Shpaloset ekspozita ‘Smogu i madh i vitit 2021’, Berisha: Punimet e Nimon Lokaj ishin arsyeja që unë kam nisur këtë ekspozitë

Era Berisha

Gjithsej katër artistë nga Britania e Madhe dhe tre artistë kosovarë janë futur brenda botës artistike për të shpalosur shqetësimet e tyre rreth çështjeve mjedisore e njëkohësisht për të rritur ndërgjegjësimin ndaj tyre përmes pikturave dhe instalacioneve diversive, me ç’rast ekspozita ‘Smogu i madh i vitit 2021’ solli para të pranishmëve gjendjen kaotike të natyrës nëpërmjet ngjyrave të errëta e deri tek ato më të lehtat, për të shënuar kështu edicionin e fundit të programit ‘’Ne jemi këtu: EKOLOGJITË E SË ARDHMES” në Ballkanin Perëndimor, shkruan KultPlus.

Eksplorimi i veprave të artistëve si: Alban Muja, Blerta Hashani, Ben Rivers, Charlotte Prodger, Louis Henderson, Nimon Lokaj dhe Uriel Orlow nisi fiks në orën 19:00 ku u shënua edhe hapja e ekspozitës në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me kurator Engjëll Berisha.

Piktura e realizuar në vitin 1976 e artistit Nimon Lokaj ishte ajo që fillimisht rrëmbeu vëmendjen e gjithsecilit me bukurinë që posedonte. E titulluar “Pishat e Deçanit”, piktura dukej se po gjallërohej moment pas momenti duke shpalosur një gërshetim të nuancave të ndryshme të ngjyrës së gjelbër, një precizitet të teknikës së pikturimit dhe një ngrohtësi që të kaplonte në çast me ndërhyrjen e pishave të shëndosha mes drunjve të gjatë.

Ndërkohë, në anën e djathtë të kësaj ekspozite, po ashtu ndodhej një pikturë tjetër e vitit 1977 por kësaj here, gjelbërimi i veçantë kishte lënë vend edhe për një hapësirë gjelbërore të rrafshët por që nuancat e errëta po vazhdonin të përshkonin gjendjen mjedisore.

Në të njëjtën hapësirë, vepra e realizuar në vitin 2008 dhe e titulluar “Window Seat” e artistit Alban Muja, porsi tematika e tyre, po qëndronte në një nivel më të lartë se e zakonshmja. Dy pikturat e krijuara me akuarel dhe akril në letër, ngërthenin në vete një qetësi absolute, ajo e cila vjen nëpërmjet vështrimit të qiellit, mjegullës dhe reve. Pra, një qetësi që flen brenda qenies njerëzore nga ngjyrat e lehta por të cilat vrullshëm pushtonin atmosferën në secilën sekondë.

Përballë veprës së Mujës, piktura dhe instalacioni i artistes Blerta Hashani, të titulluara “42.438186” dhe “Bocë e Misrit”, erdhën në një kontrast me atë se çfarë tashmë kishim parë. Ngjyra kafe, e bardhë dhe portokalli nga piktura binin këndshëm në sy kur para saj instalacioni i misrit kishte gjetur vendin e tij. Për të portretizuar një fëmijëri, atëherë kur teknologjia nuk kishte vend, të dy veprat e Hashanit përçuan një ndjenjë të kthimit mbrapa në kohë, aty ku natyra me të cilën rrethoheshim ne, ishte i vetmi gjësend që njeriu njihte e me të cilën edhe shpeshherë krijonte një lidhje të brendshme e krejtësisht shpirtërore.

Pastaj, artistët britanik si: Ben Rivers, Charlotte Prodger, Louis Henderson dhe Uriel Orlow, videot e së cilëve u ndërlidhën së bashku për të sjell një video-instalacion, përmes së cilës po shfaqej një përmbledhja e videove nga koleksioni britanez ‘LUX’ dhe ‘British Council’ e të cilat tregonin për veprimet e shoqërisë tonë ndaj natyrës dhe mosveprimet e tyre ndaj ndryshimeve klimatike që po shndërrojnë botën tonë të pasur e të gjelbër në një planet ku ngjyrat e zbehta e depresive do të dominonin dukshëm.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth krijimit të ekspozitës dhe përshtypjeve të tij për KultPlus foli kuratori Engjëll Berisha.

