Ansambli ‘Deçani’ fitues i Festivalit të Folklorit Oda e Llapushës

Ansambli “Deçani” nga Deçani ka rrëmbyer çmimin e parë në edicionin e nëntë të Festivalit të Folklorit “Oda e Llapushës”.

Në këtë garë prestigjioze, ku morën pjesë mbi 30 grupe dhe rapsodë, ky ansambël spikati me performancën e tij të jashtëzakonshme. Juria profesionale, e përbërë nga Prof. Dr. Zymer Neziri, Prof. Dr. Adem Zejnullahu dhe Prof. Dr. Haki Mulliqi, e cilësoi ansamblin “Deçani” si më të mirin e festivalit, duke i akorduar çmimin kryesor.

Çmimin për fituesin e festivalit e ndau kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nën kujdesjen e të cilit edhe është mbajtur festivali.

Juria vlerësoi festivalin si një ndër më të mirët në nivel kombëtar për ruajtjen dhe kultivimin e folklorit, dhe shprehu mirënjohje për këshillin organizativ të festivalit për përpjekjet e tyre të vyera.

Në fjalimin e tij, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Malishevë, Fitim Shala, përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit. Ai theksoi se qëllimi kryesor i festivalit është ruajtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore dhe tradicionale shqiptare, duke vlerësuar folklorin si një pasuri të madhe kulturore të popullit shqiptar.

Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë disa çmime të tjera të rëndësishme, duke përfshirë çmimin e diasporës, grupi më i kompletuar, çmimin e publikut, çmimin e karrierës, dhe çmimin “Beqir Gashi” për debutantin e festivalit. Gjithashtu, u ndanë çmimi i veteranit dhe tri çmimet e para që mbajnë emrin e kolosëve të folklorit “Salih e Feriz Krasniqi”.

Deçan, kulla e shekullit XVIII shndërrohet në muze etnologjik

Përveç bukurive të shumta natyrore, Rrafshi i Dukagjinit ofron edhe shumë vende të tjera të trashëgimisë kulturore për t’i vizituar. Një prej tyre është edhe kulla e shndërruar në muze etnologjik.

Kulla e ndërtuar në shekullin XVIII nga familja e Zymer Himës në Deçan, tani është shndërruar në Muze Etnologjik.

Në këtë muze, janë të ekspozuara artefakte dhe eksponate të shumta të lidhura kryesisht me mënyrën e jetës nëpër periudhat e ndryshme historike në trevën e Rrafshit të Dukagjinit.

Drejtor i Muzeut dhe ekspert i trashëgimisë Bekim Vishaj bën thirrje që muzeu të pasurohet në vazhdimësi me vegla dhe artefakte të reja të cilat do ta pasuronin edhe më shumë këtë institucion të kulturës dhe trashëgimisë.

Muzeu Etnologjik (Kulla e Zymer Himës) është një monument i trashëgimisë kulturore në Deçan i kategorisë “artiktektuore” që mbikëqyret nga Komuna e Deçanit dhe Ministria e Kulturës./rtk/KultPlus.com

Fauna në bjeshkët e Deçanit, atraksion për turistë

Kosova ofron shumë vende turistike. Bjeshkët e Deçanit dhe ato të Pejës janë vetëm disa nga destinacionet e mundshme. E në stinë të dimrit, gjuetia është atraksion i veçantë.

Fauna e pasur në bjeshkët e Deçanit dhe komunave tjera në Dukagjin si në Pejë dhe Junik në vazhdimësi ka zgjuar kureshtjen e adhuruesve të kafshëve të egra në këto anë.

Për t’i mbrojtur ato sa më shumë që është e mundur në vitin 2000 patën formuar shoqatës e gjahtarëve “Agim Selmanaj”  e cila përkujdeset vazhdimisht e sidomos gjatë stinës së dimrit kur ato kan më pak ushqim.

Sipas gjahtarëve numri i kafshëve dhe llojeve të tyre është bukur i mirë por problemi më i madh është mbrojtja e tyre.

Për ruajtjen e këtij fondi po kujdesen tash e sa vite  edhe zyrtarët komunal të cilët kanë ngritur edhe komisione përkatëse për monitorim, në zonën e përgjegjësisë së tyre.

Por ndryshe, sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Parkut Kombëtar”Bjeshkët e Nemura” përpjekjet për t’i dëmtuar kafshët e egra janë të vazhdueshme nga gjuetarë të papërgjegjshëm. Thonë se keqbërësit nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar.

