Kandidati republikan për president, Donald Trump, propozoi që të debatojë me zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris në Fox News më 4 shtator, por fushata e Harris u kundërpërgjigj se Trumpi po përpiqej të tërhiqej nga një debat që tashmë ishte caktuar të transmetohej në ABC.
Rregullat do të ishin të ngjashme me debatin e parë me presidentin Joe Biden, i cili që atëherë ka hequr dorë nga oferta e tij për rizgjedhje, tha Trump në një postim në Truth Social vonë të premten. Por këtë herë do të kishte një “audiencë të plotë në arenë” dhe do të zhvillohej në shtetin e fushëbetejës së Pensilvanisë, tha Trump.
Trump dhe Biden kishin rënë dakord për një debat të dytë më 10 shtator në ABC News, për të cilin ish-presidenti kishte sugjeruar që të zhvendosej në Fox, rrjeti më i njohur me ndjekësit e tij, transmeton Klankosova.tv.
Harris e cila të premten siguroi votat e delegatëve të nevojshëm për të siguruar nominimin e Demokratëve në zgjedhjet e 5 nëntorit, tha të shtunën se planifikon të marrë pjesë në debatin e planifikuar fillimisht, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Harris, e cila të premten siguroi votat e delegatëve të nevojshëm për të siguruar nominimin e Demokratëve për zgjedhjet e 5 nëntorit, tha të shtunën se ka në plan të marrë pjesë në debatin e planifikuar fillimisht.
“Është interesante se si ‘çdo kohë, çdo vend’ bëhet ‘një kohë specifike, një hapësirë specifike e sigurt’,” shkroi ajo në platformën e mediave sociale X. “Unë do të jem atje më 10 shtator, siç ka rënë dakord ai. Shpresoj për ta parë atë atje”.
Zëdhënësi i Harris, Michael Tyler tha se Trump ishte “duke vrapuar i frikësuar” dhe se fushata e saj ishte e lumtur të diskutonte debate të mëtejshme pas atij të 10 shtatorit, për të cilat “të dyja fushatat tashmë kanë rënë dakord”.
Të shtunën, Trump tha në Truth Social se Harris “ka frikë ta bëjë këtë” dhe se do ta shohë atë më 4 shtator, “ose nuk do ta shoh fare”.
Të dy kandidatët kanë kapërcyer vendin në mënyrë agresive, me Trumpin duke provuar linja të reja sulmi kundër Harrisit, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv
PEN Qendra e Kosovës po vazhdon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin më të ri me titull “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, për të shënuar kështu mbrëmjen e nëntë me radhë në kuadër të këtyre mbrëmjeve që shtëpinë po e gjejnë në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, ku edhe u mbajt një tjetër diskutim i radhës që kësaj here çoi diskutimin mes panelistëve dhe të pranishmëve në një nivel tjetër, shkruan KultPlus.
Siç jemi mësuar tashmë të presim orën 17:00, edhe sonte erdhi në pah rëndësia e veçantë e mjaft aktuale e temës të titulluar “Letërsia në kohë krizash”, temë kjo që tash e sa kohë po konsiderohet se është duke ndodhur në shoqërinë tonë e që në fakt është kthyer në një normalitet. Shkrimtarë, artdashës e letrarë të rinj, patën rastin të dëgjojnë nga afër dy perspektiva mjaft të ndryshme por që në thelb trajtonin aspekte kyçe të temës së paraparë.
Ishin shkrimtari Milazim Krasniqi dhe shkrimtari Gëzim Aliu,të cilët ishin të ftuar për të hyrë në thellësitë e temës e për të folur nga ana e tyre gjerë e gjatë. Nën moderimin e Ibrahim Berishës, bisedimet paraprake mes tyre veçse kishin filluar, për të vazhduar kështu deri në një prezantim ku të dy nga ta parashtruan arsyet e ndryshme prej të cilave letërsia gjendet në këtë krizë nga e cila është kapluar.
