Në kuadër të aktivitetit të përvitshëm “Java e albanologjisë” që e zhvillon Instituti Albanologjik, sivjet për të 13-tin vit me radhë, të enjtën që shkoi u organizua sesioni i Degës së Folklorit.
Tema e këtij viti ishte “Folkloristika dhe Etnomuzikologjia në Kosovë, 70 vjet pas botimit të parë”, e cila mori shkas nga përvjetori i librit “Kangë popullore shqiptare të Kosovë Metohis” që ishte botuar nën përkujdesjen e atdhetarit studiuesit të shkolluar në Toulouse të Francës, profesor Zekeria Rexhës (1910 – 1972), në vitin 1951. Duke i dhënë rast këtij rrugëtimi 70-vjeçar, me ecejaket e vështirësitë jo të vogla që e përcollën disiplinën e folkloristikës, studiuesit folklorit e të etnomuzikologjisë në këtë sesion shpalosën rezultatet e hulumtimeve të veta, duke sjellë risi në studimet e kësaj fushe.
Sesioni ishte i organizuar në dy drejtime: 1. kontribute të studiuesve të shqiptarë për zhvillimin e folkloristikës dhe të etnomuzikologjisë në këto vite si dhe 2. tema të tjera problemore që vunë në spikamë sfidat teorike e metodologjike me të cilat përballen këto shkenca sot. Për konceptet e studiuesit Sadri Fetiut mbi baladën shqiptare dhe ndjeshmërinë etike që e karakterizon këtë zhanër, prezantoi studiuesja nga Tirana, Olimbi Velaj. Për veprimtarinë e bujshme dhe origjinale të këngëtarit krijues Qamili i vogël, prezantoi etnomuzikologu Krenar Doli.
Për metodologjinë hulumtuese të mbledhjes dhe sistemimit të folklorit sipas Demush Shalës, u paraqit Vlorë Fetaj Berisha, përderisa për konceptet teorike mbi përrallën, të studiueses Myzafere Mustafa, prezantoi Ylberza Halili. Mbi rëndësinë historike dhe rrugëtimin e librit të parë nga folkloristika të Zekeria Rexhës, kumtoi Arbnora Dushi, e për veprimtarinë folkloristike të shkrimtarit Abdulaziz Islami në Maqedoni ishte kumtesa e Izaim Murtezanit nga Shkupi. Mbi rëndësinë etnomuzikologjike të veprës së Gjon Kujxhisë kumtoi muzikologu nga Gjakova, Behar Arllati.
Përveç temave kontributdhënëse, ishin edhe ato problemore siç ishte kumtesa e Mikaela Mingës nga Tirana me titull “Etnomuzikologjia, artefakti dhe njeriu”, apo ajo e etnomuzikologut nga Tetova, Bekim Ramadani, me titull “ Sfidat e muzikës popullore përballë paradigmave të globalizmit”. Gjithashtu të kësaj natyre qenë edhe kumtesat e etnomuzokolëge nga Instituti Albanologjik, të cilat sollën në pah probleme nga etnomuzikologjia e aplikuar me autor Visar Munishin, e ajo nga metodologjia e hulumtimit etnomuzikor të krijimtarisë së fëmijëve, me autor Albin Sadikun. Mbi metodat notografike të materialit muzikor folklorik kumtoi Liburn Jupolli.
Ky sesion, duke nxjerrë në dritë të dhëna të reja mbi veprimtarinë folkloristike dhe etnomuzikologjike, krahas reflektimit për veprimtarinë e kaluar në një kontekst të ri kohor, zgjoi interesim tek të pranishmit në sallë duke nxitur diskutime dhe një frymë bashkëpunuese midis profesionistëve të këtyre fushave.
Punimet nga kjo konferencë do të bëhen pjesë e vëllimeve nga aktet e konferencës, nën emrin “Albanologji”, e cila është bërë tashmë traditë e veprimtarisë botuese të Institutit Albanologjik në Prishtinë. /KultPlus.com