Vepra “Ora e shkrimtarit 2”, është një përmbledhje studimesh e vështrimesh me karakter okazional të kujtesës dhe evokimit të vlerave letrare të shekullit të kaluar. Produkt i një opusi studiuesish e letrarësh aktualë të Kosovës, brenda kësaj vepre shkrihen e sintetizohen mendime, përceptime, pikëpamje e qëndrime aksiologjike mbi vlerat e veprat letrare të shkrimtarëve shqiptarë të shekullit XX. Të pranëvendosur njëri pas tjetrit sipas një parimi selektues e kronologjik, këta shkrimtarë parakalojnë në shekullin e ri duke u reprezantuar si poetë, prozatorë, publicistë e estet dhe si rrjedhojë ofrojnë një diversitet interpretimesh e një polimorfizëm varësisht prej zhanrit me të cilin paraqiten.
Duke selektuar emra personalitetesh si Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj e Musa Ramadani, studiuesit e kësaj përmbledhjeje ravijëzojnë herë mbi rrafshe të ndryshme të veprës e herë mbi personalitetin e krijuesit për të derivuar si produkt final një portret të përgjithshëm mbi poetikën e mbi vetë autorin. Si rrjedhojë, në vepër do të hetohet integrimi i një rrjeti metodash e qasjesh që do të manifestohen si: ravijëzim i dimensioneve të ndryshme të jetës së autorit përmes finesave të pozitivizmit; gjurmim i tematikës, stilistikës, narracionit, personazhit, përgjithësisht poetikës përmes qasjes strukturale; dhe si hetim i ndërliteraritetit të mundshëm të autorëve shqiptarë me letërsinë botërore përmes qasjes krahasimtare. Duke përzgjedhur kush një metodë dominante e kush një tjetër, këta studiues do të përpiqen të nxjerrin së paku disa elemente kruciale të vizionit të përgjithshëm krijues të këtyre autorëve.
Gjurmimi i binomit figurativ e semantik në poezinë e Din Mehmetit e Rrahman Dedajt
(Dije Demiri – Frangu, Anton Berishaj, Adil Olluri)
Përpjekja e studiueses Dije Demiri – Frangu për të dhënë një imazh sa më besnik dhe të plotë të Din Mehmetit është përkthyer në praninë e finesave të metodës integrale në thelb, sepse në nismë studimi i saj nis rrugëtimin si një përmbledhje e informacioneve rudimentare të biografisë dhe filleve të veprimtarisë krijuese, vazhdon si ilustrim minimal i kontekstit historiko – politik të kohës kur shkruan autori, por tutje studimin e objektit Demiri – Frangu e projekton si orientim drejt rrafshit përmbajtësor që ka poetika e Din Mehmetit, pra përqendrimin në semantikën e poezisë nëpërmjet figuracionit letrar. Diskursin e vet përmbajtësor mbi semantikën dhe figuracionin e këtij autori, studiuesja në fjalë e artikulon mbi parimin e leximit ndërmjet dy kohëve, që vë përballë leximin e së shkuarës dhe të së tashmes, leximin e krijimtarisë nistare e fundore të Din Mehmetit për ta përshkruar tejkohësinë tematike e evolucionin figurativ.
Në esencë, semantikën e poezisë së Dinit, studiuesja Dije e koncepton si të lidhur ngusht me fatin e atdheut dhe ngjarjet historike e politike të viteve ’90, që në thelb kundërmojnë mushtin atdhetar, siç e quan ajo. Por, duke e vështruar paralel me kohën e krijimit dhe aposteriorin e krijimit, Demiri – Frangu heton dy faqe të semantikës: poezi që dikur trumbetonin luftën, bomba që na zgjonte nga letargjia e realitetit të trishtë, të ashpër e dhunues konstaton Demiri – Frangu duke nënvizuar sot një rol më tepër ilustrativ të kësaj poezie që sipas saj vjen si një dëshmi e fortë, si një reliev poetik i një dhembjeje të shndërruar në kujtesë. Pashkëputshmëria prej kontekstit historik të kohës, megjithatë nuk i shpëton syrit kritik të studiueses, e cila nuk e sheh tërësisht pa rezerva këmbimin e detyruar estetik me kërkesat ideologjike të kohës, megjithatë e arsyeton pozicionin utilitar të autorit me kërkesat e kohës, bile vlerëson se poezia e Dinit është frymë e kohës…aritmi e zemrës së popullit të tij.
