Poezi nga Dea Basha
Nuk bëmë kush e di se çfarë,
Aq sa të tjerët të na përmendin.
Por për ne ishte mjaftueshëm,
Të paktën për mua ishte,
më shumë se ç’do të kërkoja ndonjëherë.
Ne nuk kultivuam romancë të skaduar,
As puthje as prekje nuk dhuruam.
Diçka ndezëm tek njëri-tjetri,
Emocione të veçanta e të nevojshme,
Për secilin njeri që ka sadopak zemër.
Dhe pse ato i merr era,
Fjalët tua s’do t’i harroj ndonjëherë,
Sepse bartur me erën aq sa ikin
Përsëri dikur,
Medoemos tek unë do të kthehen.
Nuk bëmë kush e di se çfarë,
Pak buzëqeshje pikturuam,
në fytyrat ku gdhendej trishtimi,
Dhe kupat mbushëm me pikëla lotësh,
Që rodhën nga puriteti i qenësisë humane.
U njohëm mjaftueshëm në kufizimin e ditëve,
Pa të cilat tani s’do të isha njësoj,
Se ende të brishtit dhe të mirët,
Rrojnë në shtëpitë e tyre,
Të shpërndara mes qytetesh të rindërtuara.
Nuk bëmë kush e di se çfarë,
Për njerëzimin nuk vlejmë të quhemi,
As çift i dashuruar,
As armiq të përbetuar.
Por ama botës diçka,
Paqëllimshëm i dhuruam,
Një histori të pakrahasuar,
Emri i së cilës reflektohet,
Në titullin e poezisë së saposhkruar. / KultPlus.com