Pas shumë sukseseve në Kosovë, korit “Okarina” po i shtohet edhe “DanceTheater”, risi e veçantë për fëmijët  

Era Berisha

Kryeqytetit të Kosovës po i shtohet edhe një aktivitet tjetër i veçantë dhe krejtësisht ndryshe nga formatet e zakonshme. Bëhet fjalë për “DanceTheater Okarina”, që së bashku me Korin e fëmijëve “Okarina”, do të realizojnë shfaqje muzikore skenike “Musical”, shkruan KultPlus. 

“DanceTheater” është formë e vallëzimit bashkëkohor, ku gërshetohen elementet skenike nga baleti dhe teatri dhe aty ku gjuha trupore shpreh gjithë dramaturgjinë e një shfaqje muzikore skenike. 

Nën drejtimin e solo këngëtares Elikona Hysaj-Shala dhe balerinit Kreshnik Musolli, shfaqja do të gjejë jetësimin e saj shumë shpejt. Ndërkaq, në një prononcim për KultPlus, Elikona ka njoftuar se ideja e themelimit të një formati të tillë ka ardhur si pasojë e gjithë kërkesës që vjen nga vokali, nga mungesa e shfaqjeve muzikore për fëmijë si dhe nga gjithë dashuria e saj për teatrin. 

Kreshnik Musolli

Sipas saj, një muzikant duhet të jetë patjetër i formuar në shumë sfera që përfshijnë artin brenda. Në këtë rast, ajo ndodh duke përfshirë vallëzimin dhe teatrin. Pra, nuk mund të jesh një këngëtar duke pasur njohuri vetëm mbi vokalin, por duhet njohur ritmi, vallëzimi dhe të gjitha elementet që e përbëjnë skenën. 

“Bashkëpunimi me Kreshnik Musollin erdhi në një moment të duhur, pas një pune të madhe të tij në profesionin e regjisorit, i cili tashmë veç ka dëshmuar në skenë. Shfaqjet e tij e lidhin koreografinë me regjinë në një mënyrë shumë të mirë, si dy dimensione të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Sigurisht që ai e di se për të përcjell një emocion, duhet të njihet regjia, dhe duke iu qasur edhe një analize të thellë të veprave që paraqiten në skenë, dëshira ime ka qenë e kamotshme që të filloj të punoj një formë të tillë skenike, por me të vërtetë kam pritur gjatë derisa kam vendosur që të bëj një bashkëpunim të tillë, si dy pedagog të përkushtuar profesionalisht. Dashuria për këtë profesion shkon e rritet pasi që i sheh momentet për të cilat fëmijët kanë nevojë”, thotë Hysaj-Shala. 

Elikona Hysaj-Shala

Ky aktivitet duhet të merret si referencë për një punë të begatshme që i ofron fëmijëve diçka që se kanë përjetuar më parë. Dhe konsiderohet se, për të ndërtuar një version të tillë, duhet një kohë e gjatë për t’i plotësuar boshllëqet e shumta, në mënyrë që shfaqja të ketë jetëgjatësinë e duhur. Dhe sipas Hysaj-Shalës, gjithmonë duhet të pretendohet që ti epet jetë këtij aktiviteti i cili po mirëpritet si ide e bukur në kryeqytet. Sipas saj, kjo nuk duhet të mbetet vetëm një projekt, por duhet me ngulm që të kërkohet që këto projekte të kalojnë në shfaqje sezonale, të cilat duhet të reprizohen, të jepen para fëmijëve.  

“Baleti dhe drama e kërkojnë një kohë përgatitjesh teknike, dhe njohuri pak më të thellë të kësaj fryme. Kanë mbetur vetëm tri muaj deri tek realizmi i koncertit të fundvitit sezonal që gjithmonë përgatitet nga Kori i fëmijëve Okarina, dhe kësaj here do të shfrytëzohet që brenda koncertit, të paraqiten dy numra koreografish, që do të shpalosen brenda karakterit të koncertit, pra brenda veprave që përpilohen për këtë koncert. Ky do të jetë pikëtakimi ynë në skenë ku për herë të parë do të shfaqet puna e “DanceTheater Okarina” në një program artistik të përgatitur nga Kori dhe kjo ndërthurje e këtyre dy fushave, do të jetë një befasi për publikun sepse edhe vetë Kori do të ketë shtesë leksionesh, lëvizjesh trupore”, shpalos Hysaj-Shala. 

