Prej pothuajse dy muajsh, për të shkuar në fshatin turistik të Dardhës, 18 km në juglindje të Korçës, udhëton përmes një rruge të bukur, të standardeve bashkëkohore.
Është një rrugë që përshkon një terren të jashtëzakonshëm malor dhe që të krijon mundësi të bësh një udhëtim të këndshëm, në një peizazh piktoresk, në një mjedis të butë e plot ngjyra, nga ato ngjyra që nuk i has askund tjetër.
Në fakt, rruga e sapo përfunduar, si elementi përcaktues infrastrukturor, e ka plotësuar më së miri këtë tablo që të tërheq pafund në brendësi të saj dhe që të krijon një ndjesi të thellë, teksa pret me padurim për të arritur në destinacion.
Dhe, Dardha vetë, që të shfaqet në një luginë mes malesh, është si “qershia mbi tortë”, në këtë atmosferë ku ngjyrat duket sikur luajnë dhe zëvendësojnë njëra tjetrën. Dhe, ngjyrat e pafundme, janë karakteristike për vjeshtën e tretë, këtu, në këtë zonë malore, ndër më të bukurat e më tërheqëset në të gjithë vendin.
Dardha të tërheq. Të tërheq pa fund. Për atë që vjen këtu, për herë të parë, surprizat e dukshme të saj, të lenë pa frymë. Për të tjerët, mbetet si një minierë e thellë, të cilën nuk arrin ta zbulosh kurrë plotësisht.
-Rruga e rikonstruktuar ka rritur numrin e turistëve dhe vizitorëve-
“Pas përfundimit të rikonstruksionit të rrugës, është rritur numri i atyre që vizitojnë Dardhën”,-thotë Thomai, punonjës në një nga resortet turistike më të njohura në Dardhë. Është fundjavë dhe të gjitha dhomat e këtij resorti, duke përfshirë edhe suitat, janë të prenotuara. Pushuesit, janë nga Tirana, Vlora, Durrësi, Shkodra, si edhe nga Kosova. Kanë ardhur për të shijuar bukuritë e jashtëzakonshme të këtij fshati, ashtu sikundër edhe gatimet tradicionale.
Sipas Thomait, fundjavat janë më të ngarkuarat dhe kapacitetet akomoduese prenotohen pothuajse plotësisht. Por edhe gjatë ditëve të javës, vizitorët janë të shumtë. Rruga ka lehtësuar mjaft udhëtimin, e ka bërë atë komod, çka e ka shtuar interesin e pushuesve për të ardhur këtu.
Janë edhe qindra qytetarë nga Korça, Pogradeci e nga qytete të tjera të afërta, që shfrytëzojnë ditët e pushimit për të kaluar një ditë ndryshe me familjet, për të shijuar natyrën, për të konsumuar një drekë, apo edhe çajin e mrekullueshëm “bio” të trëndafilit të egër, të ëmbëlsuar me një porcion të bollshëm nga mjalti i mrekullueshëm i kësaj zone.
Sigurisht, ky vit i vështirë për shkak të pandemisë së së Covid-19, ka reflektuar edhe në treguesit respektivë të atmosferës turistike në Dardhë, ashtu si edhe në të gjithë vendin. Por, kjo kryesisht tek numri i turistëve të huaj, të cilët në vitet paraardhëse kanë qenë të shumtë. Megjithatë, sipas operatorëve turistikë, kjo rënie e numrit të turistëve të huaj, është kompensuar nga shtimi i pushuesve vendas, si edhe atyre nga Kosova. Aq e vërtetë është kjo sa edhe niveli i të ardhurave për operatorët e zonës, është pothuajse i njëjtë me atë të viteve të fundit.
-Dardha, fshati ku është xhiruar filmi “Dimri i fundit”-
Dardha është fshati ku është xhiruar filmi “Dimri i fundit”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, me regji të Ibrahim Muçës dhe Kristaq Mitros.
Ky film, një nga realizimet më të mira në periudhën e para viteve ’90-të, ka fiksuar përjetësisht mjediset e këtij fshati malor, ku dëbora është një nga elementët bashkëshoqërues dhe simbolikë të dimrit në këtë zonë.
Më shumë se 200 persona, pjestarë të stafit realizues të filmit, aktorë, regjisorë, kameramanë, teknikë etj etj, qëndruan në këtë fshat për muaj me radhë në dimrin e vitit 1976, të bllokuar nga dëbora, duke xhiruar skena që mbeten të rralla për nga mënyra e jetësimit.
Edhe sot, i ndesh ato mjedise të sekuencave filmike teksa lëviz në rrugët e fshatit, në atë strukturë të veçantë urbane, që e gjen vetëm në Dardhë, në banesat e gurta, në krojet e këtij fshati ku rrjedh ujë i kristaltë dhe i ftohtë.
