Libretisti arbëresh i Donizettit

Shkruan: Dashnor Kokonozi

Një ditë fill pasi kishte zbarkuar në Sicili me ekspeditën e famshme të Të Njëmijtëve, Garibaldi, siç shkruan G. Bandi, mbase biografi i tij më i mirë, u dëgjua të këndonte këto vargje:

Ky përfytyrim i ëmbël/Do të ledhatojë shpirtin tim/Dhe kohë e ndritur do shpaloset/Përpara meje plot shkëlqim.

Janë vargje i përkasin kabaletës së Baritonit të operas Gemma di Vergy e Gaetano Donizettit që ishte shfaqur si premierë rreth 30 vjet para kohës për të cilën flet Bandi. Libretist i saj është arbëreshi Giovani Emanuele Bidera (Palazzo Adriano 1784-Palermo, 1858).

Episodi i Garibaldit flet me një origjinalitet të shënueshëm për popullaritetin e kësaj vepre të madhe skenike midis bashkëkohësve të saj e që vazhdon deri në ditët tona në skenat më të mëdha të botës, siç do të shohim. Dhe, nëse libretistit të saj po i kushtojmë këto shënime, kjo nuk ndodh se diku gjetëm ndonjë shkresë arkivore ku ishte shënuar diçka për origjinën e tij, të cilën mbase nuk e njihte as ai vetë, por sepse Bidera jo vetëm se ndihej i tillë, arbëresh, por edhe sepse ai nuk mungoi që krahas bashkatdhetarëve të tij të shquar (De Radës, Kamadrës, Darës, Serembes etj.) të interesohej dhe shqetësohej seriozisht edhe për fatin e Shqipërisë.

Mësimet e para Bidera i mori në seminarin arbëresh të Palermos (në fakt në afërsi të Palermos) ku mbase nuk ishte as konviktor, sepse banonte tamam në Palazzo Adriano, ku shënojmë se kishin lindur edhe F. Krispi (kryeministri i parë i Italisë së bashkuar), Gavril Dara, i Riu etj.. E ëma, Ana Maria, ishte nga familja e Darajve.

Në këtë seminar jepte mësim edhe N. Keta (kishte nxënë aty dhe më pas u bë rektor i tij), mjaft i dhënë jo vetëm ndaj poezisë, por edhe ndaj historisë së lashtë të shqiptarëve. Dhe, siç ishte fryma e kohës, këmbëngulte të argumentonte origjinën e tyre pellazge, gjë që do ta bëjnë rregullisht të gjithë arbëreshët e njohur të kohës, mbase të ndikuar nga ide të sugjeruara nga studiues austriako-gjermanë.

Rreth vitit 1821, Bidera ndodhet në Napoli, që ishte jo vetëm kryeqytet i Mbretërisë së Dy Sicilive, por edhe qendër mjaft e rëndësishme kulturore e kohës. Duket aty ai tentoi të afirmohej në fusha të ndryshme si dramaturgji, pikturë, poezi, kostumografi, madje duke filluar nga viti 1828 ai nisi të botojë fashikujt e traktatit L’arte di declamare, që në të vërtetë duhet kuptuar si art i interpretimit. Ai çeli edhe një shkollë aktoriale, ku madje u regjistrua edhe De Rada dhe të rinj të tjerë arbëreshë, si Zef Skiroi.

Veç disa ngjarjeve që flasin për interesat e gjëra të Bideras, De Rada në “autobiologjinë” e tij tregon se ishte pikërisht ky, Emanuele Bidera, që e nxiti të përfundonte sa më shpejt Milosaon. Dhe, madje e ndihmoi që ta botonte.

Vetë Bidera, dy vjet më vonë do të botonte dy vëllime me tregime. Njëri prej tyre titullohet Quaranta secoli, racconti su le due Sicilie dal Pelasgo Matn-eer.

