Dea, një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri

Shtatori është muaji i trashëgimisë kulturore.

Muzeu Historik Kombëtar në Shqipëri, në kuadër të këtij muaji, ka publikuar në faqen e tij një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri, transmeton KultPlus.

MHK shprehet se Dea është e ekspozuar që nga 1981 në këtë institucion. “Koka e Apollonit ose e njohur si Dea, një nga kryeveprat e artit antik në Shqipëri gjendet e ekspozuar, që nga viti 1981 në Muzeun Historik Kombëtar.

Mermer, lartësia 50 cm, Butrint, gjysma e parë e shekullit IV p. Kr.”, shkruan muzeu që ka publikuar dhe foton e Deas. Muzeu Historik Kombëtar, i ndodhur në zemër të Tiranës, fton vizitorët, vendas apo të huaj, që kërkojnë të njohin më shumë nga historia e Shqipërisë, që të mos ngurojnë t’i drejtohen dyerve të tij.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. I ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit “Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat e rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. MHK ka disa pavione.

Në pavionin e lashtësisë që është ndër më të pasurit në MHK, janë ekspozuar edhe objekte që i përkasin periudhës së mesjetës së hershme. Objektet e paraqitura në vitrinat e tjera i përkasin periudhës së bronzit dhe asaj të hekurit.

Objekte të tjera me interes janë mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (shek. IV para Kr.), pamja antropomorfe e lumit Vjosa (shek. III-II para Kr.), koka e Artemisës (shek. III para Kr.), portreti i një burri në gur gëlqeror (shek. V pas Kr.) dhe objektet e varrit monumental të Selcës së Poshtme, Pogradec (shek. III para Kr.).

Muzeu Historik Kombëtar me aktivitetin e tij synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. / KultPlus.com

Dashuri e parealizuar

Poezi nga Dea Basha

Nuk bëmë kush e di se çfarë,
Aq sa të tjerët të na përmendin.
Por për ne ishte mjaftueshëm,
Të paktën për mua ishte,
më shumë se ç’do të kërkoja ndonjëherë.
Ne nuk kultivuam romancë të skaduar,
As puthje as prekje nuk dhuruam.
Diçka ndezëm tek njëri-tjetri,
Emocione të veçanta e të nevojshme,
Për secilin njeri që ka sadopak zemër.
Dhe pse ato i merr era,
Fjalët tua s’do t’i harroj ndonjëherë,
Sepse bartur me erën aq sa ikin
Përsëri dikur,
Medoemos tek unë do të kthehen.
Nuk bëmë kush e di se çfarë,
Pak buzëqeshje pikturuam,
në fytyrat ku gdhendej trishtimi,
Dhe kupat mbushëm me pikëla lotësh,
Që rodhën nga puriteti i qenësisë humane.
U njohëm mjaftueshëm në kufizimin e ditëve,
Pa të cilat tani s’do të isha njësoj,
Se ende të brishtit dhe të mirët,
Rrojnë në shtëpitë e tyre,
Të shpërndara mes qytetesh të rindërtuara.
Nuk bëmë kush e di se çfarë,
Për njerëzimin nuk vlejmë të quhemi,
As çift i dashuruar,
As armiq të përbetuar.
Por ama botës diçka,
Paqëllimshëm i dhuruam,
Një histori të pakrahasuar,
Emri i së cilës reflektohet,
Në titullin e poezisë së saposhkruar. / KultPlus.com

Përfundon edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, publikohet lista e fituesëve

Me mbrëmjen tradicionale Gala, të organizuar në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, të premten mbrëma u mbyll me sukses edicioni i Shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air 2019.

Mbrëmja Gala u zhvillua në praninë e Jurisë dhe stafit të DEA OPEN AIR, por pa publik, të cilit ndjekja e ceremonies së ndarjes së çmimeve iu ofrua virtualisht në live stream nëpëpërmjet faqes zyrtare të festivalit dhe adresës në Facebook.

