Dardan Noka Selimaj, themelues dhe drejtor artistik i Festivali DAM, në një intervistë për KultPlus, në prag të edicionit të katërmbëdhjetë ka biseduar për programin e veçantë që kanë këtë vit, për vështirësitë që kanë kaluar dhe për lajmin e mirë që kanë marrë. Festivali DAM edhe këtë vit vazhdon rrugëtimin e tij duke sjellë një program të pasur për gjashtë ditë dhe net.
Alberina Haxhijaj
KultPlus: Kanë mbetur edhe disa ditë deri në edicionin e radhës të Festival DAM, çfarë mund të presim nga ky edicion?
Dardan Noka Selimaj: Ky edicion do jetë i ngjeshur me ligjërata, punëtori, koncerte dhe Garën e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë që sivjet shënon edicionin e parë dhe mendojmë ta organizojmë çdo dy vjet. Në këtë garë çmimi kryesor është “Rreqebulli i Argjendte” i punuar nga Leke Berisha. Ky do jetë simboli i garës dhe gjithmonë do të punohet nga artizanët e Kosovës. Kjo për të promovuar filigranin por edhe Rreqebullin si specie në zhdukje e që përveç tjerash jeton edhe në një pjesë të territorit të Kosovës. Qëllim është krijimi i një programi bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga 6 vende të Ballkanit perëndimor dhe krijimi i marrëdhënieve substanciale midis tyre dhe institucioneve muzikore në Ballkan dhe Evropë.
Rrugëtimit të 14-të të festivalit i janë bashkangjitur ansambli Oerknal, formacion lider në promovimin e muzikës bashkëkohore, solistë e orkestra prestigjioze Evropiane Olivier Doise, Eric Lacrouts, Laurent Verney dhe Vlorent Xhafaj, pianisti Romain Nosbaum, Zala Kravos e konsideruar një yll në ngritje dhe ndër talentet e rrallë të momentit, artistja e Steinway-it Olga Zado, dirigjenti polak Szymon Makowski dhe Quartteto di Cremona, ansambli më i mirë i gjeneratës së tyre që nga themelimi (2000). Padyshim që në këto 6 ditë e net të festivalit vazhdojmë me promovimin dhe paraqitjen për herë të parë të artistëve të rinj vendor, ndër ta edhe ansambli tashmë i konsoliduar sFOURzando të cilët po rriten artistikisht duke parakaluar nëpër edicione të ndryshme të festivalit. Në skenën e dytë të festivalit do shëtisim nëpër gamë të gjerë stilesh muzikore nga ajo folklorike e deri tek ritmet e muzikës elektronike përmes performancave të Nezafete Shalës, grupit zviceran Die Die Be, dyshes Rene van Munster dhe CS, Oda Halitit e jo vetëm.
Ky edicion do të jetë një edicion me shumë vepra premierë, madje edhe premiera botërore. Instrumentistët pjesëmarrës janë përzgjedhur me kujdes dhe jemi shumë të lumtur që çdo mbrëmje do kemi mundësinë të dëgjojmë interpretime absolutisht të nivelit botëror.
KultPlus: Secili edicion që kemi lënë pas ka pasur vulën e tij, me cilën do të karakterizohet ky vit?
Dardan Noka Selimaj: Ky edicion fokus ka Ballkanin. Kjo edhe për faktin se pjesë të tij e kemi bërë Garën Ballkanike. Anda Kryeziu, Damjan Jovicin, Angel Spiroski, Nemanja Radivojevic dhe Ylli Daklani janë finalistët e konkursit në të cilin kemi pranuar një numër të konsiderueshëm aplikimesh dhe jemi të lumtur që në finale kemi pesë kompozitorë që absolutisht do jenë befasi për dëgjuesin dhe publikun kosovar. Në përgjithësi edhe jashtë garës kemi programuar vepra të kompozitorëve të Ballkanit, rajon nga i cili ende është vështirë të depërtohet.
KultPlus: DAM Festival në nisje të edicionit të 14-të ka fituar edhe etiketën EFFE Label si festival i dalluar i arteve për cilësi. Çfarë nënkupton kjo për festivalin?
