Arianit Buqinca: “Dardanët e Ilirisë (VI-I p.e.s.), botoi Instituti Albanologjik”, Prishtinë, 2022, faqe 518.
Nga Jusuf Buxhovi
Studimeve për Dardanët dhe Dardaninë, kohëve të fundit, iu shtua edhe vepra e Arian Buqincës “Dardanët e Ilirisë (VI-I p.e.s.) botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Fjala është për një monografi e filluar si tezë doktoranture të mbrojtur kohë më parë në Universitetin e Lyonit.
Qysh në fillim, në monografi shpaloset pretendimi sintetik, si koncept që t’u jepet përgjigje katër pyetjeve: ku është Dardania, kush janë dardanët, çfarë është shkruar dhe çka dimë sot për dardanët dhe, cilat çështje duhet të ndiqen për të arritur një punë me rezultate autentike?
Natyrisht se përgjigjet “autetike” rreth tri pyetje të para mbesin të hapura për vetë faktin se qasja induktive e kësaj problematike, ku dardanët përkufizohen si pjesë e Ilirisë, përkundër faktit se bazuar te burimet antike (të shumtën të mangëta, të shkapërderdhura dhe difuze nga shum pikëpamje) Ilirët dhe ajo që pas pushtimeve romake (nga gjysma e dytë e shekullit II para erës sonë e deri te fillimet e shekullit I pas erës sonë) administrativisht njihet si Ilirik, e mban pezull këtë përkufizim. Madje, nga shumë autorë të njohur botërorë (Papazogllu, Mirdita, Hammondit, Wilkes,Cabanes, Georgiewi, Srejoviq, Ceka, Përzhita e të tjerë), çështja e etnogjenezës së dardanëve përcillet me qendrime të ndryshme, ngaqë disa e shohin në kuadër të etnisë ilire, të tjerët në kuadër të asaj iliro-trake, pa përjashtuar edhe ato ku shihet si faktor i veçantë, përkundër veçorive të përbashkëta etnike dhe kulturore të njërës apo tjetrës. Por, ajo që shfaqet si fakt i pamohueshëm në “mozaikun ilir”, me të cilën merret kjo monografi, Mbretëria e Dardanisë (nga shekulli IV para erës sonë deri te shekulli I pas erës sonë), bashkë me mbretërinë e Ardiejve, Taulantëve, të Maqedonasve dhe të Molosëve të Epirit dhe ndonjë tjetër, nxjerrin në pah rolin dhe rëndësinë e saj politike në antikitet.
Në këtë konfigurim mbretëror të antikitetit, në pjesën qendrore të gadishullit ilirik, mbretëria e Dardanisë, zë një vend të rëndësishëm si një faktor koheziv shoqëror, politik dhe kulturor, që do të ndikojë zhvillimet në hapësirën e gjërë të Mesdheut. Kjo madje, del qartë edhe nga përgjigjet që autori u jep pyetjeve që shtron se ku është Dardania (vendosja gjeografike dhe problemi i kufinjve), se kush janë daranët (problemi i origjinës) dhe, çfarë është kruar e thënë për dardanët (bilanci bibliografik dhe gjendja e artit).
Në këtë aspekt, objektivi i autorit është i qartë, siç thekson me atë se duke zgjedhur kufijtë kronologjikë, “bëhet fjalë për të vizatuar një tablo të Dardanisë, siç mund ta zbulonin romakët kur legjionet e tyre mbërritën në vend, pra u zgjidh shekulli I pas erës sonë, si kufi i poshtëm kronologjik”.
Duhet thënë se në kuadër të metodologjisë së ndjekur kronologjike (nga shekulli IV para erës sonë deri te shekulli I pas erës sonë), autori është përqendruar tek të dhënat arkeolgjike, të nxerrë në pah “një shoqëri të strukturuar, kryesisht ushtarake që evoluon pak nga pak drejt një shteti të aftë për të mbrojtur veten nga agresorët e jashtëm, madje edhe të aftë për të kryer sume në territoret armiqësore”.
Për ta rrumbullakuar këtë koncept, autori përqendrohet te historia politike (luftërat kundër Maqedonisë, Dardanët në kohën e Amyntas III dhe Filipit II, luftërat e Aleksandrit të Madh në Veri, pastaj te keltët në Dardani, pushtimi i Peonisë, te Longari përballë Filipit V të Maqedonisë si dhe te koha e mbretit të daranëve Monunit); te organizimi politik, ndalet te burimet, prodhimet dhe shkëmbimet dhe, së fundi, te religjioni.
