Khalil Gibran për të dashurën e tij të zemrës Meri

“Mbeta i shtangur nga prania jote, që kur të pashë për herë të parë. Ti erdhe në studio për të parë pikturat e mia. Sa më shumë të njihja aq më mirë ndjehesha. Më pëlqente mënyra se si arrinim të bisedonim, ëmbëlsia me të cilën ti më nxisje që të flisja për veten time. Më bëje aq pyetje sa nganjëherë ndjehesha keq, por falë shpirtit tënd dhe inteligjencës tënde, arrija të të tregoja gjithçka që ti doje të dije. Mjaft njerëz më quanin tip interesant, sepse jam një njeri ndryshe. Për ato unë jam vetëm një zbavitje, e destinuar për t’u harruar shumë shpejt, sapo t’ju shfaqet dikush tjetër më kurioz se unë. Ndërsa ti arrite të nxirrje nga thellësia e shpirtit tim ndjenjat që aq rrallë unë i ndaja me dikë tjetër. Ishte aq bukur dhe është akoma.

Mbasi u bëmë miq, të kërkova që të martoheshim. Që nga ajo ditë ti fillove të më lëndoje. Dhe vazhdoje ta bëje. Unë vuaja, por sa herë takoheshim (në atë kohë takoheshim dy herë në javë), ti më thoje: «Kahlil, më duket se të kam lënduar të mërkurën e kaluar», ose të premten ose një ditë çfarëdo. «Më fal, nuk doja ta bëja.»

E më pas bëheshe krijesa më e ëmbël e botës, dhe unë mendoja : «Kjo është Meri që dua». Ndërsa ti pak para se të mbaronte takimi, nuk rezistoje dot pa nxjerrë nga goja diçka brutale. Asgjë nga ato që unë mund të thoja apo të bëja, nuk të ndalonte dot. Ti ishe agresive dhe më vrisje. Kthehesha në shtëpi dhe reflektoja:

Nëse e pranoj diellin, të nxehtit, ylberin, duhet të pranoj edhe djegjen, stuhinë e tufanin.

– Unë përpiqesha ta bëja, por e ndjeja që gjërat e rëndësishme brenda meje, po vdisnin pak nga pak. Në zemrën time gjërat tashmë kishin ndryshuar, sepse shpirti im nuk rezistonte më të lëndohej pa fund. Duhet të mbrohesha. Dhe vazhdimisht i përsërisja vetes:

– Një lidhje më intime me këtë grua është e pamundur?

Natyrisht edhe kjo strategji nuk dha asnjë rezultat. Edhe kur unë të rrëfeva se çfarë po më ndodhte. Por që nga ai moment, ti nuk më lëndove më kurrë. I shkruaja të gjitha këto për të të treguar se si i kam përjetuar unë vitet e para me ty. Gjërat më të rëndësishme nuk kanë ndryshuar kurrë: ndjenja, pasioni, gjithçka ka mbetur si atëherë, dhe do të jenë kështu përgjithmonë. Do të të dua përjetësisht, siç të desha shumë kohë para se të takoja për herë të parë. Dhe këtë unë e quaj fat. Asgjë nuk mund të na ndajë. As ti dhe as unë nuk mund ta ndryshojmë më këtë lidhje. Do të doja që ti t’a kujtoje për tërë jetën tënde se je njeriu më i rëndësishëm i botës sime. Se edhe nëse do të martoheshe shtatë herë, me shtatë burra të ndryshëm, zemra ime do të ishte gjithmonë si një herë e një kohë.

Vetëm sot arrij ta kuptoj pse martesa jonë ishte e pamundur. Ajo do të na kishte shkatërruar të dyve. Ne e jetuam jetën së bashku në një mënyrë krejt tjetër: prandaj dhe shpëtuam. Ti më ke ndihmuar që të zbuloj veten time dhe punën time. Edhe unë mendoj që kam bërë të njëjtën gjë me ty, dhe falënderoj Qiellin që jemi së bashku.”/KultPlus,com

Të gjithë thonë se dashuria dhemb, por kjo nuk është e vërtetë, vetmia dhemb, refuzimi dhemb, të humbësh dikë dhemb

Dhjetë shprehjet më të bukura të dashurisë

1. “Të gjithë thonë se dashuria dhemb, por kjo nuk është e vërtetë. Vetmia dhemb. Refuzimi dhemb. Të humbësh dikë dhemb. Dëshira dhemb. Të gjithë i ngatërrojnë këto me dashurinë, kur në fakt dashuria është e vetmja që fshin çdo dhimbje duke na bërë të ndihemi mrekullisht mirë. Dashuria është e vetmja gjë në këtë botë që nuk dhemb.” Mesha Selimovic