Udhëheqës i Drejtorisë së PK “Bjeshkët e Nemura”, Fatmir Morina, thotë se Parku kombëtar “Bjeshkët e Nemura” ka një territor me sipërfaqe prej 63 mijë hektarë të cilat janë shumë të pasura me florë e faunë si pak regjione tjera në Kosovë./rtk/KultPlus.com

Historianët e Deçanit për betejën e Kosovës: Serbia po tenton ta falsifikojë historinë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka akuzuar Serbinë se duke e prezantuar si fitore të saj betejën e humbur të Kosovës të vitit 1389, po tenton ta falsifikojë historinë duke u bazuar në mite dhe gënjeshtra.

Në reagimin e tyre, historianët e Deçanit kujtojnë opinionin se historia nuk mund të shtrembërohet mbi Betejën e Kosovës.

“Beteja e Kosovës e 28 qershorit 1389, ka qenë disfata me e madhe që e ka pësuar aleanca ballkanike antiosmane e përbërë nga princat ballkanas, si dhe ndër fitoret më të mëdha që ka shënuar Perandoria Osmane në shekullin XIV”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Shkodran Imeraj.

Për më tepër, historianët e Deçanit thonë se humbja e aleancës ballkanike karshi forcave osmane, e cila festohet si fitore nga serbët, të cilët kanë qenë pakicë ushtarake në këtë aleance, nuk është asgjë tjetër së vetëm një mit dhe tentim për të falsifikuar historinë.

“Manovrat e tyre për të shndërruar Kosovën si “toke të shenjtë serbë” nuk qëndron, ngase serbet zyrtarisht ortodoksinë e kanë pranuar nga shqiptarët, të cilët në masë të madhe ishin të përkatësisë fetare ortodokse, ngase pjesa me e madhe e tokave shqiptare pas vitit 1054, kur ndahet kisha në dy rite, në atë katolike – perëndimore dhe në atë ortodokse – lindor, i kanë takuar kishës lindor, ngase ishin në administrimin e Perandorisë Bizantine, perandori e cila si fe zyrtare e kishte ortodoksinë. Historia serbe është e ndërtuar mbi mite dhe gënjeshtra. Ata, si popull gjithnjë kanë qenë uzurpator dhe si të tillë sillen qysh nga shekulli VII, kur kanë ardhur në Ballkan si fise barbare”, përfundon reagimi. / Gazeta Express / KultPlus.com

Gjimnazi në Deçan, shkolla ku dituria dhe arti gërshetohen mes vete

Suada Qorraj

Muret e brendshme të Gjimnazit ‘Vëllezërit Frashëri’ në Deçan ka kohë që janë mbushur me piktura e murale. Por, tashmë një gjë e tillë është jetësuar edhe në muret e jashtme të kësaj shkolle, duke i dhënë kështu gjallëri, por dhe një hijeshi ndryshe vendit ku gjithsecili kalon, apo dikur ka kaluar një pjesë të jetës, shkruan KultPlus.

Ishte pikërisht profesoresha e artit figurativ, Djellëza Carrabregu, e cila në bashkëpunim me nxënësen e saj, Dea Cacaj, për dhjetë ditë punë intensive ka përfunduar pikturimin e muralit që gjendet në muret e jashtme të kësaj shkolle.

Në një intervistë për KultPlus, Carrabregu ka treguar se murali përbëhet nga elemente të ndryshme që vënë në pah një mesazh të vetëm, me poçin elektrik që lidhet me inteligjencën e idetë, por mbi të gjitha me errësirën që zhduket.

“Në këtë mural kemi paraqitur disa elemente të ndryshme të cilat mbartin me vete një mesazh. Ajo që theksohet më shumë dhe vihet në pah është poçi elektrik të cilin e kemi paraqitur për shkak të lidhjes së tij me inteligjencën dhe idetë. Kur krijohet një ide e shkëlqyeshme, llampa ndizet. Nuk ka më errësirë dhe gjithçka është e ndritshme. Pastaj, këtu kemi paraqitur disa elemente që përfaqësojnë shkencat e natyrës si fizikën, biologjinë, kiminë dhe ato shoqërore si historinë, gjeografinë si dhe matematikën e gjuhën shqipe.