Interesimi i E. Bideras dhe i bashkëkohësve të tij për botën pellazgjike nuk ka asgjë të përbashkët me motivet e një numri gjithnjë në rritje “pellazgollogësh” të ditëve tona. Qëllimi tyre ishte të nxisnin krenarinë dhe interesin për “dheun e të parëve”, ndërkohë që e shkuara e këtij (at)dheu po humbiste edhe nga kujtesa kombëtare (nuk dukej asnjë gjurmë kënge për Skënderbeun në Shqipëri, ndërkohë që ca të dyshimta u mblodhën afërsisht në këtë kohë midis arbëreshëve). Me vullnet ata kërkonin të nxirrnin mbi ujë një emër që kishte nisur të harrohej, duke e cilësuar atë si një entitet të pavarur, në një kohë kur një shtet me një emër të tillë, Arbëri nuk ekzistonte, të gjithë ata që lindin aty jo vetëm në atë kohë por edhe njëqind vjet më vonë, cilësoheshin turq e do të kishin nënshtetësi turke, gjë me të cilën një pjesë po ambientoheshin, por për fat kishte nga ata që jo vetëm nuk e pranonin një gjë të tillë, por me kryeneçësi krijonin (e në shumë raste, sajonin) një histori e kulturë të një shteti që nuk ekzistonte, por që ishte mjaft më e epërme se e fqinjëve, me nënteksin e qartë se derisa këta fqinj u bënë shtet, çfarë na mungon që të kemi edhe ne një të tillë. Shkurt, i shoh krejt të përligjur në patosin e tyre, edhe pse pa një rigorozitet të shënueshëm shkencor.

Por, ndërkohë që ky aktivitet nuk e bëri dot Bideran pellazgollog të madh, sipas të gjithë njohësve të tij, fashikujt që ai botonte për artin teatral dhe shkolla e interpretimit që hapi në Napoli i dhanë shumë emër në qarqet artistike. Me këtë rast thuhet se atë erdhi ta takojë, ai që cilësohet si impresario më i madh i të gjitha kohërave, Domenico Barbaja, që atë kohë drejtonte teatrin San Carlo. Është ai (rolin e të cilit e luan G. Gaber te filmi i Mario Monicelit “Rosini! Rosini!”) që e ktheu San Carlon në teatrin më të rëndësishëm të të gjithë botës (thotë sot Wiki italian). Për shumë vetë atij i detyrohet edhe suksesi që patën kompozitorë të tillë të mëdhenj si Rosini, Donizetti, Bellini.

E pra, ndërkohë që drejtonte atë teatër të mrekullueshëm, Barbaja takon Biderën tonë dhe i propozon që punojë si profesor i “dizione” dhe libretist i teatrit San Carlo.

Ja pra, rrethanat në të cilat Bidera u njoh me Donizettin, që edhe ai ishte i afërt me drejtuesit e atij teatri dhe kishte ngritur veprat e tij në atë skenë. Dhe nga një lidhje e tillë ata do të realizojnë bashkë dy opera: Gemma di Vergy dhe Marion Faliero. Më vonë Bidera do të shkruajë për kompozitorin e njohur edhe tekste romancash dhe këngësh të ndryshme.

Gemma di Vergy, e cila u dha së pari në Scala të Milanos më 26 dhjetor 1834, cilësohet si vepër e rëndësishme e Donizettit. Në të vërtetë bëhet fjalë për një tragjedi lirike në dy akte. Bidera subjektin e saj e mori nga një pjesë e shkruar për teatër nga A. Dumas (ati), që trajtonte jetën e Sharlit të VII-të (dhe vasalët e tij të mëdhenj).

Në qendër të operës është vetë Gemma, gruaja e kontit të Vergyit, e cila nuk ka fëmijë dhe mbërthehet nga një ndjenjë e fuqishme xhelozie kur kupton se i shoqi do të prishë martesën, dhe po përgatitet të martohet me Idën. Dëshpërimi e shtyn atë të organizojë vrasjen e tij me ndihmën e një skllavi, Tamas, të cilin ajo e dashuron fshehurazi.

Duket që ka ndryshime të rëndësishme, sepse ky skllav duhet të jetë Jakubi (një personazh që sipas fjalëve, vetë Dumas ia ka marrë Gerard de Nerval-it), dhe që në dramën e Dumas është një arab që Charles de Savoisy e ka sjellë nga luftërat në Tokën e Shenjtë dhe Gemma është Berenzhera, gruaja e një kalorësi të fuqishëm, Guy-Raymond. Më tej Jakubi do të vrasë Rajmondin etj..

Kjo operë u nderua të hapë stinën e karnavaleve në Scala të Milanos në dhjetor 1834. Në rolin kryesor ishte sopranoja G. Ronzi, një primadona e kohës dhe favorite e Donizettit, për të cilën ai më parë kishte kompozuar “Fausta-n”, 1832. Për tridhjetë vjet rresht opera mbeti mjaft e kërkuar në Itali, por në San Carlo të Napolit u shfaq vetëm më 4 mars 1847, për të mbetur mjaft popullore për thuajse dhjetë vjet. Pastaj trupa u nis në turne dhe e shfaqi atë në Londër në mars 1842, pastaj më 1843 në Paris, Nju York, Lisbonë, St Petersburg, Vjenë dhe Barcelonë. U zhduk nga repertori nga fundi i atij shekulli për t’u shfaqur përsëri në shekullin XX-të.