“Letërsia në kohë krizash”, temë kjo që kësaj here arriti që të krijojë një debat më të gjallë, është një temë që prek një aktualitet që ka tash e sa kohë që po qëndron në neutralitet për arsye se është normalizuar. Është konsideruar se letërsia e mirëfilltë artistike shqipe fillon diku në vitet njëzet të shekullit të kaluar, pra, pak a shumë, është një letërsi artistike njëshekullore. Pra, nga ky shekull, 45 vjet janë kultivim i një letërsie përgjithësisht në shërbim të një regjimi diktatorial ku kjo periudhë konsiderohet se nuk duhet të shmanget, të mohohet, të demonizohet, por të studiohet në mënyrë shkencore, sepse nuk është vetëm periudhë letrare, por edhe periudhë historike e kulturore, ekonomike, politike e sociale e popullit shqiptar.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Ibrahim Berisha, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur pak për temën e duke theksuar se kriza gjithmonë do të jetë e pranishme në shoqërinë tonë.
“Kjo është tema e parafundit që kemi paraparë për këtë projekt. Vetë nocionet janë shumë të gjera por trajtohet konteksti estetik dhe social. Përgjigjet qe do të vinë nga diskutimet besoj se do të na sqarojnë më shumë se çfarë shkaktojnë këto kriza në letërsi. Shoqëria jonë jemi gjithmonë shoqëri e luftës dhe gati çdo herë jemi në njëfarë lloj të krizës. Prandaj, kriza është gjithmonë e pranishme”, thotë Berisha.
Në këtë ngjarje për të diskutuar më gjerë rreth krizave të vazhdueshme që po shkaktojnë deformime të rënda në zhvillimet sociale, ekonomike, politike si dhe kulturore, foli shkrimtari Gëzim Aliu.
“Krizat janë normalitet në hapësirat tona. Stabilitetet, në të gjitha fushat e jetës, kanë qenë të rralla, jetëshkurtra, lehtësisht të thyeshme. Krizat e vazhdueshme shkaktojnë deformime të rënda në zhvillimet sociale, ekonomike, politike, sigurisht edhe kulturore. Gërshetimi i robërive dhe fukarallëkut, ka prodhuar shumë maskarallëk dhe maskarada. Meqë krizat fatkeqësisht janë bërë normalitet, nuk është aq e lehtë të vërehen keqzhvillimet në shoqërinë tonë, sado që kujtojmë se është e lehtë. Po, sepse ende jemi në një krizë, por sigurisht shumë më pak të rëndë se të mëhershmet. Është kriza e tranzicionit, e shndërruar në rrethrrotullim me përparim të ngadalshëm drejt daljes”, thotë Aliu.
Sipas tij, letërsia e mirëfilltë artistike shqipe fillon diku në vitet njëzet të shekullit të kaluar, pra, pak a shumë, është një letërsi artistike njëshekullore. Nga ky shekull, 45 vjet janë kultivim i një letërsie përgjithësisht në shërbim të një regjimi diktatorial ku kjo periudhë konsiderohet se nuk duhet të shmanget, të mohohet, të demonizohet, por të studiohet në mënyrë shkencore, sepse nuk është vetëm periudhë letrare, por edhe periudhë historike e kulturore, ekonomike, politike e sociale e popullit shqiptar.
“Mirëpo, puna krijuese letrare e shkrimtarëve shqiptarë, kështu pra edhe arritja e plotë, e dëshiruar, e baraspeshës së sipërpërmendur, ndërpritet dhunshëm nga Lufta e Dytë Botërore e pastaj nga imponimi i doktrinës së realizmit socialist. Zhvillimi i mëtutjeshëm i letërsisë shqipe duhej t’u nënshtrohej qëllimeve të propagandës komuniste. Letërsia pra thjesht bëhet mjet i propagandës së regjimit diktatorial. Pasojë e kësaj politike: pak libra të shkruar e të botuar në atë periudhë, kanë tipare tejkohore artistike, pra edhe vlerë estetike, por mund të jenë lëndë interesante për studime të ndryshme, jo vetëm letrare. Në Kosovën nën Titon, ndonëse nuk ishte imponuar metoda e realizmit socialist, pra shkrimtarët mund të mos e zbatonin, presioni i regjimit komunist jugosllav kishte ndikuar në brendësinë e letërsisë, që përgjithësisht del politike e ideologjike. Pra, është letërsi me funksion. Derisa në Shqipëri kishte funksion (rol) nacional-komunist të shpërndarjes të së “vërtetës historike” të komunizmit dhe krijimin e “njeriut të ri”, në Kosovë, letërsia e kishte funksion (rol) ruajtjen e esencës kombëtare shqiptare dhe çlirimin nga sundimi sllav”, thotë ai.