“Së pari British Council e ka lansuar një mundësi për të aplikuar me një linjë të projekteve siç është ‘Future Ecologies’ ku pjesë e saj ka qenë një koleksion që është bazë e LUX-it. Pra, ‘British Council’ në partneritet me LUX-in, kanë ardhur deri në një pikë ku e kanë realizuar këtë si projekt ku prej shumë vendeve të Ballkanit, kemi mundur që të aplikojmë me idetë tona lidhur me ekspozitën. ‘Smogu i madh i vitit 2021’ i referohet në fakt tragjedisë që ka ndodh në Londër në vitin 1952. Kanë kaluar 70 vite prej që është zgjidhur problemi i tyre e ne jemi ende duke u marrë me të”, thotë Berisha.

Sipas tij, titulli është përdorur si një pretekst për të diskutuar më gjerë për ndryshimet klimatike. Kurse, në anën tjetër, ai është munduar që të formojë peizazhet si medium e formë e punës duke i përdorur ato që kanë fokus natyrën në aspekte të ndryshme sociale e ekonomike për të shpalosur dëmin tonë ndaj natyrës.

“Përmbledhja e videove është nga koleksioni britanez ‘LUX’ dhe ‘British Council’ ku katër artistë britanik që kanë fituar çmime të mëdha, i kanë realizuar ato video. E kjo ka qenë për mua një mundësi shumë e mirë dhe një projekt që e kam punuar me shumë dashuri. Ka qenë e vështirë që nga gjithsej 50 punime, të zgjidhen vetëm 10 nga to. E ndoshta edhe se si qëllimi të arrihet pa e tepruar, do të ishte ndoshta vështirësia më e madhe që kam hasur”, thotë ai.

Për të, ajo se çka do të veçonte do të ishte se sa shumë dhe sa gjatë nuk janë parë live punimet e Nimon Lokajt.

“Në momentin që i kam parë punimet e tij, më kanë lënë përshtypje dhe më janë dukur komplet të një bote tjetër e Galeria më ka dhënë këtë rast që të përdor punimet e tij që janë nga fondi i koleksionit të Galerisë, prandaj punimet për mua kanë qenë ndoshta edhe arsyeja që unë kam nisur këtë ekspozitë. Po e mendoja një realitet distopian dhe kur e mendova atë, së pari mendova se si në vitin 2050 nëse dikush do të kishte kujtuar natyrën si diçka që ka qenë në të kaluarën, do e kishte kujtuar me pikturat e Niman Lokajt”, përfundon Berisha.

Kurse, artistja e kompozicionit të vetëm të shfaqur, Blerta Hashani për KultPlus tregoi idenë pas veprës artistike të saj.

“Vepra ime përbëhet prej një pikture dhe një instalacioni, ku të dyja së bashku e formojnë një kompozicion. Tematika ose koncepti i saj është bazuar nga fëmijëria ime dhe nga loja e mëhershme ku atëherë nuk ka qenë në funksion ose aktive, teknologjia. Kemi luajtur me gjëra natyrore, me simbole e elemente të natyrës, e po ashtu jetesa ime në fshat ka shtyrë që elementet e instalacionit tim të përbëhen nga fushat të cilat mbjellin boçat e misrit”, thotë Hashani.

Sipas saj, atëherë si fëmijë, nga një perspektivë si në prapaskenë në ngjarje, ajo ka dashur që të tregoj se si kanë luajtur me boçat e misrit në atë kohë e që sot është përshtatur me konceptin e ekspozitës, për ekologjinë e së ardhmes dhe smogun që po mbizotëron kohëve të fundit në ambientin tonë natyror.

“Vështirësia ime më e madhe ka qenë procesi para krijimit të veprës, pra puna e idesë, si të vendos dhe pastaj ka filluar procesi pas vendosjes time. E në vazhdim, pjesa e realizimit ka qenë shumë më e lehtë sesa puna ideore e projektit”, përfundon Hashani.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 8 dhjetor dhe gjatë kësaj kohe do të organizohen evente të ndryshme që do të eksplorojnë artin si një mjet për rritjen e ndërgjegjes për çështjet mjedisore.

‘Smogu i madh i vitit 2021’ eksploron mundësitë e një të ardhmeje ku mosveprimi i shoqërisë ndaj ndryshimeve klimatike e ka kthyer botën tonë dikur të gjelbër në një planet të hirtë distopiane; një planet të përbërë nga betoni dhe teknologji të ngjashme me ato që shohim shpesh në filma të së ardhmes ose në videolojëra. / KultPlus.com

Historianët e Deçanit me letër për Qeverinë e Kosovës: Të shpallen të pavlefshme vendimet e Serbisë në dëm të Kosovës

Lidhja e Historianëve të Kosovës, “Ali Hadri”- Dega në Deçan, i kanë dërguar zyrtarisht një kërkesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për të miratuar një ligj përmes së cilit do të hidheshin poshtë të gjitha vendimet që ka marrë Serbia në dëm të Kosovës gjatë viteve 1989-1999, përcjell KultPlus.

