Versioni i parë i një arieje të njohur të «Dasmës së Figaros» të Mozartit, i vlerësuar deri në 500 000 euro, dhe një serenatë e rinisë së kompozitorit, do të dalin në ankand më 20 qershor në Paris, sipas kompanive të ankandeve.
Këto dorëshkrime muzikore janë pjesë përbërëse e një koleksioni të madh, të mbledhur nga «Aristophil», kompania franceze në qendër të një mashtrimi në shkallë të gjerë në dëm të aksionerëve të vegjël.
E vlerësuar 500 000 euro, një dorëshkrim i cilësuar i jashtëzakonshëm, tregon versionin e parë të një skene të aktit të fundit te «Dasma e Figaros» (1786).
Dorëshkrimi pritet të dalë në ankand nga kompania «Ader Nordmann», të mërkurën e ardhshme.
E titulluar «Scena con Rondo” (Skena me Rondon) këto katër faqe janë veçanërisht të rëndësishme, pasi ato zbulojnë Mozartin në punë, në valën e meditimit.
Dorëshkrimi i dytë është një fragment i një serenate të moshës së rinisë së Mozartit, e kompozuar në Vjenë në korrik-gusht të vitit 1773, me shumë gjasa me kërkesë të kancelarit të landit të Salzburgut, një mik i familjes Mozart, për të festuar përfundimin e studimeve të djalit të tij.
E vlerësuar deri në 150 000 euro, partitura e një ”teksti orkestral skicë” sipas kompanisë së ankandeve ”Aguttes”, u kompozua nga Mozart kur ishte vetëm 17 vjeç.
E krijuar në vitin 2003, kompania « Aristophil » u propozoi rreth 18 000 aksionerëve për të investuar kursimet e tyre në dorëshkrimine prestigjioze, që do të kishin një çmim shumë më të lartë në raport me çmimin e tregut.
Mashtrimi arrin në përvetësimin e 850 millionë euro kursime të këtyre aksionerëve, ku disa humbën të gjitha kursimet e tyre dhe prej dy vitesh po presin daljen në shitje të koleksioneve./