Për Aliun, deri në rënien e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, letërsia shqipe nuk arrin ta krijojë, e aq më pak ta anojë, baraspeshën mes ideologjisë, angazhimeve e detyrave kontekstuale dhe ligjësive të veta estetike, artistike.
“Populli shqiptar është futur në shekullin e njëzetë pa qenë në gjendje të shkruajë e të lexojë. Mbi nëntëdhjetë për qind e njerëzve nuk kanë ditur shkrim e lexim. Kjo mjeshtëri e panjohur zotërohej në nivel të lartë vetëm nga pak njerëz. Gjyshërit e stërgjyshërit tanë, me ndonjë përjashtim të rrallë, kanë qenë analfabetë. Shumica nga ne i mbajmë mend gjyshërit tanë, edhe nga ana e babës, edhe nga ana e nënës. Besa, nderi, mikpritja etj., kanë qenë virtytet e gjyshërve tanë. Po ashtu, edhe gjakmarrja, “virtyt” kanunor edhe ky. Dhe, deri diku, këto virtyte na shquajnë edhe sot e kësaj dite”, thotë Aliu.
Krejt në fund ai theksoi se këtu te ne ndodh që shumë nxënës të papërgatitur për shkollim superior, shpesh gjysmanalfabetë e analfabetë funksionalë, duke mos gjetur punë dhe mundësi për ta realizuar veten, në mënyrë që t’i shtyjnë edhe nja tri apo katër vjet të jetës së tyre rinore, regjistrohen fare lehtë nëpër universitetet e shumta dhe madje nganjëherë edhe arrijnë të doktorojnë.
Ndërsa, shkrimtari Milazim Krasniqi foli rreth gjendjes së rënduar që krijohet nga interneti e që ndikon në statusin e krizës së letërsisë.
“Kriza e statusit të letërsisë ka të bëjë me mënyrën se si ajo mësohet në shkolla, për ç’gjë trajtimin më esencial deri sot e ka bërë Cvetan Todorovi, në trajtesën e tij me titull, “Letërsia në rrezik.” Todorovi konstaton se: “në shkollë nuk mësohet se për çfarë flasin veprat, po për çfarë flasin kritikët.” Pra, në shkolla vëmendja e nxënësve përqendrohet te shkenca për letërsinë e jo te letërsia, përqendrohet te kritika e jo te vetë vepra letrare. Si pasojë e kësaj, brezat e ri nuk marrin edukim estetik fisnikërues nga veprat letrare, po marrin disa koncepte e skema artibrare të vlerësimit të letërsisë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, këtë gjendje tashmë e ka bërë edhe më të rënduar, mbase edhe të pashpresë, përhapja e internetit, oferta e madhe e rrjeteve sociale dhe e medieve të reja. Pra, konsiderohet se jo vetëm brezat e rinj, po edhe të vjetrit tashmë janë të obsesionuar me komunikimin në rrjete sociale e në mediet e reja, i cili ofron mundësi të komunimimit të shpejtë, të thjeshtë, të shkujdesur, moskokëçarës për aspektet estetike të përjetimit e të komunikimit.
“Shkrimtari shqiptar në Kosovë, të vetmen shpresë mund ta ketë që vepra e tij ta presë një kohë kur mund të vlerësohet, ndërsa vetë shkrimtari shqiptar i këtij vendi, në shtetin e vet që në të njëjtën kohë është i mbikëqyrur dhe i pavarur, nuk e ka asnjë shans ta presë një kohë të atillë. Ne, shkrimtarët shqiptarë të Kosovës nga mosha pesëdhejtë vjeç e lart, nuk jemi brez i humbur. Ne jemi brez i izoluar nga prezenca ndërkombëtare, së cilës i ka interesuar dhe I intereson deshqiptarizimi kulturor i Kosovës, në favor të multietnicitetit, multikulturalizmit, neokolonializmit. Dhe ajo që dhemb edhe më shumë, ne jemi brez i injoruar nga institucionet tona, të cilat sikur e kanë një paison hakmarrës ndaj shkrimtarëve, për rolin esencial që kanë pasur në formulimin e projektit të pavarësisë së Kosovës. U është dukur se mënyra më e mirë e fshehjes së atyre meritave të shkrimtarëve, ka qenë injorimi i shkrimtarëve dhe i letërsisë. Deri sot, kanë pasur sukses”, përfundon Krasniqi.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dyja palët, bisedua u zgjerua edhe më shumë atëherë kur publiku u ftua për t’iu bashkangjitur diskutimit tutje me mendime e pyetje që u shqyrtuan e u diskutuan nën atmosferën plotësisht të qetë e të ngrohtë që u krijua mes tyre.
Projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” është duke u mbajtur deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, janë trajtuar temat si: “Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi”, “Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri”, “Leximi dhe Biblioteka”, “Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë”, “Komunikimi ndërkulturor”, “Gjuha e shkrimit letrar sot”, “Letërsia dhe teknologjia”, “Letërsia e gruas” dhe “Letërsia në kohë krizash”.
Ndërkaq, këtë të enjte do të mbahet mbrëmja e fundit letrare dhe kulturore e paraparë në kuadër të projektit “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, me ç’rast do të diskutohet për temën me titull “Letërsia e përkthyer”.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Me qëllim të afirmimit të vlerave historike dhe kulturore të Kosovës dhe prezantimin e tyre tek populli slloven, Shoqata e miqësisë shqiptaro sllovene Dardania në bashkëpunim me bibliotekën “Prežihov Voranc” të qytetit të Lubjanës, kohë më parë, organizoi mbrëmje kulturore në të cilën u debatua për veprën historike “Kosova” të autorit Jusuf Buxhovi, të përkthyer në gjuhën angleze.
Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin figura të shquara të shkencës dhe artit si: historian, gjuhëtarë, gazetarë, hulumtues shkencor, student dhe dashamirë të librit.
Për vlerave shkencore dhe historike të librit “Kosova” foli albanologu i shquar slloven Drago Flis, mik dhe punëtor i palodhur i çështjes shqiptare. Ai theksoi se vepra “Kosova” vije në arenën ndërkombëtare pas një pritje të gjatë, që nga vepra e Noel Malcolm-it, dhe se autori Jusuf Buxhovi ka merita të mëdha në sjelljen e së vërtetës për Kosovën dhe historinë e saj nga lashtësia deri tek pavarësia e saj. Gjatë shtjellimit të prejardhjes së shqiptarëve dhe ilirëve mbrojti me këmbëngulje tezën Iliro-Pellazge të autorit dhe në mënyrë kronologjike e të thjeshtë e sqaroi para të pranishmëve. Një vend të rëndësishëm në fjalën e albanologut Flis zuri edhe gjuha shqipe si pasardhëse e gjuhës ilire për të cilën tha se është shumë me rendësi të studiohet për faktin se ajo është një gjuhë shumë e lashtë dhe se përmes saj mund të hulumtojmë më shumë antikitetin.
Të pranishmit ishin shumë kureshtar për të bërë pyetje nga më të ndryshmet. Në pyetjen se përse në Slloveni nuk kemi fare informacion për Ilirët, albanologu Drago Flis u përgjigj, se sllovenet nuk dëshirojnë ta pranojnë faktin se dikur në këto troje ka jetuar dikush tjetër pra Ilirët, këtë lloj injorimi dhe mos pranimi të fakteve e shohim nga librat shkollorë e deri tek ata akademik, po ashtu nënçmimi i shqiptarëve në Slloveni vjen si pasojë e kësaj mosnjohje apo refuzimi të njohjes. Iniciativën e shoqatës për të promovuar vlerën e lashtë kulturore dhe historike dardane të popullit të Kosovës nëpërmes fakteve të sjella nga libri “Kosova”, duhet admiruar dhe çmuar dhe duhet të jetë shembull për të tjerët, se si përmes veprave të tilla afirmohet dhe ruhet identiteti kombëtar në një vend evropian.
