të qetë e të shpeshtë që ishin të këndshëm për veshin e dëgjuesit.

Pika pasuese ishte Johann S. Bach me Suitë për violonclçel Nr. 2 në d-mol, BWV 1008 (Prelude Allemande, Courante, Sarabande, Menuet l- Menuet ll l dhe Gigue) që dhuroi tinguj me frekuencë më të lartë e më serioze. Një interpretim me dorë zgjatur në telat e çelos nxirrte në pah profesionalzimin e solistes, ndërsa qetësia mes tingujve lejonte shijim dhe integrim të plotë të pikës interpretuese te publiku.

Aurélienne Brauner, e cila është soliste e dalluar e Orkestrës Kombëtare të Francës që nga viti 2021, fituese e çmimit Del Duca nga Académie des Beaux-Arts, krejt në fund para publikut solli veprën e autorit Gaspar Cassado, “Suitë për violonçel solo Preludio- fantasia”. Fundi i koncertit u pasua me duartrokitje frenetike të cilat e rikthyen solisten në skenë disa herë.

Krejt në fund të koncertit, në një prononcim për media, solistja Aurélienne Brauner tha se e kishte shijuar shumë koncertin, i cili pati program të larmishëm interpretues.

“Ishte një performancë solo. Unë e shijova shumë sepse veprat kishin program të larmishëm duke përfshirë Bahun, një pjesë nga kompozitorja Dea Ahma dhe Gaspar Cassado. Ishte kënaqësi të performoj në Prishtinë, në festivalin DAM”, ka thënë solistja duke bërë të ditur se në këtë festival po merrte pjesë pas përshtypjeve pozitive që i kishte lënë Prishtina në vizitën e saj në muajin Mars.

Ndërsa Organizatori i Festivalit, Dardan Selimaj, është shprehur i lumtur që pas shumë sfidave dhe vështirësive, këtë vit është arritur organizimi i edicionit të 19-të të DAM-Festival.

“Nuk e kam paramenduar që edhe pas 19 vitesh do të ballafaqohemi me problemet e njëjta, kryesisht për hapësirat në të cilat organizohet festivali, jo vetëm DAM-i, por edhe “Ta zbardhi ftyrën”, ChopinFest-i, Remuzika ose Kamerfest. Megjithatë, këto 19 vjet kemi qenë insistues që të vazhdojmë tutje, të gjejmë opsione alternative. Ndoshta, më shumë na kanë shtyrë edhe instrumentistët të cilët i kemi ftuar ndër vite, të cilët shëndrrohen në miq të festivalit, ku pastaj natyrshëm rrjedh programi dhe idetë për vitin e ardhshëm. Megjithatë, e rëndësishme është që pavarësisht të gjithë rrugëtimit në fund të organizohet dhe të finalizohet festivali. Jemi të lumtur që edhe këtë herë kemi arritur ta sjellim për publikun dhe ata që kanë dëshirë ta përcjellin këtë program”, ka thënë Selimaj.

Më tej, organizatori Selimaj ka folur edhe për koncertet në ditët pasuese të festivalit, duke paralajmëruar edhe veprën premierë të kompozitorit shqiptar me karrierë në Japoni, Fati Fehmijut.

“Kryesisht janë koncerte me një ose dy instrumentistë, janë koncerte të formatit më të vogël, që në fokus e kanë edhe interpretimin e disa premierave të kompozitorëve shqiptarë. Pjesë e programit është një vepër e Fati Fehmijut, një kompozitor shqiptar i cili jeton në Japoni, krijimtarinë e të cilit nuk e kemi dëgjuar asnjëherë më parë. Ai është një prej personaliteteve më të dalluara të muzikës bashkëkohore në Japoni, është pedagog në njërën prej akademive atje. Një vepër tjetër e cila do të interpretohet është e Liburn Jupollit, dhe disa emra të tjerë që janë lider të muzikës klasike”, ka thënë Selimaj.

Kurse koordinatorja e festivalit, Zana Abazi, tha se rrjedha e koncertit shkoi ashtu siç ishte paraparë, me disa probleme të vogla si shkak i ambientit jo adekuat në të cilin është mbajtur mbrëmja.

“Një koncert me përmasa të tilla  i ka vështirësitë e veta por e ka edhe shpërblimin e vet në fund me paraqitje të festivalit. Gjithçka ka shkuar për mrekulli, me disa prombleme të vogla për shkak të kushteve që tashmë dihen, mirëpo komplet si koncert ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka përfunduar Abazi.

DAM Festival do të vazhdojë rrugëtimin e edicionit të 19-të deri më datën 22 shtator, ku adhuruesit e muzikës klasike do të kenë mundësi që të dëgjojnë vepra të kompozitorëve të shquar shqiptarë dhe botërorë./ KultPlus.com

Florent Charpentier dhe Pranvera Hoxha sjellin kryeveprat e muzikës klasike franceze në natën e katërt të DAM Festival

Flonja Haxhaj

Esenca e kryeveprave klasike franceze jehoi mbrëmjen e së premtës në Prishtinë teksa u sollën veprat e Saint-Saëns, Debussy, Stravinsky e Poulenc në një repertor për klarinetë dhe piano, të interpretuara mjeshtërisht nga Florent Charpentier dhe Pranvera Hoxha, shkruan KultPlus.

Koncerti ‘Clarinet Podium’ i cili shënoi edhe mbrëmjen e katërt të festivalit ‘Dam Festival’, përcolli emocione të jashtëzakonshme tek adhuruesit e muzikës klasike që kishin mbushur plot Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare.

‘Clarinet Podium’ nisi me sonatat për klarinet dhe piano të Saint Saëns duke  e zhytur publikun në atmosferën melankolike e klasike të shekullit XX duke e paralajmëruar me këtë edhe fillimin e një koncerti të paharrueshëm.

E për më shumë se një orë, dyshja Charpentier e Hoxha morën audiencën në një udhëtim të mahnitshëm të tingujsh, duke lënë të ndihet emocioni dhe pasionet e kompozitorëve francezë të shekullit të 20-të.

Pas koncertit, Florent Charpentier u shpreh për KultPlus se ndjehet shumë i lumtur që luajti para një publiku që e vlerëson një muzikë të tillë.

“Ishte kënaqësi të luaja në këtë sallë dhe me këtë publik, gjithashtu ishte shumë e veçantë për mua si muzikant francez të luaja disa pjesë të kompozitorëve francezë.Bashkëpunimi me Pranverën ishte i  mrekullueshëm, ne kishim vetëm dy ditë kohë për të bërë prova, por ishte shume e lehtë për ne sepse i njohim shumë mirë këto vepra. Për mua si klarenitist këto janë shumica e kryeveprave të repertorit tonë, pra ishte ishte e lehtë t’i interpretojmë”, u shpreh Charpentier i cili më tutje tha se është shumë mirë kur një muzikë klasike ngjall në publik një atmosferë të tillë.

Sigurisht, kjo mbrëmje nuk do të ishte e kompletuar pa piantisten Pranvera Hoxha. Ajo për KultPlus tha se ky koncert  ishte shumë i bukur pasi i gjithë repertori ishte francez.

“Është shumë bukur kur bashkëpunon me artistë nga jashtë sepse marrim eksperienca si nga ana e shkollës, ashtu edhe kulturore e aq më tepër kur vetë klarinetisti është francez dhe i njeh nga afër të gjitha veprat”, u shpreh Hoxha.

Hoxha më tutje shtoi se pavarësisht kohës së shkurtër të provave, gjithçka erdhi natyrshëm në këtë koncert.

“Natyrisht, sfida ka qenë tek aspekti teknik sa i përket provave pasi kemi pasur vetëm dy ditë rast të takohemi, mirëpo fatmirësisht e kemi pasur një energji sa që të gjitha gjërat erdhën natyrshëm”, përfundoi Hoxha për KultPlus.

Ndërkaq, ‘Dam Festival’ u mbajt nga 4 deri më 9 shtator ku për pesë net të gjithë dashamirët e muzikës klasike patën mundësi të shijojnë tingujt e mrekullueshëm të kryeveprave botërore të kësaj muzike./KultPlus.com

Koncerti Post Dam Festivali shtyhet për një datë tjetër

Koncerti post DAM Festival me pianistin Tempei Nakamura i paraparë të mbahej me 12 korrik është shtyrë për një datë tjetër, shkruan KultPlus.

Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët e DAM-it, përmes postimit në llogarinë zyrtare, duke njoftuar se vdekja e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, ka ndikuar që ky koncert të shtyhet.