Kori Okarina

Fëmijët të cilët do të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”, do të jenë nga mosha 4 deri më 18 vjeç, natyrisht duke i ndarë në grup mosha. Ndërsa, një pjesë e fëmijëve nga Kori, ata që me të vërtetë kanë talent për lëvizje trupore, dhe që plotësojnë disiplinën e baletit, do të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”. 

Studioja është e hapur edhe për fëmijë të tjerë të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këndimit të Korit por duan të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”, asisoj që të plotësojnë njëri-tjetrin në skenë. Andaj, në rast se fëmija juaj ka talent dhe dashuri për vallëzimin, baletin, teatrin dhe muzikën, atëherë qendra “Okarina” plotëson ëndrrën e fëmijës tuaj për të qenë pjesë e shfaqjeve muzikore skenike. 

“Padyshim që “DanceTheater” është një format ndryshe, një risi për kryeqytetin. Është diçka që se kemi parë më parë. Jemi mësuar të shohim Korin në skenë duke mos vallëzuar, por që koristët të vallëzojnë e të jenë pjesë e koreografisë, kjo veç tregon që fëmija duhet të plotësohet artistikisht me kalimin e kohës, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm për skenat vendore dhe ndërkombëtare”, tregon Hysaj-Shala. 

Ajo thotë se kjo risi është për t’u mirëpritur dhe për t’u mbështetur institucionalisht, sepse një “Musical” nuk është diçka që ndodh tek ne. Por, është i nevojshëm për publikun kosovar, dhe është i nevojshëm për t’u parë e dëgjuar nga fëmijët.  

Kori Okarina

Po ashtu, ekziston edhe ideja që të krijohet një “Musical” televiz, përpos atij teatral, në mënyrë që të arrihet e të shfaqet ky aktivitet edhe më gjerë.  

“Sigurisht që në të ardhmen do ketë aktivitete nga më të ndryshmet, që i përkasin formatit të tillë. Me kalimin e kohës, do shtohen aktivitete shtesë, duke e plotësuar formën e “Musical” në skenë, pra me shtimin e aktrimit. Qëllimi është që fëmijët të mos duan ta ndalin vetën me një projekt por të vazhdojnë tutje e të tregojnë më shumë sesa që kanë treguar në një shfaqje që e kanë lënë pas. Për mua, çdo herë kjo dashuri shkon e shtohet, për të vazhduar e krijuar ide të reja, koncepte të reja, tema të ndryshme, të cilat neve na preokupojnë përgjatë ditës dhe të cilat dëshirojmë t’i fusim në skenë e t’i shtjellojmë. Prioritet është kultura dhe mbajtja gjallë e saj, në vend. Në këtë formë, fëmijët do të ndjehen më të pasur shpirtërisht e do të ndjehen të arrirë, me kujtime që nuk do të mund t’i shlyejnë për gjithë jetën”, përfundon Hysaj-Shala. 

Regjistrimi i femijeve ka nisur nga data 26 Shtator dhe do të përfundojë më 7 Tetor. Qendra “Okarina” gjendet në afërsi të shkollës fillore “Elena Gjika”. / KultPlus.com

Shfaqja e llojit ‘Dance Theater’ nën autorësinë e Robert Nuhës, me premierë në TKK

Shfaqja e parë për vitin 2021 e llojit ‘Dance Theater’ me titull ‘Totem dhe Tabu’, nën autorësinë dhe koreografinë e Robert Nuhës si dhe me dramaturgji të Zana Hoxhës, do të vij me premierë më 18 maj në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Trupa artistike e Artpolisit ka filluar provat për premierën e kësaj shfaqje qysh nga 29 marsi. Kurse kjo shfaqje që shfaqje që kombinon gjuhën e trupit dhe të folurës, që plotësojnë njëra-tjetrën, tenton t’i jap më shumë hapësirë imagjinatës së audiencës për të parë e perceptuar diçka më ndryshe në skenën teatrore të Kosovës.

Shfaqja ngreh pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, traumat, ndikimin e teknologjisë dhe Covidit, hipokrizinë por pa ardhur në konkludime, me synimin që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe gjuhë abstrakte të konkretizuar herë-herë me fjalë, si element tjetër i rëndësishëm./ KultPlus.com