Monserrat Caballé e interpretoi atë në San Carlo në dhjetor 1975. Pas kësaj Gemma di Vergy vazhdojë jetën skenike nën interpretimin e trupave të ndryshme në Nju-Jork, Paris etj..

Studiues të ndryshëm i njohin asaj një rol të veçantë edhe në “Risorgimento”, veçanërisht kur ajo u dha në teatrin “Il Carlino” të Palermos. Pas vargjeve të baritonit Mi toglieste core e mente/Patria, numi e libertà, në sallë pati shëprthime të forta entuziaste midis spektatorve, se me gjasë ato rezonuan me ndjenjat e tyre antiburbone.

Një bashkëpunim tjetër interesant i Donizettiit me Biderën është opera Marin Faliero, në origjinë të të cilës ishte vepra e Bajronit “Faliero doge of Venise”. Subjekti ruan frymën e thellë lirike të dramave të mëdha të Bajronit, me një shkrirje organike të oborreve aristokratikë të Mesjetës. Kritikët e vlerësuan për ariet dhe duetet e bukura.

Por, ajo pati edhe një fat të çuditshem. Donizetti mori një ftesë nga V. Bellini për t’u paraqitur në “Theatre italien” të Parisit për stinën teatrale të atij viti (1935). Premiera e Gemma di Vergy ishte dhënë vetëm dy javë më parë dhe si vepër tjetër të gatshme Donizetti kishte vetëm Marin Falieron me të cilën u vendos të shkojë në Paris.

Stina u hap me Puritanët e Bellinit (libreti nga konti Carlo Pepoli), e cila pati një sukses të bujshëm. Sapo e pa, Donizetti ndjeu t’i lëkundej besimi te vetja dhe në një letër që i dërgoi mikut e libretistit të njohur Felice Romani (libretist i Operave Norma, Elikziri i dashurisë, Ana Bolena etj.), ai i thotë: “Vërtet nuk do të arrij suksesin e Puritanëve, por nuk do të më vijë keq”.

Marin Falieros i erdhi radha të shfaqet në natën e 12 marsit. Biografët e kompozitorit thonë se megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme e artistëve të tillë me emër si G. Grisi, Rubini, Tamburini, Lablashi (që luajti i pari rolin-titull) etj. Marin Faliero nuk arriti në nivelin e Puritanëve.

Në një letër që i dërgoi që atë natë një xhaxhai në Catania, Bellini shkruan: “Përsëri në fushë mbeta unë zot”.

Ai nuk e di se do të vdesë vetëm pak kohë më pas, në moshën 37 vjeçare.

Kritikët e kanë analizuar gjatë Marin Falieron, si muzikën ashtu edh tekstin e saj. Dhe, mendimi i përgjithshëm është se ajo nuk arrin në nivelin e krijimeve të tjera të Donizettit, si Luçia e Lamermurit, por gjithsesi hyn në radhën e veprave të tij serioze, që vazhdojnë të shohin ende dritën e skenave të mëdha të teatrove të vendeve të ndryshme. /KultPlus.com

De Rada, në mes matematikës dhe poezisë

Nga: Dashnor Kokonozi

Në dosjet e shumta të Jeronim de Radës në Arkivin e Shtetit, që i shfletoja në fillim të viteve 1980 ndërsa përgatitesha për romanin “Shtrati i Prokustit”, bien në sy disa dorëshkrime të rinisë së tij të mbushura anash me formula matematikore.

Askush nuk qe marrë ndonjëherë me to. Kështu ndodhi që pak kërkime të mëtejshme na njohën me një pasion krejt të pazakonshëm të poetit të Makjes.

E vërteta është që në fillimet e tij ai nuk u shqua në asgjë. Madje, në fund të vitit të parë në kolegj (pasi ngeli në klasë), Mikel Belushi, drejtori i Shën Adrianit, e këshilloi të atin ta hiqte fare nga shkolla dhe ta mbante në shtëpi që të merrej me punët e bujqësisë (shkurt, të ruante delet). I ati kërkoi edhe një vit provë, që të bindej për paaftësinë e të birit. Pikërisht, vitin që përsëriti, De Rada pati ecuri mjaft të mirë dhe në përfundim të Kolegjit cilësohej si krenaria e tij. Drejtori, ai që donte ta çonte të ruante delet, e mbante gjithnjë pranë vetes.