Nëse për historinë politike, mund të thuhet ajo që tashmë dihet, se roli dhe rëndësia e mbretërisë dardane shihet në raport me luftërat me mbretërinë maqedonase për hegjemoni që zgjatën afër dy shekuj, megjithatë, pjesa e dytë (Organizimi politik dhe social), e treta (Burimet, prodhimet dhe shkëmbiet) si dhe e katërta (Religjioni), monografisë i japin një peshë të veçantë dhe me të drejtë e radhisin ndër studimet më të kompletuara të kësaj natyre deri më tash te ne.
Ky vlerësim pamëdyshje se gjenë mbështetje tek tri pjesët, ngaqë supozimet historike, të shumtën të kufizuara nga burimet e autorëve antikë, gjejnë mbështetje te zbulimet arekeologjike, të cilat nxjerrin në pah një shoqëri të strukturuar, të zhvilluar mbi bazën e rezurseve natyrore (xeheve) që kanë mundësuar një shkallë të tillë të qytetërimit me vendbanime të shumta, shtrirja gjeografike e të cilave përafërsisht përfakton edhe shtrirjen shoqërore dhe politike të mbretërisë dardane, të asaj që njihet midis shekujve IV para erës sonë dhe shekullit I pas erës sonë. Është me interes të veçantë se në këtë monografi, për herë të parë jepet katalogu i vendbanimeve (atyre kodrinore, tarracore dhe në rrafsh, 27 sosh, në hapësirën e Kosovës, të Maqedonisë së Verit dhe disa nga Shqipëria e veriut). Në këtë vazhdë, me një çasje të përqendruar, elaborohet edhe çështja e burimeve minerare (metaleve dhe cinabrit) si dhe përpunimi i tyre (bizhuteritë e qelibarit), pastaj ekonomia rurale, bujqësia dhe blergoria, prodhimi i birrës dhe verës, e mbi të gjitha, me një pamje analitike pasqyrohet prodhimtaria artizanale (joqeramike), prodhimtaria e tekstilit (klamidat dardane – gunat, rrobat e femrave) e deri te prodhimi dhe qarkullimi monetar. Me interes, këtu, paraqiten edhe prodhimet prej qeramikës (enët dhe ato nga tadita vendore, kacekët për ruajtjen e ushqimeve), e ku trajtohen edhe vazot e importuara dhe imitimet e tyre lokale.
Pjesa e religjionit, paraqet njërën ndër shtylla e rëndësishme të kësaj monografie, ngaqë në mënyrë kompleske dhe të mbështetur mbi artefaktet dhe gjetjet tjera arkeologjike, pasqyron kulturën shpirtërore nga shenjtorët e deri te hyjnitë. Te kjo pjesë, (observatori i Kokinës), hyjnia e rrjedhave të ujit, kulti i Nënës së Perëndimve (Dea Dardanica) dhe të tjerave të kësaj natyre, shihet ndërlidhja me kozmogominë, si kulturë materiale universale, të gjetura në hapësirën dardane.
Por, ajo që monografisë i jep dimensionin e një studimi serioz, është pjesa që merret me besimet funerale, nga bota e tumave të varrimit. Këtu, vëmendje zgjon pasqyrimi i rastit unik të stelës së Kulinës, si dhe pasqyrimi i argumentuar i tupjegies dhe varrosjes së hirit, urnave të mbarështruara në kuadër të tipologjisë së varreve. Të gjitha këto dëshmohen me anën e repertuarit të Aneksit të nekropoleve tumulare.
Monografia përcillet me arta, skica dhe foto të ndryshme të artefakteve dhe tumulave të hulumtuara gjatë viteve të pesëdhjeta-tetëdhjeta si dhe ato të viteve të fundit, të mbikëqyrura nga areologët nga Shqipëria dhe Kosova.
Me këtë rast duhet konstatuar se ilustrimet nuk kanë cilësitë teknike që duhet t’i kishte një monografi e tillë. Ndaj, mbetet si detyrë, që Instituti Albanologjik, ribotimin e monografisë ta përcjellë me ilustrime cilësore (në ofset) dhe madje, ato të trajtohen si shtojcë speciale e librit, në mënyrë që të rrumbullaksohet pasqyrimi i gjithë problematikës.
Meqë, kjo monografi, mund të merret si e arritura me komplete e paraqitjes së dardanëve dhe të mbretërisë së Dardanisë në rrethanat e antikitetit, është me interes që kjo vepër të përkthehet në anglisht dhe, bashkë me pjesën ilustrative (si shtojcë), të plasohet në botën akademike jashtë. / KultPlus.com