Letër dashurie nr. 7
“Dashuri në kohë Koronavirusi”
Fund Marsi 2020, Torino
Anës, të vetmes grua që kam dashur…
E dashur Ana, ka shumë vite që rastësia nuk mendon më për ne; megjithatë, unë të kam takuar disa herë në ëndrrat e mia dhe ti ke mbetur e freskët si atëherë, kur ishim të rinj dhe bashkë vallëzonim mbrëmjeve, këngët e Çelentanos. Ne formonim një çift partneresh ideale në kërcim dhe thonë, që ata që janë partnerë të mirë në kërcim janë edhe në jetë.
Ka mbetur pikëpyetje kjo, në zemrën time, sepse ty të mori shpejt mjegulla e jetës, pa fjalë lamtumire, pa një copë letër ku, të rrëfehej arsyeja e ikjes.
Ne ishim miq të mirë, por jo vetëm. Unë isha i dashuruar me ty dhe ti e dije mirë këtë, të dy e dinim. Mendja më thoshte se edhe ti më dashuroje.
Ishim të rinj dhe zjarri na i digjte zemrat, pak dinim atëherë se çfarë ishte e ardhmja dhe çfarë kishte rezervuar fati për ne. Babai im punonte si këpucar, unë vija nga një familje e edukuar, por e thjeshtë, ndërsa familja jote ishin elita e shoqërisë.
Edhe pse studiuam në të njëjtën shkollë, ajo që na ndante, ishte më e madhe se ajo që na bashkonte. Pak mund të kuptonte zemra ime rinore, e veshur me naivitetin e djalërisë dhe flakët e pasionit, por kaq gjë e ndjente.
Turpërohesha kur më shikoje në sy, nga frika se mos aty, më lexohej se të dashuroja. Thonë se kontakti i syve, është puthja e të turpshmëve. Në shikim, më strukej zemra dhe rrallë herë merrja guximin të të vështroja haptazi.
Të gjithë të donin, ty Anë dhe ata mund të të dhuronin jetën që meritoje. Unë nuk kisha asgjë, veç dashurisë fëminore dhe “harrnave”.
U rrita dhe studiova fort, që të bëhesha një inxhinier i zoti, për të shpërblyer familjen time, që sakrifikoi çdo qindarkë të saj, për mua dhe për të mbërritur tek ty, “Ana Karenina” ime!.
Qëlloi, të ishte tepër vonë. Ju ishit zhvendosur familjarisht në Francë, duke mos lënë as gjurmë dhe as adresë. Kaluan vite pa marrë asnjë lajm prej teje.
Vuaja, se nuk të kisha thënë që, ”të dashuroja” dhe se, ndoshta, nuk do të mund ta thoja kurrë, ashtu siç, në të vërtetë ndodhi. Kam njohur shumë gra në jetën time, por asnjëra nuk të ngjasonte, ose nuk i lija unë të të ngjasonin. Nuk u martova kurrë, as me zemër dhe as me letra!
Isha betuar që në rini, i pata premtuar nënës time, se do të martohem, vetëm me gruan që dashuroj…
Nuk pati një grua tjetër që të më vidhte zemrën, ashtu siç ti, ma ke vjedhur përgjithmonë … dhe unë nuk doja të helmoja askënd. Të kam kërkuar në rrjetin social “facebook” dhe aty kam parë fotot e tua të bukura me nipa dhe me mbesa.
Zbulova, që ke mbetur një dashuruese e jetës, e vallëzimit e udhëtimeve dhe e lirisë. Shpirti yt përcillte akoma të njëjtën aromë freskie, të cilën unë dikur e kam dashur. Është ajo aromë freskie, që ende më mungon ndoshta, i burgosur pas hekurave të dashurisë time 50-vjecare. Nuk pendohem që të kam dashur, do të dashuroja edhe njëqind jetë të tjera …
Pendohem, që nuk ta thashë dot asnjëherë… sepse kjo, e gënjente mendjen time se do të mund ta ndryshonte, rrjedhën e ngjarjeve…
Dashuria ime për ty, është forma më e lartë e respektit. E shkruaj këtë letër, i shtruar në spitalin e Torinos, në prag të ditëve të mia të fundit. Kjo sëmundje, e quajtur “Koronavirus”, po më ngushton frymën…
”Do shërohesh!- thonë mjekët, por unë druaj, se i kam plotësuar të gjitha ditët e mia.
Nuk doja të vdisja, pa të rrëfyer që ke qenë dashuria e jetës time… Mos më gjyko dhe mos të vijë rëndë!
Kjo letër, është thjesht mënyra ime e lumtur, për t’u ndarë nga kjo botë. Ti ke qenë një grua e bukur dhe një grua e bukur, është vite dritë larg nga një tjetër, thjesht “e pashme”… ndjej që do të më kuptosh. Ditën që u largove, kisha bërë gati një buqetë të madhe me tulipanë, “të gjithë tulipanët e botës”… për t’iu afruar, sadopak bukurisë tënde, në shenjë të dashurisë time.
Pata shkruar edhe një poezi, e cila ka mbetur e lyer në muret e kujtesës time dhe është bërë kolonë zanore e shpirtit tim, ndër vite.
Ajo fillon me… “Lamtumirë”…/ KultPlus.com