Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës me premierën botërore “Joko” dhe virtuozitetin e violonçelistit Manaev e dirigjentit Salvi

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Frymore së Filharmonisë së Kosovës mbrëmë erdhi nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, duke prezantuar kështu një mori veprash të ndryshme të cilat zgjuan emocione të llojllojshme brenda orëve interpretuese. Meloditë, tingujt e sidomos pjesëmarrja e violonçelistit virtuoz, Konstantin Manaev, kanë lënë gjurmë të paharrueshme mbrëmë për të pranishmit që patën rastin të përjetojnë një koncert të veçantë, ritmik e delikat, shkruan KultPlus. 

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre përkatëse duke mbushur sallën komplet, në prapavijë dëgjoheshin shushurimat e instrumenteve që po prekeshin nga instrumentistët pak para nisjes së koncertit. Perdet e zeza të vendosura në skenë i dhanë një hijeshi modeste estetikës së koncertit, teksa reflektorët në ngjyrë të vjollcë jepnin përshtypjen e një koncerti serioz. Ashtu edhe ishte, duke marr parasysh saktësinë e interpretimit të Orkestrës Frymore. Ora shënoi 19:35, heshtja hyri në eshtra dhe tingujt u ngjallën me një lëvizje dore të dirigjentit i cili u mirëprit me duartrokitje, për herë të katërt tashmë në Prishtinë. 

Sa herë që Filharmonia e Kosovës mban një koncert, bashkëngjitet edhe një respekt i papërshkruar i audiencës besnike të këtij institucioni. Vepra e parë qe Simfonia për ansambël frymorë në g-mol A 509 e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, që erdhi nëpërmjet një fryme lozonjare por tejet të bukur. Dirigjenti Salvi pa shkop në duar, nisi mbrëmjen magjike krejt lehtazi. Instrumentistët e vendosur në skenë dukej se ishin të krijuar për të. Ata i jepnin frymë instrumenteve dhe e gjallëronin atmosferën në mënyrë të përsosur e precize. 

Ajka e mbrëmjes padyshim që ishte vepra koncert për violonçel dhe orkestër frymore e kompozitorit austriak Friedrich Gulda. Violonçelisti Manaev ka gdhendur talentin e tij brenda hapësirës në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Interpretimi i tij qe diçka që zgjoi edhe ndjenjat më të panjohura përbrenda audiencës. Tingujt i ngjasonin elementeve të xhazit, duke e sjellë veprën në një frymë më moderne. Violonçeli para tij dukej i vogël, mirëpo tingujt pasues dëshmuan ndryshe. Nga intensiteti i tyre, kaçurrelat e tij lëviznin poshtë e lartë, sa herë që ndryshonte rrjedha ritmike. Instrumenti për të, ishte një kanavacë në të cilën ai jepte gjithçka nga vetja. Frymëmarrja e tij dëgjohej deri në fund, teksa bëhej gati për të dhënë notat muzikore çast pas çasti. Herë qëndronte drejtë, e herë dukej se e përqafonte tërësisht violonçelin, mirëpo adhurimi i tij për këtë profesion u dallua qysh në minutën e parë. Këtë e vërejti edhe publiku i cili e riktheu në skenë atë, nga duartrokitjet e shumta, për të performuar veprën shtesë ‘Nana’ nga Manuel de Falla me kitaristin Elvis Bytyqi. Tashmë, ata ishin yjet e mbrëmjes dhe këtë e kuptuan edhe vetë ata, andaj e përmbyllën prezencën me një vepër që doli përtej të imagjinueshmes.  

Tutje, pas një pauze prej pesëmbëdhjetë minutave, Orkestra Frymore dhe dirigjenti Salvi, bëheshin gati për të pushtuar atmosferën me premierën botërore “Joko” të kompozitorit gjerman Peter Josef von Lindpaintner. Kjo vepër ishte diçka krejt ndryshe, duke sjellë ndjenja të buta që pasonin vazhdimisht nëpërmjet muzikës. Krahët e dirigjentit dëshmonin për një lidhje emocionale me veprën, ndërsa instrumentistët ishin të mrekullueshëm në këtë pikë. Me origjinë nga baleti, uvertura Joko arriti të gërvishte gjithçka nga të pranishmit, duke i zhveshë ata nga të gjitha emocionet pos njërës; dashurisë. Një dashuri për klasiken, për pjesëmarrjen me trup e me shpirt brenda saj. 