Zhvillimi i këtij edicioni i konfirmoi pritshmëritë tona – u shpreh Edmond Topi, drejtor i DEA OPEN AIR International Film Festival. Programi, – sipas tij,- u mirëprit nga kineastët dhe specialistët e kinemasë, ndërkohë që oferta grarantoi edhe këtë herë një shumëllojshmëri kulturash, stilesh dhe individualitetesh, që imponohen, pavarësisht kushteve të pandemisë.

Për Drejtoren artistike të DEA OPEN AIR International Film Festival, Mirela Oktrova “Mbrëmja e ndarjes së çmimeve – sikurse i gjithë festivali – është një dëshmi rezistence kulturore. Se në kushtet, kur format e tjera të distribuimit të filmit përballen me pamundësinë, festivalet e filmit mbeten alternativa e vetme e konsumit të organizuar të filmit dhe mendimit të specializuar, duke u shndërruar në një modus mbijetese për kinemanë në periudhën kalimtare midis së djeshmes dhe të nesërmes.,- tha Oktrova.

Kupa e parë DEA i takoi Filmit Dokumentar. Në këtë seksion, që programit iu shtua për herë parë këtë vit, 17 filma nga 11 vende të botës. Ofertën filmike në Konkurimin e Filmit Dokumentar e ndoqi Juria e filmit dokumentar, e përbërë nga: Florin Kelmendi, Gazetar, drejtor i programeve kulturore-artistike – Kosovë, Ben Andoni, studjues, përkthyes – Shqipëri, Luljeta Progni, gazetare – Shqipëri.

Në konkurimin e Filmit dokumentar u nominuan:

1. 17 sekonda – Alon Marom – Izrael 2018

2. Kur dimri bëhet verë – Ronald Urbancik – Gjermani 2019

3. Edhe peshqit qajnë – Francesko Kabras&Alberto Molinari – Itali 2019

Çmimi DEA për Filmin më të mirë Dokumentar shkoi për:

17 sekonda – Alon Marom – Izrael 2018

Prania e Filmit të Shkurtër në DEA është pjesë e një traditë të konsoliduar ndër vite – me afro 200 filma të shkurtër, të ofruar në edicionet paraardhëse. Këtë vit në kuadrin e programit të Filmit të Shkurtër u ofruan 22 filma të Shkurtër nga 13 vende evropiane, prodhime të dy viteve të fundit, në fokus të të cilëve u vu një game e gjerë problematikash shoqërore, të trajtuara me angazhim social dhe nivel të admirueshëm artistik Ofertën filmike në Programin dhe Konkurimin e Filmit të Shkurtër, Eksperimental dhe Studentor e ndoqi Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor e përbërë nga: Francesca Olivieri, regjisore dhe skenariste – Itali; Suela Bako, aktore dhe producente – Shqipëri; Lorena Sopi, regjisore dhe producente regjisore – Kosovë.

Në konkurimin e Filmit të Shkurtër u nominuan:

1. Pika hëne – Yoram Ever-Hadani Serbi 2018

2. Merre dhe përfundoje – Kirineos Papadimatos – Greqi 2020

3. Lule blu – Saadi Constantine – Zvicër – 2020

Çmimi DEA për Filmin e Shkurtër më të Mirë shkoi për:

Pika hëne – Yoram Ever-Hadani Serbi 2018

Në Seksionin e Filmit studentor – pjesë e traditës së edicioneve të DEA OPEN AIR, kë vit u ofruan 24 filma nga 10 vende të botës, të cilët u fokusuan tek miqësia dhe të papriturat e jetës, qëndrimi social dhe individual ndaj punës dhe jetës, raporti i talentit me ecmocionin, raporti me vdekjen, komunitetin në lëvizje dhe lufta për ekzistencë.

Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor, nominoi në këtë kategori këta filma:

1. Mërzi – Alica Bednáriková – Sllovaki 2020

2. Dritarja blu e Gurit – Mauro Zaçe – Shqipëri 2020

3. Alisa – Monika Mahútová – Sllovaki 2019

Çmimi DEA për Filmin më të Mirë Studentor shkoi për filmin:

Mërzi – Alica Bednáriková – Sllovaki 2020

Çmimi Special i Medias DEA i vlerëson filmat nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik në formën e sensibilizimit të opinionit publik për çështje të rëndësishme të komunitetit. Juria e Medias ndan ndan tradicionalisht dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë. Filmat konkurues u vlerësuan nga ky këndvështrim nga Juria e medias, e përbërë nga tre gazetarë dhe moderatorë të njohur: Rezear Xhaxhiu, Monika Shoshori Stafa, Jonida Shehu.

Fitues i Çmimit Special të Medias në Konkurimin e Filmit të Shkurtër u shpall:

Roboti do t’ju mbrojë – Nikola Piovesan – Estoni 2018

Fitues i Çmimit Special të Medias në Konkurimin e Filmit të Gjatë u shpall:

Cirku fluturues – Fatos Berisha – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Programi i filmit me metrazh të gjatë përfshiu filma nga Kosova, Gjermania, Rusia, Italia, Bjellorusia dhe Mali i Zi. Konkurimi u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Hazir Haziri aktor, Dekan i Fakultetit të Dekan i Fakulteti të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” – Kosovë; Sehad Çekiç, drejtor menaxhues i Qendrës Kinematografike të Filmit të Malit të Zi; Luis Diogo, skenarist dhe regjisor – Portugali (anëtar); Steffen Hacker, regjisor – Gjermani; Alert Çeloaliaj, Drejtues i Departamentit të Regjisë, Regjisë së Filmit & TV në Universitetin e Arteve – Tiranë.

Për çmimin DEA për Aktoren/Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Tristan Halilaj, Shkumbin Istrefi, Shpëtim Selmani, Afrim Muçaj – Cirku

fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

2. Riccardo Scamarcio – Nuk jam vrasës – Itali 2019

3. Emma Drogunova – Boni&Boni – Gjermani 2019

Fitues u shpallën :

Tristan Halilaj, Shkumbin Istrefi, Shpëtim Selmani, Afrim Muçaj – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Për çmimin DEA për Kamerën më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Rodja Kükenthal – Boni&Boni – Gjermani 2019

2. Ivan Markoviç – Ti ke natën – Mali i Zi 2018

3. Andrey Katorzhenko – Guri, letra gërshëra – Federata ruse 2020

Fitues u shpall: Rodja Kükenthal – Boni&Boni – Gjermani 2019

Për çmimin DEA për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Francesco Caringella, Paolo Rossi, Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

2. Fatos Berisha – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

3. Tatiana Lyutaeva, Galina Kopeliovich – Guri, letra gërshëra – Federata Ruse 2020

Fitues u shpallën:

Francesco Caringella, Paolo Rossi, Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

Për çmimin DEA për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan :

1. Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

2. Fatos Berisha – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

3. Vladimir Zinkevich – Jerm – Bjellorusi 2020

Fituese u shpall:

Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

Për çmimin DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë, u nominuan :

1. Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

2. Nuk jam vrasës – Itali 2019

3. Guri, letra gërshëra – Federata Ruse 2020

Kupa DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë shkoi për filmin:

Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Çmimi Leonard Qëndro për një Karrierë premtuese në Kinematografi shkoi për:

Thaer Ibrahim – Mzzaja – Siri 2020

DEA e MIRËNJOHJES për kontribut të spikatur në fushën e kinemasë, iu akordua regjisorit të shquar shqiptar, Ibrahim Muçaj.

Për të marrë pjesë në seksionet e DEA Open Air International Film Festival 2018 aplikuan rreth mbi 1000 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër nga mbi 70 vende të botës. Edicionin e Shtatë të DEA International Film Festival e mbështeti Bashkia e Tiranës, Universiteti i Arteve, dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, të cilat krijuan atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota.

Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i dhanë aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që aktivitetet e këtij lloji ofrojnë. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’, fitues i tre çmimeve në Dea International Film Festival

Filmi i metrazhit të gjatë ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji të Fatos Berishës është fitues i 3 çmimeve në edicionin e 7 të festivalit Dea Open Air International Film Festival që sapo përfundoi në Tiranë.