“Me rastin e vdekjes së ish Kryeministrit Japonez Shinzo Abe, koncerti i paraparë të mbahet më datë 12 korrik, shtyhet për një datë tjetër. Për detaje të tjera do t’ju informojmë me kohë. Asociacioni i Miqësisë Kosovaro-Japoneze dhe DAM Festival i shpreh ngushëllime familjes dhe popullit japonez me rastin e vdekjes së ish Kryeministrit Abe.

U prehtë në paqe!“, thuhet në njoftimin e tyre.

Pianisti Tempei Nakamura pritet që të performojë një ditë tjetër në Prishtinë, me ç’rast KultPlus do t’iu njoftojë më herët.

Rikthim spektakolar për mbylljen e Festivalit DAM, Kelmendi: Shpërblimi më i madh është suksesi që i kemi sjellë vendit tonë

Uranik Emini

“Kori nuk është thjesht një hobi apo aktivitet pas shkollës, është një mënyrë jetese”, thotë një shprehje. Një gjë e tillë shihet edhe në performancat magjike të korit “Siparantum”, të cilët u rikthyen në DAM Festival, aty ku edhe filluan rrugëtimin e tyre, për të dëshmuar se madhështia vjen nga fillimet e vogla. Pas pushtimit të skenave më të njohura botërore, “Siparantum” në krye me Memli Kelmendin, vazhdoi në mënyrë unike afirmuese të ndezë shqisat dhe të qetësojë nervat e njerëzve të pranishëm në kishën “Shën Ndou” të mbushur plot, të cilët brohoritën në mënyrë spektakolare për njërin ndër koret më të suksesshëm në Kosovë dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Mes shumë sfidave, DAM Festival e përmbylli edicionin e 17-të duke ofruar një programacion të pasur dhe gjithashtu edhe rikthimin e korit “Siparantum”.

Për të folur më shumë rreth asaj se çfarë kaluan gjatë këtij edicioni, organizatorja Rreze Kryeziu, tha për KultPlus se mungesa e një salle të duhur për të shtrirë në mënyrë të duhur performancat e tyre, po i përcjellë ata vit pas viti.

“Secili edicion i ka padyshim të mirat e veta, sepse në të kundërtën nuk do ta realizonim, por padyshim këtu përfshihen edhe sfidat. Ne vazhdojmë në edicionin e 17-të me radhë që të kemi mungesë të kushteve elementare, sikurse që është mungesa e një salle përkatëse dhe jo më kot është evidentuar edhe lëvizja e koncerteve prej një salle në sallën tjetër. DAM-i në edicionet e kaluara i ka realizuar sepse kemi pasur qëllim që të eksplorojmë hapësirat e ndryshme në mënyrë që të realizojmë koncertet tona, por kësaj radhe ky nuk ka qenë qëllimi pasi ka munguar një sallë përkatëse”, tha Kryeziu duke falënderuar edhe një herë tjetër të gjitha institucionet të cilat kanë ndihmuar në realizimin e këtij koncerti.

E pyetur në rikthimin e korit “Siparantum”, Kryeziu thotë se e tërë shoqëria e pret me entuziazëm rikthimin e tyre. “Kjo është evidentuar edhe sot, kur pyetëm publikun pas shfaqjes dhe gjithashtu edhe i kërkuam falje për temperatura të larta, thanë se nuk e kanë vërejtur një gjë të tillë pasi ata morën një freski shpirtërore nga performancat e korit”.

Në anën tjetër, kompozitori Memli Kelmendi tha për KultPlus se është shumë i kënaqur që janë rikthyer në përmbylljen e edicionit të 17-të, por kjo nuk do të thotë se do të përmbyllet edhe rrugëtimi i korit “Siparantum”.

“Rrugëtimi jonë besoj edhe duhet të jetë më i gjatë edhe pas nesh, kjo pasi muzika gjithmonë mbijeton. Ne sot kemi shpalosur një program kolosal dhe kemi shpalosur suksesin e festivalve që kemi përmendur disa herë. Veprat të cilat kemi qenë pjesëmarrës në skenat më të njohura botërore. Publiku mendoj që ka pasur rastin të përcjellë dhe të shijojë disa prej pikave të cilat ne i kemi interpretuar në festivale të ndryshme, e sonte i kemi paraqitur përpara publikut të Prishtinës. Një energji ndryshe, na ka munguar kjo atmosferë. Ne u rikthyem në Prishtinë pas dy viteve dhe të them të drejtën më ka marrë malli shumë dhe sonte jam ndjerë tamon si pjesë e shtëpisë sime. Dua të falënderoj Dardanin, Rrezen dhe gjithë stafin e Festivalit DAM për ftesën edhe për organizimin e tyre fantastik që kjo mbrëmje të jetë në shpirtin e secilit prej audiencës”, tha Kelmendi.

Veçantia e jashtëzakonshme e korit “Siparantum”

“Të gjithë njerëzit në korin “Siparantum” janë vullnetarë, edhe unë jam vullnetar edhe Agroni gjithashtu. As kryetari i korit nuk paguhemi për punën që e bëjmë. Shpërblimi më i madhi, pagesa më e madhe që ne e kemi është suksesi të cilin ia kemi sjellë vendit tonë, mendoj që kjo gjë nuk mund të blehet me pare. Do të thotë, mendoj që shpesh herë puna kur bëhet me pare është ndryshe, ajo punë që bëhet vullnetare dhe bëhët me shpirt, jehon ndryshe. Ne jemi duke e bërë punën me shpirt dhe jemi shumë të etur dhe e shohim se sa e nevojshme është prezantimi i kulturës dhe vendit tonë ndërkombëtarisht. Prandaj, këtë atmosferë po ia japim edhe vendit tonë”, tha ai, duke njoftuar se kori “Siparantum” ka ftesa të shumta, madje i ka të siguruar ftesat deri në vitin 2025.

Në shtator dhe tetor, kori “Siparantum”, siç njofton Kelmendi, do të paraqitet në dy skena të njohura të botës, derisa për shkak të konfidencialitetit nuk mundi të zbulojë diçka konkrete.

Pianisti kosovar, Agron Shujaku, i cili ka një bashkëpunim të ngushtë me korin “Siparantum”, tha për KultPlus se ky është festivali më i veçantë i korit ndonjëherë.

“Bashkëpunimi im me Memlin ka filluar në vitin 2019 kur kemi pasur një koncert dhe unë kam qenë një mysafir i ftuar në një pikë dhe që nga atëherë kemi qenë të pandashëm. Unë mendoj që kemi mbajtur koncerte shumë, por ky ka qenë më i miri që e kemi bërë, ndoshta sepse ka qenë edhe një finalizim i punës. Disa prej veprave i kemi performuar edhe nëpër Evropë dhe ato janë pjekur e janë ngritur çdo herë më mirë e më mirë, ky koncert ka qenë kulminacioni i kësaj pune, sidomos punës dy vjeçare prej pandemisë e deri në ditët e sotme”, tha Shujaku, duke shtuar pjesën se kori “Siparantum” është në një prej 6 koreve më kontribuese të këtij viti.

Baritoni Shaban Behramaj, korist dhe njëherish edhe solist i mbrëmjes, ka thënë për KultPlus se përveç tjerash, fakti që pas një mori koncertesh jashtë vendit, garave e fitoreve, kthimi në Kosovë ka një përgjegjësi më të madhe.

“Njerëzit janë mësuar të të shohin duke fituar nëpër gara të ndryshme, prandaj përgjegjësia tek ne është rritur dhe për këtë aryse kemi ardhur me këtë koncert siç ishte sonte. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që përveç si korist, në skenën e Filharmonisë së Berlinit, kam performuar edhe veprën e Memli Kelmendit si solist, kjo gjë më ka nderuar dhe jam shumë i lumtur që e interpretova edhe sonte këtu. Duartrokitjet kanë qenë të jashtëzakonshme, ngrohtësia e publikut shumë e madhe dhe pritja e tyre gjithashtu shumë e madhe, e për këtë gjë jam shumë falënderues”, tha ai.

Përmes tingujve të lavdishëm nga të gjithë anëtarët e korit, u shpreh edhe muzika si emocion, për të treguar edhe një herë fuqinë dhe madhështinë e një orkestre botërore. /KultPlus.com

Sonte në kuadër të ‘DAM Fest’ vjen koncerti i nxënësve të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”

DAM Festival do të vazhdojë këtë edicion me një tjetër koncert, shkruan KultPlus.

Koncert i nxënësve të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” – Prishtinë do të shfaqet para publikut sonte në koncertin e Dam Festival në Pallati i Rinisë dhe Sportit, Atelieja – Prishtinë.

