Gazetari De Vries qëllohet në kokë derisa po hulumtonte nëntokën holandeze

Si sulm ndaj gazetarisë dhe sundimit të ligjit e ka cilësuar Mbreti i Holandës tentativë vrasjen e gazetarit hulumtues, Peter de Vries.

Gazetari i njohur është në gjendje kritike, pasi që u qëllua në kokë në rrugët e Amsterdamit.

Mbreti Williem-Alexander e ka cilësuar rastin si sulm të tmerrshëm ndaj vetë demokracisë.

De Vries është i njohur për raportimet e tij rreth nëntokës holandeze.

Policia ka arrestuar dy persona lidhur me sulmin, njëri shtetas holandez dhe tjetri një polak. Ndërkaq i arrestuari i tretë është liruar.

Motivet e sulmit nuk janë bërë të ditura.

Gazetari, 64-vjeçar, për një kohë të gjatë ishte në cak të kriminelëve për të cilët kishte raportuar.

Rasti i tij ka shokuar Holandën dhe ka nxitur pakënaqësi nëpër Evropë, ani pse sulme të tilla janë të rralla në vend.

Në vitet e fundit vrasja e gazetarëve hulumtues në Sllovaki dhe Maltë kishte nxitur shqetësime për sigurinë e gazetarëve në shoqëritë e zhvilluara dhe demokratike. / Koha.net / KultPlus.com