Filmi është fitues i çmimit kryesor ‘Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë’, si dhe çmimin për aktorin/aktoren më të mirë që shkon për grupin e aktorëve: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Mucaj dhe Shpëtim Selmani.

Poashtu, filmi mori edhe çmimin e Jurisë së Medias.‘Cirku Fluturues’ është bashkë prodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veirut, me producente Vjosa Berisha dhe premirën botërore e kishte në Tallinn Film Festival në Estoni, në nëntor 2019.

Këto çmime në Shqipëri vijnë menjëherë pas çmimit ‘Best International Film Grand Prix du Jury’ që filmi mori në War on Screen International Film Festival në Francë. / KultPlus.com

Sonte Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘Dea Open Air’ shënon natën e fundit

Ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air” kanë vijuar me sukses në projektimin e filmave të huaj, sipas programit të festivalit. Nga moti i paqëndrueshëm projektimi i filmave është zhvendosur nga mjediset e Amfiteatrit të Universitetit të Arteve në sallën e UA.

Ndërsa ka vijuar konkurrimi në kategoritë: Filmi me Metrazh të gjatë ku morën pjesë filma nga Kosova, Gjermania, Italia, Bjellorusia, Rusia dhe Mal i Zi; Filmi i Shkurtër me 22 filma nga 13 vende të botës, dhe Filmi Studentor ku kanë marrë pjesë 24 filma nga 10 vende të botës.

Filmat më të ndjekur kanë qenë ata të konkurimit kryesor, programi i filmit me metrazh të gjatë, ku deri tani janë shfaqur këto filma: Cirku fluturues, me regji të Fatos Berishës, Kosovë 2019; Boneie & Bonnie me regji të Ali Hakim, Gjermani 2019; “Jerm” me regji të Vladimir Zinkevich, Bjellorusi, 2020; “Nuk jam vrasës”, me regji të Andrea Zaçariello, Itali, 2019.

Sonte është mbrëmja e fundit e festivalit që mbyllet:

-Në konkurrimin kryesor me këta filma me metrazh të gjatë: “Guri, gërshëra dhe letra”, me regji të Tatiana Lyutaeva, Rusi dhe filmin “Ti e ke natën”, me regji të Ivan Slatic, Mal i Zi, 2018;

-Në programin e filmit studentor: Djali i gështenjtë – Agata Bolansova – Sllovaki, 2019; Trashëgimi – Daniel Kazankov – Sllovaki 2019 –21 Minuta; Në kërkim të gjurmës së elefantit – Katarína Jonisová – Sllovaki 2019 – 13 Minuta; Mëngjesi im është darka juaj – Petra Pantyi – Hungari 2020 – 19 Minuta; Mund të zbrisni që atje – Kateřina Hroníková –Sllovaki 2019 – 21 Minuta.

-Në programin e filmit të shkurtër: Rivirgjërim – Elena Beatrice &Daniele Lince –Shqipëri&Itali 2018 – 8 Minuta; Candela – Gabriel Carrasco – Spanjë 2019 – 21 Minuta; Roboti do të të mbrojë – Nicola Piovesan – Estoni 2018 – 10 Minuta; Ndal autobusin – David Trujillo – Francë 2020 – 15 Minuta; Haëaii – Jordi Capdevila – Spanjë 2019 – 20 Minuta; Toka thërret Anën – Fernando Bonelli – Spain 2019 – 20 Minuta.

Juritë kanë vazhduar punën e tyre online. Sot në mbrëmjë deri nesër do të konkludojnë me vendimet e tyre, që do bëhen publike nesër në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve.