Me frymën e përqasjes, Demiri – Frangu trajton edhe rrafshin e figurave, duke u fokusuar sidomos në procesin evolutiv të metaforës, që e piketon si determinantë përfaqësuese të poezisë së Din Mehmetit. Duke iu referuar edhe një studimi të Ramadan Musliut në shenjë konkretizimi, kjo studiuese shpërfaqë transformimin e metaforës prej metaforash të zgjeruara e të hipertrofuara me karakter popullor, drejt evoluimit në metafora më të koncentruara, apo metafora semantike siç zgjedh t’i quajë Ramadan Musliu.
Ndonëse kanë një objekt të përafërt studimi, karakterit pak më integral të studimit të Demiri – Frangut, i vihet përballë një qasje më e koncentruar e studiuesit Anton Berishaj teksa rreket të hulumtojë kodin simbolik tashmë të poezisë së Rrahman Dedajt. Berishaj vetë e paralajmëron kufizimin e interesave të veta vetëm në kodin simbolik, sepse niset nga kredot e teorikëve e estetëve se veprat artistike janë simbole dhe se kodi simbolik vetiu lidhet edhe me nënkode tematike e ligjërimore. Me një stil dhe leksik të koncentruar shkencor dhe me një qasje argumentuese që ndalet në vargje, jep shembuj poezish, Berishaj studimin e vet e hap me interesimin mbi arkitektonikën e kodit simbolik, përherë të lidhur ngusht me përmbajtjen, tematikën e poezive. Duke hulumtuar origjinën e kodit simbolik, Berishaj konstaton se simboli te Dedaj krijohet mbi bazën e konstrukteve metaforike, ku segmenti i dytë është bartës i vlerës simbolike.
Megjithatë, përqendrimi më i madh i Berishajt rrëshqet drejt evoluimit që pëson kodi simbolik e bashkë me të edhe semantika e poezive nëpër faza. Në odisejadën e vet hulumtuese, Berishaj gjurmon kodin simbolik e tematik duke identifikuar një mori metaforash e temash prej përmbledhjeve të para e gjer në ato të fundit, vetëm e vetëm për të konstatuar se vëren një amplifikim, një transformim sinjifikativ të metaforës, simbolit e të temave prej poezive të para krahasuar me ato të fundit. Natyra fitomorfe, zoomorfe, kozmogonike dhe më popullore e metaforave dhe simboleve në përmbledhjet e para, sipas Berishajt zgjerohet dhe lidhet me aktualitetin, ndaj siç thotë ai në përmbledhjet e fundit do të krijohen edhe simbolet si: tanku, gazeta, komunikata, grushtshteti…e bashkë me simbolet edhe temat më filozofike e individuale që shquajnë përmbledhjet e para, do të përfshijnë tema të reja si dhuna, hipokrizia, nëpërkëmbja e lirisë njerëzore, trazirat politike e sociale, tema pra që e shqetësojnë njeriun aktual.
Me rrafshin simbolik do të merret edhe Adil Olluri, që njëjtë sikur studiuesi Berishaj, por me një stil më eliptik e qasje afirmative, evidenton e përshkruan simbolet nëpër fazat e krijimtarisë së Dedajt. Në studimin e vet, Olluri identifikon tri faza, tri mënyra krijimi simbolesh, që nisin rrugëtimin si simbole konvencionale të lëvruara edhe më herët në letërsinë shqipe, së dyti integrohen si struktura simbolike jokonvencionale dhe së treti, sipas Ollurit, Dedaj bën një përdorim të spikatur jokonvencional e personal të simboleve konvencionale. Studimi i Ollurit përshkon edhe rrafshin tematik dhe përmbajtësor të poezisë së Dedajt, që për të del mjaft diverse. Olluri vë theksin në një varg temash e konceptualizimesh që sjell poezia e Dedajt që nga origjina, nostalgjia, arti i fjalës së bukur, tëhuajësimi, zvetënimi e sidomos vendlindja e fëmijëria që për Ollurin janë pjesë e pandashme e të gjitha përmbledhjeve. Mbi këtë laramani temash e simbolesh, sipas Ollurit, e gjitha poezia e Dedajt e bart vulën e një poezie në thelb meditative, refleksive, sepse siç shprehet edhe vetë, poezia e Rrahman Dedajt është kryekëput ligjërim i një krijuesi mendimtar që shpreh mendime për çështje e dukuri, se sa që shpreh ndjesi për to. Studimi i Ollurit herë – herë shpalosë edhe shkëndija pozitiviste e aksiologjike ku projektohen dromca të jetës e krijimtarisë së Dedajt, bashkë me vlerësime subjektive ku Olluri ngre në piedestal poezitë e Dedajt, që madje i quan edhe perla poetike, por që këto shkëndija mbesin më terciare në krahasim me qasjen dukshëm më pozitiviste që do të sjellin në vazhdim Ibrahim Kadriu e Agron Gashi.