Në fjalën përshëndetëse të saj, drejtoresha e bibliotekës së qytetit të Lubjanës Barbara Marinčič falënderoi shoqatën Dardania për bashkëpunim, prezantim të librit dhe dhurimin e tij lexuesve slloven për tu informuar më shumë mbi historinë, kulturën dhe lashtësinë e popullit të Kosovës, për të cilin siç tha ajo »gjeneratat e reja në Slloveni dinë shumë pak«. Një falënderim të veçantë ia dedikoi autorit të librit i cili me punën e tij hulumtuese dhe shkencore ka arritur që të shkruaj një vepër të tillë.
Në fund të mbrëmjes kulturore, kryetari i shoqatës së miqësisë shqiptaro–sllovene Dardania dr. Agron Millaku, në emër të shoqatës dhe autorit të librit dhuroi disa komplete librash për bibliotekat e qytetit të Lubjanës, qytetit të Koprit dhe Mariborit, si dhe për disa biblioteka Universitare.
Prej bibliotekave të qytetit të Lubjanës që pranuan librin ishin bibliotekat: Prežihov Voranc, Otona Župančiča, Bežigrad, Jožeta Mazovca, Šiška dhe biblioteka Slovanska. Nga ato universitare që pranuan librin ishin biblioteka e fakultetit filozofik katedra për histori, biblioteka kombëtare Universitare (NUK), biblioteka e Institutit për arkeologji ( SAZU).
Në shenjë falënderimi për përkrahjen shumëvjeçare në çështjen shqiptare dhe afirmimin e shtetit të Kosovës, libri më herët iu kishte dhuruar edhe disa personaliteteve të shquara sllovene si: kryetarit të Partisë Demokratike të Sllovenisë Janez Janša, ish eurodeputetit slloven Jelko Kacin, Dr. Franc Križnar muzikolog, Dr. Marjeta Šašel Kos arkeologe, Dr. Salvator Žitko kryetar i shoqatës së historianëve të jugut të Primorskës. / KultPlus.com
Në KultPlus Caffe Gallery organizohet sot një debat mbi racizmin dhe kryqëzimin e figurave publike në rrjete sociale.
Në këtë debat, panelistë do të jetë aktorja e njohur kosovare Adriana Matoshi dhe psikologu i njohur Fitim Uka.
Kjo mbrëmje do të moderohet nga aktorja e njohur Aurita Agushi.
Për shkak të zhvillimeve të fundit si pasojë e pandemisë dhe masave që priten të merren nga Qeveria e Kosovës, debati do të mbahet në ora 15:00 në KultPlus Caffe Gallery.
Ky event është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.
Për shkak të Pandemisë, ata që do të vijnë të parët do të kenë mundësi të ndjekin nga afër këtë debat. / KultPlus.com
Diskutimet janë gjithmonë të dobishme për një shoqëri, aq më tepër kur ato bëhen për kulturën, fushën që e përmbush shoqërinë.
Dhe duke parë nevojën e madhe për të pasur debate të tilla me theks të veçantë tek zhvillimet kulturore, KultPlusi, mediumi që i kushtohet tërësisht kulturës dhe zhvillimeve të saj ka nisur kampanjën e diskutimeve me figurat e rëndësishme të shoqërisë kosovare, në të cilat shprehen kërkesat, idetë e ndryshme drejt progresit kulturor.
Sonte në ambientet e KultPlus Caffe Gallery që tashmë është shndërruar në një fole të artistëve shqiptarë, u mbajt bashkëbisedimi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe bashkëpuntorët e tij Yll Rugovën dhe Saranda Bogujevcin.
Albin Kurti si një nga figurat më të rëndësishme të politikës kosovare, diskutoi me publikun që në masën më të madhe përbëhej nga njerëz të sferës së artit, për problematikat në këtë fushë aq të rëndësishme për shtetin, ku ndër të tjera u përfol reduktimi i ministrive që është supozuar se mund ta prek Ministrinë e Kulturës, e cila veç tjerash është thënë se mund t’i shkojë komuniteteve pakicë në Kosovë, madje edhe të largohet fare nga plani qeverisës.
Në kuadër të këtij debati, veç problemve dhe aspiratave, u diskutuan për preokupimet e komunitetit artistik.
Bashkëbisedimi u zhvillua mbi kulturën specifikisht si dhe trajtimin që kësaj të fundit ia ka bërë e do t’ia bëjë në të ardhmen spektri politik. Fokusi ishte tek programet konkrete të subjekteve politike kosovare si dhe serioziteti i tyre me komunitetin artistik.
