‘Histografia shqiptare duhet të lirohet nga diktati i histografisë serbe’

Promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta” në Bibliotekën e Qytetit “Azem Shkreli” në Pejë, u prit me interesim të dukshëm, përcjellë KultPlus.

Autori, edhe me këtë rast, shfrytëzoi rastin të theksojë se libri i tij më i ri, që është elaborim nga përmbajtja e “Kosovës” në tetë vëllime, i kushtohet çështjeve fundamentale nga antikiteti dhe mesjeta, që paraqesin hallkën kryesore të identitetit historik ilir-arbëror-shqiptar, me të cilat duhet të preokupohet historiografia shqiptare me theks të veçantë te rivlerësimi i tyre, në mënyrë që të nxirret në pah e vërteta e mohuar qoftë nga konceptet ideologjike ose ato të limiteve nga historiografia serbe, e cila sot e gjithëditën vazhdon të shtrembërojë historinë shqiptare në përputhje me pretendimet e saj hegjemoniste nga Kriza Lindore e këndej, pasojat e së cilës tashmë po i ndjen edhe shteti i Kosovës, meqë me Pakon e Ahtisarit , është hequr dorë nga krishterimi ortodoks, si pasuri e saj kulturore dhe shpirtërore, gjë që Beogradit i janë dhuruar “tapitë historike”, të cilat ajo, kohëve të fundit, me anën e botimeve të veçanta, siç është ai për “Manastiret serbe në Kosovë e Metohi”, po i propagon nëpër botë, në gjuhë të ndryshme, si “pasuri shpirtërore serbe”!

Sipas autorit, këtu duhet parë edhe arsyet pse në një projekt alternativ të historisë së Ballkanit, ku në emër të “pajtimit të popujve” minimizohen ose anashkalohen fare gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve nga vitet 1878, 1912 si dhe ai i fundit, i vitit 1999, që u parandalua falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, pinë ujë gënjeshtrat serbe, ndërkohë që historianët e Kosovës shfaqen inferiorë dhe thuajse të strukur kundruall këtyre fakteve.

Por, sipas autorit, ky skandal dhe reagimet e drejta që u shfaqen në opinion dhe media, paraqet një rast të mirë që institucionet tona shkencore, që nga ASHAK, Instituti i Historisë, Katedra e Historisë pranë Universitetit “Hasan Prishtina” të formojnë një trupë shkencore, e cila do të ofrojë një pamje tjetër, jo atë malinitetin sllav, i cili ka gjetur përkrahje të heshtur nga bartësi i këtij projekti, të ofrojnë argumente dhe dokumente, të cilat janë më shumicë, të cilat do ta japin një pamje reale të politikave gjenocidale sllave. E pakta që mund të behët nga këto institucione është që të dalin me kërkesën për tërheqjen e këtij botimi nga qarkullimi sepse, lëre më që nuk ka ndonjë vlerë shkencore, por përkrah stereotipet sllave në veprimin politik dhe në shkencë.

Bartësit të projektit t’i bëhet me dije se këtë metodologji të punës kuazishkencore e kemi të njohur shumë dekada më parë përmes “bërthamave të përbashkëta” të njohura si mekanizëm diskriminues për shqiptarët. Po qe se nuk hasin në mirëkuptim atëherë të ndërpresin çdo bashkëpunim më këtë qendër, e cila mbase ka pasur qëllime të mira, por që duke u bërë skllave e stereotipeve historiografike sllave vetëm sa e ka rritë konfuzitetin.

Në fund të promvimit, autori i dhuroi një kontigjent librash biotekës, për “këndin e autorit”. / KultPlus.com

‘Dardania, Antika, Mesjeta’ e Jusuf Buxhovit, promovohet edhe në Prishtinë

Më datën 16 shtator të këtij viti, në ambientet e Librarisë Dukagjini do të promovohet libri i fundit i Jusu Buxhovit, përcjellë KultPlus.

Promovimi do të mbahet në formë diskutimi dhe pritet të fillojë në orën 18:00.

Në njoftimin e Librarisë Dukagjini, bëhet e ditur se për shkak të situatës pandemike, numri i pjesëmarrësve është i limituar dhe poashtu bëjnë thirrje që pjesëmarrja e secilit të rezervohet paraprakisht.

Vepra “Dardania – antika dhe mesjeta” mbështetet mbi faktorët kryesorë parahistorikë dhe historikë, që kanë të bëjnë me antikitetin dhe mesjetën si djep i qytetërimit të vjetër botëror në përputhje me zhvillimet shoqërore dhe politike nëpër të cilët ka kaluar e ku Dardanët, si pjesë e botës pellazge-ilire-trake dhe mbretëria e Dardanisë në kuadër të formacioneve shoqërore dhe politike, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, e në disa prej tyre, edhe vendimtar. / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi do të propozohet për Nobel

Pak ditë më parë doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit dhe historianit, Jusuf Buxhovi, ‘Dardania, Antika, Mesjeta’, shkruan KultPlus.

Libri është nën botimin e shtëpive botuese ‘Faik Konica në Prishtinë dhe ‘Jalifat Publishing’ në Huston të Amerikës. Ndërkaq, në libër trajtohen çështje të historiografisë së Dardanisë dhe antikitetit deri në mesjetë.

Sot në ambient të hapur e duke iu përshtatur kushteve pandemike, Buxhovi promovoi librin e tij në qytetin e Gjakovës.

I pranishëm ishte edhe Ruzhdi Sefa, Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve ‘Jakova’, i cili e përgëzoi Buxhovin për librin në emër të tij dhe të shoqatës.
”Jusufi gjithmonë duket se është i qetë, por në fakt është një vullkan i cili herë pas here shpërthen me vepra të reja, të cilat ndoshta gjatë leximit janë të shkruara me një gjuhë të kapshme e të thjeshtë por që kanë një porosi shumë të thellë”, u shpreh tutje Sefa.

Fjalën sigurisht se e mori edhe Buxhovi i cili patjetër se falenderoi të pranishmit dhe botuesit për punën e palodhshme drejt botimit të kësaj vepre.

”Gjakova është njëri prej shembujve më të mirë të ndërtimit apo degradimit të një cështjeje të tillë. Ndërtimi i saj ekziston edhe si koncept politik e historik, kulturor që për fat të keq ka fillu të degradohet dhe barra bie mbi ne. Gjakova i ka të gjitha kushtet edhe në aspketin kulturor, veçmas historik që t’ia kthej trungut shqiptar vitalitetin e shkallmuar qëllimisht nga klasa e papërgjeshme politike këto 20 vjetët e fundit’‘, deklaroi Buxhovi.

Për të përfaqësuar shtëpinë botuese nga Huston i Amerikës, ‘Jalifat Publishing’, ishte Ramiz Tafilaj, i cili poashtu deklaroi se shumë shpejt librin e Buxhovit do ta propozojnë për çmimin Nobel. / KultPlus.com