Poliedrizmi i Ramiz Kelmendit e Musa Ramadanit në dritën e dialogut
(Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi dhe Agron Gashi)
Kur thuhet qasje pozitiviste për Ibrahim Kadriun e Agron Gashin nënkuptohet shpërfaqja eksplicite e personalitetit të krijuesit, pa dhënë informacione direkte biografike, por duke u vënë në bisedë direkte me vetë autorin, ashtu që në studimet e të dyve, nuk janë studiuesit, por janë kryesisht autorët ata që e prezantojnë veten përpara lexuesve.
Studimin e vet, studiuesi Ibrahim Kadriu e artikulon prej pozitës së bashkëbiseduesit e asaj të lexuesit. Në pjesën e parë të studimit, Kadriu, në vend të monologimit mbi figurën e Ramiz Kelmendit, kryesisht dialogon bashkë me Ramiz Kelmendin duke e bërë këtë autor të afërt e të prekshëm për lexuesin. Prej evokimit të një episode në tren dhe prej dialogut direkt me Ramiz Kelmendin, studiuesi Kadriu nxjerr autorin prej katër prizmash të ndryshëm: R.Kelmendin si njeri te i cili shquan modestinë e humorin; si përkthyes te i cili ndërfut vlerësimin e Kelmendit mbi përkthimin në letërsinë shqipe; gazetar e krijues që vetë Kelmendi i sheh si dy fusha të pandashme dhe veten si homoduplex të tyre dhe së fundmi Ramiz Kelmendin si kritik dhe preokupimet e tij mbi mosleximin, nepotizmin në kritikë e përdorimin jo të drejtë të gjuhës shqipe. Po këtë portretizim poliedrik që e nxjerr prej revistës, Ibrahim Kadriu do ta gjejë edhe prej pozitës së lexuesit. Me një stil të çliruar prej dromcave teorike e kritike dhe me ligjërimin që më tepër i ngjan përshtypjes prej lexuesi, Kadriu përqendrohet në veprën “Ditari” të autorit Kelmendi, te e cila çmon stilin e autorit, poliedrizmin e polimorfizmin që shfaq vepra. Kadriu heton në këtë vepër shkrirjen e biografemave, kontekstit historiko – politik, dromcat gazetareske e letrare të Kelmendit, që e plotësojnë personalitetin e Kelmendit, sepse siç ka vënë re Ibrahim Kadriu, deshifrimi i veprave përmes ngjyrosjes biografike më së miri vjen në shprehje pikërisht te shkrimtari Ramiz Kelmendi. Ndaj, te “Ditari” Kadriu gjen referencën dominantë për të depërtuar brenda figurës së Kelmendit ose siç thotë vetë Kadriu për të shëtitur bashkë me autorin rrugëve kah kishte shkuar ai.
Prej figurës poliedrike të Ramiz Kelmendit që e nxjerr Kadriu, studiuesi tjetër Binak Kelmendi, që gjithashtu merret me të njëjtin autor, do të përqendrohet në Ramiz Kelmendin – publicist, megjithatë duke ia njohur kontributin edhe në veprimtarinë përkthyese e krijuese. Që në hyrje të studimit, Binak Kelmendi reflekton një qasje aksiologjike të admirimit për publicistikën e Ramiz Kelmendin, duke e gërshetuar me një historik të shkurtër të inkuadrimit të R. Kelmendit në publicistikë, dhe fokusohet në tri vepra publicistike “Letra prej Ulqini”, “Fytyra dhe turinj” dhe “Kokrra kripe”. Kelmendi hyn në mënyrë koncize në përmbajtjen e secilës vepër dhe derivon prej andej elemente të përgjithshme të përmbajtjes, por theksin e vë në diversitetin zhanror që sjellin të tri veprat si korrespondencë, polemikë dhe përmbledhje publicistike. Me këto tri vepra, studiuesi Kelmendi e karakterizon publicistikën e autorit si stisje edhe mbi rrethanat politike të kohës, madje vepra “Letra prej Ulqini” sipas tij tejkalon zhanrin thjesht gazetaresk dhe merr kontura të kronikës e dëshmisë historike mbi shqiptarët e viteve ‘90 brenda e jashtë Kosovës. Jo vetëm në këtë vepër, por përgjithësisht sipas studiuesit Kelmendi ky autor ka ditur të shfrytëzojë hapësirën që ia ka lejuar koha e rrethanat politike për të shprehur atë që ka qenë me interes për publikun. Ndaj, lidhjen e ngushtë mes rrafshit krijues dhe rrafshit historik e politik të kohës, duket sikur Binak Kelmendi e shpallë si veçori krijuese të Ramiz Kelmendit prej cilitdo prizëm. Prej rrethanave historike të kohës s’mund të shkëputet as vetë Binak Kelmendi, ndaj ky studim i tij karakterizohet për një përdorim të gjerë të digresioneve me karakter historik e politik të raporteve shqiptare – jugosllave, e herë – herë edhe me digresione të karakterit pozitivist që nxjerrin detaje më anësore nga jeta e autorit.