Ndërsa, truri është i vendosur mu në mes të llampës, pikërisht aty ku ndriçon llampa, për arsyen se të gjitha njohuritë që i marrim nga këto lëndë bëjnë që truri ynë të pasurohet me njohuri të reja”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka treguar se qëllimi kryesor për krijimin e këtij murali është që të përcjellin një mesazh tek nxënësit për të ju treguar se drita e së ardhmes gjendet brenda mendjes së tyre.

“Ideja dhe qëllimi kryesor ishin që të sjellim një pamje të bukur për ambientin e shkollës, mirëpo edhe të përcjellim një mesazh tek nxënësit, që drita e të ardhmes së tyre gjendet brenda mendjes së tyre qoftë për shkencë, art apo edhe histori”, ka shtuar ajo.

Profesoresha tregon për KultPlus se ky nuk është murali i parë që ka marrë jetë në këtë shkollë. Sipas saj tashmë ka një numër të madh të muraleve që janë jetësuar, tashmë nga ish nxënësit e kësaj shkolle, Aglentina Aliçkaj dhe Blerim Tahiraj.

Muralet e pikturuara nga këta dy nxënës shfaqin, Albert Ajshtajnin dhe hënën t’përhumbur në mes të natës. Ky mural madje shoqërohet edhe me thënien “Mos humbisni hënën duke numëruar yjet”.

Për profesoreshën realizimi i këtij murali nga ana e saj dhe e nxënëses së saj, mirëpo edhe muralet e mëhershme, nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën e shkollës dhe drejtorit të shkollës.

“Sigurisht, pa mbështetjen e shkollës dhe stafit udhëheqës ky mural nuk do të ishte realizuar pasi që mjetet të cilat kanë qenë jashtë fushës sonë janë siguruar nga drejtori i shkollës, Hamid Qorraj, duke u nisur nga punimet artistike të mëparshme brenda shkollës. Pritshmëria ka qenë shumë e madhe, sapo kemi filluar punën mendoj që ju ka pëlqyer si stafit mësimor ashtu edhe nxënësve”, vazhdon rrëfimin e saj Carrabregu.

Krejt në fund, Djellëza Carrabregu, ka pohuar se puna e një artisti nuk fillon dhe nuk përfundon asnjëherë me një punim, apo krijimin e një pamje të bukur në shkollë, duke shtuar se do të vazhdojnë me punime të tilla edhe në të ardhmen./ KultPlus.com

“Rrugët natën nuk janë veç për burra”, protestohet në Deçan kundër dhunës seksuale

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar sot rrugëve të qytetit të Deçanit për të kundërshtuar dhunën seksuale ndaj vajzave dhe grave, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në Facebook nga ky kolektiv theksohet se përmes thirrjeve të ndryshme qytetarët kanë denoncuar patriarkalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

‘Rrugët natën nuk janë veç për burra’, ‘Mos ngacmo o tigër!’, ‘Donjeta ishte rrugës për në punë’, ‘Du me msu, jo m’u gacmu’, ‘Ngacmuesit seksual janë kriminel’, ishin vetëm disa nga thirrje të cilat u përdorën në këtë protestë.

Më poshtë gjeni njoftimin e tyre të plotë:

Sot, protestuam rrugëve të qytetit të Deçanit në kundërshtim të dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Përmes thirrjeve të ndryshme, aktivste e aktivistë, nxënëse e nxënës. studente e studentë. qytetare e qytetarë denoncuan partriakalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

Përderisa vajzat e gratë ndihen të pasigurta dhe vazhdojnë të dhunohen nga të gjitha institucionet, qofshin ato publike e private, nuk mund të ketë paqe e drejtësi shoqërore. Andaj dhe rezistenca jonë e përbashkët do të vazhdojë, deri në arritjen e drejtësisë për të gjitha vajzat e gratë e sigurimin e ambienteve të sigurta për to./ KultPlus.com

Kërkesat e vajzave të Deçanit edhe në muret e Suedisë, gazetarja suedeze mbështet këtë kauzë

Në javën e katër të protestës së grave në Suedi që po zhvillohet kundër dhunës së burrave ndaj grave çdo të premte, gazetarja suedeze Mirja Lakso ka shkruar në gjuhën angleze grafitet me po të njëjtat mbishkrime, të cilat këtë javë ishin shkruar në muret e qytetit të Deçanit, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mirja Lakso ka publikuar fotografitë e grafiteve, ku dhe ka vendosur të protestoj me po të njëjtat thirrje për barazi që janë përdorur në Komunën e Deçanit.

