Era Berisha
Projekti që këtë vit shënoi nisjen drejt një rrugëtimi të gjatë, e i cili na erdhi me titullin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, sot ka shënuar mbrëmjen e dhjetë me radhë, mbrëmje kjo që përmbylli suksesshëm një cikël mbrëmjesh që u zhvilluan përgjatë muajit janar dhe shkurt, e të cilat u mbajtën në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, duke zënë vend në format më diversive të menduara ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Ishte ora fiks 17:00 kur filloi edhe mbajtja e një tjetër diskutimi të frytshëm që kësaj here solli pranë vetës një numër të madh të letrarëve të rinj, artistëve dhe shkrimtarëve që nga afër përcillnin me vëmendje të lartë dy nga panelistët që ishin përzgjedhur për të diskutuar rreth temës “Letërsia e përkthyer”, të cilët me perspektivën e tyre unike drejtuan debatin rreth informatave, krahasimeve dhe analizave tejet interesante për të pranishmit.
Ishin studiuesi dhe profesori Osman Gashi si dhe profesori dhe përkthyesi letrar, Naim Kryeziu, atatë cilët ishin të ftuar për të treguar gjerë e gjatë disa nga aspektet kyçe të temës, e që sonte erdhën aq mrekullueshëm nga ana e tyre. Nën moderimin e Sali Bashotës, bisedimet paraprake mes tyre dhe letrare të pasionuar pas letërsisë, tashmë kishin nisur për të arritur kështu deri në nisjen zyrtare të kësaj mbrëmjeje që në thelb përqafoi kulturën e letërsinë.
“Letërsia e përkthyer”, është një temë kjo që fillimisht zgjon ndjenjës së ndrojtjes tek ata që për herë të parë dëgjojnë për të, por që njëkohësisht zgjon dhe ndjenjën për të hulumtuar e për të ditur më shumë për detajet e kësaj letërsie që na vjen aq e pasur në shoqërinë tonë. Është konsideruar se zhvillimi në kohë dhe hapësirë i shoqërisë njerëzore, sidomos ai kulturor e ka shpërfaqur dhe e ka dëshmuar faktin se pa përkthime historia do të ishte e mangët, fragmentare, e copëzuar e herë edhe jo ekzistuese. Ndërkaq, është menduar se të përkthesh ashtu siç duhet e me sukses të plotë një vepër letrare do të thotë të shkruash përsëri me frymëzim një vepër në saje të shtysave që merren nga autori i origjinalit.
Ndërkaq, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen edhe në një libër me rastin e përfundimit të këtij projekti unik. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që kanë folur nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Sali Bashota, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur për përfundimin e këtij projekti që sot gjeti fundin.
“PEN Qendra e Kosovës në kuadër të aktiviteteve përgjatë dy muajve me këtë projekt rreth letërsisë dhe kulturës në kohë pandemie, sonte ka përfunduar. Unë falënderoj të gjithë anëtarët e PEN Qendrës që kanë prezantuar njohuritë e tyre profesionale si dhe pjesëmarrësit e tjerë që kanë marrë pjesë. Sonte për herë të parë, fjalën e kanë dy profesorë aq të mirë të cilët flasin në aspektin profesional”, thotë Bashota.
Në këtë mbrëmje letrare për të diskutuar më gjerë rreth veprimtarisë së përkthimit, dukurisë dhe rëndësisë që ka pasur përgjatë viteve e që vazhdon ta ketë ende edhe sot, foli studiuesi dhe profesori Osman Gashi.
“Përkthimi është një veprimtari shumë e rëndësishme në jetën e njeriut e përgjithësisht të shoqërisë njerëzore, që nuk kufizon vetëm me domenin kulturor e artistik, por përfshin edhe shumët fusha tjera si atë, politike, psikologjike, religjioze, historike e përgjithësisht kognitive. Zhvillimi në kohë dhe hapësirë i shoqërisë njerëzore, sidomos ai kulturor e ka shpërfaqur dhe e ka dëshmuar faktin se pa përkthime historia do të ishte e mangët, fragmentare, e copëzuar e herë edhe jo ekzistuese. Vepra e parë letrare madhështore e letërsisë botërore “Epi i Gilgameshit” e gdhendur në 12 pllaka argjiri me alfabetin kuneiform, rreth 3000 vjet para erës sonë, kishte mbetur e mbyllur për shumë shekuj në Bibliotekën e Ashurbanipalit në Nineveh të Babilonisë pa mundur të komunikonte me lexuesit, madje as në gjuhën e saj fillestare, në të cilën ishte shkruar”, thotë Osmani.