Dardan Noka Selimaj: Kjo vulë iu jepet festivaleve pas vlerësimit të bërë nga ekspert ndërkombëtar në botën e festivaleve. Për tu kualifikuar për etiketën EFFE, një festival duhet të përmbush së paku 7 nga 10 standarde të cilësisë. Festivali DAM ndër vite ka prezantuar konsistencë në programin artistik, ka mbështetur zhvillimin artistik të shumë muzikantëve dhe artistëve përmes rezidencave të organizuara, ka mbështetur ide të reja kreative dhe eksperimentale dhe projekte kërkimore artistike. Me aktivitetin e tij festivali është vlerësuar për kontributin në rrafshin lokal e njëkohësisht ka shërbyer si platformë për rrjetëzim me organizata dhe festivale në Evropë. Pavarësisht vështirësive ka arritur të shpërfaq konsistencë dhe stabilitet në zhvillimin e aktiviteteve dhe ka qenë i përfshirë në mbështetjen e kauzave nga të drejtat e njeriut deri te integrimi i grupeve të margjinalizuara në jetën kulturore të vendit, dhe jo më pak e rëndësishme, shtyllë qendrore ka pasur dhe vazhdon ta ketë programin edukativ me organizimin e akademive verore, programeve artistike rezidente, punëtorive që e bëjnë një prej vlerave të çmueshme për komunitetin e muzikantëve dhe jo vetëm.
KultPlus: Kanë kaluar katërmbëdhjetë vite që kur u mbajt edicioni i parë, sa ka qenë i vështirë ky rrugëtim?
Dardan Noka Selimaj: Ka pasur batica dhe zbatica. Më pëlqen se këtë vit po e ndjejë më shumë se asnjëherë në pesë vitet e fundit energjinë e një gjenerate të re të muzikantëve në Kosovë të cilët janë duke punuar fort për paraqitjen e tyre. Më kujtohet elani dhe entuziazmi i fillimeve të festivalit, prandaj jam shumë optimist. Ndoshta mund të jem nostalgjik mirëpo jo, e besoj se jam objektiv. Gjenerata dhe fryma e re gjithmonë është shpëtimi i këtij vendi, edhe në kulturë. Më vjen keq që nuk ka ndryshuar shumë çka sa i përket ambienteve ku e zhvillojmë aktivitetin, ndonëse kjo shpesh herë mund të shërbejë për gjetje të reja megjithatë është koha që të mendohet më seriozisht për sallën e re por edhe renovimin e hapësirave ekzistuese.
KultPlus: Çdo vit arrini që të sjellni një program të pasur me muzikant vendor por edhe ndërkombëtarë. Çfarë ju shtyn që të vazhdoni edhe me tutje?
Dardan Noka Selimaj: Ndoshta vështirësitë me të cilat ballafaqohemi… rruga sfiduese për të krijuar diçka. Po të ishte e kollajshme ndoshta nuk të merreshim me këtë punë. Shpesh na pyesin pse e vazhdoni? Përgjigja është e thjeshtë kur shohim prapa ndikimin që ka pasur dhe vazhdon të ketë tek skena e kulturës në vend e sidomos kur për punën tonë dëgjojmë nga muzikantë e organizator festivalesh nga SHBA – ja deri në Japoni, konsiderojmë se po bëjmë diçka të mirë. Nëse puna që bëjmë ne por edhe shumë festivale të tjera është shtysë se duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë vendin e një vend që beson në demokraci medoemos duhet të besoj në kulturën dhe ta mbështes atë. Nëse nuk do të ekzistonin festivalet dhe ngjarjet kulturore, salla e koncerteve nuk do ishte temë.
KultPlus: Festivalet janë një pasuri kulturore e Kosovës. Ku zë vend DAM-i dhe sa është i rëndësishëm ky festival për Kosovën? Po, për institucionet?
Dardan Noka Selimaj: Festivalet natyrisht e plotësojnë madje edhe janë bartëset kryesore të mozaikut kulturor të Kosovës. Për institucionet besoj se është i rëndësishëm por nuk është mjaftueshëm, duhet mbështetur ende më shumë. Potenciali i festivaleve mund të shfrytëzohet më shumë sidomos për një vend në zhvillim si Kosova.
KultPlus: Jemi mësuar që të DAM-i të na befasojë me përzgjedhjen e lokacioneve të cilat mbrapa vetës shpesh herë kanë bartur edhe një mesazh. Përmes festivalit keni theksuar edhe nevojën e Prishtinës për të pasur një sallë koncertale e cila akoma mungon. Në mungesë të saj, sivjet në çfarë hapësira do të mbahet Festivali DAM?
Dardan Noka Selimaj: Këtë vit ngjarjet do zhvillohen në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe disa të tjera në MENZA Ramiz Sadiku dhe Fondacioni 17. Jemi kthyer tek Salla e Kuqe, por ama instalacioni që do shërbejë edhe si skenografia e skenës kryesore të festivalit e punuar nga Vesa Gashi do jetë impresive. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën dhe kreativitetin e Vesës. Ndoshta është hera e parë që nuk kemi ndërhy në asnjë pikë. E falënderojë jashtëzakonisht për përkushtimin dhe ndihmën që i ka dhënë festivalit./KultPlus.com