Në Deçan organizohet festivali folklorik “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Komuna e Deçanit organizon Festivalin gjithëkombëtar të folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, i cili iu kushtohet Rapsodëve Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, shkruan KultPlus.

Festivali folklorik “Eshkë e ndezur mbi Shkelzen”, këtë vit do të mbahet më 15 dhe 16 qershor.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në facebook, u ka uruar mirëseardhje adhuruesve të këngës folklorike./KultPlus.com

Përfundojnë ndërhyrjet restauruese në Mullirin e Gjikokajve në Deçan

Kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese edhe në Mullirin e Gjikokajve në Deçan, përcjellë KultPlus.

Ky mulli është ndërtim tipik bujqësor që i takon shek. XVIII-të, dhe është pronë e familjes Gjikokaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shprehur se janë duke trajtuar me prioritet trashëgiminë kulturore.

“Në përmbushje të zotimit tonë për ta trajtuar me prioritet të lartë trashëgiminë kulturore, çdo ditë po bëjmë punë të mira në mbrojtje të aseteve të trashëgimisë në gjithë vendin”, shkruan ceku. / KultPlus.com

Historianët e Deçanit: Të mos zbatohet vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan përmes një komunikate për media thotë se me shqetësim të madh është duke e përcjellë situatën rreth çështjes kontestuese në mes ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” dhe Komunës së Deçanit në njërën anë dhe Manastirit të Deçanit në anën tjetër.

Historianët e Deçanit në reagim thonë se “dënojnë ashpër presionet ndërkombëtare për zbatimin e këtij vendimi antikushtetues dhe antiligjor, i cili buron në ligjet e kohës së Millosheviqit”.

Në një komunikatë për media, Lidhja e Historianëve të Kosovës i bën thirrje Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë, që të mos e zbatojë vendimin antikushtetues dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 21 maj 2016, për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan, pasi që si i tillë ai prek gjithë qytetarët e Deçanit dhe është pengese për zhvillimin ekonomik të kësaj pjese të Kosovës.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, është i papranueshëm edhe për Komunën e Deçanit dhe qytetarët e kësaj komune, andaj ne e ripërsërisim edhe një here kërkesën tonë drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë që të mos e zbatojë këtë vendim të dëmshëm dhe të pariparueshëm për Deçanin në veçanti dhe Kosovën në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, Kryesia e Lidhjes së Historianëve thekson se zbatimi eventual i vendimit do të sjellë shumë dëme juridike dhe do të sfidojë rëndë sistemin kushtetuese dhe juridik në Kosovë, teksa rikujton se institucionet e Kosovës duhet të deklarohen kundër zbatimeve të vendime të kohës së masave të dhunshme të periudhës 1990-1999, kur dihet se këto vendime i ka shpallur të pa zbatueshme Administrata e Kombeve të Bashkuar në Kosovës – Misioni i UNMIK-ut.

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës i ri-kërkon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, që me urgjencë të nxjerrë një Ligj të veçantë ose Ligj special, me të cilin do t’i shpallë të pazbatuara dhe të pavlefshme ligjet, vendimet dhe aktet e tjera nën ligjore të Serbisë për Kosovën gjatë periudhës mars 1989 e deri në qershor 1999, duke vendosur që këto prona dhe ndërmarrje t’i kthehen Komunës së Deçanit dhe të mos i falen Manastirit të Deçanit.

Ndryshe, igumeni i Deçanit, Sava Janjiq, kishte dërguar në Kushtetuese dy vendime. Sipas këtyre vendimeve, pronat prej 24 hektarësh tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Deçanit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte përkrahur nga Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, duke vlerësuar se Gjykata ka treguar gatishmërinë dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm ,me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”.

Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit, i cili mbrohet nga UNESCO-ja, nuk kanë dhënë pëlqim as për vazhdimin e rrugës Deçan-Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi. / KultPlus.com

Në Kosovë pritet të ndërtohet për herë të parë një memorial për kontributin e grave në luftë

Përgjatë luftës kontributi i grave ka përfshirë fusha të ndryshme. Ato i kanë kapur armët, e kanë mbajtur gjallë familjen në kohë të vështira dhe fatkeqësisht janë bërë “pre” e armikut, shkruan KultPlus.

Pikërisht për ta nderuar këtë sakrificë, gratë e fshatit Carrabreg i Epërm të Komunës së Deçanit po mendojnë të ndërtojnë një memorial për to, shkruan KultPlus.

Idenë për këtë memorial e ka bërë të ditur njëra ndër organizatoret, Shpresa Loshaj duke publikuar një fotografi në profilin e saj në facebook, nga mbledhja e tyre në odë.

Ajo bën të ditur që ky memorial do t’iu dedikohet përvojës dhe rolit të grave, teksa ideja ka lindur nga përjetimet që gratë kanë pasur përgjatë luftës, e veçmas ditës kur fshati Carrabreg i Epërm u sulmua nga forcat serbe më 29 maj të vitit 98.

“Për të nderuar rolin dhe sakrificat e grave në luftë ne kemi marrë mbështetjen e fshatit që të ndërtojmë një memorial afër lapidarit të dëshmorëve, ku tash ndodhet trafostacioni i vjetër i rrymës, që është premtuar të largohet nga komuna e Deçanit sa më parë”, thuhet në njoftimin e Loshajt.

Teksa ato diskutonin për aspektin vizual të memorialit, ide të ndryshme iu vinin në kokë sepse gruaja kishte një rol dhe paraqitje shumëdimensionale në këtë sferë. Nënat me fëmijë në krahë, duart e grave të mbledhura dhe drejtuar kah qielli, duke mbajtur një pëllumb të lirisë, pllaka të një pas njëshme me mbishkrime, shtatore e trupit të gruas që përfundon në lule e elemente të traditave të Dukagjinit, janë disa nga idetë e tyre.

“Në këto biseda u kuptua se gratë e kanë përjetuar shumë dhimbshëm luftën dhe kanë pas role kyçe por fatkeqësisht roli dhe përvojat e tyre nuk janë të përfshira në narrativen e tanishme të luftës që tregohet për fshatin tonë apo gjithë Kosovën”, thuhet tutje në njoftimin e Shpresa Loshajt.

Ky memorial i cili pritet të ndërtohet, për organizatoret mbetet shpresë që ky shembull të ndiqet edhe nga të tjerët. / KultPlus.com