Nga Gabriel Garcia Marquez
Fragment nga romani Dashuria në kohërat e Kolerës
Megjithatë nuk bëja asnjë llogari, isha njeri drejt e drejt ose pothuajse i tillë. Marrëdhëniet e mia me femrat ishin të natyrshme, të lirshme, të lehta, si thuhet. Në to s’kishte dinakëri ose kishte vetëm nga ajo, e dukshmja, që ato e quanin për nder. I doja, si i thonë fjalës, çka do të thotë se s’kam dashur kurrë ndonjë. Urrejtja ndaj grave më është dukur gjithmonë si një gjë e ulët dhe e trashë dhe pothuajse të gjitha femrat që kam njohur, i kam mbajtur me të mira se veten. Megjithatë, duke i ngritur kaq lart, më shumë i kam përdorur se sa u kam shërbyer. Si të bësh?
Sigurisht, dashuria e vërtetë është e jashtëzakonshme, ndodh dy a tri herë në shekull, pak a shumë. Pjesën tjetët të kohës ka vetëm kotësi dhe mërzitje. Sidoqoftë, sa për vete, nuk isha tip murgu shpirtkazmë. Nuk e kam zemrën gur unë, përkundrazi, e kam gjithë mallëngjim dhe lotët më dalin kollaj, bashkë me të. Veçse vrundujt më kthehen gjithmonë rreth vetes, mallëngjimet lidhen me mua. S’është e vërtetë në fund të fundit, që s’kam dashuruar kurrë. Në jetën time kam pasur të paktën një dashuri të madhe, duke qenë vazhdimisht objekt i saj. / KultPlus.com