Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Sonte, KultPlus ju rekomandon një vepër mjaft të njohur të shkrimtarit shqiptar Ridvan Dibra, një vepër që trajton fatin e trishtë me plot peripeti të një femre.
Ridvan Dibra është njëri nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, i cili me veprat e tij si ‘Nudo’, ‘Prostitua e virgjër’, ‘Stina e ujkut’ etj, la gjurmë të mëdha tek lexuesit, duke u bërë kështu njëri ndër shkrimtarët më të veçantë shqiptarë.
‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’ mban titullin kjo vepër, e cila fatin e protagonistes e përqendron në tri periudha të rëndësishme jetësorë, në moshat 15, 25 dhe 40 vjeçe. Ku secila periudhë i mëson asaj gjëra të trishta, duke e ballafaquar atë pothuajse gjithmonë me zhgënjim.
Madalena nuk e vuan virgjërinë si fakt në vetvete (ajo është e zënë me mjaft angazhime shkollore – artistike), por sepse në grupin e saj prej pesë shoqesh vetëm ajo deklarohet e virgjër. Duke qenë e tillë, domethënë e virgjër, ajo tallet e përbuzet vazhdimisht nga shoqet e saj, tallje e përbuzje që veçse shtohen dhe ia bëjnë ferr ekzistencën. Në rastin më të parë që do t’i krijohet. Dhe ai rast paraqitet diku në banjat e pista të shkollës së saj. Kështu, ajo që duhej të ishte përvoja e parë, e bukur dhe e papërsëritshme në jetën e kësaj adoleshenteje 15- vjeçare, kthehet në një akt mekanik, banal e vulgar. Dhe në fund të romanit lexuesi ndoshta pyet: Ishte jeta dhe fati i një femre me emrin Madalenë? A jeta dhe fati i femrës shqiptare? Apo jeta dhe fati i femrës në përgjithësi? Përtej fabulës interesante e tejet provokuese, Dibra, në gjurmët e veprave të tij më të mira na sjell një roman të strukturuar saktë e bukur, me gjuhë e fraza të përpunuara plot ndjeshmëri e hijeshi.
Ridvan Dibra përplas një femër shqiptare para mendësisë patriarkate, para një shoqërie të keqe e plot dëme dhe para një fati të tmerrshëm që shoqëron protagonisten e kësaj vepre.
Një vepër që vlen të lexohet nga secili. Një vepër që hedh dritë mbi një realitet të hidhur tek shqiptarët. / KultPlus.com