Sipas tij, popujt e vegjël dhe kushtimisht gjuhët e vogla (siç janë edhe gjuhët e Ballkanit) kanë qenë të kufizuara dhe shpeshherë të varura nga gjuhë e mëdha. Andaj, letërsitë e gjuhëve të vogla e bartin fatkeqësinë që të jenë gjithnjë të robëruara në kornizat, të cilat janë, larg, nën nivelet e rëndësisë së tyre dhe prandaj nëse duan të arrijnë një jehonë më të madhe dhe më të gjerë, janë detyrimisht të kushtëzuara që të përkthehen në gjuhë të mëdha, të fuqishme e më të shpërndara në botë.
“Para së gjithash, në pamundësi të njohjes së gjuhëve, përkthimet janë mjeti më i mirë për të njohur veprat e ndryshme letrare dhe rrjedhimisht kulturat e tjera. Një pjesë e madhe e letërsisë së popujve të ndryshëm të botës e të kohëve të ndryshme qarkullon në botë e përkthyer. Edhe gjuhët me shtrirje globale, siç janë anglishtja, spanjishtja dhe arabishtja, fliten nga një numër i vogël i folësve, krahasuar me numrin e përgjithshëm të gjuhëve në botë. Në këtë kontekst përkthimi është i lidhur shumë me fushën e komparatistikës, madje mund të thuhet edhe se ai është vetëm një emër tjetër për Letërsinë komparative. Nëse flasim për disiplinën akademike, e cila lidhet me përkthimin, duhet thënë se ajo u etablua si e tillë vetëm në shekullin XX me këto emërtime: shkenca mbi përkthimin, teoria e përkthimit, translatologjia, traduktologjia, ndërkaq fushë e objekt hulumtimi i saj janë proceset e përkthimit, përkthyesit si dhe rrethanat shoqërore në të cilat realizohet përkthimi”, thotë Osmani.
Për të, përkthimi i poezisë mbetet një sfidë e veçantë. Ai thotë se më shumë se në çdo fushë tjetër, kur përkthehet poezia, përkthyesi duhet të kuptojë plotësisht domethënien e tekstit të autorit burimor. Në të kundërtën “përkthimi” si i tillë do të mund të quhej “interpretim”, “version”, ku ruhet substanca, ndërsa forma ndryshohet, krijohet gati një poezi e re.
“Një nga dokumentet më të hershme të gjuhës shqipe është “Fjalorthi i Arnold von Harff-it”, dokument i një shëtitësi gjerman, i cili midis viteve 1496 – 1499, mblodhi rrugëve e tregjeve të qyteteve shqiptare një listë fjalësh në një gjuhë që, ndonëse shqiptarët ishin gjeografikisht në Evropë, gati askush nuk e njihte. Vepra tjetër, e para në gjuhën shqipe e dokumentuar deri sot, “Meshari” i Gjon Buzukut, ishte një përkthim nga italishtja dhe latinishtja. Domethënë fillet e letërsisë së shkruar shqipe janë përvoja përkthimesh dhe ne me të drejtë i marrim si monumente të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore”, thotë ai.
Konsiderohet se vetëm në shekullin XIX, në periudhën e Romantizmit shqiptar dukuria e përkthimit bëhet pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e veprimtarisë së krijuesve shqiptarë.
“Kur flasim për dukuritë që e kanë përcjellë kulturën e letërsinë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, për atë që emërtohet si politikë e përkthimeve duhet përmendur rastin e Ismail Kadaresë shkrimtarit tonë pa dyshim më të njohur e më të përkthyer në botë”, përfundon Osmani.
Po ashtu, profesori dhe përkthyesi letrar, Naim Kryeziu foli rreth rolit kulturor dhe letrar të përkthimit, duke e dërguar atë në një piedestal të lartë.
“Roli i përkthimit është rritur krahas zhvillimit të shoqërisë dhe të kulturës njerëzore. Në të njëjtën kohë, përkthimi është jo vetëm bashkudhëtar, por edhe interpretuesi më kompetent i letërsisë e i veprës letrare në shoqëri. Me qindra e me mijëra romane, tregime, poezi e drama kanë vizituar vende të ndryshme të huaja, duke u bërë zakonisht edhe pjesëtare të kulturës së atyre vendeve falë artit të përkthimit. Nëse vepra letrare është përkthyer me mjeshtëri e me frymëzim, atëherë ajo ka ndihmuar edhe në begatimin e thesarit të përbashkët kulturor të shoqërisë njerëzore. Në saje të përkthyesve e të përkthimit ka lindur edhe vetë nocioni i letërsisë botërore. Vetëm falë një përkthimi të mirëfilltë e me vlerë, një kryevepër e një artisti të madh të fjalës bëhet me të vërtetë vepër e letërsisë së përbotshme dhe kalon ngadhënjimtarisht kufijtë e vendeve e të shekujve, qarkullon në hapësirë e në kohë dhe ndikon sidomos në rrafshin e jetës shoqërore, kulturore, estetike, artistike dhe etike të njerëzimit”, thotë Kryeziu.