Nesër, sipas programit, do të organizohet Nata Gala ndarjes së Çmimeve të edicionit të Shtatë të DEA OPEN AIR. Për arsye të intensifikimit të masave mbrojtëse të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadrin e pandemisë, organizatorët e festivalit bëjnë me dije, se mbrëmja gala, e planifikuar të organizohej në natyrë të hapur, në kushtet e motit të paqëndrueshëm do të zhvillohet brenda në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, PA PUBLIK. Nga autorët, kineastët, të pasionuarit e kinemasë dhe miqtë e DEAs, ajo do të ofrohet life stream në Website-n e festivalit (deafilmfest.al) dhe në adresën e festivalit në facebook (Dea Film Festival)

Tre produksione te Filmit me Metrazh te Gjate që janë shfaqur në tre mbrëmjet e festivalit ndërkombëtar “Dea Open Air”, në sallen e Universitetit të Arteve.

Bonnie & Bonnie – Ali Hakim – Gjermani 2019

Mbrëmja e dytë e festivalit të filmit “Dea Open Air” ka vazhduar me produksionin e regjisorit afgan Ali Hakim, i cili vitin që shkoi ka pasur deputimin e filmit me metrazh të gjatë “Bonnie & Bonnie” në rrethin e Hamburgut në Wilhelmsburg. Regjisori është rritur në këtë zonë dhe ende jeton atje, dhe ky fakt tregon qartë pse emir i tij mban këtë projekt. Kritika është tërhequr pas mënyrës se ai ka sjellë atmosferën e veçantë të ishullit të Elbës, si më mbresëlënësja, ku ka vendosur historinë e tij të dy vajzave të reja që luftojnë për dashurinë e tyre të ndaluar.

17-vjeçarja Yara (Emma Drogunova) pëlqen të kërcejë dhe të bredhë nëpër Ëilhelmsburg me miqtë e saj, dhe shpesh këto sekuenca jete i filmon dhe poston në internet. Në njërën ditë të kësaj atmosfere argëtuese, Jara takon Kikin, më e madhe në moshë, dhe magjepset mënjëherë pas saj. Gradualisht mes tyre nis një marrëdhënie dashurie, por që nuk mund të lejohet. Duke qenë se Jara vjen nga familje shqiptare, emigrant, homoseksualiteti është një tabu, e papranueshme. Në rolin e babait të Jarës është aktori shqiptar Kasem Hoxha, dhe “familja” e tij është me aktorë gjermanë, konkretisht vëllai i Jarës, Bekimi zbulon sekretin e saj. Në këtë histori të palejuar ato të dyja marrin vendimin të largohen.

Ka një ngjarje me titullin e filmit ku “Bonnie & Bonnie” është një kujtesë për çiftin criminal me famë botërore Bonnie dhe Clyde, ku në këtë rast Hakim nuk jep një baladë gangsterësh, pavarësisht nga e kaluara kriminale e Kikit, por një dramë dashurie.

Dy të rejat janë poetike, pas puthjes së parë ato ëndërrojnë të ikin së bashku në Francë. Kjo është në kontrast me realitetin e zymtë, ku Jara punon në një supermarket si shitëse, dhe Kiki si bariste në një bar sportive në përpjekje të përditshme të burrave që e provokojnë në mënyrë të vazhdueshme.

Nga ana tjetër jepet një familje emigrantësh shqiptare, që përplasen me problemet e përditshmërisë për të siguruar jetën, dhe problemet që vijnë në familje. Babai i Jarës është i rreptë, fanatik dhe kërkon ta martojë vajzën me një 17 vjeçar, bashkëatdhetar, ndërsa vëllai i madh, Bekimi del në çdo moment në mbrotje të nderit të motrës, deri në përdorimin e dhunës ndaj saj.

Vajzat megjithë rezistencën e tyre, nuk mund të jetojnë më në qytet, duke u arratisur në Francë, por në fund Kiki qëllohet nga policia. Fama e dy vajzave pasi kryejnë disa vjedhje përhapet me shpejtësi në internet si dikur legjenda amerikane duke u vetquajtur “Bonnie & Bonnie”

Jerm – Vladimir Zinkeviçh – Bjellorusi 2020

“Spice boyz” produksion i 2020, me regji të Vladimir Zinkeviçh sjell kinemanë bjelloruse në Tiranë, në mbrëmjen e tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea Open Air”.