Koncerti nën titullin “KLUBI 2000” do të fillojë në orën 18:00. / KultPlus.com

mu

Nesër shfaqet “Okarina e Runikut” dhe promovohet “Mes Kërshërisë dhe dashurisë për muzikën”

Në kuadër të festivalit ‘Dam’ nesër duke filluar nga ora 19:30 do të transmetohet dokumentari ‘Okarina e Runikut’, në Kino Armata.

Filmi dokumentar është me skenar të Seadet Beqirit, me regji të Genc Berishës dhe producent është Fatmir Spahiun. Pas shfaqjes së filmit dokumentar do të ketë edhe diskutim në hapësirën e Kino Armatës.

Menjëherë pas shfaqjes së dokumentarit do të promovohet libri ‘Mes Kërshërisë dhe dashurisë për muzikën’ në fjalët e Shaqir Hotit: Udhërrëfyes për ndërtimin dhe interpretimin e instrumenteve popullore frymore.

Autore e librit është Rreze Kryeziu- Breznica.  / KultPlus.com

Nina Shala dhe Drilon Çoçaj performojnë sonte në Dam Festival

DAM Festival do të vazhdojë këtë edicion me një tjetër koncert, shkruan KultPlus.

Nina Shala (flaut) Drilon Çoçaj (kitarë) do të shfaqen para publikut sonte në koncertin e Dam Festival, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Koncerti do të fillojë në orën 19:30. / KultPlus.com

Nata e parë e ‘DAM Fest’ sjell interpretimin e mahnitshëm të kuintetit të harqeve “Wiener Kammersymphonie”

Kuinteti i harqeve ‘Wiener Kammersymphonie’ mbrëmë ka mbushur plot hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, duke mbledhur rreth vetes një numër të madh të artdashësve të cilët patën rastin të përjetojnë magjinë e dy violinave, violës, violonçelos si dhe kontrabasit që nën kontrollën e instrumentistëve të mahnitshëm, sollën një program tejet interesant në natën e parë të Festivalit Dam, shkruan KultPlus.

Kësaj here, Biblioteka Kombëtare e Kosovës u shndërrua në shtëpinë e dytë të këtij festivali. Me karrige të vendosura në formë rrethore, gjithsej pesë reflektorë sipër katit të tretë që binin pingul mbi hapësirën ku instrumentistët performojnë si dhe perdet e zeza në prapavijë, u vu në pah edhe loja madhështore e këtij kuinteti të harqeve, anëtarët e të cilit dëshmuan për një talent të pakrahasueshëm.

Mbrëmë pesë instrumentistët interpretuan një program të përbërë nga kompozitorët e njohur si: Stefan Pelzl, Valton Beqiri, Erich Wolfgang Korngold dhe Joseph Haydn. Herë në nota të lehta e herë në më të rënda, atmosfera u pushtua vazhdueshëm nga lëvizjet e pandalshme të instrumentistëve Liuba Kalmykova, Estelle Weber, Giorgia Veneziano, Sergio Mastro dhe Damian Posse, tek të cilët dallohej një passion i zjarrtë për interpretimin e secilës vepër.

Po ashtu veprat si: “Portret në tri ngjyra”, “Augment”, “Marchenbilder” si dhe “Simfonia Nr.82 në C-dur ‘Ariu’”, mbrëmë u shpalosën me një mprehtësi të paparë. Po të vëzhgoje duart, krahët dhe gishtërinjtë e secilit instrumentist, atëherë të krijohej një imazh se ata po fluturonin, teksa meloditë dhe tingujt e pastër thjesht po krijonin një magji të vazhudeshme që nuk dinte të përfundonte aspak.

Përgjatë pothuajse një ore, këto vepra kanë lënë gjurmë të dukshme në kujtesën e gjithsecilit. Interpretimi i tyre zgjoi mjaft emocione në publik me ç’rast edhe shikimi dhe vëmendja e të pranishmëve ishte direkt e përqendruar tek lëvizjet e tyre, komunikimi dhe harmonia që shfaqej ndërmjet si dhe precizitetit të këndshëm që ata sollën nëpërmjet melodive unike.

Kështu krejt në fund ishte vetë publiku ai që me duartrokitje të vazhdueshme ka falënderuar kuintetin e harqeve për rëndësinë dhe përkushtimin që ia kanë dhënë natës së parë të këtij edicioni të Festivalit Dam. Me pasimin e secilës duartrokitje, audienca e riktheu kuintetin edhe njëherë në skenë, për të përfunduar këtë mbrëmje me një vijë melodike sa të butë në ndjesi aq edhe të shpejtë dhe saktë në interpetim.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth këtij koncerti dhe përshtypjeve të tij, për KultPlus foli kompozitori Valton Beqiri.

“Në fakt vepra ka qenë për kuartet harkor por është zgjeruar për këtë rast edhe me kontrabas, natyrisht duke plotësuar dhe duke ndërruar rolet e instrumenteve. Megjithatë, mendoj që për kompozitorët e rinj, ardhja e ansambleve të ndryshme nga Evropa dhe bota, është një rast i mirë që të dëgjohen veprat tona por edhe të kemi komunikim mes artdashësve dhe artistëve nga e gjithë bota”, thotë Beqiri.

Sipas tij, festivalet e ndryshme po luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në kultivimin e vlerave muzikore dhe fuqizimin e jetës kulturore por edhe në interpretimin e veprave të kompozitorëve të ndryshëm në kuadër të programeve të tyre.

“Realisht vepra është ndër të rrallat që nuk ka shumë ritëm autokton ashtu siç karakterizohen veprat  e mia, por megjithatë ka temperametin tim si autor. Natyrisht edhe vetë instrumentisët treguan që e kanë pasur mjaft sfiduese veprën time ngase janë të panjohura për ta. Unë dua t’i falënderoj ata që kanë luajtur veprën time dhe shpresoj që do të rikthehen edhe me vepra të kompozitorëve të tjerë”, përfundon Beqiri.

Po ashtu instrumentisti Sergio Mastro për KultPlus ka shprehur emocionet e tij në kuadër të interpretimit të tij së bashku me kuintetin.

“Ne vendosëm të performojmë programin tipik austriak me dy kompozitorë bashkëkohorë nga Austria dhe një nga Kosova për të krijuar një lidhje me këtë festival. Ne ishim shumë të kënaqur me kompozitorin kosovar dhe vepra tingëllonte si një muzikë popullore nga ky vend. Ishte një eksperiencë shumë e këndshme për ne sepse ishte diçka e re. U argëtuam shumë. Është hera jonë e parë me këtë festival dhe kemi punuar shumë për këtë”, thotë Mastro.

Organizatorja e këtij festivali, Rreze Kryeziu gjithashtu tregoi për gjithë përgatitjet për këtë festival si dhe ndjesitë që ka marrë pas natës së parë.

“Derisa fillon koncerti ne normal që kemi adrenalinë më të madhe sesa në netët e tjera andaj edhe shumë rrallë ndodh që të shijojmë koncertin siç duhet, por sonte ishte krejtësisht ndryshe dhe me të vërtetë e shijova jashtëzakonisht shumë. Natyrisht që para se të ftojmë ndonjë asnambël, hulumtojmë dhe ne e kemi ditur nivelin e tyre të lartë profesional por sot fatmirësisht talenti i tyre u dëgjua edhe nga publiku kosovar sepse me të vërtetë ky ansambël është njëri ndër më të mirët në skenën evropiane dhe më gjerë”, thotë Kryeziu.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 03 korrik ku publiku do të ketë mundësi të shijojë koncerte të artistëve nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

“Wiener Kammersymphonie” sonte në natën e parë të DAM Festival

DAM Festival do të nisë këtë edicion me një koncert në Hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, përcjell KultPlus.

Hapja do të bëhet nga “Wiener Kammersymphonie” sonte duke filluar nga ora 19:30.

Liuba Kalmykova – violinë I / violin I
Estelle Weber – violinë II / violin II
Giorgia Veneziano – violë / viola
Sergio Mastro – violonçel / cello
Damian Posse – kontrabas / double bass / KultPlus.com

Agron Shujaku dhe Ledian Shala promovojnë veprat kosovare për piano 4 duar

Një mbrëmje për mos t’u harruar, një kurorësim i nismës së pianistit Agron Shujaku së bashku me pianistin e ri Ledian Shala, për të promovouar dhe dokumentuar veprat kosovare për piano 4 duar.

