Ditëlindja e 74-të e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Për nder të ditëlindjes së 74-të të ish-Presidentit Ibrahim Rugova, kryesia e LDK-së do të bëjë homazhe te varri i tij në Velani.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, të Istogut.

Ibrahim Rugova, ishte Presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006, ishte Intelektual, politikan, akademik dhe shkrimtar. Ish – presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006./ KultPlus.com

Sot Nexhmije Pagarusha feston datëlindjen

Bilbili i Këngës Shqipe ka një ditë të veçantë.

Nexhmije Pagarusha e cila njihet si ikona e muzikës shqiptare, feston ditëlindjen e 85-të, me një karrierë të bujshme për tërë këto vite.

Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epite të tjera. Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës./ KultPlus.com

613 vite që nga lindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit. Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë.

Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane. Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën. Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit.

Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdiq më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare. Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë./ KultPlus.com

Sot 129 vite nga lindja e Mithat Frashërit

Në Janinë më 25 mars të vitit 1889, lindi Mithat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit, udhëheqës ushtarak i Lidhjes se Prizrenit – Mithati ishte, pra, nipi i Samiut dhe Naimit.

Mithati shkollohet në Stamboll, punësohet në administratën osmane. Ai kujtohet jo vetëm për prejardhjen, por edhe për librarinë, partinë (Balli Kombëtar), dhe kundërshtimin e komunizmit.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta, transmeton KP.

Në moshën 32-vjeçare u largua përfundimisht nga Stambolli dhe udhëtoi për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në Qeverinë e Shqipërisë e krijuar nga Ismail Qemali ai u zgjodh ministër i botores. Më 30 mars 1913, dha dorëheqje nga detyra prej indinjatës kundrejt qëndrimit të kryeministrit ndaj rrethimit të Janinës.

Në janar 1923 filli detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi Frashërit: “Më 1924-1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.

Në nëntor 1944, Frashëri ikën nga Shqipëria. Vdes papritur në një hotel në Nju Jork më 3 tetor 1949, si pasojë e goditjes në zemër – spekulohet se vdiq i helmuar nga KGB-ja, ndërsa Amerika kishte filluar përgatitjet për një operacion klandestin kundër regjimit komunist në Shqipëri, ku Mithati ishte zgjedhur me konsensus kryetar komisioni koordinues mbarë shqiptar në mërgimin për këtë operacion, prandaj edhe vdekja e tij e papritur hodhi hije dyshimi./ KultPlus.com

14 marsi, datëlindja e Ajnshtajnit

Albert Ajnshtajn u lind në Ulmi të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.

Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i krijoi Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.

Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn tregonte se nuk e kishte me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje e bënte atë të ndihej si i burgosur.

Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend ndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.

Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.

Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.

Albert Ajnshtajn vdiq në moshën 76 vjeçare më 18 prill 1955 në SHBA./ KultPlus.com

Ismail Kadare sot feston 82 vjetorin e lindjes

Më 28 janar të vitit 1936, 82 vite më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike, transmeton kp.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013./ KultPlus.com

Datëlindja e Eleni Qiricit, balerina e parë shqiptare që preku Hollywood-in

Më 25 janar 1925, lindi Eleni Qirici, balerina e parë, aktorja dhe akrobatja shqiptare, e cila debutoi me sukses të madh në skenat e Evropës, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara te Amerikës, shkruan KultPlus.

Karriera e saj filloi në një moshë mjaft të re. Gjatë turit të saj të parë në Itali ajo bëri disa shfaqje sensacionale ku morën pjesë personalitetet më të larta dhe familja mbretërore. Fama që ajo fitoi gjatë këtij turneu, i dha asaj kontratën e dytë në Francë, që u konsiderua si qendër e artit botëror. Eleni Qirici është personi i parë që shkoi dhe shkëlqeu në Hollywood, duke u bërë e njohur në mbarë Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1938, së bashku me prindërit e saj, ajo erdhi në Shqipëri ku dha disa shfaqje në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera. Për më tepër ajo është koreografja e parë që organizoi trupën e parë shqiptare të baletit.

Nuk kish si të ndodhte ndryshe, Elena Qirici bijë e dy bashkëshortëve artistë, domosdoshmërish do të ecte në rrugën e prindërve, aq më tepër që ende foshnje, ishte përkundur në gjumë, qe zgjuar mëngjeseve e lodruar gjatë ditës nën tingujt e kitarës e të këngëve, që aq mrekullisht i luanin dhe i këndonin enkas për të bijën, çifti Vasil e Rudi Qirici. Fill pas këtij suksesi, prindërit e saj menduan, që në këtë rast shkollimi për vajzën e tyre ishte më se i domosdoshëm. Dhe kështu një vit më pas më 1936, Elena nis studimet në Vjenë./ KultPlus.com

Aktori Robert Ndrenika sot feston datëlindjen

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, më 10 janar të vitit 1942. Ai sot feston 76 vjetorin e lindjes, ndërsa urimet për aktorin shqiptar kanë nisë qysh herët.

Robert Ndrenika, ka studiuar për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksander Moisiu”. Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension. Sot ai është një aktorë i lirë por shumë i angazhuar nëpër projekte të ndryshme teatrore e filmike.

Gëzuar, datëlindjen Robert Ndrenika! / KultPlus.com

28 nëntor, ditëlindja e Adem Jasharit

Komandanti Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 62 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shabanit dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit.

Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore.

Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës./ KultPlus.com

Kujtohet Tefta Tashko Koço

Në datën e lindjes së Tefta Tashko Koços e në këtë 70 vjetor të ndarjes nga jeta, i biri Eno Koço ka zgjedhur ta përkujtoj me dy albume që rrëfejnë jetën e sopranos shqiptare.

Libri me dorëshkrime këngësh të mbledhura nga viti 1936 dhe përmbledhja e albumit fotografik të këngëtares lirike, u prezantuan për publikun në Akademinë e Shkencave.

E veçanta në këto botime ishte edhe letërkëmbimi i Tefta Tashko Koços me artistë të njohur, si dhe dokumentet e shtypit të asaj kohe kur sopranoja kërkohej në skenat evropiane, shkruan VizionPlus. Tefta Tashko u lind më 2 nëntor 1910 ndërsa vdiq më 22 dhjetor 1947./ KultPlus.com