Redaktori i KultPlusit Arbër Selmani në fillim të kësaj ngjarjeje e vëri theksin fillimisht tek formimi intelektual i Kurtit dhe lidhja me kulturën gjatë rrugëtimit të tij, qysh si prijës i protestave e deri tek shndërrimi i tij në figurë kyçe të sferës politike kosovare.
“Jam i nderuar dhe gëzuar që ndodhem në mesin tuaj sonte, dhe që do të bashkëbisedojmë hapur për këtë temë kaq të rëndësishme e cila është brenda jetës së secilit prej nesh dhe brenda jetës dhe formimit tim”, e nisi Kurti diskutimin, duke vazhduar:
“Një autor thotë se është një dallim interesant midis shkencës dhe artit, dhe secili i tyre është i diskutueshëm. Shkenca është konkluzion nëpërmes premisave, ndërkaq arti është konkluzion pa premisa”.
“Në formimin tim jetësor, unë jam marrë shumë me shkençë në fillimin e mesëm dhe universitar, por sa më afër politikës aq më afër artit dhe kulturës, një lloj kalimi prej konkluzioneve nëpërmjet premisave që është më afër logjikës, te konkluzionet pa premisa që është më afër estetikës dhe ky është një ndër dimensionet më të rëndësishëm të rrugëtimit tim jetësor dhe profesional”, ka potencuar Kurti.
Tutje ai tha se arti është realitet dhe se të gjithë do të duhej të kenë qasje në të.
“Arti është realitet, ai do të duhej të ishte i tillë dhe të gjithë të kenë qasje në të, sepse nuk është si shumë fusha të tjera. Kur flasim për Ministrinë e Kulturës, ajo si e tillë nuk është koncept i vjetër, është dikund rreth 60-vjeç dhe vjen prej Francës sepse Malrou si themelues ishte historian arti dhe ishte i interesuar që popullata franceze të ketë qasje sa më shumë në art dhe kulturë”.
“Në këtë mënyrë nisin Ministritë e Kulturës nëpër Evropë, diku si departamente, diku si sekretariate, diku si decentralizim brenda një morie ministrish tjera. Ministria, pra, e ka zanafillën tek shërbimi i qytetarëve në kulturë dhe art, pra, është për të gjithë qytetarët për të krijuar një barazi në qasje në mënyrë që prodhimi artisik të mos jetë vetëm për një shtresë shoqërie të privilegjuar”.
Kurti insistoi që shoqëria duhet ta bëjë artin kulturë, sepse ajo duhet të jetë më shumë artistike dhe kronologjike.
“Duhet të jetë detyrë e një shoqërie që sa më shumë artin ta bëjë kulturë, sepse ka edhe kulturë joartistike, por tendencën duhet ta kemi që kultura të jetë sa më artisitke dhe arti të jetë sa më shumë kulturë. Derisa arti është realitet, kultura është vazhdimësi, arti është më parë ngjarje ndërsa kultura më parë është gjendje, pra duhet ta bëjmë ngjarjen të jenë sa më të shumta, dhe në anën tjetër t’i bëjmë gjendjet sa më interesante, ta bëjmë kulturën artistike”.
“Në synimin tonë, ne duam që institucionet ta kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm sepse besojmë se ato duhet të ekzistojnë. Posaçërisht Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve duhet të kenë financimin e rregullt, sepse pasiguria e artistëve tanë është plot ankth dhe shpesh i shtynë ata jashtë kulturës për të mbijetuar”.
Edhe institucioni i Operas dhe Baletit që tash e sa kohë mungon, Kurti tha se është në prioritetet e tij sepse ai Operan e sheh si popullore, dhe jo si lloj për një shtresë shoqërore të privilegjuar.
“Teatri i Operas dhe Baltetit është e domosdoshme që të ndërtohet sepse kemi ngelur ende pa e themeluar këtë institucion që është elementar. Opera nuk është vetëm për të privilegjuarit, Filharmonia është më tepër e tillë, nuk duhet ta mendojmë që aty duhet të shkojnë vetëm disa njerëz të zgjedhur, të cilët le të themi janë pjesë e shtresës dominuese të shoqërisë.”
