Në territorin e Republikës së Kosovës ende dikush mund ta përdorë termin pezhorativ Kosovë e Metohi.
Sava Janjic nga Manastiri i Deçanit shumë shpesh tregon në rrjetet sociale mbi zhvillimet në këtë objekt të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Dje, Janjic ka treguar për vizitën e Patriarkut të Aleksandrisë në këtë Manastir.
“Bashkë me të ishte edhe Patriarku Irinej i Serbisë dhe anëtarë të Kishës së Aleksandrisë nga Serbia. Mes tjerash këtu është folur edhe për vuajtjen e kristiano-ortodoksëve viteve të fundit” ka shkruar mes tjerash Sava Janjic duke bashkangjitur edhe fotografi nga kjo vizitë, shkruan KultPlus.
Ajo çka shihet në këtë postim është se përdoret termi Kosovë e Metohi. Ky term është përdorur për vite nga Serbia për Kosovën, apo siç e quajnë ata – Provincën Autonome të Kosovës e Metohisë. Ky territor edhe sot njihet si pjesë e Serbisë.
“Gjatë drekës, Kori i Fëmijëve nga Kosova dhe Metohija kënduan këngë serbe. Patriarku Teodor bashkë me Patriarkun Irinej më pas u larguan për në Nish ku do të vazhdojë pelegrinazhi i Kishës Ortodokse Serbe” shkruan Janjic.
Disa herë në të kaluarën Janjiq ka mbështetur politikën serbe kundër Kosovës. Në kohën kur Kosova aplikoi për anëtarësim në UNESCO, Janjiq ishte ndër zërat më të fuqishëm kundër këtij anëtarësimi. Janjic është mjaft aktiv në Facebook, aty ku edhe poston mbi aktivitetet që ndodhin në Manastirin e Deçanit.
Manastiri i Deçanit është një monument i trashëgimisë kulturore në Deçan. Qëndrimin në Deçan mund ta përfundoni me vizitën e Manastirit të Deçanit , i ndërtuar në shekullin XIV dhe pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCOs . / KultPlus.com