Shqipëria është shpallur fituese e çmimit të madh “Andersen”, që jepet çdo vit nga Komiteti “Andersen” në Danimarkë.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti teksa shkroi në rrjete sociale se “është kënaqësi të ndash jo vetëm me dashamirësit e letërsisë, lajmin e mirë se për herë të parë, Shqipëria është shpallur fituese e Çmimit të madh “Andersen”, që jepet çdo vit nga Komiteti “Andersen” në Danimarkë”.
Një çmim i merituar nga Klodian Briçi, përkthyes i mbi 40 veprave të rëndësishme nga letërsia e botërore në gjuhën shqip, për përkthimin “Përrallat e Andersenit” (101 përralla).
“Tashmë edhe Shqipëria është në hartën e përkthimeve më të mira të Andersenit”, tha Margariti./ atsh / KultPlus.com
Siguria ka kohë të gjatë që paraqitet si një prej shqetësimeve kryesore të turistëve, kur bëhet fjalë se cili destinacion të vizitohet.
Mirëpo, për shkak të pandemisë me koronavirus, çështjet që e bëjnë një qytet të sigurt kanë ndryshuar tashmë.
Kjo mund të ndihmojë që të sqarohet ndryshimi që ka ndodhur në rangimin e qyteteve më të sigurta në botë, nga Indeksi i Qyteteve të Sigurta të Njësisë Ekonomiste tw Inteligjencës.
Rangimi këtë vit është bërë duke u bazuar në disa faktorë si: siguria digjitale, siguria shëndetësore, infrastruktura, siguria personale, dhe siguria mjedisore si kategori e re këtë vit.
Derisa shtetet aziatike si Tokio, Singapori dhe Osaka kanë zënë pozitat kryesore vit pas viti, për vitin 2021 numrin një në rangim e mban një kryeqytet evropian.
Bëhet fjalë për Kopenhagën, qytet ky i cili është emëruar për herë të parë “Qyteti më i sigurt në botë”, duke marrë 82,4 pikë nga gjithsej 100 në raportin vjetor.
Kryeqyteti danez ka lëvizur nga pozita e nëntë që ishte në vitin 2019, në krye të listës për vitin 2021, falë paraqitjes së një seksioni të sigurisë mjedisore, aspekt ky në të cilin qyteti është vlerësuar mirë, bashkë më sigurinë personale.
“Njëri prej faktorëve që e bëjnë Kopenhagën një qytet kaq të sigurt është shkalla e ulët e krimit, që siç thuhet në raport, është në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë”, ka deklaruar Lars Weiss, kryetar bashkie në Kopenhagë.
Vendin e dytë në rangim e ka qyteti i Kanadasë, Toronto, me 82,2 pikë, ndërkaq Singapori është radhitur i treti me 80,7 pikë.
Ndërkohë, edhe pse Sidnei është radhitur i katërti me 80,1 pikë, ky qytet australian është vlerësuar më së shumti në kategorinë e sigurisë digjitale.
Kryeqyteti japonez Tokio është renditur i pesti me 80 pikë.
Kryeqyteti i Holandës, Amsterdami është ranguar i gjashti me 79,3 pikë, Wellingtoni i Zelandës së Re i shtati me 79 pikë, Hong Kongi dhe Melbourni janë radhitur të tetat, secila me nga 78.6 pikë, ndërkaq kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi ka mbetur në pozitën e 10-të, me 78 pikë.
New Yorku është qyteti më i vlerësuar nga SHBA-ja në këtë rangim, duke u radhitur i 11-ti, ndërkohë që me të njëjta pikë është vlerësuar edhe Barcelona e Spanjës.
Washingtoni ka mbetur në pozitën e 14-të, ndërkaq Londra dhe San Francisko në pozitën e 15-të të dyja, për shkak të pikëve të njëjta në vlerësim. / KultPlus.com