Koronavirusi nuk arriti “ta vrasë” dashurinë. Kjo dëshmohet nga historia e një çifti në Itali që u njoh në ballkonet e shtëpive gjatë bllokimit nga koronavirusi.
Ata janë fejuar, duke u bërë një “Romeo dhe Zhulietë” e ditëve moderne në Verona, i njëjti qytet ku ndodhi historia e famshme e Shakespearet.
Për Michele D’Alpaos, ishte dashuri me shikim të parë. Ai e kujton me detaje momentin kur pa 40-vjeçaren, Paola Agnelli, ndërsa ajo ecte në tarracën e banesës së saj në Verona.
“Ishte pasditja e 17 marsit, kur u detyrova të punoja nga shtëpia për shkak të bllokimit”, tha D’Alpaos për CNN. “Unë pashë këtë vajzë të bukur, Paolan. U trondita menjëherë nga bukuria e kësaj vajze, nga buzëqeshja e saj. Unë duhej ta njihja atë.”
Çifti kishte jetuar përballë njëri-tjetrit pothuajse tërë jetën e tyre, por nuk ishin parë asnjëherë. Por atë pasdite, ndërsa motra e saj luante violinë në ballkonin e tyre siç bënte çdo mbrëmje, Agnelli kapi shikimin e D’Alpaos.
“Unë menjëherë mendova: çfarë djali i bukur”, tha Agnelli për CNN, transmeton KultPlus.
Ndërsa të dy ishin të huaj deri në atë moment, fati gjeti një mënyrë për t’i bashkuar ata.
Agnelli rastësisht njohu motrën e D’Alpaos sepse ato vizitonin të njëjtën palestër dhe ndiqnin njëra-tjetrën në Instagram. Mjaft afër për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit nga ballkonet e tyre, por shumë larg për t’u përqafuar, të dy kaluan ditët dhe netët e tyre duke biseduar, duke qeshur dhe duke mësuar për njëri-tjetrin.
Ndërsa Italia mbeti nën bllokim për shkak të pandemisë, Agnelli dhe D’Alpaos nuk kishin zgjidhje tjetër përveç se të qëndronin larg. Por më 4 maj, gati dy muaj nga fillimi i historisë së tyre të dashurisë, Agnelli dhe D’Alpaos më në fund ishin në gjendje të takoheshin në një kopsht afër shtëpive të tyre.
“Ne as nuk folëm, u ulëm në një stol dhe u puthëm për gjysmë ore si dy adoleshentë”, tha tutje D’Alpaos.
Aktualisht ata nuk kanë plane konkrete për një martesë, por ajo që dinë me siguri është dëshira e tyre e përbashkët për të krijuar një familje. / KultPlus.com