Pas publikimit të video-inçizimeve profesionale në kanalin Youtube muajin e kaluar , më 1 Prill 2022 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë është realizuar koncert pianistik me qëllim të promovimit të CD-së me veprat e kompozitorëve kosovarë Artan Hasani, Kreshnik Aliçkaj, Memli Kelmendi, Valton Beqiri, dhe Mendi Mengjiqi.

Mungesa e inçizimeve të performancave live të veprave të kompozitorëve kosovarë ishte shtytja kryesore për realizimin e audio-arkivimit/dokumentimit të veprave të kompozitorëve kosovarë.

Koncerti mblodhi dashamirë të muzikës, nxënës, profesorë si dhe kompozitorë të veprave në fjalë të cilët e çmuan dhe vlerësuan realizimin e koncertit. Shujaku deklaroi që kjo iniciativë do të vazhdohet edhe me tutje me projekte të reja që kanë synim dokumentimin e trashëgimisë kulturore muzikore.

Ndërsa pianisti Ledian Shala ndihet i lumtur për realizimin e projektit si dhe i motivuar për koncertin e ardhshëm solistik që do të realizojë si fitues i garës “Pianisti i ri 2021” në “Dam Festival”.

Ky koncert është realizuar përmes mbështetjes financiare të Drejtorisë së Kulturës, Komuna e Prishtinës. /KultPlus.com

Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva, dyshja që mbërtheu publikun brenda botës pianistike në ‘DAM Fest’

Era Berisha

Një dyshe pianistike mbushi sallën në natën e pestë të Festivalit Dam në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke mbledh rreth vetes artdashës të shumtë të cilët patën rastin të shijojnë nga afër interpretimin unik të Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva nga Maqedonia e Veriut, me ç’rast loja e tyre mjeshtërore në një piano të vetme mbizotëroi jo vetëm atmosferën por edhe vëmendjen e të pranishmëve duke i futur ata brenda vorbullës melodike që krijohej vazhdimisht gjatë tërë natës, shkruan KultPlus.

Për pesë netë me radhë, skena e cila ndërronte vetëm prezencën e instrumenteve në kuadër të mbrëmjeve muzikore, kësaj here kishte ndërruar edhe ndriçimin. Gjithsej 12 drita të ngrohta të vendosura lart në hapësirë ishin vënë pingul mbi instrumentistët dhe pianos gjigande të zezë e cila ishte vendosur mu në mes të skenës, ndërsa tetë reflektorë me ngjyrë të kaltër si dhe perdet e zeza po vazhdonin të lenin gjurmë të dukshme në pamjen e këtij festivali. Po ashtu, reflektori i vënë anash në një kënd perfekt po vinte në pah interpretimin pianistik të dyshes që solli vepra të shquara para publikut.

Mbrëmë, jo vetëm skena por edhe çelësat e pianos u pushtuan nga tingujt tundues të cilët furishëm dilnin nga kontrolli për të sjell kështu nota të sakta të kompozitorëve botërorë si: Franz Schubert, Sergei Rachmaninoff dhe Maurice Ravel. Lëvizjet trupore të lehta, lëvizjet e kokës poshtë e lart, shtypja e petaleve, pasioni i zjarrtë e i ëmbël në sytë e dy pianistëve, ishin vetëm disa nga elementet kryesore që tregonin efikasitetin, saktësinë dhe elegancën e interpretimit të tyre brenda qetësisë absolute që solli publiku.

Duke nisur nga lëvizjet më të lehta e deri tek ato me më shumë dinamikë, veprat si: “Fantazi në f-mol D.940”, “6 Morceaux, Op.11” dhe “La Valse”, erdhën me një magji dyshe e të pakrahasueshme. Krah më krah, e duar me duar, brishtësia e tingujve vazhdonte ritmin deri në një thyeshmëri që në mënyrë drastike ndërrohej për të sjell çmendurinë delikate të melodive unike.

Përgjatë pothuajse një ore, këto vepra dëshmuan se teknika e goditjeve të tasteve jo vetëm me të gjitha gishtërinjtë por edhe me një të vetëm, nuk lë vend për shpërqendrim e aq më pak kur puna mjeshtërore e interpretimit të tyre e hipnotizon publikun qysh në sekondën e parë kur melodia e parë fut rrënjët në sallë dhe vazhdon ti lë ato rrënjë brenda secilit të pranishëm edhe pas përfundimit të vijës melodike.

Kështu krejt në fund, ishte publiku që në pamundësi për të duartrokitur për arsye se e djeshmja ishte ditë zie, ai i cili vështronte me një admirim të veçantë në sy e një dëshirë të madhe për të falënderuar këta dy pianistë të rinj që posedonin një talent të jashtëzakonshëm i cili shndërrohej në një mrekulli mahnitëse kur talentet e tyre të posaçme gërshetoheshin në një të vetëm.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të tij, për KultPlus folën pianistët Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva.

“Ndihemi shumë mirë, është diçka e pashpjegueshme ku vendos gjithçka që ke në jetë, gjithë energjinë tënde në të. Andaj edhe është një proces shumë individual e real dhe është gjithashtu shumë i vështirë për t’u shpjeguar”, thotë dyshja.

Sipas tyre, ata kanë luajtur së bashku sepse kanë gjetur cilësi të brendshme tek njëri-tjetri për të shfaqur muzikë.

“Ne besojmë në të njëjtat cilësi dhe është gjithashtu shumë e vështirë të flasësh për muzikën sepse nuk është një proces i thjeshtë edhe pse duket i tillë. Ndërsa, ajo që na bëri më shumë përshtypje është audienca. Jemi shumë të kënaqur me audiencën sepse njerëzit në fakt po dëgjonin”, përfundon dyshja.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

Kaltrina Miftari dhe Lirika Pula sollën mrekullinë e ndërlidhjes së muzikës instrumentale me atë vokale në ‘DAM Fest’

Era Berisha

Një ndjenjë paqësore e krejtësisht mbizotëruese e cila erdhi në një formë komplekse u pasua pikërisht nga ngjyrimet e guximshme të zërit të veçantë së sopranos Kaltrina Miftari, në një ndërlidhje unike me instrumentin e klaviçembalit nën interpretimin e Lirika Pulës, me ç’rast sot atmosfera në DAM Festival vallëzoi mes melodive të qeta por plot pasion e të cilat u shoqëruan me elemente diversive që gjatë tërë kohës përçonin një ndjenjë drame e tensioni, shkruan KultPlus.

Nata e katërt e Festivalit Dam në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinsë dhe Sportit ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të muzikës klasike. Sot, skena që tashmë është e njohur për publikun, u shfaq po njëlloj por e njëjta çdo herë vë në pah lojën mjeshtërore të instrumentistëve e edhe lëvizjet e ndryshme të performuesve. Pesë drita të ngrohta të vendosura lart mbi kokën e skenës, katër reflektorë me ngjyrë të kaltër si dhe perdet e zeza e të lëshuara deri në platformë, ishin elementet kyçe që përcollën magjinë muzikore prej fillimit deri në fund.

Ndërsa, duartrokitjet e të pranishmëve që mirëpritën interpretueset në skenë dhe qetësia pasuese, ishin shenjat e fundit që nisën këtë mbrëmje të mbushur deri në kupë me stilin barok.

Hijeshia e sopranos Kaltrina Miftari dhe eleganca e instrumentistes Lirika Pula, u dallua që në momentin kur ato shkelën skenën me prezencën e tyre për të thumbuar kështu jo vetëm me dukjen e tyre delikate por edhe me gërshetimin e interpretimit të tyre. Atmosfera e ngrohtë brenda sallës u gjallërua butësisht me veprat e kompozitorëve të njohur botërorë si: John Dowland, Thomas Campion, Geroge Frederic Handel, Antonio Cesti, Jean-Philippe Rameau dhe Henry Purcell, duke sjell kështu melodi e tinguj të cilat burimin e kishin të zhytur në një fuqi të jashtëzakonshme.

Në ndërkohë, ishin veprat si: “E pur cosi in un giorno… Piangero la sorte mia” dhe “Thy hand Belinda … When I’m laid”, të cilat magjepsën të pranishmit me ndjeshmërinë e tingujve plot lezet, delikatesën e melodive të lehta klasike si dhe bukurinë e të interpretuarit të pakrahasueshëm, duke depërtuar kështu deri në misterin e fshehur brenda qenies njerëzore e çelur atë ndjenjën e mbyllur me çelës.

