Nga Ibrahim Kadriu
Dënimet
Për shkak se nuk e kishte kuptuar realitetin shoqëror, Ruhon Kusha kishte pësuar duke u përballur tri herë me dënimet me burg. Pse? Shpjegimi nga një mik i tij ishte siç vijon më poshtë, siç rrëfeu A,.Gj:
…Ai ishte problematik se tregonte barsoleta. Kështu ia komunikuan, si problematik, atë ditë kur në gjykatore u gjend para drejtësisë. Në pyetjen e gjykatësit se a ishte e vërtetë se tregonte barsoleta dhe nga ato barsoleta njerëzit qeshnin? Përgjigja ishte pohuese, sepse ai vërtetë kurdo që i binte rasti të bisedonte me ndokënd, e thoshte ndonjë barsoletë. Kënaqej kur njerëzit kënaqeshin dhe nga ato barsoleta qeshnin. Ai kishte pyetur në gjykatore se a ka ndonjë qëndrim kundër qeshjes së njerëzve, a mos kishte abuzuar me qeshjet e tyre. Çka ka armiqësore?
Përgjigja ishte e shkurtër: – Ke bërë veprim kundërligjor.
– A është e kundërligjshme qeshja: kishte pyetur prapë ai.
-Kundërligjore janë përmbajtjet, i ishin përgjigjur. Ti, për shembull,- i kishin thënë- dhe atë që e thoshin kërkonin të futej në procesverbal, ke bërë humor me emrat kinezë. A është e vërtetë?
–Jo, sepse unë ashtu i kam kuptuar emrat kinezë, se kur iu duhet ndonjë emër, marrin shtyllën e gardhit dhe e fusin furishëm në tokë. Varësisht nga vendi ku e fusin ndërron edhe onomatopeja: herë çuk, herë kërr, herë fuçke, herë tank, nëse toka është gurinë. Këto efekte të futjes së shtyllës në tokë i përdorim për emra njerëzish.Ti ke bërë humor me miqtë tanë, prandaj ky kolegj i gjykatores të dënon me dy vjet heqje lirie.
Pas dy vjetësh del në liri. Kishte vërejtur shumë ndryshime, ndër ato që më së shumti u binte në sy, ishte mungesa e kinezëve rrugëve dhe shesheve të qytetit, mbase, siç i thanë, ishin larguar edhe nga uzinat. Ruhon Kusha nga gëzimi që nuk do të abuzohej më për shkak të tyre, vazhdoi të tregojë barsoleta tjera. Në një shoqëri kafeneje, ai tha:
-Më falni burra, por nuk po mundem të hesht. E kam dëgjuar një barsoletë interesante për kohën e pasluftës. Fjala është për një ushtrim të mëngjesit ku kishin dalë civilë edhe ushtarakë. Më vete i kishin edhe gomarët dhe gomaricat, që iu shërbenin për bartje, atëherë kur nuk kishte makina. Në një lëndinë, derisa bënin gjimnastikë një gomar i kërcen gomaricës. Fill pas atij akti, që u shfaq botërisht, u mor vesh se gomari kishte qenë i një ish ballisti, kurse gomarica e një anëtari të partisë komuniste. Gomarin pastaj e dënojnë me pushkatim, si të papërgjegjshëm sepse e kishte ngacmuar gomaricën e komunistit.
Të gjithë qeshin, kurse njëri prej tyre largohet më herët nga shoqëria dhe merret vesh se e kishte denoncuar dhe, pa vonesë, ia kishin lidhur duart Ruhon Kushës. E dërgojnë në gjykatore ku, me procedurë të shkurtër, e dënojnë dy vjet të tjera, pa të drejtë ankese.
Kalojnë edhe ata dy vite dhe Ruhan Kushën e lëshojnë. Kishin ndodhur ndryshime, më i madhi i kënaqësisë kishte vdekur. Ruhani hetonte një frymëmarrje tjetër fare, ndonëse prapë kishin mbetur reflekset politike të së kaluarës. Edhe pas katër vjetësh të kaluara në burg për shkak të dy barsoletave, Ruhani vazhdonte të krijonte atmosferë hareje me barsoletat e tij. Një barsoletë që e kishte dëgjuar në burg i kujtohej më së miri, prandaj gjeti rastin ta rrëfente:
-Kur arrin më i madhi i kënaqësisë sonë në atë dynja, e kishin pyetur se me kënd, nga liderët e vdekur, do të dëshironte ta ndante dhomën. Ia përmenden Stalini. Reagon ashpër. Fill pas Stalitni ia përmendin Titon. Gjithashtu reagon ashpër, bile edhe duke e sharte këtë të fundit. E shëtisin korridorit ku ishin të vendosur autoritetet politike e shtetërore dhe, në shëtitje e sipër, ndalen te dera ku shkruante se brenda ishte Indira Gandi. E pyetën:
-A dëshiron këtu, me Indirën?
-Po, po, reagon shpejt i madhi i kënaqësisë sonë.
E fusin brenda. Qëndrojnë përballë njëri tjetrit duke u marrë vesh me gjeste. I madhi i kënaqësisë sonë e shikon ëmbël Indiren. Me gjeste ia bën me dije se i pëlqente, derisa e shikonte në gjoks, duke ia bërë me dije se ia dëshironte zemrën. Indira ia kthen shpejt: – Atë ia kam dhënë popullit Domethënë e refuzon. Por Indira edhe ajo dëshiron ta provokojë. E shikon mes këmbëve, kurse i madhi i kënaqësisë sonë i thotë: – Atë ia kam dhënë popullit tim.
Menjëherë pasi e denoncuan për këtë barsoletë Ruhani u gjend me duar të lidhura në gjykatore, ku e dënuan edhe me dy vjet heqje lirie. /KultPlus.com