Forma e dialogut që në përmbledhje nisi me Ibrahim Kadriun, aplikohet edhe prej Agron Gashit, këtë herë te Musa Ramadani. Krahas një qasjeje të përgjithshme ndaj krijimtarisë së Musa Ramadanit që depërton prej dromcave biografike të autorit, nëpër historikun e krijimtarisë dhe nëpër një paraqitje të elementeve rudimentare nëpër veprat e tij, një fokus të veçantë studimi i Agron Gashit merr në pjesën e dialogimit me autorin. Përmes dialogimit, Agron Gashi e nxjerr Musa Ramadanin nën prizmin e estetit e me premisa prej filozofi dhe e lë të flasë vetë para lexuesit. Me një stil konciz e të koncentruar të pyetjeve, Gashi shpërfaq përpjekjen e Musa Ramadanit si estet për të krijuar një manifest letrar, estetik e i – medial të ndërtuar mbi pesë parime të paracaktuara. Këtë manifest, që autori Ramadani e kishte emërtuar si verrleizëm, në dialog e sipër me studiuesin Gashi, e koncepton si kthim në të njëjtën pikë të fillimit e mbarimit, si diçka që përsëritet në mënyrë ciklike, duke ia referuar këtë proces ciklik edhe vetë procesit të krijimtarisë që përmbyllet në një rreth të caktuar, me fillim e fund të ngjashëm. Idenë për verrleizmin e nxjerr prej filozofisë ekzistencialiste, ndaj Gashi prej dialogut derivon edhe dromcat filozofike të autorit e admirimin për ekzistencializëm. Duke zgjatur komunikimin me autorin, Gashi në mënyrë implicite nxjerr një lexim sistematik që Musa Ramadanit ua bën ekzistencialistëve në fillimin e fundin krijues, në të cilin heton një ndryshim të qëndrimeve prej një mohimi absolut, së paku drejt qëndrimeve që divergjojnë në tjera drejtime pak më relative. Sado që në dialog, studiuesi Gashi mban një qëndrim më të përmbajtur dhe neutral ndaj Musa Ramadanit duke u mjaftuar me prezentimin e këtij autori prej dy këndeve të reja, pra finesat estetike e filozofike, në qëndrimin e përgjithshëm të Gashit, hetohet një qasje admirimi ndaj këtij autori. Për Gashin, Musa Ramadani mbetet jo vetëm avangardist e eksperimentues në forma e fusha të ndryshme të letërsisë, por edhe sharmi e eleganca e brezit të kohës kur krijoi.
Kundrimi multipërspektiv i Osman Gashit mbi prozën e shkurtër të Musa Ramadanit
Trajtimi i prozës së shkurtër të Musa Ramadanit prej disa rrafshesh e përspektivash, i ka dhënë studimit të Osman Gashit një karakter më integral, më përgjithësues, ani pse ligjërimi dhe stili i tij artikulohen si detajizues e argumentues përmes gërshetimit me citate e fokusimit në tregime të caktuata. Gashi që në nismë trajton binomin strukturë – përmbajtje të tregimeve, prej nga bën me dije se strukturalisht tregimet e Musa Ramadanit e plotësojnë kërkesën kruciale të një fillimi influentiv konciz dhe një efekti rrëmbyes për t’u receptuar vëmendshëm prej lexuesit. Ndërkaq, në rrafshin e përmbajtjes, Gashi i identifikon tregimet e disa romane të këtij autori kryesisht si prozë refleksive e të rrjedhës së ndërdijes, ku siç thotë Gashi shpalos të fshehtat e një bote të trazuar, e një individi të pasigurtë e gjithsesi të rrezikuar nga agensët e ndryshimit. Gashi përmend këtu edhe produksionin tematik me origjinë popullore, si risemantizim prej Eposit të kreshnikëve, ndërkohë që temat si ambienti urban, njerëzit e margjinave, pleqtë, gratë dilemat e njeriut të thjeshtë, përpjekja për shkëputje e distancim nga jeta publike e herë ajo politike shenjojnë produksionin tematik që kap syrin e studiuesit Gashi teksa flet për tregimet e Musa Ramadanit e me theks të veçantë përmbledhjen “Fluroma”.