E gjitha kjo u bë e ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare të kryetarit të kësaj lidhje, Shkodran Imeraj, i cili ka shkruar se është momenti i fundit kur Kosova duhet ta miratojë këtë ligj.

Tutje, historiani nga Deçani ka shtuar se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk duhet të sfidohen me ligjet e kohës se Millosheviçit.

“Përveç rasti të Manastirit të Deçanit, i cili po pretendon që t’ i gllabërojë pronat dhe ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe “Iliria”, në rastin konkret kemi edhe Kishën Ortodokse në pronën e Universitetit të Prishtinës, proces i cili po vazhdon në organet tona të drejtësisë, rast i cili ka gjasa të përfundojë si rasti i pronave të  Ndërmarrjet ‘Apiko’ dhe “Iliria”,  thuhet ndër të tjerash në letrën e LHK- Dega Deçan drejtuar kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca./ KultPlus.com

Historianët e Deçanit për betejën e Kosovës: Serbia po tenton ta falsifikojë historinë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka akuzuar Serbinë se duke e prezantuar si fitore të saj betejën e humbur të Kosovës të vitit 1389, po tenton ta falsifikojë historinë duke u bazuar në mite dhe gënjeshtra.

Në reagimin e tyre, historianët e Deçanit kujtojnë opinionin se historia nuk mund të shtrembërohet mbi Betejën e Kosovës.

“Beteja e Kosovës e 28 qershorit 1389, ka qenë disfata me e madhe që e ka pësuar aleanca ballkanike antiosmane e përbërë nga princat ballkanas, si dhe ndër fitoret më të mëdha që ka shënuar Perandoria Osmane në shekullin XIV”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Shkodran Imeraj.

Për më tepër, historianët e Deçanit thonë se humbja e aleancës ballkanike karshi forcave osmane, e cila festohet si fitore nga serbët, të cilët kanë qenë pakicë ushtarake në këtë aleance, nuk është asgjë tjetër së vetëm një mit dhe tentim për të falsifikuar historinë.

“Manovrat e tyre për të shndërruar Kosovën si “toke të shenjtë serbë” nuk qëndron, ngase serbet zyrtarisht ortodoksinë e kanë pranuar nga shqiptarët, të cilët në masë të madhe ishin të përkatësisë fetare ortodokse, ngase pjesa me e madhe e tokave shqiptare pas vitit 1054, kur ndahet kisha në dy rite, në atë katolike – perëndimore dhe në atë ortodokse – lindor, i kanë takuar kishës lindor, ngase ishin në administrimin e Perandorisë Bizantine, perandori e cila si fe zyrtare e kishte ortodoksinë. Historia serbe është e ndërtuar mbi mite dhe gënjeshtra. Ata, si popull gjithnjë kanë qenë uzurpator dhe si të tillë sillen qysh nga shekulli VII, kur kanë ardhur në Ballkan si fise barbare”, përfundon reagimi. / Gazeta Express / KultPlus.com

Mbahet festivali “Ëshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Sot në Deçan nis edicioni i 9-të më radhë të festivalit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, i cili mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Drejtori i këtij festivali, Mustafë Ramamaj ka ber të ditur se gjithçka është gati për të nisur ketë edicion dhe grupet të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë nga të gjitha trevat shqiptarë.

Mbi 40 grupe shoqëri dhe Rapsodë do të jenë pjesë ë këtyre tri netëve të  festivalit Shqipëria e Jugut dhe e Veriut, Tirana, Saranda, Vlora, Gjirokastra, Shkupi, Rapsodët e Hasit, Ansambli i Burrelit, Grupi i Rapsodëve nga Deçani, Obiliqi, Skenderaj, Vitia, Rahoveci, Grupi nga Shqipëria – Lab, Ansambli nga Tropoja, Ansambli Rugova, Grupi nga Istogu, Malisheva, Klina, Bajram Curri nga Krusha, Drenasi, Gjakova  dhe shumë grupe dhe rapsodë të cilët për tre net radhazi do të jen pjesë e këtij festivali në Deçan.

Nata finale e festivalit mbahet më 6 maji, që shënon edhe përvjetorin e 22-të, të rënies së heroit të Kombit Gjeneral Luan Haradinaj ku i pranishëm do të jetë edhe Kryeministri i Republikë së Kosovës, Ramush Haradinaj./KultPlus.com