Pastaj veprat solo të instrumentistes Lirika Pula, si: “Sarabanda nga suita në d-mol HWV 437” dhe “Les Sauvages”, e dërguan publikun brenda portës pianistike, aty ku dominonin lëvizjet e luhatjet e vogla të tërë trupit, dinamika e shtypjes së tasteve si dhe meloditë e tingujt që ndryshonin varësisht vijës melodike që herë vendosej mbi një urtësi e herë tjera derdhej në një përdëllim të pamëshirshëm pa ndalesë.

Përgjatë pothuajse një ore, veprat si: “If my complains could passions move”, “Fine knacks for ladies”, “My love hath vowed”, “Never weather beating sail”, “Intorno all’idol moi”, “If music be the Food of Love”, dhe “Music for a while”, ishin ato të cilat po shënonin kryevepër pas kryevepre për të dëshmuar se një ndërlidhje e muzikës instrumentale dhe asaj vokale, krijon një natë madhështore e krejtësisht të shkëlqyer porsi një diamant, shkëlqimi i së cilës kaplon vëmendjen e dëshirën e çdo kujt.

E këtë e dëshmoi edhe publiku i cili me duartrokitjet e shumta dhe buqetat me lule, solli edhe një herë në skenë të dy këto interpretuese të mrekullueshme.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe emocioneve pas tij, për KultPlus foli pianistja Lirika Pula.

“Mbrëmja e sotme ishte rezultati i një pune intenzive së bashku me Kaltrinën, një knaqësi e madhe të luash në klaviçembalo e të interpretosh vepra të një repertori të tillë, të zgjedhura mjeshtërisht nga Kaltrina”, thotë Pula.

Sipas saj, klaviçembalo si instrument është pak më i veçantë dhe pianistët e Kosovës nuk e kanë pasur fatin të njohin e të punojnë me të deri në vitet e fundit, andaj edhe koncerti është konsideruar si një eksperiencë unike. 

“Përshtypjet ishin nga më të mirat si nga ana jonë e poashtu edhe nga ana e publikut, të cilit iu dhurua një program më ndryshe nga e zakonshmja. Ishte një program i këndshëm me vepra kryesisht nga epoka baroke dhe renesanse, përcjelljet e të cilave zakonisht luhen në piano, ndërkaq për këtë koncert janë përshtatur për klaviçembalo”, përfundon Pula.

Po ashtu, sopranoja Kaltrina Miftari për koncertin i cili ishte i paraparë të mbahet në muajin shtator por për çka është dëshiruar prezenca e publikut, tregoi përshtypjet e saj për KultPlus.

“Me pianisten Lirika Kasapolli, kemi një bashkëpunim shumë të mirë tash e disa vjet. Koncerti ishte tërësisht me vepra të kohës së renesancea; barok. Mendoj se përcjellja me çembalo e ka bërë edhe më të veçantë dhe autentik”, thotë Miftari.

Sipas saj, për koncerte të tilla ata mundohen që sa ma shpesh të sjellin tek publiku i Prishtinës, bashkë me kontratenorin Safet Berisha, i cili është konsideruar i profilizuar në këtë stil shume të ndjeshëm dhe të veçantë. 

“Muzika dhe arti në përgjithësi ka nevojë të shfaqet dhe të vlerësohet. Mendoj se edhe publiku është pjesë integrale e koncertit”, përfundon Miftari.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

Zanë Abazi dhe Melos Buza sjellin magjinë e sonatave për flaut dhe piano në ‘Dam Fest’

Zanë Abazi dhe Melos Buza sollën magjinë e tingujve të sonatave për flaut dhe piano në natën e dytë të festivalit ‘DAM’ që po mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, transmeton KultPlus.

Koncerti filloi me sonatat e kompozitorit francez, Francis Poulec ‘Allegretto malinconico’ , ‘Cantilena : Assez lent’ dhe ‘Presto giocoso’, të shoqëruara në vetëm dy instrumente, flautën dhe pianon.

Të pozicionuar në mes të sallës dyshja Abazi dhe Buza sollën melankolinë e vetë muzikës klasike përmes flautës dhe pianos.

Në programin e kësaj nate ishin edhe veprat e kompozitorëve të tjerë të njohur si Kazuo Fukushima dhe Sergei Prokofiez, e ndërkaq veçantia e kësaj mbrëmje ishte interpretimi i këngës ‘TAH-They are here’ e kompoziorit shqiptar Bardh Dubovci e që është fituesi i ‘çmimit të publikut’ në garën e 2-të të Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë 2021.

E për të shpjeguar programin e këtij recitali, për KultPlus ka folur flautistja, Zanë Abazi, e cila fillimisht falënderon organizatorët që ia mundësuan të jenë pjesë e këtij festivali, të cilin ajo e përshkruan si një kënaqësi të paparashikuesme.

 “Une i kam marrë dy sonata të cilat nuk janë muzikë kontemporane por janë të shkruajtura në shekullin 20-të dhe i kam marrë dy vepra që janë shkruajtur në vitin 1956 ‘Mei’ nga Fukushima dhe e cila është e tëra e shkruajtur në stilin kontemporan  si dhe vepra e fundit në të cilën kam lujtur është vepra e fituesit në garën e 2-të të Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, Bardh Dubovci e cila poashtu është e shkruajtur në stilin kontemporane.”- thotë Abazi  për programin që ata prezantuan në këtë mbrëmje.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë koncerte të artistëve nga vendi dhe Ballkani./KultPlus.com

Nata e parë e ‘DAM Fest’ sjell interpretimin klasik të veprave të njohura shqiptare

Flonja Haxhaj

Të mërkurën mbrëma, Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë në Prishtinë ishte e rezervuar për koncertin e sopranos, Zana Abazi – Ramadani dhe orkestrës kamerale ‘New Born’, të drejtuar nga dirigjenti Edon Ramadani që shënoi fillimin e edicionit të 16 të festivalit ‘DAM Fest’, shkruan KultPlus.

Në natën e parë të festivalit ndërkombëtar ‘DAM Fest’ , artistët sollën interpretimin klasik të veprave të njohura shqiptare.

Fikja e dritave në sallë, shënoi edhe fillimin e koncertit ku u soll në versionin e muzikës klasike kënga ‘Asaman’ e më pas ajo ‘O moj bukuroshe’. Interpretimi i këtyre këngëve nga sopranoja Zana Abazi – Ramadani përcolli një atmosferë të veçantë në sallë e që vazhdoi deri në fund të koncertit.

Sopranoja Abazi – Ramadani solli më pas një interpretim të pashoq të këngës ‘Mallëngjimi’ të autorit Rashid Krasniqi e që ngriti publikun në këmbë, e pas përfundimit duart u shoqërua me duartrokitje të panumërta.

Në programin e natës së parë të festivalit ‘DAM’ ishin edhe këngët si ‘E kujtoj atë takim’ e autores Panvera Badivuku, ‘Baresha’ e Rexho Mulliqit, ‘Vetë ke mbet’’ nga Gjergj Kaçinari, ‘O luce di quest’ e Gaetano Donizetti, ‘Adagio’ e kompozitorit spanjoll Joaquin Rodrigo, ‘Valsi i Lumturisë’ e kompozitorit Avni Mula, ‘Lamtumirë’ nga Muharrem Qena. Koncerti u përmbyll me këngën ‘Unë biri yt Kosovë’ e që në interpretimin e sopranos Abazi-Ramadani, solli emocion të madh në publik.

Organizatorja e këtij festivali, Rreze Kryeziu, ka folur për KultPlus për edicionin e sivjetmë të ‘DAM Fest’  i cili është shtyrë disa herë që nga muaji mars për shkak të masave anti-COVID. Ajo tregon se festivali ka dillua me ansamblin ‘Neë Born’ pasi vetë edicioni i 16 i këtij festivali u planifikua të jetë i tillë.

“Fokusi jonë për ediiconin  e 16-të është literatura ballkanike dhe jo vetëm, janë vetëkrijuesit, krijuesit  e rinj dhe performuesit e rinj nga bakllkani. Krahas promovimit, ne dëshirojmë që t’i arijmë shkëmbimet kulturore në rajon fillimisht. Çka na ka shtyrë që programi të jetë si i tillë është edhe vetë pandemia dhe vetë kjo situatë në të cilën edhe lëvizja është më lehtë e garantueshme e artistëve nëse ata vijnë nga rajoni.” – thotë më tutje Kryeziu duke folur për edicionin e 16 të këtij festivali.

Ndërkaq pas përfundimit të kësaj mbrëmje foli edhe sopranoja Zana Abazi – Ramadani, e cila foli më shumë reth përzgjedhjes së vprave që u interpretuan në natën hapëse të ‘DAM Fest’.

