Një vit më parë u nda nga jeta kolosi i humorit shqiptar, aktori “Mjeshtër i Madh” Zef Deda duke lënë pas një dhimbje të madhe për familjen, miqtë dhe artin mbarë shqiptar.
Në këtë një vjetor teatri “Migjeni” zhvilloi homazhe në nder të figurës së Zef Dedës. Djali i tij, aktori Julian Deda thotë se Zef Deda është një mungesë e madhe.
“Ju falënderoj shumë. Kaloi një vit i vështirë për familjen tonë, nuk jemi mësuar të rrimë pa të.
Prania e tij në familje ka qenë dominante, për nga gjithçka, edhe energjia që përcillte.
Një shprehje latine thotë që njerëzit vdesin kur harrohen jo kur ikin nga kjo botë. Ai e meriton të kujtohet përjetë.
Duke ju falënderuar për gjithë jetën që keni kaluar me tim atë, për gjithë shembullin që na keni dhënë, e ka thënë edhe ditën kur ai u largua nga bota, na keni dhënë shembullin e një bashkëjetese fantastike.
Mua personalisht më mungon telefonata jo vetëm e përditshme, por edhe e përjavshme kur mbaroja punën dhe thoshte mirë ke qenë por këtë moment duhet ta shikosh. Nuk ka kush më merr tashmë çdo të shtunë”, tha ai.
Disa prej miqve, po ashtu emra të mëdhenj të humorit dhe artit shqiptar shprehen se Zef Deda ishte unik si aktor por edhe si njeri.
Zef Deda, aktori i humorit i qindra roleve lindi më 27 korrik 1950 ndërsa u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare më 24 nëntor 2023. Një sëmundje që e mundoi i morit jetën aktorit të estradës shqiptare.
Ai do të mbetet në memorien e çdo zemre shqiptare si një kolos i humorit që përmbi 50 vite shënjoi emrin e tij në panteonin e artit e kulturës tonë kombëtare./ balkanweb/ KultPlus.com