“Java e katërt e protestës së grave në Suedi. Ne po protestojmë kundër dhunës së burrave kundër nesh dhe sesi shoqëria dhe sistemi ynë i drejtësisë po mbrojnë abuzuesit dhe përdhunuesit në vend të viktimave. Këtë të premte vendosa të vë në pah mesazhet nga Deçani që ndodhet në Kosovë”, ka shkruar gazetarja.

Tutje ajo ka shtuar se për shumicën është dhuna dhe vrasjet ndaj grave ndodhin në Kosovë, mirëpo ajo se çka shumica nuk dijnë është se sa e zakonshme është që burrat vrasin gratë në Suedi.

“Çdo tre javë një burrë vret partneren ose ish-partneren e tij në Suedi”, ka shtuar tutje ajo.

“Kafja nuk është vetëm për burra”, “Edhe gratë e mira dalin në kafe”, “Baba i mirë t’çonë në shkollë”, “Ngacmuesit janë kriminel”, janë shkruar në gjuhën në muret dhe rrugët Suedisë, duke shtuar edhe emrin e qytetit të Deçanit dhe vitin 2021.

Për KultPlus Mirja Lasko ka treguar se thirrja “Baba i mirë t’çonë në shkollë”, është shkruar pikërisht në shkollën ku ajo ka vijuar mësimet. Kurse thirrja tjetër “Kafja nuk është vetëm për burra”, është shkruar jashtë kafenesë me të madhe dhe më të frekuentuar të qytetit ku ajo jeton./ KultPlus.com

Rreshjet e shiut nxjerrin në pah mbeturinat në Lumbardh të Deçanit (Foto)

Gjatë ditës së sotme ka mbretëruar një mot i ligë në Komunën e Deçanit, ku si pasojë disa fshatra të kësaj komune janë më të dëmtuar, si dhe penda e lumit Lumbardh, shkruan KultPlus.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka pasqyruar gjendjen në këtë komunë, derisa ka thënë se disa fshatra janë më të dëmtuara, por që janë mobilizuar institucionet gjegjëse.

Shiu që ka rënë gjatë ditës së sotme ka vënë në pah edhe mbeturinat në Lumbardh të Deçanit duke krijuar kështu pamje jo të mira.

KultPlus ka siguruar fotografi nga qytetarët e kësaj komune që kanë treguar për gjendjen e këtij lumi.

Më poshtë gjeni fotot./ KultPlus.com

Ansambli i këngëve dhe valleve nga Deçani rrëmben dy çmime në festivalin e folklorit ‘Anadrini Folk’

Ndonëse për here të parë Ansambli i Këngëve dhe Valleve nga Deçanit, me koreografinë e koreografit z.Genc Tetaj, konkuroi në një festival të tillë ata rrëmbyen dy çmime nga ky festival në një konkurrence jashtëzakonisht të fortë dhe vlerësim të një jurie profesionale .

Në kushte jo edhe të favorshme në kohë pandemie të COVID-19, kur ke vullnet për të arritur cakun tek një qëllim i përcaktuar nuk ndalësh kështu tha z.Genc Tetaj, i cili tashmë në ketë Ansambël numëron mbi 100 anëtarë të grupmoshave të ndeshmë .

”Kemi punu intesivisht më grupe për të qen të përgatitur  për pjesëmarrje edhe në festival tjera ketë vit  por situate u bë e tillë që na pamundësoi pjesëmarrjen ku të gjitha festivalet deri më tani janë anuluar i vetmi festival i cili është mbajt është ky i Anadrini Folk 2020” potencoi Tetaj.

”U jam shumë falënderues  Institucionit Komunal konkretisht kryetarit të Komunës z.Bashkim Ramosaj, për përkrahjen , Drejtorisë së Kulturës , të gjithë valltarëve dhe prindërve të tyre të cilët kanë qen të gatshëm që edhe në ketë kohë Pandemie të bashkëpunojnë dhe të marrim pjesë në ketë Festival Virtual ku morëm dy qmime:

Çmimin: Loja më e mirë popullore  “Këngë bjeshke e vajzave” – Ansambli i Këngëve dhe valleve “Deçani”  dhe Çmimi “Hajrush Kryeziu” (për vlerësimin më të mirë nga publiku) Ansambli i Këngëve dhe valleve “Deçani”, vazhdoi tutje ai. / KultPlus.com