“Këto vepra erdhën sepse kemi mungesë shumë të veprave shqiptare që janë të njohura dhe mundohemi që sa më shumë që këto vepra t’i plasojmë edhe jashta vendit. Dua ta përgëzoj edhe Edon Ramadanin sepse ky ishte kryesori ai që i orkestori dhe aranzhoi të gjitha këto vepra shqiptare për këtë formacion të orkestrës’- tha Abazi – Ramadani për KultPlus.

Për përzgjedhjen e këngëve që u prezantuan në natën  e parë të festivait ‘DAM’ ka folur për KultPlus edhe dirigjenti Edon Ramadani i cili thotë se janë duke punuar që ta pasurojnë më shumë literaturën me orkestrime për muzikën klasike.

“Ne këngë dhe vepra kemi shumë, por nuk kemi shumë të aranzhuara dhe të lëna të shkruara që pastaj t’i interpretojmë, por po mundohemi që pak nga pak ta pasurojmë literaturën  e aranzhmaneve dhe orkestrimeve në këtë rast për këtë lloj formacioni dhe pse jo standard por sadopak po mundohemi që përmes programit që kemi zgjedhur  me orkestrën kamerale ‘New Born’, që ëstë kryesisht program shqiptar po mundohemi që të sjellim një frymë sadopak klasike”  thotë Ramadani.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë koncerte të artistëve nga vendi dhe Ballkani./KultPlus.com

Zanë Abazi dhe Melos Buza sonte në DAM Festival, prezantohen me recital

DAM Festival do të vazhdojë edicionin me një tjetër koncert, shkruan KultPlus.

Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë dhe Sportit sot në Prishtinë do ta mirëpres një recital ku do të paraqiten Zanë Abazi dhe Melos Buza.

Koncerti do të fillojë në ora 19:00 dhe njoftimi ka ardhur përmes një eventi të organizuar në “Facebook”.

Hyrja në këtë koncert do të jetë e lirë duke respektuar masat COVID-19./KultPlus.com

DAM Festival me “New Born” do të nisë edicionin e gjashtëmbëdhjetë

Prej 11 deri më 26 nëntor do të shpaloset edicioni i gjashtëmbëdhjetë i DAM Festival, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë njoftuar se ky edicion do të nisë me orkestrën kamertale “New Born”, koncert që do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

“Orkestra kamerale “New Born” do të hap këtë edicion me një program i cili kryesisht sjell disa prej kryeveprave të literaturës shqiptare. Me soliste Zana Abazi – Ramadanin (soprano) dhe në dirigjimin e Edon ramadanit, Orkestra kamerale “Neë Born” njëherësh do të ketë prezantimin debutues në Prishtinë pas koncerteve të suksesshme në Kroaci dhe Shqipëri”, thuhet nga organizatorët rreth kësaj mbrëmje.

Ndërkohë, bëhet e ditur se në ciklin e parë të serisë së koncerteve të këtij edicioni i cili do përmbyllet më 26 nëntor, me recital do prezantohet flautistja e re Zanë Abazi e shoqëruar nga pianisti Melos Buza (12.11.2021 / 19:00 / Salla e Kuqe) ndërsa mysafire e mbrëmjes së tretë është Orkestra kamerale “Gryphon” me dirigjent Angel Spiroski (13.11.2021 / 19:00 / Salla e Kuqe). Ky i fundit është fitues i çmimit të Filharmonisë së Kosovës në Garën e 1-rë të Kompozitorëve të Ballkanit 2019 – BCCP, e organizuar në Prishtinë. Edicionit të 16-të të DAM-it deri tani i kanë paraprirë programet “Zë DAM” – platformë e cila ka për qëllim mbështetjen e zërave të rinj lirik, Gara e 2-të e Kompozitorëve të Ballkanit – BCCP 2021 dhe Gala koncerti i organizuar me dy emra të dalluar të skenë botërore violinistit Fedor Rudin (Koncert-mjeshtër i Filharmonisë së Vjenës 2019-2021) dhe pianistit Boris Kusnezow.

Hyrja në koncerte është  lirë derisa të gjithë të interesuarit obligohen të kenë me vete certifikatën e vaksinimit kundër COVID-19 ose një test PRC jo më të vjetër së 72 orë./ KultPlus.com

Gara e dytë e Kompozitorëve të Ballkanit vjen në Prishtinë

Gara e dytë e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (Balkan Composers Competition in Prishtina) do të mbahet prej 6 deri më 10 shtator 2021, transmeton KultPlus.

E themeluar më 2018 si platformë për promovimin e muzikës së kompozitorëve të Ballkanit, BCCP vjen si rezultat i bashkëpunimit të DAM Fest (Kosovë) dhe kolektivit “Oerknal” (Holandë). Ndryshe prej paralajmërimit, gara bienale, nga formati hibrid do të mbahet tërësisht në formatin “online” dhe pas modifikimeve të fundit jemi të lumtur ta prezantojmë programin e edicionit të dytë. Përveç garës e cila nga 6 finalistë do të nxjerrë fituesin e çmimit kryesor “Rrëqebulli i Argjendtë”, BCCP ka edhe programin artistik i cili këtë vit sjell katër koncerte, radio-performancë / DJ set dhe DAMcademy (Shkolla për Muzikën e Re).

Seria e ngjarjeve “online” do të nis me transmetimin e koncertit të flautistes Susanne Peters, respektivisht finalen e garës ku do të interpretohet 6 vepra të 6 kompozitorëve finalistë, garues për çmimin “Rrëqebulli i Argjendtë”. Sivjet gara ka qenë e hapur për kompozitorë të lindur pas 1 janarit të vitit 2003 dhe u është kërkuar të shkruajnë një vepër për solo-flaut prej 3 deri në 5 minuta. Të drejtë konkurrimi kanë pasur kompozitorë nga 12 shtete të Ballkanit: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia.

Finalistët e edicionit të dytë janë: Arda Bayram (Turqi), Bardh Dubovci (Kosovë), David Mastikosa (Bosnjë-Hercegovinë), Deniz Aslan (Turqi), Petra Strahovnik (Slloveni) dhe Tomislav Oliver (Kroaci). Fituesi i garës do të bëhet i ditur më 10 shtator 2021. Po ashtu jemi jashtëzakonisht të lumtur që garës i janë bashkuar tre emra eminentë të muzikës bashkëkohore: kompozitori holandez Klaas de Vries (Kryetar i jurisë), flautistja amerikano-gjermane Helen Bledsoe dhe kompozitori iranian Ashkan Behzadi i cili jeton e vepron në Kanada. Përveç çmimit kryesor, “Rrëqebulli i Argjendtë”, i cili shpërblehet me 500 euro dhe një vepër të re të komisionuar për DAM Fest 2023, do të ndahet edhe çmimi i publikut i cili përcaktohet me votën “online” dhe i cili përfshin vepër të komisionuar për programin e BCCP 2023 (Gara e 3-të e Kompozitorëve të Ballkanit). Për të votuar për konkurrentin e preferuar, publiku duhet të votojë në e-mailin [email protected] me emrin e konkurrentit të preferuar.

Gara e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP), është konkurs / rezidencë për kompozitorë. Është themeluar në vitin 2018 nga Dardan Selimaj – themelues dhe drejtor artistik i Festivalit DAM – dhe Rreze Kryeziu-Breznica – drejtoreshë e përgjithshme e Festivalit DAM – me qëllim të krijimit të një programi për kompozitorë nga vendet e Ballkanit të cilët mund të punojnë me instrumentistë e ansambël të klasit botëror për muzikë bashkëkohore. Udhëhequr nga dirigjenti amerikan dhe kompozitori Gregory Charette, ky program u mundëson kompozitorëve të zgjedhur që të punojnë drejtpërdrejt me anëtarët e ansamblit “Oerknal”.

Gara e 2-të e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë është mbështetur nga: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Fondi Holandez i Arteve Performuese dhe KOHA ndërsa është përkrahur edhe nga partnerët e garës: Fakulteti i Arteve – Departamenti i Artit Muzikor (Universiteti i Prishtinës), “Paper Gallery”, “Paper Radio”, “Lumbardhi” dhe “Kino Armata”. / KultPlus.com

Linda Rukaj performon sonte në Dam Festival

Zëri i mrekullueshëm i Linda Rukaj dhe tingujt që do të dalin nga kontrabasi, kitara, piano dhe kalimba do të shfaqen para publikut sonte në koncertin e Dam Festival, në KinoArmata duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Në mesin e shumë artistëve të cilët janë duke i falur çaste të paharrueshme dëgjuesve në edicionin e 15-të të Festivalit Dam është edhe këngëtarja, kompozitorja dhe multi-instrumentistja Linda Rukaj.