“Dimri i fundit”, është një nga simbolikat e historisë së vonë të këtij komuniteti banorësh. Kjo, jo vetëm si vend i xhirimit të një prej filmave më në zë të historisë së kinematografisë shqiptare, por edhe të evokimit të traditave të spikatura të banorëve të kësaj zone.
-Asetet turistike dhe historia, këtu gjenden pranë e pranë-
“Hiqeni maskën, nuk ka nevojë për maskë këtu në Dardhë. Këtu ka vetëm oksigjen, nuk e ndjeni?..”,-Një cift të moshuarish, që vinin përballë nesh, në një nga rrugicat e fshatit, ndaloi për të na përshëndetur dhe për të na treguar se, ajri këtu, në fshat, është aq i pastër dhe i pasur me oksigjen sa sfidon çdo lloj virusi e sëmundjeje.
Ata tregojnë se numri i banorëve që jetojnë gjithë stinët e vitit në Dardhë, tashmë është reduktuar, për shkak të largimit. Një pjesë në emigracion, në SHBA dhe vende të ndryshme të Evropës dhe të tjerë në Korçë, Tiranë e gjetkë. Por, këtu kanë shtëpitë të cilat i kanë rregulluar e përshtatur për t’u kthyer herë pas here për pushime. Por, një pjesë i shfrytëzojnë për bujtina, prej të cilave nxjerrin të ardhura. Dardha, sot, është shndërruar në një model të këtij turizmi, ku, banesat janë rikonstruktuar e përshtatur si bujtina, lokale e objekte të ngjashme që u ofrohen vizitorëve e turistëve të shumtë, që vijnë në çdo stinë të vitit për të shijuar bukuritë natyrore, apo për t’u njohur me historinë, për t’u njohur me kulturën, me traditat, me strukturën urbane e vlerat arkitekturore të trashëguara brez pas brezi.
Sipas legjendës, zanafilla e këtij fshati e ka bazën tek rebelimi i banorëve të krahinave përreth, ndaj pushtuesve osmanë, ndaj politikave asimiluese të aplikuara në shekuj. Prandaj dhe banorët e parë, që u larguan nga kazaja e qendra të tjera urbane, zgjodhën këtë zonë të thellë, ku kishin mundësi të ruanin kulturën, gjuhën, fenë, të pakërcënuar nga pushtuesit. Referenca e parë e popullimit, që mendohet të ketë qenë një stan në afërsi, apo nën një dardhë, ishte edhe elementi identifikues në komunikimet me banorë të zonave të tjera. Dhe, kështu, etimologjia e emrit të fshatit që nis me “te stanin nën dardhë”, vijoi me emërtimin “nDardhë”, për të përfunduar si proces etimologjik me emrin e sotëm.
Në breza, dardharët janë kujdesur që, krahas punëve të përditshme, që u siguronin të ardhurat për jetesë, të ndërtonin edhe një mjedis urban tërësisht të veçantë. Mundësitë në këtë zonë të thellë ishin të pakta, prandaj dhe ata, si druvarë të spikatur shkonin të punonin në zona të tjera të largëta, apo në Greqi, ku shkëlqyen me aftësitë në profesion dhe me ndershmërinë.
Me të ardhurat që siguronin, ndërtonin banesa të bollshme, të bukura e funksionale, duke respektuar rregulla urbanistike, por edhe duke investuar në objekte me interes publik për komunitetin, siç janë rrugët, objektet e kultit, krojet ku siguronin ujin e pijshëm.
Këtë veçanti të trashëgimisë dardhare e konstaton sot, në këtë hapësirë urbane ku spikasin banesat e gurta një, dy, apo tre katëshe, me një strukturë arkitektonike që pothuajse nuk e has në krahina të tjera, me çati të mbuluara me rrasa guri. Krahas këtyre, rrugët e rrugicat e fshatit, të shtruara me kalldrëm, dëshmojnë kulturën dhe dashurinë e dardharëve në shekuj, për një jetë me cilësi, për të qenë pranë njeri tjetrit. Ndërkohë, krojet me një strukturë të plotë, ofronin komoditetin e nevojshëm për vashat që mbushnin ujë për nevojat e ditës.
Kroi, si element social dhe urban, kishte një rëndësi të veçantë në jetën e fshatit, të banorëve. Ai nuk ishte thjesht një vend ku sigurohej uji i pijshëm, por edhe një objekt ku gratë dhe vajzat takoheshin, ku bisedonin dhe shkëmbenin mendime, ku kalonin një pjesë të kohës, por edhe ku niste zanafilla e njohjeve. Në këtë këndvështrim, ai merr edhe trajtat fillestare të një institucioni, si një vend ku merreshin vendime të natyrës më shumë se vetjake.
