Festivali i filmit me metrazh të shkurtër dhe dokumentar “Dardan Fest”, ngriti siparin edicionit të tretë mbrëmë te Piramida e Tiranës.
Në një kohë kur shoqëria është në një zhvillim të pandalur, “Dardan Fest” përzgjodhi që këtë vit projeksionet filmike të krijoheshin duke pasur në fokokus temën “Urbanizimi, zhvillimi dhe Qytetërimi”, për të reflektuar problemet dhe ndryshimet e njëpasnjëshme që pasojnë jetën e përditshme.
Mbi 750 aplikime nga e gjithë bota, dhe vetëm 15 prodhime janë selektuar për t’ju shpalosur publikut gjatë 4 netëve të festivalit, ku një hapësirë dhe mbështetje u jepet studenteve që aspirojnë të jenë kineastët e ardhshëm.
“Dardan Fest” do të mbahet deri më 3 Nëntor, ku do të përzgjidhen edhe tre produksionet filmike më të mira./tvklan/ KultPlus.com
Nisi në Tiranë edicioni i 3-të i “DarDan Fest”. Në një mbrëmje mikpritëse tek Piramida e Tiranës, nisi maratona 4-ditore, ku do të shfaqen një shumëllojshmëri dokumentarësh dhe filmash me metrazh të shkurtër.
Paraqitja dhe përfshirja e veprave kinematografike me një karakter artistik dhe dokumentaresk reflekton problemet e ndryshme të jetës së përditshme. Temat kryesore që e bëjnë këtë festival unik janë: Urbanizimi, Zhvillimi dhe Qytetërimi.
Edicioni i tretë i këtij festivali do të jetë një mundësi promovimi për studentët dhe autorët profesionistë të cilët, siç thanë organizatorët, kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm. Mbi 750 materiale filmike kanë mbërritur nga anembanë botës dhe po ashtu, të shumta në numër e tematika, kanë qenë edhe aplikimet shqiptare, të realizuara me profesionalizëm.
Në jurinë e këtij festivali janë emra të njohur të artit e kulturës shqiptare si shkrimtari e skenaristi Ylljet Aliçka, piktori, pedagogu e studiuesi Shpend Bengu si dhe arkitektja Matilda Pando e cila do të gjykojë mbi prodhimet kinematografike të cilat në këtë edicion prekin tema të tilla si urbanizimi./atsh/KultPlus.com
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar “Dardan Fest”, i cili ka në fokus urbanizimin dhe civilizimin, dy elementë të rëndësishëm mbi të cilët zhvillohet sot bota, nisi sot edicionin e dytë në Tiranë.
Në këtë festival që do të zhvillohet në sallën e re “Tonin Harapi” të Liceut Artistik nga 26-29 tetor do të shfaqen 100 filma dokumentarë nga Italia, Amerika, Irani, Serbia, Shqipëria etj.
Nata e parë e festivali u hap me shfaqjen e filmit “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini. Për realizimin e filmit “Vulë” në të cilin janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka dhënë mbështetjen e saj edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
Ky film ka marrë çmimin për filmin më të mirë dhe regjinë më të mirë në Chauri Chaura International Film Festival, dhe çmimin për skenarin më të mirë në New York True Venture Festival (NYTVFF).
Në këtë film luajnë aktorët Jorida Sorra, Fatlume Bunjaku, Avni Dalipi, Edmond Hafizademi, Vlera Pylla dhe të tjerë. Xhirimet e filmit artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini janë bërë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Rolin kryesor Viktorian në film e luan aktorja shqiptare Jorida Sorra, që në Gjermani gjithashtu është edhe pjesë e teatrit.
Gjatë natës së parë u shfaq edhe filmi “Shija e dërrit” me regji të Evis Lulja, i cili pasqyron përpjekjet e një familjeje për ta ballafaquar varfërinë.
Gjithashtu për artdashësit u shfaq edhe filmi “The last wave” i regjisorit maroken Mustapha Farmati.
Festivali “Dardan Fest” synon të drejtojë vëmendjen jo vetëm nga bota e kinematografisë, arkitekturës, a zhvillimit të cilitdo zhanri artistik, por së pari, të jetë një dritare mundësish që angazhon të rinjtë në krijime që i shërbejnë qytetërimit, kulturës e historisë./atsh/KultPlus.com