Ndërsa, krejt në fund, u interpretua edhe vepra që shënoi fundin e këtij koncerti madhështor, “Suitë me këngë popullore angleze” e kompozitorit Ralph Vaughan Williams. Si një marsh i zhurmshëm ishin instrumentet frymore, perkusionet dhe telat, të cilat cicëronin këndshëm brenda katër mureve. Instrumentistët po ashtu po marshonin drejt një fundi me melodi të bukura e shpejta sikur akrepat e orës. Duartrokitjet ishin kolapsi i fundit i këtij koncerti të nevojshëm për Prishtinën. Ishin të bollshme e të nevojshme për të nderuar edhe dirigjentin fantastik si dhe Orkestrën Frymore, që me padyshim ka bërë një punë të shkëlqyer për të prezantuar një program kaq mahnitës. 

Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe pjesëmarrjen e tij, për KultPlus foli vetë dirigjenti Dario Salvi. 

“Ishte një javë e gjatë, ne punuam shumë dhe jam shumë i kënaqur me rezultatin, veçanërisht me veprën e fundit, kështu që jam shumë i lumtur. Kjo është hera e katërt që punoj me Filharmoninë, por është hera e parë për orkestrën të luaj një ansambël që është një procedurë shumë e vështirë. Ishte një proces në rritje për ne, por ishte e mrekullueshme të dëgjoja ndryshimin nga e hëna në sonte dhe mendoj se ne presim gjëra shumë të mira në të ardhmen. Unë jam shumë i pasionuar pas baletit romantik dhe në veprën Joko muzika mu duk shumë e bukur, por që aranzhimi për orkestër është shumë i vështirë, shumë i ekspozuar. Unë gjithmonë dua të bëj premiera botërore në koncertin tim dhe ne mbijetuam, gjë që është e mirë. Prania e njerëzve ishte ajo që më bëri më shumë përshtypje. Ishte mirë të shihja një shtëpi të shitur sepse nuk e prisja që t’i shihja këtu për shkak të programit specifik.” 

Gjithashtu, violonçelisti Konstantin Manaev për KultPlus tregoi përshtypjet e tij rreth koncertit dhe veprës që i pëlqeu të pranishmëve më së shumti.  

“Kjo është hera ime e tretë që performoj në Prishtinë në përgjithësi dhe ky koncert ishte i preferuari im sepse ishte e mrekullueshme të interpretoja pjesën time të preferuar me këtë orkestër. Shpresoj që publiku ta ketë shijuar. Prishtina është si një shtëpi e dytë për mua dhe është kënaqësi të luaj këtu. Muzikantët janë të mrekullueshëm dhe më pëlqen të luaj me ta. Ne bëmë sot një provë gjenerale dhe mund të them se ata janë shumë fleksibil dhe të ndjeshëm, sepse e kuptojnë menjëherë atë që ne duam të bëjmë. Ishte një proces produktiv për të performuar së bashku. Isha shumë i lumtur që arrita të interpretoja pjesën e çmendur që të gjithë dukej se e shijuan.” 

Koncerti i radhës së Filharmonisë së Kosovës vjen më 15 tetor 2024 prej orës 19:30 në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, ku Kori i Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Sasho Tatarchevski dhe me pjesëmarrjen e violoçelistit Antonio Gashi do të sjellin një program premierë.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com 

Filharmonia vjen me koncertin e radhës nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertin e radhës do ta mbajë nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi me solistët mysafirë, violinistin Djafer Djaferi (Xhafer Xhaferi) dhe pianistin argjentinas José Gallardo.

Në këtë koncert, orkestra do të luajë “Valle Antike” nga Vasil Sofokli Tole, “Koncert për violinë, piano dhe harqe në d-mol” nga Felix Mendelssohn dhe “Simple Simphony” nga Benjamin Britten.

Koncerti mbahet më 4 tetor 2024, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. / KultPlus.com