2. Për romantikët e pashërueshëm, kjo:
“Ja se si ndihem kur ti më prek: Sikur miliona universe të vogla lindin dhe vdesin në hapësirën midis gishtave të tu dhe lëkurës time. Ndonjëherë harroj.” Iain Thomas, I Wrote This For You

3. Ja edhe pak nga Rumiu:
“Zgjodha të të dua në heshtje…
Sepse në heshtje nuk gjej asnjë pengesë,
Zgjodha të të dua në vetmi…
Sepse në vetmi askush nuk të ka veç meje,
Zgjodha të të adhuroj prej një farë largësie…
Sepse largësia më ruan nga dhimbja,
Zgjedh të të puth përmes erës…
Sepse ajo është më e lehtë se buzët e mia,
Zgjedh të të mbaj nëpër ëndrra…
Sepse atje ti je e pafundme.”

4. Kjo shprehje psikologjike gjithashtu mund të funksionojë:
“Dashuria e papjekur thotë: “Të dua sepse kam nevojë për ty.”
Dashuria e pjekur thotë: “Kam nevojë për ty sepse të dua.” Erich Fromm

5. Nënë Tereza në shtëpi!
“Le ta takojmë njëri-tjetrin përherë me buzëqeshje, sepse kjo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.”

6. Dashuria është e nxehtë. Kujdes!
“Dashuria është zjarr.
që nuk mund të thuash nëse do të të ngrohë zemrën apo do të të djegë shtëpinë,
këtë, nuk e dimë.” John Crawford

7. Dashuria e thellë fillon me miqësi.
“Dashuria është miqësi që merr flakë. Është të kuptuarit pa fjalë, besim i përbashkët, të ndarit, të falurit. Është premtim, në të mirë dhe në të keq. Ajo nuk mjaftohet përveç se me përsosmërinë duke përfshirë brenda dobësinë njerëzore.” Ann Landers

8. E vërteta e thjeshtë e dashurisë.
“Ndonjëherë shpirti sheh atë që është e padukshme për syrin.” H. Jackson Brown, Jr.

9. Martin Luther Kingu, Jr. dinte gjithashtu nja dy gjëra për dashurinë.
“Kam vendosur të merrem me dashurinë. Urrejtja është peshë e rëndë për t’u mbajtur.”

10. Hmm. Kjo është e thellë.
“Të dashurohesh thellësisht prej dikujt të jep forcë, të dashurosh dikë thellësisht të jep guxim.” Lao Tzu.

Shtatë fazat e dashurisë së vërtetë

Shumë persona ngatërrojnë dashurinë e vërtetë me fluturat që ndiejnë në stomak në fillim të një marrëdhënieje. Por fluturat zhduken shpejt dhe ia lënë vendin debateve dhe qartësimit të ideve.

“Dashuria i përket së shkuarës”, thonë gabimisht disa persona, duke mos e ditur se dashuria e tyre në fakt sapo ka nisur dhe është në hapat e para.

Përkushtimi reciprok dhe durimi janë shenjat më të rëndësishme të dashurisë. Këto shtatë fazat e një dashurie të vërtetë do të të tregojnë se pse dashuria nuk lind menjëherë:

1. Periudha e ëmbëlsisë

Kjo fazë zgjat maksimumi një vit e gjysmë. Në këtë periudhë ,në trupin e të dashuruarve ndodhin reaksione kimike që u japin atyre kënaqësi, lumturi dhe eufori. Partneri/ja u duket një person ideal dhe çdo defekt i tyre është i padukshëm. Në këtë fazë nuk duhet të marrësh vendime për gjëra të mëdha, sepse mund të ndodhë të pendohesh së shpejti për to.

2. Faza e ngopjes

Pjesa me fluturat në stomak dhe me ndjesinë e euforisë largohet. Nuk ndjen më të njëjtën gjë kur sheh partnerin/en të vijë në shtëpi. Fillon ta shohësh atë pa e mburrur dhe nis të sillesh në mënyrë shumë të natyrshme.

3. Faza e mërzitjes me partnerin/en

Në këtë fazë nisin të qartësohen më mirë mendimet, marrëdhënia, dhe ndjenjat. Tashmë e sheh partnerin/en në çdo aspekt dhe kupton se nuk të pëlqen shumë. Pikërisht në këtë moment shkatërrohen shumë lidhje, duke harruar se më vonë këta persona do të nisin një marrëdhënie të re dhe sërish duhet të kalojnë nëpër këtë stad.