Vasja kthehet në vendlindje për dasmën e shoqes së saj të shkollës Inës. Dhëndri së bashku me dy miqtë e tij organizojnë mbrëmjen e beqarisë, në mënyrë të paplanifikuar, duke marrë një shtëpi të posaçme me qera. Filmi është e bazuar në një ngjarje të vërtetë, ndodhur në vitin 2014 në qytetin e Gomel.

Spice Boyz është një film i tmerrshëm, gazmor por edhe i trishtuar duke mësuar se si zgjedhjet e gabuara në të vërtetë mund të të hedhin në humnerë gjithë jetën. Filmi nis me ushtarët që patrullojnë rrugët por papritur ata marrin një njoftim në radio se diku është një i ri, pothuaj i çmendur që shëtit lakuriq rrugëve…Rikthehen ngjarjet tek vajzat, planet e përgatitjes për dasmën e Inës, dhe djemtë në kërkim të vendit të përshtatshëm për të organizuar dasmën. Por, e gjitha shumë shpejt degradon. Djemtë në mbrëmjen e beqarisë marrin në mungesë të hashashit, erëza – shumë më të forta që shkaktojnë problem të rënda me shëndetin, fizik e mendor.

Në këtë mbrëmje gjithçka përmbyset. Ëndrrat dhe besimet e të rinjve. Edhe pse regjisori kujdeset për këta personazhë ata pashmangshmërisht shkojnë drejt ferrit të tyre.

Erëzat krijojnë efektin e fortë të çmendurisë, pothuaj sureale gjithçka. Duke çuar në fatalitetin ëndrrën, mbrëmjen e dasmës, miqësinë. Të rinjtë degradojnë, në vrasës.

Është një film i dhimbshëm që adreson shqetësimet e kohës, se çfarë drogërat shkaktojnë tek të rinjtë duke i shmangur nga fatet e tyre, duke mbyllur jetën kaq tragjikisht.

Nuk jam vrasës – Andrea Zçariello – Itali 2019

Në mbrëmjen e katërt të festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea Open Air” produksioni Italian, i vitit 2019, “Unë nuk jam një vrasës” nga Andrea Zaçariello na zhyt në një histori të errët të botës së mafias. Hisotria është bazuar në romanin me të njëjtin titull të Francesco Caringella, një histori e errët, por që mban vëmendjen e shikuesve qysh në skenat e para, duke na çuar në një fund aspak të qartë.

Tre miq në rolet kryesore (Alessio Boni, Edoardo Pesce dhe Claudia Gerini) dhe një histori misterioze. Ngjarja krijon akrobaci kohore, duke na tërhequr drejt sfondit psikologjik të tre protagonistëve meshkuj, nisur në një kohë me shi e gri. Tre miqtë janë rritur bashkë, duke i ndjekur në film në faza të ndryshme të jetës: si fëmijë, pastaj të rritur, në paralele të vazhdueshme. Të bërë bashkë nga pasioni për ligjin, ata janë edhe nën ndikimin e personalitetit të njëri tjetrit, që mbajnë mes tyre një pakt të heshtur, që është vulosur diku, një zarf që mbahet në një kuti, në një kopje të vetme, dhe me një çelës.

Rrugët profesionale janë të ndryshme, por të afërta me njëra-tjetrën: Francesco Prencipe bëhet zëvendës komisar policie dhe punon shumë afër, mikut të tij, Giovanni Mastropaolo që është gjyqtar, ndërsa Giorgio, i cili është bërë avokat, ndjek zbeht hapat e babait të tij, i mjegulluar nga alkooli dhe nga një dashuri asnjëherë e ndërsjellë.