Nga kontrabasistja e parë femër e jazz-it në Shqipëri, publiku prishtinas do të ketë rastin të dëgjoj repertorin e larmishëm, duke pasur ndërthurje të muzikës jazz, pop, folk dhe këngë franceze.

Rrugëtimin e saj muzikor Rukaj e ka nisur në moshën 6 vjeçare, për t’u bërë një artiste që ka shkelur skenat muzikore të Parisit dhe më gjerë duke përfshirë “Balkan Trafic”, “Les printemps sonores”, “Festival des Balkans”, “Jazz Club Etoile”, “La Seine Musicale”, “Zénith d’Orléans”, TEDx Tirana, Festivali Kombëtar i Radio Televizionit Shqiptar./KultPlus.com

.

Dardan Noka Selimaj: Gjenerata dhe fryma e re gjithmonë është shpëtimi i këtij vendi, edhe në kulturë

Dardan Noka Selimaj, themelues dhe drejtor artistik i Festivali DAM, në një intervistë për KultPlus, në prag të edicionit të katërmbëdhjetë ka biseduar për programin e veçantë që kanë këtë vit, për vështirësitë që kanë kaluar dhe për lajmin e mirë që kanë marrë. Festivali DAM edhe këtë vit vazhdon rrugëtimin e tij duke sjellë një program të pasur për gjashtë ditë dhe net.

Alberina Haxhijaj

KultPlus: Kanë mbetur edhe disa ditë deri në edicionin e radhës të Festival DAM, çfarë mund të presim nga ky edicion?

Dardan Noka Selimaj: Ky edicion do jetë i ngjeshur me ligjërata, punëtori, koncerte dhe Garën e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë që sivjet shënon edicionin e parë dhe mendojmë ta organizojmë çdo dy vjet. Në këtë garë çmimi kryesor është “Rreqebulli i Argjendte” i punuar nga Leke Berisha. Ky do jetë simboli i garës dhe gjithmonë do të punohet nga artizanët e Kosovës. Kjo për të promovuar filigranin por edhe Rreqebullin si specie në zhdukje e që përveç tjerash jeton edhe në një pjesë të territorit të Kosovës.  Qëllim është krijimi i një programi bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga 6 vende të Ballkanit perëndimor dhe krijimi i marrëdhënieve substanciale midis tyre dhe institucioneve muzikore në Ballkan dhe Evropë.

Rrugëtimit të 14-të të festivalit i janë bashkangjitur ansambli Oerknal, formacion lider në promovimin e muzikës bashkëkohore, solistë e orkestra prestigjioze Evropiane Olivier Doise, Eric Lacrouts, Laurent Verney dhe Vlorent Xhafaj, pianisti Romain Nosbaum, Zala Kravos e konsideruar një yll në ngritje dhe ndër talentet e rrallë të momentit, artistja e Steinway-it Olga Zado, dirigjenti polak Szymon Makowski dhe Quartteto di Cremona, ansambli më i mirë i gjeneratës së tyre që nga themelimi (2000). Padyshim që në këto 6 ditë e net të festivalit vazhdojmë me promovimin dhe paraqitjen për herë të parë të artistëve të rinj vendor, ndër ta edhe ansambli tashmë i konsoliduar sFOURzando të cilët po rriten artistikisht duke parakaluar nëpër edicione të ndryshme të festivalit. Në skenën e dytë të festivalit do shëtisim nëpër gamë të gjerë stilesh muzikore nga ajo folklorike e deri tek ritmet e muzikës elektronike përmes performancave të Nezafete Shalës, grupit zviceran Die Die Be, dyshes Rene van Munster dhe CS, Oda Halitit e jo vetëm.

Ky edicion do të jetë një edicion me shumë vepra premierë, madje edhe premiera botërore. Instrumentistët pjesëmarrës janë përzgjedhur me kujdes dhe jemi shumë të lumtur që çdo mbrëmje do kemi mundësinë të dëgjojmë interpretime absolutisht të nivelit botëror.

KultPlus: Secili edicion që kemi lënë pas ka pasur vulën e tij, me cilën do të karakterizohet ky vit?

Dardan Noka Selimaj: Ky edicion fokus ka Ballkanin. Kjo edhe për faktin se pjesë të tij e kemi bërë Garën Ballkanike. Anda Kryeziu, Damjan Jovicin, Angel Spiroski, Nemanja Radivojevic dhe Ylli Daklani janë finalistët e konkursit në të cilin kemi pranuar një numër të konsiderueshëm aplikimesh dhe jemi të lumtur që në finale kemi pesë kompozitorë që absolutisht do jenë befasi për dëgjuesin dhe publikun kosovar. Në përgjithësi edhe jashtë garës kemi programuar vepra të kompozitorëve të Ballkanit, rajon nga i cili ende është vështirë të depërtohet.

KultPlus: DAM Festival në nisje të edicionit të 14-të ka fituar edhe etiketën EFFE Label si festival i dalluar i arteve për cilësi. Çfarë nënkupton kjo për festivalin?

Dardan Noka Selimaj: Kjo vulë iu jepet festivaleve pas vlerësimit të bërë nga ekspert ndërkombëtar në botën e festivaleve. Për tu kualifikuar për etiketën EFFE, një festival duhet të përmbush së paku 7 nga 10 standarde të cilësisë. Festivali DAM ndër vite ka prezantuar konsistencë në programin artistik, ka mbështetur zhvillimin artistik të shumë muzikantëve dhe artistëve përmes rezidencave të organizuara, ka mbështetur ide të reja kreative dhe eksperimentale dhe projekte kërkimore artistike. Me aktivitetin e tij festivali është vlerësuar për kontributin në rrafshin lokal e njëkohësisht ka shërbyer si platformë për rrjetëzim me organizata dhe festivale në Evropë. Pavarësisht vështirësive ka arritur të shpërfaq konsistencë dhe stabilitet në zhvillimin e aktiviteteve dhe ka qenë i përfshirë në mbështetjen e kauzave nga të drejtat e njeriut deri te integrimi i grupeve të margjinalizuara në jetën kulturore të vendit, dhe jo më pak e rëndësishme, shtyllë qendrore ka pasur dhe vazhdon ta ketë programin edukativ me organizimin e akademive verore, programeve artistike rezidente, punëtorive që e bëjnë një prej vlerave të çmueshme për komunitetin e muzikantëve dhe jo vetëm.

KultPlus: Kanë kaluar katërmbëdhjetë vite që kur u mbajt edicioni i parë, sa ka qenë i vështirë ky rrugëtim?

Dardan Noka Selimaj: Ka pasur batica dhe zbatica. Më pëlqen se këtë vit po e ndjejë më shumë se asnjëherë në pesë vitet e fundit energjinë e një gjenerate të re të muzikantëve në Kosovë të cilët janë duke punuar fort për paraqitjen e tyre. Më kujtohet elani dhe entuziazmi i fillimeve të festivalit, prandaj jam shumë optimist. Ndoshta mund të jem nostalgjik mirëpo jo, e besoj se jam objektiv. Gjenerata dhe fryma e re gjithmonë është shpëtimi i këtij vendi, edhe në kulturë. Më vjen keq që nuk ka ndryshuar shumë çka sa i përket ambienteve ku e zhvillojmë aktivitetin, ndonëse kjo shpesh herë mund të shërbejë për gjetje të reja megjithatë është koha që të mendohet më seriozisht për sallën e re por edhe renovimin e hapësirave ekzistuese.

KultPlus: Çdo vit arrini që të sjellni një program të pasur me muzikant vendor por edhe ndërkombëtarë. Çfarë ju shtyn që të vazhdoni edhe me tutje?

Dardan Noka Selimaj: Ndoshta vështirësitë me të cilat ballafaqohemi… rruga sfiduese për të krijuar diçka. Po të ishte e kollajshme ndoshta nuk të merreshim me këtë punë. Shpesh na pyesin pse e vazhdoni? Përgjigja është e thjeshtë kur shohim prapa ndikimin që ka pasur dhe vazhdon të ketë tek skena e kulturës në vend e sidomos kur për punën tonë dëgjojmë nga muzikantë e organizator festivalesh nga SHBA – ja deri në Japoni, konsiderojmë se po bëjmë diçka të mirë. Nëse puna që bëjmë ne por edhe shumë festivale të tjera është shtysë se duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë vendin e një vend që beson në demokraci medoemos duhet të besoj në kulturën dhe ta mbështes atë. Nëse nuk do të ekzistonin festivalet dhe ngjarjet kulturore, salla e koncerteve nuk do ishte temë.