4. Faza e durimit

Nis të reduktohet buzëqeshja, të fiket shkëndija e pasionit në çift. Partnerët në çift nisin të kuptojnë se çdo mosmarrëveshje apo diskutim ka një fillim dhe një fund. Nis midis tyre durimi. Nëse të dy mësojnë siç duhet të jenë të durueshëm, lidhja e tyre do të forcohet akoma më shumë.

5. Faza e respektit

Të dy personat në lidhje nisin të mendojnë jo vetëm për nevojat e tyre, por edhe për nevojat e personit tjetër. Pikërisht në këtë moment mund të thuhet se po lind dashuria e vërtetë, pasi gjithçka që ekzistonte më parë, ishte thjesht pëlqim. Në këtë moment mund të thuhet se të dy personat nisin ta duan njëri-tjetrin, pasi i kanë kaluar thuajse gjithë fazat e vështira të një marrëdhënieje.

6. Faza e miqësisë

Partnerët bëhen më të afërt, i besojnë njëi-tjetrit dhe mbështeten tek njëri-tjetri për çdo gjë. Kjo është një rrugë e drejtë që të çon akoma më tepër drejt dashurisë së vërtetë.

7. Faza e dashurisë së vërtetë

Nevojitet shumë kohë, përpara se dy persona të thonë se e duan vërtet njëri-tjetrin, por në momentin që arrijnë në këtë fazë, ata mund t’i kalojnë më me lehtësi vështirësitë që u vë jeta përballë, mund ta kalojnë lehtësisht egoizmin dhe krenarinë e tyre. Ka një rritje personale për të dy partnerët dhe së bashku me këtë rritje, rritet edhe dashuria e vërtetë mes tyre./Bota.al

SOURCEBOTA.AL

7 letrat e dashurisë më të bukura të të gjitha kohërave

Kryeveprat më të mëdha letrare kanë pasur si protagoniste dashurinë. Lumenj ndjenjash janë derdhur, duke bërë të rrjedhin fjalë të paharrueshme. Njerëz të mëdhenj, artistë, shkencëtarë: “I gjithë universi i bindet dashurisë”.

Ja përse në vite, kujtohen për të tjera arritje dhe suksese, por nga sirtarët e jetës së Einstein, Johnny Cash, Beethoven, Winston Churchill dhe shumë të tjerëve, dalin edhe letrat e dashurisë që u kanë shkruar të dashurave të tyre.

Një sondazh në Angli ka zgjedhur më të bukurat, ku ndoshta mungojnë ato që mund të presim, shkruan revistaclass. I bën mirë zemrës megjithatë, të lexosh këto radhë për të rizbuluar dhe kuptuar që kjo ndjenjë, është kaq e thjeshtë për t’u provuar, kaq e thjeshtë për t’u shprehur.

Johnny Cash gruas së tij June Carter Cash (1994)
“U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njëlloj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin. Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike që kam takuar në jetë”.

Winston Churchill gruas Clementine Churchill (1935)
“E dashura ime Clemmie, në letrën që më dërgoje nga Madras kishe shkruar gjëra që për mua janë shumë të rëndësishme, që ta kisha bërë jetën më të bukur. Nuk mund ta them çfarë kënaqësie më dha kjo, sepse ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”.

John Keats i shpreh dashurinë Fanny Brawne (1819)
“Nuk mund të jetoj pa ty, harroj çdo gjë, por kur të shoh, jeta duket sikur ndalet, nuk shoh asgjë tjetër. Më ke përthithur”.

Ernest Hemingway, Marlene Dietrich (1951)
“Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”.

Napoleone Bobaparte, Josephine de Beauharnais (1796)
“Që kur të kam lënë, jam gjithmonë i trishtuar. Lumturia ime është pranë teje. Sjell gjithmonë në kujtesë përkëdheljet e tua, lotët e tu, ngrohtësinë tënde të dashur. Magjepsja e së pakrahasueshmes Josephine Kindle ndez një zjarr dhe një flakë të pashuar në zemrën time”.

Richard Burton, Elizabeth Taylor (1964)
“Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht të të shohin ty. Ti nuk e kupton, natyrisht , EB, sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë dhe sesi ke fituar një vlerë më shumë mirësie të veçantë e të rrezikshme”.

Mbreti Enrico VIII, Anna Bolenas (1527)
“Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”.