“Opera dhe Baleti janë për masa të gjera, pra, janë për popullin, dhe si të tilla nuk do të duhet të shiheshin si lloj i privilegjuar për njerëz të tillë, është tejet e rëndësishme se si do të themelohet ky institucion, sepse skena e pavarur është ajo që ndihmohet dhe institucionet do të duhej të kenë financim të përhershëm nga buxheti i shtetit.”
I pyetur për Ministrinë e Kulturës, Kurti sqaroi se ai nuk e ka menduar asnjëherë shuarjen e saj, përkundrazi sipas tij ajo është menduar të jetë brenda 12 ministrive.
“Jemi dakorduar t’i zvogëlojmë në 12 ministri dhe ministria e Kulturës është njëra prej 12 ministrive, dhe është diskutuar që sporti t’i bashkangjitet shëndetësisë, por nuk jemi dakorduar për këtë, rrjedhimisht nuk e kemi një qëndrim final”.
Për sukseset e artistëve shqiptar nëpër botë Kurti tha se ata duhet të ndihmohen edhe kur vetëm janë talentë premtues. Ai tha se është i gëzuar që filmi shqiptar ka arritur progres dhe sukses edhe në arenën ndërkombëtare.
“Sukseset që kanë treguar filmat tanë në vitet e fundit janë mbresëlënëse, dhe prej asaj çka bën ministria e shtetit, deri te Dokufesti kemi shembuj të mirë që natyrisht do të duhej të kenë mbështetje shtesë, për atë që duket premtuese, e lëre më për atë që tashmë është dëshmuar si e suksseshme”.
Në anën tjetër, Saranda Bogujevci e pyetur nga moderatori Selmani, ndër të tjera foli për ekspozitën e saj, në të cilën shpalosen përjetimet nga lufta e fundit. Ajo ishte kritike ndaj institucioneve të deritashme për mospërkrahje, derisa tha se ekspozita dhe aktivitete të tilla duhet të jenë në plan të institucioneve relevante.
“Arti ka treguar gjithherë që është njëfarë lloj ure që kalon në anën tjetër, ku arrin të tregosh një tregim, si në këtë rast për krimet e luftës. Pjesa tjetër është që është bërë punë për të treguar me çfarë është ballafaquar populli shqiptar në kohë lufte”, tha ajo.
“Kemi shumë gjëra që duhet t’i rregullojmë, si fjala vjen te trashëgimia kulturore, dhe mendoj që ky aspekt lidhet shumë me trashëgimi dhe ruajtjen e saj. Mandej puna dhe investimi për punën në këtë drejtim, është me rëndësi që ta kemi këtë fokus të cilin ne e kemi, pra zhvillimi i diplomacisë, që duhet ta bëjmë kolektivisht”, potencoi Bogujevci.
Yll Rugova nga ana tjetër tregoi për “Manifestan” duke e cilësuar si hap të parë drejt ndërtimit të urave me institucionet tjera botërore, dhe për herë të parë Prishtinën si qendër arti për aq muaj sa do të zgjas ajo.
“Ideja ka qenë që Prishtina të jetë nikoqire, dhe “Manifesta” e vendos fokusin në Kosovë, ku do të nxis edhe ndjekjen e artit si profesion sepse fatkeqësisht njerëzit e shohin artin si një fushë për lëmoshë, e madje edhe institucionet e trajtojnë si të tillë. Besoj se ky institucion do të bëjë një ndryshim në këtë drejtim”, u shpreh Rugova.
“Manifesta, besoj që do të jap rolin e vet sepse do të sjellë rreth 200, 000 vizitorë në Kosovë, ndërsa sipas një kalkulimi rreth 20 milionë euro do të jetë përfitimi i shtetit tonë nga ky organizim”.
Rugova bëri thirrje që kultura të shihet si gjenerator që jo vetëm nxit por ka edhe vetqëndrueshmëri.
Nga pyetjet e publikut drejt Kurtit, ishte edhe artisti Kushtrim Koliqi i cili shprehi shqetësimin e tij për zhvillimin e audiencës, ai tha se do të duhej të ishte një trajtim më serioz nga shteti sepse momentalisht audienca është spontane dhe jo e zhvilluar aq sa do të duhej sepse mungon një strategji e tillë nga ana e shtetit.