Së pari të bie në sy kujtesa dhe aftësia e tij për të kryer veprime të ndërlikuara krejt përmendesh. Bashkëkohësit thonë se poeti ynë i ardhshëm, gjatë viteve të shkollës, ishte në gjendje të shumëzonte përmendësh edhe numra natyralë prej shtatëmbëdhjetë shifrash dhe të nxirrte saktësisht shumën e tyre prej disa milionësh.

Të dhëna të tjera më tregonin se ai kishte fuqi kujtuese ende më fenomenale, për veprime mjaft më të ndërlikuara, siç do të shohim.

Këto zhvillime nuk mund të kuptohen të shkëputura nga ajo vatër dijesh siç ishte seminari i Shën Adrianit. Ndryshe nga shumë shkolla tradicionale të kohës, ku mësimdhënia e matematikës përqendrohej në njohuritë që jepnin kryesisht matematikanët e lashtësisë (sot nuk e kujtoj nga e kam nxjerr këtë përfundim), në Shën Adrian futeshin në programet shkollore mjaft prej koncepteve matematikore moderne që kishin marrë zhvillim të madh, veçanërisht me punimet e Gausit.

Tamam në ato vite De Radës i lindi pasioni i fuqishëm për matematikën që, siç thotë vetë, ishte “jo më pak i zjarrtë se ai për letërsinë”. Dhe, pati mëdyshje të fortë për të zgjedhur midis poetit e matematikanit.

Me sa del nga shënimet e tij autobiografike, dashurinë për matematikën atij do t’ia ketë ngjallur profesor Gaetano Çerri nga Marturano, i cili kishte dhënë lëndën e matematikës në Institutin Nunciatello të Napolit. Duke qenë i ushqyer me idetë e Revolucionit Francez dhe madje si pjesëmarrës në Revolucionin e vitit 1821 (i cili pati si forcë lëvizëse organizatën konspirative të karbonarëve) që dështoi në gjak, Çerri u detyrua t’ia mbathë nga kryeqyteti i Mbretërisë së dy Siçilive dhe të gjejë strehim në Kalabri, ku jepte mësim në Shën Adrian.

Si mêsimdhênës pasionant, ai mbante lidhje me matematikanët më në zë të kohës. Madje, në disa raste ua merrte që në dorëshkrim studimet të cilat ua paraqiste nxënësve të tij të Shën Adrianit. Në një rast, pas gjeometrisë plane të Euklidit dhe gjeometrisë së trupave të ngurtë, ai u shpjegoi nxënësve të tij leksionet konike të Karavelit (mbase duhet të jetë fjala për leksionet sferike të Vito Caravellit), që e kishte pasur mik, siç thuhet.

Nxënësit hasnin vështirësi në të kuptuarit e tyre, sepse nuk kishin njohuri të mëparshme për teoritë e tij. Për këtë ngjarje De Rada shkruan: “Në nëntor 1832, profesor Çerri, thuajse i dëshpëruar më thirri në dërrasë të zezë dhe pasi e shpjegoi lëndën në mënyrë të shkoqur, si mjeshtër që ishte, kërkoi që ta përsërisja edhe unë. Unë e përsërita, por me disa pasaktësi të vogla. Këtë pastaj e hodha në të pastër në sallën e studimit dhe ua kalova shokëve për ta mësuar”.

Është tamam kjo periudhë kur ai vazhdon ta studiojë në mënyrë më të ethshme matematikën dhe nuk ngurron të mbushë anët e fletoreve të tij me figura gjeometrike dhe formula matematike. Këtu përmendim se ai arriti kulme të tilla saqë mund të nxirrte përmendësh rrënjën katrore të një numri me njëzet e katër shifra numër ky që, po të shkruhet, i bie të jetë prej disa biliardësh.

Një rast i tillë mbase nuk është unik në botë, por ama mbetet tejet i rrallë.

Biografi bashkëkohës i de Radës, M. Markianoi (që ishte edhe kushëri i tij), përmend dy tre raste të tilla, gjë që provon se ai kishte me të vërtetë talent të rrallë në këtë fushë.

Thamë në fillim se De Rada dikur ka ndjerë mëdyshje për të zgjedhur midis matematikës dhe poezisë. Por, mbase kontradikta do të ketë qenë vetëm në dukje.

Nuk janë të rrallë ata që shohim mjaft poezi te matematika. / KultPlus.com