Një natë gjykatësi Mastropaolo telefonon mikun e tij Francesco i cili nxiton në një udhëtim vajtje-ardhje katër orëshe për ta takuar atë për vetëm disa minuta. Por çfarë ka ndodhur, çfarë i thanë njëri-tjetrit nuk dihet; e vetmja gjë e sigurt është që gjyqtari gjendet i vdekur dhe në vendin e ngjarjes janë vetëm gjurmët e shokut të tij që bëhet i dyshuari kryesor për vrasjen. A është ai vrasësi?! Ai e deklaron veten të pafajshëm dhe i beson mbrojtjen e tij Giorgio. I gjithë sistemi akuzues është kundër ish-zëvendës komisarit, që goditet pa mëshirë nga kolegu i tij, por dhe një grua prokurore. Polici arrestohet në fund. Ndërsa prêt gjyqin final, e kaluara ngacmohet nga buburrecat e qelisë, që ecin të vetmuara, duke na dhënë një simbolikë se si ngatërrohen e përzihen gënjeshtrat dhe paqartësisë në një process hetimi.

Oficeri i policisë përsërit vazhdimisht: Unë nuk jam vrasës. Në lojën e të dhënave të rreme, dhe provave të munguara lindin dyshime për errësirën morale të jetës së policit, pyetje se çfarë është

ndërgjegja personale, si mund të jetojë në kufi të së mirës dhe së keqës, për aftësinë për të ruajtur ekzistencën e tij, duke kamufluar fakte false, autentike.

“Unë nuk jam një vrasës” është fjalia mbyllëse e Francescos në sallën e gjyqit, me një zë të qetë, ton bindës. Si duket regjisori me vetëdije zhvendos besueshmërinë, e cila shpesh kushtëzohet dhe manipulohet, ku krahasimi midis së vërtetës dhe arsyes ligjore ndonjëherë i bën gjykimet aq të errëta sa dyshimi. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’ hap Festivalin ‘Dea’, Berisha: Kultura s’ka vëmendjen e shtetit

Festivali i Filmit Ndërkombëtar “Dea open air” çeli siparin me “Cirkun fluturues” të regjisorit Fatos Berisha nga Kosova tek Amfiteatri i Arteve.

Filmi trajton vështirësitë me të cilat është përballur teatri në Kosovë gjatë luftës, për shkak të masave serbe mbi institucionet e kulturës. Vjen edhe si një homazh për artistët Adriana Abdullahu dhe Vangjush Furrxhi, duke mos përjashtuar neglizhencën e shtetit sot ndaj kulturës.

“Ngjarja e këtij filmi ndodh në vitet ‘90, por disa gjëra s’kanë ndryshuar. Arti edhe kultura, teatri dhe filmi, s’janë në gjendjen më të mirë. Kemi ecur si shoqëri në Kosovë dhe në Shqipëri, por vëmendja e shteteve tona nuk është në nivel të duhet për kulturën. Politikanët tanë krenohen me ne kur ne bëjmë suksese ndërkombëtare. Por vetëm kaq. Filmi vjen si një homazh në realitet për artisten Adriana Abdullahu, e vrarë gjatë luftës së Kosovë edhe Vangjush Furrxhiut, i cili asokohe na ka ndihmuar. Kemi qenë në një udhëtim me shokët, që jepnin një shfaqje në Tiranë, dhe Furrxhi na ka trajtuar si fëmihët e tij. Ndërsa, Romir Zalla luan në film me rrobat e vërteta të Furrxhiut”, shprehet Fatos Berisha.

Edhe pse teatrot në Kosovë janë hapur prej dhjetë ditësh, aktori Afrim Muçaj pas tetë muajsh izolim për shkak të pandemisë Covid 19,  paralelizon situatën ku gjenden artistët shqiptarë sot, me atë të periudhës së luftës

“Në Kosovë ka dhjetë ditë që janë hap teatrot edhe kinematë. Unë kam luajtur shfaqjen e parë para një jave në Prishtinë, pas tetë muajve karantinimi. Ne e kemi shumë të afërt luftën e Kosovës, para 20 viteve edhe kemi nis të bëjmë pyetjen që dikur thoshim: Ku ke qenë pas lufte, themi se ku ke qenë pas pandemie? Në aspektin artistik është njësoj siç ka qenë lufta edhe pandemia e vështirë”, shprehet aktori Afrim Muçaj.

Në edicionin e shtatë të Festivalit Dea Open Air do të prezantohen 68 filma artistikë me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë. /shqiptarja/ KultPlus.com