Sipas tij, roli i përkthimit nuk ka të bëjë vetëm me faktin se nëpërmjet mjeshtërisë së përkthyesit sigurohet një numër shumë më i madh lexuesish, përkundrazi ky rol është shumë më í rëndësishëm për faktin se një vepër letrare bëhet pjesë përbërëse e një mjedisi të ri letrar vetëm me anë të përkthimit, çka mund të ushtrojë edhe ndikim të dobishëm e frytdhënës.
“Një përkthim i bukur, adekuat e i mirëfilltë, i cili siguron ekzistencën e vet dhe pranohet nga kultura e nga lexuesit e saj, e pasuron thuajse përherë traditën e përgjithshme letrare dhe artistike, sepse u jep mundësi lexuesve të gjejnë, të përcaktojnë e të njohin aspektet e panjohura të origjinalit, duke krijuar kësisoj edhe mundësinë e ndikimit në kulturën e në letërsinë e vendit përkatës. Ka edhe raste kur një kryevepër ose një vepër letrare e përkthyer pritet aq mirë nga lexuesit e një kulture e të një letërsie tjetër, saqë bëhet shtysë edhe për zhvillimin e kulturës e të letërsisë në fjalë. Në historinë e kulturës, të letërsisë e të qytetërimit, përkthimi ka luajtur një rol të pashoq”, thotë ai.
Për Kryeziun, në ditët e sotme është mjaft i dukshëm roli i përkthyesve. Sikurse vënë në dukje teoricienët e fushës së përkthimit, sot njeriu nuk ka mundësi t’i përvetësojë të gjitha gjuhët e letërsive të mëdha evropiane, sepse do t’i duhej të mësonte afro dhjetë gjuhë. Edhe specialistët e gjuhësisë e të letërsisë krahasuese dinë zakonisht dy ose tri gjuhë, prandaj, si specialistët ashtu edhe është konsideruar se lexuesit komunikojnë me veprat letrare të Evropës e të botës kryesisht nëpërmjet përkthimeve. Sipas specialistëve të kësaj fushe, sot, përballë konkurrentëve të tillë, siç janë radioja, televizioni dhe interneti, përkthimi i letërsisë cilësohet të jetë ngulitur në mendjen e shumicës së lexuesve si mundësia më e mirë për të siguruar një kulturë të gjerë e të thellë.
“Megjithëse puna e përkthyesit nuk bie në sy dhe nuk bëhet objekt i analizave, vetë përkthyesi ndodhet nganjëherë përballë vështirësish mjaft të mëdha kur merret me përkthimin e ndonjë vepre të një letërsie me traditë shumë të pasur letrare, estetike, kulturore e filozofike. Në raste të tilla, përkthyesi detyrohet të krijojë fjalë, nocione, shprehje e ndërtime të reja gjuhësore. Përballë një sfide të tillë, zakonisht përkthyesi i aftë arrin t’i zgjidhë problemet dhe të japë një përkthim të suksesshëm. Në këtë mënyrë, ai e begaton gjuhën kombëtare, letërsinë dhe kulturën e vendit të vet. Pothuaj të gjithë ne, në moshën kur dinim vetëm gjuhën tonë amtare dhe s’ishim në gjendje të lexonim vepra në gjuhë të huaja, kemi pasur mundësinë të lexojmë në shqip vepra e kryevepra të letërsisë së huaj vetëm falë përkthyesve”, thotë Kryeziu.
Për arsye të ndryshme është konsideruar se përkthimi është një bartje ose transmetim i frymëzuar i një vepre letrare-artistike në një gjuhë tjetër. Prandaj të përkthesh ashtu siç duhet e me sukses të plotë një vepër letrare do të thotë të shkruash përsëri me frymëzim një vepër në saje të shtysave që merren nga autori i origjinalit. Natyrisht, theksohet se kalimi i një vepre të një shkrimtari në një letërsi tjetër nuk është kurrsesi ndonjë punë aq e thjeshtë dhe e lehtë.
Pas përfundimit të fjalimeve nga të dy panelistët, diskutimi u zgjerua edhe më shumë atëherë kur të pranishmit u ftuan për t’iu bashkangjitur bisedës tutje me pyetje që u shqyrtuan nën atmosferën plotësisht të qetë dhe të ngrohtë që u krijua mes tyre.
Projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” është mbajtur deri në fund të këtij muaji, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, janë trajtuar temat si: “Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi”, “Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri”, “Leximi dhe Biblioteka”, “Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë”, “Komunikimi ndërkulturor”, “Gjuha e shkrimit letrar sot”, “Letërsia dhe teknologjia”, “Letërsia e gruas”, “Letërsia në kohë krizash”, dhe “Letërsia e përkthyer”, temë kjo që shënoi fundin e projektit origjinal që PEN Qendra e Kosovës e ka krijuar.
Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com