Në fund të bashkëbisedimit, Kurti u ndal te edukimi i njerëzve përgjithësisht, të cilëve u bëri thirrje të inkuadrohen në jetën kulturore, rrjedhimisht t’i shfrytëzojnë vitet e tyre për t’i shijuar veprat e arrira artistikisht.
“Kemi institucione të cilat janë në mungesë të kushteve dhe në fund kultura nuk afirmohet mjaftueshëm sepse mungon shikuesi. Një numër i madh i njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se çka humbin kur një shfaqje, nuk shohin një film apo kur nuk lexojnë një libër. Kjo është çështje e edukimit. Pra, do ta fusim arsimin brenda kulturës në mënyrë që të arsimojmë sa më shumë për kulturë, sepse fatkeqësisht një numri njerëzish po ju ikin vitet pa i shijuar veprat e mira artistike” përfundoi Kurti.
Përfundimet e debateve të KultPlusit si zakonisht përmbyllen me koktej, sikurse edhe në këtë mbrëmje, ku Kurti dhe panelistët tjerë u takuan me audiencën për një dolli çasti dhe për përjetësim të kësaj ngjarjeje përmes fotografisë.
KultPlusi do të vazhdojë me debate tjera mbi skenën e artit dhe kulturës në vend.
(Ngjarja u mbështet nga Fluidi, Birra Beg dhe Uji Dea) / KultPlus.com
Publikimi i 101 dokumenteve të periudhës komuniste mbi Ismail Kadarenë, të klasifikuara si “tepër sekrete”, kanë përfshirë në një debat të fortë protagonistët dhe jo vetëm.
Të dhënat e panjohura nga Arkivat e Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, procesverbalet e mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike, kritikat, letrat…deri edhe akuza, spiunime apo denoncimet kundër shkrimtarit, përpiqen të zbardhin të vërtetat e raportit të regjimit me Ismail Kadarenë.
“Surpriza është pikërisht kjo. Nga këto dokumente vihet re që diktatura komuniste paska pasur një arkivol të hapur gjithmonë për Ismail Kadarenë”, u shpreh Henri Çili, transmeton Shqip.
Mes të gjitha dokumenteve, botuesi Henri Çili veçon dy.
“Shokuese kanë qenë dy dokumente të reja: dëshmia në gjyqin e Todi Lubonjës, e të birit të Fatos Lubonjës, si dhe dëshmia e Llambi Ziçishtit. Ismail Kadare ka qenë personazh qendror i këtyre gjyqeve dhe jashtëzakonisht i rrezikuar. Fatos Lubonja thotë që babai, pra armiku Todi Lubonja, vlerësonte vetëm Ismail Kadarenë ose librat e ndaluar i merrte te Kadareja”, shprehet më tej Çili.
Por këto fakte kanë shtuar oreksin e studiuesve, për të mësuar edhe më shumë mbi pozitën e Ismail Kadaresë gjatë viteve ’70-’80, sidomos në dritën e zhvillimeve dramatike që patën gjykimi dhe ndëshkimi i miqve të tij në politikën e kohës, ku spikasin proceset gjyqësore të liberalëve në kulturë, Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami, si dhe komplotistëve të Mehmet Shehut.
“E pamë të logjikshme që ta nisim këtë proces të hulumtimit të letërsisë duke marrë në qendër korpusin e një prej shkrimtarëve tanë më përfaqësues, siç është Ismail Kadare”, shprehet Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Studimore “Kadare”.
Kjo do të kërkonte hapjen e dosjes së ndjekjes së Ismail Kadaresë nga Sigurimi i Shtetit dhe proceseve politike ku është dëshmuar për shkrimtarin.
“Ne i kemi kërkuar autoritetit të dosjeve, në bazë të ligjit të ri si studiues, të shohim Kadarenë në proceset politike të viteve ’70-’80”, shton Çili.
E ndërsa hapja e dosjeve pritet t’u japë përgjigje shumë pikëpyetjeve, lidhur me të shkuarën komuniste të shqiptarëve, duket se mes tyre do të hapë jo pak debate në të ardhmen./ KultPlus.com