Janë së paku tre kroje në këtë fshat, pothuajse identikë me njeri tjetrin. Janë ndërtuar me kujdes dhe me dashuri, aq sa edhe sot, teksa sheh ujin e kristaltë që rrjedh në to, me mendje shkon larg, në vite. Skena e mbushjes së ujit në filmin “Dimri i fundit”, ndonëse në kushtet e errësirës dhe nën pushtimin gjerman, evokon mjaft mirë rëndësinë e kroit ne jetën e këtij fshati.
Banesa dardhare, me çardak të hapur e të mbyllur, mund të klasifikohet si një tip më vete, në historinë e banesës shqiptare. Veçantitë e saj, struktura murale me gurë, çatia e mbuluar me rrasa guri, konceptimi i hapësirës së brendshme me odën e zjarrit, atë të miqve etj, i japin asaj karakteristika mjaft të veçanta e interesante. Janë këta elementë të arkitekturës e jetës urbane, që e bëjnë Dardhën tepër tërheqëse në këtë aspekt.
Restaurimi së fundi i fasadave të këtyre banesave dhe i të gjitha objekteve të tjera, përmes një projekti të financuar nga Qeveria Shqiptare, që po vazhdon ende, i ka ridimensionuar vlerat e këtij fshati të vendosur në një luginë të mrekullueshme malore, në një lartësi prej më shumë se 1300 metra mbi nivelin e detit, në një largësi prej 18 km më juglindje të qytetit të Korçës.
-Personalitetet e historisë dhe artit, si vlera të shtuara të traditave të Dardhës-
Personalitete të njohura të historisë dhe të kulturës kombëtare, përbëjnë vlera të shtuara të cilat e bëjnë edhe më atraktive Dardhën, në sytë dhe vëmendjen e turistëve dhe vizitorëve.
Dëshmori i njohur i Luftës Antifashiste Nacional Çlrimitare, Kristo Isak, shkrimtari, Teodor Laço, general lejtnant, Vaskë Gjino, i persektuar nga diktatura komuniste, janë disa prej tyre.
Banesat e tyre, janë të restauruara e të mirëmbajtura, si dëshmi e segmenteve të historisë që duhet ruajtur e promovuar.
Në fasadën e banesës së gurtë dy katëshe, ku ka lindur e ka kaluar fëmijërinë, dëshmori i Luftës, Kristo Isak, spikat një pllakë përkujtimore.
Më tej, një kompozim skulpturor modest, në raport me hapësirën, në oborrin e një banese, të kujton se këtu ka lindur, shkrimtari Teodor Laço.
Këto godina, ashtu sikundër muzeu dhe kisha me vlera të spikatura arkitekturore, në qendër të fshatit, e plotësojnë më tej tablonë e objekteve me interes për t’u vizituar.
Por, nga ana tjetër, Dardha ka një trashëgimi të pasur në artin e mirëfilltë viziv, në pikturë. Një numër i konsiderueshëm piktorësh, të njohur me emërtimin zografë, kanë krijuar një thesar vlerash në këtë drejtim, duke themeluar një plejadë mjeshtrash me emër, që nis me Nikolla Zengon në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe në vijim, ku përfshihen Andon Zengo, Papa Jani Zengo, Grigor Zdrulli, Nikolla Zdrulli, Sotir Papa Ilia, Thanas Zengo, Efthim Zengo, Kristo Zengo, Harrallamb Dardhioti, Kristo Vishnja, Konstandin Zografi etj etj.
–Turizmi, burimi kryesor i të ardhurave për banorët-
Xha Skëndi, një 85 vjeçar, dikur punonjës i arkivës në këtë fshat, tregon se, tashmë të gjithë këtu janë të lidhur me turizmin. Më parë, ekonomia kishte si bazë blegtorinë, por pas viteve ’90-të, struktura e saj ndryshoi tërësisht. Dukuria e zhvendosjes demografike, u shoqërua edhe me rënien e interesit për degët tradicionale të ekonomisë dhe vëmendja u orientua gradualisht tek turizmi.
“Unë banoj këtu me bashkëshorten në pjesën më të madhe të vitit. Kemi rregulluar shtëpinë, ja siç e sheh dhe jetojmë mirë. Si ne, janë edhe shumë familje të tjera. Një pjesë prej tyre kanë përshtatur banesat për bujtina dhe japin dhoma me qera. Por edhe këtu, mund të vini kur të doni, derën e keni të hapur në çdo orë”,-thotë 85 vjeçari, nga oborri i një banese të bukur e të bollshme, tipike dardhare.
Dardha është e frekuentuar në çdo ditë dhe në çdo stinë. Sepse çdo periudhë e vitit, këtu shijon e përjeton gjëra të ndryshme. Ngjyrave të vjeshtës, gradualisht do u zërë vendin dëbora e dimrit, që këtu është po aq i bukur.
Pista e skive, ofron mundësi për të pasionuarit e këtij sporti, që po bëhen gati të mbërrijnë në Dardhë./Reportazh/ k.s/ KultPlus.com