Duke u vënë syrin tregimeve të veçanta, kësaj here të përmbledhjes “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, Gashi rrëshqet në fushën e personazheve ku përshkruan shkurtimisht, por qartë tipat e personazheve që ndërton Musa Ramadani në tregimet e veta, e që për Osman Gashin konotojnë në njerëz që vijnë nga periferia e jetës e në individë me shpresa të thyera, të vetmuar e të tëhuajësuar e ndonjëherë edhe viktima të mentalitetit provincial. Gashi shpreh interesim edhe për kategorinë e narratorit dhe narracionit, duke veçuar si specifikë sidomos rrëfimin nga veta e parë e narratorin homodiegjetik, dhe një përzgjedhje e përdorim i tillë sipas Gashit i ka bërë të mundur Musa Ramadanit që në mënyrë më të natyrshme të derdh tërë potencialin e tij krijues e emocional. Modernizmi dhe postmodernizmi sipas Gashit bëhen rrymat midis të cilave observon e huazon penda krijuese e Musa Ramadani, ndaj siç thekson Gashi, kjo bën që vepra e tij të jetë në linjë me zhvillimet në letërsinë bashkëkohore që krijohet në botë. Kjo linjë e përbashkët i hap rrugë një relacioni përqasës, ndaj dy studiuesit Gashi bëjnë me dije ngjashmërinë e Musa Ramadanit me Buxatin, Borhesin e Kafkën. Sidomos ngjashmërinë me Buxatin, Osman Gashi e sheh edhe si influencë të mundshme të përkthimit që i kishte bërë Musa Ramadani në gjuhën shqipe. Po kjo influencë sipas Gashit përcakton edhe relacionin me autorin iranian Sadek Hedajat e Upanishadat indase, që ndërfuten në tregimet e M.Ramadanit si reminishenca që derivojnë nga Lindja, sepse siç heton Osman Gashi, sidomos ky raport me Lindjen në prozën krijuese të Musa Ramadanit shndërrohet në preokupim të thellë e obsesion. Kjo qasje krahasimtare shenjon rrafshin e fundit të studimit të Gashit mbi prozën e M.Ramadanit, në të cilin studim, Osman Gashi e identifikon Musa Ramadanin si një shkrimtar risish, me të cilin lidhet ngusht përdorimi për herë të parë i formave vizuale e qasjeve tjera eksperimentale në letërsinë shqipe.
Përgjithësisht, duke përshkuar me penelatë të trashë gati të gjitha metodat e me penelatë të hollë një formë e metodë më përfaqësuese brenda një autori, me finesa të holla të një stili herë poetik e herë shkencor, herë eliptik e herë detajizues, studiuesit e kësaj vepre kanë ndërtuar pikëpamjet e veta sinjifikative për secilin autor dhe artin që ai autor përfaqëson. E këto pikëpamje nxjerrin në pah krijues që marrin rolin e misionarit duke iu afruar zhvillimeve të kohës si rasti i Din Mehmetit, por edhe krijues që rrethanat e kohës i gërshetojnë me qasje eksperimentale moderne e postmoderne si rasti i Musa Ramadanit. Nga vëzhgimet e këtyre studiuesve del një spektër letrar, publicistik, estetik me aplikimin e gati të gjitha formave e të gjitha zhanreve deri në ato më komplekse që, për studiuesit e kësaj përmbledhjeje, bëhet vlerë në letërsinë shqipe.
Ndaj, me një variacion qëndrimesh ndaj këtyre autorëve, duke i parë herë me neutralitet e herë me admirim e përzemërsi, studiuesit e kësaj përmbledhjeje përpiqen që, kush më pak e më tepër, t’i afrojnë këta shkrimtarë me lexuesin aktual dhe përfundimisht ta shpallin eternalitetin e veprave të tyre, duke u siguruar vend të përhershëm në Parnasin e krijuesve.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Rrezartë Morina / KultPlus.com