Sot, me ftesë të shtetit të Izraelit, është duke u zhvilluar një aktivitet shahu mes lojtarëve të Kosovës dhe Izraelit. Kjo ngjarje u organizua në Ditën e Jeruzalemit si shenjë miqësie mes dy shteteve, përcjell KultPlus.
Në hapje mbajtën fjalim zëvendësministrja Daulina Osmani, ambasadorja Ines Demiri dhe ambasadori Dan Oryan.
Osmani gjatë këtij aktiviteti tha se të dyja vendet po festojnë së bashku Ditën e Jeruzalemit, njërit prej qyteteve më të vjetra në botë dhe me një nga sportet më të vjetra.
Tutje ajo ka shtuar se njëlloj sikurse shahu edhe miqësia dhe respekti ndërmjet dy popujve i ka rezistuar kohës.
Më poshtë mund të lexoni fjalimin e plotë të zëvëndësministres:
“Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju falënderoj për ftesën tuaj. Jemi të nderuar që aktiviteti i Shahut për Solidaritet këtë vit po zhvillohet midis dy shteteve tona. Sot ne po festojmë së bashku Ditën e Jeruzalemit, një nga qytetet më të vjetra në botë me një nga sportet më të vjetra.
Si zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe si sportiste, e vlerësoj rëndësinë e shahut si sport dhe po ashtu si art. Sport mbi një mijë vjet i vjetër, është një nga aktivitetet më stimuluese për mendjen e njeriut. Kërkon aftësi të jashtëzakonshme të të menduarit, përqendrimit dhe durimit.
Gjithashtu vlerësoj domethënien simbolike të ngjarjes së sotme sepse ne e dimë që sporti është një nga mënyrat më të mira për të bashkuar dy vende. Ashtu si shahu, miqësia dhe respekti midis popujve tanë i ka rezistuar kohës.
I uroj të gjithë lojtarëve fat të mirë. Le të fitojnë më të mirët. Faleminderit./ KultPlus.com