KultPlus: Festivalet janë një pasuri kulturore e Kosovës. Ku zë vend DAM-i dhe sa është i rëndësishëm ky festival për Kosovën? Po, për institucionet?

Dardan Noka Selimaj: Festivalet natyrisht e plotësojnë madje edhe janë bartëset kryesore të mozaikut kulturor të Kosovës. Për institucionet besoj se është i rëndësishëm por nuk është mjaftueshëm, duhet mbështetur ende më shumë. Potenciali i festivaleve mund të shfrytëzohet më shumë sidomos për një vend në zhvillim si Kosova.

KultPlus: Jemi mësuar që të DAM-i të na befasojë me përzgjedhjen e lokacioneve të cilat mbrapa vetës shpesh herë kanë bartur edhe një mesazh. Përmes festivalit keni theksuar edhe nevojën e Prishtinës për të pasur një sallë koncertale e cila akoma mungon. Në mungesë të saj, sivjet në çfarë hapësira do të mbahet Festivali DAM?

Dardan Noka Selimaj: Këtë vit ngjarjet do zhvillohen në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe disa të tjera në MENZA Ramiz Sadiku dhe Fondacioni 17. Jemi kthyer tek Salla e Kuqe, por ama instalacioni që do shërbejë edhe si skenografia e skenës kryesore të festivalit e punuar nga Vesa Gashi do jetë impresive. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën dhe kreativitetin e Vesës. Ndoshta është hera e parë që nuk kemi ndërhy në asnjë pikë. E falënderojë jashtëzakonisht për përkushtimin dhe ndihmën që i ka dhënë festivalit./KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës interpretoi në këmbë, një pjesë e publikut iu bashkua atyre (FOTO)

Gili Hoxhaj

Edicioni i 13-të i Festivalit DAM po vazhdon t’i shërbejë plot tinguj e befasi publikut të Prishtinës. Në mbrëmjen e katërt të këtij festivali, publiku ishte mbledhur tek Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë për të dëgjuar koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, pranë të cilëve për të tretën herë erdhi dirigjenti amerikan Gregory Charette.

Rrugëtimi i mbrëmshëm muzikor u hap me veprën e kompozitorit nga Prishtina, Blond Krasniqi. Orkestra e Filharmonisë me dirigjentin amerikan arritën ta zbërthejnë këtë vepër e cila do të mirëpritej me duartrokitje prej publikut. Koncerti do të kulmonte me interpretimin e Lisa Sahatçiut. Orkestra po mirëpriste një nga solistet më të reja në moshë, e vet ardhja e saj në skenë e përcjellë me buzëqeshje ngjalli duartrokitjet e publikut. Në çdo zbërthim të veprës, sa herë që duart e saj preknin tastet e pianos dëshmonin se Lisa Sahatçiu ishte një emër premtues ani pse numëronte vetëm 13 vite jetë. Ndonjëherë të dy duart e saj përplaseshin njëherazi sa në njërën anë, sa në tjetrën anë të pianos duke ngjallur një magji tingujsh. Lisa Sahatçiu rrëmbeu duartrokitjet më të forta të mbrëmjes. Për ta sjellë para publikut veprën e Camille Saint, ajo tha se i janë dashur gati shtatë muaj përgatitje. Ajo tha se vepra që interpretoi mbrëmë është një nga veprat më të vështira që ajo ka luajtur deri më tani por kjo e inspiron që edhe më tutje ta sfidoj vetën në vepra të tjera.

“Këtë vepër kam filluar ta praktikoj që nga muaji i shtatorit, këtë vepër e kam zgjedhur së bashku me mësuesen time dhe ka qenë një sfidë e madhe për ta zgjedhur e në të njëjtën kohë edhe për ta praktikuar. U ndjeva mjaft mirë pasi që dhe publiku ishte mjaft i madh dhe kjo ishte hera ime e parë që po interpretoja me Filharmoninë e Kosovës”, tregoi Sahatçiu për KultPlus.

Për dirigjentin amerikan Gregory Charette interpretimi i saj ishte fantastik përkundër moshës që ajo ka. Ai tha për KultPlus se pianisten e re, e pret një e ardhme shumë e ndritur.

Menjëherë pas saj në skenë erdhi flautistja Eklejda Zajmi – Gorani. Ajo do të qëndronte për jo pak kohë para publikut ku do të interpretonte “Koncert për flaut dhe orkestër, Op.39” të Lowell Libermann. Rrethuar nga tingujt e orkestrës, tingujt në sallë shpesh do të përqendroheshin tek tingulli i flautës. Flautistja Zajmi- Gorani tregoi se nata e mbrëmshme i ka falur një eksperiencë të mrekullueshme ndërkohë që tregoi për KultPlus, se ajo numëron gati një vit pritje për ta luajtur këtë vepër.

“Është një vepër që më ka dhënë impresionon, vepër kontoperane, ka shumë kërkesa për instrumentin e flautit por për mua ka qenë shumë sfiduese dhe më ka pëlqyer se si kompozitori Libermann e ka trajtuar orkestrën, solistin dhe vendosjen e tingujve në flaut”, u shpreh ajo.

Përkundër dy interpretimeve të mahnitshme, pas një pushimi të shkurtër Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të kthehej por jo në pozicionet e zakonshme. Ata do të qëndrojnë në këmbë për të dhënë gjysmë orë interpretim të një prej veprave më të njohura të Terry Riley. Vepra “In C”, e punuar për ansambël të madh daton që nga viti 1964 dhe e ka dominuar muzikën moderne për shumë vite. Vet vepra si e tillë bëri që Orkestra e Filharmonisë për gjysmë ore të sjellë një lojë plot gjallëri për publikun, një pjesë e të cilëve do t’u bashkohej atyre. Derisa të gjithë interpretonin në instrumentet e tyre, ata lëviznin nga një pjesë, në pjesën tjetër të sallës të rrethuar nga publiku në katër anët.
Përveç kësaj, ata do të shkëmbenin instrumentet në mes vete e në disa raste edhe me pjesëtarët e audiencës duke i bërë publikun pjesë të interpretimit. Dirigjenti Charette përsëri do të ndodhej përballë orkestrës por tanimë në piano, aty ku do t’u bashkoheshin edhe fëmijë që kishin ardhur në koncert. Ai tregoi për KultPlus se për herë të parë ishte takuar me publikun prishtinas me anë të këtij festivali dhe kjo e bën të ndihet si të kthehet në shtëpi.

“Çdo herë që unë vij, ne me orkestrën planifikojmë një koncert të tillë. Java e kaluar ishte shumë e stresuar pasi që vepra është e tillë që kërkon shumë improvizime dhe nuk ka dirigjent pasi që unë luaj në piano dhe në fund mund të them se jam i kënaqur me këtë performancë, jo vetëm me interpretimin por edhe me mënyrën e reagimit të publikut pasi që disa nga pjesëmarrësit na u bashkuan, ne themi se kjo nënkupton “ne i thyem muret”, kështu që ne i thyem muret sonte” u shpreh dirigjenti Charette.

Festivali ndërkombëtar DAM sonte do të sjellë koncertin e radhës “Klubi 90” i cili fillon nga ora 18:30 ku do të interpretojnë solistë të rinj për të vazhduar në ora 20:00 me koncertin “Upriver”, ku do të interpretoi Armel Dupas nga Franca. Të dy koncertet mbahen ne Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

DAM Festival nga Kosova dhe West Coast Symphony nga Kanadaja, hapin garën për violistët e rinj

Festivali DAM në bashkëpunim me “West Coast Symphony Orchestra” (Vankuver, Kanada), në nderim të 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka kënaqësinë të shpallë të hapur edicionin e parë të garës “10 minuta në instrument solo 2018”, që do të mbahet më 28 dhe 29 mars 2018 në Prishtinë (Republika e Kosovës) si pjesë e turneut ballkanik të “West Coast Symphony Orchestra”.

Gara është e hapur për violistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët janë 26-vjeçar dhe më të rinj, deri në datën e mbajtjes së audicionit. Gara ka vetëm një çmim dhe përfshin një violë të vlefshme, të dhuruar nga “West Coast Symphony Orchestra”, dhe një çmim, i cili ndahet nga Festivali DAM dhe i cili do të lajmërohet së shpejti.

Juria e garës përbëhet nga: Paul McEwen – President i WCSO (Kanada), Barbara Irschick – violiste (Kanada), Bruce Irschick – violist (Kanada), Mark Jackson – violist (Kanada)./KultPlus.com