Një vello, një këmishë nate e një prezervativ, gjësendet që flasin për zemrat e thyera

Alberina Haxhijaj

Historitë e zemrave të thyera erdhën sonte në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës. Hapja e kësaj ekspozitë shënoi hapjen e aktiviteteve kulturore në kuadër të shënimit të Ditëve të Evropës, shkruan KultPlus
Një qiri që kurrë nuk u ndez, një vello që nuk u vesh, një gjuhë që kurrë nuk u mësua, një ditar që mbeti i zbrazët, premtime të shkruara në letër, një këmishë nate, një palë çorape, një kondom. Kujtime të lidhjeve që nuk zgjatën për shkak të fatkeqësive që solli jeta, apo thjeshtë sepse njerëzit ndryshuan, harruan fjalët ‘do jemi se bashku përgjithmonë’.


Këto ishin vetëm disa nga elementet që përbënte kjo ekspozitë e realizuar në kuadër të projektit “MuseumofBrokenRelationships” themeluar nga Olinka Vištica dhe Dražen Grubišić dhe që në Kosovë erdhi me iniciativën e të rinjve kosovarë: Blerta Avdiu, Ilire Gashi, Kushtrim Fetahu, Diona Hoxha, Diellza Salihu, Rrezearta Jahiu dhe Tringa Kasneci.

Pikërisht këta të fundit i falënderoi edhe drejtori i Muzeut të Kosovës, SkenderBoshtrakaj, që në hapje të kësaj ekspozite. Punën e tyre e çmoi shumë edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

“Është ekspozitë që unë besoj se inkurajon diskutim e reflektim, jo vetëm për brishtësinë e raporteve njerëzore por gjithashtu edhe për rrethanat sociale, kulturore e politike, që rrethojnë historitë e treguara. Lidhje të të gjitha llojeve e që i ndërlidhin njerëzit me rrëfime dashurie dhe besoj që të gjithë mund të ndërlidhemi me këtë”, tha ajo.

Tutje ajo diskutoi për fillimin e aktiviteteve në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës. Gjersa bëri të ditur se përkrahja e Bashkimit Evropian në kulturë do të vazhdojë edhe më tutje e sidomos këtë vit i cili konsiderohet edhe si viti i kulturës në Evropë.

Në anën tjetër, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq duke lidhur shënimin e Ditës së Evropës më ekspozitën, diskutoi për lidhjet duke përfshirë edhe lidhjet në mes të shteteve brenda Bashkimit Evropian, të cilat sipas saj janë të ndjeshme dhe kërkojnë punë dhe vëmendje.

“Ekspozita të tilla sjellin diçka të çmuar, diçka ndryshe. Jo gjithmonë duhet të flasim për tema të njëjta, të kaluarën, problemet. Prandaj, kjo është diçka që lidh njerëzit gjithandej, sepse flet për emocionet, thyen barrierat pasi që është diçka që të gjitha ne ndajmë së bashku, pavarësisht moshës, vendit ku jemi, apo në cilin kontinent”, tha ajo.

Ky projekt ka filluar 12 vite më parë dhe fakti se historitë nga Kosova do të jenë pjesë e këtij muzeu, e bënë të lumtur themeluesin e tij Dražen Grubišić.

“Ndonjëherë njerëzit mund të mendojnë që projekti është i dhimbshëm sepse flet për lidhjet që nuk kanë funksionuar, por për mua është thjeshtë një muze për dashurinë edhe pse ndoshta në një mënyrë ashtu të përmbysur”, tha ai.

Fakti që njerëzit kanë dhuruar gjërat që i kanë ruajtur deri tani është mbresëlënës edhe për Blerta Avdiun, pjesë e stafit organizues të ekspozitës. “Jemi falënderues të gjithëve për mbështetjen që na e keni dhënë gjatë kësaj rruge. Me këtë nuk dua të them vetëm mbështetjen financiare, por gjithashtu edhe individët të cilët janë ulur së bashku me ne dhe na i kanë dhënë idetë më të mira. Po ashtu edhe të gjithë ata që i kanë dhuruar historitë e tyre, pavarësisht se një ngjarje e tillë po mbahet për herë të parë në Kosovë”, tha ajo.

Në kuadër të kësaj ekspozitë janë prezantuar 20 histori nga Kosova por dhe histori nga vendet e të tjera të cilat tashmë janë pjesë e këtij muzeu. Ndërsa muajin tjetër ky muze do të udhëtoj në Shangai, atje si pjesë e tij tani do jenë edhe historitë nga Kosova. /KultPlus.com



Dashuria

Ali Podrimja dhe vargjet e tij plotë jetë.

Koha është të duhemi
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do ma zije pritën.
E nën kulm banonim,
nga frëngjia me dritë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroi i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë
ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni e tash përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet,
Unë do të të sjell Lulen nga zemra e Bjeshkës,
do ta ndez llambën në Kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur te desha, çoja dashuri me një grua të marrë,
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, s’menduam pak edhe për vete,
Koha është të duhemi.